Një ngjarje tronditëse u regjistrua në Sheqishtë të Fierit, ku një vajzë vetëm 12 vjeçe denoncoi përdhunimin sistematik nga babai i saj, Zamir Meta. Sipas dëshmisë së saj, abuzimi kishte nisur që në moshën 5-vjeçare dhe kishte vazhduar edhe gjatë kohës që familja jetonte në Gjermani.
Zamir Meta është arrestuar dhe akuzohet për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” (neni 100 i Kodit Penal) dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari” (neni 106/a). Për këto vepra, ligji parashikon dënim që varion nga 10 vite deri në burgim të përjetshëm.

Megjithatë, përvojat e mëparshme në Shqipëri tregojnë se shumë nga këto krime nuk ndëshkohen me ashpërsinë që meritojnë. Në emër të sjelljes së mirë, faljes apo procedurave ligjore lehtësuese, shumë autorë dalin nga burgu pas vetëm një dekade. A mund të quhet kjo drejtësi?
Pas denoncimit, vajza është marrë në mbrojtje në një institucion të posaçëm në Tiranë. Por ndërkohë, nëna e saj, Juela Meta dhe gjashtë fëmijët e tjerë janë përballur me kërcënime dhe urrejtje nga komuniteti. Pronari i banesës ku ata jetonin i ka nxjerrë jashtë, ndërsa pronarja i ka kërcënuar hapur me fjalët: “Keni dy ditë kohë. Do të derdhet gjak.”
Për këto veprime, Kodi Penal parashikon dënime deri në 2 vite burg për kanosje (neni 84) dhe deri në 3 vite burg për detyrim me kërcënim për të kryer një veprim të padëshiruar (neni 102). Por në praktikë, këto dënime janë minimale dhe shpesh nuk zbatohen.
Shqetësuese është edhe sjellja e policisë. Juela Meta ka kërkuar mbrojtje zyrtare, por nuk iu dha asnjë urdhër mbrojtjeje. Ndërkohë, pronarja e banesës ka ndryshuar deklaratat në polici duke pretenduar se ndihej e kërcënuar. Ligji nr. 9669/2006 për masat kundër dhunës në marrëdhëniet familjare e detyron policinë të lëshojë urdhër mbrojtjeje në rastet kur ka kërcënime të qarta. Moszbatimi i këtij detyrimi përbën shpërdorim detyre (neni 248 i Kodit Penal), me dënim deri në 7 vite burg. Sërish, asnjë zyrtar nuk u procedua.
Por nuk është vetëm përdhunuesi që ka nevojë për ndëshkim të rreptë. Rasti në fjalë zbulon edhe një hallkë tjetër të çoroditur të sistemit: reagimin e komshinjve dhe mungesën e mbrojtjes nga institucionet.
Për këtë deklaratë, ligji shqiptar parashikon vetëm deri në 2 vjet burg për kanosje dhe deri në 3 vjet për detyrim me kërcënim. Këto masa janë qesharake për një situatë ku rrezikohet jeta e një nëne dhe e gjashtë fëmijëve. Janë masa që nuk trembin askënd. Janë masa që në vend të frenojnë, nxisin sjellje të tilla.
Bëjmë thirrje për ashpërsim të ndëshkimeve për kërcënimin ndaj viktimave të krimit, për dënime shembullore për zyrtarët e policisë që nuk zbatojnë ligjin dhe për marrje përgjegjësie penale dhe institucionale nga çdo autoritet që refuzon të mbrojë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Sepse në raste të tilla, heshtja dhe neglizhenca janë pjesë e krimit.
Ky rast është një thirrje e dhimbshme për të gjithë: për legjislatorët, për sistemin e drejtësisë, për shoqërinë. Përdhunimet ndaj të miturve janë shtuar ndjeshëm dhe shteti nuk po reagon me vendosmëri.
A është momenti që Kodi Penal të ndryshojë rrënjësisht? A duhet të eliminohet çdo mundësi uljeje dënimi për autorët e krimeve seksuale ndaj fëmijëve? A duhet këta individë të dënohen me burgim të përjetshëm, pa të drejtë amnistie, lirimi të parakohshëm apo apelimi?
Dhe më tej akoma: a është koha të diskutojmë seriozisht rikthimin e dënimit me vdekje për përdhunuesit e fëmijëve?
Në Shqipëri, dënimi me vdekje u hoq përfundimisht në vitin 2007, në përputhje me Protokollin nr. 13 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Por krimet që ndodhin sot po sfidojnë çdo limit njerëzor. Shteti shqiptar është i detyruar të respektojë angazhimet ndërkombëtare, por a është kjo arsyeja për të mos vepruar më ashpër?
A ka drejtësi për një fëmijë që është përdhunuar për vite me radhë nga vetë prindi? A ka kuptim një sistem që ofron falje për krime të pafalshme?
A është më e drejtë të lejojmë që këta njerëz të dalin sërish në shoqëri? Vetëm kur ligji ndëshkon siç duhet, plagët e viktimave mund të fillojnë të shërohen!
The post E bija përdhunohet nga i ati, nëna dhe 6 fëmijët përzihen nga shtëpia – Ligji hesht appeared first on iconstyle.al.