Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 18 July 2026Telegrafi

Pamje të frikshme pranë Moskës - re e dendur e zezë mbulon qiellin pas sulmit ukrainas

18 July 2026 at 15:55


Një re gjigante me tym të dendur të zi mbuloi qiellin mbi Noginsk, qytet rreth 50 kilometra në lindje të Moskës, pas një zjarri që shpërtheu në një terminal nafte gjatë një vale sulmesh me dronë ukrainas në rajonin e gjerë të Moskës.

Pamjet tërhoqën vëmendjen për shkak të perdes masive të tymit, e cila dukej si një re e errët mbi zonën.

Tymi u krijua nga djegia e sasive të mëdha të produkteve të naftës, proces gjatë të cilit lirohen sasi të mëdha bloze dhe grimcash të imëta që mund të mbulojnë qiellin dhe të pengojnë rrezet e diellit.

Ekspertët shpjegojnë se qëndrueshmëria e atmosferës verore ka ndikuar në mbajtjen e tymit mbi zonë.

Për shkak të inversionit të temperaturës, pra një shtrese ajri më të ngrohtë që mban ajrin më të ftohtë pranë tokës, tymi nuk është shpërndarë shpejt në shtresat e larta të atmosferës, por është përhapur horizontalisht dhe ka qëndruar për një kohë të gjatë mbi rajon.

Zjarri në Noginsk u shkaktua nga rënia e mbetjeve të një droni të rrëzuar, njoftoi guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov. Në incident u plagosën dy persona, ndërsa si masë paraprake u evakuua edhe një maternitet aty pranë.

Sulmet me dronë goditën edhe zona të tjera në Rusi. Në qytetin Kotovsk, në rajonin Tambov, shtatë punëtorë të një magazine të kompanisë Wildberries humbën jetën, ndërsa të paktën 25 persona u plagosën. /Telegrafi/

Megan Fox rikthehet me një paraqitje sensuale në Instagram, fansat e krahasojnë me ditët e saj ikonike

18 July 2026 at 15:55


Aktorja amerikane, Megan Fox, ka tërhequr sërish vëmendjen e fansave me një postim të ri në rrjetet sociale, duke rikthyer atmosferën e periudhës së saj më ikonike në Hollywood.

Ylli i filmit “Jennifer’s Body” ka publikuar disa fotografi ku shfaqet me një veshje të zezë elegante dhe provokuese, e përbërë nga një bluzë gjysmë transparente prej rrjete dhe të brendshme me dantellë.

Në imazhe, Fox shfaqet me një aureolë mbi kokë dhe e mbështjellë me një shall të zi prej rrjete, duke krijuar një pamje artistike dhe dramatike.

Megan Fox

Krahas fotografive, aktorja ka publikuar edhe një video me një çakmak, një detaj që u ka kujtuar fansave një nga skenat më të njohura të filmit horror “Jennifer’s Body”.

Që nga rikthimi i saj në Instagram në mars, Megan Fox ka qenë aktive me postime të ndryshme, ku shpesh ka ndarë imazhe me stile të guximshme dhe të kuruara.

Aktorja kishte mbyllur profilin e saj në dhjetor të vitit 2024, përpara se të rikthehej me një seri fotosh që menjëherë tërhoqën vëmendjen e publikut dhe mediave.

Me këto paraqitje, Megan Fox vazhdon të mbetet një nga figurat më të komentuara të showbiz-it ndërkombëtar, duke ruajtur statusin e saj si një ikonë e modës dhe kinemasë. /Telegrafi/


Mbante mbi 55 kg kanabis në makinë, 68-vjeçari shqiptar arrestohet sapo hyn në kufirin grek

18 July 2026 at 15:52


Pas një operacioni të organizuar dhe të koordinuar nga oficerët e policisë të Departamentit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Follorinë, një shqiptar 68-vjeçar u arrestua mëngjesin e djeshëm në një zonë të Follorinës, për trafikim të një sasie të madhe lëndësh narkotike.

Më hollësisht, në kuadër të veprimeve të synuara për të luftuar importin dhe trafikimin e drogës në vend dhe pas përdorimit të duhur të informacionit, mëngjesin e djeshëm oficerët e policisë lokalizuan një makinë private, të drejtuar nga një burrë 68-vjeçar, raporton Tch.

Gjatë një kontrolli u konstatua se ajo mbante 2 çanta udhëtimi dhe 1 thes që përmbante gjithsej 50 pako me marijuanë, me një peshë totale bruto prej 55 kg e 422 gramë. U sekuestruan gjithashtu edhe 3 telefona celularë.

Kohët e fundit ka një riaktivizim të trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria në Greqi. Policia greke ka kapur në 11 muajt e fundit mbi 1.2 ton marihuanë në Igumenicë, Janinë, Kostur, Follorinë e Selaniku.

Rastet më të shumta kanë qenë ato të trafikut nga Saranda në Igumenicë, ku pothuaj gjysma e sasisë së kapur në zonat e Greqisë është trafikuar nga kjo linjë. Madje në një rast në Igumenicë është kapur edhe një skaf i ngarkuar me drogë.

Organizoi futjen në mënyrë të paligjshme të emigrantëve nga Greqia në Shqipëri, arrestohet 43-vjeçar afgan në Vlorë

18 July 2026 at 15:50


Një 43-vjeçar afgan është vënë në pranga nga policia e Vlorës, ndërkaq arrestimi i tij ka ardhur pasi kishte organizuar futjen në mënyrë të paligjshme nga Greqia në Shqipëri të 10 emigrantëve të cilët më pas do t’i transportonte në Itali.

Rasti u zbulua pas ndërhyrjes së policisë kufitare ku emigrantët rrezikuan të mbyteshin teksa lundronin pranë ishullit të Sazanit me një gomone.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas hetimeve të shpejta dhe profesionale të kryera në lidhje me ngjarjen e djeshme pranë ishullit të Sazanit, arrestuan në flagrancë për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve", shtetasin M. E., 43 vjeç, nga Afganistani, i cili ndodhej në gomone.

Gjithashtu, u proceduan penalisht për veprën penale ‘Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror’, 10 shtetasit e tjerë nga Bangladeshi, Pakistani, Liberia dhe Haiti, që u gjetën në bordin e gomones”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi M. E., në bashkëpunim me një shtetas shqiptar ende të paidentifikuar, kishte organizuar nga Greqia futjen në mënyrë të paligjshme në Shqipëri të këtyre shtetasve, nëpërmjet kufirit me shtetin grek.

Më pas, në Seman të Fierit, ai kishte marrë gomonen e lënë në dispozicion nga shtetasi shqiptar dhe do të transportonte drejt Italisë 10 emigrantët nga vendet e treta.

Strukturat hetimore të DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e shtetasit shqiptar të përfshirë, si dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë tentativë për kontrabandimin e emigrantëve nga vendet e treta drejt Italisë. /Telegrafi/


Nikolloski: Rikonstruimi i Aeroportit të Ohrit drejt përfundimit, punimet mbyllen në fund të verës

18 July 2026 at 15:42


Rikonstruimi i Aeroportit të Ohrit po zhvillohet sipas dinamikës së përcaktuar. Progresi është rreth 80 deri në 90 për qind dhe pritet që rikonstruimi të përfundojë sipas afatit të përcaktuar, gjegjësisht deri në fund të verës.

Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski thotë se po punohet paralelisht në katër projekte dhe se realizimi po shkon mirë.

“Atje kemi katër projekte që zhvillohen paralelisht. Progresi është diku midis 80 dhe 90 për qind në secilin prej tyre. Afati që kemi vendosur për përfundim është fundi i verës dhe mendoj se ky afat do të respektohet. Paralelisht, nga 15 gushti, institucionet kompetente do të fillojnë punën, kryesisht Agjencia e Aviacionit Civil, Kontrolli i Fluturimit, M-NAV, Agjencia për Siguri Kombëtare, Dogana dhe MPB, në mënyrë që aeroporti të jetë funksional dhe të arrihen të gjitha standardet e sigurisë”, deklaroi sot Nikolloski.

Me rikonstruimin, siç theksoi, praktikisht do të krijojë një aeroport të ri me një ndërtesë të re administrative dhe një ndërtesë të re terminali, që do të thotë shumë më tepër hapësirë për ulje dhe ngritje.

“Jam i kënaqur që Aeroporti i Ohrit po rritet si në numra absolutë ashtu edhe në përqindje sipas raporteve të fundit, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në periudhën e ardhshme”, tha zëvendëskryeministri Nikolloski.

I gjenden 42 qese me kokainë, arrestohet i dyshuari në Isniq të Deçanit

18 July 2026 at 15:42


Policia e Kosovës ka bërë të ditur një personi në Isniq të Deçanit i janë gjetur 42 substanca me kokainë.

Rasti ka ndodhur të premten.

“Fsh.Isniq, Deçan 17.07.2026-00:05. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit tek i njëjti janë gjetur dhe konfiskuar 42 qese me substance narkotike të llojit kokainë me peshë prej 23.3 gram, 375 euro dhe një telefon”, thuhet në raport.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje. /Telegrafi/

Presidenti i FIFA-s flet me entuziazëm për finalen Spanjë-Argjentinë

18 July 2026 at 15:41


Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka ndarë mendimet e tij mbi finalen e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës.

Ndeshja vendimtare e turneut do të shohë Spanjën të përballet me Argjentinën, e planifikuar për të dielën, më 19 korrik nga ora 21:00.

Për këtë ndeshje ka folur edhe i pari i FIFA-s, Infantino, i cili është entuziast, pasi sipas ti luajnë dy ekipet më të mira, me lojtarë të shkëlqyer.

"Kjo finale është një bekim nga perënditë e futbollit", ka thënë fillimisht Infantino.

"Do të kemi Messin, Lamine Yamalin dhe shumë lojtarë të tjerë të shkëlqyer në fushë. Është absolutisht e pabesueshme".

"Këto janë padyshim dy ekipet më të mira. Ato e meritonin plotësisht vendin e tyre në këtë finale dhe kanë luajtur jashtëzakonisht mirë gjatë gjithë turneut”.

“Arritja deri këtu nuk ishte e lehtë. Me 48 ekipe që garonin, ne pamë ndeshje të jashtëzakonshme dhe një fushatë shumë të vështirë në Kupën e Botës", përfundoi presidenti i FIFA-s. /Telegrafi/

Jeni djegur nga dielli? Këto janë hapat që duhet t’i ndërmerrni menjëherë

18 July 2026 at 15:30


Nga ftohja e lëkurës dhe hidratimi, deri te aloe vera dhe kujdesi me flluskat – dermatologët tregojnë çfarë ndihmon vërtet dhe çfarë duhet shmangu

Edhe pse dihet mirë se kremi me faktor mbrojtës SPF është mbrojtja më e mirë kundër rrezatimit të dëmshëm UV, i cili në rastet më të rënda mund ta rrisë rrezikun e kancerit të lëkurës, ndodh që edhe personat më të kujdesshëm të harrojnë të mbrojnë pjesë të caktuara të trupit.

Çfarë është djegia nga dielli?

Djegia nga dielli është një reaksion inflamator në shtresat e jashtme të lëkurës, i shkaktuar nga rrezet UV. Ajo shfaqet me skuqje, zhveshje të lëkurës, ënjtje dhe flluska.

Edhe pse djegia mund të shërohet, në disa qeliza mund të ndodhin mutacione të përhershme, të cilat potencialisht mund t’i bëjnë ato kancerogjene.

“Dielli lëshon rrezatim ultravjollcë, i cili arrin në lëkurë dhe i dëmton qelizat e saj. Kjo ndodh sepse rrezatimi shkakton ndryshime në ADN, duke çuar në skuqjen karakteristike të djegies nga dielli”, shpjegon dermatologia e certifikuar, dr. Ranella Hirsch.

Melanina është pigmenti që e mbron lëkurën nga dëmtimi duke e errësuar atë. Disa njerëz kanë më shumë melaninë, prandaj lëkura e tyre nxihet, ndërsa të tjerët digjen më lehtë nga dielli.

“Megjithatë, pavarësisht llojit të lëkurës, është e rëndësishme të theksohet se si nxirja, ashtu edhe djegia nga dielli janë shenja të dëmtimit të qelizave të lëkurës”, thekson Hirsch.

Fatmirësisht, ka disa hapa që mund të ndërmerrni për ta lehtësuar djegien dhe për ta përshpejtuar shërimin, transmeton Telegrafi.

Largohuni menjëherë nga dielli

Sapo ta vini re djegien, kaloni në hije dhe shmangeni diellin derisa lëkura të shërohet plotësisht.

Dr. Hirsch këshillon të mos ekspozoheni në diell për sa kohë lëkura është e kuqe, rozë ose po zhvishet.

“Kur lëkura tashmë po përballet me një djegie, ajo është shumë më e ndjeshme ndaj dëmtimeve të mëtejshme dhe potencialisht më serioze”, paralajmëron dermatologia dr. Michelle Henry.

Ftoheni lëkurën

Lëkura duhet ftohur sa më shpejt. Sipas dr. Henry, i ftohti ndihmon në zbutjen e inflamacionit, dhimbjes, ndjesisë së djegies dhe kruajtjes që shoqërojnë djegien nga dielli.

Megjithatë, mos vendosni akull ose kompresë shumë të ftohtë drejtpërdrejt mbi lëkurë.

“Mbështilleni kompresën e ftohtë me një peshqir dhe mbajeni për 15 deri në 20 minuta, në mënyrë që të shmangni dëmtimin nga të ftohtit”, thotë ajo, duke shtuar se duhet të prisni një ose dy orë para se ta vendosni sërish.

Rekomandohet edhe një dush i freskët, pasi mund të ndihmojë në largimin e mbetjeve të klorit ose kripës, të cilat mund ta irritojnë më tej lëkurën.

Megjithatë, shmangni dushin e zgjatur, sepse mund ta thajë lëkurën, si dhe sapunët e fortë dhe pilingun.

Përgatitni një banjë me tërshërë ose qumësht

Një banjë qetësuese mund të ndihmojë në lehtësimin e simptomave. Një nga opsionet është banja me tërshërë të bluar imët.

“Ajo ka veti antiinflamatore dhe mund të ndihmojë në kontrollimin e inflamacionit dhe kruajtjes që lidhen me djegiet. Kjo falë përbërjeve të quajtura avenantramide, të cilat e pengojnë inflamacionin”, shpjegon dr. Henry.

@wellness_with_maddie Oat baths > oat milk allllllll day! Steeping organic oats into your bath water soothes your skin because of the colloidal oatmeal, which has anti-inflammatory and moisturizing properties. 💧 Say goodbye to irritated, dry, and itchy skin! 🫧🧼 #oats #bath #oatmilk #dryskin #softskin #skinroutine #vacation ♬ original sound - Ms.Kly - Klyracapinig✿🍒𐙚

Tërshëra koloidale mund të jetë veçanërisht e dobishme në lehtësimin e të ashtuquajturës “kruajtje e ferrit” – një kruajtje jashtëzakonisht e dhimbshme dhe e pandalshme, e cila ndonjëherë mund të shfaqet disa ditë pas djegies.

Një përparësi tjetër është se kjo banjë e hidraton lëkurën dhe e ndihmon rikuperimin e saj.

Nëse nuk keni tërshërë, dr. Hirsch rekomandon një banjë me sasi të barabarta qumështi dhe uji të ftohtë.

“Proteinat e qumështit dhe acidi laktik natyral kanë efekt shumë qetësues”, shpjegon ajo.

Hidratohuni nga brenda

Lëkura e djegur ka nevojë për shumë më tepër ujë gjatë rikuperimit.

“Kur lëkura po përballet me dëmtimin e shkaktuar nga rrezet UV, asaj i nevojitet hidratim shtesë për ta zëvendësuar lëngun e humbur gjatë qëndrimit në diell”, shpjegon dr. Henry.

Sapo ta kuptoni se jeni djegur, rriteni konsumimin e ujit.

Dr. Hirsch thekson se hidratimin mund ta shtoni edhe me pije izotonike ose me fruta dhe perime të pasura me ujë, si shalqiri dhe kastraveci.

@destinejam Strawberry Mint Elixir — strawberry, mint, lemon + pinch of mineral salt 🍓🌿🍋 this is your daily reminder that you can add whatever you want to your water and it still counts as water! #watercocktail #infusedwater #watertok #drinkmorewater #fyp ♬ Caprice Crusing - Who On The Track

Hidratoni lëkurën edhe nga jashtë

Pas dushit, aplikoni një krem të butë hidratues për ta ruajtur lagështinë në lëkurë.

Thajeni lëkurën me kujdes, pa e fërkuar, dhe vendoseni kremin ndërsa ajo është ende pak e lagësht.

Kjo ndihmon në zbutjen e tharjes që shpesh shoqëron djegiet nga dielli.

“Vazhdoni ta hidratoni lëkurën edhe gjatë fazës së zhveshjes”, këshillon dr. Henry.

Vishni rroba të gjera

Mund të duket e vetëkuptueshme, por shmangni veshjet e ngushta dhe zgjidhni rroba të gjera.

Preferoni materiale të buta dhe ajrosëse, të cilat mbulojnë sa më shumë sipërfaqe të lëkurës.

Aplikoni aloe vera

Djegiet nga dielli dhe aloe vera shpesh shkojnë së bashku.

“Efekti qetësues i xhelit të kësaj bime mund të ndihmojë në shërimin e djegieve të shkallës së parë dhe të dytë dhe ta përshpejtojë rikuperimin”, shpjegon dr. Henry.

Përdorni aloe vera të pastër.

“Shmangni produktet që përmbajnë alkool, sepse ai mund t’i neutralizojë vetitë hidratuese dhe qetësuese të bimës”, thotë ajo.

Nëse keni mundësi të përdorni xhelin nga një bimë e freskët, aq më mirë.

@annaringer I’m actually not loving this @Sun Bum please help a girl out #burnt #sunpoisoning #needaloe ♬ not wrong UNEXPECTED - tlc

Kërkoni produkte që përmbajnë peptide

Peptidet, të njohura për përdorimin në produktet kundër plakjes, kanë gjithashtu veti që ndihmojnë në shërimin e plagëve.

“Peptidet janë zinxhirë të shkurtër aminoacidesh, të cilët shërbejnë si blloqe ndërtuese të qelizave dhe ndihmojnë në riparimin e qelizave të dëmtuara. Dihet se mund të depërtojnë në dermë dhe ta nxisin prodhimin e kolagjenit”, shpjegon dr. Rabach, e cila u rekomandon pacientëve produkte me peptide pas ekspozimit të tepërt në diell.

Mos e prekni lëkurën që po zhvishet dhe mos i çani flluskat

Lëreni lëkurën të shërohet vetë.

“Kur djegia arrin fazën e zhveshjes, lejojeni lëkurën të bjerë natyrshëm”, thotë dr. Henry.

“Nëse keni flluska, mos i prekni dhe mos i çani, sepse kjo e rrit rrezikun e infeksionit.”

Nëse flluskat çahen vetë, dr. Henry rekomandon që zona të pastrohet me sapun të butë antibakterial dhe ujë të freskët, pastaj të vendoset një sasi e vogël vazeline dhe të mbulohet me fashë sterile që nuk ngjitet në lëkurë.

@ariellelorre whyyy did we think it was a good idea to burn our skin with lotion in tanning beds?! 😩
♬ original sound - Arielle Lorre

Parandaloni djegiet e përsëritura

Tregohuni të kujdesshëm para se të ekspozoheni sërish në diell.

Dr. Henry thekson se masa më e rëndësishme parandaluese është veshja e rrobave që mbrojnë nga dielli, duke përfshirë mëngët e gjata, pantallonat dhe kapelën me strehë të gjerë.

Natyrisht, kjo duhet të shoqërohet me përdorimin e një kremi mbrojtës me spektër të gjerë dhe SPF 30 ose më të lartë.

Mos harroni ta riaplikoni kremin çdo dy orë, sidomos pas notit ose djersitjes. /Telegrafi/

A është ky fundi i një ikone të madhe automobilistike?

18 July 2026 at 15:30


E ardhmja e modelit legjendar Lancia Delta është vënë seriozisht në pikëpyetje, pasi emri i saj nuk figuron më në planet e ardhshme të kompanisë Stellantis deri në vitin 2030.

Prej vitesh, rikthimi i Deltës ishte konsideruar si një nga projektet më të rëndësishme për ringjalljen e markës italiane Lancia. Në vitin 2021 ishte paralajmëruar se modeli do të rikthehej si një automjet tërësisht elektrik dhe ishte planifikuar të prezantohej rreth vitit 2028.

Megjithatë, në prezantimin më të fundit të strategjisë së Stellantis për modelet e ardhshme, Lancia Delta nuk përmendet fare, ndërsa në listë shfaqet vetëm modeli i ri Lancia Gamma, i cili pritet të zgjerojë ofertën e markës së bashku me Ypsilon.

Ky zhvillim ka zhgënjyer shumë adhurues të markës, pasi Delta ka një histori të jashtëzakonshme në industrinë e automobilave. Veçanërisht versioni Lancia Delta HF Integrale u bë një legjendë falë sukseseve të shumta në garat e rally-t gjatë viteve ’80 dhe ’90.

Fillimisht ishte menduar që Delta e re të ishte një model elektrik sportiv, që do të përfaqësonte një epokë të re për Lancia-n. Por ndryshimet strategjike brenda Stellantis dhe fokusimi më i madh te modelet më fitimprurëse kanë ngritur dyshime nëse ky projekt do të realizohet ndonjëherë.

Për momentin, Stellantis nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për anulimin e Deltës, por mungesa e saj në planet afatgjata ka bërë që shumë ekspertë të automjeteve të mendojnë se rikthimi i kësaj ikone mund të jetë shtyrë ose edhe braktisur. /Telegrafi/

Manchester United, i vetmi klub që mund ta përballojë transferimin e Vinicius Jr këtë verë

18 July 2026 at 15:20


Sipas raportimeve nga gazetari Romain Molina, Manchester United është i vetmi klub në Evropë që është financiarisht i aftë të nënshkruajë me superyllin e Real Madridit, Vinicius Junior, këtë verë.

Djajtë e Kuq janë pretendentët e vetëm me xhepa mjaftueshëm të thellë për të mbuluar tarifën e transferimit, bonusin e nënshkrimit, komisionet dhe pagën e konsiderueshme të brazilianit.

Real Madridi dhe Viniciusi kanë hasur një tjetër pengesë në bisedimet për rinovimin e kontratës, duke e bërë klubin të marrë në konsideratë një shitje nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Los Blancos janë të vendosur të mos e lejojnë lojtarin të skadojë kontratën e tij dhe të largohet falas në vitin 2027.

Javët në vijim do të jenë vendimtare në vendosjen e së ardhmes së 26-vjeçarit pasi deri tani palët nuk kanë arritur ujdinë.

Vlera e lojtarit në tregun e transferimeve vlerësohet 140 milionë euro, por me vetëm një vit kontratë, Los Blancos mund ta detyrohen ta shesin më lirë. /Telegrafi/

Faton Bekteshi, atashe i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës

18 July 2026 at 15:15


Këtë javë, misionit diplomatik në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel i është bashkuar edhe Atasheu i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës, nënkoloneli Faton Bekteshi.

Kështu bëhet e ditur në postimin e Ambasadës.

“Pas përmbylljes së procesit të akreditimit pranë institucioneve belge, nënkolonel Bekteshi sot e ka nisur misionin e tij si Atashe i Mbrojtjes fuqiplotë. Ky është një hap i rëndësishëm në forcimin e partneritetit Kosovë–Belgjikë!

Akreditimi i nënkolonel Faton Bekteshit si Atashe i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës shënon një zhvillim të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve”, tha shefi i Misionit në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel, ambasadori Agron Bajrami.

Më tej u tha se ky është një hap i rëndësishëm para në një fazë të re të bashkëpunimit bilateral me Belgjikën në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Ky zhvillim krijon mundësi për dialog më të ngushtë strategjik, shkëmbim përvojash profesionale dhe zhvillim të partneriteteve konkrete.

Akreditimi do të kontribuojë gjithashtu në forcimin e koordinimit bilateral, në mbështetjen e iniciativave të sigurisë euroatlantike dhe në avancimin e bashkëpunimit shumëpalësh. Republika e Kosovës vlerëson lart angazhimin e Mbretërisë së Belgjikës për procesin e akreditimit të atasheut të mbrojtjes, si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në këtë drejtim. Ky zhvillim hap perspektiva të reja për një partneritet edhe më të ngushtë, në frymën e respektit reciprok, vlerave të përbashkëta dhe vizionit të përbashkët për një Evropë më të sigurt dhe më stabile”, u tha më tej. /Telegrafi/


Pas skandalit të mesazheve, Adam Levine dhe Behati Prinsloo shfaqen të lumtur

18 July 2026 at 15:15


Adam Levine dhe Behati Prinsloo kanë tërhequr vëmendjen me paraqitjen e tyre të afërt gjatë një udhëtimi familjar në St Tropez, pak ditë para përvjetorit të 12-të të martesës së tyre.

Këngëtari i Maroon 5, 47 vjeç, dhe supermodelja 38-vjeçare u fotografuan duke shijuar kohën në një jaht luksoz, ku u panë duke u përqafuar, duke shkëmbyer puthje dhe duke kaluar momente romantike së bashku.

Levine u shfaq me rroba banje, duke ekspozuar tatuazhet e tij, ndërsa Prinsloo tërhoqi vëmendjen me një kostum banje të zi elegant, shkruan DailyMail.

Çifti gjithashtu ndau momente aventureske me dy vajzat e tyre, Dusty Rose, 9 vjeçe, dhe Gio Grace, 8 vjeçe, ndërsa kanë edhe një djalë trevjeçar, emri i të cilit nuk është bërë publik.

Kjo paraqitje vjen rreth katër vite pas skandalit të vitit 2022, kur Levine u përball me kritika pas publikimit të disa mesazheve flirtuese me modelen Sumner Stroh.

Në atë periudhë, këngëtari pranoi publikisht se kishte kaluar kufijtë me komunikimet e tij, ndërsa mohoi një lidhje fizike.

Pavarësisht vështirësive, çifti ka vazhduar martesën dhe jetën familjare së bashku. Levine së fundmi ndau edhe një fotografi të rrallë me të tre fëmijët e tyre, duke treguar anën e tij familjare.

Adam Levine dhe Behati Prinsloo u martuan më 19 korrik 2014 në Cabo San Lucas, Meksikë, në një ceremoni ku morën pjesë edhe shumë figura të njohura të Hollywood-it. /Telegrafi/

Pas nisjes së dialogut strategjik SHBA-Serbi, Serwer kritikon Uashingtonin: Anashkaluat Banjskën, sulmin ndaj KFOR-it dhe rrëmbimin e Policëve të Kosovës

18 July 2026 at 15:10


Analisti dhe profesori i Universitetit Johns Hopkins në Uashington, Daniel Serwer, ka vlerësuar për televizionin N1 se nisja e dialogut strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë është “një hap i madh”, por se ai nuk mund të parashikojë se çfarë do të dalë nga ky proces, pasi shumëçka do të varet nga rrethanat.

Sipas tij, ky dialog është gjithashtu “një arritje e madhe parazgjedhore” për presidentin serb Aleksandar Vuçiq, shkruan danas.

“Është mjaft befasuese që të organizohet diçka e tillë vetëm disa muaj para zgjedhjeve. Kjo tregon qartë gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për t’i ofruar mbështetje Vuçiqit, i cili më herët është ankuar ashpër se amerikanët po përpiqen të mbështesin një revolucion kundër tij”, ka deklaruar Serwer.

Ai ka thënë se SHBA-ja do të përpiqet ta orientojë Serbinë drejt një perspektive më pro-perëndimore.

Megjithatë, Serwer ka kritikuar faktin që Uashingtoni, sipas tij, mund të jetë i gatshëm të anashkalojë çështje si “rritja e represionit dhe sjellja autokratike e Vuçiçqit”, si dhe veprimet e Beogradit lidhur me sulmin në Banjskë në veri të Kosovës, sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe rrëmbimin e tre policëve shqiptarë të Kosovës.

Sipas tij, “Beogradi është shumë i aftë t’u japë amerikanëve vetëm gjysmën e asaj që kërkojnë”. Ai përmendi si shembull vizitën e Vuçiqit në kryeqytetin ukrainas, Kiev, duke e cilësuar atë si një “gjysmë-koncesion”.

Serwer vlerëson se Uashingtoni nuk kërkon nga Ballkani asgjë më shumë sesa stabilitet dhe se SHBA-ja e sheh Beogradin si një aktor që ka kapacitet për të destabilizuar situatën.

“Për këtë arsye, amerikanët janë të gatshëm të anashkalojnë sjelljen e Vuçiqit në politikën e brendshme dhe të përpiqen ta bindin atë për bashkëpunim në çështjet ndërkombëtare, në mënyrë që të pengojnë veprime që mund të destabilizojnë veriun e Kosovës, Republikën Serbe apo edhe Malin e Zi”, ka thënë ai. /Telegrafi/

Ia gjejnë gjashtë paketime me marihuanë në lokal, arrestohet i dyshuari në Podujevë

18 July 2026 at 15:04


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë-Njësia Prishtinë, në realizim të Planit Operativ ‘Vera 2026’, kanë trajtuar një informatë nën dyshimin se një person është duke u marrë me shitblerje të lëndëve narkotike.

Në njoftim bëhet e ditur se i dyshuari është lokalizuar në qytetin e Podujevës në një lokal dhe gjatë kontrollit aty janë gjetur dhe konfiskuar 6 paketime me lëndë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë dhe dëshmi tjera që lidhen me rastin.

I dyshuari F.S., (viti i lindjes 19 , mashkull kosovar) është intervistuar, ndaj tij është iniciuar rasti ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe me aktvendim nga prokurori kujdestar, i njëjti është dërguar në mbajtje deri në 48 orë. /Telegrafi/

“E përfundova lojën”, Messi jep përgjigjen më të ftohtë pasi gazetari e krahason karrierën e tij me një videolojë

18 July 2026 at 15:00


Duke folur me median përpara finales së Kupës së Botës FIFA 2026, Lionel Messi u pyet të reflektonte mbi udhëtimin e jashtëzakonshëm që ka përcaktuar karrierën e tij.

Një gazetar e krahasoi rrugën futbollistike të Messit me një videolojë, duke sugjeruar se ai ka kaluar vite duke zhbllokuar një sfidë pas tjetrës në rrugën e tij drejt momenteve më të mëdha.

“Jeta jote sportive është si një lojë, apo jo? Vazhdon të zhbllokosh nivele. Nuk e ke mundur kurrë Anglinë, pastaj ke luajtur dhe fituar… vazhdon të zhbllokosh nivele të vogla derisa të arrish në këtë moment - finalen. Çfarë vjen më pas?”, pyeti gazetari.

Kapiteni i Argjentinës dha përgjigjen më të ftohtë të imagjinueshme.

“E përfundova tashmë në Kupën e Botës së fundit. E përfundova lojën”, tha Messi me një buzëqeshje.


Pasi më në fund ngriti trofeun e Kupës së Botës me Argjentinën në vitin 2022, Messi arriti qëllimin përfundimtar që i kishte shpëtuar për kaq shumë kohë.

Tani, pa asgjë tjetër për të provuar, ai vazhdon të luajë për dashurinë e pastër për futbollin - ndërsa ende ndjek më shumë histori në skenën më të madhe. /Telegrafi/

Mickoski: Rasti me ujin e pijshëm në Gostivar nuk do të kalojë pa përgjegjësi

18 July 2026 at 14:59


Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, ka komentuar gjendjen aktuale në Gostivar ku një numër i madh qytetarësh ankohen për probleme me stomakun, theksoi se janë marrë të gjitha masat dhe se do të ketë përgjegjësi për rastin.

“Në këtë moment të gjitha institucionet janë në terren, po merren masa, po testohen mostra nga uji dhe kemi një proces që po e udhëheq edhe Prokuroria. Mendoj se shumë shpejt do të dalin informacion rreth asaj që ka ndodhur, kush dha urdhër që kjo të ndodhë dhe, natyrisht, do të ketë përgjegjësi”, theksoi Mickoski.

Potencoi se është tronditëse për të që njerëzit sillen në mënyrë të papërgjegjshme dhe përsëriti se do të ketë përgjegjësi për rastin.

“Rasti nuk do të shkojë kështu. Vërtet nuk mund ta kuptoj se si disa njerëz mund të sillen kaq në mënyrë të papërgjegjshme dhe paturpësi. Është thjesht e pabesueshme se si i pranojnë këto gjëra kaq lehtë dhe si vendosin të bëjnë gjëra të tilla. Për mua, e gjithë kjo është tronditëse dhe thjesht e pabesueshme, gjithçka që dikush bëri atje. Por do të ketë përgjegjësi, sigurisht, dhe kjo përgjegjësi normalisht do të duhet të përcaktohet më tej në kuadër të proceseve ligjore”, tha kryeministri Mickoski.

Drejtoria e pronës në Prishtinë në aksion, Rama: Po lirohen banesat komunale

18 July 2026 at 14:57


Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se po vazhdojnë me lirimin e banesave komunale që për vite me radhë janë shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme, pa kontrata dhe pa bazë ligjore.

Rama në një postim në Facebook shkruan se prona publike nuk mund të uzurpohet e as të trajtohet si pronë private.

Postimi i tij:

PO LIROHEN BANESAT KOMUNALE!

Po vazhdojmë me vendosmëri lirimin e banesave komunale që për vite me radhë janë shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme, pa kontrata dhe pa bazë ligjore.

Prona publike nuk mund të uzurpohet e as të trajtohet si pronë private. Detyrimi ynë është ta mbrojmë, ta kthejmë në funksion të ligjit dhe ta menaxhojmë me përgjegjësi e transparencë.

Kryeqyteti do të vazhdojë të veprojë pa kompromis ndaj çdo uzurpimi të pronës komunale!. /Telegrafi/







Zhduku 700 mijë euro nga arka e Postës së Durrësit, burg për ish-drejtoreshën - dyshohet se frekuentonte kazino

18 July 2026 at 14:47


Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë "arrest në burg" për ish-drejtoreshën e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, e cila akuzohet për përvetësimin e 69 milionë lekëve të rinj, para të destinuara për pensione dhe ndihma sociale.

Gjatë seancës gjyqësore, Prokuroria paraqiti prova të reja, duke pretenduar se Mataj frekuentonte kazino, një rrethanë që është përfshirë në hetimet ndaj saj.

Ndërkohë, Gjykata vendosi masën "arrest në shtëpi" për shefen e Financës, Valbona Duni, dhe arkëtaren Paola Dana, të cilat akuzohen së bashku me ish-drejtoreshën për veprat penale të "Shpërdorimit të detyrës" dhe "Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën", të kryera në bashkëpunim, shkruan A2CNN.

Sipas hetimeve, tre të dyshuarat dyshohet se gjatë muajve prill dhe maj të këtij viti kanë përvetësuar 69 milionë lekë të rinj, shumë që ishte planifikuar të shpërndahej si pensione dhe ndihma sociale për qytetarët e zonave të Durrësit, Shijakut dhe Krujës.

Hetimet nisën pas një kallëzimi të bërë nga Posta Shqiptare, e cila gjatë një kontrolli të brendshëm konstatoi parregullsi në administrimin dhe raportimin e fondeve.

Zjarri më i madh në historinë moderne të Norvegjisë, mbi 100 shtëpi shkrumbohen

18 July 2026 at 14:43


Një zjarr masiv në qytetin e Drammenit, në jug të Norvegjisë, ka shkatërruar më shumë se 100 banesa dhe ka detyruar qindra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

Sipas autoriteteve, zjarri shpërtheu të premten rreth orës 15:30 në një shtëpi të tipit rresht në Drammen dhe më pas u përhap me shpejtësi në zonën përreth, duke prekur edhe pyjet pranë lagjes.

Zjarrfikësit kanë vijuar përpjekjet për shuarjen e flakëve edhe gjatë së shtunës, ndërsa autoritetet e kanë cilësuar ngjarjen si zjarrin më të madh të këtij lloji në kohët moderne në Norvegji, shkruan ap.

- YouTube www.youtube.com

Transmetuesi publik norvegjez NRK raportoi se qindra banorë janë dërguar në qendrat e evakuimit. Deri tani, policia ka bërë të ditur se nuk ka persona të raportuar të zhdukur.

Shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar dhe hetimet pritet të nisin pasi situata të stabilizohet plotësisht.

Drammeni ndodhet rreth 34 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit norvegjez, Oslo. /Telegrafi/

Pas polemikave për kastin, zbulohet se rolet e Zendayas dhe Elliot Page në “The Odyssey” janë më të shkurtra nga sa pritej

18 July 2026 at 14:30


Filmi i ri epik i Christopher Nolan, “The Odyssey”, u përball me reagime të shumta pas publikimit të kastit në fillim të këtij viti, por tashmë, pas daljes në kinema, është zbuluar se disa prej emrave më të diskutuar kanë role shumë më të vogla në film.

Përzgjedhja e aktorëve si Zendaya, Lupita Nyong’o, Travis Scott dhe Elliot Page shkaktoi debate të shumta në rrjetet sociale, me disa kritikë që e akuzuan filmin për zgjedhje të “zgjuara” politike.

Megjithatë, sipas të dhënave për kohën në ekran, pjesëmarrja e disa prej këtyre aktorëve është minimale, shkruan DailyMail.

Zendaya shfaqet për rreth dy minuta në filmin me kohëzgjatje 172 minuta, ndërsa Elliot Page ka rreth pesë minuta paraqitje.

Edhe Lupita Nyong’o raportohet se shfaqet për afërsisht tre minuta, ndërsa Travis Scott ka një kohë të ngjashme ose edhe më të shkurtër në ekran.

Roli kryesor i filmit përqendrohet te Matt Damon, i cili është personazhi me pjesëmarrjen më të madhe, ndërsa pas tij renditen Tom Holland dhe Anne Hathaway.

Pas publikimit të filmit, disa shikues ironizuan reagimet e mëparshme ndaj kastit, duke argumentuar se polemikat ishin të ekzagjeruara duke pasur parasysh kohën e kufizuar të disa aktorëve në ekran.

“The Odyssey” është një adaptim i veprës së lashtë të Homerit dhe një nga projektet më të mëdha kinematografike të Christopher Nolan. /Telegrafi/

❌
❌