LOS ANXHELES, 7 korrik /ATSH/- Për më shumë se 100 vjet, tabela ka qenë një pikë referimi e Los Anxhelesit si në jetën reale ashtu edhe në ekranin e madh, sipas BBC.
Në vitin 1978, Alice Cooper tha se po ndihmonte në restaurimin e ikonës së rrënuar.
E vendosur lart në malin Lee me pamje nga Los Anxhelesi, tabela e Hollivudit është një nga ikonat kulturore më të njohura të Amerikës.
“Është si Ura jonë e Londrës, Big Beni ynë”, tha rokeri amerikan, Alice Cooper në një shfaqje muzikore, “The Old Grey Whistle Test”, në vitin 1978.
“Në Hollivud, nuk kemi një pikë referimi përveç tabelës së Hollivudit”, shtoi ai.
Data e saktë e ngritjes së monumentit është e diskutueshme, por 100-vjetori i tij zyrtar u festua më 13 korrik 2023, duke e bërë atë 102 vjeç këtë javë.
Tani është bërë sinonim i industrisë së filmit, por fillimisht nuk ishte menduar të ishte. Në fakt, as nuk ishte menduar të qëndronte më shumë se 18 muaj.
Tabela u projektua si një tabelë reklamuese jetëshkurtër, që reklamonte një zhvillim të ri banimi në Hollywood Hills.
Ajo përbëhej nga 13 shkronja të mëdha, secila 9 metra e gjerë dhe 14 metra e lartë, që shkruanin HOLLYWOODLAND – emri i kompanisë së pasurive të paluajtshme që shiste pronat.
E bërë nga druri dhe llamarina dhe e fiksuar në një kornizë shtyllash telefonike, struktura kushtoi më shumë se 23,000 dollarë (rreth 430,000 dollarë ose 300,000 paund sot) për t’u ndërtuar.
Për t’u siguruar që të ishte veçanërisht tërheqëse për syrin, ajo u ndriçua me pothuajse 4 000 drita që do të ndriçonin pjesët e ndryshme të tabelës, HOLLY, WOOD dhe LAND, njëra pas tjetrës.
Një mjeshtër, Albert Koeth, u punësua për ta mbajtur tabelën në gjendje të mirë dhe për të zëvendësuar llambat kur ato digjeshin.
Ideja ishte të promovohej stili i jetesës për qytetarët e Los Anxhelesit, në vend që të vepronte si një lloj mbështetje për industrinë e argëtimit.
Gjatë dekadës pasuese, ndërsa Los Anxhelesi dhe biznesi i filmit u rritën, tabela qëndroi në vend. Por ndërsa depresioni i viteve 1930 filloi të godiste, mirëmbajtja e saj u neglizhua dhe ajo shpejt u rrënua.
Kompozitori Eden Ahbez, një mbështetës ii stilit të jetesës hipi, ngriti një kamping për një kohë të shkurter nën shkronjën L të parë të tabelës. Ahbez më vonë do të bëhej i famshëm për shkrimin e këngës hit të vitit 1948 të Nat King Cole, “Nature Boy”.
Tabela filloi gjithashtu të fitonte një famë të padëshiruar: lidhja e saj me vdekjen e yllit aspirant të Hollivudit, Peg Entwistle, e lidhi atë me anën më të errët të joshjes së Tinseltown.
Aktorja 24-vjeçare e lindur në Uells kishte lënë një karrierë të suksesshme në Broadway për t’u transferuar në Los Anxheles me ëndrrat për t’u bërë një yll kinematografik.
Por, pasi luftoi për të gjetur sukses, natën e 16 shtatorit 1932, Entwistle u ngjit në një shkallë mirëmbajtjeje deri në majë të shkronjës H dhe u hodh drejt vdekjes.
Ndërsa tabela vazhdonte të ndryshkej dhe të degradohej, në vitin 1944, kompania e pasurive të paluajtshme vendosi t’ia dhuronte atë qytetit, së bashku me 425 hektarët e mbetur të tokës së pazhvilluar, për një çmim simbolik prej 1 dollarësh.
Në këtë kohë, një stuhi e fortë e kishte rrëzuar tashmë shkronjën H dhe shumë banorë e kishin konsideruar tabelën e rrënuar si një shëmti për syrin.
Në vitin 1949, u mor një vendim për ta shembur të gjithën, por Dhoma e Tregtisë e Hollivudit arriti ta anulonte vendimin me kusht që ata të paguanin faturën për të riparuar tabelën që po shkatërrohej dhe për të zëvendësuar shkronjën që mungonte. Ata e shkurtuan atë, duke hequr pjesën LAND, dhe kështu lindi një ikonë kulturore.
Por nga mesi i viteve 1970, për shkak të neglizhencës, dëmtimeve nga moti dhe vandalizmit, tabela, tashmë 50-vjeçare, po shkatërrohej sërish.
Në kohën kur Bob Harris i BBC-së erdhi për të intervistuar Cooper në vitin 1978, një stuhi e fortë e kishte shpërfytyruar tabelën, duke thyer një pjesë të O-së së parë dhe duke bërë që O-ja e dytë të rrëzohej poshtë malit Lee, duke lënë tabelën të shkruante HULLYWO D.
Fushata ‘Ruajeni Tabelën’
“Askush nuk do të marrë përgjegjësinë për restaurimin e saj apo diçka të tillë,” tha Cooper për BBC.
“Dhe mendova se do të kushtonte, le të themi, 40,000 ose 50,000 dollarë për ta restauruar. Kështu që sugjerova që të shkonim dhe të bënim një koncert diku dhe thjesht t’u jepnim të gjitha paratë”, tha ai.
Pas përpilimit të një raporti strukturor, Dhoma e Tregtisë e Hollivudit zbuloi se riparimi i tabelës ishte i pamundur. Do të duhej të zëvendësohej plotësisht.
Dhe për t’u siguruar që mund t’i rezistonte erërave në malin Lee, shkronjat e reja të çelikut do të duhej të mbështeteshin në kolona çeliku të zhytura në një themel betoni.
Çmimi për këtë projekt do të ishte 250,000 dollarë.
Fushata “Ruajeni Tabelën” u nis në maj të vitit 1978, dhe muajin pasardhës Hugh Hefner, themeluesi i revistës ndërkombëtare “Playboy”, organizoi një takim me yjet në rezidencën e tij për të mbledhur fonde. Cooper ishte personi i parë që sponsorizoi.
“Ne ofruam 27,000 dollarë dhe mendova se kjo do të nxiste njerëz të tjerë”, tha ai.
Rokeri pagoi për O-në e fundit, të cilën ia dedikoi mikut të tij, komedianit dhe yllit të filmit Groucho Marx, i cili kishte vdekur vitin e kaluar.
“Dhe Andy Williams, këngëtari amerikan i njohur për këngën “Moon River” dhuroi para për një gërmë të tabelës, dhe “Warner Brothers”, Gene Autry – dhe disa njerëz vërtet të mirë”, tha Cooper.
“Ne pak a shumë e nisëm, dhe unë ende besoj se të gjithë në botë i detyrohen Hollywoodit të paktën një dollar për të gjithë argëtimin që vjen nga Hollywoodi “, tha ai.
Tabela e vjetër u shemb dhe në vend të saj u ngrit një tabelë e re 137 metra e gjatë që peshonte 240 ton. Ajo është bërë simboli i qytetit dhe premtimi joshës i biznesit të filmit.
“Kur shikon tabelën e Hollivudit, mendon për shkëlqimin e Hollivudit. E dimë që shkëlqimi nuk është i vërtetë, por duket i vërtetë”, tha studiuesja dhe gazetarja e filmit, Karen Krizanovich David Willis në podcastin H-O-L-L-Y-W-O-O-D, të BBC-së në vitin 2023.
“Kur shikon tabelën e Hollivudit, mendon se është e vërtetë. E gjithë kjo fantazi për Hollivudin është e vërtetë, për shkak të asaj tabele”, shtoi ajo.
Gjatë viteve, tabela e Hollivudit është shfaqur në një mori filmash, duke luajtur përkrah Charlton Heston në “Earthquake” (1974), Robert Downey Jr në “Chaplin” (1992) dhe Mila Kunis në “Friends with Benefits” (2011).
Më 31 dhjetor 1999, tabela e re – e cila nuk kishte llamba si origjinali – u ndriçua sërish për herë të parë në 60 vjet – për të festuar mijëvjeçarin e ri.
Gjatë ceremonisë së mbylljes së Lojërave Olimpike të Parisit të vitit të kaluar, dy O-të e saj u përdorën për të krijuar dy unazat e poshtme të simbolit olimpik – në një shenjë respekti për Los Anxhelesin që do të organizojë Lojërat Olimpike në vitin 2028. //a.i/
The post Pse Alice Cooper e shpëtoi tabelën e Hollywood-it? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.