Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 August 2025Main stream

Teksas/ Republikanët urdhërojnë arrestimin e dhjetëra ligjvënësve demokratë që braktisën shtetin

By: Rovena
5 August 2025 at 15:38

Partia Republikane në Teksas ka votuar për lëshimin e urdhrave të arrestit ndaj dhjetëra ligjvënësve demokratë, të cilët janë larguar nga shteti për të penguar një projektligj që synon rishikimin e kufijve të zonave elektorale.

Guvernatori republikan i Teksasit, Greg Abbott, ka urdhëruar trupat e policisë shtetërore “të gjejnë, arrestojnë dhe të rikthejnë në sallën e Dhomës çdo anëtar që ka braktisur detyrën ndaj qytetarëve të Teksasit”.

Abbott ka kërcënuar gjithashtu se do të ngrejë akuza për ryshfet ndaj ligjvënësve demokratë që mund të kërkojnë fonde publike për të mbuluar gjobën ditore që u vendoset për bojkotimin e Dhomës. Çdo ligjvënës i munguar gjobitet me 500 dollarë në ditë.

Plani për të rishkruar hartën elektorale pritet të shtojë pesë zona të reja me prirje republikane në Dhomën e Përfaqësuesve në Uashington DC, ku republikanët aktualisht kanë një shumicë të ngushtë.

Për të zhvilluar një votim, në Dhomën me 150 anëtarë të legjislaturës së Teksasit kërkohet prania e dy të tretave të anëtarëve. Ky kuorum u bë i pamundur pasi më shumë se 50 ligjvënës demokratë u larguan nga shteti.

Shumica e demokratëve janë zhvendosur në Illinois, ku guvernatori i këtij shteti, JB Pritzker, deklaroi se “do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur secilin prej tyre”, duke iu referuar kërcënimeve për arrest nga guvernatori Abbott.

Demokratët janë shprehur se synojnë të qëndrojnë jashtë Teksasit për dy javë, deri në përfundimin e seancës së posaçme legjislative. Megjithatë, votimi për lëshimin e urdhrave të arrestit ka qenë kryesisht simbolik, pasi urdhrat vlejnë vetëm brenda territorit të Teksasit.

Ky vendim i jep kompetenca zyrtarit të sigurisë së Dhomës dhe policisë shtetërore për të arrestuar ligjvënësit mungesë dhe për t’i sjellë në ndërtesën e Kuvendit në Austin. Ligjvënësit nuk përballen me ndonjë akuzë civile apo penale për shkak të këtyre urdhrave.

Ligjvënësi demokrat nga Teksasi, Ron Reynolds, deklaroi për BBC nga Çikago se kërcënimi për arrestim është “asgjë më shumë se një taktikë frikësuese”.

Guvernatori Abbott ka paralajmëruar se ligjvënësit që refuzojnë të kthehen mund të përballen me akuza penale. “Do të konsiderohej ryshfet nëse ndonjë ligjvënës do të merrte para për të vepruar ose për të mos vepruar në kuadër të legjislaturës”, deklaroi ai për Fox News.

Abbott shtoi se sipas disa raportimeve, ligjvënësit demokratë kanë kërkuar dhe ofruar para për të shmangur votimin dhe për të ndërmarrë veprime politike, gjë që, sipas tij, përbën ryshfet.

Ligjvënësi republikan i Teksasit, Brian Harrison, kritikoi demokratët për pretendimet se rishikimi i hartës po bëhet mbi baza racore. “E pabesueshme, cinike, e pandershme, një marrëzi e plotë,” u shpreh ai për BBC.

Sipas Harrison, “këta demokratë duhet të arrestohen” dhe të përballen me “masa të tjera ndëshkuese”./abcnews.al

BE pezullon tarifat hakmarrëse pas marrëveshjes tregtare me Trump

By: Rovena
5 August 2025 at 15:15

Bashkimi Evropian njoftoi më 5 gusht për pezullimin e tarifave hakmarrëse ndaj mallrave amerikane në vlerë prej 93 miliardë eurosh, pasi Brukseli arriti një marrëveshje me Uashingtonin muajin e kaluar.

“Komisioni Evropian ka miratuar sot procedurat e nevojshme ligjore për të pezulluar zbatimin e kundërmasave tona, të cilat pritej të hynin në fuqi më 7 gusht”, tha zëdhënësi për tregti i BE-së, Olof Gill.

Komisioni Evropian, i cili është përgjegjës për politikat tregtare të bllokut prej 27 shtetesh, kishte përgatitur një listë me mallra amerikane që do të goditeshin me tarifa nëse bisedimet me Shtetet e Bashkuara nuk do të rezultonin me marrëveshje.

Kundërmasat e BE-së kishin në shënjestër një sërë eksportesh amerikane, nga soja deri tek aeroplanët, makinat e uiski.

Por, presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, arriti një marrëveshje kornizë me presidentin amerikan, Donald Trump, më 27 korrik, teksa afati i 1 gushtit për vendosjen e tarifave të larta po afrohej.Pas arritjes së marrëveshjes, eksportet e BE-së pritet të përballen me tarifa gjithëpërfshirëse prej 15 për qind që nga data 8 gusht më të larta se taksat doganore para se Trump të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë, por më të ulëta se tarifat prej 30 për qind, që presidenti amerikan kishte kërcënuar se do të vendoste.

NASA planifikon ndërtimin e një reaktori bërthamor në Hënë deri në vitin 2030

By: Rovena
5 August 2025 at 15:12

NASA ka njoftuar përshpejtimin e planeve për ndërtimin e një reaktori bërthamor në Hënë brenda vitit 2030, si pjesë e strategjisë së saj për të krijuar një bazë të përhershme njerëzore në sipërfaqen hënore. Lajmi vjen në një kohë kur gara hapësinore ndërkombëtare mes SHBA-ve, Kinës, Rusisë dhe vendeve të tjera po intensifikohet.

Drejtuesi i përkohshëm i NASA-s, Sean Duffy, i emëruar nga administrata e ish-presidentit Trump, e konsideroi projektin si të domosdoshëm për zhvillimin e ekonomisë hënore, për energjinë e ardhshme në Mars dhe për të forcuar sigurinë kombëtare amerikane në hapësirë. Ai u bëri thirrje kompanive private të paraqesin propozime për ndërtimin e një reaktori që të prodhojë të paktën 100 kilovat energji mjaftueshëm për një bazë të vogël, por shumë më pak se burimet tokësore të energjisë.

Ekspertët theksojnë se energjia bërthamore është mënyra më e besueshme për të siguruar furnizim të pandërprerë me energji në Hënë, për shkak të kushteve të vështira diellore: një ditë hënore zgjat rreth 28 ditë tokësore, me dy javë errësirë të plotë që e bëjnë të pamjaftueshme energjinë diellore.

Megjithatë, ka skepticizëm në lidhje me realizueshmërinë e këtij projekti. Shkurtimet e thella buxhetore në NASA përfshirë reduktimin me 24% të fondeve për vitin 2026 dhe pezullimin e disa programeve të rëndësishme shkencore vënë në dyshim aftësinë e agjencisë për të zbatuar këtë objektiv ambicioz. Ndërkohë, disa shkencëtarë paralajmërojnë se motivimet janë më shumë politike sesa shkencore, dhe mund të nxisin tensione të panevojshme ndërkombëtare.

Në maj të këtij viti, Kina dhe Rusia shpallën planet për ndërtimin e një stacioni bërthamor të automatizuar në Hënë deri në vitin 2035. Sipas ekspertëve, ndërtimi i bazave bërthamore mund të çojë në pretendime për “zona sigurie” përreth tyre, çka mund të përkthehet në pretendime të heshtura për pronësi në sipërfaqen hënore – diçka që bie ndesh me frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar të parashikuar nga marrëveshja e Artemis-it, e nënshkruar në vitin 2020 nga disa vende, përfshirë SHBA-në.

Programi Artemis 3 i NASA-s, që synon të dërgojë njerëz në Hënë në vitin 2027, ka hasur në vonesa dhe pasiguri financiare. Shkencëtarët paralajmërojnë se ndërtimi i një reaktori nuk ka kuptim nëse nuk sigurohet më parë dërgimi i ekuipazheve dhe pajisjeve të nevojshme.

Në këtë kontekst, projektet për energjinë bërthamore në Hënë vlerësohen si një hap i madh, por me sfida të mëdha teknike, politike dhe financiare përpara se të mund të bëhen realitet./abcnews.al

“Torra Veneciane” tërheq turistët/ Durrës, në shtatë muaj vizitohet nga 6500 të huaj

By: Rovena
5 August 2025 at 14:57

“Torra Veneciane” është një prej monumenteve më të vizituara në Durrës. Rreth 6500 turistë nga shtete të ndryshme e vizituan nga janari në korrik të këtij viti.

E kthyer në qendrën e interpretimit të  trashëgimisë kulturore  përmes programit teknologjik objekti  krijon përshtypje të veçantë tek të huajt.

Pritshmëritë janë për shtim të numrit të vizitorëve me freskimin e motit.

Durrësi është kthyer në një pikë referimi për turistët që dëshirojnë të kombinojnë plazhin me eksplorimin e historisë së pasur të Shqipërisë./abcnews.al

Digjet Kalifornia/ Tre persona të lënduar nga zjarret, shkrumbohen 29 mijë hektarë

By: Rovena
5 August 2025 at 14:51

Mbi 1000 forca zjarrfikëse po luftojnë me flakët që kanë përfshirë Kaliforninë Qendrore në Shtetet e Bashkuara duke kërcënuar qindra banesa dhe duke detyruar evakuimin e mijëra banorëve.

Sipas të dhënave të fundit flakët kanë shkrumbuar mbi 29 mijë hektarë zone të pyllëzuar si dhe zona të banuara, ndërsa vetëm 5% e zjarrit është vënë nën kontroll sipas asaj që ka deklaruar agjencia Shtetërore e Zjarrfikëseve Call Fire.

Të paktën 3 persona kanë mbetur të plagosur nga zjarri, ku mes tyre një shofer që u dogj nga flakët e automjetit të tij dhe dy punonjës të forcave zjarrfikëse.

Zjarri i quajtur “Gifford Fire” shpërtheu mbrëmjen e të premtes përgjatë autostradës 166 mes Santa Marias dhe Bakersfield.

Më shumë se 450 struktura përfshirë shtëpi dhe biznese vijojnë të jenë nën kërcënimin e flakëve duke përfshirë edhe veriun e Los Angeles.

Ndihma nga ajri ka qenë e kufizuar për shkak të tymit të dendur, por autoritetet kanë përdorur teknologji infra të kuqe për të monitoruar përhapjen e zjarrit. Erërat e forta me shpejtësi deri ne 40 kilometra në orë kanë përkeqësuar përhapjen e zjarrit. Autoritetet Amerikane kanë nisur hetimet pas dyshimeve se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.

Kalifornia pritet të goditet nga një vale tjetër e të nxehtit me temperatura mbi 40 gradë celsius këtë të mërkurë, vale kjo e cila do të shtojë rrezikun për zjarre./abcnews.al

Hekurudha Durrës-Rrogozhinë/ BERZH miraton huanë 30 milionë euro, pjesë e korridorit 8

By: Rovena
5 August 2025 at 14:43

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim  do të mbështesë ndërtimin dhe elektrifikim e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë. Me anë të një njoftimi në faqen zyrtare ky institucion ka bërë me dije se ka aprovuar kredinë me vlerë 30 milionë euro. Këto fonde do të përdoren për rehabilitimin e hekurudhës Durrës – Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII.

Kjo hua  plotëson një kredi sovrane prej 30 milionë eurosh nga BEI dhe 60 milionë euro grante investimi dhe asistence teknike nga BE përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor, të cilat u nënshkruan në fillim të këtij viti. Në total fondi për ndërhyrjen në këtë segment hekurudhor është mbi 120 milionë euro.

Projekti strategjik parashikon që  të rehabilitojë dhe elektrifikojë afërsisht 34 km hekurudhë midis qytetit portual të Durrësit dhe Rrogozhinës në Shqipëri, duke përfshirë rindërtimin e ndërtesave të stacioneve. Pas realizimit të këtij investimi, trenat do të mund të udhëtojnë me shpejtësi deri në 120 km/h. Ai shënon një hap të rëndësishëm  në përpjekjet e Shqipërisë për të modernizuar rrjetin e saj hekurudhor, për të përmirësuar lidhjen rajonale dhe për t’u përshtatur me standardet e transportit dhe mjedisit të BE-së.

BERZH bëri me dije se së bashku me Bashkimin Evropian, po mbështesin projektin e tyre të tretë të madh hekurudhor në Shqipëri. Kjo, pas linjave Tiranë – Durrës – Rinas dhe Vorë – Hani i Hotit.

Realizimi i projekteve hekurudhore pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme mjedisore duke zhvendosur trafikun e mallrave dhe pasagjerëve nga rruga në hekurudhë, duke ulur emetimet e karbonit dhe duke mbështetur tranzicionin e gjelbër të Shqipërisë.

Fermerët e Fierit djegin mbetjet e të mbjellave/ Zjarri del jashtë kontrolli, fshati Daullas mbulohet nga tymi

By: Rovena
5 August 2025 at 14:32

Djegia e mbetjeve te të mbjellave në afërsi të fshatit Daullas nga fermerët ka dale jashtë kontrollit duke mbuluar zonën me tym të dendur.

Zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e flakëve që kanë prekur një sipërfaqe të konsiderueshme në dy anët e by-bassit të Fierit.

Irani arreston tre persona të lidhur me organizatën e Muxhahedinëve

By: Rovena
5 August 2025 at 13:57

Irani ka arrestuar tre persona që dyshohet se janë pjesë e një celule sabotuese, të lidhur me opozitën në mërgim. Ata u arrestuan për prishje të rendit publik, raportuan mediat iraniane më 5 gusht.

Të dyshuarit, që pretendohet se janë të lidhur me grupin e ndaluar Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), u arrestuan nga Garda Revolucionare në Pakdasht, në juglindje të Teheranit, raportoi agjencia iraniane e lajmeve, ISNA.

“Tre anëtarë të celulave sabotuese të lidhura me MEK-un, të cilët synonin të prishnin rendin dhe sigurinë publike, u identifikuan dhe u arrestuan”, tha për ISNA, prokurori Mohammad Hassanpour.

Ai e akuzoi MEK-in se po përdorë rrjete të fshehta të propagandës për të rekrutuar individë në mënyrë që të formohen “celula sabotuese”, të cilat, sipas tij, synojnë prishjen e rendit publik.

Prokurori shtoi se forcat iraniane të sigurisë e kanë shkatërruar celulën dhe kanë arrestuar të gjithë anëtarët e saj. Ata, tha Hassanpour, do t’i nënshtrohen një “metode speciale të marrjes në pyetje” dhe hetimi për këtë rast do të vazhdojë.

Arrestimi i tyre vjen pas ekzekutimit në fund të muajit të kaluar të dy personave të dyshuar si anëtarë të kamotshëm të këtij grupi.

Ata, sipas autoriteteve iraniane, u gjetën fajtor për prodhimin e mortajave artizanale për të sulmuar civilët, shtëpitë dhe institucionet publike.

Në javët e fundit, udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, e ka akuzuar këtë grup se po përpiqet të nxisë “trazira” me synim rrëzimin e sistemit gjatë sulmit të Izraelit më 13 qershor, i cili shkaktoi një luftë 12-ditore me Iranin. I themeluar në vitet 1960 për të kundërshtuar shahun e mbështetur nga Perëndimi, MEK u shpall i jashtëligjshëm pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, për shkak se luftoi përkrah trupave të Saddam Husseinit në luftën Iran-Irak.

Më 1986, MEK-u u shpërngul në Irak. Grupi u çarmatos nga një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara pas pushtimit të Irakut në vitin 2003.

Tani, ky grup tani avokon për ndryshimin e sistemit në Iran nga jashtë vendit.

Ndërkaq, që nga viti 2013, mijëra pjesëtarë të MEK-ut janë strehuar, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara.

Borxhet ndaj ujësjellësit/ Vlorë, Task-Forcë për verifikimin e detyrimeve të pashlyera

By: Rovena
5 August 2025 at 13:18

Në Vlorë një Task-Forcë e  posaçme është ngritur për të  verifikuar bizneset që kanë detyrime të pashlyera ndaj ujësjellësit.

Grupet e punës kanë nisur aksionin  përgjatë bregdetit për të vijuar më pas dhe në lagjet e tjera të qytetit.

Debitorëve do t’u jepet mundësia  të paguajnë  detyrimet  me këste pas nënshkrimit  të marrëveshjes  me  ujësjellës kanalizimet.

Autoritetet  ftojnë  konsumatorët të mos rrisin debinë pasi pagesat sipas tyre ndikojnë  në  investime dhe përmirësim të shërbimit.

Taks forca do të vijojë verifikimet në terren  përgjatë të gjithë gushtit, pas bizneseve dhe tek familjet./abcnews.al

“Rusiagate, komplot i demokratëve”/ SHBA, prokurorja e përgjithshme urdhëron hapjen e hetimeve për akuzat

By: Rovena
5 August 2025 at 12:57

Prokurorja e Përgjithshme amerikane Pam Bondi ka urdhëruar prokurorët e Departamentit Amerikan të Drejtësisë që të hapin procedura ligjore mbi akuzat e bëra më herët nga kundërshtarët politikë të Trump, të cilët kanë akuzuar presidentin aktual se në fitoren e tij të parë në vitin 2016 kishte bashkëpunuar me Rusinë për të siguruar marrjen e Shtëpisë së Bardhë.

Prokurorët amerikanë do t’i paraqesin prova një jurie të madhe me përpjekjet e rivalëve politik demokrat me synimin për komplot ndaj Presidentit Donald Trump. Pas dorëzimit të këtyre provave, Juria do të vendosë nëse do të ngrejë akuza penale. Ende nuk dihet se kush janë zyrtarët që do të preken nga këto hetime. Trump, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 kundër Hillary Clinton, ka akuzuar prej vitesh kundërshtarët e tij për një fushatë shpifjesh lidhur me të ashtuquajturën “Russiagate”.

Muajin e kaluar, Drejtoresha Kombëtare e Inteligjencës, Tulsi Gabbard, akuzoi ish-presidentin Barack Obama dhe ekipin e tij të sigurisë kombëtare për një “grusht shteti të vazhdueshëm” kundër Trump. Ajo pretendoi se administrata Obama politizoi informacionet për ndërhyrjen ruse për ta lidhur në mënyrë të rreme Trump-in me Moskën. Trump reagoi duke e akuzuar Obamën për “tradhti”, gjë që u cilësua si “absurde” nga një zëdhënës i Obamës. Ndërkohë, demokratët theksuan se pretendimet e Gabbard nuk e rrëzojnë vlerësimin e inteligjencës amerikane të janarit 2017, i cili arriti në përfundimin se Rusia kishte synuar të dëmtonte fushatën e Clinton dhe të ndihmonte atë të Trump. Një raport dypartiak i Senatit në vitin 2020 po ashtu konfirmoi përpjekjet e Rusisë për të ndihmuar Trump-in.

Sipas Fox Neës, ish-drejtori i CIA-s John Brennan dhe ish-drejtori i FBI-së James Comey janë nën hetim penal për lidhje me hetimin fillestar për Trump dhe Rusinë. Të dy i mohojnë akuzat dhe thonë se Trump po abuzon me drejtësinë për qëllime politike. Gjysma e mandatit të parë të Trump-it u dominua nga hetimi i prokurorit special Robert Mueller, i cili konkludoi në vitin 2019 se nuk kishte prova që Trump apo fushata e tij kishin bashkëpunuar me Kremlinin. Askush nuk u akuzua për këtë.

Debati për Russiagate u rizgjua javën e kaluar kur një aneks i një hetimi tjetër nga Departamenti i Drejtësisë, i udhëhequr nga Prokurori i Posaçëm John Durham, u deklasifikua. Në të përmendet një dokument i marsit 2016 që sugjeron se Hillary Clinton mund të ketë aprovuar një plan për ta paraqitur Trump-in si agjent rus. Po ashtu, citohet një e-mail i dyshimtë i mundësuar nga hakerë të lidhur me inteligjencën ruse, i cili sugjeron se fushata Clinton kishte qëllim afatgjatë për të paraqitur Donald Trump dhe Presidentin Rus Vladimir Putin si dy figura qe bashkepunonin se bashku.

Durham thekson se nuk ka prova se FBI ka qenë pjesë e këtij plani, megjithatë, hetimi ngre pikëpyetje për bazën e fillimit të hetimit ndaj Trump në vitin 2016. Ai po ashtu vuri në dukje se hetimi fillestar i FBI-së ishte i mangët dhe i bazuar në të dhëna të paprovuara. Zyrtarët amerikanë e kanë konfirmuar ndërhyrjen ruse në zgjedhje përmes rrjeteve sociale dhe sulmeve kibernetike ndaj e-mail-ve të demokratëve, por konkluduan se ndikimi në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve ishte i kufizuar. Hetimi i ri mund të trazojë sërish ujërat në politikën amerikane, me ndikim të madh në debatin për zgjedhjet e ardhshme presidenciale./abcnews.al

Bombardues rusë pranë Europës/ Putin i kundërpërgjigjet Trump, i zhvendos nga Arktiku

By: Rovena
5 August 2025 at 12:48

Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar zhvendosjen e të paktën katër bombarduesve të rëndë bërthamor Tu-95MS më pranë kufirit europian mbrëmjen e të hënës sipas asaj që raportoi media investigative ukrainase Insider UA.

Këto avionë bombardues janë përdorur rregullisht për të kryer sulme ajrore në Ukrainë ndërsa janë të pajisur me raketa me rreze të gjatë veprimi, përfshirë raketat e lundrimit dhe raketat bërthamore duke sjellë kështu një probabilitet për kryerjen e një sulmi të afërt.

Ky vendim i Presidentit Rus Vladimir Putin vjen si një kundërpërgjigje ndaj Presidentit Amerikan Donald Trump, i cili zhvendosi dy nga nëndetëset bërthamore Amerikane pranë Rusisë pas përshkallëzimit të retorikës bërthamore nga ish presidenti Rus Dimitry Medvedev.

Bombarduesit bërthamor rusë Tu-95MS ishin zhvendosur fillimisht nga baza ajrore Olenya në rajonin arktik të Murmanskut pas një sulmi të guximshëm me dron nga Ukraina në 1 qershor. Më pas, për shkak të frikës nga sulme të tjera, ata u transferuan në bazën Ukraina në rajonin Amur, 5,900 kilometra në lindje të Moskës, ku konsideroheshin të sigurt nga goditjet ukrainase.

Megjithatë, Insider UA raporton se disa prej këtyre avionëve janë rikthyer në bazat më pranë Evropës, si Olenya dhe Engels-2 brenda Rusisë. Disa prej tyre janë tashmë të pajisur me raketa lundrimi. Këta bombardues janë pjesë e arsenalit bërthamor të Rusisë, por shpesh përdoren edhe për sulme me armë konvencionale ndaj Ukrainës.

Lëvizja e bombarduesve ajror Rus vjen në javën që konsiderohet kyçe për diplomacinë Amerikane, pasi i dërguari i posaçëm i Donald Trump, Steve Witkoff, pritet të mbërrijë në Moskë të mërkurën. Vizita e tij paraprin vendosjen e sanksioneve të reja amerikane ndaj Kremlinit, në rast se Rusia nuk ndërmerr hapa konkrete drejt një armëpushimi në Ukrainë dhe rifillimit të bisedimeve për t’i dhënë fund luftës në Europën Lindore./abcnews.al

 

Të ulen shpenzimet mujore për refugjatët ukrainas?

By: Rovena
5 August 2025 at 11:45

Në Gjermani, që nga qershori i vitit 2022, refugjatët ukrainas kanë marrë automatikisht ndihmat sociale si të gjithë gjermanët, të ashtuquajturin Bürgergeld. Këto ndihma mujore për personat e papunë është 563 euro në muaj.

Kjo i dallonte ukrainasit nga azilkërkuesit e tjerë që marrin 460 euro në muaj dhe jetojnë në qendra ose strehimore me infrastrukturë të përbashkët (vetëm në raste të rralla mund t’u jepet leje për t’u zhvendosur në një apartament privat).

Këto ndihma të plota jepen për një periudhë 6 muajore, pas së cilës mund të zvogëloheshin nëse përfituesi nuk tregonte përparim në gjetjen e një pune ose të ardhurash. Ky rregull vlen edhe për shumën mujore të destinuar për azilkërkuesit ukrainas.

Sipas marrëveshjes së koalicionit midis kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve, refugjatët ukrainas që erdhën në Gjermani pas 1 prillit 2025, nuk kanë më të drejtë për këto ndihma, por në vend të kësaj marrin kompensim si azilkërkues. Sa para jepen për ukrainasit?Fotografi: Micha Korb/picture alliance/dpa

Kryeministri bavarez dhe kreu i CSU-së Markus Söder, në një intervistë me shërbimin publik ZDF, kërkoi që shuma më e ulët tani t’u jepet edhe atyre refugjatëve ukrainas që erdhën në Gjermani para 1 prillit të këtij viti.

Shpenzime të larta shtetërore

Duke shpjeguar iniciativën e tij, Söder tha, se “nuk ka vend në botë” që i trajton refugjatët ukrainas siç i trajton Gjermania kur bëhet fjalë për të ardhurat e shërbimit civil. Kjo është, sipas tij, një nga arsyet pse, siç e tha ai, “kaq pak njerëz nga Ukraina punojnë” në Gjermani, edhe pse kanë kualifikime të mira.

Agjencia Federale e Punësimit raporton se rreth një e treta e refugjatëve ukrainas në Gjermani janë të punësuar.

Söder nuk vuri në dyshim përfitimet e tjera për refugjatët nga Ukraina. Për shembull, këta njerëz regjistrohen në Shërbimin e Punësimit menjëherë pas mbërritjes, njësoj si të gjithë emigrantët e tjerë të rregullt.

Nëse ata fillojnë trajnimin profesional (një trajnim klasik trevjeçar për një profesion), ai paguhet, si dhe kursi i integrimit që përfshin një kurs të gjuhës gjermane. Përveç trajnimit, shteti mbulon edhe kostot e transportit, librave ose materialeve, si dhe kujdesin për fëmijët.

Sipas një vlerësimi të përafërt, shteti gjerman paguan midis 1,700 dhe 2,000 euro në muaj për një refugjat nga Ukraina.

Në vitin 2024, në Gjermani kishte rreth 5.5 milionë njerëz që merrnin ndihma të tilla, përfshirë fëmijë dhe të rinj. Nga këta, 47 përqind – pak më shumë se 2.5 milionë vetë – nuk kanë pasaportë gjermane., E rreth 700,000 deri në 800,000 janë ukrainas.

Kostot e sigurimeve shoqërore janë rritur vitet e fundit: Gjermania ndau rreth katër miliardë euro më shumë vitin e kaluar sesa në vitin 2023 – një total prej 46.9 miliardë eurosh. Kjo përfaqëson një rritje prej mbi nëntë përqind.

Deri më tani, reagime të përziera, mbizotërojnë kritikat

Reagimet e para ndaj propozimit të Söder janë kritike. Ndër të parët që folën ishte ambasadori ukrainas në Gjermani, Oleksiy Makeyev. Ai i tha radios Deutschlandfunk se propozimi ishte i vështirë për t’u kuptuar dhe i padrejtë, duke shtuar se ishte “gabim t’i bësh refugjatët ukrainas kurban” për barrën e sistemit gjerman.

Pati reagime të përziera nga vetë kristiandemokratët. Për shembull, Michael Kretschmer, kreu i partisë në Saksoni, tha se paratë që shteti ndan për ndihma duhet të ulen dhe se kostot e larta nuk duhet të injorohen.

Kreu i Shoqatës së Punëtorëve Kristiandemokratë të Gjermanisë, e cila vepron brenda CDU-së, Denis Rathke, e kritikoi ashpër Söderin si një “populist” që dërgon mesazhe të panevojshme sensacionale për publikun. Ai beson se zbatimi i propozimit të Söderit do ta “bënte më të vështirë integrimin” e refugjatëve ukrainas në Gjermani./DW

Thirrjet antishqiptare, Presidentja e Maqedonisë së Veriut: Turpi bie mbi të gjithë ne

By: Rovena
5 August 2025 at 11:14

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, tha se terrenet sportive nuk duhet të përdoren për të përhapur gjuhë të urrejtjes e fyerje.

Ky reagim i Silanovska-Davkovas vjen pasi më 2 gusht në Kumanovë, gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë pati thirrje antishqiptare nga tifozët.

Ajo tha se për atë që ndodhi në Kumanovë gjatë fundjavës “turpi bie mbi të gjithë ne”.

Përmes një postimi në Facebook, presidentja maqedonase tha se reagimet e shumta për incidentin gjatë kësaj ngjarjeje sportive, që ishte në kuadër të parakualifikimeve për Kupën e Botës që do të mbahet në Katar më 2027, janë të justifikuara.

“Edhe për shkak të analfabetizmit tonë sportiv, për disa herë, me të drejtë nuk pushojnë reagimet për incidentin e tmerrshëm në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, ku disa tifozë të papërgjegjshëm qëlluan me ‘plumba urrejtjeje’ ndaj bashkëqytetarëve tanë shqiptarë, por na goditën të gjithëve, edhe veten, dhe jemi të turpëruar”, shkroi ajo.

Silanovska-Davkova kujtoi se në mes të korrikut kishte pasur fyerje raciste ndaj një futbollisti gjatë një ndeshjeje, duke shtuar se tifozët nuk nxorën mësimet e duhura nga kjo ngjarje.

“Loja nuk është betejë për jetë a vdekje, por një përballje kalorësiake drejt një fitoreje të merituar, që publiku pritet ta duartrokasë, ta mbështesë dhe ta inkurajojë jo të fyejë apo të lëndojë”, tha ajo, duke shtuar se të gjithë duhet të respektojnë kundërshtarin gjatë ndeshjeve.

“Më lejoni të ju kujtoj se turpi nuk bie vetëm mbi ata që lëndojnë me fjalët e tyre, sepse ata prekin jo vetëm ata që janë në sallën sportive, por edhe ata që i dëgjojnë dhe i shohin”, shtoi presidentja maqedonase.

Ajo u bëri thirrje tifozëve të sportit që të shmangin gjuhën e ashpër. Prokuroria Themelore në Kumanovë ka nisur hetime lidhur me elementet e një vepre të mundshme penale, që lidhet me thirrje që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, pas brohoritjeve antishqiptare të bëra nga persona të panjohur gjatë ndeshjes në Kumanovë.

Për këtë incident hetime ka nisur edhe Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA). Kjo federatë tha më 4 gusht për Radion Evropa e Lirë se dënon pa rezerva dhe me vendosmëri gjuhën e urrejtjes dhe çdo formë diskriminimi apo gjuhe raciste.

Sipas politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në turmën e tifozëve në ndeshjen e fazës së dytë parakualifikuese për Kupën e Botës që do të mbahet në Katar më 2027, janë dëgjuar thirrje si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma gazi për shqiptarët” dhe “Maqedoni e pastër”.

Incidenti ka shkaktuar reagime të shumta në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri.

Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut – ku shqiptarët përbëjnë gati një të katërtën e popullsisë prej 1.8 milionë banorësh – ndodheshin në sallë gjatë ndeshjes. Në mesin e tyre ishte edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili dy ditë pas ndeshjes dënoi “thirrjet nacionaliste dhe ksenofobike”.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se thirrjet antishqiptare të dëgjuara në Kumanovë janë të papranueshme dhe “cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë”.

Ajo kërkoi që shteti maqedonas të veprojë dhe të ndëshkojë ata që nxisin urrejtje. Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut parasheh dënime për thirrjet raciste dhe gjuhën e urrejtjes në disa nene, ndërsa më i rëndësishmi është neni 319, i cili parashikon se kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje apo jotolerancë mbi baza racore, fetare, etnike apo kombëtare, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

U godit nga rrufeja kur po ruante bagëtitë, humb jetën 47-vjeçari në Pogradec

By: Rovena
5 August 2025 at 10:50

Një 47-vjeçar në Pogradec ka humbur jetën pasi është goditur nga rrufeja gjatë kohës që po ruante bagëtitë në fshatin Velçan të Pogradecit.

“Rreth orës 10:00, dyshohet se si pasojë e goditjes nga rrufeja, gjatë kohës që ruante bagëtitë në fshatin Velçan, ka humbur jetën shtetasi L. Ç., 47 vjeç (çoban). Gjithashtu, si pasojë kanë ngordhur rreth 20 krerë bagëti të imëta”, njofton policia.

Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes./abcnews.al

Kryeministri Rama ndan pamje nga Prekali dhe Ura e Shtrenjtë: Një copëz magjie në zemër të Shkodrës turistike

By: Rovena
5 August 2025 at 10:40

Kryeministri Edi Rama ka ndarë me ndjekësit e tij në Facebook disa foto nga Prekali dhe Ura e Shtrenjtë, një zonë me bukuri natyrore mbresëlënëse në qarkun e Shkodrës.

Në postimin e tij, Rama e përshkruan këtë vend si: “Një copëz magjie në zemër të Shkodrës turistike”, duke nxitur vëmendjen për potencialin turistik të kësaj zone malore.

Fotot e publikuara shfaqin natyrën e paprekur, lumin e kthjellët dhe urën karakteristike që lidh brigjet e thepisura të lumit, një destinacion gjithnjë e më i kërkuar nga vizitorët vendas dhe të huaj.

/abcnews.al 

Kishte kultivuar drogë në oborrin e banesës së tij/ Arrestohet 55-vjeçari në Lazarat

By: Rovena
5 August 2025 at 10:23

Një 55-vjeçar nga Lazarati ka rënë në prangat e policisë pasi kishte kultivuar lëndë narkotike në oborrin e banesës së tij. Policia sekuestroi një pjesë e vogël e bimëve. Pjesa tjetër asgjësohet nëpërmjet djegies.

Si rezultat i shtimit të kontrolleve të territorit, me dron, të cilat kanë objektiv parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, Komisariati i Policisë Gjirokastër evidentoi një rast në këtë fushë. Për këtë rast u vu në pranga shtetasi Xh. Ç., 55 vjeç, pasi dyshohet se kishte kultivuar disa bimë narkotike Cannabis Sativa, në oborrin e banesës së tij, në fshatin Lazarat.

Kontrollet në kuadër të planit operacional “Koordinata”, vijojnë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme./abcnews.al

Ora po troket në Moskë/ Ultimatumi i Trump dhe dilemat e Kremlinit në prag të një vendimi historik

By: Rovena
5 August 2025 at 09:32

Një afat i ri po afron dhe me të ndoshta edhe një kthesë vendimtare në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Ultimatumi i Donald Trump ndaj Kremlinit, i reduktuar nga 50 në vetëm 10 ditë pas sulmeve të fundit ajrore ruse në qytetet ukrainase, përfundon të premten. Sipas Andriy Yermak, shefit të stafit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, kjo javë mund të jetë vendimtare: “Bota ka një mundësi për t’i dhënë fund luftës,” shkruan ai në Washington Post.

Në këtë klimë të tensionuar, pritet të mbërrijë në Moskë emisari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, pas disa muajsh mungesë. Kthimi i tij përkon me një periudhë kur entuziazmi i Trump për ndërmjetësim është venitur, ndërsa bisedimet ruso-ukrainase të Stambollit kanë dështuar. Në këtë interval, Rusia ka reaguar me forcë ndaj presionit amerikan: bombardime masive në Kiev dhe retorikë sfiduese nga vetë presidenti Vladimir Putin.

Sidoqoftë, nga Kremlini po vijnë sinjale të kujdesshme që sugjerojnë hapjen e një dritareje për negociata. Zëdhënësi Dmitry Peskov ka lënë të kuptohet se një takim mes Putinit dhe Zelensky-t nuk përjashtohet, por vetëm nëse paraprihet nga një marrëveshje teknike mes ekipeve negociatore. Sipas Yermak, kjo është një taktikë klasike për të shtyrë vendimet, një përpjekje e Moskës për të fituar kohë.

Në prapaskenë, mbetet e paqartë nëse Putin ka marrë tashmë një vendim strategjik apo është ende në pritje të propozimit amerikan. Qëndrimi zyrtar i Rusisë për një marrëveshje paqeje nuk ka ndryshuar, por në qarqet politike të Moskës ka zëra që sugjerojnë gatishmëri për një kompromis.

Edhe figura të afërta me propagandën e Kremlinit, si Sergey Markov, kanë hedhur idenë e një “armëpushimi ajror”: ndalim i bombardimeve ndaj Ukrainës, i cili mund të paraqitet si një sukses për Trump, ndërsa Rusia do të siguronte lehtësimin e sulmeve me dronë ndaj infrastrukturës së saj energjetike.

Në një koment paralajmërues, presidenti çek Petr Pavel ka thënë se Ukraina mund të detyrohet të pranojë heqjen dorë nga disa territore të pushtuara, nëse kjo është e vetmja rrugë drejt mbijetesës së saj si shtet. Ai gjithsesi ka theksuar se Perëndimi nuk do ta njohë kurrë aneksimin e këtyre territoreve nga Rusia.

Për rrjedhojë, koncepti i një “ngrirjeje të konfliktit” po diskutohet gjithnjë e më seriozisht. Por mbetet sfida thelbësore: a mund të garantohet që kjo të mos shndërrohet në një periudhë pushimi për një agresion të ri rus? Skepticizmi ndaj sinqeritetit të Putinit është i fortë, veçanërisht ndërsa ai vijon të përsërisë narrativën se nuk po pushton, por “çliron” një territor që e konsideron “plotësisht tonin”.

Në të njëjtën kohë, gjestet e tij publike si vizitat në manastire apo puthjet e ikonave, shërbejnë për të ndërtuar imazhin e një lideri të pamëshirshëm dhe të vendosur, që nuk ndjen pendesë për luftën. “Putini nuk ka marsh prapa,” thonë ithtarët e tij, por kjo këmbëngulje mund të shndërrohet në dobësi, veçanërisht përballë realitetit të një ekonomie në vështirësi. Vetë guvernatorja e Bankës Qendrore, Elvira Nabiullina, ka pranuar se burimet financiare të Rusisë janë drejt shterimit.

Ndërkohë, nuk është më pak e vështirë të imagjinohet që Putin do të ulet në një tryezë me Zelensky-n, sesa të besohet që ai do të injorojë kërcënimin e një vale të re sanksionesh amerikane, sidomos kur Trump po e trajton gjithnjë e më shumë këtë konflikt si një “çështje të tijën”, duke iu kundërvënë strategjisë së Joe Biden-it.

Tensioni në Kremlin reflektohet gjithnjë e më shumë përmes shenjave të tërthorta. Peskov ka bërë thirrje për “retorikë të kujdesshme” kur bëhet fjalë për armët bërthamore, një distancim i dukshëm nga deklaratat alarmuese të ish-presidentit Dmitry Medvedev. Ndërkohë, reagimi i ashpër i diplomacisë ruse ndaj vendosjes së nëndetëseve amerikane me armë bërthamore pranë kufijve të saj është shoqëruar me kërcënime për tërheqje nga marrëveshjet për raketat me rreze të shkurtër dhe të mesme, marrëveshje që “de facto” janë zhbërë që në mandatin e parë të Trump-it, ndërkohë që Rusia ka përdorur tashmë raketa si Iskander dhe Oreshnik në Ukrainë.

Në këtë klimë të fragmentuar, Putin duket se po përpiqet të kuptojë se cilin kah duhet të ndjekë  “moderatorët” që këshillojnë kujdes, apo “skifterët” që kërkojnë përshkallëzim. Siç vëren analisti ukrainas Vitaly Portnikov, presidenti rus po vë bast për atë që Trump do të ndërmarrë sapo të përfundojë ultimatumi.

Një shenjë e paparashikueshmërisë së situatës është edhe kritika e fundit e Trump ndaj Indisë, të cilën e akuzoi se “nuk i intereson sa njerëz po vriten në Ukrainë”. Kjo deklaratë mund të ketë pasoja: katër rafineritë kryesore të Indisë kanë ndalur së fundmi blerjen e naftës ruse, dhe presioni amerikan mund ta orientojë New Delhi-n drejt një qëndrimi më të ashpër ndaj Moskës.

Ndërsa afati i ultimatiumit po mbyllet, vëmendja botërore është përqendruar në kryeqytetin rus. Nga Moska pritet të përcaktohet nëse bota do të përballet me një marrëveshje paqeje, një përshkallëzim tjetër të konfliktit, apo thjesht me fillimin e një kapitulli të ri të diplomacisë së tensionuar mes dy superfuqive botërore./abcnews.al

“Kafshë shtëpiake si ushqim për grabitqarët”, thirrja e pazakontë e një kopshti zoologjik në Danimarkë

By: Rovena
5 August 2025 at 09:09

Kopshti zoologjik në Aalborg të Danimarkës u ka bërë thirrje qytetarëve që të dhurojnë kafshët e tyre shtëpiake të shëndetshme, por të padëshiruara, për t’u përdorur si ushqim për grabitqarët që mbahen në këtë institucion.

Në njoftimin e bërë publikisht, kopshti zoologjik kërkon dhurimin e pulave, lepujve dhe kavieve të gjalla, të cilat më pas “eutanazohen në mënyrë të kujdesshme” nga stafi i trajnuar.

Gjithashtu, kopshti pranon edhe kuaj të gjallë, me kusht që kafshët të jenë të shëndetshme dhe të shoqëruara me pasaportën përkatëse. Donatorët e kuajve mund të përfitojnë edhe zbritje tatimore.

Në një postim në Instagram, Aalborg Zoo shpjegon se ka “përgjegjësi për të imituar zinxhirin natyror ushqimor të kafshëve”, duke theksuar se kafshët e vogla bujqësore “janë pjesë e rëndësishme e dietës së grabitqarëve”. Ushqimi i ofruar në këtë mënyrë është, sipas kopshtit zoologjik, i ngjashëm me atë që grabitqarët do të gjuanin natyrshëm në habitatin e tyre veçanërisht rasti i rrisit euroaziatik.

Ndër grabitqarët që mbahen në kopsht përfshihen edhe luanët dhe tigri. Kafshët e vogla mund të dhurohen gjatë ditëve të javës, deri në katër njësi në të njëjtën kohë, pa nevojën për takim paraprak.

Në faqen zyrtare të institucionit, nën një fotografi të një tigri që ha mish, jepen kushtet për dhurimin e kuajve. Ndër të tjera, theksohet se kuajt nuk duhet të kenë marrë trajtim mjekësor gjatë 30 ditëve të fundit.

Zëvendësdrejtoresha e kopshtit zoologjik, Pia Nielsen, tha në një deklaratë se kafshët mishngrënëse në Aalborg Zoo janë ushqyer prej vitesh me kafshë të vogla bujqësore.

“Kur mban kafshë mishngrënëse, është e nevojshme që t’u ofrosh mish mundësisht me qime, kocka etj, për t’ua bërë dietën sa më natyrale,” tha ajo. “Për këtë arsye, ka logjikë që kafshët që duhet të eutanazohen për arsye të ndryshme, të shfrytëzohen në këtë mënyrë.”

Sipas saj, praktika është e zakonshme në Danimarkë dhe shumë vizitorë dhe partnerë të kopshtit zoologjik e vlerësojnë mundësinë për të kontribuar në këtë formë./abcnews.al

 

❌
❌