Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 July 2025Main stream

F1 – Belgjika ndalesa e radhës

BRUKSEL, 25 korrik /ATSH-AA/ – Emocionet e Kampionatit Botëror të Formula 1 do të vazhdojnë me fazën e 13-të të sezonit, me Çmimin e Madh (Grand Prix) të Belgjikës.

Gara, e cila do të zhvillohet në pistën 7-kilometrëshe Spa-Francorchamps të Belgjikës, do të zhvillohet në 44 xhiro. Raundet kualifikuese të sprintit do të zhvillohen sot, me garën e sprintit që fillon nesër në orën 12:00 dhe raundet kualifikuese që fillojnë në orën 16:00. Gara do të zhvillohet të dielën, më 27 korrik, në orën 15:00.

Deri më tani në sezon, piloti i McLaren, Oscar Piastri, ka fituar 5 gara, Lando Norris 4 gara, piloti i Mercedes George Russell 1 garë, ndërsa kampioni në fuqi i Red Bull, Max Verstappen, ka 2 fitore në gara.

Renditja e 5 pilotëve dhe ekipeve më të mira përpara Çmimit të Madh të Belgjikës është si më poshtë:

Pilotët:

1. Oscar Piastri (Australi): 234 pikë

2. Lando Norris (Britani e Madhe): 226

3. Max Verstappen (Holandë): 165

4. George Russell (Britani e Madhe): 147

5. Charles Leclerc (Monako): 119

Ekipet:

1. McLaren: 460

2. Ferrari: 222

3. Mercedes: 210

4. Red Bull: 172

5. Williams: 59    /os/

The post F1 – Belgjika ndalesa e radhës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MUZIKË – Del në ankand kitara e Jimmy Page të ”Led Zeppelin”

LONDËR, 25 korrik /ATSH-DPA/ – Një kitarë e dhuruar nga Jimmy Page i ”Led Zeppelin” si çmim konkursi më shumë se 50 vjet më parë mund të shitet për 50 000 stërlina (67 460 dollarë) në ankand.

Kitara elektrike ”Gretsch Chet Atkins 6120” e vitit 1957 ishte çmimi i një konkursi të mbajtur nga revista ”New Musical Express”.

Në një intervistë Page deklaroi se e bleu kitarën në Nashville, SHBA, për 200 stërlina në vitin 1972.

Kitara pritet të shitet midis 30 000 dhe 50 000 paund në ankandin ”Gardiner Houlgate” në Corsham, Angli.

“Page duhet të jetë i çmendur që dhuron një kitarë kaq fantastike. Është lloji i instrumentit që çdo kitarist ëndërron ta ketë, por që nuk mund ta përballojë kurrë”, theksojnë adhuruesit e kitarës./   /os/

The post MUZIKË – Del në ankand kitara e Jimmy Page të ”Led Zeppelin” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Tajani: Do ta njohim Palestinën, nëse ajo njeh Izraelin

MILANO, 25 korrik /ATSH-ANSA-DPA/ – Italia mbështet zgjidhjen me dy popuj, dy shtete, por njohja e shtetit të ri palestinez duhet të ndodhë njëkohësisht me njohjen e shtetit të Izraelit nga ana e tij, deklaroi sot ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.

“Ne jemi të interesuar për paqen, jo për fitoren e njërit mbi tjetrin dhe ne jemi vendi në botë që ka mirëpritur numrin më të madh të refugjatëve nga Gaza”, theksoi ai, në hapje të Këshillit Kombëtar të “Forza Italia”-s.

“Nuk mund të pranojmë më masakra dhe uri”, theksoi ai.

“Ka ardhur koha për një armëpushim të menjëhershëm. Ne jemi miq të Izraelit, por ia kemi thënë Izraelit këtë”, shtoi Tajani.

Ndërkohë, Franca do ta njohë Palestinën si shtet, postoi presidenti Emmanuel Macron në platformën X të enjten në mbrëmje.

“Në përputhje me angazhimin e saj historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca të njohë shtetin e Palestinës”, shkroi Macron.

“Do ta shpall solemnisht këtë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator të këtij viti”, theksoi ai.

“Paqja është e mundur”, shkroi ai më tej.

Ai tha se u takon francezëve ta demonstrojnë këtë së bashku me izraelitët, palestinezët dhe partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë./ /os/

The post ITALI – Tajani: Do ta njohim Palestinën, nëse ajo njeh Izraelin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Greqia regjistron temperatura deri në 43°C

ATHINË, 25 korrik /ATSH-ANA/ – Greqia regjistroi dje temperatura që u rritën përtej 41°C në disa rajone dhe lokalisht mbi 42°C-43°C.

Sipas rrjetit të stacioneve automatike meteorologjike të Observatorit Kombëtar të Athinës, temperaturat më të larta në Greqi u regjistruan në Greqinë Qendrore lindore, Atikë, Peloponezin lindor, Maqedoninë lindore dhe Traki.

Siç tregon një hartë e Observatorit/meteo.gr, temperaturat u rritën mbi 37°C në 280 nga 558 stacione aktive, mbi 40°C në 55 stacione dhe mbi 42°C në pesë stacione.

Në rajonin e Atikës dhe në veçanti në qytetin e Athinës, kombinimi i temperaturave shumë të larta dhe niveleve shumë të larta të lagështisë rezultoi në nivele shumë të larta shqetësimi për disa orë, duke rezultuar në ngarkesë shumë të lartë të nxehtësisë mbi popullsinë.

Harta tregon shpërndarjen e temperaturave maksimale në Greqi dhe tetë stacionet me temperaturat maksimale më të larta.

Rrathët e bardhë tregojnë stacionet ku temperatura maksimale u rrit mbi 37°C.
Sekretariati i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile i bëri përsëri thirrje publikut të jetë veçanërisht i kujdesshëm dhe njerëzve të mbrojnë veten nga rreziqet e temperaturave të larta.

Temperaturat do të mbeten të larta deri të dielën (përveç Greqisë veriperëndimore, ku vala e të nxehtit do të përfundojë).

Temperaturat do të bien gradualisht që nga e hëna në shumicën e rajoneve./ /os/

The post METEO – Greqia regjistron temperatura deri në 43°C appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

STAMBOLL – Iran-BE sërish në bisedime mbi programin bërthamor

TEHERAN, 25 korrik /ATSH-AA/ – Përfaqësues të Iranit dhe vendeve evropiane po mblidhen sërish në Stamboll për të zhvilluar një raund të ri bisedimesh mbi aktivitetet bërthamore të Teheranit.

Këto bisedime zhvillohen në Konsullatën e Përgjithshme të Iranit në Stamboll dhe përfaqësojnë takimin e dytë në këtë format.

Iranin në këto bisedime e përfaqësojnë zëvendësministrat e Jashtëm Majid Takht-Ravanchi dhe Kazım Kazem Gharibabadi. Ndërkaq, pala evropiane përbëhet nga i ashtuquajtura grupi E3, i cili përfshin Britaninë, Francën dhe Gjermaninë.

Irani ka pranuar të marrë pjesë në këto bisedime të reja me kërkesë të vendeve evropiane, të cilat janë nënshkruese të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Marrëveshja, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), synon të kufizojë kapacitetet bërthamore të Iranit në këmbim të lehtësimeve të sanksioneve ndërkombëtare.

Edhe pse legalisht ende ekzistuese, marrëveshja bërthamore mbetet në masë të madhe jofunksionale që kur SHBA-ja vendosi të tërhiqet në mënyrë të njëanshme në vitin 2018 gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump.

Takimi i mëparshëm mes palëve u mbajt më 16 maj, po ashtu në Stamboll, në nivel zëvendësministrash të jashtëm. Rifillimi i dialogut shihet si një përpjekje për të ruajtur dhe rivendosur zbatimin e marrëveshjes bërthamore në një kohë kur tensionet ndërkombëtare mbi programin bërthamor të Iranit vazhdojnë.   /os/

The post STAMBOLL – Iran-BE sërish në bisedime mbi programin bërthamor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 24 July 2025Main stream

FOKUS – ”iThems”: Nxehtësia ndryshon ritmin e orës biologjike

TOKIO, 24 korrik /ATSH-ANSA/ – Kur temperaturat rriten, ora jonë e brendshme biologjike detyrohet të ndryshojë ritmin për të qëndruar e sinkronizuar me ciklin e saj 24-orësh, pasi  aktiviteti i gjeneve të përfshira, në fakt, ndryshon me përshpejtime dhe ngadalësime të përsëritura rregullisht.

Kjo u zbulua, falë fizikës, në një studim të botuar në revistën ‘’PLOS Computational Biology’’, të udhëhequr nga Qendra Japoneze Riken për Shkencat Teorike dhe Matematikore Ndërdisiplinore (iThems).

Ky proces jo vetëm që ndihmon në mbajtjen e orës të qëndrueshme, por ndikon edhe në mënyrën se si ajo sinkronizohet me ditën dhe natën, duke u bërë më pak e ndjeshme ndaj stimujve të jashtëm mjedisorë.

Ora jonë biologjike bazohet në molekulat e ARN-së, lloji i ARN-së që përkthen udhëzimet e përmbajtura në ADN për të mundësuar prodhimin e proteinave përkatëse.

Këto ARNi lindin nga aktivizimi dhe çaktivizimi ritmik i gjeneve të caktuara, por problemi është se shumica e reaksioneve kimike në trup përshpejtohen ndërsa temperaturat rriten.

Për këtë arsye, mënyra se si trupi kompenson këto ndryshime gjatë gjithë vitit ose gjatë gjithë ditës, si kur lëvizim midis nxehtësisë së jashtme dhe freskisë së ambienteve të brendshme me ajër të kondicionuar, ka mbetur një mister.

Studiuesit  e udhëhequr nga Gen Kurosawa kanë zbuluar se çelësi qëndron te ritmi: kur është më ngrohtë, nivelet e mRNA-së rriten më shpejt dhe ulen më ngadalë, duke e mbajtur gjatësinë e përgjithshme të ciklit konstante.

Ky ritëm i ndryshuar rezulton në një valë që nuk është më simetrike, por e shtrembëruar.

Për më tepër, kur vala shtrembërohet, ora bëhet më e qëndrueshme dhe stimujt e jashtëm si drita dhe errësira kanë më pak efekt mbi të.

“Në të ardhmen shkalla e shtrembërimit të formës së valës në gjenet e orës biologjike mund të bëhet një biomarkues që na ndihmon të kuptojmë më mirë çrregullimet e gjumit, jet lag dhe efektet e plakjes”, thekson Kurosawa.   /os/

The post FOKUS – ”iThems”: Nxehtësia ndryshon ritmin e orës biologjike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINË – Li: Historia ka treguar se bashkëpunimi Kinë-BE u ka sjellë dobi të dyja palëve

PEKIN, 24 korrik /ATSH-DPA/ – Gjatë 50 viteve, marrëdhëniet Kinë-BE kanë përjetuar zhvillim përgjithësisht të qëndrueshëm dhe kanë prodhuar rezultate të frytshme, duke sjellë përfitime të prekshme si për qytetarët kinezë ashtu edhe për ata evropianë, deklaroi kryeministri kinez Li Qiang, duke hapur samitin me presidentët e KiE dhe KE, Antonio Costa dhe Ursula von der Leyen.

‘’Historia ka treguar vazhdimisht se kur ka respekt të ndërsjellë, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi Kinë-BE u sjell dobi të dyja palëve, ndërsa kur ka divergjenca dhe ndërprerje në marrëdhënie, bashkëpunimi ngec dhe dëmton të dyja palët’’, shtoi ai.

‘’Kina dhe BE-ja kanë interesa të gjera të përbashkëta dhe nuk ka konflikte themelore. Pavarësisht nga evolucioni i situatës ndërkombëtare, bashkëpunimi duhet të jetë tema mbizotëruese dhe partneriteti përkufizimi i saktë i marrëdhënieve dypalëshe”, shtoi Li në raportin e tij mbi diplomacinë e Pekinit.

”Në mjedisin ndërkombëtar është edhe më e rëndësishme që Kina dhe BE-ja, dy fuqi të mëdha dhe tregje globale, të zhvillojnë bashkëpunim të ngushtë. Kjo nuk është vetëm një përshtatje e natyrshme për zhvillimin e tyre përkatës, por gjithashtu korrespondon me pritjet e përbashkëta të bashkësisë ndërkombëtare”, theksoi ai.

‘’Për sa kohë që Kina dhe BE-ja e ruajnë në mënyrë efektive tregtinë e lirë, ekonomia dhe tregtia ndërkombëtare do të mbeten dinamike dhe për sa kohë që ato praktikojnë me vendosmëri multilateralizmin, tendenca drejt një bote shumëpolare do të vazhdojë të forcohet”, shtoi ai.

‘’Kina, do të vazhdojë të punojë me Brukselin për të arritur përparim më të madh në marrëdhëniet e tyre dhe për t’u sjellë përfitime më të mëdha qytetarëve të Kinës, BE-së dhe pjesës tjetër të botës”, përfundoi ai./   /os/

The post KINË – Li: Historia ka treguar se bashkëpunimi Kinë-BE u ka sjellë dobi të dyja palëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – 7 000 hapa në ditë të mjaftueshëm për të përmirësuar shëndetin

LONDËR, 24 korrik /ATSH-DPA/ – Një studim i ri sugjeron se të ecësh 7 000 hapa në ditë mund të jetë e mjaftueshme për t’u mbrojtur nga një numër sëmundjesh.

Ndërsa shumë njerëz kanë si qëllim të bëjnë 10 000 hapa në rutinën e tyre të përditshme, disa e kanë të vështirë ta arrijnë këtë objektiv.

Por, hulumtimet e reja sugjerojnë se përfitime “të konsiderueshme” shëndetësore – duke përfshirë një rrezik të reduktuar të demencës, sëmundjeve të zemrës dhe vdekjes së parakohshme – mund të shihen ende nga më pak hapa të përditshëm.

Edhe numri modest i hapave prej 4 000 hapash në ditë mund të sjellë përfitime edhe në nivele shumë të ulëta aktiviteti, zbuluan ekspertët.

Por, ekspertët vunë re se “10 000 hapa në ditë do të jenë akoma më mirë se 7 000 hapa” – me numrin më të lartë të hapave që çon në më shumë përfitime shëndetësore.

Studimi i ri, i udhëhequr nga akademikë nga Universiteti i Sidnejit në Australi, pa studiuesit të shqyrtonin të dhëna nga dhjetëra studime nga e gjithë bota, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, mbi dhjetëra mijëra të rritur.

Njerëzit që ecnin 7 000 hapa çdo ditë duket se kishin një efekt mbrojtës kundër një numri sëmundjesh, duke përfshirë një rrezik 25% më të ulët të sëmundjeve të zemrës; një rrezik 14% më të ulët të diabetit të tipit 2; një rrezik 38% më të ulët të demencës dhe një rrezik 22% më të ulët të depresionit.

Studiuesit zbuluan gjithashtu se kur njerëzit ecnin 7 000 hapa çdo ditë, krahasuar me ecjen 2 000 hapa, ata kishin 47% më pak gjasa të vdisnin gjatë periudhave të ndjekjes së studimeve të analizuara.

Dhe ndërsa numri i hapave nuk ndikoi nëse një person u sëmur apo jo nga kanceri, njerëzit që ecnin më shumë hapa kishin dukshëm më pak gjasa të vdisnin nga kanceri – me 37% më pak shanse për vdekje nga kanceri krahasuar me njerëzit që ecnin më pak hapa.

“Edhe pse 10 000 hapa në ditë mund të jenë ende një objektiv i zbatueshëm për ata që janë më aktivë, 7 000 hapa në ditë shoqërohen me përmirësime klinikisht domethënëse në rezultatet e shëndetit dhe mund të jenë një objektiv më realist dhe i arritshëm për disa”, shkruan autorët në revistën “Lancet Public Health”.

Ata shtuan se “7 000 hapa në ditë u shoqëruan me ulje të konsiderueshme të rrezikut në shumicën e rezultateve, krahasuar me referencën prej 2 000 hapash në ditë.”

Ky studim sugjeroi që 5 000-7 000 hapa në ditë mund të zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun e shumë rezultateve shëndetësore, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të merrni përfitime nëse nuk e përmbushni këtë objektiv.

Studimi zbuloi gjithashtu se rreziqet shëndetësore u zvogëluan me çdo 1 000 hapa shtesë në ditë, deri në një maksimum prej 12 000 hapash në ditë.

Pra, vetëm shtimi i më shumë hapave nga pika juaj e fillimit mund të ketë përfitime të rëndësishme për shëndetin.

Andrew Scott, ligjërues i lartë në fiziologjinë klinike të ushtrimeve në Universitetin e Portsmouthit, shtoi se “më e rëndësishme se numri i saktë i hapave, kjo tregon se në përgjithësi, më shumë është gjithmonë më mirë dhe njerëzit nuk duhet të përqendrohen shumë te numrat, veçanërisht në ditët kur aktiviteti është i kufizuar”./ /os/

The post KOMENT – 7 000 hapa në ditë të mjaftueshëm për të përmirësuar shëndetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Protestuesit ndalojnë ankorimin e anijes izraelite në ishullin turistik

SIRIOS, 24 korrik /ATSH/ – Një anije turistike, në bordin e së cilës ndodheshin turistë izraelitë u nis të martën nga ishulli grek i Sirosit pa zbritur pasagjerët e saj, pas një proteste nga më shumë se 150 demonstruesve në port, shkruan independent.co.uk.

Protestuesit valëvitnin flamuj palestinezë dhe bënë thirrje për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.

Ata mbanin pankarta që shkruanin “Ndaloni gjenocidin” dhe “Pa ajër të kondicionuar në ferr”, një referencë për kushtet me të cilat përballen palestinezët në Rripin e Gazës.

Anija, e identifikuar si ”Crown Iris” dhe e operuar nga kompania izraelite ”Mano Cruise”, kishte afërsisht 1 700 pasagjerë në bord.

”Kur anija mbërriti në Siros, u përball me një demonstratë të mbështetësve pro palestinezë dhe pasagjerët mbetën të bllokuar në bord pa leje për të zbritur”, deklaroi ”Mano Maritime”.

Media lokale raportoi se protestuesit brohoritën slogane në skelë, megjithëse nuk u raportua dhunë.

“Në këtë situatë menaxheri i ‘Mano Cruise’ ka vendosur të lundrojë drejt një destinacioni tjetër turistik”, deklaroi kompania në një njoftim për shtyp.

”Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar kontaktoi homologun e tij grek, George Gerapetritis në lidhje me incidentin’’, konfirmoi Ministria e Jashtme greke./  /os/

The post GREQI – Protestuesit ndalojnë ankorimin e anijes izraelite në ishullin turistik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

QIPRO – Dy të vdekur dhe dhjetëra të plagosur nga zjarret

NIKOSIA, 24 korrik /ATSH-DPA/ – Një zjarr i madh që po përhapet me shpejtësi pranë qytetit jugor qipriot të Limasolit ka vrarë të paktën dy persona dhe ka detyruar evakuime të banorëve.

Zjarri shpërtheu në një fshat malor rreth 20 kilometra në veri të Limasolit dhe u përhap me shpejtësi, i nxitur nga erërat e forta.

Policia tha se trupat e dy viktimave u zbuluan në një makinë të djegur në një rrugë rurale, me sa duket të bllokuar nga flakët që po përparonin.

”Gjashtëmbëdhjetë të tjerë u plagosën dhe u dërguan në spitale në Limasol”, tha një zëdhënës i shërbimit të shpëtimit për transmetuesin shtetëror RIK.

Shërbimi i zjarrfikësve tha se flakët dogjën rreth 100 kilometra katrorë pyll, shkurre dhe tokë bujqësore. Dhjetëra shtëpi u shkatërruan dhe mediat lokale raportuan vdekjen e bagëtive dhe kafshëve shtëpiake.

Resortet turistike përgjatë bregdetit të Limasolit thuhet se nuk u prekën.

Autoritetet urdhëruan evakuimin e 16 fshatrave, tre kampeve dhe disa kampeve rinore ndërsa zjarri u përhap me shpejtësi. Mediat lokale thanë se shumë banorë ikën nga shtëpitë e tyre në panik.

Qiproja ka kërkuar ndihmë emergjente nga Bashkimi Evropian dhe vendet fqinje. Avionë zjarrfikës nga Spanja dhe Jordania thuhet se janë në rrugë për të ndihmuar ekipet lokale./   /os/

The post QIPRO – Dy të vdekur dhe dhjetëra të plagosur nga zjarret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Lehtësimi i tarifave i mundur nëse BE-ja hap tregun për firmat amerikane

UASHINGTON, 24 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha dje se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të ulin tarifat e kërcënuara për mallrat evropiane nëse Bashkimi Evropian hap më tej tregun e tij për kompanitë amerikane.

“Nëse ata bien dakord të hapin unionin për bizneset amerikane, atëherë ne do t’i lejojmë ata të paguajnë një tarifë më të ulët”, tha Trump në një aktivitet të fokusuar në inteligjencën artificiale, duke iu referuar negociatave të vazhdueshme me BE-në.
Ai shtoi se bisedime serioze ishin aktualisht duke u zhvilluar.

SHBA ka negociuar me BE-në për javë të tëra për një marrëveshje tregtare për të parandaluar që tarifat amerikane prej 30% për importet nga blloku të hyjnë në fuqi më 1 gusht.

Ndërkohë, kancelari gjerman, Friedrich Merz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron paraqitën një front të bashkuar gjatë bisedimeve në Berlin të mërkurën, duke sinjalizuar se BE është e përgatitur të përgjigjet nëse negociatat me Uashingtonin dështojnë.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Stefan Kornelius tha se të dy udhëheqësit ranë dakord të mbanin në tryezë opsionin e masave shtesë tregtare nëse bisedimet me SHBA-në dështojnë.

Ai shtoi se Merz dhe Macron ishin gjithashtu të përgatitur të hartonin instrumente të reja, nëse është e nevojshme.

Kornelius tha se Gjermania dhe Franca gjithashtu planifikojnë të koordinohen ngushtë me Italinë dhe Komisionin Evropian, ndërsa bisedimet me Uashingtonin hyjnë në fazën e tyre përfundimtare./ /os/

The post SHBA – Trump: Lehtësimi i tarifave i mundur nëse BE-ja hap tregun për firmat amerikane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

LONDËR – MB nis sanksionet kundër rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore

LONDËR, 23 korrik /ATSH-DPA/ – Vala e parë e sanksioneve të Britanisë së Madhe, që synon figurat kryesore në rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore, ka hyrë në fuqi në një përpjekje për të synuar ata që lehtësojnë imigracionin e paligjshëm.

Njëzet e pesë individë dhe subjekte janë në shënjestër, përfshirë një furnizues të anijeve të vogla në Azi dhe udhëheqësit e rrjetit me bazë në Ballkan dhe Afrikën e Veriut.

Gjithashtu në shënjestër janë “ndërmjetësit” që transferojnë para nëpërmjet sistemit ligjor të transferimit të parave Hawala në Lindjen e Mesme, i përdorur për pagesat që lidhen me kalimet e La Manshit.

Alen Basil, një ish-përkthyes policie, i cili më vonë drejtoi një rrjet trafikimi në Serbi me ndihmën e oficerëve të korruptuar të policisë, është gjithashtu në listë.

Sekretari i Jashtëm David Lammy tha se ky ishte “një moment historik në angazhimin e qeverisë për të luftuar krimin e organizuar të imigracionit dhe për të zvogëluar migrimin e parregullt në Britaninë e Madhe”.

“Nga Evropa në Azi, ne po i trajtojmë kontrabandistët e njerëzve që lehtësojnë migrimin e parregullt, duke i synuar ata kudo që të jenë në botë dhe duke i detyruar ata të paguajnë për veprimet e tyre”, shtoi Lammy.

“Mesazhi im për bandat që rrezikojnë pa mëshirë jetët e cenueshme për fitim është ky: ne e dimë se kush jeni dhe do të punojmë me partnerët tanë në të gjithë botën për t’ju mbajtur përgjegjës”, tha Lammy.

Masat synojnë të synojnë bandat e krimit të organizuar kudo që ndodhen në botë dhe të ndërpresin rrjedhën e tyre të parave, përfshirë ngrirjen e llogarive bankare, pronës dhe aseteve të tjera./  /os/

The post LONDËR – MB nis sanksionet kundër rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – AFP: Gazetarët tanë në Gaza po vdesin urie

PARIS, 23 korrik /ATSH-AFP/ – Një grup gazetarësh në agjencinë e lajmeve Agence France-Presse po ngre alarmin për kushtet me të cilat përballen kolegët që punojnë në Gaza duke thënë se pa ndërhyrje të menjëhershme, gazetarët e fundit në Gaza do të vdesin, sipas AP.

Në një territor të shkatërruar nga lufta, ku Izraeli në përgjithësi u ndalon gazetarëve të jashtëm hyrjen, organizatat ndërkombëtare të lajmeve si AFP, ”The Associated Press” dhe Reuters mbështeten në ekipet lokale për të përhapur lajmet.

Ata janë penguar nga shqetësimet për sigurinë tek uria në Gaza, ku rreth 59 000 njerëz kanë vdekur në konfliktin 21-mujor, sipas autoriteteve lokale.

Shoqata e Gazetarëve në AFP, një shoqatë profesionistësh në agjencinë e lajmeve, detajoi se me çfarë po përballen kolegët e tyre në Gaza.

Ajo tha se ”ndan shqetësime për situatën e tmerrshme” dhe se ”po punon për të evakuuar punonjësit e saj të pavarur dhe familjet e tyre”.

“Për muaj të tërë, ne kemi parë që kushtet e tyre të jetesës përkeqësohen në mënyrë dramatike. Situata e tyre tani është e padurueshme, pavarësisht guximit të tyre shembullor, përkushtimit profesional dhe qëndrueshmërisë”, tha AFP në një deklaratë.

Një nga fotografët e AFP-së, i identifikuar si Bashar, dërgoi një mesazh në mediet sociale gjatë fundjavës dhe tha se ”nuk kam më forcë të punoj për median, pasi trupi im është i dobët dhe nuk mund të punoj më”.

”Bashar ka punuar për AFP-në që nga viti 2010. Që nga shkurti, ai ka jetuar në rrënojat e shtëpisë së tij në Qytetin e Gazës me nënën e tij dhe anëtarë të tjerë të familjes, dhe tha se një nga vëllezërit e tij kishte vdekur nga uria”, sipas grupit të gazetarëve.

Gazetarët marrin një pagë mujore nga AFP, por çmimet e larta nuk i lënë të blejnë shumë ushqim.

Që nga themelimi i AFP-së në vitin 1944, Shoqata e Gazetarëve tha se “kemi humbur gazetarë në konflikte, disa janë plagosur, të tjerë janë marrë robër, por askush prej nesh nuk mund të kujtojë kurrë të ketë parë kolegë të vdesin nga uria”.

“Ne refuzojmë t’i shohim ata të vdesin”, tha shoqata./  /os/

The post PARIS – AFP: Gazetarët tanë në Gaza po vdesin urie appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TOKIO – Von der Leyen: Bashkëpunim me SHBA-në, edhe pse tregtia e saj shtrihet në të gjithë botën

TOKIO, 23 korrik /ATSH-ANSA/ – Në frontin tregtar, ne po punojmë për të rivendosur partneritetin tonë me Shtetet e Bashkuara mbi një themel më të fortë, deklaroi sot presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.

”Ne gjithashtu e dimë se 87% e tregtisë globale bëhet me vende të tjera, shumë prej të cilave kërkojnë stabilitet dhe mundësi të reja”, shtoi ajo, ndërsa merrte një diplomë nderi nga Universiteti Keio në Tokio.

“Unë jam këtu në Japoni për të thelluar lidhjet tona. Vende nga e gjithë bota vijnë tek ne për të bërë biznes, nga India në Indonezi, nga Amerika e Jugut në Korenë e Jugut, nga Kanadaja në Zelandën e Re”, tha ajo.

”Ne të gjithë po përpiqemi të krijojmë forcën dhe pavarësinë tonë. Vetëm duke punuar së bashku mund ta bëjmë këtë”, theksoi Von der Leyen./   /os/

The post TOKIO – Von der Leyen: Bashkëpunim me SHBA-në, edhe pse tregtia e saj shtrihet në të gjithë botën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

POLONI – Tusk riorganizon qeverinë përpara betimit të presidentit Nawrocki

VARSHAVË, 23 korrik /ATSH-DPA/ – Kryeministri polak, Donald Tusk planifikon të riorganizojë qeverinë e tij të qendrës së majtë, përpara betimit të presidentit të ri konservator të krahut të djathtë, Karol Nawrocki.

Tusk planifikon të prezantojë sot përbërjen e re qeveritare në Varshavë, pa ndryshime të pritura në ministritë kryesore si ato të Brendshme, të Jashtme dhe të Mbrojtjes, por pritet që kabineti të jetë më i vogël dhe më efektiv.

Qeveria pro evropiane e Tusk tashmë ka pasur të bëjë me një kryetar shteti nga kampi nacionalist konservator, Andrzej Duda.

Megjithatë, pritet që euroskeptiku Nawrocki ta përdorë edhe më shumë të drejtën e tij të vetos për të ndaluar iniciativat qeveritare.

Si rezultat, Tusk pritet të bëjë ndryshime në politikën e jashtme dhe të brendshme të vendit, e cila luan një rol të rëndësishëm në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Nawrocki do të betohet më 6 gusht.

Problemeve të Tusk i shtohet edhe fakti se koalicioni i tij i ndërlikuar prej gjashtë partish në tre aleanca zgjedhore është i ndarë dhe nuk ka zbatuar shumë nga premtimet zgjedhore të vitit 2023./   /os/

The post POLONI – Tusk riorganizon qeverinë përpara betimit të presidentit Nawrocki appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SERBI – Alarm i kuq për shkak të nxehtësisë ekstreme

BEOGRAD, 22 korrik /ATSH-AA/ – Serbia sot shpalli alarm të kuq kombëtar për shkak të një vale të nxehti me origjinë nga Afrika, me temperatura që parashikohen të arrijnë deri në 42 gradë Celsius deri të premten, sipas Institutit Hidrometeorologjik të vendit.

Instituti tha se temperaturat në të gjithë vendin këtë javë pritet të variojnë midis 32 dhe 42 gradë Celsius.

Qytetarëve u këshillohet të qëndrojnë brenda gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.

Ministria e Brendshme e Serbisë paralajmëroi gjithashtu se nxehtësia ekstreme po rriste rrezikun e zjarreve në ditët në vijim dhe i bëri thirrje publikut të tregojë kujdes.

Zëvendësdrejtori i Njësive Zjarrfikës dhe Shpëtimit në Departamentin e Situatave të Emergjencave, Milos Milenkovic, tha se zjarret në pyje u rritën me 284 për qind në qershor dhe korrik. Ai shtoi se katër zjarre janë aktualisht aktive në zona të hapura.

Ai tha se 15 persona ishin shpëtuar nga zjarret në muajt e mëparshëm të shkaktuara nga temperaturat e larta, duke theksuar se shkaku kryesor ishte “faktori njerëzor”./   /os/

The post SERBI – Alarm i kuq për shkak të nxehtësisë ekstreme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – A do të lëkundet Putin pas ultimatumit të Trumpit?

UASHINGTON, 22 korrik /ATSH/ – Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka dërguar një paralajmërim të qartë Kremlinit, javën e kaluar, duke e njoftuar për planet për dërgimin e furnizimeve me armë për Kievin përmes Evropës dhe duke thënë se Shtetet e Bashkuara do të vendosin “tarifa shumë të rënda” ndaj Rusisë nëse nuk arrin marrëveshje për luftën në Ukrainë brenda 50 ditësh.
Trump nuk ka specifikuar nëse do të arrihet një armëpushim apo vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse e paqes. Sidoqoftë, shumë analistë thonë se kjo ka pak gjasa të ndodhë.
Ja përse:
Synimet territoriale

Qëllimet e presidentit rus, Vladimir Putin, qartësisht shkojnë përtej pushtimit të një pjese të Ukrainës: Ai e ka bërë të qartë se synon të nënshtrojë vendin dhe ta dobësojë NATO-n dhe Perëndimin, duke kërkuar që të rikthejë një pjesë të ndikimit që Moska kishte gjatë epokës sovjetike mbi një pjesë të Evropës.

Por, një synim më afatshkurtër lidhet drejtpërdrejt me territorin. Rusia aktualisht kontrollon pothuajse 20 për qind të territorit të Ukrainës. Përveç Gadishullit të Krimesë, që Rusia e ka nën kontroll që nga viti 2014, Putini zyrtarisht – dhe në mënyrë të rreme – pretendon se rajonet ukrainase sikurse Donjecku, Luhansku, Zaporizhja dhe Hersoni janë tashmë pjesë e Rusisë – përfshirë edhe zona të mëdha që Rusia ende nuk i ka pushtuar.

Rusia ka thënë se tërheqja e plotë e Ukrainës nga këto katër rajone është parakusht për ndonjë marrëveshje të paqes – një kërkesë që Kievi thotë se është e papranueshme. Dhe përderisa analistët thonë se Putini mund t’i bëjë ballë çdo kundërshtie brenda vendit nëse do të pranonte një marrëveshje që do ta kufizonte praninë ruse vetëm në territoret që kontrollon aktualisht, ai nuk ka dhënë asnjë sinjal se do të bëjë diçka të tillë.

Përkundrazi, Rusia ka këmbëngulur në këtë kërkesë. Në terren, ajo ka synuar që ta bëjë realitet këtë pretendim, duke shtyrë përpara veçanërisht në rajonin e Donjeckut dhe duke bërë përparim drejt qytetit të shkatërruar të Pokrovskut.

Në një nga reagimet e para ruse lidhur me deklaratat e Trumpit, ligjvënësi i afërt me Kremlinin, Konstantin Kosachyov, tha në Telegram “oh, aq shumë gjëra mund të ndryshojnë në fushëbetejë brenda 50 ditësh”.

Rusia mund të synojë që të intensifikojë ofensivën e saj në javët në vijim, duke u përpjekur që të bëjë përparim jo vetëm në provincat që pretendon se i kontrollon, por edhe në rajone të tjera, sikurse në Harkiv dhe Sumi, në veri të Donjeckut. Në qershor, Putin bëri një kërcënim të tërthortë lidhur me përpjekjen për të marrë nën kontroll qytetin e Sumit.

Megjithatë, ekziston një kufi se çfarë mund të ndryshojë në gjashtë javë në fushëbetejë, ku përfitimet graduale ruse kanë ardhur me një çmim të lartë sa i përket viktimave, që vlerësohet se kanë arritur afër shifrës 1 milion të vrarë apo të plagosur nga ana ruse.

Por, përderisa nuk ka mundësi që Rusia të pushtojë pjesët e mbetura, që janë nën kontrollin e Qeverisë ukrainase, në katër rajonet e përmendura deri në shtator – përfshirë kryeqytetet e Zaporizhjës dhe Hersonit – ky fakt vetëm mund të rrisë dëshirën e Putinit që të sigurojë kontroll të plotë, të paktën në letër, para ndonjë marrëveshje të mundshme.

“Sipas mendimit tim është e qartë që Putini nuk dëshiron armëpushim, të paktën jo derisa të marrë kontrollin e të gjitha rajoneve që janë të përcaktuara si ruse në versionin e tij të Kushtetutës”, tha Dmitry Gudkov, ish-ligjvënës opozitar në Parlamentin rus për Current Time më 16 korrik. “Në thelb, kjo do të nënkuptonte kapitullimin e Ukrainës”.

“Ultimatumet janë të papranueshme”

Trump ka synuar që të ndërmjetësojë përfundimin e luftës në Ukrainë që kur mori detyrën gjashtë muaj më parë, pas një fushate zgjedhore në të cilën ai deklaroi se luftës do t’i jepte fund “brenda një ose dy ditësh”. Përballë rezistencës së Putinit, më së shumti përmes refuzimit të tij të kujdesshëm të kërkesës amerikane për një armëpushim 30-ditor, Trump ka përdorur retorikë të ashpër ndaj Putinit në javët e fundit.

Por, paralajmërimi 50-ditor përbën herën e parë që Trumpi i dha Kremlinit një ultimatum – një formë presioni që Putini, i cili ka kërkuar që Rusia të trajtohet e barabartë me vendet e tjera të politikës së tij të jashtme, duket se nuk e pëlqen. Kështu, teksa shumë në Perëndim kanë kërkuar që Trump të bëjë kërkesa specifike ndaj Putinit, ende nuk është e qartë nëse një ultimatum e rrit apo e ul mundësinë për një marrëveshje.

Putini nuk ka folur publikisht për deklaratat e Trumpit dhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov nuk ka thënë asgjë specifike për këto deklarata. Ndërkaq, zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov, që mbikëqyr raportet me SHBA-në, më 15 korrik tha se “çdo përpjekje për të bërë kërkesa, veçanërisht ultimatume, është e papranueshme për ne”.

“Nëse ne nuk mund të arrijmë qëllimet tona përmes diplomacisë, atëherë [lufta kundër Ukrainës] do të vazhdojë”, tha Ryabkov, duke dhënë, deri tani, refuzimin e vetëm zyrtar të thirrjes së Trumpit për marrëveshje brenda 50 ditësh – deri më 1 ose 2 shtator. “Ky është një qëndrim i palëkundur”.

Dy çështje kryesore

E njëjta gjë mund të vlejë edhe për dërgesat e shtuara të armëve që Trump i ka premtuar Ukrainës, me aleatët e NATO-s që do të mbulojnë kostot duke blerë sisteme mbrojtëse raketore Patriot dhe armë të tjera nga SHBA-ja ose do t’i dërgojnë Kievit armatim që tashmë veçse e kanë.

Fried, që projektoi sanksionet ndaj Rusisë vite më parë, tha se nëse njoftimi i Trumpit për armët për Ukrainën dhe presioni ekonomik ndaj Rusisë “jetësohen, ashpërsohen dhe zbatohen”, mund të bëjnë dallim të madh në kuptim të luftës dhe rrugës drejt paqes.

“Janë dy çështje kryesore: Të nisin dërgesat me armë dhe të vazhdojnë pa ndërprerje; të kristalizohen opsionet tona të politikës për goditjen e ekonomisë ruse. Nëse i bëjmë të dyja, Ukraina do të jetë në një pozicion krejt tjetër”, tha ai. “Nëse supozimet apo shpresat e Putinit për një dështim të udhëheqjes amerikane dhe braktisje të Ukrainës rezultojnë të jenë të gabuara, atëherë ndoshta ai do të detyrohet të pranojë një ujdi”.

Analistë të tjerë sugjerojnë se kjo gjë nuk do të ndodhë së shpejti, ose mund të mos ndodhë fare.

Pikëpamja mbizotëruese në Rusi është se “asnjë prej këtyre zhvillimeve nuk do ta ndryshojë strategjinë e Putinit për të detyruar Kievin në kapitullim, me çdo mjet të mundshëm”, shkroi Tatyana Stanovaya.

“Putini nuk do të heqë dorë lehtë nga optimizmi i tij për luftën, dhe ai beson se [Trump] ka pak karta në dorë”, shkroi më 14 korrik në X Alexander Gabuev, drejtor i Qendrës Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë në Berlin, shkruan REL./   /os/

The post KOMENT – A do të lëkundet Putin pas ultimatumit të Trumpit? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Zjarre masive përfshijnë ishullin e Sicilisë

TRAPANI, 22 korrik /ATSH/ – Një zjarr i madh që shpërtheu të dielën, midis qyteteve Trapani dhe San Vito Lo Capo në Sicilinë perëndimore vazhdoi gjatë natës, duke shkatërruar qindra hektarë.

Vala e fortë e nxehtësisë që përfshiu Evropën ka shkaktuar zjarre në shumë vende, duke prekur mijëra njerëz dhe duke nxitur evakuime.

Një valë e re nxehtësie ekstreme pritet të përfshijë Italinë, ku meteorologët që paralajmërojnë për temperatura potencialisht rekord në rajonet jugore të vendit dhe ishujt kryesorë.

Autoritetet thonë se temperaturat do të mbeten dukshëm mbi mesataren gjatë gjithë javës, me temperaturat maksimale që pritet të kalojnë 42 gradë Celsius në Pulia, Bazilikata, Sardenjë dhe Sicili.

Nxehtësia do të ndihet edhe në Italinë qendrore, me temperatura maksimale që do të arrijnë mbi 36 gradë Celsius në qytete të tilla si Roma dhe Firence./   /os/

The post ITALI – Zjarre masive përfshijnë ishullin e Sicilisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VARSHAVË – Në brigjet polake të Baltikut zbulohet një depozitë e madhe nafte dhe gazi

VARSHAVË, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Kompania kanadeze ”Central European Petroleum” (CEP) njoftoi se ka bërë një zbulim të rëndësishëm nafte në brigjet polake të Baltikut.

”Sipas rezultateve të shpimeve testuese, rezervat e rikuperueshme të naftës bruto dhe gazit natyror vlerësohen në 200 milionë fuçi ekuivalente nafte”, theksoi kompania.

CEP tha se fusha naftëmbajtëse në det të hapur ”Wolin East” ndodhet afërsisht 6 kilometra nga qyteti port i Swinoujscie, në veriperëndim të Polonisë, në kufi me Gjermaninë.

Kompania tha se fusha ”Wolin East” vlerësohet të jetë “fusha më e madhe konvencionale e hidrokarbureve” e zbuluar ndonjëherë në Poloni dhe “një nga zbulimet më të mëdha konvencionale të naftës në Evropë në dekadën e fundit”.

”Nëse fusha konfirmohet, ajo mund të jetë një nga pikat e kthesës në historinë e eksplorimit të hidrokarbureve në Poloni”, tha gjeologu i njohur polak, Krzysztof Galos.

Zhvillimi i ardhshëm i këtij vendi mund të kontribuojë ndjeshëm në forcimin e sigurisë energjetike të Polonisë dhe në uljen e varësisë së saj nga furnizuesit e jashtëm të hidrokarbureve.

Aktiviteti minerar mund të fillojë brenda tre deri në katër vjetësh.

Fusha mund të mbulojë 4% deri në 5% të kërkesës vjetore të naftës së Polonisë për disa vite./  /os/

The post VARSHAVË – Në brigjet polake të Baltikut zbulohet një depozitë e madhe nafte dhe gazi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – 14 viktima pas sulmit izraelit ndaj tendave të palestinezëve të zhvendosur në Gaza

GAZA, 22 korrik /ATSH-AA/ – Katërmbëdhjetë persona u vranë dhe 25 u plagosën kur ushtria izraelite shënjestroi tendat e palestinezëve të zhvendosur që kishin mbetur të uritur dhe të etur në Gaza.

Ushtria izraelite shënjestroi tendat e palestinezëve të zhvendosur në veri të Kampit të Refugjatëve Shati, në perëndim të qytetit të Gazës, sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA.

Në sulmin izraelit, 14 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, humbën jetën dhe 25 të tjerë u plagosën.

Trupat e atyre që humbën jetën në sulm dhe të plagosurve u dërguan në Spitalin Shifa në Gaza.

Rripi i Gazës, nën sulmin izraelit dhe një rrethim të rreptë që kufizon hyrjen e ndihmës humanitare, po përjeton një katastrofë humanitare, me uri të thellë dhe mungesë uji, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe materialesh higjienike.

Ushtria izraelite, e cila ka shkatërruar 88 për qind të Gazës duke shkatërruar edhe infrastrukturën civile, shpesh synon palestinezët e zhvendosur me urdhër deportimi në zonat ku ata janë strehuar.

Të paktën 59 029 palestinezë janë vrarë dhe 142 135 janë plagosur në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023./ /os/

The post FOKUS – 14 viktima pas sulmit izraelit ndaj tendave të palestinezëve të zhvendosur në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌