Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 12 July 2025Main stream

Euroja zbret në nivelin më të ulët historik

TIRANË, 12 korrik  /ATSH/ Leku ka forcuar ndjeshëm pozitat në këmbim me monedhat e huaja përgjatë javës së dytë të muajit korrik të këtij viti, ndërsa euroja zbreti në nivelin më të ulët historik.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë monedha europiane është dobësuar me 0,06 lekë këtë fundjavë. Ajo këmbehej në fillim të javës me 97,90 lekë dhe në fundjavë me 97,84 lekë.

Gjithashtu luhatje të terrenit ka shfaqur edhe dollari amerikan që këmbehet sot me 84,14  lekë kundrejt 83,85 lekë që ishte të hënën. Monedha e gjelbër amerikane këtë javë u forcua me 0,29 lekë.

Ndërsa paundi britanik pas një rritjeje të vlerës ditën e mërkurë në vlerën 113,66 lekë, ka shënuar një rënie ditën e premte duke kapur kuotën e 113,39 lekë me një zbritje totale prej 0,07 lekë nga dita e hënë, kur u këmbye me 113,46 lekë.

Franga zvicerane ka pësuar një rritje graduale që nga dita e hënë duke u këmbyer sot me 105,083 lekë kundrejt vlerës 104 ,65 lekë që këmbehej ditën e hënë. /j.p/

The post Euroja zbret në nivelin më të ulët historik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: Pezullohen inspektimet e paautorizuara, inspektorët e AKU do t’i nënshtrohen vlerësimit

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, njoftoi masa të menjëhershme për forcimin e kontrollit dhe transparencës në aktivitetin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), pas shtimit të ankesave dhe shkeljeve të konstatuara në terren.

Ministrja ka urdhëruar pezullimin e të gjitha inspektimeve pa planifikim paraprak dhe të pamiratuara, si dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm vlerësimi me 5 anëtarë, 3 prej të cilëve nga Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Komisioni do të rivlerësojë trupën aktuale të inspektorëve të AKU-së, si dhe do të merret me përzgjedhjen e aplikantëve të rinj, me synim krijimin e një profili të ri inspektues në përputhje me ligjin “Për inspektimet” dhe në mbrojtje të interesit të konsumatorit.

Në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës, ministrja parashtroi nevojën e dyfishimit të kuotave për studentët që angazhohen në fushën e sigurisë ushqimore, duke i hapur rrugën kështu ndërtimit të një brezi të ri profesionistësh të formuar sipas standardeve europiane.

“Le të mos harrojmë që ky universitet shumë shpejt ka të njësuar certifikatën me një nga universitetet më prestigjioze në Evropë, që është BOKU”, tha ministrja Denaj.

Garantimi i sigurisë ushqimore është një detyrim ligjor për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe për të gjitha institucionet e saj të varësisë.

Rektori i UBT-së Fatbardh Sallaku, vuri në dukje bashkëpunimin e konsoliduar tashmë të MBZHR-së me UBT ndërsa e vlerësoi përfshirjen e UBT-së në procesin e vlerësimit të sftafit të AKU-së, përgjegjësi dhe angazhim të plotë.

Sallaku tha se, UBT është institucioni i vetëm në Shqipëri që mbulon dhe përpiqet të sigurojë të gjitha kompetencat profesionale në fushën e bujqësisë dhe që janë të lidhura drejtëpërdrejtë edhe me sigurinë ushqimore.

“Do të sjellim në komisionin e ngritur për këtë çëshje, njerëzit më me përvojë dhe jashtë çdo konflikt interesi”, tha Sallaku.

/j.p/

The post Denaj: Pezullohen inspektimet e paautorizuara, inspektorët e AKU do t’i nënshtrohen vlerësimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Goxhobelli: 25 mijë legalizime deri në dhjetor 2025

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lorena Goxhobelli u shpreh sot se vetëm në 6-mujorin e parë të këtij viti ky institucion ka nxjerrë më shumë vendime legalizimi se sa në të gjithë vitin e kaluar.

Duke iu referuar takimit të djeshëm me Kryeministrin Rama dhe përfaqësues të bashkive nga i gjithë vendi, Goxhobelli theksoi se në takim u fol hapur “për sfidat dhe hapat konkretë që po ndërmarrim për të përshpejtuar procesin e legalizimeve, regjistrimin fillestar dhe kalimin e tokës bujqësore në pronësi”.

“Do të realizojmë 25 mijë legalizime deri në dhjetor 2025”, tha Goxhobelli.

Ajo theksoi se procesi kërkon përkushtim dhe bashkëpunim të fortë me bashkitë, sepse siç u shpreh ajo,  për çdo vendim të miratuar qëndron një familje që më në fund mund të ndihet e sigurt për pronën e saj. /j.p/

1 nga 5

The post Goxhobelli: 25 mijë legalizime deri në dhjetor 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema Kombëtare 2025, AZHBR nis disbursimin e blegtorëve

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka nisur disbursimin e pagesave për blegtorët, ndërsa ka publikuar listën e aplikantëve përfitues të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2025.

Sipas AZHBR-së, në masën l: “Për tufën bazë të matrikulluar të krerëve të gjedhit” janë kualifikuar 3971 aplikime.

Për herë të parë, këtë vit mbështeten fermat e viçave, me financim të drejtëpërdrejtë për gjedhët, në vlerën deri në 10 mijë lekë/krerë lopë/mëshqerrë dhe deri në 5 mijë lekë/krerë viça për çdo fermer të shpallur përfitues.

Gjithashtu, fermat me më shumë se 50 krerë mbështeten me financim deri në 50% të kostove.

Vitin e kaluar nga kjo masë u mbështetën me subvencion 3503 fermerë. Për këtë vit numri i aplikimeve është rritur, gjithashtu dhe i përfituesve të cilët kanë plotësuar kriteret dhe dokumentet që kërkon zbatimi i skemës.

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2025 ofron financim 100% për grupimet e fermerëve dhe Shoqëritë e Bashkëpunimit.

Aplikimet për të përfituar nga 8 masat e mbëshetjes të Skemës Kombëtare 2025, u kryen online në portalin e-Albania nga data 30 prill deri më 30 maj dhe pas nënshtrimit të  kontrollit administrativ për verifikim, AZHBR publikon listën e përfitueseve për secilën masë.

/e.xh/j.p/

The post Skema Kombëtare 2025, AZHBR nis disbursimin e blegtorëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Ligji i bashkëpronësisë, Mazniku: Bashkitë, strukturë të posaçme për monitorimin e administrimit

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku tha se, ligji i ri “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”, ka në fokus të veçantë parashtrimin e detyrave për bashkitë në raport me zbatimin e këtij ligji.

Gjatë takimit me kryetarët e bashkive, Mazniku vuri në dukje se, ligji ristrukturon në tri kolona kryesore të gjithë konceptimin e bashkëpronësisë në Shqipëri: Akti i bashkëpronësisë, ku ASHK lëshon certifikatën e pronësisë të ideuar për pjesën e pronës që i takon në tërësinë e pronës së përbashkët; së dyti, është libri i pronësisë, ku parashtrohet të dhëna për vitin e ndërtimit të objektit, llojin e ndërtesës, elementë të bashkëpronësisë, pra një regjistër publik që i vihen në dispozicion gjithkujt, që do ta blejë atë pronë për ta informuar mbi çdo detaj; së treti, strukturohen kategoritë e mirëmbajtjes dhe higjienës.

Sipas tij, komponent i rëndësishëm është edhe ridimensionimi i mënyrës së ndërveprimit midis asamblesë, kryesisë dhe administratorit.

“Ligji parashikon që administratori të pajiset me një numër NIPT-i, që i jep mundësi për kryerjen e shërbimeve me faturë dhe gjithashtu ai mund të hapë edhe një llogari bankare për mbledhjen e të ardhurave nga tarifimi i administrimit. Një element i rëndësishëm është edhe ndarja e fondit rezervë, pas shpenzimeve për shërbimet e kryera”, vuri në dukje ai.

Duke u ndalur në rolin e bashkive në këtë proces, Mazniku theksoi se, “bashkitë mbajnë librin e bashkëpronësisë, përcaktojnë tarifën e referencës; inspektojnë normat detyruese të shërbimeve dhe krijojnë një strukturë të posaçme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”.

“Bashkitë do të krijojnë strukturë të posaçme për monitorimin e administrimit”, tha Mazniku, teksa ftoi bashkitë të nisin që tani punën për këtë proces.

/e.xh//r.e/

The post Ligji i bashkëpronësisë, Mazniku: Bashkitë, strukturë të posaçme për monitorimin e administrimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Në reformën e re të territorit, shtojmë mbrojtjen e peizazheve

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, në takimin që zhvilloi sot me kryebashkiakët e vendit, tha se në reformën e re territoriale, do të shtohet edhe një element tjetër, ai për zonat e mbrojtura.

Rama theksoi se, nuk mund të lejohet që të gjitha kodrat e bregdetit shqiptar dhe ato të Tiranës të mbushen me resorte dhe vila.

“Çështja e pronësisë mbi tokën bujqësore ka ardhur koha dhe duhet të shihet qartë se çfarë është mbi tokën bujqësore dhe çfarë është kërkesë për pronë në ndërtim, sepse historia e ATMP-ve në shkëmbinj, e gërxhe, që natyrisht s’ka pasur kurrë bujqësi, por qëllimi ka qenë, kap tokë që të bësh ndërtim. Ne kemi filluar një punë me Agjencinë e Planifikimit dhe të Zhvillimit Urban dhe pjesë e reformës së territorit do të jetë edhe përfshirja e një elementi tjetër, që është arkitekti i peizazhit, mbrojtja e peizazheve, se nuk mundet dot që të gjitha kodrat e bregdetit shqiptar të mbushen me resorte, vila apo kodrat e Tiranës me pallate. Siç bëmë me Porto Palermon që e kthyen të tërë gjirin në një zonë të mbrojtur, do të ndërtojmë një skedë të re për të mbrojtur pjesë të peizazhit përgjatë bregdetit dhe rreth gjithë qyteteve. Të ndërtosh kulla në qytet është gjëja e duhur, për të shfrytëzuar tokën me një intensitet të lartë në lartësi dhe për të mos u hapur si varrezat e Tiranës, që mund të përfundojnë deri në Durrës. Të ndërtosh me intensitet të lartë është më e mirë sesa të hapesh në të gjithë territorin”, tha Rama.

Rama tërhoqi vëmendjen për të bërë shumë kujdes në kërkesat për ATMP, që të mos kthehen njësoj si ato proceset e legalizimit.

Rama tha se duhen refuzuar kërkesat për pronësi në tokë bujqësore, që dihet se nuk kanë qenë bujqësore dhe nuk kanë për të qenë kurrë bujqësore.

“Ka ardhur koha të vëmë një kufi. Kush do të bëjë bujqësi, të bëjë bujqësi, kush do të bëjë sikur do të bëjë bujqësi dhe të përfitojë për të marrë pjesë që s’kanë qenë të shkelura nga këmba e njeriut, por pastaj i mbushin me beton, kjo nuk mund të funksionojë”, u shpreh kryeministri.

Rama u shpreh se qëllimi është që të ruhet turizmi në harmoni me natyrën dhe pjesën e zhvilluar.

“Ka zona fantastike që duhet t’i mbrojmë, sepse ajo që Shqipëria duhet të ofrojë, duhet të jetë turizëm i një cilësie të lartë, i harmonizuar mes natyrës dhe pjesëve të zhvilluara. Ndryshe, çfarë kuptimi ka të bëhemi si Golemi, që tani është bërë një “pyll” i madh”, u shpreh Rama.

/a.f//r.e/

The post Rama: Në reformën e re të territorit, shtojmë mbrojtjen e peizazheve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mazniku: Portali “Paketa e Maleve.gov”, nga nesër aktiv për aplikime

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku njoftoi se, nga nesër (12 korrik) do të jetë aktiv portali “Paketa e Maleve.gov”, që krahas informimit për kriteret, dokumentet dhe lehtësitë fiskale, mundëson edhe aplikimet për shprehje interesi nga ana e qytetarëve dhe bizneseve që duan të investojnë për zhvillimin e ekonomisë së zonës.

I pranishëm në takimin që zhvilloi kryeministri Edi Rama, me kryetarët e bashkive, për performancën lokale në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” dhe rrugës së pandalshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, Mazniku tha se, “hapi i parë në zbatim të Paketës së Maleve, është se çdo bashki duhet të ngrejë një grup pune me pesë anëtarë që duhet të përcaktojnë zonat me prioritet zhvillimi në territorin e bashkisë”.

Mazniku shpjegoi se, pas analizës së thelluar bëhet shpallja e zonës për zhvillim, me vendim të Këshillit të Ministrave, që jep fillimin esencial të zbatimit specifik në territor të Paketës së Maleve, ndërsa njoftoi se tashmë ka dalë udhëzimi që përcakton kriteret dhe dokumentacionin për identifikimin e zonave me prioritet zhvillimi në territorin e bashkive, në kuadër të kësaj pakete.

Sipas ministrit, interesi për zbatimin e Paketës së Maleve është i madh dhe ka bashki që e kanë nisur këtë proces për përcaktimin e zonave me potencial zhvillimi.

“Sa më shpejt të vijnë propozimet nga ana e bashkive, aq më shpejt mund të kalohen propozimet në Këshillin e Ministrave dhe të fillojë zbatimi”, u shpreh Mazniku, ndërsa bëri të ditur se, nga Paketa e Maleve qeveria pret një ofertë turistike edhe më të larmishme, në  agroturizme apo investime të tjera që nxisin ekonominë lokale.

Paketa e Maleve, nëpërmjet mbështetjes me dy instrumente: ligjor dhe financiar, synon të nxisë investimet në zonat rurale malore nga të gjithë ata që përmbushin kushtet e nevojshme.

Qeveria ka parashikuar që 500 aplikimet e para do të jenë pa taksa, ndërsa synohet që një pjesë e emigrantëve të kthehen në vend për të përfituar nga nisma.

/e.xh//a.f//r.e/

The post Mazniku: Portali “Paketa e Maleve.gov”, nga nesër aktiv për aplikime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Qendër kombëtare për monitorimin e ndërtimeve, kontroll 24 orë me GPS

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se tashmë po punohet për të pasur një kontroll teknologjik mbi territorin e vendit.

Në takimin që zhvilloi sot në Durrës me kryetarët e bashkive, për performancën lokale në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” dhe rrugës së pandalshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, Rama tha se “sot jemi në kushtet kur nuk mund të mbetemi vetëm tek sytë e njerëzve në territor dhe kur po bëjmë gjërat bashkë për të pasur një kontroll teknologjik mbi territorin që të na garantojë, siç ka filluar punën Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut Rrugor dhe do të bëhet tërësisht teknologjike me projektin e ri që kemi nisur tanimë me Emiratet e Bashkuara, ashtu do të bëhet edhe me territorin”.

Rama theksoi se, “inspektimi i territorit, në kuptimin e ndërtimeve, duhet të mbështetet nga një fuqi e madhe teknologjike me dronët dhe satelitët që i kemi, por edhe me një strukturë të dedikuar që, siç është Qendra e Monitorit të Trafikuar, duhet të ndërtojmë edhe Qendrën e Monitorimit të Territorit”.

Sipas tij, Agjencia e Monitorimit të Territorit ka përgatitur ndërkohë edhe një rregullore të për të gjitha kompanitë e ndërtimit.

“Të gjitha kompanitë e ndërtimit për qëllime fitimi, flasim për pallate e ndërtime që kanë impakte të caktuara në jetën e banorëve gjatë kohës së ndërtimit, do të detyrohen të pajisen të gjitha kantieret me kamera online 24 orë dhe të ndiqen në kohë reale nga forcat e inspektimit. Ashtu sikundër kantieret qoftë të gjitha llojet kantieret e ndërtimit të pajisen me GPS që të monitorohet i gjithë trafiku i tyre edhe në funksion të hedhjes aty ku duhet të mbetjeve të kantierit dhe të materialeve që hyjnë edhe dalin, në kantiere ku ka evazion të konsiderueshëm”, tha Rama, teksa vuri në dukej se në legjislacion do të forcohet roli dhe përgjegjësia e arkitektit.

/a.f//r.e/

The post Rama: Qendër kombëtare për monitorimin e ndërtimeve, kontroll 24 orë me GPS appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: Teknologjitë e reja, nxitje për rritjen e prodhimit bujqësor

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Përpjekjet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, institucioneve të linjës dhe fermerëve janë përqendruar për zhvillimin e bujqësisë duke e orientuar atë në përdorimin e teknologjive dhe praktikave inovative, si hapi i duhur në përmirësimin e prodhimit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndau në rrjete sociale momente nga fushat e Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore, në Korçë, ku testohen varietete të reja të grurit dhe patates.

Rezultatet e testuara në këtë qendër do t’i ndihmojnë fermerët në zgjedhjen e kultivarëve më të mirë për prodhim të lartë dhe qëndrueshmëri.

Implementimi i farërave dhe fidanëve më cilësorë, synon të përmirësojë kultivimin e gjerë të grurit dhe patates në rajonin e Korçës (e njohur tashmë për potencialet e prodhimit bujqësor), por edhe në mbarë vendin.

Sot Qendrat e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) janë kthyer në referencë dhe po forcojnë rolin e tyre në orientimin e ekonomisë bujqësore.

/e.xh//r.e//a.f/

The post Denaj: Teknologjitë e reja, nxitje për rritjen e prodhimit bujqësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema e naftës për bujqësinë, 189 683 aplikime në e-Albania

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Në platformën e-Albania janë realizuar në total 189 683 aplikime për skemën e naftës për bujqësinë, për periudhën 2020-2024.

Sipas statistikave të publikuara sot nga e-Albania në rrjetet sociale, gjatë vitit 2023, aplikuan për skemën e naftës pa taksa për bujqësinë 54 691 fermerë, ndërsa në vitin 2024 aplikuan 54 239 fermerë.

Numri i aplikimeve të fermerëve është me ndryshime të vogla nga viti në vit, çka tregon për ndërgjegjësimin e tyre drejt formalizimit të aktivitetit bujqësor.

Fermerët në të gjithë vendin aplikojnë lehtësisht online, përmes platformës qeveritare “e-Albania”, për të përfituar subvencione nga masat mbështetëse të Skemës Kombëtare, duke kursyer kohë dhe përfituar transparencë të plotë në procesin e aplikimit.

Qeveria po vijon edhe këtë vit me skemën e mbështetjes për fermerët me naftën pa taksa, si një masë që kontribuon në rritjen e qëndrueshme të zhvillimit të bujqësisë dhe uljen e kostove të prodhimit për fermerët.

/r.e//a.f/

The post Skema e naftës për bujqësinë, 189 683 aplikime në e-Albania appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sezoni turistik, forcohet leku në raport me monedhat e huaja

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Sezoni i mbarë turistik vijon të forcojë pozitat e monedhës vendase në raport me valutat.
Në tregun e këmbimit valutor vendas, të enjten leku fitoi terren ndaj monedhave të huaja krahasuar me një ditë më parë.
Sipas kursit të këmbimit valutor vendas, euroja u zhvlerësua me 0,02 lekë dhe këmbehet me 97,91 lekë.
Dollari amerikan këmbehet me 83,45 lekë ose 0,17 lekë më pak krahasuar me ditën e mërkurë.

Ndërsa franga zvicerane këmbehet me 105,05 lekë, ose 0,05 lekë më pak dhe paundi britanik u zhvlerësua me 0,11 lekë dhe këmbehet me 113,55 lekë.

Aktorët e tregut mendojnë se, dobësimi i valutave kundrejt lekut tashmë po nxitet kryesisht nga sezoni. Sipas tyre, në ditët e pikut të sezonit turistik ka një rënie të ngadaltë, por të qëndrueshme të kursit, të lidhur kryesisht me shtimin e prurjeve valutore nga turistët e huaj.

Monedha kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar Amerikan USD 83.45 -0.17
Euro EUR 97.91 -0.02
Poundi Britanik GBP 113.55 -0.11
Franga Zvicerane CHF 105.05 -0.05
Jeni Japonez (100) JPY 57.05 +0.02
Dollari Australian AUD 54.74 +0.14
Dollari Kanadez CAD 61.03 -0.07
Korona Suedeze SEK 8.78 -0.01
Korona Norvegjeze NOK 8.30 +0.02
Korona Daneze DKK 13.12 -0.01
SDR SDR 114.34 -0.34
Ari (OZ 1) XAU 277442.88 +2,435.93
Argjendi (OZ 1) XAG 3050.10 -7.88
Juani Kinez (onshore) CNY 11.63 -0.02
Juani Kinez (offshore) CNH 11.62 -0.02
Lira Turke TRY 2.09 0.00

/e.xh//r.e//a.f/

The post Sezoni turistik, forcohet leku në raport me monedhat e huaja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kiselova: Shqipëria, shteti kampion në rrugën drejt integrimit europian 

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Bullgarisë, Nataliya Kiselova e cilësoi me rëndësi të veçantë për shtetin bullgar, vizitën e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në Bullgari, teksa vlerësoi Shqipërinë, si shtetin kampion në rrugën drejt integrimit europian.

Në konferencën e përbashkët për mediet me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, Kiselova tha se, “vizita e kryetares së Parlamentit shqiptar, është një shenjë e rëndësishme për shtetin bullgar. Vizita e saj, dëshmon për rëndësinë e madhe që i jep shteti bullgar, integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të rajonit në BE. Kjo dëshmon angazhimin e shtetit bullgar që të ndihmojë çdo shtet që synon anëtarësimin në BE”.

Kiselova deklaroi se, “Shqipëria është shteti kampion në rrugën drejt integrimit europian. Shqipëria ka hapur 24 prej 31 kapitujve të paraintegrimit dhe synon që deri në fund të këtij viti të hapë të gjithë kapitujt”.

Ajo bëri të ditur se, koncepti i shtetit bullgar është që çdo shtet kandidat për t’u anëtarësuar në BE, duhet të ketë meritat e veta dhe arritjet e veta personale, sipas kritereve të Kopenhagës në rrugën për në BE.

“Vizita e Spiropalit në vendin tonë vjen një ditë pasi erdhi Raporti për përparimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga Parlamenti Europian dhe kjo është një shenjë shumë e qartë sesi ne do të procedojmë në lidhje me dëshirën për anëtarësim në BE të çdo vendi të Ballkanit Perendimor”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Bullgarisë, Nataliya Kiselova.

Ajo shprehu mbështetjen e Bullgarisë për integrimin e Shqipërisë në BE.

“Veç përkrahjes që ne do të sigurojmë në marrëdhëniet dypalëshe, ne do të jemi pranë Shqipërisë dhe do ta ndihmojmë në çdo hap drejt rrugës për në BE”, tha Kiselova.

Ajo u shpreh optimiste se bashkëpunimi ndërparlamentar mes dy vendeve do të vijojë edhe gjatë parlamentit të ri, të dalë nga zgjedhjet e 11 majit, që do të konstituohet në shtator, ndërsa i uroi suksese kryeministrit Edi Rama, në mandatin e 4-t në krye të qeverisë.

/e.xh//r.e//a.f/

The post Kiselova: Shqipëria, shteti kampion në rrugën drejt integrimit europian  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Investimi në urën e re të Viroit, përfitojnë mbi 200 mijë drejtues mjetesh e 150 mijë këmbësorë

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Po vijon puna për ndërtimin e urës së re të Viroit, e para nga 30 urat që do të ndërtohen ose përmirësohen në të gjithë Shqipërinë, falë investimit të qeverisë me mbështetjen e Bankës Botërore.

Banka Botërore ndau foto nga puna që po zhvillohet për ndërtimin e urës së re të Viroit, teksa bëri të ditur se, ura është e vendosur në aksin SH4 drejt pikës kufitare të Kakavijës me Greqinë dhe është thelbësore për lidhjen rajonale.

Ura do të jetë 33 metra e gjatë dhe 7 metra e gjerë, me 2 korsi dhe trotuare për kalimtarët në të dy anët e saj. Ura e re do të shkurtojë kohën e udhëtimit, përmirësojë sigurinë gjatë përmbytjeve dhe lidhë komunitetet e Jugut të Shqipërisë duke krijuar më shumë mundësi punësimi, arsimimi, të kujdesit shëndetësor dhe aksesit në tregje.

Sipas BB-së, në mungesë të rrugëve alternative, kur ura përmbytet, ndërtimi i urës së re do të sigurojë qarkullim të pandërprerë gjatë gjithë vitit .

“Mbi 200 000 drejtues mjetesh dhe 150 000 këmbësorë do të përfitojnë si pjesë e përpjekjeje për një infrastrukturë transporti të qëndrueshme ndaj klimës”, shkruan BB në rrjete sociale.

Punimet për urën e re të Viroit
1 nga 7
Punimet për urën e Viroit
Punimet për urën e Viroit
Punimet për urën e Viroit
Punimet për urën e Viroit
Punimet për urën e Viroit
Punimet për urën e Viroit
Punimet për urën e Viroit

/e.xh//a.f//r.e/

The post Investimi në urën e re të Viroit, përfitojnë mbi 200 mijë drejtues mjetesh e 150 mijë këmbësorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Boboshtica, fshati turistik që promovoi i pari kulinarinë tradicionale në UNWTO

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Në këmbët e malit të Moravës, në juglindje të vendit, shtrihet Boboshtica, një fshat ku çdo stinë sjell ngjyra dhe shije të reja.

Dikur një kryqëzim kulturash, sot Boboshtica mirëpret vizitorët me kishat shekullore, shtegun e manit, shijen e rakisë unike të manit dhe një traditë të pasur kulinarie të rrënjosur në produkte lokale.

Programi gjerman për “Zhvillimin e qëndrueshëm rural në Shqipëri”, ndau në rrjete sociale aspekte nga bukuritë e natyrës, kulturës, traditës dhe ushqimeve tipike të zonës, teksa bëri të ditur se, “Boboshtica ishte ndër fshatrat e parë që promovoi kulinarinë tradicionale në UNWTO”.

Aplikimi i Boboshticës në këtë iniciativë globale të World Tourism Organization (UNWTO), me mbështetjen e programit gjerman dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, përbën një arritje të punës me komunitetin, identifikimit të vlerave unike dhe zhvillimit të një profili të qëndrueshëm turistik që e përfaqëson denjësisht në skenën ndërkombëtare.

Turistët që dëshirojnë të vizitojnë Boboshticën mund të shijojnë ajrin e pastër, kuzhinën tradicionale dhe mikpritjen, që e bën këtë fshat një perlë të turizmit kulturor dhe agroturistik.

Festimet tradicionale, natyra mahnitëse dhe produktet bio krijojnë një përvojë unike që tërheq vizitorë në çdo stinë të vitit.

/e.r//r.e//a.f/

The post Boboshtica, fshati turistik që promovoi i pari kulinarinë tradicionale në UNWTO appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Themeli: Turizmi, motor kryesor në rritjen ekonomike

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Erald Themeli, drejtor i Departamentit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, bëri të ditur se ekonomia shqiptare parashikon rritjen e qëndrueshme në vitet në vijim 2025-2027 në intervalin 3,5% deri 4 %, ndërsa tha se turizmi pritet të jetë motor kryesor edhe për këtë vit dhe të japë kontribut në rritjen ekonomike.

Në një intervistë televizive, Themeli foli mbi rolin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, përmes së cilës është garantuar ruajtja e qëndrueshmërisë së çmimeve, si objektiv kryesor i Bankës së Shqipërisë.

Ai tha se, “nëpërmjet politikës së saj monetare, Banka e Shqipërisë ka krijuar kushte të përshtatshme për kthimin e qëndrueshëm dhe në kohë të inflacionit në objektiv, duke siguruar njëkohësisht një ambient financiar të shëndetshëm dhe rritje të kreditimit”.

Themeli vuri në dukje se, inflacioni vijon të qëndrojë në nivelet 2% deri 2,1% poshtë objektivit 3% të BSH-së, si pasojë e presioneve të dobëta nga mjedisi i jashtëm.

“Rënia e inflacionit në partnerët tanë tregtarë, mbiçmimi i kursit të këmbimit, si dhe goditjet e përsëritura nga ana e ofertës, janë pasqyruar në norma të ulëta historike të inflacionit të importuar”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, vuri në dukje Themeli, presionet nga mjedisi i brendshëm shfaqen të qëndrueshme dhe mbeten në linjë me objektivin, si rezultat i një ekuilibri më të mirë mes kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime.

Ekonomia e vendit u rrit me 3,4 % në 3-mujorin e parë të vitit, ku kontribut dhanë turizmi, investimet e huaja dhe rritja e pagave. /j.p/

 

The post Themeli: Turizmi, motor kryesor në rritjen ekonomike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IKMT shemb objektin dykatësh me strukturë beton-arme në Theth

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit vijon aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje në Theth, në një prej zonave më piktoreske në veri të vendit.

IKMT ndau në rrjete sociale, pasditen e sotme, momente nga shembja e një objekti dykatësh i ndërtuar pa leje, me strukturë beton-arme.

IKMT theksoi se aksioni në Theth zhvillohet në kuadër të operacionit për zbatimin e ligjshmërisë në zonat e mbrojtura, dhe aktualisht është realizuar prishja e një objekti dykatësh me strukturë beton-arme, i ndërtuar pa leje dhe në kundërshtim me rregullat mjedisore. /j.p/

The post IKMT shemb objektin dykatësh me strukturë beton-arme në Theth appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Programi buxhetor afatmesëm 2026-2028, rritje ekonomike afër 4%

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Ekonomia shqiptare projektohet të ketë një ecuri pozitive në vitet që vijnë.

Buxheti afatmesëm 2026-2028 është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe parashikon që rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë 3,9 % në vitin 2025. Ndërkohë që ecuria vlerësohet edhe më e kënaqshme në dy vitet që vijnë ku rritja parashikohet të arrijë në rreth 4%.

Gjatë periudhës afatmesme rritja e ekonomisë pritet të mbështet kryesisht nga eksportet kërkesa e brendshme, konsumi privat që lidhet me rritjen e pagave, investimet e po ashtu nga ecuria e mirë e shërbimeve që lidhet me turizmin si dhe prej sektorit të pasurive të paluajtshme.

Ndërkohë që edhe Banka e Shqipërisë ka konfimuar se, politika monetare do të mbështesë rritjen ekonomike të vendet duke garantuar që sistemi bankat është likuid dhe i mirëkapitaluzuar për financimin e investimeve në ekonomi.

Dokumenti parashtron se paralelisht edhe politika fiskale do të vijojë që të jetë e përqendruar drejt konsolidimit fiskal ndërsa projektohet një reduktim i nivelit të borxhit publik në nivelin 52,1% deri në vitin 2028 nga 54,8% që është aktualisht.

Në fokus të qeverisë për vitet në vijim është edhe zgjerimi i investimeve në infrastrukturë dhe vepra publike si dhe rritja e punësimit. Synohet që të punësohen në total 10 mijë e 500 punëkërkues të rinj të moshës 16-29 vjeç deri në vitin 2026 për të arritur në 11 mijë në vitin 2028.

Ndërsa të dhënat zyrtare konfirmojnë se shkalla zyrtare e papunësisë zbriti në 8.7% duke shënuar kufirin më të ulët historik në 5 vitet e fundit. Ky është një tregues shumë optimist i cili konfirmon ecurinë pozitive të ekonomisë në vend. /j.p/

The post Programi buxhetor afatmesëm 2026-2028, rritje ekonomike afër 4% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nxitje investimeve, AIDA bashkëpunim me Agjencisë Kombëtare të Investimeve të Kirgistanit.

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Drejtoresha ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve Laura Saro mirëpriti në Tiranë, në një takim zyrtar ambasadorin e Kirgistanit në Turqi, Ruslan Kazakbaev.

Saro, tha se në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh për rritjen e investimeve në Shqipëri dhe mbështetjen e sipërmarrjeve të dy vendeve.

Gjatë bisedimeve, u ra dakord për një bashkëpunim të drejtpërdrejtë ndërmjet Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe Agjencisë Kombëtare të Investimeve të Kirgistanit.

Palët theksuan angazhimin për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta si forume biznesi dhe vizita reciproke të sipërmarrësve, me qëllim promovimin e mundësive investuese në Shqipëri.

Saro vuri në dukje se një element kyç gjatë këtij takimi, ishte edhe shpërndarja e informacionit për sektorët strategjikë dhe lehtësitë e ofruara në vendin tonë.

“Ky takim përfaqëson një hap konkret drejt zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike Shqipëri-Kirgistan, duke fokusuar në shkëmbimin praktik të mundësive dhe përvojave ndërmjet investitorëve të dy vendeve”, tha ajo. /j.p/

1 nga 3

The post Nxitje investimeve, AIDA bashkëpunim me Agjencisë Kombëtare të Investimeve të Kirgistanit. appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema Kombëtare 2025, mbështetje për sistemet e ujitjes në pemëtore, ullishta apo vreshta

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Qeveria ka shtuar masat e mbështetjes për fermerët dhe bujqësinë përmes Skemës Kombëtare 2025.

Vendimi i Qeverisë është botuar në Fletoren Zyrtare dhe parashtron mbështetje financimi për sistemet e ujitjes në pemëtore, ullishta apo vreshta; 30% financim paraparak të fermerëve nëse jepet garacia nga një kompani sigurimi apo bankë dhe mbulim të investimit deri në 15 milionë lekë për ha tokë në shtimin e sipërfaqeve me serra diellore për kultivimin e perimeve, luleshtrydheve dhe rrushit.

Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim bëhen disa shtesa.

Mbështetja e investimeve për rritjen e kapaciteteve prodhuese në ferma, përpunimin/tregtimin e produkteve bujqësore, si dhe zhvillimin e agroturizmit dhe të akuakulturës.

Përfituesve të financimit nga masat e mbështetjes së investimeve pas lidhjes së kontratës u paguhet paraprakisht deri në 30% të masës së financimit të kontraktuar, kundrejt garancisë së pagesës së lëshuar nga shoqëri sigurimi dhe/ose banka.

Mbështetje për investime për: ndërtimin e serrave diellore të reja për perime, luleshtrydhe dhe rrush tavoline, përfshirë edhe instalimin e sistemit të ujitjes, me sipërfaqe minimale 0.2 ha dhe sipërfaqe maksimale 2 ha.

Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se: 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë/ha për serrat e prodhimit të perimeve;  8 000 000 (tetë milionë) lekë/ha për serrat e prodhimit të rrushit për tavolinë; 4 000 000 (katër milionë) lekë/ha për serrat (tunelet plastike) të prodhimit të luleshtrydheve.

Për mbjelljet e reja të pemëve frutore, ullinjve, agrumeve dhe vreshtave, financimi bëhet për sipërfaqe jo më pak se 0,5 ha dhe jo më shumë se 10 ha. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 800 000 (tetëqind mijë) lekë/ha.

Sipas vendimit, përfitojnë pagesë shtesë fermerët që instalojnë sistemet e ujitjes me pika.

Masa e përfitimit është në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha.

Rrjeta për mbrojtjen e prodhimit nga breshëri në blloqet ekzistuese me pemë frutore, agrume dhe vreshta. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë/ha. Financimi të bëhet për sipërfaqe jo më pak se 1 ha dhe jo më shumë se 5 ha.

Sistemet e ujitjes me pika në pemëtore, ullishte, agrume dhe vreshta ekzistuese. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 250 000 lekë/ha. Financimi të bëhet për sipërfaqe jo më pak se 1 ha dhe jo më shumë se 10 ha.

Ndërtimin e ambienteve të reja për mbarështimin e kafshëve dhe të stabilimenteve për rritjen e shpendëve, përfshirë pajisjet/sistemet e nevojshme, me kapacitet jo më pak se 10 lopë, jo më pak se 100 të imëta, jo më pak se 10 dosa dhe jo më pak se 10 000 shpendë.

Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 15 000 000 lekë për subjekt. Mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në fermat bujqësore e blegtorale. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5 000 000 lekë për subjekt. Linja/makineri/pajisje për përpunimin, seleksionimin, paketimin dhe etiketimin e perimeve, frutave, rrushit dhe verës, ullirit dhe vajit të ullirit në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 7 500 000  lekë për subjekt. Investime në agroturizëm me një masë përfitimi në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë 15 000 000 lekë për subjekt. Akuakulturën detare për koshat e rritjes së peshkut (vetëm për koshat dhe rrjetat). Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 15 000 000 lekë për subjekt.

Fondi total për mbështetje për investime të jetë në vlerën 2 miliardë lekë dhe të përdoret për vitin 2025 deri në 537,8 milionë lekë të akorduara në programin buxhetor, “Zhvillimi rural duke mbështetur prodhimin bujqësor, blegtoral, agroindustrinë dhe marketingun”, në shpenzime korrente, duke vijuar plotësimin e vlerës së plotë në buxhetin e vitit 2026, si pjesë e PBA-së 2026–2028. /j.p/

The post Skema Kombëtare 2025, mbështetje për sistemet e ujitjes në pemëtore, ullishta apo vreshta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuç, Via Ferrata e parë në Shqipëri është tashmë realitet

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Një ide që nisi nga Platforma e Inovacionit në Turizëm (TIP), u kthye në një atraksion të ri të turizmit aventurë, në një nga zonat më të paprekura të vendit.

Falë propozimit fitues të dy guidave të rinj nga zona e Lumit të Vlorës dhe me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvilimit, Giz Albania, dhe Bashkisë Himarë, Kuçi sot përmes Via Ferrata, ofron një eksperiencë unike që bashkon sportin, natyrën dhe zhvillimin e qëndrueshëm lokal.

150 metrat e parë të këtij shtegu janë financuar nga GIZ, kurse financimi i mëtejmë i FSHZH do të mbulojë dhe 200 metrat e tjera.

Projekti i GIZ, ndau sot në rrjete sociale pamje nga Via Ferrata, që frekuentohet nga turistë të shumtë të apasionuar pas hikung-ut.

Ky shteg nuk është thjesht një ngjitje, por është një hap përpara për turizmin aventurë në jug të Shqipërisë dhe vlerë e shtuar për ekonominë lokale. /j.p/

 

The post Kuç, Via Ferrata e parë në Shqipëri është tashmë realitet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌