Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 July 2025Main stream

BE i tërheq vërejtjen Gjeorgjisë për shkeljen e të drejtave themelore, paralajmëron pezullim të vizave

By: Rovena
16 July 2025 at 15:48

Komisioni Evropian ka paralajmëruar Qeverinë e Gjeorgjisë për atë që e cilëson si “shkelje serioze të të drejtave dhe lirive themelore”, duke e vënë në dijeni se mosrespektimi i vazhdueshëm i rekomandimeve të Bashkimit Evropian mund të çojë në pezullimin e udhëtimit pa viza për qytetarët gjeorgjianë.

Në një letër drejtuar ministres së Jashtme, Maka Botchorishvili, drejtoresha e Përgjithshme për Migracionin dhe Punët e Brendshme, Beate Gminder, iu referua gjetjeve të Raportit të Shtatë për Mekanizmin e Pezullimit të Vizave, i miratuar nga Komisioni në dhjetor të vitit 2024.

Raporti evidentoi shkelje nga ana e Gjeorgjisë, sidomos në lidhje me parimin e mosdiskriminimit dhe legjislacionin që bie ndesh me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Komisioni i bëri thirrje autoriteteve gjeorgjiane të shfuqizojnë Ligjin për “transparencën e ndikimit të huaj” dhe paketën legjislative për “vlerat familjare dhe mbrojtjen e të miturve”, si dhe të ndryshojnë strategjinë kombëtare për të drejtat e njeriut, për të garantuar plotësisht të drejtat e personave LGBTIQ. Rekomandime shtesë përfshijnë edhe ndryshimin e Ligjit për Byronë Kundër Korrupsionit për të garantuar pavarësinë efektive dhe neutralitetin politik të saj.

Për shkak të mungesës së veprimit nga ana e autoriteteve gjeorgjiane, BE-ja ka ndërmarrë tashmë hapa konkretë.

Në janar të vitit 2025, ajo pezulloi pjesërisht Marrëveshjen për Lehtësimin e Vizave dhe hoqi përjashtimin nga vizat për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit nga Gjeorgjia. Dymbëdhjetë shtete anëtare të BE-së tashmë kanë rikthyer kërkesat për viza për këto kategori, dhe pritet që të tjerat të ndjekin të njëjtën rrugë, sipas letrës.

Komisioni theksoi angazhimin e tij për të ruajtur marrëdhënie të forta dhe të bazuara në vlera me Gjeorgjinë, ndërsa i kërkoi qeverisë të raportojë për zbatimin e rekomandimeve deri në fund të muajit gusht.

“Besojmë se autoritetet gjeorgjiane do të përgjigjen në mënyrë konstruktive dhe do të ndërmarrin masat e nevojshme për të zbatuar plotësisht rekomandimet e Komisionit”, thuhet në letër, duke paralajmëruar se mospërmbushja e vazhdueshme mund të çojë në aktivizimin e mekanizmit të pezullimit të vizave, sipas nenit 8 të Rregullores së rishikuar për Vizat.

Kryeministri i qeverisë së udhëhequr nga partia Ëndrra Gjeorgjiane, Irakli Kobakhidze, e ka cilësuar deklaratën e BE-së për mundësinë e anulimit të liberalizimit të vizave si “shantazh” dhe “kërcënim”.

“Shoqëria duhet të gjykojë vetë se cilat janë qëllimet e zyrtarëve të caktuar evropianë, përfshirë ata të lëvizjes kombëtare kolektive, të cilët duan të rikthejnë në pushtet njerëzit që ndërtuan regjimin e përgjakshëm… Në sytë e shoqërisë gjeorgjiane, besimi në burokracinë evropiane dhe, fatkeqësisht, edhe në vetë Bashkimin Evropian, është tronditur seriozisht.”

“Duhet bërë gjithçka për ta kthyer këtë proces. Për këtë, para së gjithash, disa zyrtarë të caktuar evropianë duhet të heqin dorë nga ideja se ata që ndërtuan regjimin e përgjakshëm në Gjeorgji duhet të rikthehen në pushtet”, deklaroi Kobakhidze.

Liderët e partisë Ëndrra Gjeorgjiane i lidhin kritikat e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të tij me të ashtuquajturin “deep state”, duke theksuar se “ashtu siç ka nevojë Gjeorgjia për Evropën, edhe Bashkimi Evropian ka po aq nevojë për Gjeorgjinë”.

Diskutimet për rishikimin e bazës së udhëtimit pa viza me Gjeorgjinë nisën në BE që në vitin 2023, ndërsa një pjesë e punës u përfundua në vitin 2024.

Për më tepër, tash e disa muaj, mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit nga Gjeorgjia kanë nevojë për vizë për të hyrë në disa shtete të BE-së.

Gjeorgjisë iu mundësua udhëtimi pa viza më 28 mars 2017, si rezultat i përmbushjes së kushteve të Planit të Veprimit./REL

Kina rikonfirmon normalizimin e raporteve me BE-në

By: Rovena
16 July 2025 at 15:26

Autoritetet kineze kanë rikonfirmuar të mërkurën se do të normalizojnë raportet me Parlamentin Evropian, teksa Pekini zyrtar ka për synim të thellojë raportet ekonomike e politike me Brukselin në mesin e tensioneve globale tregtare, ka raportuar Reuters.

“Viteve të fundit, shkëmbimet ndërmjet trupave legjislativë të Kinës dhe Evropës janë përballur me disa pengesa për arsye që dihen shumë mirë”, ka njoftuar Ministria e Jashtme e Kinës, tek iu ka referuar pretendimeve për abuzime me të drejtat e njeriut në rajonin e Xinjiangut.

“Në rrethanat e tanishme, të dyja palët besojnë se është shumë e rëndësishme që Kina dhe Evropa të përforcojnë dialogun dhe bashkëpunimin”, ka thënë zëdhënësja Lin Jian, duke shtuar se Pekini zyrtar dhe Parlamenti Evropian kanë vendosur për të hequr të gjitha kufizimet sa u përket shkëmbimeve të ndërsjella të ligjvënësve.

Komentet nga Ministria e jashtme e Kinës janë bërë pasi gazeta “South China Morning Post” kishte raportuar se Pekini ka hequr “kufizimet” ndaj ish-ligjvënësit të BE-së, Reinhard Buetikofer.

Normalizimi i raporteve ishte konfirmuar paraprakisht nga Parlamenti Evropian dhe Kina në fillim të këtij viti.

Në marsin e vitit 2021, Kina i kishte vendosur 10 zyrtarë dhe 4 entitete evropiane në listë të zezë, si kundërpërgjigje për sanksionet e Brukselit ndaj zyrtarëve kinezë në Xinjiang.

Komentet e së mërkurës janë realizuar gjithashtu përpara një samiti të liderëve Kinë-BE të planifikuar gjatë këtij muaji, ku presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, pritet të takohen me presidentin kinez Xi Jinping dhe kryeministrin Li Qiang në Pekin.

Gjendet në cep të rrugës i pajetë 78-vjeçari në Elbasan/ Trupi është dërguar në morg, për kryerjen e ekspertizës

By: Rovena
16 July 2025 at 14:13

Një 78-vjeçar është gjetur i pajetë në rrugë, në lagjen “Dyli Haxhire” të Elbasanit. Sipas informacioneve paraprake të policisë, dyshohet se ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale.

Trupi i pajetë është dërguar në morg, për kryerjen e ekspertizës. Grupi hetimor po punon për dokumentimin ligjor të rastit./abcnews.al

Turqi/ Një vit e tetë muaj burgim për rivalin kryesor të Erdogan

By: Rovena
16 July 2025 at 13:40

Një gjykatë turke dënoi të mërkurën kryetarin opozitar të Stambollit, Ekrem Imamoglu, me një vit e tetë muaj burg për fyerje dhe kërcënim ndaj një zyrtari publik.

Imamoglu, rival kryesor i presidentit Recep Tayyip Erdogan, ndodhet në burg që nga 23 marsi dhe pritet të apelojë vendimin, raporton AP.

Rasti lidhet me komentet e tij më 20 janar, ku ai kritikoi Prokurorin e Përgjithshëm të Stambollit, Akin Gurlek, duke e akuzuar për hetime të motivuara politikisht ndaj figurave opozitare.

Gjykata e shpalli Imamoglun fajtor për fyerje dhe kërcënim, por e liroi nga akuza për identifikim publik të zyrtarit me qëllim shënjestrimi.

Imamoglu e ka mohuar fajësinë, duke e quajtur procesin “ndëshkim, jo drejtësi”, dhe ka akuzuar gjyqësorin se vepron nën presionin e qeverisë.

Ai u arrestua bashkë me figura të tjera të Partisë Popullore Republikane, partia kryesore opozitare, si pjesë e një hetimi për korrupsion, arrestime që nxiten protestat më të mëdha në Turqi në mbi një dekadë.

Pavarësisht se ndodhet në burg, Imamoglu është shpallur zyrtarisht kandidat presidencial nga Partia Popullore Republikane për zgjedhjet që pritet të mbahen në vitin 2028, por që mund të përshpejtohen.

Që prej arrestimit të tij, dhjetëra zyrtarë të komunave të kontrolluara nga opozita janë përballur me arrestime për dyshime mbi manipulim tenderësh dhe ryshfet.

Opozita i ka quajtur këto akuza politike.

Ndërkohë, qeveria e Erdoganit këmbëngul se gjykatat janë të pavarura dhe veprojnë pa ndikim politik./REL

Paketa e Maleve, kryeministri Rama publikon hartën: 787 aplikime në vetëm 5 ditë

By: Rovena
16 July 2025 at 12:56

Kryeministri Edi Rama ka ndarë këtë të mërkurë në faqen e tij zyrtare në Facebook një përditësim mbi interesin e madh për Paketën e Maleve, një nismë e re që synon të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe turistik në zonat malore të Shqipërisë.

Ai publikoi hartën e aplikimeve, ku theksoi se brenda vetëm 5 ditëve nga hapja e thirrjes, janë regjistruar plot 787 aplikantë nga e gjithë Shqipëria.

“Kjo është një hartë frymëzuese e aplikimeve për Paketën e Maleve, ku në vetëm 5 ditë numërohen 787 aplikantë”, shkroi Rama, duke nënvizuar entuziazmin dhe interesin që ka gjeneruar kjo paketë tek qytetarët që jetojnë apo duan të investojnë në zonat malore.

Pritet që Paketa e Maleve të ketë një impakt të ndjeshëm në promovimin e turizmit të qëndrueshëm, zhvillimin rural dhe fuqizimin ekonomik të komuniteteve lokale.

/abcnews.al 

 

Irani aktualisht përjashton bisedimet bërthamore me SHBA-në

By: Rovena
16 July 2025 at 12:34

Ligjvënësit iranian kanë thënë të mërkurën se Republika Islamike nuk do të vazhdojë bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa të plotësohen disa parakushte të caktuara, ka shkruar Reuters.

“Kur SHBA-ja i përdor negociatat si një mjet për të mashtruar Iranin dhe për të mbuluar një sulm të papritur ushtarak nga regjimi zionist (Izraeli), bisedimet nuk mund të zhvillohen si më parë. Duhet të vendosen parakushte dhe nuk mund të ketë negociata të reja derisa ato të përmbushen plotësisht”, thuhet në deklaratën e trupit legjislativ.

Në deklaratë nuk specifikohen ose definohen parakushtet, porse kryediplomati iranian, Abbas Aragchi, kishte thënë kohë më parë se duhet të ofrohen garanci të forta që Teherani zyrtar s’do të sulmohet më.

Izraeli dhe SHBA-të patën lansuar sulme ndaj impianteve bërthamore të Iranit muajin e kaluar, duke pretenduar se ato kishin për qëllim të shkatërronin programin e orientuar drejt zhvillimit të armëve bërthamore. Në anën tjetër, lidershipi iranian ka argumentuar e konsideruar qëmoti se programi i tij bërthamor është tërësisht për qëllime civile.

Teherani dhe Washingtoni kishin zhvilluar pesë runde negociatash indirekte të ndërmjetësuara nga Omani përpara luftës 12-ditore, teksa kërkesë kyç e delegacionit amerikan ishte që Republika Islamike të hiqte dorë nga pasurimi i uraniumit.

Javën e kaluar, Aragchi e kishte riafirmuar qëndrimin se Teherani zyrtar nuk do të pranojë një marrëveshje që ia ndalon pasurimin e uraniumit, si dhe ka refuzuar të diskutojë për çështje të tjera jashtë këtij programi.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të martën se s’është aspak në nxitim për të negociuar me Iranin pasi që bazat e tij bërthamore tashmë janë “shkatërruar”, ndonëse SHBA-ja dhe tri vende evropiane janë pajtuar për të caktuar fundin e muajit gusht si afatin final për arritjen e marrëveshjes bërthamore.

Ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Jean-Noel Barrot, ka theksuar po ashtu se Parisi, Londra e Berlini do ta aktivizojnë të ashtuquajturin mekanizmin “snapback” të Kombeve të Bashkuara, i cili do të rivendoste sanksionet ndaj Iranit, deri në fund të gushtit në rast se s’ka përparim konkret lidhur me marrëveshjen.

Gjykata e Hagës rrëzon mocionin në rastin e Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së/ Lë në fuqi të gjitha akuzat

By: Rovena
16 July 2025 at 10:27

Është rrëzuar mocioni në rastin e Thaçit dhe të tjerëve.

“Trupi gjykues nuk është bindur që ai ka autoritet sipas rregullës 130 për të rrëzuar pjesë të akuzave ose fakteve materiale që formojnë pjesë të aktakuzës nëse për shkaqe kohe ose për shkaqe tjera. Mbi këtë bazë, trupi gjykues rrëzon mocionin e mbrojtjes sipas rregullës 130 në tërësinë e vet”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith.

Mbrojtja ka kërkuar që të rrëzohen të gjitha akuzat për krimet apo incidentet e kryera para majit të vitit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999.

Kjo është periudha brenda së cilës ekipet Mbrojtëse janë të bindura se ka zgjatur konflikti i armatosur në Kosovë, ndryshe nga çfarë ka përfshirë ZPS në aktakuzë, pra krime gjatë periudhës mars 98 dhe shtator 99.

Vendimi u bë publik sot në Gjykatën e Hagës.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

 

20 të vrarë në qendrën e shpërndarjes së ndihmave humanitare në Gaza

By: Rovena
16 July 2025 at 10:20

Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF), i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, ka bërë të ditur se 20 persona kanë humbur jetën në atë që e ka cilësuar si një “incident tragjik” në një nga qendrat e shpërndarjes së ndihmave në jug të Rripit të Gazës.

Sipas një deklarate të fondacionit, 19 persona janë shkelur për vdekje dhe një tjetër është therur me thikë “gjatë një përplasjeje të dhunshme dhe të rrezikshme” në zonën e Khan Younis. Fondacioni shtoi se beson se përplasja është nxitur nga “nxitës brenda turmës”, të cilët, sipas tyre, ishin të lidhur me Hamasin.

Raporti nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Ndërkohë, zyrtarë nga Spitali Nasser në Khan Younis më herët bënë të ditur se mbi 10 persona kanë humbur jetën dhe të tjerë janë plagosur si pasojë e “mbytjes” që ndodhi pasi kontraktorët privatë të sigurisë të GHF-së mbyllën qendrën e ndihmave.

Ishte duke djegur mbeturina në bahçe/ Ndërron jetë tragjikisht 78-vjeçari në Fushë-Milot

By: Rovena
16 July 2025 at 10:06

Një 78-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike mëngjesin e sotëm në fshatin Fushë-Milot, pasi u përfshi nga flakët teksa ishte duke djegur mbeturina në bahçen e tij.

Viktima është identifikuar si Demer Haxhiu. Sipas burimeve paraprake, zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfshirë trupin e të moshuarit. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse të Laçit dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes./abcnews.al

Trump nis hetim ndaj praktikave tregtare “të padrejta” të Brazilit

By: Rovena
16 July 2025 at 09:41

Administrata e presidentit Donald Trump ka njoftuar nisjen e një hetimi zyrtar ndaj praktikave tregtare të Brazilit, të cilat Uashingtoni i cilëson si “të padrejta dhe diskriminuese”.

Në një deklaratë zyrtare, Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së (USTR) tha se hetimi do të përfshijë politikat braziliane që lidhen me tregtinë digjitale, shërbimet e pagesave elektronike, tarifat preferenciale ndaj partnerëve të tjerë dhe ndërhyrjet në çështje të korrupsionit.

Qëllimi i hetimit është të përcaktojë nëse këto praktika “janë të paarsyeshme apo diskriminuese dhe nëse ato pengojnë apo dëmtojnë tregtinë amerikane”.

Sipas përfaqësuesit amerikan të tregtisë, Jamieson Greer, hetimi është urdhëruar drejtpërdrejt nga presidenti Trump. Ai akuzoi Brazilin se ka ndërmarrë veprime kundër kompanive amerikane të rrjeteve sociale dhe ka zbatuar politika tregtare që dëmtojnë kompanitë, punëtorët, fermerët dhe inovatorët teknologjikë amerikanë.

“Kam arritur në përfundimin se barrierat tarifore dhe jotarifore të Brazilit meritojnë një hetim të thelluar dhe, nëse është e nevojshme, masa reciproke”, tha Greer.

Ai akuzoi gjithashtu Brazilin se po favorizon vendet e tjera me tarifa më të ulëta, duke vënë në disavantazh eksportet amerikane. Hetimi do të shqyrtojë gjithashtu përpjekjet e pretenduara të Brazilit për të ndëshkuar kompanitë amerikane në sektorin digjital për shkak të refuzimit të tyre për të censuruar përmbajtje me përmbajtje politike.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga USTR është mungesa e zbatimit të duhur të të drejtave të pronësisë intelektuale në Brazil, gjë që – sipas deklaratës – dëmton punëtorët amerikanë që varen nga sektorë të mbështetur në inovacion dhe krijimtari.

Trump e kishte paralajmëruar këtë hetim në një letër drejtuar presidentit brazilian Luiz Inácio Lula da Silva javën e kaluar. Në të njëjtën letër, ai kishte shpallur një tarifë shtesë prej 50% ndaj produkteve braziliane duke nisur nga 1 gushti.

Presidenti Lula reagoi duke paralajmëruar se Brazili do të kundërpërgjigjej me masa të njëjta tarifore nëse SHBA zbaton tarifat e reja.

Vitin e kaluar, vlera e tregtisë ndërmjet dy vendeve arriti në 90 miliardë dollarë. SHBA raportoi një suficit tregtar prej 7.4 miliardë dollarësh me Brazilin për vitin 2024 – një rritje prej 33% krahasuar me një vit më parë.

Izraeli godet forcat siriane në Suweida pas përplasjeve të përgjakshme

By: Rovena
16 July 2025 at 09:24

Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore ndaj forcave qeveritare siriane në rajonin e Suweida-s, në jug të Sirisë, pas shpërthimit të përplasjeve të përgjakshme sektare mes milicive druze dhe fiseve beduine. Përleshjet nisën pas rrëmbimit të një tregtari druzi dhe përshkallëzuan shpejt në dhunë të armatosur, duke shkaktuar të paktën 200 të vdekur sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR).

Izraeli tha se sulmet kishin për qëllim të parandalonin përdorimin e forcës nga regjimi sirian kundër komunitetit druzi, me të cilin ka lidhje të ngushta për shkak të popullsisë druze që jeton në Izrael dhe në Lartësitë Golan të pushtuara. Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz thanë se do të vepronin për të mbrojtur druzët në Siri nga dhuna e forcave të Damaskut.

Qeveria siriane e dënoi ashpër ndërhyrjen izraelite, duke e cilësuar një akt agresioni dhe duke raportuar viktima si në radhët e ushtrisë, ashtu edhe mes civilëve. Ndërkohë, sipas burimeve lokale dhe SOHR, forcat qeveritare siriane janë akuzuar për ekzekutime të menjëhershme të civilëve druzë, djegie dhe plaçkitje të pronës private.

Pavarësisht shpalljes së një armëpushimi nga ministri i Mbrojtjes së Sirisë, luftimet vazhduan në disa pjesë të provincës. Një udhëheqës shpirtëror i komunitetit druzi u bëri thirrje luftëtarëve të rezistojnë “me çdo mjet”, duke akuzuar qeverinë për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Izraelit të ndalojë sulmet ndaj ushtrisë siriane, ndërsa raportohet se Izraeli pranoi ta ndalë ofensivën nga mbrëmja e së martës.

Situata në Suweida përshkruhet si “katastrofike” nga banorët, me shumë njerëz që janë larguar nga qyteti për shkak të përplasjeve të armatosura, pavarësisht ndalim-qarkullimit të shpallur nga autoritetet. Shifrat e sakta të viktimave nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur, por raportohet për shumë të vrarë, përfshirë fëmijë, civilë druzë dhe beduinë, si dhe forca të sigurisë siriane.

Kjo është ndër përshkallëzimet më të rënda në jug të Sirisë që nga rënia e regjimit të Asadit dhe ka ringjallur tensionet ndërkombëtare lidhur me përfshirjen e aktorëve të jashtëm në konfliktin sirian.

Yesterday — 15 July 2025Main stream

Jep dorëheqjen kryeministri i Ukrainës

By: Rovena
15 July 2025 at 15:44

Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, ka thënë të martën se ka paraqitur një letër të dorëheqjes, si pjesë e riorganizimit të madh qeveritar që pritet këtë javë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka nominuar të hënën zëvendëskryeministren e parë dhe ministren aktuale të Ekonomisë, Yulia Svyrydenko, për ta marrë përsipër detyrën si pasardhëse e Shmyhalit.

Emërimi i saj duhet të miratohet fillimisht nga parlamenti, i cili do të votojë për këtë çështje gjatë javës.

Sipas burimeve ukrainase, Shmyhal pritet të marrë një post të ri në kabinetin qeveritar, atë të ministrit të Mbrojtjes, pozitë kjo që tani për tani mbahet nga Rustem Umerov.

Shmyhal ka qenë në krye të Ukrainës që prej marsit të 2020-tës, duke shënuar njërin prej mandateve më të gjata në historinë bashkëkohore të vendit. Dorëheqja e tij përmbyll një kapitull të rëndësishëm në menaxhimin e krizës dhe mbrojtjen e atdheut kundër agresionit rus.

Pastrohen bashkitë/ Nga veriu në jug largohen nga detyra dhjetëra drejtues

By: Rovena
15 July 2025 at 15:31

Harta e dorëheqjeve të drejtuesve vendorë është zgjeruar këtë të martë.

Në Bashkinë Belsh, janë larguar një sërë administratorësh dhe drejtorësh lokale, duke i hapur rrugë një faze të re, të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj mbi bazën e meritës dhe përformancës.

Në Përrenjas tre administrator kanë dhënë dorëheqjen ndërsa drejtorët do ti nënshtrohen një vlerësimi të thelluar të punës së kryer deri më tani.

Dorëheqjet janë finalizuar edhe në Bashkinë e Gramshit, përkatësisht 9 administratorë, drejtorë dhe sekretari i përgjithshëm i bashkisë.

Përpara kryebashkiakut Kristjan Shkreli, dorëheqjen e kanë paraqitur tre nënkryetarët, pesë administratorët dhe të gjithë drejtorët në Bashkinë e Vaut të Dejës. Dorëheqjet e administratorëve janë konfirmuar edhe në Bashkinë e Selenicës.

Largime ka edhe në qarkun e Beratit. Kryetarët e njësive administrative në Polican dhe Kucovë janë dorëhequr ndërsa në Skrapar, kryebashkiaku Adriatik Mema thotë se nuk do të bëjë lëvizje pasi administratorët dhe drejtorët janë emëruar së fundmi.,

Sa i përket bashkive të jugut, të gjithë nënkryetarët, administratorët dhe drejtorët e Bashkisë Sarandë kanë paraqitur dorëheqjen. në Konispol nuk ka ende largime ndërsa burime thonë se ka patur një debat mes kryebashkiakut Dule dhe kreut të qeverisë lidhur me shkarkimet e mundshme.

Të hënën pati dorëheqje dhe shkarkime të shumta të kryetarëve të njësive administrative në bashkitë e mëdha. Në Fier, u larguan nga detyrat nënkryetaret, administratorët e njësive dhe drejtorët e bashkisë.

Në Durrës, dorëheqjen e dhanë administratorët e pesë njësive administrative së bashku me administratorët e gjashtë rajoneve. Po ashtu largimi pati edhe në Korçë, Elbasan, Librazhd dhe Shkodër. Pikërisht në dy qytetet e fundit, u hap këtë të martë edhe thirrja për aplikim në postet e lëna bosh.  E këtu dera është e hapur jo vetëm për socialistët por edhe demokratët./abcnews.al

Danimarka: Tirana progres ambicioz/ Presidenca e BE-opozitës: Mbështesni planin e qeverisë

By: Rovena
15 July 2025 at 15:26

Presidenca daneze e Bashkimit Europian ka vlerësuar progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Ministrja për Çështjet Europiane, Marie Bjerre, i bëri thirrje forcave politike që të mbështesin planin ambicioz të qeverisë Rama, për tu anëtarësuar sa më parë në familjen europiane.

“Ne e vlerësojmë objektivin e Shqipërisë për të vazhduar progresin në rrugën e integrimit. Inkurajojmë të gjitha forcat politike që të mbështesin planin ambicioz për përfundimin e negociatave të anëtarësimit. Ne presim që të mbajmë konferencën e radhës ndërqeveritare me Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur, për të hapur kapitullin e katërt të grupit mbi axhendën e gjelbër dhe lidhshmërinë e qëndrueshme”, tha ministrja daneze Çështjet Europiane, Marie Bjerre.

Në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, Ministrja daneze vlerësoi reformat e ndërmarra nga vendi ynë edhe pse thotë se korrupsioni vijon të mbetet problem. Sipas saj, Shqipëria është pararojë në procesin e integrimit, sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Shqipëria po bën përparim të madh, po zbaton reformat e kërkuara. Ne e dimë që ata nuk janë ende gati për anëtarësim të plotë në BE. Ka probleme të tilla si korrupsioni. Ky proces për momentin është hapje e kapitujve të negociatave. Nuk po flasim për mbylljen e tyre, sepse deri atëherë nevojiten më shumë reforma. Do të jetë një proces zgjerimi i bazuar në meritë, jo vetëm në rastin e Shqipërisë, por dua të them se është një nga vendet në Ballkanin Perëndimor që po tregon rezultate konkrete në këtë proces”, shtoi ministrja daneze.

Një ditë më parë, komisionerja për zgjerimin Marta Kos, rikonfirmoi mbylljen e negociatave deri në vitin 2027.

Me Shqipërinë, ne mund të arrijmë finishin e negociatave deri në fund të vitit 2027. Në këtë mënyrë, këto dy vende (Shqipëria dhe Mali I Zi) do të jenë në gjendje të bëhen anëtare me të drejta të plota të BE-së brenda mandatit të këtij Komisioni Evropian”, u shpreh Marta Kos.

Shqipëria është në pritje për hapjen e dy grupkapitujve të fundit në muajin shtator. Behet fjalë për Agjenda e Gjelbërt dhe Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni.

Ndërkohë, burime për Abc News thonë se në fund të vitit do të nisë edhe mbyllja e grupkapitujve, të cilat do të nisin pikërisht me “Marrëdhëniet me Jashtë”. Në këtë grupkapitull, Shqipëria ka marrë jo pak vlerësime nga Bashkimi Europian edhe për shkak të linjëzimit të politikë së jashtme me atë të bllokut./abcnews.al

Atentati ndaj Lulzim Mashës, Skerdi Tase vazhdon dëshminë në GJKKO: Donim fillimisht t’i vrisnim të birin, por s’po e gjenim

By: Rovena
15 July 2025 at 14:38

Skerdi Tase: Henriku kishte një punë tjetër, kishte në telefon foton e djalit të Lulzim Mashës, për këtë ngjarje morëm një motor dhe një armë, djalin s’po e gjenim, dhe Henriku më tha që porositësi thotë që meqë s’po gjeni atë, vrisni babain.

Ne dinim pallatin ku banonte djali i Lulzim Mashës, në ish-bllok. Kur vendosëm për babain e lamë ta bënim rrugës kur shkonte tek shkolla private. Gjate kësaj kohe ne kishim marrë porosi për të vrare edhe Dine Çamin dhe Oti Kilen. Vendosëm që motori nuk ishte i përshtatshëm për të kryer vrasjen dhe morëm një “Golf 4” nga Nuredini.

Në këtë kohë shkuam në Kosovë takuam Nuredinin dhe folëm për ngjarjen, na dha dhe një pistoletë tjetër. Për ndjekjen e Lulzim Mashës na ndihmonte një person që quhet Ledi, lidhje e Henrikut, e ruante tek shtëpia ai, na thoshte doli ose erdhi. Ditën e ngjarjes me la Henriku tek kthesa ku prita Lulzimin, sa e pashë i gjuajta, por me ngeci arma, Lulzimi i dha gaz për nga shkolla, kalova rrugën autostradën për nga Liqeni Thatë. Pastaj shkuam ne Fier. Henriku më tha se kishte gjetur një punë tjetër, për të vrarë një shokun e “Ben Qimes”.

Lajmi në përditësim….

I vodhi të dhënat personale dhe me to mori kredi, pranga 46-vjeçarit në Lezhë

By: Rovena
15 July 2025 at 14:18

Një 46-vjeçar është në vënë në prangat e policisë, pas kallëzimit të një gruaje 33 vjeç. Ajo akuzon 46-vjeçari se nëpërmjet mashtrimit i ka vjedhur të dhënat personale dhe me to ka aplikuar për kredi.

“Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. A., 46 vjeç, banues në Tiranë, dhe materialet shtesë për shtetasen D. C., 33 vjeçe, aktualisht me masë sigurie “Arrest në burg” (e arrestuar në kuadër të operationit “Kredia”), pasi ka kallëzuar shtetasja M. S., 34 vjeçe, banuese në Lezhë, se shtetasja D. C., nëpërmjet mashtrimit, i ka marrë të dhënat personale dhe me to ka marrë kredi në institucionin financiar që administron shtetasi A. A”, njofton policia./abcnews.al

Tritoli në shtëpinë e Talo Çelës/ Skerdi Tase rrëfehet në GJKKO: Morëm porosi nga Nuredin Dumani, rrugën ma tregoi ‘Çami’

By: Rovena
15 July 2025 at 14:05

Vijon të dëshmojë në GJKKO bashkëpunëtori i drejtësisë Skerdi Tase, në kuadër të procesit ‘Plumbi i Artë’. Tase thotë se për vendosjen e tritolit në banesën e Talo Çelës, porosinë e kishte marrë nga Nuredin Dumani. Ai shton se tek rrethrrotullimi i Rinasi mori 2 copa të mëdha me tritol për atentatin.

Skerdi Tase: Takohesha çdo ditë me Rikun. Morëm porosi nga Nuredini për të bërë atentatin me tritol në shtëpinë e Talo Çelës.  Kishim shokë në Shëngjin dhe kur po ktheheshim nga andej do takonim në Fushë-Krujë një person që quhej Besian Xhixha. Morëm 2 copa të mëdha me tritol, tek rreth rrotullimi i Rinasit.

Tase shton se rrugën për tek shtëpia e Talo Çelës ia tregoi një perosn i quajtur “Çami”. Synimi i tyre ishte që të shembej gjithë shtëpia e Çelës, por nuk ndodhi kështu. Pasi siç ka rrëfyer Tase, dy copat e tritolit të vendosura në katin e parë të banesës nuk plasën një kohësisht.

Skerdi Tase: Morëm përsipër të vendosnim tritolin tek shtëpia e Talo Çelës, e solli Besian Xhixha nga Fushë-Kruja, 2 kg ndoshta se ishte i ndarë në disa copa, pas vrasjes së Emiliano Ramazanit mora telefon Sky Ecc, se mbaj mend pinin që kam pas, për tek shtëpia Talos na orientoi një person i thërrasin “Çami” që na tregoi rrugën, i vura tek kolonat e katit të parë, ideja ishte që duhej shembur shtëpia e Talo Çelës, por nuk ndodhi pasi 2 kallëpet nuk plasën njëkohësisht, ne e dinim nga Nuredini që në shtëpi nuk banonte njeri, unë mora 3 mijë euro pasi puna nuk u bë siç duhet./abcnews.al

OKB: Të paktën 875 palestinezë u vranë duke pritur për ndihmat humanitare në Gaza

By: Rovena
15 July 2025 at 13:50

Zyra e të Drejtave të Njeriut e Kombeve të Bashkuara (OHCHR) ka njoftuar të martën se ka regjistruar të paktën 875 vrasje brenda gjashtë javëve të fundit në pikat e shpërndarjes së ndihmave të udhëhequra prej Fondacionit Humanitar të Gazës (FHG), i cili mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli, si dhe afër autokolonave humanitare të drejtuara prej grupeve të tjera të ndihmës, përfshirë vetë Kombeve të Bashkuara.

Shumica e palestinezëve (674) ishin vrarë pranë zonave të FHG-së, teksa 201 të tjerët kanë humbur jetën përgjatë rrugëve të autokolonave të tjera humanitare.

FHG-ja përdor kompani private të sigurisë dhe logjistikës për të qarkulluar furnizimet humanitare në Gazë, duke e anashkaluar gjerësisht sistemin e ndihmave të udhëhequr prej OKB-së, për të cilin zyrtarët izraelitë kanë pretenduar se i mundëson militantëve të Hamasit të plaçkisin pakot ushqimore që synojnë popullatën civile.

Në këtë fondacion i kanë mohuar në mënyrë të vazhdueshme të gjitha incidentet e aluduara pranë pikave të saj, teksa i kanë akuzuar Kombet e Bashkuara për “keqinformim”.

U bllokua nga IKMT si ndërtim pa leje/ Procedohen penalisht investitori dhe administratori i pallatit në Vlorë

By: Rovena
15 July 2025 at 12:58

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Vlorë referuan materiale në Prokurori për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe nisën procedimin penal për shtetasit F. H., 53 vjeç, dhe E. A., 51 vjeç, banues në Vlorë, pasi në cilësinë e investitorit dhe administratorit të një subjekti ndërtues, këta shtetas u konstatuan në shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit, në lagjen “10 Korriku”, rruga “Ibrahim Avdullai”, Vlorë.

❌
❌