Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 July 2025Main stream

Agjencia e Emergjencave në Kosovë: 320 zjarre vetëm në javën e fundit

PRISHTINË, 22 korrik/ATSH/ Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka deklaruar se vendi është duke u përballur me një situatë të vështirë nga temperaturat e larta, ku si pasojë vetëm gjatë javës së fundit janë paraqitur 320 raste të zjarreve malore, fushore por edhe në objekte. Aktualisht shtatë zjarre janë aktive dhe po punohet që të shuhen plotësisht, tha AME të martën, më 22 korrik, në një konferencë për media.

“Bazuar në paralajmërimet nga Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës nga temperaturat e larta vendi është duke përballur me një situatë të vështirë, ku si pasojë janë paraqitur shumë zjarre në të gjithë vendin. Vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar mbi 320 raste të zjarreve duke përfshirë zjarre malore, fushore por edhe objekte. Për të gjitha këto raste kemi intervenuar me sukses, pas intervenimit dhe koordinimit gjendja aktuale është stabile, momentalisht i kemi shtatë zjarre aktive dhe po punohet që edhe këto të shuhen plotësisht. Ky numër i madh dhe pasojat e mëdha që mund të sjellin këto zjarre janë alarmante. Fatkeqësisht kemi humbur një zjarrfikës nga Gjakova, gjithashtu e ka humbur jetën një qytetarë nga komuna e Klinës. Për momentin i kemi të lënduar dy zjarrfikës një nga komuna e Lipjanit dhe Vitisë”, tha drejtori i AME-së, Genc Metaj.

Ndërkaq, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se janë arrestuar gjithsej nëntë persona për zjarrvënie.  Ai  tha se deri më tani Policia ka intervenuar 211 herë dhe numri i rasteve të zjarrvënieve të iniciuara në polici dhe rrezikut të përgjithshëm, është 63.

“Policia e Kosovës ka marrë një varg aktivitetesh, po ashtu ka marrë pjesë edhe vet me autobotet tona që tu ndihmojmë AME dhe të gjitha institucionet tjera për parandalimin dhe përhapjen e zjarreve. Ne jemi duke bërë dhe hetime, kemi dy vepra penale sipas kodit penal që është shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe po ashtu zjarrvënie. Numri i përgjithshëm i zjarreve i raportuar në Kosovë është 183, numri i zjarrvënieve është 54, numri i personave të arrestuar është gjithsej 9, numri i intervenimeve të policisë është 211 dhe numri i rasteve të iniciuar në polici të zjarrvënies dhe për shkak të rrezikut të përgjithshëm është 63″, theksoi Hoxha.

Në këtë konferencë u theksua se sfidë mbetet vetëdijesimi i qytetarëve për të mos ndezur zjarre të qëllimshme.

Kosova po përballet me temperatura të larta, maksimalet e të cilave pritet të arrijnë në 39 gradë Celcius në fund të kësaj jave. /Kosovapress/

The post Agjencia e Emergjencave në Kosovë: 320 zjarre vetëm në javën e fundit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj: Bursat Chevening, rrjet cilësor profesionistësh me lidhje të forta me Mbretërinë e Bashkuar

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj priti sot në takim përfaqësues të rrjetit Albanian Chevening Alumni dhe përfaqësues të Ambasadës Britanike në Tiranë.

Presidenti Begaj vlerësoi iniciativën e këtij rrjeti për të ndërtuar ura komunikimi me institucionet shqiptare dhe u shpreh mjaft i interesuar për të shkëmbyer mendime mbi mbështetjen e të rinjve shqiptarë të arsimuar jashtë vendit dhe kthimin e tyre në Shqipëri.

Kreu i Shtetit vlerësoi ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen me bursat Chevening dhe theksoi se “këto bursa kanë rëndësi të veçantë jo vetëm për numrin e studimeve cilësore që mbulojnë, por edhe për krijimin e një rrjeti cilësor profesionistësh e intelektualësh me lidhje të forta me një vend mik si Mbretëria e Bashkuar”.

Presidenti Begaj theksoi se potenciali i të rinjve të mirëshkolluar që kthehen në atdhe duhet shfrytëzuar në të mirë të përparimit të vendit.

Kreu i Shtetit dëgjoi me vëmendje shembujt konkretë të kontributit të profesionistëve të këtij rrjeti në Shqipëri dhe diskutoi me ta për hapa konkretë mbështetës të iniciativave të tyre.

1 nga 2

The post Begaj: Bursat Chevening, rrjet cilësor profesionistësh me lidhje të forta me Mbretërinë e Bashkuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: 13 vatra zjarri deri në orën 14:00, 9 aktive dhe një në monitorim

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes, referuar të dhënave të raportuara në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, njoftoi se deri në orën 14:00 janë raportuar 13 zjarre, nga të cilat 3 vatra janë shuar, 9 vatra zjarri janë aktive dhe 1 në monitorim.

Është bërë izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në:

* Në fshatin Guras, njësia administrative Buçimas, bashkia Pogradec
* Në fshatin Lapardha, njësia administrative Otllak, bashkia Berat
* Në fshatin Buz Madh, njësia administrative Cakran, bashkia Fier

Aktualisht, janë aktive vatrat në:

* Qarku Dibër. Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, njësia administrative Lurë, bashkia Dibër. Zjarri po zhvillohet në dy vatra të shkëputura nga njëra-tjetra, vatra poshtë Liqenit të Zi dhe mbi fshatin Gurë-Lurë.
* Në fshatin Strikçan, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë. Është në monitorim zjarri në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe bar i thatë.
* Në fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në vendin e quajtur “Përroi i Zi” një sipërfaqe pyjore me pisha dhe ah. Ditën e sotme në terren janë angazhuar forcat operacionale dhe 30 efektivë nga FA. Në ndihmë për shuarjen e zjarrit po operon 1 avion Canadair nga shteti Italian.

Qarku Vlorë
* Në Sotiran, në vendin e quajtur “Qafa e Shëngjergjit”, mbi fshatin Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë, ka vijuar puna e zjarrit të rënë më datë 06.07.2025. Zjarri është shumë intensiv. Digjen shkurre dhe fier poshtë pyllit me pishë. Flakët të ndihmuara nga era ditën e sotme përfshinë edhe kurorë të pishës duke e bërë problematike gjendjen. Ditën e sotme vazhdon operacioni me forcat operacionale, të ndihmuar me 30 forca ushtarake, 1 helikopter të FA-së dhe 2 avionë Canadair.

Qarku Elbasan
* Në fshatin Shmil njësia administrative Labinot-Mal, bashkia Elbasan, në kufi me fshatin Gurakuq, njësia administrative Orenjë, bashkia Librazhd. Zjarri ka rënë në pyll gështenje dhe ka përmasa të konsiderueshme. Puna po vijon në një terren të vështirë.
Qarku Lezhë
* Në zonën e Shkopetit, njësia administrative Milot, ka vazhduar aktiv zjarri dhe është përhapur në territorin e bashkive Kurbin, Mat dhe Mirditë. Në operacionin për fikjen e zjarrit janë angazhuar forca ushtarake (26 efektivë, 4 mjete dhe 1 helikopter si dhe forca bashkiake nga MZSH Kurbin me 1 automjet zjarrfikës dhe 50 efektivë, gjithashtu MZSH Mirditë me 11 efektivë. Ndërhyrja ajrore ka shmangur përhapjen drejt banesave dhe bizneseve në Shkopet. Terreni është i vështirë dhe i paarritshëm për mjete. Situata po monitorohet nga autoritetet dhe strukturat përkatëse. Nuk ka rrezik për objektet e banimit.

Qarku Korçë
* Në fshatin Vernik, njësia administrative Qendër Bilisht, bashkia Devoll, zjarri vijon të jetë aktiv, por në drejtim të pikës kufitare Kapshticë zjarri u vu nën kontroll, po vijon puna në krahun e fshatit, pasi ndihmuar nga era zjarri po përhapet në bimësi.
* Në fshatin Dishnicë, njësia administrative Bulgarec, bashkia Korçë.

Qarku Gjirokastër
* Në fshatin Kosinë, njësia administrative Qendër Piskovë, bashkia Përmet, vijon puna në terren të vështirë për shuarjen e zjarrit.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 21 automjete zjarrfikëse për momentin dhe 519 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së sotme marrin pjesë 190 forca nga FA me 19 mjete dhe 1 helikopter, 2 avionë Canadair nga shteti Grek dhe 1 avionë Canadair nga shteti italian.

The post MM: 13 vatra zjarri deri në orën 14:00, 9 aktive dhe një në monitorim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin, 2 vite burg për ish-kryebashkiakun e Himarës

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) la sot në fuqi vendimin e shkallës së parë për ish-kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, duke e dënuar me 3 vite e 1 muaj burg, dënimi i cili zbriti në 2 vite e 20 dite për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Goro u dënua për veprën penale “shpërdorim detyre” në dy raste dhe mosdeklarim pasurie.

Apeli po ashtu vendosi konfiskimin e apartamentit rreth 81 m katrorë që ishte në emër të biznesmenit Gentian Sula.

Shkalla e pare e gjykimit kishte vendosur më herët t’ia kthente apartamentin firmës.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesuese) dhe me anëtarë Dhimitër Lara dhe Miliana Muça shpalli sot vendimin në lidhje me ankimimet e të pandehurve ndaj vendimit të datës 13 mars të këtij viti të GJKKO.

Apeli urdhëroi konfiskimin e apartamentit duke mos pranuar ankimimin e shoqërisë ndërtuese.

The post Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin, 2 vite burg për ish-kryebashkiakun e Himarës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës rekomandon masa mbrojtëse nga i nxehti

PRISHTINË, 22 korrik/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë i ka rekomanduar institucionet publike dhe private në Kosovë që të zbatojnë masa mbrojtëse për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta në periudhën 22-25 korrik.

Ministria i ka bazuar këto rekomandime në udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK).

Në njoftimin e ministrisë është përmendur që temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht te grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura, apo në kushte pune me temperatura të larta.

Sipas rekomandimit të ministrisë:

  • duhet të shmanget puna në ambient të jashtëm në periudhën kohore 11:00-16:00,
  • gratë shtatzëna duhet të lirohen nga puna nga ora 11:00 deri në 16:00,
  • personat me sëmundje kronike duhet të punojnë me orar të shkurtuar, maksimumi 4 orë në ditë,
  • duhet të përshtaten oraret e punës për të punësuarit, në mëngjes herët ose pasdite vonë, përfshirë edhe mundësinë e punës nga shtëpia,
  • duhet të sigurohet ajrosja e mjaftueshme në vendet e punës të mbyllura dhe
  • duhet të vendosen pika freskimi në vend punishtet e hapura për freskim të punëtorëve dhe të sigurohet qasje në ujë te ftohtë për ta.

Temperaturat këtë javë në Kosovë pritet të shkojnë deri në 38 gradë Celsius.

Si pasojë e motit të nxehtë që ka përfshirë Ballkanin, në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Kroaci është raportuar për përhapje të zjarreve, pasi temperaturat në disa raste kanë shkuar në mbi 40 gradë Celsius. /rel/

The post Ministria e Shëndetësisë e Kosovës rekomandon masa mbrojtëse nga i nxehti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Universitetet e tjera të ndjekin modelin e UBT, do ndryshojmë qasjen financiare

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Universiteti Bujqësor i Tiranës, tanimë gati me programet e Universitetit BOKU të Vjenës dhe me synimin që UBT2030 të bëhet antena rajonale e BOKU-t, një universitet lider me një traditë të hershme në fushën e shkencave të jetës në Europë.

Në ceremoninë e mbajtur në Universitetin Bujqësor të Tiranës me rastin e nisjes së 9 programeve të reja të UBT që duke nisur nga ky vit janë sipas modelit BOKU, Kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek mundësia që ato përfaqësojnë për të rinjtë ndërsa u bëri thirrje universiteteve të tjera në vend të ndjekin këtë model.

“Universitetet e Shqipërisë duhet ta kenë të qartë që nëse duan mbështetje ekstra duhet të bëjnë si UBT, të gjejnë shoqe, shokë europianë, të dorëzojnë letrat e fejesës që të bëjmë martesën. Qeveria do të ndryshojë komplet qasjen financiarë”, u shpreh Rama.

Sipas tij, fondet ekstra do vendosen tek UBT.

“Do ta fusim në listën e universiteteve dinjitoze të Europë. Të tjerët janë tërësisht të respektuar, inkurajuar, do marrin pjesën e buxhetit që u takon, por më shumë nga ato ekstra, s’ka për të marrë askush që s’bën këto. Reformë reale! Ka një problem serioz këtu. Universitetet s’mund të vazhdohen si shkolla të mesme, duhet të jenë qendra kërkimore. Kërkimi shkencor që është pika kyçe dhe e dobët e UBT dhe ne do e mbështesim me çfarë kemi mundësi”, theksoi Rama.

Në mbyllje, Rama theksoi se së shpejti do të fillojë të rishkruhen disa pjesë të ligjit për arsimin e lartë.

“Do të marrim në konsideratë këto ndryshime thelbësore që janë bërë në UBT sa i përket kurrikulave. Përfshirje reale e studentëve që ka të bëjë më pjesën universiteteve. Do shqyrtojmë dhe problemin me shumë koka brenda universitetit. Universiteti ka një kohë, një drejtim, s’mund të ketë 17 koka që duan të mbajnë kioskën e tyre”, vijoi Rama.

“Juristë ka plot Shqipëria por profesionistë nuk ka mjaftueshëm. Së bashku me ta çdonjëri nga vajzat dhe djemtë që do trokasin në këtë derë universiteti do bëhen pjesë e kategorive që kërkohen më shumë dhe do i kenë dyert të hapura. Juristë harroje, në rastin më të mirë do përfundosh sekser nëpër gjykata”, përfundoi Rama.

 

 

The post Rama: Universitetet e tjera të ndjekin modelin e UBT, do ndryshojmë qasjen financiare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hasani: Irlanda, përkrahje konkrete në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në BE

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti sot në ambientet e MEPJ Ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen të Irlandës,  Thomas Byrne.

Gjatë takimit, u diskutua mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, si një dimension thelbësor për paqen dhe sigurinë afatgjatë në kontinent.

Në fokus ishte progresi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Hasani theksoi përkushtimin e palëkundur të qeverisë për të avancuar reformat kyçe, duke e cilësuar integrimin evropian si prioritet të qartë kombëtar.

“Mirënjohje për mbështetjen e qëndrueshme të Irlandës për procesin e zgjerimit dhe për përkrahjen konkrete në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit. Shpresojmë të thellojmë bashkëpunimin edhe më tej gjatë Presidencës së Irlandës në Këshillin e BE- së në gjysmën e dytë të vitit 2026,” – u shpreh ministri Hasani.

Ai shtoi se Shqipëria është e gatshme të hapë grupkapitujt e radhës në negociata dhe synon përmbylljen e pjesës teknike brenda vitit 2027, me synimin për anëtarësim përpara fundit të dekadës.

Ministri Hasani nënvizoi gjithashtu se Shqipëria mbetet plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si dhe është aktive në misionet civile dhe ushtarake të saj – një kontribut i rëndësishëm për sigurinë rajonale dhe më gjerë.

Gjatë takimit u diskutua edhe për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Irlandës, përfshirë hapjen e fluturimeve direkte, si dhe për mundësitë e rritjes së investimeve irlandeze. /j.p/

The post Hasani: Irlanda, përkrahje konkrete në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E martë 22 korrik, temperatura të larta deri në 41°C

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e martë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit dhe orë të plota me diell.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – jugperëndim me shpejtësi mesatare 5 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era hera-herës do të fitojë shpejtësi 6-9 m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 23/38 Diell
Kukës 20/39 Diell
Lezhë 21/37 Diell
Dibër 19/37 Diell
Durrës 20/38 Diell
Tiranë 25/39 Diell
Elbasan 20/41 Diell
Berat 20/40 Diell
Vlorë 24/38 Diell
Korçë 19/36 Diell
Gjirokastër 18/40 Diell
Sarandë 21/36 Diell

 

The post E martë 22 korrik, temperatura të larta deri në 41°C appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 21 July 2025Main stream

Dështon edhe përpjekja e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 21 korrik/ATSH/ Ka dështuar për të pesëdhjetën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës, të hënën më 21 korrik. Komisioni për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit – kërkesë kjo e Lëvizjes Vetëvendosje – nuk ka marrë sërish votat e nevojshme.

Vetëm 53 deputetë kanë votuar për formimin e këtij komisioni.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i LVV-së sërish nuk i ka lejuar deputetët që të mbajnë fjalime në foltoren e Kuvendit.

Seanca e radhës do të mbahet të mërkurën, më 23 korrik, në orën 11:00.

Ndërkohë kanë mbetur vetëm edhe pesë ditë deri në përfundimin e afatit që Gjykata Kushtetuese e ka dhënë për konstituimin e Kuvendit – që është 26 korriku.

Të shtunën, më 19 korrik, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, kanë zhvilluar një takim – në përpjekje për dalje nga kriza. Megjithatë, nga ai takim nuk dolën me ndonjë marrëveshje që do t’i hapte rrugë formimit të institucioneve të reja.

Këto zhvillime vijnë kur po afrohet 26 korriku – afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për konstituim të legjislaturës së nëntë.

Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt por ende nuk është bërë konstituimi i Kuvendit.

Procesi ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit për çka Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun.

Ata po kërkojnë votim të fshehtë, por kjo, dhe kandidatura e Haxhiut, po kundërshtohen nga partitë e tjera parlamentare.

Deri më tash, presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar takime bashkë, dhe të ndara, me përfaqësues të partive politike – në përpjekje të zgjidhjes së krizës. Por, nuk ka pasur ndonjë ndryshim.

Thirrje për formim të institucioneve të reja kanë bërë edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian. /Kosovapress/

The post Dështon edhe përpjekja e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

E diel, 20 korrik, temperatura deri në 39°C

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e diel vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit dhe orë të plota me diell.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – jugperëndim me shpejtësi mesatare 4 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era hera-herës do të fitojë shpejtësi 5-7 m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 1 ballë. 

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 21/37 Diell
Kukës 18/35 Diell
Lezhë 19/36 Diell
Dibër 19/35 Diell
Durrës 21/36 Diell
Tiranë 23/38 Diell
Elbasan 21/39 Diell
Berat 22/39 Diell
Vlorë 22/37 Diell
Korçë 20/35 Diell
Gjirokastër 18/39 Diell
Sarandë 23/35 Diell

 

The post E diel, 20 korrik, temperatura deri në 39°C appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: “Scorpions” rikthehen në Shqipëri me superkoncert

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Legjendat rock-ut, Scorpions, do të rikthehen në Shqipëri më 14 shtator 2025, me një super koncert në Sheshin “Skënderbej”, Tiranë, si pjesë e turneut të tyre botëror “Coming Home” që shënon 60 vjet karrierë muzikore.

Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjetet sociale momente nga performanca në skenë e grupit të famshëm të  “wind of Change”.

“Scorpions” vijnë në koncert në Tiranë pas 24 vjetësh nga koncerti i tyre i parë që u përcoll me entuziazëm nga qytetarët gati një dekadë pas daljes nga izolimi i regjimit komunist.

Koncerti i 14 shtatorit pritet të mbledhë mijëra fansa nga çdo cep i vendit dhe i rajonit, të bashkuar nga këngë që kanë qëndruar mbi kohën: “Wind of Change”, “Still Loving You”, “Rock You Like a Hurricane” dhe “Send Me an Angel”.

 

The post Rama: “Scorpions” rikthehen në Shqipëri me superkoncert appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata e zjarreve, MM: 22 vatra të raportuara, 11 ende aktive

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot duke iu referuar të dhënave të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në AKMC, se deri në orën 18:00 janë raportuar 22 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar 11 dhe janë aktive 11.

Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në:

* Në bashkinë Korçë.
* Në “Bypass-in e Vlorës”, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë.
* Në Vish, në bashkinë Himarë.
* Në Qeparo, bashkia Himarë.
* Në fshatin Borsh, njësia administrative Lukovë, bashkia Himarë.
* Në fshatin Mborje, njësia administrative Drenovë, bashkia Korçë.
* Në fshatin Borsh, njësia administrative Lukovë, bashkia Himarë.
* Në fshatin Karpen, njësia administrative Golem, bashkia Kavajë.
* Në fshatin Velçë, njësia administrative Brataj, bashkia Selenicë.
* Në fshatin Karpen, njësia administrative Maminas, bashkia Shijak.
* Në fshatin Çerkezë-Morinë, njësia administrative Zall-Herr, bashkia Kamëz.

Aktualisht, janë aktive vatrat në:

1. Qarku Dibër
Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, njësia administrative Lurë, bashkia Dibër ku vazhdon aktiv zjarri i rënë në datë 07.07.2025, i cili po zhvillohet në dy vatra. Një vatër po zhvillohet në drejtim të Lurës, rreth liqenit të Zi dhe po punohet nga forcat operacionale. Terreni i keq ka vështirësuar përpjekjet për ta vënë zjarrin nën kontroll. Ndërsa vatra tjetër po zhvillohet në pjesën e sipërme të vatrës nga krahu i Gurë Lurës është mbyllur pjesërisht pasi digjen trungje brenda vatrës. Në operacion për shuarjen e zjarrit janë angazhuar 30 forca nga organet vendore dhe 30 forca nga FA.

2. Në njësinë administrative Shupenzë, bashkia Bulqizë, vazhdon aktiv në një vatër me intensitet të ulët zjarri i riaktivizuar më datë 13.07.2025, i cili është spostuar nga “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan. Ditën e sotme në terren ndodhen 9 efektivë me 1 automjet zjarrfikës nga MZSH dhe 4 forca nga Shërbimi Pyjor.

3. Në fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat. Ka rënë zjarr në një zonë të thepisur, që vështirëson ndërhyrjen. Në vendngjarje ndodhen rreth 30 forca bashkiake dhe 30 efektivë nga FA. Në vendndodhje po operon edhe 1 helikopter i FA.

4. Në fshatin Dovolan, njësia administrative Maqellarë, bashkia Dibër. Zjarri po zhvillohet në anën lindore të fshatit në pyje dushku, ferra e shkurre, por jo shumë larg disa banesave. Po punohet me 1 automjet zjarrfikës me 6 efektivë.

5. Qarku Fier
Në fshatin Belishovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, vazhdon aktive vatra e zjarrit të ardhur nga fshati Drenovë, i cili është riaktivizuar më datë 14.07.2025. Vatra e zjarrit ka marrë zgjerim të perimetrit. Në vendngjarje për shuarjen e tij po punojnë 35 forca zjarrfikëse me 2 automjete zjarrfikëse nga bashkia Mallakastër, 4 forca zjarrfikëse me 1 automjet nga bashkia Fier, 10 forca zjarrfikëse me 2 automjete nga Albpetrol, 10 efektivë me 2 automjete zjarrfikëse nga FA dhe 30 efektivë me 2 mjete nga Regjimenti i Këmbësorisë së Jugut.

6. Qarku Vlorë
Në Sotiran, në vendin e quajtur “Qafa e Shëngjergjit”, mbi fshatin Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë. Zjarri është shumë intensiv. Digjen shkurre dhe fier poshtë pyllit me pishë. Flakët të ndihmuara nga era kanë përfshirë edhe kurorën e pishave. Në terren po punojnë 17 efektivë të MZSH, 5 forca nga Shërbimi Pyjor dhe 7 forca bashkiake.

7. Qarku Elbasan
Në fshatin Shmil njësia administrative Labinot-Mal, bashkia Elbasan, në kufi me fshatin Gurakuq, njësia administrative Orenjë, bashkia Librazhd. Zjarri ka rënë në pyll gështenje. Terreni vështirëson ndërhyrjen.
8. Në kodër Kraste, bashkia Elbasan.

9. Qarku Lezhë
Në fshatin Tenë, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë, në një sipërfaqe me shkurre. Në vendngjarje ndodhet ekipi zjarrfikës.

10. Qarku Durrës
Në fshatin Zallë, njësia administrative Fushë – Krujë, bashkia Krujë. Në vendngjarje ndodhet automjeti zjarrfikës me grupin e shërbimit, punonjës të Emergjencave Civile.

11. Në bashkinë Shijak afër Parkut të Kamionëve Pelikani në bimësi të ulët. Është duke u punuar nga forcat zjarrfikëse.

The post Situata e zjarreve, MM: 22 vatra të raportuara, 11 ende aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muzeu Kombëtar Arkeologjik I Durrësit hap dyert në vjeshtë i restauruar

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Ekipi i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ndoqi nga afër punimet në kantierin e Muzeut Kombëtar Arkeologjik të Durrësit, së bashku me Qendrën Muzeore Durrës.

Punimet restauruese në këtë objekt po kryhen në kuadër të programit EU4Culture, që zbatohet nga UNOPS.

MEKI njoftoi në rrjetet sociale, ku ndau pamje nga kantieri, se Muzeu Kombëtar Arkeologjik që ruan thesare të çmuara të qytetërimit tonë antik, po i afrohet një transformimi rrënjësor.

Në vjeshtë, ai do të hapë dyert për publikun vendas dhe të huaj, me një pamje të re dhe përvoja muzeale bashkëkohore.

Rihapja e muzeut do të sjellë hapësira të shtuara ekspozuese më funksionale, brenda dhe jashtë, një linjë muzeore të rikonceptuar, hapësira të dedikuara për aktivitetet edukative të fëmijëve dhe për zhvillime seminaresh.

“Një tjetër hap i rëndësishëm drejt kthimit të Durrësit në një pol të rëndësishëm kulturor e turistik”, përfundon MEKI.

The post Muzeu Kombëtar Arkeologjik I Durrësit hap dyert në vjeshtë i restauruar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapet ekspozita në “Marubi”, Pazari i Shkodrës sillet përmes artefakteve dhe imazheve të rralla

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” hapi pasditen e djeshme për publikun ekspozitën “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese” që rikthen në vëmendje historinë vizuale dhe kulturore të Pazarit të Shkodrës, përmes objekteve, artefakteve dhe imazheve të rralla.

Për herë të parë, të pranishmit u njohën me koleksionin e Palokë Lacës, një tregtar i hershëm shkodran, i cili ruhet në arkivën e Muzeut të Etnografisë në Budapest.

Në këtë ekspozitë, objektet historike vihen në dialog me pjesë nga fondi etnografik i Institutit të Antropologjisë dhe me imazhe të papublikuara më parë nga arkivi i Muzeut “Marubi”.

“Përmes kësaj ekspozite, unë dëshiroj që të marr çdonjërin nga ju si në një udhëtim që ju kthen pas në kohë, kujtime dhe imagjinatë. Në këtë mënyrë secili ka mundësi të përfytyrojë përvojën e vet në zemër të Pazarit të vjetër të Shkodrës. E gjitha nis nga simboli i këtij qyteti, kështjella e Rozafës”, theksoi Kim Knoppers, kuratore.

Një seksion i veçantë i kësaj ekspozite i është kushtuar dizajnerit shkodran Jozef Martini, i cili sjell një qasje bashkëkohore ndaj motiveve tradicionale përmes punimeve të tij në tekstile special, duke lidhur mjeshtërinë tradicionale me stilin modern.

Ekspozita “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese” u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ajo sjell për herë të parë në Shkodër koleksionin e Palokë Lacës, një tregtar i hershëm i Shkodrës, artefaktet e të cilit gjenden të ruajtura në arkivën e Muzeut të Etnografisë së Budapestit. Një hapësirë e veçantë i dedikohet edhe dizajnerit të tekstileve Jozef Martini, me punimet e tij në jacquard, që sjellin një qasje bashkëkohore ndaj motiveve tradicionale shkodrane.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri më 13 shtator të këtij viti.

The post Hapet ekspozita në “Marubi”, Pazari i Shkodrës sillet përmes artefakteve dhe imazheve të rralla appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ngërçi në Kuvendin e Kosovës, përfundon takimi Kurti-Limaj

PRISHTINË, 19 korrik/ATSH/ Ka përfunduar takimi mes dy liderëve të partive politike, NISMA dhe Vetëvendosje.

Takimi mes Kurtit dhe Limajt u mbajt në Prishtinë, teksa nuk ka informacione rreth marrëveshjes të mundshme mes tyre.

Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës është në situatë të ngërçit politik, pasi legjislatura e nëntë nuk ka arritur ende konstituimin e institucionit legjislativ të Kosovës.

Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese u ka lënë hapësirë 30 ditë deputetëve për konstituimin e Kuvendit, teksa ky afat përfundon në fund të muajit ende nuk dihet se cili do të jetë skenari tjetër në rast dështimi.

Albulena Haxhiu ka dështuar në gjashtë përpjekje për të marrë votat e nevojshme në votim të hapur, dhe po ashtu ka dështuar edhe formimi i komisionit për votim të fshehtë.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës deri më 26 korrik, afat i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duhet të ketë pasoja juridike për deputetët.

Ajo theksoi se janë duke përgatitur lëndën për interpretim kushtetues për krizën politike, dhe nëse nuk ka formim të institucioneve as gjatë këtij vikendi, atëherë në fillim të javës së ardhshme do ta dërgojnë çështjen në organin më të lartë juridik të vendit. /KosovaPress/

The post Ngërçi në Kuvendin e Kosovës, përfundon takimi Kurti-Limaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lëvizje e ngadaltë e mjeteve në Qafë Botë, kërkohet hapja 24 orë e kufirit

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Në pikën kufitare të Qafë Botës vijojnë radhë të gjata pritjeje edhe këtë fundjavë ndërsa autoritetet shqiptare kërkojnë hapjen 24 orë të kufirit.

Kështu, ndërsa sezoni veror i pushimeve ka shtuar fluksin e qytetarëve që kalojnë kufirin, Qafë Bota mbetet ende në situatë të tensionuar dhe me lëvizje të ngadalësuar të mjeteve.

Pala greke në rritur sportelet e punës, por fluksi i lartë dhe organizimi aktual me hyrje e dalje në të njëjtin krah kanë bërë që situata të mos ndryshojë sipas pritshmërive të qytetarëve.

Në një intervistë për mediet, prefekti i Qarkut të Vlorës, Kristaq Kiço, e cilësoi situatën si të pazakontë, duke theksuar se ajo është përkeqësuar që prej arrestimit të gjithë stafit të mëparshëm të doganës greke.

“Ndryshimi i përditshëm i punonjësve ka sjellë vonesa serioze në qarkullim dhe radhë të gjata në të dy anët e kufirit. Na është thënë se kjo është një situatë provizore, por kuptohet që jemi në pikun e sezonit turistik dhe masat duhen marrë menjëherë“, tha Kiço.

Ai shtoi se për shkak të fluksit të shtuar dhe rëndësisë që ka kjo pikë, veçanërisht në sezon, autoritetet shqiptare kanë kërkuar hapjen 24 orë të kufirit me Greqinë Qafë Botë.

“Katër vite më parë kemi pasur një marrëveshje me palën greke që nga prilli në tetor të kishte shërbim 24 orësh. Sot, më shumë se kurrë, kjo është domosdoshmëri, për shkak të fluksit të turistëve dhe rëndësisë së portit të Igumenicës“, u shpreh ai.

Mediet raportuan se pala greke ka konfirmuar se ka shpallur 10 vende të reja pune për doganën e Mavromatit, që do të plotësohen me procedurë të përshpejtuar, ndërsa nga e hëna do të nisë ndarja e flukseve të hyrjes dhe daljes në drejtime të ndryshme, për të ulur vonesat.

Autoritetet shqiptare shpresojnë që këto masa, së bashku me vendosjen e shërbimit 24 orësh, të sjellin normalizimin e qarkullimit, i cili është jetik për turizmin, tregtinë dhe komunitetin ndërkufitar në jug të vendit.

The post Lëvizje e ngadaltë e mjeteve në Qafë Botë, kërkohet hapja 24 orë e kufirit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia gjen 8-vjeçarin nga Kosova të humbur në plazhin e Shëngjinit

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Policia gjeti dhe ua ktheu prindërve një fëmijë që kishte humbur në plazhin e Shëngjinit.

Reagimi i menjëhershëm i Policisë dhe i vrojtuesve të plazhit bëri të mundur gjetjen e një fëmije që ishte larguar nga prindërit, në plazhin e Shëngjinit.

Punonjësit e Policisë në Shëngjin i dorëzuan familjes, në gjendje të mirë shëndetësore, fëmijën 8-vjeçar nga Kosova.

Salla Operative e DVP Lezhë u njoftua nga një pushuese nga Kosova, se djali i saj ishte larguar dhe nuk po e gjente dot.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë që patrullojnë me biçikleta në zonën e plazhit në Shëngjin u angazhuan dhe koordinuan veprimet me vrojtuesin e plazhit për gjetjen e fëmijës.

Pas rreth një ore kërkimesh intensive në terren, punonjësit e Policisë e lokalizuan të miturin pranë një hoteli. Fëmija ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore dhe iu rikthye menjëherë nënës së tij.

Nëna e fëmijës ka falënderuar shërbimet e Policisë dhe vrojtuesit  të plazhit për reagimin e shpejtë dhe profesional që kontribuoi në gjetjen e të miturit.

The post Policia gjen 8-vjeçarin nga Kosova të humbur në plazhin e Shëngjinit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sezoni veror, pritje deri në 3 orë e gjysmë për të hyrë në Kosovë

PRISHTINË, 19 korrik/ATSH/ Ardhja e mërgimtarëve ka shtuar fluksin e automjeteve që kalojnë në pikat kufitare të Kosovës.

Mërgimtarët po ballafaqohen me pritje të gjata sidomos në pikën kufitare “Dheu i Bardhë” aty ku pritjet shkojnë deri në 3 orë e gjysmë.

Pritje të gjata ka edhe në pikat kufitare “Muçibabë” deri në 40 minuta dhe në Bërnjak deri në 20 minuta./KosovaPress/

 

The post Sezoni veror, pritje deri në 3 orë e gjysmë për të hyrë në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro me homologun kroat: Ura të reja bashkëpunimi për ofertë më tërheqëse në rajon

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilloi sot një takim me homologun kroat të turizmit Tonči Glavina.

Kumbaro ndërsa ndau momente nga takimi në rrjetet sociale u shpreh se biseda u fokusua tek vizioni i zhvillimit të industrisë turistike në mënyrë të qëndrueshme dhe cilësore dhe se si mund të krijohen ura të reja bashkëpunimi që e bëjnë më atraktive ofertën e rajonit.

“Kroacia është një shembull në menaxhimin e flukseve turistike, ndërsa eksperienca që ofron në përshtatjen e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Europian, gjë të cilën po e bën edhe Shqipëria në vazhdën e integrimit, mbetet shumë e çmuar dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me kolegët kroatë”,u shpreh Kumbaro.

Më herët, ajo pati takim dhe me homologun malazez.

1 nga 5

 

The post Kumbaro me homologun kroat: Ura të reja bashkëpunimi për ofertë më tërheqëse në rajon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga aleanca tek interesi – Kosova si destinacion i investimeve amerikane

PRISHTINË, 18 korrik/ATSH/ Energjia, mbrojtja dhe inovacioni digjital janë sektorë ku bashkëpunimi Kosovë-SHBA mund të sjellë përfitime të ndërsjella, por vetëm atëherë kur Kosova t’i mirorganizojë proceset e saj të brendshme.

Ekspertët e çështjeve ekonomike shpjegojnë se një mjedis ligjor dhe ekonomik i qëndrueshëm, larg burokracisë dhe papërgjegjshmërisë, është thelbësor për të tërhequr investitorët amerikanë dhe për të garantuar mbrojtjen e tyre.

Kjo qasje duket se përkon edhe me një orientim të ri të Kosovës – së paku sipas deklaratave të presidentes Vjosa Osmani.

Gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara javën e kaluar, ajo ka thënë se Kosova është shumë e interesuar për një lloj të ri marrëdhënieje me SHBA-në, që do të bazohet më shumë në interesat ekonomike, dhe ka veçuar energjinë, mbrojtjen dhe teknologjinë informative si fusha kyçe për zhvillim të përbashkët.

Pas kthimit, ajo ka thënë se ka marrë konfirmimin se Shtetet e Bashkuara e shohin Kosovën si një aleate strategjike.

Ambasada amerikane në Prishtinë nuk iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë për të shpjeguar se ku e sheh SHBA-ja potencialin më të madh për rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën.

Por, sipas Arian Zekës, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, mundësitë kryesore janë në mbrojtje dhe siguri, në ndërtimin e infrastrukturës së gazit për uljen e kostove të energjisë dhe në zhvillimin e ekonomisë digjitale, përfshirë sigurinë kibernetike dhe inteligjencën artificiale.

Midis potencialit dhe pengesave

Ai numëron disa arsye që, siç thotë, e bëjnë Kosovën partnere të rëndësishme strategjike për SHBA-në dhe destinacion tërheqës për investime – mes tyre: pozicioni gjeografik i Kosovës, fuqia e saj punëtore e re dhe e arsimuar dhe politikat fiskale konkurruese.

Por, përkundër këtij potenciali, ka edhe pengesa serioze që mund ta frenojnë interesimin e investitorëve amerikanë.

Zeka thekson se reformat duhet të vazhdojnë, pasi institucionet e vendit janë ende të reja dhe korniza ligjore mbetet e brishtë.

Kjo, sipas tij, shpesh shkakton vendimmarrje të pasaktë ose të ngadaltë, ndërkohë që mjedisi global ndryshon me shpejtësi.

“Kosova duhet të angazhohet më tej në forcimin e sundimit të ligjit, në shmangien e veprimeve që mund të rrisin paparashikueshmërinë juridike, si dhe në rritjen e mbrojtjes së investitorëve, përmes përmirësimit të efikasitetit të gjykatave”, thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Në një linjë të ngjashme, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, shpreh shqetësim se pa reforma të thella – në sundimin e ligjit, arsim, shëndetësi dhe fusha të tjera – besimi i investitorëve amerikanë do të mbetet i vakët.

Ai thekson gjithashtu se diplomacia ekonomike – si promovim aktiv i interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare – është thelbësore për të tërhequr investime dhe për të fituar besimin e partnerëve të huaj.

“Politika duhet të bashkëpunojë me Departamentin amerikan të Shtetit dhe me Shtëpinë e Bardhë, duhet ta rregullojmë imazhin e vendit, të dëshmojmë se Kosova nuk është shtet problematik në Ballkan, por shtet i stabilitetit”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.

Përplasje narrativësh

Këtë muaj, dy institucione të rëndësishme financiare, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, e hoqën Kosovën nga Lista e Shteteve në Situatë të Brishtësisë dhe Konfliktit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi këtë si rezultat të “punës së vazhdueshme dhe të përkushtuar” të qeverisë së tij gjatë katër vjetëve të fundit.

Ekspertët nuk janë dakord me këtë narrativ.

Ata theksojnë se, në disa raste, vetë autoritetet kanë rritur pasigurinë dhe kanë tensionuar klimën e brendshme – “me deklarata të pamatura se do të sulmohemi nga Serbia”, siç shprehet Rafuna.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Lekë Musa, kujton se Qeveria e Kurtit – aktualisht në detyrë – ka refuzuar një projekt për infrastrukturën e gazit në vitin 2021, të financuar nga Qeveria amerikane, me arsyetimin se nuk ishte i favorshëm ekonomikisht.

Ai thotë se Kosova duhet të ketë një qeverisje më dinamike dhe një treg më të hapur, me më pak burokraci dhe më shumë pragmatizëm në qasjen ndaj investitorëve – “pa iluzione se ata do të vijnë vetë”.

“Kosova nuk mund t’i ofrojë shumë SHBA-së. Ajo çfarë mund të bëjë është që, sa herë të ketë një propozim të caktuar – siç ishte rasti me projektin e gazsjellësit – ai nuk duhet lëshuar, por duhet materializuar”, thotë Musa për Radion Evropa e Lirë.

Me heqjen e Kosovës nga Lista e Shteteve në Situatë të Brishtësisë dhe Konfliktit, Banka Qendrore e vendit (BQK) parashikon rritje të besimit të investitorëve dhe përmirësim të perceptimit për stabilitetin institucional dhe ekonomik të saj.

Investimet e huaja në Kosovë kanë shënuar rritje, duke arritur në mbi 856 milionë euro vitin e kaluar, nga 840 milionë euro në vitin paraprak, sipas Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve.

Brenda këtij totali, investimet nga Shtetet e Bashkuara kanë qenë rreth 87 milionë euro.

Por, sipas ekspertëve, pjesa dërrmuese e tyre është e përqendruar në sektorin e patundshmërisë, e jo në degë që krijojnë vende të reja pune apo nxisin zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat e Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve, sipas të cilave, vitin e kaluar, mbi 647 milionë euro janë investuar në patundshmëri, ndërsa vetëm 21 milionë në sektorin e prodhimit.

Mes angazhimit amerikan dhe detyrimeve politike

Me Shtetet e Bashkuara, Kosova ka një shkëmbim tregtar prej miliona eurosh në vit.

Sipas Doganës së Kosovës, gjatë vitit 2024, importet nga ky vend kapën vlerën mbi 106 milionë euro, ndërsa eksportet ishin dukshëm më të ulëta – rreth 39 milionë euro.

Pavarësisht këtij çekuilibri tregtar, SHBA-ja mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës që nga fundi i viteve ‘90 – e angazhuar në forcimin e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik, ndërtimin e institucioneve të sigurisë dhe integrimin euroatlantik.

Deri më sot, ndihma amerikane për Kosovën ka kaluar 2 miliardë dollarë.

Ekspertët theksojnë rëndësinë që Kosova të jetë në harmoni me strategjinë globale të SHBA-së, duke e konsideruar çdo hap drejt bashkëpunimit si një investim në sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

Në këtë kontekst, Zeka thotë se mungesa e normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë vazhdon ta rëndojë imazhin e Kosovës dhe të pengojë tërheqjen e investimeve të huaja, ndaj thekson se trajtimi serioz i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve duhet të jenë përparësi – ashtu siç kërkohet vazhdimisht edhe nga SHBA-ja.

“Oda Ekonomike Amerikane, në jo pak raste, ka bërë thirrje që negociatat me fqinjin verior të trajtohen me prioritet, ashtu që të mund të arrihet normalizimi i plotë – sa më shpejt që të jetë e mundur”, thotë ai.

Paqartësi për investimet nga diaspora në Kosovë

Diplomati amerikan, Daniel Fried, e sheh njësoj sfidën e normalizimit, por thotë se Kosova nuk duhet të presë përmbylljen e këtij procesi për të forcuar bashkëpunimin ekonomik me SHBA-në – progresi mund dhe duhet të bëhet paralelisht në fusha të tjera, sipas tij.

“Nuk e di se çfarë marrëveshjesh biznesi mund të ketë, por mendoj se një qasje agresive nga ana e Kosovës për zhvillimin e mundësive të biznesit, mund të funksionojë. Dhe, pastaj, kur ke disa rezultate, i promovon ato dhe tregon se Kosova është një vend i mirë për të bërë biznes”, thotë Fried për Radion Evropa e Lirë.

Me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, Kosova dhe Serbia kanë arritur në vitin 2020 një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit.

Shumë pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë zbatuar ende dhe Zeka thekson se injorimi i dispozitave për financimin e projekteve strategjike nga institucionet financiare amerikane, është një mundësi e humbur.

Ai shton se do të dëshironte të shihte një qasje më dinamike nga Qeveria e Kosovës, që fillon me heqjen e detyrimeve doganore për produktet amerikane dhe vazhdon me një ofertë më kreative dhe tërheqëse për investitorët nga SHBA-ja.

Po ashtu, përkushtimi i palëkundur ndaj sundimit të ligjit duhet të jetë prioriteti më i lartë i çdo qeverie.

“Ky do të ishte mesazhi më i mirë që vendi do të mund t’ua dërgonte investitorëve”, përfundon Zeka. /rel/

The post Nga aleanca tek interesi – Kosova si destinacion i investimeve amerikane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌