Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 12 July 2025Main stream

SHBA – DASH shkarkon mbi 1 300 punonjës, pjesë e planit të ristrukturimit të Trump

11 July 2025 at 22:39

UASHINGTON, 11 korrik /ATSH/- Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) do të shkarkohen nga detyra më shumë se 1 300 punonjës – në përputhje me planin e riorganizimit të administratës Trump, i cili sipas kritikëve mund të dëmtojë lidershipin global të Amerikës dhe përpjekjet për t’iu kundërvënë kërcënimeve jashtë vendit, sipas “Washington Post”.

“Departamenti ka filluar të dërgojë njoftime për pushim nga puna për 1 107 nëpunës civilë dhe 246 oficerë të shërbimit të jashtëm me detyra në SHBA”, sipas një zyrtari të lartë të departamentit, i cili foli në kushte anonimiteti.

“Zyrtarët e shërbimit të jashtëm të prekur – do të vendosen menjëherë në leje administrative për 120 ditë – pas së cilës ata do të humbasin zyrtarisht vendet e tyre të punës”, sipas një njoftimi të brendshëm.

“Shkurtimet e numrit të punonjësve janë përshtatur me kujdes duke prekur funksionet jo-thelbësore, zyrat e dyfishta ose të tepërta”, thuhet në njoftim.

Ndërsa plani i riorganizimit u vlerësua nga presidenti Donald Trump, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe aleatët e tyre republikanë – shkurtimet janë kritikuar ashpër nga diplomatët aktualë dhe ish-diplomatë të cilët thonë se ato do të dobësojnë ndikimin e SHBA-së dhe aftësinë për t’u përballur me kërcënimet ekzistuese dhe të reja jashtë vendit. //a.i/

 

The post SHBA – DASH shkarkon mbi 1 300 punonjës, pjesë e planit të ristrukturimit të Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

MUZIKË – “Oasis” pushton top listat britanike pas ribashkimit

11 July 2025 at 21:19

LONDËR, 11 korrik /ATSH/- Fansat e “Oasis” janë “çmendur” sërish pas muzikës së grupit anglez të Rock-ut – pas ribashkimit të tyre, duke e renditur atë në vendin e parë në top listën e albumeve më të mira në Britaninë e Madhe, sipas BBC.

Pasi grupi nisi turneun e tyre të rikthimit javën e kaluar, albumi “Time Flies” është rikthyer në vendin e parë, i ndjekur nga “(What’s the Story) Morning Glory?” i vitit 1995 – i renditur në vendin e dytë.

Albumi debutues “Definitely Maybe”, i vitit 1994 është në vendin e katërt.

“Oasis” kanë pasur tetë albume në vendin e parë në total, dhe për herë të fundit kryesuan listën me “Definitely Maybe” shtatorin e kaluar pasi u njoftua ribashkimi i grupit.

Albumet “Time Flies” dhe “Morning Glory” gjithashtu u rikthyen në pesë vendet e para në atë kohë.

Tre nga këngët e tyre kanë hyrë gjithashtu në listën e 20 këngëve më të mira këtë javë, të kryesuara nga “Acquiesce”, në vendin e 17 – e ndjekur nga “Don’t Look Back in Anger” në vendin e 18-të dhe “Live Forever” në vendin e 19-të.

Noel dhe Liam Gallagher i dhanë fund mosmarrëveshjeve duke u rikthyer në skenë për herë të parë pas 16 vitesh. //a.i./

The post MUZIKË – “Oasis” pushton top listat britanike pas ribashkimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAK – Militantët kurdë të PKK-së djegin armët në një hap historik për t’i dhënë fund konfliktit 10-vjeçar me Turqinë

11 July 2025 at 20:45

IRAK, 11 korrik /ATSH/- Tridhjetë militantë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dogjën sot armët e tyre në hyrje të një shpelle në Irakun verior, duke shënuar një hap simbolik, por domethënës drejt përfundimit të një kryengritjeje 10-vjeçare kundër Turqisë, sipas “Reuters”.

PKK-ja, e bllokuar në konflikt me shtetin turk dhe e jashtëligjshme që nga viti 1984, vendosi në maj të shpërbëhej, të çarmatosej dhe t’i jepte fund luftës së saj separatiste – pas një thirrjeje publike nga udhëheqësi i saj i burgosur, Abdullah Oxhallan.

Pas një sërë përpjekjesh të dështuara për paqe, iniciativa e re mund t’i hapë rrugën Ankarasë për t’i dhënë fund një kryengritjeje që ka vrarë mbi 40 000 njerëz, ka rënduar ekonominë dhe ka shkaktuar përçarje të thella sociale dhe politike në Turqi dhe në rajonin e gjerë.

Presidenti turk, Tayyip Erdogan tha se shpresonte që shpërbërja e PKK-së do të forconte sigurinë turke dhe stabilitetin rajonal. //a.i/

 

The post IRAK – Militantët kurdë të PKK-së djegin armët në një hap historik për t’i dhënë fund konfliktit 10-vjeçar me Turqinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – OKB: Të paktën 798 të vrarë pranë qendrave të ndihmës në Gazë

11 July 2025 at 20:13

NJU JORK, 11 korrik /ATSH/- Zyra e të drejtave të njeriut e OKB-së tha sot se kishte regjistruar të paktën 798 të vrarë brenda gjashtë javëve të fundit – në pikat e ndihmave në Gazë – të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) i mbështetur nga SHBA-ja dhe Izraeli, sipas “Reuters”.

GHF përdor kompani private amerikane të sigurisë dhe logjistikës për të sjellë furnizime në Gazë – duke anashkaluar kryesisht një sistem të udhëhequr nga OKB-ja – që Izraeli pretendon se i ka lejuar militantët e udhëhequr nga Hamasi – të plaçkitin dërgesat e ndihmave të destinuara për civilët. Hamasi i ka mohuar akuzat.

Pas vdekjes së qindra civilëve palestinezë që përpiqeshin të arrinin në qendrat e ndihmës së GHF-së – në zonat ku veprojnë forcat izraelite – Kombet e Bashkuara e kanë quajtur ofrimin e ndihmës “në thelb të pasigurt” dhe incidentet – një shkelje të standardeve të paanshmërisë humanitare. //a.i/

 

The post NJU JORK – OKB: Të paktën 798 të vrarë pranë qendrave të ndihmës në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZË – Spitali më i madh funksional përballet me katastrofë ndërsa Izraeli zgjeron ofensivën

11 July 2025 at 19:52

GAZË, 11 korrik /ATSH/- Mjekët kanë paralajmëruar për rrezikun e një katastrofe të afërt në spitalin më të madh funksional të Gazës – për shkak të mungesës së karburantit dhe ofensivës tokësore izraelite në zgjerim në qytetin jugor, Khan Younis, sipas BBC.

Kompleksi Mjekësor “Nasser” u detyrua të ndalonte dje shtrimin e pacientëve, kur dëshmitarët thanë se trupat dhe tanket izraelite kishin avancuar dhe qëlluar drejt kampeve aty pranë ku strehohen familjet e zhvendosura.

Stafi mjekësor dhe dhjetëra pacientë në kujdes intensiv mbeten brenda spitalit, ku mungesa e karburantit kërcënon të mbyllë shërbimet.

Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite.

Një brigadë e blinduar po vepronte sot në Khan Younis për të çmontuar vendet e infrastrukturës terroriste dhe për të konfiskuar armët. Më herët, Izraeli ka lëshuar urdhra evakuimi për zonat përreth spitalit.

Ndërkohë, stafi mjekësor brenda spitalit “Nasser” u dërgoi mesazhe gazetarëve vendas duke shprehur frikën e tyre.

“Ne ende po punojmë në spital. Tanket janë vetëm pak metra larg. Jemi më afër vdekjes sesa jetës. Ajo që na duhet vërtet është  – të ndalojmë makinerinë vrasëse. Vetëm një natë, një turn, vetëm një turn, pa marrë dhjetëra jetë “, thanë ata.

“Jemi të rraskapitur mendërisht dhe fizikisht. Po punojmë me burime minimale dhe me një mungesë shumë të madhe të pajisjeve dhe materialeve mjekësore. Por, ne duhet të vazhdojmë të punojmë sepse këto janë jetë që duhet t’i shpëtojmë”, tha stafi. //a.i/

The post GAZË – Spitali më i madh funksional përballet me katastrofë ndërsa Izraeli zgjeron ofensivën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – BE në pritje të tarifave të reja të Trump pas disa muajsh bisedimesh të vështira

11 July 2025 at 19:05

BRUKSEL, 11 korrik /ATSH/- Bashkimi Evropian u përgatit sot për një letër të mundshme nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump – ku përshkruhen detyrimet e planifikuara për partnerin e tij më të madh tregtar dhe të investimeve, pas zgjerimit të luftës së tij tarifore në ditët e fundit, sipas “Reuters”.

BE, fillimisht ka shpresuar për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse tregtare, duke përfshirë tarifa zero-për-zero për mallrat industriale, por pas disa muajsh bisedimesh të vështira – ndoshta do të duhet të pajtohet me një marrëveshje të përkohshme duke shpresuar se diçka më e mirë mund të negociohet ende.

Blloku me 27 vende është nën presione kontradiktore, ndërsa fuqia gjermane kërkoi një marrëveshje të shpejtë për të mbrojtur industrinë e saj.

Anëtarët e tjerë të BE-së, si Franca thanë se negociatorët e BE-së nuk duhet të dorëzohen dhe të pranojnë një marrëveshje të njëanshme me kushtet e SHBA-së.

Pasi e mbajti pjesën më të madhe të botës në ankth për qëllimet e tij, Trump ka njoftuar tarifa të reja për një numër vendesh, duke përfshirë Japoninë dhe Korenë e Jugut, së bashku me një tarifë prej 50% ndaj bakrit dhe një rritje prej 35% ndaj mallrave kanadeze.

Politika e tij tarifore – që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë – ka filluar të gjenerojë dhjetëra miliarda dollarë të ardhura në muaj për qeverinë amerikane – dhe të dhënat të cilat pritet të publikohen sot në mbrëmje do të tregojnë – se të ardhurat që nga dita e inaugurimit të tij në janar deri në qershor e kanë kaluar 100 miliardë dollarë – fitimi më i madh vjetor i arritur ndonjëherë nga tarifat doganore.

“Ne mbetemi të përgatitur për të nënshkruar një marrëveshje me SHBA-në. Le të shohim se çfarë do të paraqesin miqtë tanë në Uashington pas disa orësh”, tha zëdhënësi i BE-së Olof Gill në një konferencë për shtyp.

Një burim me njohuri për negociatat SHBA-BE tha se një marrëveshje ishte afër, por se ishte e vështirë të parashikohej nëse BE-ja mund të merrte ende një letër që njoftonte më shumë tarifa ose kur mund të finalizohej ndonjë marrëveshje.

Aksionet evropiane shënuan sot një rënie, ndërsa investitorët prisnin informacion mbi tarifat ndaj BE-së.

Normat e larta që Trump njoftoi papritur këtë javë për Brazilin dhe më pas për Kanadanë janë emblematike të qasjes së tij të paparashikueshme për zbatimin e taksave. //a.i/

 

The post KOMENT – BE në pritje të tarifave të reja të Trump pas disa muajsh bisedimesh të vështira appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Trump: SHBA-ja po u shet armë aleatëve të NATO-s për t’ia dhënë Ukrainës

11 July 2025 at 17:18

UASHINGTON, 11 korrik /ATSH/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës po u shesin armë aleatëve të tyre të NATO-s në Evropë, për t’ja ofruar Ukrainës – ndërsa ajo përpiqet të shmangë përshkallëzimin e sulmeve ruse me dronë dhe raketa, tha sot presidenti Donald Trump, sipas AP.

“Ne po i dërgojmë armë NATO-s dhe NATO po paguan për këto armë, 100%”, tha Trump në një intervistë për NBC.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha sot se disa nga armët e prodhuara në SHBA që Ukraina po kërkon – do t’u shiten aleatëve të NATO-s në Evropë. Këto armë mund të transferohen në Ukrainë”, tha ai.

“Është shumë më e shpejtë të zhvendosësh diçka, për shembull, nga Gjermania në Ukrainë sesa ta porositësh atë nga një fabrikë amerikane dhe ta çosh atje”, u tha Rubio gazetarëve gjatë një vizite në Kuala Lumpur, Malajzi.

Ukraina ka nevojë urgjente për më shumë sisteme mbrojtëse ajrore “Patriot” të prodhuara në SHBA – për të ndaluar raketat ruse balistike dhe kruz.

Administrata republikane e Trump ka dhënë sinjale kontradiktore në lidhje me gatishmërinë e saj për të ofruar më shumë ndihmë ushtarake jetësore për Ukrainën – gjatë më shumë se tre viteve të luftës kundër pushtimit rus.

Pas një pauze në disa dërgesa armësh, Trump tha se do të vazhdonte të dërgonte armë mbrojtëse në Ukrainë. //a.i/

 

The post UASHINGTON – Trump: SHBA-ja po u shet armë aleatëve të NATO-s për t’ia dhënë Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFJE – Qeveria bullgare i mbijeton votimit të katërt të mosbesimit

11 July 2025 at 17:03

SOFJE, 11 korrik /ATSH-ANSA/- Qeveria bullgare e kryeministrit Rossen Zhelyazkov, një anëtar i partisë së qendrës së djathtë GERB, e cila formoi qeverinë e saj më 16 janar në koalicion me Socialistët (BSP) dhe partinë populiste “Ka një popull si ky” (ITN), miratoi sot me sukses një mocion të katërt mosbesimi në Parlament të paraqitur nga opozita nacionaliste.

Partia nacionaliste “Velicie” (“Madhështia”), e mbështetur nga dy parti të tjera sovraniste, “Vazrazhdane” (‘Rilindja’) dhe “Mec” (akronimi bullgar për ‘Moral, Unitet, Nder’), akuzojnë qeverinë për një dështim në mbrojtjen e mjedisit dhe të ujit.

Sipas nacionalistëve, qeveria është përgjegjëse për dështimin në menaxhimin e mbeturinave dhe për pamundësinë për të ndaluar një krizë që është shndërruar në një katastrofë mjedisore.

“Politika e qeverisë në këtë fushë përbën një kërcënim për shëndetin e bullgarëve dhe për natyrën në përgjithësi. Ky votë mosbesimi justifikohet nga një shkelje serioze e të drejtave kushtetuese të qytetarëve për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm”, deklaroi në parlament Krassimira Katincharova, deputete për zonën zgjedhore Velicie.

Sipas saj, arroganca e qeverisë në lidhje me krizën mjedisore, mungesa e kapacitetit të saj menaxhues dhe përpjekja e saj për të fshehur dhe minimizuar problemin kufizohet me kriminalitetin.

Më 3 prill, qeveria e Zhelyazkov i mbijetoi votimit të parë të mosbesimit të thirrur nga nacionalistët pas refuzimit për të ndjekur një politikë të jashtme sovrane, veçanërisht në lidhje me luftën në Ukrainë.

Më 17 prill, vota e dytë e mosbesimit e thirrur nga nacionalistët dështoi gjithashtu, këtë herë për shkak të “dështimit të qeverisë në luftën kundër korrupsionit në vend”.

Më 4 korrik, qeveria e Zhelyazkov miratoi një votë të tretë mosbesimi për shkak të një “dështimi në politikën fiskale të vendit”. //a.i/

 

 

The post SOFJE – Qeveria bullgare i mbijeton votimit të katërt të mosbesimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – BM dhe Franca bien dakord të koordinojnë masat parandaluese bërthamore në një pakt historik

10 July 2025 at 22:32

LONDËR, 10 korrik /ATSH-DPA/- Britania e Madhe dhe Franca kanë rënë dakord të koordinojnë masat parandaluese bërthamore, tha kryeministri britanik Keir Starmer.

Deklarata e Northwood, e nënshkruar nga kryeministri britanik Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron, parashikon që dy fuqitë sovrane bërthamore të Evropës do të mobilizojnë së bashku mjetet e tyre parandaluese nëse kërcënohen.

Lëvizja franko-britanike është hartuar për të vepruar si një paralajmërim për Rusinë.

Ky vendim vjen ndërsa presidenti i SHBA-së Donald Trump u ka bërë thirrje aleatëve evropianë të rrisin kontributin e tyre në NATO.

Starmer njoftoi një seri sipërmarrjesh të përbashkëta ushtarake që Britania e Madhe dhe Franca do të ndërmerrnin së bashku, ndërsa ai dhe presidenti francez vizituan selinë ushtarake të BM-së, Northwood, në veriperëndim të Londrës.

“Tani, si fuqitë e vetme bërthamore të Evropës dhe si udhëheqës në NATO, ne luajmë një rol jetësor në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në këtë kontinent”, tha Starmer.

“Sot kemi përditësuar traktatin historik të “Lancaster House” për të mbrojtur njerëzit tanë dhe mënyrën tonë të punës. Ky është një modernizim i madh”, shtoi ai.

“Ne po rishikojmë forcën e përbashkët – për ta bërë atë pesë herë më të madhe, me 50 000 trupa të forta, të afta të veprojnë në çdo fushë”, tha Starmer.

“Ne nënshkruam sot Deklaratën Northwood, duke konfirmuar për herë të parë se po koordinojmë mjetet tona të pavarura bërthamore parandaluese”, tha ai.

“Nga sot, kundërshtarët tanë duhet të dinë se çdo kërcënim ekstrem ndaj kontinentit do të shkaktonte një përgjigje nga dy kombet tona”, tha Starmer.

Krahas paktit të ri bërthamor dhe forcës së përbashkët të rifreskuar, Franca dhe Britania e Madhe janë zotuar të rimbushin rezervat e tyre të raketave “Storm Shadow”.

Të dyja vendet i kanë dhuruar Ukrainës armë me rreze të gjatë veprimi – duke i lejuar Kievit të godasë thellë në territorin rus.

Të dyja vendet planifikojnë gjithashtu të punojnë më ngushtë për prodhimin e një rakete pasardhëse “Storm Shadow”. //a.i/

The post LONDËR – BM dhe Franca bien dakord të koordinojnë masat parandaluese bërthamore në një pakt historik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Netanyahu: Nëse negociatat me Hamasin dështojnë brenda 60 ditëve, do të përdorim forcën

10 July 2025 at 22:13

TEL AVIV, 10 korrik /ATSH-ANSA/- Jemi të vendosur t’i kthejmë të gjithë pengjet në shtëpi, tha sot kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

“Në fillim të këtij armëpushimi, ne do të hyjmë menjëherë në negociata për t’i dhënë fund luftës përgjithmonë”, tha ai.

“Por, për të arritur këtë qëllim, nevojiten disa kushte minimale si, çarmatimi i Hamasit, demilitarizimi i Gazës dhe shkatërrimi i kapaciteteve ushtarake të Hamasit”, shtoi ai.

“Nëse këto arrihen përmes diplomacisë, aq më mirë”, theksoi Netanyahu.

“Por, nëse kjo nuk ndodh brenda 60 ditëve nga armëpushimi, ne do ta arrijmë atë me mjete të tjera, përmes përdorimit të forcës, fuqisë së ushtrisë sonë heroike”, tha kryeministri izraelit. //a.i/

 

 

 

The post IZRAEL – Netanyahu: Nëse negociatat me Hamasin dështojnë brenda 60 ditëve, do të përdorim forcën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Starmer dhe Macron njoftojnë marrëveshjen për emigracionin dhe planet për Ukrainën

10 July 2025 at 20:32

LONDËR, 10 korrik /ATSH/- Kryeministri britanik, Keir Starmer dhe presidenti francez, Emmanuel Macron njoftuan sot kontrolle më të ashpra për emigracionin – duke i dhënë fund vizitës shtetërore me marrëveshje mbi mbrojtjen, bashkëpunimin bërthamor dhe plane për të mbështetur Ukrainën në rast të një armëpushimi, sipas “Reuters”.

Starmer po punon për të adresuar nivelet e larta të emigracionit – duke përfshirë azilkërkuesit që mbërrijnë me anije të vogla përtej kanalit të La Manshit nga Franca.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, të dy udhëheqësit thanë se kishin rënë dakord për një skemë kthimi – sipas së cilës Britania e Madhe do të deportonte në Francë emigrantë pa dokumente që mbërrinin me anije të vogla, në këmbim të pranimit të një numri të barabartë azilkërkuesish të ligjshëm me lidhje familjare britanike.

“Kam kënaqësinë të njoftoj sot marrëveshjen tonë mbi një program pilot kthimi inovativ. Për herë të parë, emigrantët që mbërrijnë me anije të vogla do të ndalohen dhe do të kthehen në Francë shumë shpejt”, tha Starmer. //a.i/

 

The post BM – Starmer dhe Macron njoftojnë marrëveshjen për emigracionin dhe planet për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROMË – Mattarella: Ukrainës i duhet një paqe e drejtë, gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme

10 July 2025 at 20:16

ROMË, 10 korrik /ATSH-ANSA/- Sot, është më e rëndësishme se kurrë të përcjellim mesazhin se Kievi nuk është vetëm. Ky mesazh është thelbi i kësaj konference, tha presidenti italian Sergio Mattarella në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës sot në Romë.

“Nuk do të lodhemi kurrë së përsërituri – Ukrainës i duhet një paqe e drejtë, gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme”, tha Mattarella.

“Dorëzimi ndaj shtypjes së më të fortit nuk do të ishte paqe”, tha ai.

“Paqja, në kushte të padrejta, është gjithmonë jetëshkurtër”, shtoi ai.

“Kjo është arsyeja pse kjo luftë shqetëson të gjithë bashkësinë ndërkombëtare. Zbatimi i ligjit ndërkombëtar pasqyron ndjenjën e përbashkët të njerëzimit”, tha presidenti italian.

“Nuk është një ushtrim abstrakt apo utopik”, theksoi ai.

Konferenca për Rimëkëmbjen e Ukrainës, e bashkëorganizuar nga qeveritë italiane dhe ukrainase u mbajt sot në Qendrën e Konferencave “La Nuvola” në Romë.

Të pranishëm ishin afërsisht 5 000 pjesëmarrës, përfshirë afërsisht 100 delegacione qeveritare dhe 40 delegacione nga organizata ndërkombëtare. //a.i/

The post ROMË – Mattarella: Ukrainës i duhet një paqe e drejtë, gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROMË – Shmyhal: Rindërtimi i Ukrainës do të kushtojë mbi 1 trilion dollarë

10 July 2025 at 18:40

ROMË, 10 korrik /ATSH-DPA/- Riparimi i dëmeve të shkaktuara nga lufta më shumë se 3-vjeçare – do të kushtojë më shumë se 1 trilion dollarë gjatë një periudhe 14-vjeçare, tha kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal në konferencën për rimëkëmbjen e Ukrainës të mbajtur sot në Romë.

Duke folur në një lidhje me video, Shmyhal tha se Ukraina po shqyrtonte krijimin e dy fondeve me vlerë rreth 1 trilion dollarë.

“Fondi i parë – i administruar nga Kievi – duhet të financohet nga asetet ruse të sekuestruara jashtë vendit me vlerë 540 miliardë dollarë, dhe një fond i dytë me vlerë 460 miliardë dollarë do të mundësohet nga investitorët privatë”, tha ai.

Shmyhal u bëri thirrje aleatëve të vendit të lënë mënjanë fonde shtesë për të mbuluar deficitin në buxhetin e Ukrainës për vitet 2026 dhe 2027.

“Në kushte paqeje dhe pa përfshirë prodhimin e armëve, mirëmbajtja e ushtrisë ukrainase kushton rreth 50 miliardë euro (58 miliardë dollarë) në vit”, tha ai, duke shtuar se Ukraina po mbështetej në gjysmën e kësaj shume që do të sigurohej nga Bashkimi Evropian.

Ukraina ka luftuar kundër pushtimit rus në shkallë të plotë që nga shkurti i vitit 2022.

Para luftës, Ukraina ishte vendi më i varfër i Evropës, sipas statistikave të Fondit Monetar Ndërkombëtar. //a.i/

The post ROMË – Shmyhal: Rindërtimi i Ukrainës do të kushtojë mbi 1 trilion dollarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Ministri gjerman optimist për armëpushimin në Gazë pas telefonatës me Rubio

10 July 2025 at 18:26

VJENË, 10 korrik /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul beson se shanset po përmirësohen për një armëpushim në Gazë, pas një bisede telefonike me homologun e tij amerikan, Marco Rubio.

Duke folur sot në Vjenë, Wadephul, pas bisedimeve me homologët e tij austriakë dhe izraelitë, tha se ishte optimist se mund të arrihej një “rezultat i mirë”.

Ai bëri thirrje që të ushtrohet presion mbi organizatën ekstremiste palestineze Hamas.

“Hamasi nuk duhet të ketë një të ardhme”, tha Wadephul.

Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar, i cili më parë zhvilloi bisedime me Wadephul dhe diplomaten e lartë austriake, Beate Meinl-Reisinger, ra dakord se armëpushimi në Gazë ishte i arritshëm.

Meinl-Reisinger e përshkroi momentin aktual si një “mundësi historike” – për të stabilizuar të gjithë rajonin, duke theksuar se pas 642 ditësh lufte në Gazë, marrëveshja ishte vonuar shumë.

Ministrat gjermanë dhe austriakë i kërkuan sërish Izraelit të mundësonte një përmirësim të shpejtë të situatës humanitare në Rripin e Gazës.

Wadephul dhe Meinl-Reisinger theksuan se pezullimi i Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut në Gazë, siç po diskutohet aktualisht në nivelin e BE-së, duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë. //a.i/

 

The post BERLIN – Ministri gjerman optimist për armëpushimin në Gazë pas telefonatës me Rubio appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

STRASBURG – Von der Leyen i mbijeton lehtësisht mocionit të mosbesimit në Parlamentin Evropian

10 July 2025 at 18:13

STRASBURG, 10 korrik /ATSH-DPA/- Një mocion mosbesimi kundër presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe ekipit të saj të komisionerëve të BE-së nuk arriti sot shumicën e kërkuar në një votim në Parlamentin Evropian.

Propozimi u refuzua lehtësisht, me 175 anëtarë të parlamentit që votuan pro, 360 kundër dhe 18 abstenime.

Mocioni i mosbesimit, i iniciuar nga ligjvënësi rumun i krahut të djathtë Gheorghe Piperea, akuzoi komisionin për mungesë transparencës dhe keqmenaxhim, veçanërisht në lidhje me politikën e Covid-19.

Duke iu drejtuar ligjvënësve të BE-së në një fjalim të hënën, Von der Leyen hodhi poshtë akuzat, duke kritikuar kundërshtarët e saj për mungesë përgjigjesh për problemet politike dhe për nxitje të komploteve.

“Ndërsa forcat e jashtme kërkojnë të na destabilizojnë dhe të na ndajnë, është detyra jonë të përgjigjemi në përputhje me vlerat tona”, shkroi ajo në një postim në X menjëherë pas votimit të sotëm.

“Në një moment paqëndrueshmërie dhe paparashikueshmërie globale, BE-së i duhet forcë, vizion dhe aftësi për të vepruar. Ne kemi nevojë që të gjithë të përmbushim sfidat tona të përbashkëta”, tha ajo.

Në mënyrë që mocioni i mosbesimit në Strasburg të kishte sukses – i cili do ta kishte detyruar Von der Leyen dhe ekipin e saj prej 26 komisionerësh të BE-së të jepnin dorëheqjen – ishte e nevojshme një shumicë, e përbërë nga dy të tretat e votave dhe shumica e 720 vendeve të parlamentit.

Pavarësisht shanseve të pakta për sukses, mocioni u pa si një provë stresi për Von der Leyen dhe grupin e saj politik konservator në Parlamentin Evropian.

Pas zgjedhjes për një mandat të dytë, vitin e kaluar, Von der Leyen është kritikuar nga partitë socialdemokrate dhe të Gjelbra për tërheqje nga rregulloret e klimës dhe mbrojtjes së mjedisit. //a.i/

 

The post STRASBURG – Von der Leyen i mbijeton lehtësisht mocionit të mosbesimit në Parlamentin Evropian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Oficeri i shërbimit sekret ukrainas qëllohet për vdekje

10 July 2025 at 17:55

KIEV, 10 korrik /ATSH-DPA/- Një anëtar i agjencisë kryesore të inteligjencës së Ukrainës, SBU, vdiq pasi u qëllua pesë herë në mes të ditës në Kiev sot në mëngjes, raportoi media ukrainase, duke cituar burime të inteligjencës, ndërsa autoritetet janë në kërkim të autorit të sulmit.

Roman Chervinsky, një ish-oficer i shërbimit sekret të SBU-së, e identifikoi viktimën si një kolonel i cili kishte qenë i përfshirë në organizimin e operacioneve sabotuese brenda Rusisë.

“Të gjitha rrethanat e incidentit po përcaktohen aktualisht”, tha policia në një deklaratë.

Ukraina është mbrojtur kundër pushtimit rus në shkallë të plotë për më shumë se tre vjet.

Agjentët e shërbimit sekret shpesh kryejnë sulme të fshehta brenda territorit rus.

Në fillim të qershorit, disa avionë u shkatërruan në sulme të koordinuara në baza të shumta ajrore ruse. SBU mori përgjegjësinë për operacionin. //a.i/

The post KIEV – Oficeri i shërbimit sekret ukrainas qëllohet për vdekje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Rubio: Rusia paraqiti ide të reja për bisedimet e paqes në Ukrainë

10 July 2025 at 16:30

UASHINGTON, 10 korrik /ATSH-DPA/- Rusia ka paraqitur ide të reja që synojnë t’i japin fund luftës që Moska nisi në Ukrainë, tha sot sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pas një takimi me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, në Kuala Lumpur.

I pyetur nga një gazetar nëse këto ishin koncepte që administrata e presidentit Donald Trump nuk i kishte hasur më parë, Rubio u përgjig se mund të ishte një qasje e re dhe e ndryshme.

“Përsëri, nuk do ta karakterizoja si diçka që garanton paqen, por është një koncept që do ja përcjell presidentit sot”, shtoi ai.

Rubio tha se lufta e Rusisë kundër Ukrainës kishte qenë fokusi kryesor i bisedimeve të tij me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe se ai përcolli zhgënjimin e Trump për mungesën e progresit në gjetjen e një rruge për t’i dhënë fund konfliktit.

Trump, i cili është bërë gjithnjë e më kritik ndaj presidentit Vladimir Putin, në javët e fundit, akuzoi liderin rus se po fliste “budallallëqe” kur bëhej fjalë për propozimin e një plani paqeje për Ukrainën. //a.i/

The post SHBA – Rubio: Rusia paraqiti ide të reja për bisedimet e paqes në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Travel and Tour World”: Vizitoni vendpushimin luksoz përgjatë vijës bregdetare të Jonit

10 July 2025 at 10:25

TIRANË, 10 korrik /ATSH/- Kompania “MGallery Collection” ka prezantuar hotelin e saj të parë në Shqipëri, “Green Coast Hotel”, një vendpushim luksoz bregdetar i vendosur përgjatë vijës bregdetare piktoreske të detit Jon, sipas “Travel and Tour World” (TTW).

Hoteli është i pozicionuar në mënyrë ideale pranë plazheve mahnitëse të Palasës, duke ofruar një arratisje të qetë ndërsa ndodhet i vendosur në mënyrë të përshtatshme vetëm një orë larg me makinë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, i planifikuar të hapet në mesin e vitit 2025.

Destinacioni kryesor në Shqipëri

Hoteli përfaqëson një standard të ri luksi dhe sofistikimi në industrinë e mikpritjes në Shqipëri.

Me vendndodhjen e tij mahnitëse, dizajnin e përsosur dhe përkushtimin ndaj qëndrueshmërisë, hoteli ofron një përvojë unike për vizitorët që kërkojnë relaks, aventurë ose mundësi biznesi.

Qoftë duke shijuar darka, ambiente “Wellness” të klasit botëror, apo pamje spektakolare të detit Jon, mysafirët do të zbulojnë se “Green Coast Hotel” ofron një akomodim të jashtëzakonshëm.

Hoteli, i vendosur në një nga rajonet më piktoreske të Shqipërisë, është gati të bëhet një destinacion kryesor për turistët nga e gjithë bota.

Duke kombinuar bukurinë natyrore të Shqipërisë me lehtësitë moderne dhe i fokusuar në qëndrueshmëri, “Green Coast Hotel” ofron një përvojë të paharrueshme për të gjithë ata që e vizitojnë.

 Ndërthurja e trashëgimisë kulturore me luksin bashkëkohor

“Green Coast Hotel” ndërthur luksin modern me historinë e pasur të rajonit.

Me 131 dhoma për mysafirë, duke përfshirë disa suita dhe një suitë prestigjioze presidenciale, hoteli shfaq një dizajn të frymëzuar nga e kaluara e larmishme e Shqipërisë.

Me ndikime nga qytetërimet ilire, romake, bizantine dhe osmane, hoteli u ofron mysafirëve një përvojë autentike që pasqyron evolucionin kulturor të vendit.

Dhomat e hotelit ofrojnë pamje marramendëse të detit Jon dhe peizazheve përreth, duke siguruar që çdo mysafir të shijojë atraksionin e qetë me pamje spektakolare.

Nga ujërat e qeta deri te kodrat e ashpra, dizajni i “Green Coast Hotel” krijon një mjedis harmonik ku bukuria e vijës bregdetare të Shqipërisë është e integruar në mënyrë të përkryer me rehatinë e klasit botëror.

Përvoja ushqimore

Në “Green Coast Hotel”, adhuruesit e kuzhinës mund të kënaqen me një shumëllojshmëri opsionesh të shkëlqyera ngrënieje.

“Mosaic”, restoranti që është i hapur gjatë gjithë ditës dhe shërben një gamë të gjerë pjatash ndërkombëtare dhe shqiptare, të gjitha të përgatitura me përbërës të freskët vendas.

Përvoja e ngrënies është projektuar për të reflektuar shijet e rajonit, duke u ofruar mysafirëve mundësinë për të shijuar vakte bashkëkohore dhe tradicionale në një ambient elegant.

Për një përvojë më të rastësishme, por po aq të rafinuar, “Mente”, bari i hotelit, ofron një përzgjedhje koktejesh të përgatitura me mjeshtëri dhe specialitete tradicionale shqiptare.

Me atmosferën e tij komode dhe pamjet mahnitëse bregdetare, “Mente” ofron vendin e përsosur për mysafirët për t’u çlodhur pas një dite eksplorimi.

Një rekreacion gjithëpërfshirës

Duke i dhënë përparësi mirëqenies së mysafirëve të tij, “Green Coast Hotel” ofron një gamë të gjerë lehtësirash për të promovuar mirëqenien fizike dhe mendore.

Qendra e fitnes-it e hotelit është e pajisur me pajisje të teknologjisë së fundit, duke u lejuar mysafirëve të ruajnë rutinat e tyre të stërvitjes ndërsa shijojnë qëndrimin e tyre.

Pas një stërvitjeje, mysafirët mund të rigjallërohen në sauna ose të trajtojnë veten me një përzgjedhje trajtimesh të këndshme spa.

Për ata që kërkojnë përvoja më holistike të mirëqenies, hoteli ofron seanca joge dhe ecje nëpër bukurinë natyrore përreth.

Vendndodhja e qetë e bregdetit Jon ofron mjedisin ideal për këto aktivitete, duke u lejuar mysafirëve të lidhen me natyrën.

Ambiente të gjithanshme për biznes dhe evente

Ndërsa “Green Coast Hotel” është një destinacion kryesor për kohën e lirë, ai gjithashtu u ofron udhëtarëve të biznesit një shumëllojshmëri ambientesh për takime dhe evente.

Hoteli ofron salla moderne konferencash të pajisura me teknologjinë më të fundit, duke e bërë atë një vend ideal për evente të kompanive, seminare dhe takime.

Për evente në natyrë, hoteli ofron një tarracë të bollshme me pamje nga deti Jon, duke ofruar një vend frymëzues për kokteje, aktivitete ekipesh ose evente private.

Pamjet mahnitëse krijojnë një sfond të paharrueshëm për çdo rast, duke e bërë “Green Coast Hotel” një destinacion të përsosur si për udhëtarët e biznesit, ashtu edhe për ata të kohës së lirë.

Mbështetja e komuniteteve lokale dhe qëndrueshmëria

“Green Coast Hotel” është i përkushtuar për të pasur një ndikim pozitiv në komunitetin lokal dhe për të promovuar qëndrueshmërinë.

Në bashkëpunim me organizatat lokale, hoteli mbështet në mënyrë aktive iniciativat e përqendruara në barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave, duke u përpjekur të krijojë ndryshime pozitive dhe të qëndrueshme në rajon.

Hoteli gjithashtu ndërmerr hapa për të siguruar që operacionet e tij të jenë të qëndrueshme duke bashkëpunuar me furnizuesit dhe artizanët vendas.

Duke përfshirë produktet dhe shërbimet lokale, “Green Coast Hotel” – jo vetëm që ofron një përvojë autentike, por gjithashtu kontribuon në rritjen e ekonomisë lokale.

Përmes këtyre përpjekjeve, hoteli synon të promovojë turizmin e përgjegjshëm që është në dobi si të mysafirëve ashtu edhe të komunitetit. //a.i/

https://www.travelandtourworld.com/news/article/albanias-ionian-coast-gets-a-new-gem-with-green-coast-hotel-by-mgallery-collection-offering-guests-stunning-views-and-a-rich-blend-of-cultural-elegance/

The post “Travel and Tour World”: Vizitoni vendpushimin luksoz përgjatë vijës bregdetare të Jonit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – Sanchez njofton masa kundër korrupsionit: Nuk do të tërhiqem nga detyra

MADRID, 9 korrik /ATSH/- Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez prezantoi sot masat kundër korrupsionit në përgjigje të rasteve në rritje të korrupsionit që kanë përfshirë Partinë e tij Socialiste ndersa theksoi sërish se nuk do të tërhiqej nga detyra, sipas AP.

Duke folur në parlament në një seancë të jashtëzakonshme rreth hetimit për korrupsion që përfshinte një ish-zyrtar të Partisë Socialiste – kryeministri spanjoll mori përgjegjësinë për gjykimin e tij të dobët, ndërsa tha se nuk do të tërhiqej nga detyra – duke e quajtur veten “një politikan të ndershëm” dhe krenar për drejtimin e një partie shembullore.

“Nuk do të jap dorëheqjen”, tha Sanchez.

Deklarata e tij erdhi një javë pasi një gjyqtar i Gjykatës së Lartë urdhëroi paraburgimin e Santos Cerdan, një ish-ndihmës i kryeministrit dhe më parë anëtari i tretë më i lartë i Partisë Socialiste – i akuzuar për marrjen e ryshfeteve për kontratat e punëve publike.

Sanchez prezantoi sot 15 masa kundër korrupsionit, duke përfshirë rritjen e transparencës në financimin politik dhe publik, dhe bashkëpunimin me Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik – për të goditur korrupsionin.

Masa të tjera përfshinin futjen në listën e zezë të kompanive të shpallura fajtore për korrupsion, përdorimin e inteligjencës artificiale për të mbikëqyrur kontratat e prokurimit publik dhe sanksionimin e partive politike të përfshira në korrupsion.

Lideri spanjoll ka qenë në pushtet që nga viti 2018 dhe drejton një qeveri koalicioni minoritar me aleatë të majtë.

Qeveria e tij nuk ka qenë në gjendje të miratojë legjislacionin dhe në javët e fundit, e ardhmja e saj është dukur gjithnjë e më e pasigurt mes hetimeve për korrupsion.

Udhëheqësit e partive të ekstremit të majtë dhe nacionaliste, aleatë me socialistët e Sanchez – deri më tani nuk i kanë mbështetur thirrjet e opozitës për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Megjithatë, disa zyrtarë kërkuan që i takonte votuesve të vendosnin për të ardhmen e qeverisë nëse hetimet për korrupsion do të përshkallëzoheshin. //a.i/

The post SPANJË – Sanchez njofton masa kundër korrupsionit: Nuk do të tërhiqem nga detyra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPORT – Trajneri i Brazilit, Ancelotti, dënohet për evazion fiskal

MADRID, 9 korrik /ATSH-DPA/-  Trajneri i ekipit kombëtar të Brazilit, Carlo Ancelotti është dënuar sot me burg – i akuzuar për evazion fiskal, tha sot gjykata rajonale në Madrid.

Gjykata vendosi gjithashtu një gjobë prej 386,361.93 euro (452,268.39 dollarë). Vendimi nuk është ende përfundimtar dhe mund të apelohet.

Ish-trajneri i Real Madrid-it nuk pritet të shkojë në burg. Dënimet me burg deri në dy vjet në përgjithësi pezullohen në Spanjë.

Zyra e prokurorit publik ka kërkuar një dënim me burg prej katër vjetësh e nëntë muajsh dhe një gjobë prej më shumë se 3 milionë eurosh.

Ancelotti u akuzua për mospagesë të një shume prej rreth 1,06 milionë eurosh ndaj autoriteteve tatimore gjatë mandatit të tij të parë në Real Madrid (2013 deri në 2015).

Çështja kishte të bënte me të ardhurat nga të drejtat e imazhit në vitet 2014 dhe 2015, dhe Ancelotti u shpall fajtor për vitin 2014.

Ai u lirua nga akuza për evazion fiskal në vitin tatimor 2015.

Në seancën dëgjimore në Madrid në fillim të prillit, Ancelotti tha se nuk kishte pasur kurrë ndërmend të mashtronte shtetin dhe se ishte mbështetur në rekomandimet e klubit dhe këshilltarëve të tij. //a.i/

The post SPORT – Trajneri i Brazilit, Ancelotti, dënohet për evazion fiskal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌