Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 20 August 2025Main stream

TAJLANDË – Nadeen Ayoub palestinezja e parë në Miss Universe

20 August 2025 at 15:33

BANGKOK, 20 gusht /ATSH-ANSA/ – Nadeen Ayoub do të jetë konkurrentja e parë që përfaqëson Palestinën në konkursin e bukurisë Miss Universe të planifikuar për në nëntor në Tajlandë.

“Jam e nderuar të njoftoj se, për herë të parë, Palestina do të përfaqësohet në Miss Universe”, tha modelja 27-vjeçare duke postuar një video në Instagram të saj të veshur me një veshje tradicionale palestineze.

“Ndërsa Palestina vuan, veçanërisht në Gaza, unë mbaj zërin e një populli që refuzon të heshtë. Unë përfaqësoj çdo grua dhe fëmijë palestinez, forcën e të cilëve bota duhet ta shohë. Ne jemi më shumë sesa vuajtja jonë: ne jemi qëndrueshmëria, shpresa dhe zemra e një atdheu që jeton përmes nesh”, shtoi ajo në postim.

Një studente psikologjie, ajo ka punuar për të rritur ndërgjegjësimin rreth rënies së shërbimeve të shëndetit mendor në Gaza dhe vështirësive me të cilat përballen fëmijët që rriten mes konfliktit./ /os/

The post TAJLANDË – Nadeen Ayoub palestinezja e parë në Miss Universe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – Tymi i zjarreve mbërrin në Skandinavi, emetime rekord karboni

20 August 2025 at 15:05

MADRID, 20 gusht /ATSH-ANSA/ – Kriza e zjarreve që ka përfshirë veriperëndimin e Gadishullit Iberik që nga fillimi i gushtit ka pasur një ndikim shkatërrues në mjedis, duke i çuar emetimet e karbonit në Spanjë në nivele të papara, ndërsa tymi nga zjarret ka arritur në vendet skandinave dhe ka kompromentuar cilësinë e ajrit në zona të gjera, duke përkeqësuar efektet negative të zjarreve në Kanada.

Sipas të dhënave nga Shërbimi i Monitorimit Atmosferik ’’Copernicus’’ (CAMS), programi satelitor i Bashkimit Evropian, emetimet totale të karbonit që nga fillimi i vitit kanë arritur një rekord prej 5,5 megatonësh.

Kjo vlerë shënon kulmin më të lartë që kur CAMS filloi të monitorojë parametrin në vitin 2003 dhe tejkalon shumë rekordin e mëparshëm vjetor prej 3,5.

Rritja ka qenë eksponenciale që nga gushti, duke përkuar me shpërthimin e zjarreve. Grimcat e lëshuara në atmosferë nga zjarret “kanë degraduar seriozisht cilësinë e ajrit në gadishullin italian dhe pjesërisht në Francë”, raporton ’’Copernicus’’.

Ekspertët e ’’Copernicus’’ e quajnë fenomenin “të jashtëzakonshëm”, me tymin nga zjarret që kalon Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe madje arrin në vendet skandinave duke shtuar këtu edhe zjarret në Kanada./ /os/

The post SPANJË – Tymi i zjarreve mbërrin në Skandinavi, emetime rekord karboni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Faqja italiane: Kaloni fundgushtin në Tiranë, në qytetin e emocioneve të papritura

20 August 2025 at 14:52

MILANO, 20 gusht /ATSH/ – Shqipëria po e vendos veten me shpejtësi si një nga destinacionet më të habitshme në Ballkan dhe Tirana përfaqëson zemrën që rreh në këtë transformim, shkruan Federico Sala për faqen e njohur turistike italiane agriturismolebalzarine.it.

Nëse jeni duke kërkuar një përvojë autentike udhëtimi, plot kontraste interesante dhe larg nga rruga e rrahur e turizmit masiv, kryeqyteti shqiptar do t’ju ofrojë emocione të papritura.

Me ngjyrat e saj të gjalla, historinë e saj të trazuar dhe energjinë e saj ngjitëse, Tirana është gati t’ju magjepsë.

Duke ecur nëpër rrugët e Tiranës, do të gjeni veten të zhytur në një kaleidoskop përvojash që tregojnë historinë komplekse dhe interesante të Shqipërisë.

Qyteti është si një muze i hapur, ku arkitektura osmane përzihet me arkitekturën italiane nga periudha fashiste, ndërsa ndërtesat e epokës komuniste bashkëjetojnë në mënyrë harmonike me ndërtimet moderne bashkëkohore.

Qendra e qytetit sillet rreth sheshit madhështor ”Skënderbej”, i dedikuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Këtu mund të admironi Xhaminë e Et’hem Beut, një xhevahir i arkitekturës osmane të shekullit XVIII, i rrethuar nga Kulla e Sahatit që dominon peizazhin e qytetit.

Një nga zonat më interesante është padyshim Blloku, ish-lagjja e elitës komuniste që sot përfaqëson zemrën e jetës së natës dhe argëtimit të Tiranës.

Dikur i ndaluar për qytetarët e zakonshëm, sot Blloku pulson me jetë me kafenetë e tij moderne, restorantet gurme’ dhe butikët modernë.

Për të kuptuar vërtet Shqipërinë bashkëkohore, një vizitë në Bunk’Art është thelbësore. Ky muze, i vendosur në një bunker bërthamor të epokës komuniste, ofron një perspektivë prekëse mbi historinë e kohëve të fundit të vendit. Përvoja është si edukative ashtu edhe emocionalisht tërheqëse.

Nuk mund ta humbisni Piramidën e famshme, ish-mauzoleun e Enver Hoxhës të transformuar në një qendër kulturore. Kjo ndërtesë kontroverse është bërë një simbol i aftësisë së Shqipërisë për të rishpikur veten dhe për të parë drejt së ardhmes.

Përvoja gastronomike që nuk duhet të humbni

Kuzhina shqiptare është një zbulim për shijen, me ndikime osmane, italiane dhe ballkanike që krijojnë shije unike.

Në tregun e Pazarit të Ri, mund të provoni specialitete lokale si tavë kosi (qengj i pjekur me kos) ose byrek në të gjitha variacionet e tij, duke shpenzuar mesatarisht midis 5 dhe 15 euro për një vakt të plotë.

Restorantet në qendrën historike ofrojnë përvoja të rafinuara kulinare me çmime të përballueshme: një darkë e plotë në një lokal të nivelit të lartë rrallë do të kalojë 25-30 euro për person, përfshirë verën.

Vetëm 30 minuta nga qendra e qytetit, teleferiku ju çon në malin e Dajtit, duke ofruar pamje marramendëse të të gjithë luginës së Tiranës. Një biletë teleferiku kushton rreth 8 euro vajtje-ardhje, një investim minimal për pamje spektakolare.

Nëse keni kohë për një udhëtim njëditor, Kruja është vetëm një orë me autobus nga Tirana. Ky qytet mesjetar, djepi i rezistencës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane, do t’ju mirëpresë me kështjellën e tij, pazarin tradicional dhe pamjet e paharrueshme të maleve përreth.

Tirana është një qytet jashtëzakonisht i përballueshëm sipas standardeve evropiane.

Një kafe kushton mesatarisht një euro, ndërsa një biletë autobusi për qytetin kushton jo më shumë se gjysmë euro.

Akomodimi në një hotel të mirë kushton rreth 40-60 euro për natë për një dhomë dyshe në qendër të qytetit.

Monedha lokale është leku shqiptar, por eurot pranohen pothuajse kudo. Gjuha zyrtare është shqipja, por shumë flasin italisht, veçanërisht në zonat turistike dhe hotelet.

Koha ideale për ta vizituar

Fundi i gushtit është koha ideale për të vizituar Tiranën, pasi temperaturat janë ende të ngrohta pa qenë shtypëse dhe qyteti është në nivelin e tij më të lartë.

Mbrëmjet janë perfekte për të shëtitur përgjatë rrugës kryesore ose për të shijuar një aperitiv në një bar në çati me pamje nga qyteti.

Tirana ju pret të tregoni historinë e saj të transformimit dhe qëndrueshmërisë, duke ju ofruar një përvojë udhëtimi që nuk do ta harroni kurrë./   /os/

The post Faqja italiane: Kaloni fundgushtin në Tiranë, në qytetin e emocioneve të papritura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump i kërkon Orbanit heqjen e vetos ndaj anëtarësimit të Ukrainës në BE

20 August 2025 at 13:41

UASHINGTON, 20 gusht /ATSH-ANSA/ – Pas telefonatës së tij me Putinin gjatë samitit me udhëheqësit evropianë, të hënën e kaluar, presidenti i SHBA-së, Donald Trump telefonoi gjithashtu kryeministrin hungarez, Viktor Orban për ta nxitur atë të heqë të gjitha pengesat për anëtarësimin e Ukrainës në BE, sipas Bloomberg, duke cituar burime të njohura me çështjen.

Gjatë telefonatës, Hungaria shprehu gatishmërinë e saj për të pritur negociatat e ardhshme midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky në Budapest.

Trump tha se një takim midis Putinit dhe Zelensky do të zhvillohej, por se vendi nuk ishte përcaktuar ende.

Kërkesës së presidentit Trump, Orban iu përgjigj publikisht në Facebook.

“Anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian nuk ofron garanci sigurie”, shkroi ai.

“Prandaj, lidhja e anëtarësimit me garancitë e sigurisë është e padobishme dhe e rrezikshme”, shtoi Orban./ /os/

The post SHBA – Trump i kërkon Orbanit heqjen e vetos ndaj anëtarësimit të Ukrainës në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Dy të tretat e gjermanëve mbështesin ndalimin e eksporteve të armëve drejt Izraelit

20 August 2025 at 13:03

BERLIN, 20 gusht /ATSH-DPA/ – Pothuajse dy të tretat e gjermanëve mbështesin vendimin e kancelarit Friedrich Merz për të pezulluar pjesërisht eksportet e armëve drejt Izraelit, sipas një sondazhi të YouGov.

Sondazhi zbuloi se 65% e të anketuarve mbështetën masën e njoftuar nga qeveria në Berlin në fillim të këtij muaji, ndërsa 19% e kundërshtuan atë dhe 16% ishin të pavendosur.

Sondazhi me 2 175 persona u krye në mesin e gushtit.

Merz tha se eksportet e armëve drejt Izraelit, që mund të përdoren në Rripin e Gazës do të pezullohen, duke përmendur vendimin e qeverisë izraelite për të zgjeruar operacionet ushtarake në territorin palestinez.

Kancelari tha se Berlini do të vazhdojë të mbështesë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, por nuk mund të ofrojë armë për një konflikt që mund të kushtojë qindra mijëra jetë civile./ /os/

The post BERLIN – Dy të tretat e gjermanëve mbështesin ndalimin e eksporteve të armëve drejt Izraelit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Rutte: 30 vende po punojnë për garantimin e sigurisë për Ukrainën

20 August 2025 at 12:21

BRUKSEL, 20 gusht /ATSH-AA/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se 30 vende po punojnë për një kornizë garancish sigurie për Ukrainën, duke theksuar se SHBA-ja tani është e përgatitur t’i bashkohet iniciativës.

Duke folur për FOX News pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe disa udhëheqës evropianë, Rutte i përshkroi diskutimet si “shumë të suksesshme” dhe tha se vendet janë të përqendruara në garancitë e sigurisë që mund të hyjnë në fuqi pas një armëpushimi ose, mundësisht, një marrëveshjeje të plotë paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Pra, gjatë dy muajve të fundit, nën udhëheqjen e kryeministrit britanik, Keir Starmer dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, një grup prej tani 30 vendesh, përfshirë Japoninë dhe Australinë, po punojnë për këtë koncept të garancive të sigurisë”, tha ai.

“Ajo që SHBA-ja kanë thënë tani është se SHBA-ja dëshiron të përfshihet në këtë. Saktësisht se çfarë nënkuptohet me përfshirjen e SHBA-së do të diskutohet gjatë ditëve në vijim”, tha Rutte.

Trump zhvilloi një telefonatë me presidentin rus, Vladimir Putin, e cila rezultoi në një marrëveshje për të mbajtur një takim midis Putinit dhe Zelenskyyt përpara një samiti trepalësh.

“Ai arriti, në një bisedë me presidentin Putin, që Putini të binte dakord për një takim Putin-Zelenskyy. Pra, tani ata do të diskutojnë se ku do të zhvillohet ky takim,” tha ai.

I pyetur nëse u trajtuan lëshimet territoriale nga Ukraina, Rutte tha se kjo çështje nuk u diskutua në Washington.

Ai gjithashtu theksoi se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk ishte pjesë e bisedimeve aktuale.

“Qëndrimi zyrtar i NATO-s që nga samiti i vitit 2024 është se ekziston një rrugë e pakthyeshme për Ukrainën në NATO. Por ajo që po diskutojmë këtu nuk është anëtarësimi në NATO. Ajo që po diskutojmë këtu janë garancitë e sigurisë të tipit Neni 5 për Ukrainën”, tha Rutte./   /os/

The post BRUKSEL – Rutte: 30 vende po punojnë për garantimin e sigurisë për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Lagarde: Ekonomia e eurozonës po ngadalësohet nga tarifat

20 August 2025 at 11:39

GJENEVË, 20 gusht /ATSH-ANSA/ – Ekonomia e eurozonës, pas një rritjeje të fuqishme në tremujorin e parë të vitit 2025, tashmë po tregonte shenja të një ngadalësimi në tremujorin e dytë, i cili pritet të konsolidohet më tej, pasi normat e tarifave të dakordësuara me SHBA-në janë më të larta se vlerësimet e qershorit të BQE-së dhe do të përfshihen në parashikimet e reja të shtatorit, deklaroi sot presidentja e BQE-së, Christine Lagarde.

Ajo shpjegoi se në pritje të tarifave të Trump, të shpallura në pranverë, eksportet drejt SHBA-së ishin përshpejtuar dhe tani po lehtësohen.

Lagarde shpjegoi se rritja në eurozonë “provoi se ishte e qëndrueshme në fillim të vitit, pavarësisht një konteksti sfidues global”.

“Sigurisht, me rritjen e tarifave që po afrohen tani, ky efekt po përmbyset”, shpjegoi Lagarde.

Marrëveshja me Uashingtonin vendos një normë mesatare efektive tarifore midis 12 dhe 16% mbi importet amerikane të produkteve evropiane, disi më e lartë, por ende afër asaj të supozuar në skenarin bazë të parashikimeve të qershorit.

Rezultati i marrëveshjes tregtare është megjithatë shumë më poshtë se skenarin e rëndë të tarifave mbi 20%” që parashikimet e qershorit e kishin marrë në konsideratë, por në të njëjtën kohë ka pasiguri të vazhdueshme sepse tarifat sektoriale për produktet farmaceutike dhe gjysmëpërçuesit nuk janë sqaruar.

Së fundmi, presidentja e BQE-së, në fjalimin e saj para Këshillit Ndërkombëtar të Biznesit të Forumit Ekonomik Botëror, tha se “edhe pse SHBA-ja është dhe do të mbetet një partnere e rëndësishme tregtare, Evropa duhet të forcojë gjithashtu lidhjet e saj tregtare me juridiksione të tjera duke shfrytëzuar forcën e ekonomisë së saj të fortë të orientuar drejt eksportit”./ /os/

The post FOKUS – Lagarde: Ekonomia e eurozonës po ngadalësohet nga tarifat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

TORONTO – ”Air Canada” arrin marrëveshje me sindikatat duke i dhënë fund grevës

19 August 2025 at 16:06

TORONTO, 19 gusht /ATSH/ – Kompania ajrore ”Air Canada” deklaroi se do të rifillojë gradualisht operacionet e fluturimeve, pasi arriti një marrëveshje me sindikatën për 10 000 asistentë fluturimi, duke i dhënë fund një greve që ka prishur planet e udhëtimit të qindra mijëra pasagjerëve, shkruan AP.

Sindikata njoftoi për herë të parë marrëveshjen të martën në mëngjes, pasi ”Air Canada” dhe sindikata rifilluan bisedimet të hënën në mbrëmje, hera e parë që nga fillimi i grevës gjatë fundjavës.

Greva preku afërsisht 130 000 pasagjerë në ditë, në kulmin e sezonit të verës.

Linja ajrore më e madhe kanadeze tha se fluturimet do të rifillojnë të martën në mbrëmje. Asistentë fluturimi lanë punën të shtunën në mëngjes pasi refuzuan kërkesën e linjës ajrore për arbitrazh qeveritar, i cili lejon një ndërmjetës të palës së tretë të vendosë kushtet e një kontrate të re.

Sindikata tha se marrëveshja do të garantojë që anëtarët të paguajnë për punën e kryer ndërsa aeroplanët janë në tokë, duke zgjidhur një nga çështjet kryesore që shkaktoi grevën.

Drejtori ekzekutiv, Michael Rousseau tha se rinisja e një linje ajrore të madhe është një sipërmarrje komplekse dhe se stabilizimi i fluturimeve mund të zgjasë shtatë deri në dhjetë ditë./    /os/

The post TORONTO – ”Air Canada” arrin marrëveshje me sindikatat duke i dhënë fund grevës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Bisedimet me udhëheqësit evropianë ishin shumë të mira

19 August 2025 at 15:31

UASHINGTON, 19 gusht /ATSH-AA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pas bisedimeve disaorëshe në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqësit evropianë tha se po punon për të organizuar një takim me presidentët e Ukrainës dhe Rusisë.

Trump tha se takimet ishin “shumë të mira” dhe trajtoi garancitë e sigurisë për Ukrainën, duke përfshirë edhe angazhimet “që do të ofroheshin nga vendet e ndryshme evropiane, me një koordinim me SHBA-të”.

“Të gjithë janë shumë të lumtur për mundësinë e paqes për Rusinë dhe Ukrainën. Në përfundim të takimeve, telefonova presidentin Putin dhe fillova përgatitjet për një takim, në një vend që do të përcaktohet, midis presidentit Putin dhe presidentit Zelensky”, tha ai në platformën amerikane të mediave sociale, Truth Social.

“Pas këtij takimi, do të kemi një takim trilpalësh, i cili do të jetë i dy presidentëve, plus unë. Ky ishte një hap shumë i mirë dhe i hershëm për një luftë që ka vazhduar për gati katër vjet. Zëvendëspresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i Dërguari i Posaçëm Steve Witkoff, po koordinohen me Rusinë dhe Ukrainën”, shtoi ai./  /os/

The post SHBA – Trump: Bisedimet me udhëheqësit evropianë ishin shumë të mira appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Lavrov: Qëllimi ynë nuk është territori, por mbrojtja e rusëve

19 August 2025 at 14:24

MOSKË, 19 gusht /ATSH-ANSA/ – Qëllimi i Rusisë në Ukrainë nuk ka qenë kurrë pushtimi i territoreve, por mbrojtja e popullatës ruse që jeton atje, deklaroi ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov.

“Do të doja të theksoja edhe një herë, se ne kurrë nuk thamë se thjesht duhej të pushtonim një territor. As Krimenë, as Donbasin, as Novorossian nuk ishin kurrë qëllimi ynë”, deklaroi kreu i diplomacisë ruse.

“Qëllimi ynë ishte të mbronim njerëzit, popullin rus që ka jetuar në këto toka për shekuj me radhë, që i zbuloi këto toka, që derdhi gjakun e tij për to… si në Krime ashtu edhe në Donbas”, shtoi ai.

”Rusia nuk është kundër mbajtjes së bisedimeve të paqes me Ukrainën, në nivel dypalësh ose trepalësh”, përfundoi ai./   /os/

The post MOSKË – Lavrov: Qëllimi ynë nuk është territori, por mbrojtja e rusëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Hamasi pranon një propozim arab për armëpushim në Gaza

19 August 2025 at 13:44

GAZA, 19 gusht /ATSH/ – Grupi militant palestinez Hamas ka deklaruar se ka pranuar një propozim të ri nga ndërmjetësit arabë për një armëpushim në Rripin e Gazës, pasi Izraeli tregoi se qëndrimet e tij nuk kanë ndryshuar, shkruan AP.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duket se hodhi dyshime mbi negociatat e gjata që Uashingtoni ka ndërmjetësuar.

“Ne do ta shohim kthimin e pengjeve të mbetura vetëm kur Hamasi të shpërbëhet dhe të shkatërrohet!!! Sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më të mira do të jenë shanset për sukses”, postoi Trump në mediat sociale.

Izraeli njoftoi planet për të ripushtuar Qytetin e Gazës dhe zona të tjera të populluara me shumicë pasi bisedimet për armëpushim duket se dështuan muajin e kaluar, duke rritur mundësinë e një katastrofe humanitare në përkeqësim në Gaza, e cila ekspertët thonë se po rrëshqet në uri.

Planet për të zgjeruar ofensivën, pjesërisht me qëllim presionin ndaj Hamasit, kanë shkaktuar zemërim ndërkombëtar dhe kanë zemëruar shumë izraelitë që kanë frikë për pengjet e mbetura të marra në sulmin e 7 tetorit 2023 që filloi luftën.

Qindra mijëra morën pjesë në protesta masive të dielën duke kërkuar kthimin e tyre.

Ministri i Jashtëm egjiptian Badr Abdelatty tha se ndërmjetësit po “bëjnë përpjekje të gjera” për të ringjallur një propozim të SHBA-së për një armëpushim 60-ditor, gjatë të cilit disa nga 50 pengjet e mbetura do të liroheshin dhe palët do të negocionin një armëpushim të qëndrueshëm dhe kthimin e pjesës tjetër./  /os/

 

The post FOKUS – Hamasi pranon një propozim arab për armëpushim në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Gary Oldman rrëfen varësinë nga alkoolin dhe daljen nga ferri

19 August 2025 at 12:21

LOS ANXHELES, 19 gusht /ATSH/ – Aktori dhe regjisori i njohur britanik, Gary Oldman rrëfen në një intervistë ekskluzive 28 vitet e tij të fundit pa alkool.

Në një intervistë me ”The Hollywood Reporter”, aktori 67-vjeçar ndan një përditësim mbi 28 vitet e tij të fundit duke reflektuar mbi historinë e abuzimit me alkoolin, shkruan people.com.

Aktori ndaj me lexuesit udhëtimin e tij drejt maturisë, e cila ka ndikuar në gjithçka në jetën e tij, përfshirë karrierën.

“Jam në një pozicion të shkëlqyer tani dhe shumë nga kjo është për shkak të pjekurisë”, tha ylli i ”Harry Potter”-it.

“Kanë kaluar 28 vjet. Kishte një pikë ku nuk mendoja se mund të rrija 28 sekonda pa pirë. Heronjtë e mi – heronjtë letrarë, heronjtë e filmave, heronjtë e teatrit, heronjtë e sportit, heronjtë e muzikës – ishin të gjithë pijanecë dhe të varur nga droga. Ata ishin të gjithë poetë dhe artistë të rrënuar. I admiron, i shndërron në romantikë dhe dëshiron t’i imitosh”, theksoi Oldman.

“Nuk fillova të pija sepse më pëlqente Hemingway. Ishte një normë shoqërore dhe në një moment doli jashtë kontrollit. Dhe nuk ka të bëjë me askënd tjetër përveç meje”, shtoi ai.

Fituesi i Oscar-it pranoi se duhej të mësonte se jeta e tij ishte më e mirë edhe pa alkool.

“Është vetëm një justifikim, në të vërtetë thjesht tallesh me veten. Jeta ime, jeta ime personale, është jashtëzakonisht më e mirë sepse nuk jetoj më në një mjegull. Me ritmin që po bëja më parë, nuk do të isha këtu me ty. Do të isha i vdekur”, pranon ai.

Oldman ka folur hapur edhe për shërimin e tij gjatë viteve.

Para se të kthjellohej, pas dy periudhave në një qendër rehabilitimi, Oldman tha se ishte një alkoolist aktiv për dy dekadat e para të jetës së tij si i rritur, njësoj si personazhi i tij në film, i cili vdiq nga helmimi uremik në moshën 55 vjeç, në vitin 1953.

Oldman i ka bërë jehonë rikuperimit të tij gjatë viteve.

Në vitin 2021, aktori foli hapur rreth përballjes me alkoolizmin dhe se si kjo ndikoi në qasjen e tij ndaj rolit të tij si skenarist në filmin e nominuar për çmimin Golden Globe, ”Mank”.

“Më parë pija vodka”, tha Oldman për ”Los Angeles Times” në vitin 2021.

“Bëhet një pjesë e jotja… Nuk do t’ia dëshiroja as armikut tim më të keq të jesh në kthetrat e alkoolit. Është ferr”, përfundon ai./  /os/

The post KINEMA – Gary Oldman rrëfen varësinë nga alkoolin dhe daljen nga ferri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Vdes Joe Caroff, dizajneri i posterave të filmave ikonikë

19 August 2025 at 11:32

NJU JORK, 19 gusht /ATSH/ – Joe Caroff, dizajneri grafik përgjegjës për logon e pistoletës 007 dhe posterat e panumërt të filmave klasikë ka vdekur në moshën 103-vjeçare, shkruan theguardian.com.

Joe Caroff, puna e të cilit mund të shihet në postera për filma të tillë si ”West Side Story”, ”A Hard Day’s Night”, ”Last Tango in Paris”, ”Cabaret”, ”Manhattan” dhe ”The Last Temptation of Christ”, vdiq të dielën, sipas djemve të tij, Peter dhe Michael Caroff.

Caroff punoi në më shumë se 300 fushata reklamuese gjatë karrierës së tij, por dy detyrat e tij të para rezultuan të ishin ndër më të qëndrueshmet dhe fitimprurëset.

Ekzekutivi i ”United Artists”, David Chasman, fillimisht e punësoi atë për të dizajnuar posterin për ”West Side Story” (1961).

Përshtatja e shkronjave sipas materialit u bë një markë tregtare.

Shembuj të tjerë kryesorë përfshijnë posterin e tij për ”Manhattan” (1979), një nga më shumë se një duzinë bashkëpunimesh me Woody Allen.

Detyra e dytë e Caroff ishte të dizajnonte fushatën reklamuese për filmin e parë të Bond, ”Dr. No”, në vitin 1962.

I frymëzuar nga pistoleta e preferuar e Ian Fleming-ut, një ”Walther PPK”, Caroff shtoi një tytë dhe një këmbëz në imazh dhe u pagua 300 dollarë, një tarifë që nuk u rrit kurrë me asnjë të drejtë autori ose honorar.

Ashtu si me shumicën e punës së tij, logoja nuk u kreditua dhe Caroff nuk mori kurrë vlerësimin publik ose famën e bashkëkohësit të tij të ngushtë, Saul Bass.

Postera të tjerë kryesorë përfshijnë ”A Fistful of Dollars” (1964) dhe ”For a Few Dollars More” (1965) të Sergio Leone, si dhe ”Last Tango in Paris” (1972), “Rollerball” (1975), ”An Unmarried Woman” (1978) dhe “Gandhi” (1982)./   /os/

 

The post KINEMA – Vdes Joe Caroff, dizajneri i posterave të filmave ikonikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Maleiev: Bota demokratike po qëndron së bashku, asnjë metër territor Rusisë

19 August 2025 at 10:45

BERLIN, 19 gusht /ATSH-DPA/ – Ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Oleksii Makeiev, ka mirëpritur shfaqjen e unitetit në samitin e Ukrainës në Uashington, ndërsa theksoi se lëshimet territoriale ndaj Rusisë nuk janë një opsion për Kievin.

“Imazhet nga Uashingtoni dje ishin vërtet shumë të mira. Ato tregojnë se bota demokratike po qëndron së bashku”, tha Makeiev për revistën ”Morgenmagazin”.

I pyetur për mundësinë e dhënies së territorit ukrainas Rusisë si pjesë e një zgjidhjeje paqeje, Makeiev e hodhi poshtë idenë si të paimagjinueshme.

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me territorin. Nuk është një lojë kompjuterike ku thjesht mund të dorëzosh një copë territori dhe të vazhdosh të luash me një klikim të mausit. Miliona e miliona ukrainas jetojnë atje”, shtoi ai.

Komentet e tij erdhën pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump takoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe disa udhëheqës kryesorë evropianë, në Shtëpinë e Bardhë.

Trump dhe Zelensky shprehën shpresën se bisedimet e përzemërta do të hapin rrugën për një takim trepalësh me presidentin rus Vladimir Putin.

Trump tha gjithashtu se SHBA-të do të ndihmonin aleatët evropianë të siguronin sigurinë për Ukrainën në rast se nënshkruhet një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë atje./  /os/

 

The post BERLIN – Maleiev: Bota demokratike po qëndron së bashku, asnjë metër territor Rusisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Trump: Mundësia për të arritur paqe në Ukrainë është e madhe

19 August 2025 at 10:06

UASHINGTON, 19 gusht /ATSH-AA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se takimi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe udhëheqësit evropianë “nuk është fundi i rrugës” dhe se mundësia është e madhe për të arritur paqe në Ukrainë.

Trump bëri deklarata për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, ku u takua me Zelenskyn.

“Takimi me Zelenskyn dhe udhëheqësit evropianë nuk është fundi i rrugës. Do të kemi një takim. Mendoj se gjithçka do të jetë mirë sot, do ta provojmë këtë dhe kur ta bëjmë, do të kemi një shans për t’i dhënë fund luftës”, tha Trump.

Kur u pyet për vendosjen e trupave amerikane në Ukrainë si paqeruajtës, Trump tha se “ne do të punojmë me Ukrainën dhe Rusinë. Do të punojmë me të gjithë dhe nëse ka paqe, do të sigurohemi që paqja të zgjasë për një kohë të gjatë”.

“Nuk kam asnjë dyshim për paqen afatgjatë”, tha Trump në lidhje me garancitë e sigurisë që do t’i ofrohen Ukrainës, ndërsa shtoi se “do të ketë shumë ndihmë për çështjen e sigurisë. Do të jetë mirë. Ata (Evropa) janë vija e parë e mbrojtjes sepse janë atje, por edhe ne do t’i ndihmojmë ata. Edhe ne do të jemi të përfshirë”.

Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se qëllimi i tij në bisedime nuk është arritja e armëpushimit midis Rusisë dhe Ukrainës, por të “arrijë një marrëveshje të drejtpërdrejtë paqeje”./   /os/

The post FOKUS – Trump: Mundësia për të arritur paqe në Ukrainë është e madhe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Shtetet evropiane planifikojnë 50 000 trupa në Ukrainë nëse arrihet armëpushimi

18 August 2025 at 15:55

BRUKSEL, 18 gusht /ATSH-AA/ – Vendet evropiane janë të përgatitura të vendosin 50 000 trupa tokësore në Ukrainë nëse arrihet një armëpushim, raportoi e përditshmja finlandeze ”Iltalehti” duke cituar burime të politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Në lajm thuhet se është hartuar tashmë një plan operativ për të dërguar një forcë të tërë ushtarake, të komanduar nga një gjeneral perëndimor, si pjesë e një garancie sigurie për Kievin.

Vendosja e trupave do të kryhet nën “Koalicionin e të Vullnetshmëve”, të udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.

Prania e 50 000 ushtarëve perëndimorë do të shërbente si një pengesë duke parandaluar në mënyrë efektive Rusinë nga vazhdimi i pushtimit të saj.

Forca do të mbështetet nga njësitë ajrore dhe detare aleate, duke siguruar mbrojtjen e hapësirës ajrore ukrainase.

”Përderisa Ukraina mund të ruajë sovranitetin e saj politik edhe nëse humbiste territor, plani i raportuar synon t’i ofrojë Kievit një ombrellë të besueshme sigurie në rast të një armëpushimi”, raportoi e përditshmja./     /os/

The post BRUKSEL – Shtetet evropiane planifikojnë 50 000 trupa në Ukrainë nëse arrihet armëpushimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PEKIN – Kina: Gati për ribashkim paqësor me Tajvanin

18 August 2025 at 14:34

PEKIN, 18 gusht /ATSH-ANSA/ – Kina është gati të ndjekë ribashkimin paqësor me Tajvanin, vetëm disa ditë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se homologu i tij Xi Jinping kishte premtuar të mos pushtonte ishullin, ndërsa ai është ende në Shtëpinë e Bardhë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning përsëriti qëndrimin e Pekinit se ”çështja e Tajvanit është çështje e brendshme e Kinës”, kur u pyet për të komentuar mbi deklaratat e presidentit Trump.

“Ne jemi të gatshëm të punojmë me përkushtim dhe sinqeritet të plotë për ribashkimin paqësor, por nuk do të lejojmë askënd ta ndajë Tajvanin nga Kina në asnjë mënyrë”, shtoi Mao./   /os/

The post PEKIN – Kina: Gati për ribashkim paqësor me Tajvanin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Erdogan zgjedh një varg poetik për postimin e tij të parë në rrjetet sociale

18 August 2025 at 14:34

STAMBOLL, 18 gusht /ATSH-AA/ – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip ErdoGan, bëri postimin e tij të parë në rrjetin social NSosyal.

Në postimin e tij të parë në platformën turke të mediave sociale NSosyal, Erdogan citoi poezinë e poetit Erdem Bayazıt “Së shpejti do të lindë dita”, duke ndarë vargun “Një lule çeli midis mureve të betonit”.

“A jeni gati?”, shkroi presidenti turk.

Në postimin e tij, presidenti përfshiu edhe hashtagun “Po fillojmë”, së bashku me emoji të flamurit turk, të Tokës dhe të një rakete./ /os/

The post SOFT NEWS – Erdogan zgjedh një varg poetik për postimin e tij të parë në rrjetet sociale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BH – Dorëhiqet kryeministri i Republika Srpska, Radovan Vishkoviç

18 August 2025 at 14:28

SARAJEVË, 18 gusht /ATSH/ – Radovan Vishkoviq, kryeministër i entitetit të Bosnje- Hercegovinës, Republika Srpska, dha sot dorëheqjen.

Vishkoviç është anëtar i Aleancës së Social-demokratëve të Pavarur (SNSD), të udhëhequr nga Milorad Dodik.

Vishkoviç është një nga të dyshuarit në hetimin e Prokurorisë së Bosnje-Hercegovinës për veprën penale të sulmit ndaj rendit kushtetues.

Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Dodik, president i Republikës Srpska, si dhe Nenad Stevandiç, kryetar i parlamentit të entitetit.

Nuk janë bërë të ditur arsyet pse Vishkoviç dha dorëheqje, por vetëm u njoftua se do të zgjidhet një qeveri e re e Republikës Srpska.

“Kjo është një ditë që e kam pritur që kur u emërova kryeministër. Ky është edhe kontributi im për një konsensus sa më të gjerë”, tha Vishkoviç në një konferencë për media, pas një takimi në selinë e presidentit të entitetit./  /os/

The post BH – Dorëhiqet kryeministri i Republika Srpska, Radovan Vishkoviç appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – Tjetër viktimë dhe 343 000 hektarë tokë të djegura nga zjarret

18 August 2025 at 14:04

MADRID, 18 gusht /ATSH-AFP/ – Një tjetër viktimë dhe mbi 343 000 hektarë tokë janë djegur në Spanjë që nga fillimi i vitit, një shifër në rritje të vazhdueshme që përfaqëson një rekord për vendin, sipas të dhënave të përditësuara nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), një tregues i observatorit evropian ”Copernicus”.

Viti 2022 ishte viti më i keq deri më tani për sa i përket sipërfaqes së shkatërruar nga zjarret në Spanjë, me 306 000 hektarë të djegur.

Ndërkohë, Portugalia mban rekordin evropian që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 2006, me 563 000 hektarë të djegur në vitin 2017, në zjarre që vranë 119 persona.

Vendi është përfshirë përsëri nga flakët këtë verë, me 216 000 hektarë të shkatërruar që nga fillimi i vitit.

Që kur shpërthyen në fillim të gushtit, zjarret e përhapura në Spanjë, të përqendruara në veriperëndim dhe perëndim të vendit, në Galicia, Castile dhe León dhe Extremadura, kanë marrë tashmë katër jetë.

I përballur me shkallën e shkatërrimit të shkaktuar nga këto zjarre, kryeministri Pedro Sanchez njoftoi “një pakt kombëtar për të adresuar emergjencën klimatike”.

Ekspertët shpjegojnë se ngrohja globale e shkaktuar nga aktiviteti njerëzor po i bën ngjarjet ekstreme të motit, siç janë thatësirat, valët e nxehtësisë dhe zjarret në pyje, më të shpeshta, më intensive dhe më afatgjata.   /os/

 

The post SPANJË – Tjetër viktimë dhe 343 000 hektarë tokë të djegura nga zjarret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌