Bashkia e Tiranës, ka miratuar një paketë të re ndryshimesh dhe shtesash në sistemin e taksave dhe tarifave vendore, duke sjellë lehtësira konkrete për kategori të caktuara të popullsisë dhe biznese.
Vendimi parashikon rregullime që synojnë të mbështesin shtresat më të ndjeshme të shoqërisë dhe të lehtësojnë barrën fiskale, për aktivitete të caktuara ekonomike e sociale.
Ndryshimet kryesore lidhen me taksa të përkohshme dhe tarifën e pastrimit, ku për herë të parë janë përfshirë përjashtime dhe ulje për kategori vulnerabil si: gratë kryefamiljare, pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar.
Lehtësirat për gra kryefamiljare, përjashtimi i shoqatave të pensionistëve dhe të PAK, si dhe ulja e barrës për ndërtimet publike e bëjnë këtë vendim një hap drejt balancimit mes nevojës për financa dhe mbështetjes për shtresat në nevojë.
KATEGORITË PËRFITUESE
Një ndër pikat më të rëndësishme të vendimit është lehtësimi me 50% i taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore, si dhe i tarifës së pastrimit, për bizneset e krijuara nga gra kryefamiljare që kanë tre ose më shumë fëmijë.
Kjo masë, e cila do të zbatohet vetëm pas dorëzimit të certifikatës familjare dhe të ekstraktit tregtar të biznesit, shihet si një hap i drejtpërdrejtë në mbështetje të grave, të cilat mbajnë mbi supe përgjegjësinë e familjes dhe njëkohësisht përpiqen të mbajnë gjallë një aktivitet ekonomik.
Një tjetër kategori që përfiton është ajo e shoqatave të themeluara nga pensionistë ose persona me aftësi të kufizuara, të cilat përjashtohen plotësisht si nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore, ashtu edhe nga tarifa e pastrimit Përfitimi do të formalizohet pas depozitimit pranë Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore të vendimit gjyqësor të regjistrimit të shoqatës, së bashku me dokumentacionin që provon statusin e pensionistit ose të personit me aftësi të kufizuara.
NXITJA E INVESTIMEVE
Vendimi sjell gjithashtu, një ndryshim të rëndësishëm për ndërtimet me destinacion publik: taksa e ndikimit në infrastrukturë për objektet që do të kalojnë në pronësi shtetërore është përcaktuar në nivelin 2% të vlerës së investimit, një nivel më i ulët krahasuar me praktikat standarde për ndërtime të tjera.
Ky rregullim, synon të ulë kostot e projekteve që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shërbimin publik.
Ndryshimet prekin edhe mënyrën e pagesës së tarifës së pastrimit, duke përcaktuar afate të qarta për bizneset e regjistruara rishtazi dhe duke saktësuar kur nis detyrimi për kantieret e ndërtimit.
Po ashtu, është vendosur që çdo njoftim për taksapaguesit të kryhet jo vetëm me postë, por edhe elektronikisht, përmes portalit qeveritar “e-Albania”.
Ky vendim i Këshillit Bashkiak të Tiranës, shihet si pjesë e një politike fiskale më sociale dhe më gjithëpërfshirëse, e cila përpiqet të balancojë nevojën për të mbledhur të ardhura vendore me domosdoshmërinë për të mbështetur kategori që kanë më shumë nevojë.
Lehtësirat e ofruara për gra kryefamiljare, pensionistë dhe persona me aftësi të kufizuara, shënojnë një hap drejt barazisë sociale dhe ekonomike, ndërsa përjashtimi i shoqatave të tyre nga tarifat vendore mund të konsiderohet një mbështetje e drejtpërdrejtë për aktivitetin e tyre komunitar.



The post Taksat dhe tarifat vendore/ Lehtësira fiskale për gra kryefamiljare e pensionistë, zbardhet vendimi, procedura e përfitimit appeared first on Albeu.com.