Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Tituj abuzivë për tensionin mes Ramës e Dredhës në festën e PS

27 June 2025 at 11:36

Pretendimi: Zbulohen detajet e bisedës së tensionuar mes kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Dredha

Vlerësimi: E pavërtetë

Një video e shpërndarë gjerësisht në media dhe rrjete sociale ku dukej Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, në 12 qershor, gjatë festimit të përvjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, duket se u përdor për të tërhequr klikime.

Videoja në fjalë tregonte një bisedë intensive të kryeministrit me kryebashkiakun vlonjat dhe u interpretua nga mediat si “tërheqje veshi” që kryeministri i bëri Dredhës në një kohë kur prej disa ditësh mediat dhe qytetarët denonconin se fusha e mbetjeve në Vlorë kishte marrë flakë duke krijuar rrezik për shëndetin e qytetarëve atje.

Në video nuk arrihet të kuptohet se çfarë konkretisht kryeministri po i thotë kryebashkiakut Dredha pasi dëgjohet vetëm muzika e aktivitetit. Pikërisht këtu, është ngritur edhe aludimi i disa portaleve.

Çfarë diskutoi Rama me kryebashkiakun e Vlorës? Dalin detajet e bisedës së tensionuar…(Video) – njofton titulli i artikullit në Facebook.

Kushdo që hap këtë lajm me dëshirën për të kuptuar se çfarë diskutuan dy pushtetarët, do të zhgënjehet.

Artikulli në fjalë jo vetëm që ofron të njëjtën video që u shfaq në të gjitha mediat e tjera, ku nuk dëgjohet asnjë pjesë e diskutimit Rama – Dredha, por gjithashtu thekson se në fakt detajet e bisedës mbeten të panjohura.

“Edhe pse nuk dimë detajet, biseda mes dy socialistëve duket paksa serioze, pasi “nuhatet” dhe pak tension mes tyre.”shkruan artikulli.

Ky është një rast klasik i abuzimit që portalet online bëjnë duke njoftuar në titull zbardhjen e një informacioni, i cili më pas nuk gjendet aspak në brendi të tekstit. Qëllimi edhe në këtë rast është mbledhja e sa më shumë klikimeve për përfitime dhe jo informimi i lexuesve.

The post Tituj abuzivë për tensionin mes Ramës e Dredhës në festën e PS appeared first on Faktoje.al.

I keqinterpretuar paralajmërimi i ambasadës amerikane për rrezik

25 June 2025 at 14:01

Pretendimi: Ambasada Amerikane në Tiranë paralajmëron rrezik nga lufta Izrael- Iran

Vlerësimi: Mungon konteksti

Një paralajmërim i Ambasadës Amerikane në Tiranë drejtuar qytetarëve të saj që jetojnë në Shqipëri është përdorur për të mbledhur klikime nga disa media online në vend. Paralajmërimi i SHBA-së u shpërnda nga të gjitha ambasadat amerikane në mbarë botën dhe lidhej me situatën e krijuar në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe Iranit.

Në njoftim ambasada theksonte se ka një ndërprerje të udhëtimeve dhe mbyllje të përkohshme të hapësirës ajrore në të gjithë Lindjen e Mesme dhe se gjithashtu ekziston mundësia për protesta kundër qytetarëve dhe interesave të SHBA-së jashtë vendit. Për këto arsye SHBA këshilloi qytetarët amerikane në mbarë botën që të tregohen të kujdesshëm, të lexojnë Udhëzimet për Udhëtime dhe ccdo alarm sigurie përpara se të planifikojnë udhëtime.

Disa media online në Shqipëri e përdorën rastin për të mbledhur klikime “në kurriz” të besimit që shqiptarët kanë ndaj SHBA-së.Lufta Izrael-Iran, Ambasada Amerikane në Tiranë paralajmëron: Ekziston mundësia për…” – shkruajtën disa media.

Titulli krijon përshtypjen se Ambasada Amerikane në Tiranë ka paralajmëruar për ndonjë ngjarje të mundshme në Shqipëri, që lidhet me konfliktin e armatosur mes Izraelit dhe Iranit, dhe jo një lajmërim rutinë për qytetarët e saj, sicc në të vërtetë është njoftimi në fjalë.

Një titull edhe më abuzues ishte ai sipas të cilit “Ambasada amerikane në Tiranë paralajmëron: Rrezik i shtuar pas përshkallëzimit në…

Në të dy rastet, nxjerrja nga konteksti duke mos përmendur se njoftimi i ambasadës i drejtohet qytetarëve të saj, lë hapësirë për keqkuptim sikur paralajmërimi i drejtohet në fakt Shqipërisë dhe Tiranës.

Lajmi u pasqyrua gjerësisht në mediat shqiptare, pjesa dërrmuese e të cilave, theksoi se njoftimi i ambasadës i drejtohej qytetarëve të saj, duke ndihmuar në përhapjen e informacionit.

Raste të tilla tregojnë sesa i rëndësishëm është konteksti i një lajmi dhe pse pikërisht mediat online shpeshherë zgjedhin që të ndërtojnë tituj që mund të keqkuptohen, në mënyrë që lajmi të klikohet duke i sjellë përfitime financiare.

The post I keqinterpretuar paralajmërimi i ambasadës amerikane për rrezik appeared first on Faktoje.al.

Tituj manipulues për pasojat në Shqipëri nga konflikti Izrael-Iran 

25 June 2025 at 09:58

Pretendimi: Vijnë pasoja të rëndësishme në Shqipëri për shkak të luftës Izrael-Iran

Vlerësimi: Mungon konteksti

Lajmet keqinformuese apo ato të shpërndara me qëllimin për të mbledhur sa më shumë klikime kanë shfrytëzuar gjerësisht përplasjen mes Izraelit dhe Iranit. Faktoje ka përgënjeshtruar disa pretendime të ngritura nga media të ndryshme online të cilat përhapin lajme të paqëna apo nxjerrin plotësisht nga konteksti ngjarjet.

I tillë është edhe rasti i një lajmi të përhapur nga media online “Histori Shqiptare”. “Lufta Izrael-Iran, vijnë pasojat e para në Shqipëri! Edi Rama e kishtë bërë të kryer, ja çfarëpo ndodh” – kështu shkruan titulli i lajmit.

Për të lexuar informacionin, ata që e kanë hasur këtë lajm në rrjetin social Facebook klikojnë në linkun e ofruar nga faqja, i cili të çon në faqen petravu.com

Në faqe duket një imazh i një qielli me raketa me të njëjtin titull si publikimi në FB.

Lajmi pretendon se tashmë Shqipëria është prekur nga pasoja të rëndësishme për vendin për shkak të konfliktit Izrael – Iran, por dhe përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit. Për të lexuar “lajmin e plotë” me tej faqja të fton të klikosh butonin e kuq.

Pasi klikon për të lexuar lajmin e plotë hapet një tjetër faqe e Petravu me titull “Edi Rama e kishte bere te kryer, ja cfare po ndodh”.

Lajmi flet për ndikimin që konflikti mes Izraelit dhe Iranit ka pasur në sektorin e turizmit për shkak të ndalimit të udhëtimeve që autoritetet izraelite i kanë vënë qytetarëve të saj. Këto janë “pasojat e rëndësishme” që Shqipëria po vuan për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.

Sa i përket pretendimit që gjendet në titull se kryeministri Rama “e kishte bërë të kryer”, në tekstin e lajmit nuk gjendet asnjë referencë që ta shpjegojë kuptimin e saj. Kryeministri Rama nuk përmendet asnjëherë në tekstin e lajmit të plotë.

Duke përdorur një titull gjysmak dhe mashtrues, faqja e detyron lexuesin të klikojë disa herë për të lexuar në përfundim një informacion që nuk ka lidhje aspak me atë çka titulli lë të kuptohet. Dukshëm qëllimi i faqes është që të mblidhen sa më shumë klikime dhe jo të informojë qytetarët për një aspekt të caktuar të pasojave që po sjell konflikti mes Izraelit dhe Iranit në Shqipëri. Duke kapitalizuar mbi frikën apo interesin e qytetarëve për të kuptuar nëse qeveria ka ndërmarrë ndonjë hap në lidhje me këtë situatë, faqja çorienton lexuesin me një titull që nuk përputhet aspak me brendinë e lajmit.

The post Tituj manipulues për pasojat në Shqipëri nga konflikti Izrael-Iran  appeared first on Faktoje.al.

Si ta kuptojmë konfliktin e armatosur Izrael-Iran

23 June 2025 at 14:24

Në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin në biseda diplomatike me Iranin për të kërkuar ndërprerjen e programit bërthamor të këtij të fundit, Izraeli nisi një sulm të armatosur ndaj Iranit ku shënjestroi objekte bërthamore, vendndodhje ushtarake si dhe zyrtarë të lartë ushtarakë apo shkencëtarë bërthamorë.

Nisja e sulmit izraelit ndaj Iranit sipas studiuesit të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm Adrian Shtuni u motivua nga disa aryse. Një prej tyre është përparimi i Iranit në krijimin e një arme bërthamore.

Rezoluta e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike e datës 12 qershor, që shprehimisht shpalli Iranin në mospërputhje me detyrimet e tij për mospërhapjen e armëve bërthamore, në mënyre indirekte i mbështet shqetësimet e Izraelit”, argumenton Shtuni.

Në anën tjetër, qëllimi i Izraelit mund të ketë qenë edhe sabotimi i arritjes së një marrëveshjeje mes SHBA-së dhe Iranit. E duke pasur parasysh mosbesimin historik që Izraeli ka, si dhe kërcënimet që Irani ka bërë duke thënë se Izraeli nuk do të zgjasë as 25 vjet, një marrëveshje e tillë nuk i jep Izraelit garanci të mjaftueshme për frenimin e programit bërthamor Iranian.

Një arsye tjetër, jo më pak e rëndësishme sipas Shtunit, është momenti i favorshëm ushtarak në rajon.

Pasi Izraeli arriti të dobsojë gjatë dy viteve të fundit masivisht kapacitetet e organizatave si Hamas, Hezbollah dhe Huthi, dhe pas rrëzimit të regjimit të Asadit në Siri, të gjitha të financuara, trajnuara, dhe armatosura nga Irani si “armë në kokë” ndaj Izraelit, e gjeti të volitshëm momentin të godasë qendrën apo bazën kryesore të rrezikut qe i kanoset prej shume kohesh.” – Adrian Shtuni, autor dhe studiues i radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Mbështetja e SHBA-së

SHBA-ja synonte të zgjidhte rrezikun për armatim bërthamor të Iranit në rrugë diplomatike. Deri një ditë përpara sulmit izraelit, Trump këmbënguli se SHBA-ja “mbetet e përkushtuar ndaj një Rezolute Diplomatike.”

Por vetëm 14 orë pasi Izraeli nisi sulmin, Trump njoftoi se i kishte dhënë Iranit një afat 60 ditor për të arritur një marrëveshje dhe se ky afat kishte skaduar. Deklaratat e presidentit amerikan vijuan duke mos përjashtuar asnjë skenar, deri të 22 qershor kur bombardoi tre vendndodhje nukleare iraniane, përkatësisht Fordow, Natanz dhe Isfahan.

Fordow gjendej thellë nën tokë dhe bombat Izraelite nuk kishin kapacitete ta shkaterrojë.

Adrian Shtuni shpjegon për Faktoje se për të dëmtuar tunelet e kompleksit Fordow, ku gjendeshin 2,700 centrifuga për pasurim uraniumi, u përdorën predha që njihen si Masive Ordinance Penetrator (MOPs) GBU-57 prej 13 Tonësh.

Këto predha i disponon vetëm SHBA-ja dhe mund të transportohen vetëm nga avionët bombardues stealth B-2 Spirit, që janë të pakapshëm nga radaret, dhe që po ashtu zotërohen vetëm nga SHBA.

Deri tani SHBA-ja ishte përfshirë në konflikt në funskione mbrojtëse, përmes kapaciteteve kundërajrore të aeroplanmbajteses USS Nimitz të marinës Amerikane dhe sistemeve mbrojtese THAAD që interceptojnë breshëritë e raketave balistike me të cilat Irani po godet Izraelin.

Sa i përket vijimit të ndërhyrjeve amerikane në Iran, Ledion Krisafi mendon se tashmë topi është në fushën e Iranit.

Nëse Irani kundërpërgjigjet ndaj objektivave amerikane në lindjen e mesme, me siguri që Amerika do vazhdojë ta godasë. Nëse nuk reagon, atëherë mbetet përgjegjesi e Izraelit të vazhdojë të shkatërrojë potencialin ushtarak të Iranit siç ka bërë deri tani.Ledion Krisafi, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Pas sulmit amerikan drejt Iranit, ky i fundit u përbetua se do të hakmerret ndaj SHBA-së. Por Ledion Krisafi parashikon se sido që të jetë, sulmet drejt Iranit do mbeten në fushatë ajrore si nga Izraeli ashtu edhe nga amerikanët dhe nuk ka asnjë shans që të futen trupa në terren.

Deri ku shtrihet rreziku i këtij konflikti?

Studiuesi Adrian Shtuni e vlerëson rrezikun e përhapjes së konfliktit si të konsiderueshëm. Kjo për shkak të karakterit të tij bërthamor dhe rajonal.

Rrjeti i organizatave proxy si Hezbollah, Houthi, Hamas, milicitë Islamiste në Irak e Siri etj, të financuara dhe armatosura nga Irani prej dekadash, edhe pse të dobësuara gjatë viteve të fundit nga goditjet e Izraelit, mund të sulmojnë objektiva izraelite apo amerikane dhe kjo, sipas Shtunit do sillte përhapjen e konfliktit në vendet ku këto organizata operojnë si Libani, Jemeni, Siria, Irakudhe përtej.

Ish-ambasadori shqiptar në Izrael, Tonin Gjuraj nuk parashikon një përfshirje të NATO-s në konflikt.

“Nuk besoj që NATO do përfshihet në një konflikt të tillë pasi Izraeli nuk është anëtar i NATO-s. Përfshirja e Shteteve të Bashkuara e komplikon situatën në Lindjen e Mesme sepse mund të ketë pasoja të tjera por nuk mendoj se NATO do të përfshihet.” – Tonin Gjuraj, ish ambasador i Shqipërisë në SHBA 2007 – 2009 dhe rektor i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. 

Rreziku i përhapjes së konfliktit, sipas studiuesit Shtuni, mund të marrë edhe një dimension asimetrik, që mund të manifestohet me sulme terroriste ku Garda Revolucionare e Iranit ka celula operative, duke arritur Europën, SHBA-në apo më gjerë.

Rreziku më i lartë është për sulme kibernetike, duke pasur parasysh nivelin e ulët të rrezikshmerisë për sulmuesit. Objektivat më të mundshëm në këtë rast do të ishin sektori i energjisë dhe rrjeti i shpërndarjes së elektricitetit, ujësjellsat, institucionet financiare, infrastruktura e transportit dhe shërbimet dixhitale shtetërore.” – argumenton Shtuni.

Europa dhe Shqipëria

Situata, për Ledion Krisafin, duhet të bëhet mësim për Europën. Që të respektohesh, duhet të jesh fuqi e madhe ushtarake dhe Izraeli është shembulli më i mirë i këtij mësimi, vlerëson ai.

Izraeli është një vend i vogël në Lindjen e Mesme por një fuqi e madhe botërore ushtarake. Nëse Evropa dëshiron të ndalojë veprimet e mëtejshme të Rusisë drejt vendeve Balltike për shembull, duhet që Evropa të shndërrohet në fuqi e madhe ushtarake dhe kjo bëhet përmes riarmatimit të shpejtë por dhe ndryshimit të mendësisë nga pacifizmi tek projektimi i forcës”, argumenton Krisafi.

Jo çdo gjë zgjidhet me diplomaci, përmbyll ai, sidomos me shtete si Irani dhe Rusia që diplomacinë e përdorin vetëm për spektakël.

Në fakt, të premten e 20 qershorit, faqja zyrtare e Bashkisë Tiranë nuk funksiononte. Shkak ishte një sulm kibernetik që sipas njoftimit në rrjetin social Telegram u bë nga grupi i hakerave iranianë Homeland Justice.

Nisur nga fakti se Shqipëria ka qenë viktimë e disa sulmeve kibernetike nga entitete të lidhura me Gardën Revolucionare të Iranit dhe si strehuese e një grupi disident Iranian, vendi duhet të shtojë vigjilencën dhe kapacitetet mbrojtëse, sidomos sa i përket infrastrukturës strategjike fizike dhe dixhitale, vlerëson Adrian Shtuni.

Përtej kësaj, fakti se Shqipëria mbështet linjën e Izraelit nuk e bën atë shënjestër të Iranit, vlerëson ish ambasadori Tonin Gjuraj.

“Nuk mendoj që Shqipëria rrezikohet nga një konflikt i tillë. Nuk besoj se është në interesin e Iranit që të hapë shumë fronte. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe gjendet nën çadrën e sigurisë së kësaj organizate”, argumenton ish ambasadori Gjuraj.

Edhe pse situata është tepër e vështirë të parashikohet, Gjuraj vlerëson se nëse Republika Islamike e Iranit do të detyrohet në javët në vijim të ulet në bisedime për një marrëveshje të re për programin bërthamor, kjo do të shënonte një arritje e madhe.

The post Si ta kuptojmë konfliktin e armatosur Izrael-Iran appeared first on Faktoje.al.

Harta propagandistike e ushtrisë izraelite nxit alarm në portalet shqiptare

23 June 2025 at 10:56

Pretendimi: Raketat iraniane mund të godasin Shqipërinë

Vlerësimi: Mungon konteksti

Lajmet e pavërteta apo të nxjerra jashtë konteksti lidhur me konfliktin e armatosur Izrael – Iran janë përhapur këto ditë me shpejtësi për shkak të interesit të lartë të publikut. Shpesh herë mediat bien pre e propagandave shtetërore që përhapin informacione duke shtrembëruar realitetin.

Një rast i tillë ishte pasqyrimi në media i një paralajmërimi të shpërndarë nga Ushtria Izraelite (IDF), ku pretendohej të pasqyrohej rrezja e veprimit të raketave iraniane.

Disa media e përhapën këtë publikim duke e interpretuar si rrezik global, ku përfshihet edhe Europa dhe Shqipëria, pa u thelluar më tej për t’i shpjeguar publikut vërtetësinë e këtij lajmi.

Konflikti Izrael-Iran rrezik global. Raketat mund të godasin Evropën Juglindore, në rrezik edhe Shqipëria – njoftojnë disa artikuj të publikuar në rrjet.

Ajo që mediat nuk njoftojnë në titull është pikërisht fakti se ky është një pretendim i përhapur nga ushtria izraelite, për atë çka sipas saj janë të afta të bëjnë raketat iraniane, dhe jo një kërcënim real që synon këto vende.

Harta është shpërndarë në rrjetet sociale të Forcave të Mbrojtjes Izraelite  me pretendimin se “Irani është një kërcënim global” dhe se për këtë arsye Izraeli “ nuk kishte zgjdhje tjetër” përveçse të vepronte kundër tij.

Sigurisht që kjo është narrative izraelite e përdorur për të justifikuar sulmin e 12 qershorit drejtuar Iranit, pavarësisht faktit se ky i fundit ishte në bisedime me Shtetet e Bashkiara të Amerikës pikërisht për të ndaluar programin e tij bërthamor.

Ky pretendim i forace të Mbrojtjes izraelite, i nxjerrë jashtë konteksti krijon përshtypjen se në fakt Irani po kërcënon të gjithë botën me sulme të armatosura, gjë që nuk pretendohet nga askush.

Veçanërisht në periudha konfliktesh është tejet e rëndësishme që mediat t’i vendosin deklaratat e palëve në kontekst, dhe të informojnë qytetarin për faktin se ato janë pretendime që shpesh mbështeten tek propaganda që këtyre shteteve i vjen për mbarë.

The post Harta propagandistike e ushtrisë izraelite nxit alarm në portalet shqiptare appeared first on Faktoje.al.

Dezinformimi për konfliktin e armatosur Izrael – Iran

18 June 2025 at 15:07

Sulmi izraelit në Iran dhe kundërpërgjigjja e këtij të fundit janë në qendër të vëmendjes së mediave botërore dhe atyre vendase. Kjo situatë ka sjellë edhe spekullime apo shpërndarje të informacioneve të paverifikuara, në rastin më të mirë, ose të pavërteta, në rastin më të keq. Arsye për këtë dezinformim shpesh bëhet dëshira për të mbledhur sa më shumë klikime, por edhe mbështetja e axhendave të caktuara nga portale anonime online.

Jona Plumbi

Në 12 qershor Izraeli sulmoi me raketa Iranin, ku objektiv u bënë objekte bërthamore, vendndodhje ushtarake dhe zyrtarë të lartë ushtarakë apo shkencëtarë bërthamorë. Irani u kundërpërgjigj me sulm ajror, duke goditur Jeruzalemin dhe Tel Avivin. Prej nisjes së konfliktit të armatosur të dy vendet kanë shkëmbyer sulme raketore të vazhdueshme ndaj njëra-tjetrës.

Situata ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave botërore dhe atyre në Shqipëri, duke paraqitur zhvillimet kohë pas kohe. Në situata të tilla konfliktesh, si ajo mes Rusisë dhe Ukrainës apo Izraelit dhe Gazas, marrja e informacioneve të verifikuara vështirësohet për shkak të dinamikave të vazhdueshme, por edhe mungesës së burimeve të drejtpërdrejta nga vendngjarja. 

Njëkohësisht, në situata të tilla pasigurie, mediat shpesh kapitalizojnë emocionet e qytetarëve dhe përhapin informacione të nxjerra jashtë konteksti, apo krejtësisht të pavërteta. 

Kjo ndodhi edhe pas nisjes së konfliktit të armatosur mes Izraelit dhe Iranit. Qëllimi shpesh është marrja e sa më shumë klikimeve duke përhapur tituj abuzivë apo informacione të paverifikuara apo pa kontekst. Pavarësisht kësaj, nuk përjashtohen edhe raste të mediave që mbështesin agjenda të caktuara.

Lajme dezinformuese

Një nga mediat që ka përhapur lajme të pavërteta është Petravu. Në 15 qershor ky portal ka shpërndarë një publikim ku njoftonte se “Shqipëria po sulmohet nga Irani”.

Në shkrim, në asnjë moment nuk flitet për sulm të Iranit ndaj Shqipërisë siç sugjestionon titulli. Përkundrazi. Artikulli citon ekspertë që kanë analizuar situatën në media të tjera duke shpjeguar se në fakt Shqipëria nuk është e rrezikuar nga një sulm i armatosur nga Irani.

Dy ditë më vonë, në 17 qershor, e njëjta media tha se “Irani u bë gati të godiste Shqipërinë me raketa”.

Lajmi citon një intervistë që Xhavit Shala, ekspert sigurie ka dhënë për një televizion tjeter. Shala në intervistë deklaroi se “Irani do të godiste me raketa Shqipërinë në vitin 2023” pas strehimit të opozitës iraniane në Manzë të Durrësit. Si provë të vërtetësisë së deklaratave të tij, Shala citon publikimin e planit për sulm në një gazetë Iraniane. Portali Petravu e ka shpërndarë këtë lajm me një titull abuzues që nuk jep kontekst, duke krijuar iluzionin se në fakt bëhet fjalë për situatën aktuale.

Informacionet e publikuara nga kjo faqe, shpërndahen në rrjetin social Facebook nga nje profil me një emër që nuk përputhet me atë të vetë portalit, të quajtur “Histori Shqiptare”.

Përhapje e propagandave shtetërore

Një tjetër formë keqinformimi e përhapur lidhur me konfliktin e armatosur Izrael – Iran është përhapur nga media të cilat i kanë dhënë zë propagandës izraelite.

Ky publikim u përdor nga disa media për të përhapur shqetësimin se Europa dhe Shqipëria mund të jetë në rrezik.

Mungesën e profesionalizmit të stafit në media e sheh problematike edhe Erjon Tase, drejtues i Akademisë së Studimeve Politike. Kjo, sipas tij, i shtyn mediat të jenë të ekspozuara ndaj propagandave qeveritare.

Për fat të keq mediat nuk kanë profesionalizmin e duhur pjesë të stafeve të tyre, si gazetarë me eksperiencë, njohës të zhvillimeve ndërkombëtare komplekse apo edhe rishikimin editorial të nevojshëm për të kontrolluar përmbajtjen që ato publikojnë” – Erjon Tase, studiues.

Lutfi Dervishi, gazetar dhe pedagog i gazetarise hulumtuese shpjegon se mungesa e korrespondentëve në terren apo gazetarëve hulumtues dhe verifikues, i shtyn mediat të përdorin materiale të gatshme nga agjensi lajmesh ndërkombëtare ose nga burime zyrtare që kanë interesa të qarta propagandistike.

Për pasojë, propagandat shtetërore, qofshin ato të Izraelit, Iranit apo vendeve të tjera të përfshira depërtojnë lehtësisht në narrativat lokale, sidomos kur mungon analiza kritike dhe verifikimi. Ky është varianti më i mirë sepse disa media marrin materiale nga rrjetet sociale apo media bulevardeske” – Lutfi Dervishi, gazetar.

Karrema klikimesh

Arsyeja kryesore për përhapjen e dezinformimit është lufta për klikime, sipas Lutfi Dervishit.

Frika, ndjeshmëria dhe mungesa e burimeve të verifikimit të publikut janë ushqim ‘perfekt’ për mediat sidomos kur ka ngjarje të madhe si lufta dhe lufta si kjo mes Izraelit dhe Iranit ngjall interes dhe shkakton emocione të forta” – shpjegon Dervishi.

I një mendimi është edhe Erjon Tase sipas të cilit mediat zgjedhin tituj apo përmbajtje që shtrembërojnë realitetin apo ekzagjerojnë rrezikun e konflikteve që ndodhin larg Shqipërisë.

Ky ishte rasti i një publikimi të identifikuar si keqinformues nga Faktoje, nga portali 5pyetjet.al që shpërndau një intervistë lidhur me çfarë pritet nga ky konflikt duke përdorur një titull bombastik, që nuk lidhet aspak me përmbajtjen e intervistës.

“Shqipëria merr goditjen e parë nga raketat Izrael-Iran/ Gjenerali: Sa orë reziston vendin ynë?”, shkruan 5pyetjet.al.

Ajo të cilës i referohet intervista duket të jetë një “goditje” e mundshme ekonomike për shkak të rritjes së çmimit të naftës apo produkteve të tjera dhe në asnjë moment një goditje e parë nga raketat e Izraelit apo Iranit.

Një pjesë e mediave, sipas gazetarit Pandi Gjata, e kanë në axhendë këtë linjë dizinformimi dhe propagandë, një pjesë e bën për klikime ndërsa një pjesë tjetër nuk kanë njerëz të kualifikuar për këtë zhvillim të rëndësishëm global, ashtu sic ishte edhe në rastin e luftës në Ukrainë.

Përhapja e titujve bombastik është sipas gazetarit Pandi Gjata një nga problemet më të mëdha të mediave shqiptare, kryesisht atyre online.

Përkthejnë lajme nga media të huaja jo serioze, raportojnë të pavërteta, japin edhe alarmin për Shqipërinë sikur është objektiv i Iranit në këtë konflikt. Shtrembërojnë deklarata të ekspertëve dhe i aktualizojnë me ditët e sotme” – Pandi Gjata, gazetar.

Arsyet që i shtyjne mediat të bien pre e lajmeve të pavërteta janë të shumta, sipas Lutfi Dervishit.

Mungesa e redaksive profesionale, ulja e standardeve etike, presioni i kohës për të qenë të parët me një lajm, tendenca për t’u bërë viral dhe varësia nga përkthime automatike ose burime të pakontrolluara në internet e rrjete sociale. Gjithashtu sensacionalizmi ndihmohet edhe nga algoritmet, që përforcojnë shpërndarjen e lajmeve të pasakta” – përfundon ai.

Keqinterpretimi i situatave kritike gjeopolitike apo shoqërore është një fenomen tashmë i vjetër në media, veçanërisht ato online. Përhapja e dezinformatave dëmton lexuesin i cili jo gjithmonë është i pajisur me njohuritë e duhura për të verifikuar informacionin që lexon. Kjo për pasojë sjell jo vetëm konfuzion por edhe polarizim të qëndrimeve të qytetarëve, si dhe ulje të besueshmërisë tek mediat. Për këto arsye pasqyrimi sa më “besnik” i informacionit veçanërisht në kohë krizash është thelbësor për një shoqëri të mirëinformuar.

The post Dezinformimi për konfliktin e armatosur Izrael – Iran appeared first on Faktoje.al.

Keqinterpretimi i listës së SHBA-së që publikohet çdo vit për udhëtimet

16 June 2025 at 10:16

Pretendimi: SHBA rendit Shqipërinë mes 13 vendeve të rrezikshme për pushime

Vlerësimi: Mungon konteksti

Disa media në Shqipëri shpërndanë një lajm ku pretendojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë renditur Shqipërinë mes 13 vendeve të rrezikshme për pushime.

“SHBA-të paralajmërojnë për “dhunë të synuar që lidhet me rrjetet e paligjshme të drogës dhe krimin e organizuar në të gjithë vendin”. – kështu shkruajnë portalet të cilat këtë lajm e kanë shpërndarë edhe në rrjete sociale duke marrë qindra reagime.

Në pamje të parë duket sikur Shtetet e Bashkuara kanë krijuar një listë me 13 vende në botë që i konsideron të rrezikshme për pushime për qytetarët e saj dhe në këtë listë është përfshirë edhe Shqipëria.

Në fakt e vërteta qëndron ndryshe.

Departamenti i Shtetit Amerikan në mënyrë periodike krijon raporte me këshilla udhëtimi për qytetarët e saj, ku përshkruan rreziqe te mundshme dhe rekomandon masa. Ky vlerësim bëhet për të gjithë shtetet e botës, të cilët kategorizohen sipas 4 niveleve nga DASH.

Niveli 1 tregon se vendet janë të sigurta, ndërsa ne nivelin 4 përfshihen vendet ku SHBA i sugjeron qytetarëve të saj të mos i vizitojnë për shkak të pasigurisë.

Shqipëria është përfshirë në nivelin 2 në këtë listë.

Vendet e nivelit të dytë vlerësohen nga DASH si shtete ku qytetarët amerikanë duhet të tregojnë kujdes për rreziqe ndaj sigurisë së tyre. Në rastin e Shqipërisë, raporti i DASH përcakton se shtetasit amerikanë duhet të “tregojnë kujdes të shtuar për shkak të krimit”.

Përmbledhje e Vendit: Aftësia e forcave ligjzbatuese për të mbrojtur dhe ndihmuar udhëtarët është e kufizuar në disa zona, veçanërisht në rajonet e largëta. Ka pasur dhunë të targetuar të lidhur me rrjetet e paligjshme të drogës dhe krimin e organizuar në të gjithë vendin. Udhëtarët duhet të mbeten të vetëdijshëm për mjedisin përreth dhe shtrirjen e policisë dhe shërbimeve të emergjencës në zonën e tyre. – shkruan raporti.

Shtete të tjera të kësaj liste, që janë vlerësuar në nivelin 2 si Shqipëria janë Gjermania, Italia, Spanja, Franca, Suedia, Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Turqia, Belgjika, si dhe Kosova, Bosnje Hercegovina dhe Serbia.

Nëse i referohemi listës me 44 vende të kontinentit europian, në nivelin 2 të sigurisë DASH liston 16 shtete. Rusia dhe Ukraina kategorizohen në nivelin 4, sipas të cilit Departamenti Amerikan i Shtetit i sugjeron shtetasve amerikanë të mos udhëtojnë drejt këtyre vendeve.

Raportet për shtete që kategorizohen në nivelin e parë apo të dytë përditësohen nga DASH çdo 12 muaj.

Praktika e publikimit të raporteve të vlerësimit për sigurinë e shteteve të ndryshme nuk praktikohet vetem nga SHBA-ja. Kanadaja dhe disa vende evropiane si Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë lëshuar këshilla udhëtimi për SHBA-në. Edhe pse pjesa më e madhe e këtyre vendeve nuk kanë specifikojnë pse Amerika është shtuar në listën e tyre për paralajmërim për kujdes, koha kur këto këshilla janë publikuar tregon se lidhen me urdhrat ekzekutivë të administratës Trump për imigracionin dhe shtrëngimin e politikave kufitare.

Kryeministri Rama nuk e ndoqi ndeshjen përkrah Altin Dumanit

16 June 2025 at 10:06

Pretendimi: Edi Rama dhe kreu i SPAK Altin Dumani ishin ulur bashkë në tribunën VIP në ndeshjen Shqipëri-Serbi

Vlerësimi: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

Në datën 7 qershor kombëtarja shqiptare u ndesh me atë serbe në stadiumin Air Albania në Tiranë, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Botërorit 2026.

Stadiumi ishte i mbushur me mbështetës të skuadrës kuq e zi dhe pamjet e tifozëve u shpërndanë gjerësisht në rrjet. Një prej këtyre imazheve tregonte tribunën VIP ku në foto dukej kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani. Pranë tij dukej të qëndronte kryeministri Edi Rama.

“Si rastësisht” shkruan në përshkrimin e fotos një portal online. “Ja dhe drejtësia ulur me…”, pretendohet në një tjetër titull.

Si duket edhe nga komentet e qytetarëve në këto publikime, kjo foto është marrë për e vërtetë dhe duket se ironizon “afërsinë” mes Altin Dumanit, kreut të SPAK, dhe kryeministrit Edi Rama. Por në fakt, me një kërkim të thjeshtë në rrjet kuptohet se imazhi është i modifikuar.

Duke përdorur “Google Lens” Faktoje gjeti se në fakt fotografia e vërtetë tregon vetëm kreun e SPAK, Altin Dumani duke ndjekur ndeshjen mes Shqipërisë dhe Serbisë. Në krah të tij duket se nuk është Kryeministri Edi Rama.

Imazhi i modifikuar është shpërndarë edhe nga faqe apo personazhe të tjera ne rrejte sociale, por është shënjuar si një imazh i pavërtetë.

Ky shënim është veçanërisht i rëndësishëm për llogari që shpërndajnë informacione, apo portale online lajmesh, ku pritshmëria e lexuesve për të marrë informacion të besueshëm është më e lartë.

Oferta e rreme e tableteve falas nga Temu

13 June 2025 at 10:47

Pretendimi: Regjistrohu në TEMU dhe merr falas një tabletë

Vlerësimi: Mungon konteksti

Një mashtrim i ri, që po qarkullon në rrjetet sociale, pretendon se përdoruesit e rinj që regjistrohen në aplikacionin e blerjeve në rrjet Temu mund të fitojnë një tablet falas ose me çmim tejet të ulët.  Kjo ofertë është shfaqur në Shqipëri nga një llogari e quajtur “temu croatia”.

Videot që janë dukshëm të përkthyera dhe dubluara në shqip nga programe të Inteligjecës Artificiale dhe reklamojnë se të gjithë përdoruesit e rinj të aplikacionit Temu mund të marrin një tablet që kushton 5.000 lekë me zero lekë.

Edhe pse në pamje të parë duket si një ofertë e besueshme—me logo dhe dizajn që imiton materialet zyrtare të Temu—në të vërtetë është një mashtrim i menduar me kujdes për të sjellë përfitime për kompaninë.

Ky mashtrim ka dy qëllime kryesore: grumbullimin e të dhënave personale dhe financiare, dhe gjenerimin e të ardhurave përmes tarifave të pajtimeve mashtruese. Disa versione të mashtrimit funksionojnë mbi baza referimi, ku përdoruesit kërkohen të ftojnë miq dhe familjarë të shkarkojnë aplikacionin në këmbim të dhuratës—një metodë që shfrytëzon besimin për të përhapur mashtrimin edhe më tej.

Forumet online janë të mbushura me ankesa nga njerëz që janë mashtruar ose janë tunduar ta provojnë.

Fillimisht skema kërkon që të shkarkoni aplikacionin Temu dhe të regjistroheni për herë të parë. Një pjesë e atyre që ndjekin këto hapa raportojnë se ridrejtohen në faqe interneti që duken shumë të ngjashme me faqen zyrtare të Temu, por që përdorin adresa të çuditshme si “temu-freegift-now[.]com” apo “temugift-tablets[.]net” gjë që tregon se diçka nuk është në rregull dhe shanset janë që këto faqe mund të kërkojnë dhe te vjedhin informacione personale të përdoruesve.

Një pjesë tjetër e përdoruesve tregojnë se nëse provojnë të marrin tabletin që ofrohet falas përmes aplikacionit, ata janë të detyruar që fillimisht të regjistrojnë 10 persona të tjerë të rinj në Temu dhe më pas të bëjnë blerje të tjera në shumën 40 euro ose më shumë, në mënyrë që të mund të përfitojnë edhe tabletin falas.

Të tjerë kanë raportuar se nuk marrin kurrë asnjë konfirmim apo përgjigje pasi kanë bërë pagesën, dhe tableti i premtuar nuk arrin kurrë.

Ekspertët këshillojnë përdoruesit të mos klikojnë në lidhje të dyshimta dhe të verifikojnë çdo ofertë promovuese vetëm në aplikacionin apo faqen zyrtare të Temu. Nëse ju kërkohet të paguani për transport apo të jepni të dhëna të ndjeshme në këmbim të një dhurate, atëherë me shumë gjasë bëhet fjalë për mashtrim. Gjithashtu, përdoruesit këshillohen të monitorojnë llogaritë bankare për pagesa të pazakonta dhe të anulojnë çdo kartë të përdorur në një transaksion të dyshimtë.

Partia e re e Elon Musk pas sherrit me Trump, ende një propozim

12 June 2025 at 12:05

Përplasja mes presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe biznesmenit Elon Musk pas largimit të këtij të fundit nga Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë – DOGE – është bërë shkak për përhapjen e shumë dezinformatave, kryesisht në gjuhën angleze. Por një lajm, i lidhur me një sondazh që Musk bëri në rrjetin social X ka shkaktuar përhapjen e informacioneve të pavërteta edhe në Shqipëri.

Bëhet fjalë për lajmin se Elon Musk ka themeluar një parti të re politike. Lajmi u përhap në shumë media shqipfolëse, të cilat pretendojnë se tashmë është themeluar partia “Amerika”.

Në fakt e verteta qëndron ndryshe.

Gjithçka nisi në 5 qershor kur Elon Musk publikoi një pyetsor në rrjetin e tij social X, ku pyeste ndjekësit e tij nëse është koha për të krijuar një parti të re politike që vërtetë të përfaqësojë 80% të qytetarëve që ndodhen në mes.

Më shumë se 5 milionë e gjysmë ndjekës të Elon Musk votuan në sondazh. 80% e tyre votuan “Po”.

Kjo u interpretua si shenjë e fatit nga biznesmeni.

Njerëzit folën – shkruajti ai në 7 qershor – një parti e re politike është e domosdoshme në Amerikë për të përfaqësuar ata 80% që ndodhen në mes.

Dhe ekzaktësisht 80% janë dakord, përfundoi Musk në postimin e tij.

Po në datën 7 qershor ai shpërndau një emër për partinë e re – “Partia Amerikë”

Por procedura që duhet ndjekur për të krijuar një parti të re politike në SHBA kërkon kohë dhe shumë punë që ndërthur regjistrimin në gjykatë, institucione federale dhe më pas në të gjithë shtetet e SHBA-së ku partia do të veprojë.

Vetëm hapi i parë, që është regjistrimi i Komitetit të Partisë në Komisionin Zgjedhor federal kërkon 1-2 javë, ndërsa hapat e mëtejshëm ku përfshihet edhe plotësimi i kushteve të ndryshme të shteteve ku partia do të regjistrohet, kërkojnë edhe më shumë kohë.

Ende asnjë provë se sulmi kibernetik ndaj RTSH-së u krye nga hakera serbë

11 June 2025 at 14:18

Faqja zyrtare në rrjet dhe llogaritë në rrjete sociale të Radio Televizionit Shqiptar ranë pre e një sulmi kibernetik në Maj 2025. Sipas mediave, kryesisht atyre nga Kosova, por edhe në Shqipëri, sulmi erdhi nga hackera serbë. Ky përfundim duket se u arrit nisur nga mesazhi që hackerat shpërndanë në faqet zyrtare të RTSH. Aty u shfaq harta e Kosovës, mbuluar nga flamuri serb dhe fjalët “Kosova është Serbi”. Në fakt, institucionet në Shqipëri thanë për Faktoje se ngjarja është ende duke u hetuar dhe se nuk disponohen informacione zyrtare mbi identitetin e këtij sulmi kibernetik.

Jona Plumbi

Në datën 19 Maj, faqja zyrtare e Radio Televizionit Shqipëtar, transmetuesi shtetëror në vend, ranë pre e një sulmi kibernetik. Në faqet zyrtare dhe llogaritë në facebook dhe Instagram të RTSH-së u shfaq harta e Kosovës e mbuluar nga flamuri serb dhe mesazhi “Kosova është Serbi”.

Lajmi u përhap me shpejtësi.

RTSH shperndau një njoftim ku lajmëroi se “llogaria ka qenë subjekt i një sulmi kibernetik, duke shkaktuar pastime të paautorizuara”.

Po punojmë për të rikthyer sigurinë dhe për të fshirë çdo përmbajtje të papërshtatshme. Ju këshillojmë të mos ndërveproni me postimet e dyshimta dhe të raportoni çdo aktivitet të pazakontë.” – shkruante njoftimi i RTSH i publikur në rrjetet sociale të transmetuesit.

Ky publikim tashmë nuk gjendet në faqen zyrtare të RTSH-së.

Ndërkohë me një kërkim ne rrjet rezulton se publikimet e paautorizuara kanë vazhduar edhe disa ditë pas sulmit fillestar.

Në 24 Maj u shpërnda ky publikim:

Publikimet përsëri shpërndanin të njëjtin mesazh dhe përsërisnin narrativën serbe të “abuzimit të popullit serb”.

Disa media në Shqipëri por edhe Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, njoftuan se sulmi kishte ardhur nga hakera serbë.

Në fakt, pretendimi se sulmi kibernetik ka ardhur nga Serbia është i pavërtetuar. Pavarësisht se mesazhet e shpërndara përputhen me narrativën e pushtetarëve serb, në fakt nuk ka ende asnjë verifikim për autorësinë e sulmit.

Faktoje u interesua pranë Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike lidhur me ngjarjen. Në përgjigjen e saj AKSK njoftoi se “aktualisht nuk disponohen informacione zyrtare mbi identitetin e autorëve të këtij sulmi kibernetik”.

Në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm në platformat e inteligjencës kibernetike, nuk ka ende një atribuim zyrtar që lidhet me përfshirjen e ndonje shteti specifik, përfshi Serbinë.” – sqaroi AKSK për Faktoje.

Nisur nga ky informacion mund të dalim në përfundimin se pretendimi i ngritur nga mediat, të cilat njoftonin se sulmi kibernetik ndaj RTSH-së ishte kryer nga hackera serbë, është i paprovuar dhe keqinformues.

Si duhet lexuar raporti i PE-së për Shqipërinë

9 June 2025 at 13:41

Komiteti për Punët e Jashtme i Parlamentit Evropian miratoi një raport të ri për Shqipërinë, në 4 Qershor 2025 me 57 vota pro, 11 kundër dhe 6 abstenime duke rikonfirmuar statusin e saj si një nga vendet e Ballkanit Perëndimor me mbështetjen më të lartë për anëtarësimin në BE, dhe me një mesazh të qartë: ka ende shumë për të bërë.

Raporti në një anë përshëndet përputhshmërinë e Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe synimin ambicioz për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali e quajti raportin si një konfirmim të qartë që “Shqipëria mbetet një histori suksesi” dhe “një vend pararojë për anëtarësimin në BE”.

“Raporti nënvizon qartësisht angazhimin e qëndrueshëm të Shqipërisë ndaj reformave kyçe, përfshirë forcimin e shtetit të së drejtës, funksionimin e institucioneve të drejtësisë të dala nga reforma, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe të pakicave si dhe përparimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.” – tha Spiropali nga Kryesia e Kuvendit.

Si duhet kuptuar rezoluta

Në thelb, kjo rezolutë përmblodhi të gjitha problematikat që ka Shqipëria, shpjegon studiuesi Afrim Krasniqi – si nevojën për forcimin e institucioneve të pavarura dhe institucioneve të drejtësisë, nevojën për akte ndaj korrupsionit, për reforma të thella, dialog politik dhe për një lloj qasje europiane të shoqërisë dhe jo vetëm përdorim politik të konceptit të europës dhe integrimit europian.

“Për rastin konkret do duhej që parlamenti shqiptar ta trajtonte rezolutën për të hartuar një draft kalendar reformash dhe ndërhyrjesh konkrete. Psh parlamenti ka miratuar udhëzuesin për funksionimin e institucioneve demokratike dhe pothuajse asnjë nga masat që është parashikuar me faza kohore nuk është jetësuar.” – Afrim Krasniqi.

Afrim_Krasniqi_per-Faktoje

Për Gledis Gjipalin, njohës i politikave europiane dhe drejtues ekzekutiv i “Lëvizjes Europiane Shqiptare”, duke e lexuar në vijimësi të raporteve e deklaratave të mëparshme të Komisionit apo Parlamentit Europian, kjo rezolutë nuk ka asgjë të re.

“Përgjithësisht raporti i qëndron vlerësimeve të Komisionit Europian për Shqipërinë ku vlerësohet ecuria pozitive, si dhe identifikohen fushat apo çështjet që duhen trajtuar me përparësi.  Spikat thirrja për urgjencë në thellimin e intensifikimin e reformave, duke qenë se synimi i Shqipërisë është të përfundojë bisedimet për anëtarësim në 2027. Gjithashtu vihet re si dhe herët e tjera vlerësimi jo pozitiv për mungesën e dialogut politik ku vazhdojmë të kemi polarizim dhe retorikë konfliktuale.” – Gledis Gjipali.

Mënyra sesi reaguan institucionet shqiptare mendoj që është e gabuar nga të gjitha palët politike. Secila palë përfitoi nga fakti që anetarë të komisionit janë përfaqësues të partive politike dhe në deklarimet e tyre theksuan afrimitetin që ata kanë me subjete të caktuara në Shqipëri.” – argumenton Afrim Krasniqi .

Në përfundim, rezoluta sipas Krasniqit i përshtatet prioriteteve të shoqërisë shqiptare dhe  duhet përdorur si një planimetri për të projektuar rrugën drejt integrimit europian dhe jo në funksion të axhendave personale dhe afatshkurtra politike.

Çfarë shkruhet në rezolutë

Komiteti për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian mirëpiti “përparimin e bërë në reformën në drejtësi dhe në hetimin e korrupsionit të lartë”, por e sheh ende si sfidë ndërhyrjen politike, duke kërkuar përpjekje të vazhdueshme për ruajtjen e pavarësisë së gjyqësorit.

Komiteti shprehu “nevojën urgjente” për të përmirësuar pavarësinë e gjyqësorit, për të luftuar krimin e organizuar dhe për të mbrojtur të drejtat themelore. Pluralizmi mediatik dhe transparenca institucionale u veçuan në raport si thelbësore.

Ndërhyrjet e huaja, veçanërisht ato të lidhura me Kremlinin, kërcënojnë proceset demokratike dhe ambicien europiane të Shqipërisë – shkruan rezoluta. Në lidhje me procesin zgjedhor, raporti përshkruan zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 si “garuese”, por të zhvilluara në një klimë të tensionuar politike, me shqetësime për përdorimin e burimeve të administratës. Eurodeputetët kërkojnë reforma të thella në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.

Jehona e “përshkallëzimit” të tensioneve: Si fabrikohen kriza mes Serbisë dhe Kosovës

4 June 2025 at 16:00

Në skenën gjeopolitike ballkanike, udhëheqësit serbë kanë zhvilluar ndër vite një strategji të qëndrueshme për të krijuar kriza të herpashershme.  Këto episode, që nuk janë të pakta, shpesh shoqërohen nga një mbulim mediatik spekulativ duke ushqyer një narrativë të vazhdueshme pasigurie në rajon.

Rasti më i fundit ishte në Beograd, ku u mblodh Këshilli i Sigurisë së Serbisë. Sipas mediave në Shqipëri, Aleksandar Vuçiç ka urdhëruar ushtrinë të veprojë kundër Kosovës.

Në fakt, me një kërkim në rrjet rezulton se shefi i Shtabit të ushtrisë në Serbi, Milan Mojsilovic konfirmoi se ishin dhënë urdhra për Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ushtrinë, por detajet konkrete nuk u bënë pubike.

Në Këshillin e Sigurimit u diskutua për keqtrajtimin e paprecedent të serbëve në Kosovë, dhe përdorimi i lëvizjeve të njëanshme që rrezikojnë jetën e serbëve ka dalë në pah në një kuptim shtrëngues, dhe kjo çështje ka merituar plotësisht vëmendjen jo vetëm të anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare”, deklaroi për mediat shefi i shtabit të ushtrisë Serbe.

Pavarësisht këtij refreni (të vjetër) të Serbisë për keqtrajtimin e pretenduar të serbëve në Kosovë, në fakt deklarata e Mojsilovic nuk përmbante asnjë kërcënim dhe në asnjë moment nuk u njoftua që ushtria e serbisë të jetë urdhëruar të veprojë ndaj Kosovës.

Nikola Petrovic nga fondacioni ISAC në Serbi shpegon se udhëzimet e dhëna edhe pse janë sekrete, janë gjithmonë të njëjta dhe kërkojnë që situata në Kosovë të monitorohet dhe të vijojë bllokimi i marrjes së mbështetjes ndërkombëtare nga Kosova, gjë që e bën Ministrinë e Punëve të Jashtme edhe më të rëndësishme se ushtrinë.

Serbia është plotësisht e vetëdijshme se të vetmet dy gjëra që e mbajnë Kosovën pjesë të Serbisë (de jure) janë rezoluta 1244 e OKB-së dhe marrëveshja e Kumanovës, kështu që nuk do të fillojë asnjë veprim (dhe sidomos asnjë veprim ushtarak) kundër Kosovës për sa kohë që ka trupa ndërkombëtare atje”  shpjegon Petrovic për Faktoje.

Edhe studiuesi i politikave nderkombetare, Ledion Krisafi e sheh të pamundur nisjen e një konflikti të armatosur mes Kosovës dhe Serbisë për sa kohë në Kosovë është KFOR-i.

Elita politike serbe e di shumë mire që çdo përpjekje për konflikt në Kosovë është përballje me NATO-n, gjë që Serbisë do i kushtonte shumë. Kjo nuk përjashton incidente si ai i Banjskës të përgatitura nga grupe paramilitare, por sot si KFOR si policia e Kosovës është më e përgatitur për raste të atilla”  tha Kristafi për Faktoje. 

Në fakt, tema kryesore e mbledhjes ishte një tjetër. Një dokument jozyrtar franko-gjerman mbi Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Republikën Serbe.

Krisafi shpjegon për Faktoje se kjo është një përpjekje e Gjermanisë dhe Francës për të hequr disa të drejta të Republikës Srpska në Bosnjë Hercegovinë, gjë që tregon se ndoshta mund të ketë levizje edhe në rastin e Kosovës për t’i bërë presion Serbisë për të arritur një marrëveshje përfundimtare.

“Elita politike serbe rreth Vuçiçit e lidh këtë me idenë që protestat e studentëve në Serbi mbështeten pikërisht nga Perëndimi që po vepron kundër serbëve në Bosnje dhe Kosovë dhe rrjedhimisht dhe kundër qeverisë së Vuçiçit. Është një skemë e ndërlikuar që ka si qëllim kryesor të shpëtojë Vuçiçin nga protestat dhe nga një humbje e mundshme e zgjedhjeve të ardhshme”  argumenton ai.

Sa i përket pretendimit për “keqtrajtim” të serbëve në Kosovë, ky episod nuk është një incident i izoluar, por pjesë e një narrative të përsëritur që përdoret nga zyrtarët serbë. Portretizimi i Kosovës si një kërcenim i përhershëm për serbët shpërben si një mjet strategjik për të justifikuar qëndrimet ushtarake dhe për të mobilizuar mbështetjen e brendshme.

Në një masë të madhe është për konsum të brendshëm, për të treguar që Serbia qëndron e fortë në mbështetje të serbëve në Kosovë, pavarësisht se praktikisht nuk ka asnjë fuqi më në Kosovë. Sidomos në këtë periudhë të vështirë për Vuçiçin ka nevojë të tregojë vendosmëri,” shpjegon Krisafi për Faktoje.

Pavarësisht fabrikimeve të vazhdueshme të krizave dhe narrativës që Serbia kërkon të ngrejë kundër shtetit të Kosovës për përfitimet e saj politike, mediat duhet të qëndrojnë neutrale dhe të mos përcjellin këtë jeohnë, veçanërisht kur ajo nuk është aspak e bazuar në veprime konkrete të shtetit serb. Mbajtja gjallë e narrativës serbe vetëm sa nxit përshkallëzim të mëtejshëm të përplasjes mes dy vendeve dhe nuk ndihmon në informimin e lexuesve mbi atë çka ndodh në të vërtetë.

Presidenti rus Putin nuk është djali i një fermeri të varfër

28 May 2025 at 11:53

Pretendimi: Vladimir Putin është djali i një fermeri të thjeshtë rus

Verdikti: E pavërtetë

Një pretendim se Vladimir Putin vjen nga një familje fermerësh dhe se është krenar për jetën që ka pasur po qarkullon në rrjet. Fillimisht ky pretendim është shpërndarë nga një faqe ruse.

Më pas ai është shpërndarë dhe në gjuhën shqipe i shoqëruar me të njëjtin imazh që i ngjan më shumë një pikture, sesa një fotografie të vërtetë.

Me një kërkim në Google Images të këtij imazhi rezulton se prej disa muajsh në internet qarkullojnë një seri imazhesh që tregojnë presidentin rus Vladimir Putin me veshje fermeri, por në asnjë rast imazhet nuk janë shpërndarë nga media apo faqe zyrtare të besueshme.

Në fakt, sipas informacioneve zyrtare pretendimi se Presidenti rus Vladimir Putin është djali i një fermeri është i pasaktë. Edhe pse familja e tij ka rrënjë rurale, prindërit e tij nuk ishin të angazhuar në bujqësi.

Vladimir Putin lindi më 7 tetor 1952 në Leningrad (tani Shën Petersburg), Rusi.
Babai i tij, Vladimir Spiridonovich Putin (1911–1999), shërbeu në flotën nënujore të Marinës Sovjetike në fillim të viteve 1930. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai ishte pjesë e batalionit të shkatërrimit të NKVD-së dhe më vonë shërbeu në ushtrinë e rregullt, ku u plagos rëndë në vitin 1942. Pas luftës, punoi si përpunues teknik në një fabrikë.
(Burimi: Wikipedia, Los Angeles Times)

Nëna e Putinit, Maria Ivanovna Putina (e lindur Shelomova; 1911–1998), punonte gjithashtu në një fabrikë. Familja jetonte në kushte të varfra, në një apartament komunal që ndahej me familje të tjera në Leningrad.
(Burimi: Los Angeles Times)

Familja Putin e ka origjinën nga rajoni i Tverit, ku banorët ishin bujq që nga shekulli XVII. Paraardhësi më i hershëm i njohur, Yakov Nikitin, ishte një fshatar nga fshati Borodino në rrethin e Tverit.
(Burimi: Wikipedia)

Gjyshi nga babai i Putinit, Spiridon Putin (1879–1965), punoi si kuzhinier për udhëheqësit sovjetikë Vladimir Lenin dhe Joseph Stalin.
(Burimi: Russia Beyond)

Megjithëse familja e Putinit ka origjinë fshatare nga zonat rurale të Rusisë, prindërit e tij nuk ishin fermerë. Babai i tij ishte ushtar detar dhe punëtor fabrike, ndërsa nëna ishte punëtore fabrike. Prandaj, pretendimi se Vladimir Putin është djali i një fshatari është i gabuar dhe çorientues.

The post Presidenti rus Putin nuk është djali i një fermeri të varfër appeared first on Faktoje.al.

E manipuluar përplasja mes Berishës dhe këshilltarit pas humbjes

28 May 2025 at 11:48

Pretendimi: Sali Berisha dhe Chris la Civitas u përplasën me njëri-tjetrin pas humbjes së PD-së

Verdikti: Gjeneruar me AI

Një video, ku shfaqet kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe strategu i fushatës së tij elektorale, Chris la Civitas, duke u goditur me grushta, qarkullon së fundmi në rrjete sociale duke u interpretuar si një përplasje fizike mes të dyve pas humbjes në zgjedhje të Partisë Demokratike.

Videoja është shpërndarë në të gjitha rrjetet sociale nga faqe të ndryshme.

Një verifikim i pamjeve tregon se videoja në të vërtetë është e manipuluar me inteligjencë Artificiale.

Faktoje kërkoi përmes motorrit të kërkimit Google Lens dhe gjeti videon orgjinale. Ajo është xhiruar në datën 7 Shkurt 2025 gjatë një takimi të opozitës. Në fund të videos në minutin 12:46 të videos duket qartë se Sali Berisha dhe Chris la Civitas i japin dorën njëri tjetrit përpara se të largohen nga salla.

Pikërisht ky moment është përdorur dhe modifikuar përmes Inteligjencës Artificiale për t’u dukur sikur Berisha dhe La Civitas po goditen me njëri-tjetrin.

Një tjetër tregues që videoja është e modifikuar me AI janë edhe pamjet e shformuara të gjymtyrëve apo të fytyrave. Sic duket në disa momente të videos, duart apo fytyrat e protagonistëve të videos shfaqen plotësisht të shformuara.

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.

The post E manipuluar përplasja mes Berishës dhe këshilltarit pas humbjes appeared first on Faktoje.al.

Balluku nuk u arrestua për tenderin e tunelit të Llogorasë

30 April 2025 at 13:09

Pretendimi: BKH arreston Belinda Ballukun për abuzimet me tunelin e Llogorasë

Verdikti: E pavërtetë

Në 22 prill, në portalin timoni.al u publikua lajmi i arrestimit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku në kuadër të një hetimi të nisur nga SPAK për ndërtimin e tunelit të Llogorasë.

Ky lajm sigurisht që nuk do të kalonte pa u vënë re nga mediat e tjera. Nga një vëzhgim në rrjet i faqes së saj në rrjete sociale rezulton se në fakt Belinda Balluku vijon e pashqetësuar fushatën elektorale dhe nuk duket të jetë në qeli.

Në datën 22 prill, kur pretendohet arretimi, zv.kryeministrja ka qënë në panairin “Ditët e Bujqësisë 2025”, mes shumë pjesëmarrësve, ndërkohë që dhe në ditët në vijim duket se ajo ka zhvilluar një sërë shfaqjesh publike në aktivitete politike të fushatës.

Pas një kërkimi të zgjeruar mbi informacionet e publikuara në media, rezulton se gjatë këtyre ditëve është raportuar që Byroja Kombëtare e Hetimit ka sekuestruar dokumentat për tenderin e tunelit të Llogarasë.

“Hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë ushtruar kontroll në zyrat e kompanisë “Hill Internacional HV”, në kuadër të një hetimi për disa vepra penale, përfshirë edhe korrupsionin. Kompania në fjalë, në bashkëpunim me “Net Group”, ka fituar tenderin për mbikëqyrjen e ndërtimit të tunelit të Llogorasë — tender i dhënë nga Ministria e Infrastrukturës.” – shkruajtën mediat në 24 Prill.

Lajmi për arrestimin e Belinda Ballukut është i pavërtetë. Verifikimi i burimeve zyrtare dhe i aktivitetit të vetë zyrtares tregon qartë se ajo nuk është arrestuar dhe vazhdon të jetë aktive në detyrë dhe fushatën elektorale të 11 majit.

The post Balluku nuk u arrestua për tenderin e tunelit të Llogorasë appeared first on Faktoje.al.

“Non grata” amerikane për Sali Berishën ende në fuqi

30 April 2025 at 10:03

Pretendimi: Hiqet “Non Grata” e Sali Berishës. Ai udhëton javën e ardhshme drejt SHBA

Vlerësimi: E pavërtetë

Vendosja e “damkës” si non grata për ish-kryeministrin Sali Berisha është një temë që krijon gjithmonë lajme, veçanërisht në median online. Shpesh figura të Partisë Demokratike kanë përsëritur se ky përcaktim që erdhi nga Departamenti i Shtetit Amerikan gjatë presidencës së Joe Biden mund të ndryshojë tashmë që në krye të SHBA-së është Donald Trump. Deri më tani asgjë nuk ka ndodhur në këtë drejtim.

Kjo nuk i ka ndaluar portalet online të pretendojnë se kanë lajme ekskluzive të zhvillimeve të reja për “non-gratan” e kreut të demokratëve Berisha.“Ekskluzive! Hiqet Non Grata! Sali Berisha udhëton në SHBA javën e ardhshme, do tronditet qeveria, ja kë do takoje”. Kështu njoftohet në një nga këto artikuj që pretendohet se citon burime pranë kryedemokratit Berisha.

Të njëjtat burime të paidentifikuara njoftojnë se Berisha do të zhvillojë një takim të rëndësishëm me një senator amerikan, gjë që sipas autorit anonim të shkrimit tregon “një sinjal të fortë për rënien de facto të non-gratës dhe rehabilitimin diplomatik të liderit të opozitës shqiptare”.

Në fakt, nuk ka asnjë njoftim zyrtar që Departamenti Amerikan i Shtetit të ketë hequr Sali Berishën nga lista non-grata dhe kjo vërtetohet edhe nga lista zyrtare e personave që janë përcaktuar të tillë.

Kjo pohohet edhe në vetë shkrimin që në titull njofton heqjen e cilësimit si non-grata duke shpjeguar se Berisha “është gati të paguajë miliona për të hequr non gratën edhe pse nuk ja doli dot ta heqë para zgjedhjeve, kreu i PD synon ta realizojë atë në javët apo muajt në vijim dhe i ka hyrë fort lobimit”.

Kjo tregon se artikulli ka shtrembëruar enkas situatën duke njoftuar në titull diçka të cilën nuk e mbështet më pas në artikull, duke synuar kështu klikime përmes një informacioni të pavërtetë.

The post “Non grata” amerikane për Sali Berishën ende në fuqi appeared first on Faktoje.al.

Zgjedhjet në Shqipëri marrin nuanca ndërkombëtare: Trump, Soros dhe një strateg i ri në Tiranë

29 April 2025 at 16:06

Dy media ndërkombëtare, Fox News dhe Politico, kanë hedhur vështrimin mbi arenën politike shqiptare në prag të zgjedhjeve parlamentare, duke e interpretuar përplasjen Rama-Berisha si reflektim të tensioneve gjeopolitike që tejkalojnë kufijtë kombëtarë. Fox News paraqet përballjen si një luftë me tone ideologjike mes ish-Presidentit amerikan Donald Trump dhe filantropit George Soros, ndërsa Politico e sheh situatën si një pasqyrim të fërkimeve strategjike mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, me ndikim të mundshëm në rrugën europiane të Shqipërisë.

Por ekspertët, të intervistuar nga Faktoje, e konsiderojnë këtë krahasim të nxitur më shumë nga taktikat elektorale sesa nga realitetet politike, dhe vlerësojnë se ai nuk përbën kërcënim real për integrimin europian të vendit.

Një Përballje “Trump vs Soros” në versionin shqiptar?

Fox News njihet për një linjë editoriale konservatore, duke mbështetur shpesh politikanë dhe politika të Partisë Republikane. Kjo media ka qenë veçanërisht mbështetëse ndaj Donald Trump gjatë presidencës së tij dhe kritike ndaj Partisë Demokratike dhe mediave liberale.

analizën e Fox News për zgjedhjet në Shqipëri, autorja Beth Bailey sugjeron se gara politike në Shqipëri është kthyer në një përfaqësim indirekt të përplasjes mes Donald Trump dhe George Soros. Ajo thekson praninë e Chris LaCivitas, strategut të fushatës së Trump, në ekipin e Sali Berishës, ndërsa rikujton lidhjet e njohura mes kryeministrit Edi Rama dhe familjes Soros.

LaCivitas e përforcoi këtë narrativë, duke deklaruar për Fox News se Berisha është “një mik i vërtetë i Shteteve të Bashkuara dhe… do të bashkëpunonte me sukses me Presidentin Trump dhe Shtetet e Bashkuara”, duke e cilësuar Ramën si “kukull të George Soros”.

Marrëdhënia e Ramës me Soros është e dokumentuar dhe publike. Kryeministri e ka theksuar shpesh afërsinë e tij me George Soros dhe veçanërisht me të birin, Alex Soros, me të cilin është fotografuar në mënyrë të përsëritur gjatë viteve të fundit.

Megjithatë, për analistët politikë shqiptarë, ky paralelizëm është artificial. Sipas Adrian Shtunit, ekspert i politikës ndërkombëtare dhe botues, qëllimi i Berishës për t’u pozicionuar në të njëjtën linjë me Trump është i qartë dhe i qëllimshëm: “Ai huazon slogane dhe mesazhe politike pothuajse identike,” thotë Shtuni, duke nënvizuar tri arsye kyçe pas kësaj strategjie.

Së pari, sipas tij, është dëshira për të replikuar në Shqipëri fitoren e Trump në SHBA: “Nëse ka funksionuar për republikanët në SHBA, duhet të funksionojë edhe në Shqipëri për të djathtën.” Në fakt, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në SHBA, Trump arriti të mposhtë Kamala Harris me mbi 2 milionë vota diferencë.

Edhe pse në Shqipëri sondazhet nuk pasqyrojnë të njëjtën prirje, të dhënat nga Barometri i Euronews Albania tregojnë se Berisha ka shënuar rritje të   pëlqyeshmërisë së figurës së tij nga janari në prill.

Së dyti, sipas Shtunit, është përpjekja për të paraqitur konfliktin lokal si pjesë të një përplasjeje ideologjike më të gjerë midis së djathtës anti-globaliste dhe së majtës globaliste.

“Qëllimi është për ta projektuar përballjen Rama-Berisha si pjesë e përplasjes ideologjike mes të djathtës së fortë antiglobaliste apo Trumpizmit në një anë, dhe të majtës globaliste në SHBA dhe Evropë që shpesh përfaqësohet nga Soros” – Adrian Shtuni, studiues.

Kjo, sipas tij, çon edhe një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj elektoratit: “partneri jonë ideologjik fitoi në SHBA; ne jemi me fituesin; votoni ata që janë me fituesin”, shpjegon Shtuni.

Së treti, dhe më personalja: “Kjo është një përpjekje e Berishës për të sinjalizuar afërsi ideologjike me Trump dhe për të kërkuar rishikimin e shpalljes non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit,” sipas Shtunit.

“Në fund të fundit imitimi është forma më e lartë e komplimentit dhe mendoj se z.Berisha dhe poli i tij politik po mundohen të pozicionohen strategjikisht sa më sipër, duke shfrytëzuar edhe këshillat, përvojën dhe lidhjet që ofron z.LaCivitas”, argumenton ai.

Edhe Ledion Krisafi, njohës i politikës ndërkombëtare, bie dakord me këtë vlerësim, duke vënë në dukje se Berisha në të kaluarën ka pasur lidhje me rrjetin e Soros dhe se distancimi i tij i tanishëm është strategjik: “Berisha është bërë anti-sorosian i kohëve të fundit vetëm me qëllim për t’i bërë përshtypje Trumpit që t’i heqë non gratën,” thekson Krisafi.

Për Krisafin, huazimi i ideve të Trump-it nga Berisha është thjesht një kalkulim personal: “Shumica e këtyre ideve nuk kanë asnjë lidhje me realitetin politik dhe social në Shqipëri. Është vetëm për të bërë përshtypje” Megjithatë, ai e konsideron fakt pozitiv për Berishën që një media si Fox News i ka dhënë vëmendje këtij krahasimi.

“Gjithsesi, nuk mendoj se kjo do të ndikojë realisht në zgjedhjet shqiptare. Kjo është një betejë personale e Berishës për të hequr non-gratën dhe nuk ndryshon faktin që shumica e shqiptarëve nuk e shohin atë si kryeministër të ardhshëm.” – Ledion Krisafi, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Politico dhe tensionet BE–SHBA: Një Shqipëri në mes

Politico në anën tjetër një burim profesional dhe relativisht i balancuar, shpesh mund të përceptohet si më afër qëndrimeve liberale apo të qendrës së majtë në spektrin politik amerikan Artikulli i Politico ofron një tjetër interpretim të dinamikës elektorale në Shqipëri. Gara mes Ramës dhe Berishës shihet si pasqyrë e mundshme mes tensioneve mes BE-së dhe SHBA-së në kuadër të “luftës tregtare” transatlantike, duke sugjeruar se rreshtimi i Shqipërisë me politikat ekonomike të Brukselit mund të sjellë sfida në marrëdhëniet me Uashingtonin.

Geron Kamberi, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare shpjegon se edhe pse “krisja” e marrëdhënieve mes SHBA dhe BE është aty, ajo nuk sjell ndonjë pasojë për Shqipërinë pasi kjo e fundit nuk ka rol në rikonfigurimin e ri të marrëdhënieve transatlantike.

Nëse këto dallime do të thellohen në të ardhmen e që mund të shkojnë vecanërisht drejt asaj që mund të quhet një ‘Nato europiane’, atëherë Shqipëria si vend kandidat apo vend anëtar i mundshëm i BE do të duhet të bëjë përllogaritjet e saj të interesit strategjik e diplomatik”  – Geron Kamberi, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Sipas Adrian Shtunit situata nuk përbën një kërcënim real: “Unë nuk parashoh që përplasja mbi tarifat mes BE-së dhe SHBA-së do të ketë ndikim negativ në marrëdhëniet SHBA–Shqipëri. Edhe vetë vendet e BE-së nuk kanë një qëndrim të unifikuar mbi këtë çështje, prandaj nuk mendoj se do të kërkonin me ngulm një pozicion të caktuar nga Shqipëria

Sipas tij, palët do të arrijnë një marrëveshje pragmatiste që do të rikthejë ekuilibrin tregtar. Këtë pikëpamje e ndan edhe Krisafi: “Lufta tregtare nuk do zgjasë shumë. Efektet e saj tashmë janë të dukshme në bursa dhe tregti. SHBA nuk po përfiton realisht, ndaj mendoj se një marrëveshje do të arrihet shpejt, pa e vendosur Shqipërinë në pozitën e zgjedhjes mes dy aleatëve

Një tjetër garant, sipas Geron Kamberit, është edhe “objektivi strategjik i Shqipërisë për anëtarësim në BE, që ka qenë i palëkundur në të gjitha partitë politike në vend ndërkohë që dy partitë kryesore (PS dhe PD) shpesh i kanë shndërruar fushatat elektorale në “pista të Formula Uno” se kush kishte “makinën më të shpejtë të premtimeve” për ta anëtarësuar Shqipërinë me BE.

The post Zgjedhjet në Shqipëri marrin nuanca ndërkombëtare: Trump, Soros dhe një strateg i ri në Tiranë appeared first on Faktoje.al.

Fjalimi që synon pasaportën europiane, por jo ujin e pijshëm

18 April 2025 at 17:00

Në nisje të fushatës për mandatin e katërt, Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim ku dominuan lëvdatat për arritjet e pretenduara të qeverisë dhe disa premtime për katër vitet e ardhshme. Një analizë e thjeshtë e këtij fjalimi ngre pyetje mbi prioritetet e kësaj fushate dhe lidhjen e saj me realitetin e qytetarëve.

Një gjë që bie në sy prej fillimit është se fjalimi nuk është hartuar për të adresuar çështjet e zakonshme dhe “të mërzitshme” të përditshmërisë, si uji i pijshëm apo çmimet, por për të projektuar një horizont më të gjerë, atë të daljes përtej kufijve të vendit, ndoshta edhe si mënyrë për të shmangur diskutimet brenda tyre.

Faktoje vendosi të analizojë fjalimin e kryeministrit duke identifikuar fjalët, që ai përdori më shpesh dhe ato që ai përdori më rrallë në prezantimin e programit për mandatin e 4-t qeverisës.

pasqyrimi grafik i fjalëve të fjalimit sipas shpeshtësisë së përdorimit

Fjalët që u dëgjuan më shpesh gjatë thuajse 2 orëve fjalim ishin “Europiane/ë” (65 herë) dhe “Pasaporta” (34 herë), të cilat formojnë thelbin e sloganit të ri politik të socialistëve. Ky vizion për integrimin evropian u paraqit si suksesi i ardhshëm historik që pritet të finalizohet në mandatin e katërt.

Një joshje kjo për shqiptarët, ironikisht edhe për mundësinë e largimit nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së, vëren politologu Ermal Hasimja për Faktoje.  E përpos kësaj, “Shqipëria 2023 në BE” ka edhe një përllogaritje tjetër elektorale, sipas tij.

Është premtim që mund të riciklohet edhe në 2029 dhe nuk mund ta akuzojë dikush që nuk e ka mbajtur sepse do të ketë edhe një vit kohë deri në 2030. Për më tepër nëse nuk realizohet mund të justifikohet përsëri me idenë se qeveria e ka bërë detyrën, por nuk do BE-ja”, – Ermal Hasimja, politolog.

Edhe pedagogu i gazetarisë Lufti Dervishi e sheh “pasaportën europiane” si element propagandistik, përkundër një komunikimi llogaridhënës që i takon një programi elektoral.

Përdorimi i tepruar i fjalëve si ‘europianë’, ‘pasaportë’, apo ‘mandati i katërt’ nuk ka si synim informimin e qytetarëve, por mobilizimin emocional dhe politik të elektoratit.”  Lutfi Dervishi, pedagog.

Po aq e theksuar ishte edhe fraza “kur morëm detyrën” (29 herë) një kujtesë që rikthimi në kohën para 2013-s është ende pjesë e manualit elektoral. Fill pas saj shfaqet edhe gjuha denigruese. Termin “këneta” kryeministri e përdori 20 herë në fjalim.

Megjithatë, fjalët që prekin jetën e përditshme të qytetarëve dhe standardet bazë të të qënit vërtetë europian, si “ujë” (një herë), “çmime”, “siguri ushqimore”, apo “subvencione” dhe “fermer” u përmendën fare pak ose aspak.

Në një kohë kur siguria ushqimore, bujqësia dhe standardet jetësore janë kyçe për integrimin europian dhe mirëqenien e qytetarëve, mungesa e tyre në fjalim është alarmante. Kjo tregon një mungesë vizioni konkret, dhe një prirje për të shmangur temat që kërkojnë përpjekje strukturore, në favor të sloganeve dhe të simboleve më të lehta për t’u konsumuar mediatikisht” – Lutfi Dervishi, pedagog.

Ky, sipas Dervishit, është tregues i neglizhencës ndaj politikave thelbësore të zhvillimit afatgjatë të vendit.

Pengesë për premtimet konkrete të qeverisë, Ermal Hasimja sheh vetë rezultatet e 3 qeverive të mëparshme.

“Nuk mund të bëjë premtime konkrete për një pjesë të mirë të kushteve bazë të jetesës si uji, shëndetësia apo arsimi, sepse do të ishte përsëritje e premtimeve të pambajtura”, argumenton Ermal Hasimja.

Për qytetarin, ky fjalim nuk është një manual për katër vitet e ardhshme, por një broshurë marketingu për një produkt ende në zhvillim, ose siç e quajti gazetari Lutfi Dervishi “një pasqyrë e asaj që dëshiron të dëgjojë elektorati më shumë sesa një reflektim real mbi problemet që kërkojnë zgjidhje”

The post Fjalimi që synon pasaportën europiane, por jo ujin e pijshëm appeared first on Faktoje.al.

❌
❌