TIRANË, 12 maj/ATSH/ Kreu i misionit të OSBE/ODIHR, ambasadori Lamberto Zannier deklaroi sot se dita e zgjedhjeve të 11 majit në përgjithësi ishte e qetë dhe transparente.
“Vëzhguesit tanë panë se votimi në përgjithësi, në shumicën e qendrave të votimit ishte i rregullt. Megjithatë në shumë qendra votimi procedurat nuk u ndoqën si duhet dhe kjo çoi në disa vlerësime më negative. Sidomos një numër incidentesh intimidimi të vëzhguesve të partive, persona që ndërhynin në qendrat e votimit dhe pretendime për shitblerje vote”, theksoi ai në konferencën për shtyp, ku u paraqitën gjetjet paraprake të vëzhguesve të misionit të OSBE/ODIHR.
Zannier-i tha se përgatitjet e zgjedhjeve ishin eficiente dhe të menaxhuara mirë.
“Ne pamë se përgatitjet e zgjedhjeve ishin eficiente dhe të menaxhuara mirë, duke përfshirë edhe përgatitjet për votimin nga jashtë. Pamë se administrata zgjedhore ishte transparente në përputhje edhe me afatet ligjore. Komisioni bëri edhe fushatë informimi të zgjedhësve, duke adresuar popullatën, pakicat kombëtare, zgjedhësit me aftësi të kufizuara dhe zgjedhësit jashtë vendit. Pamë ditën e zgjedhjeve që kishte zgjedhës të pafamiljarizuar, që nuk dinin si të votonin në disa qendra votimi. Pamë trajnimin e komisionierëve dhe pamë se edhe trajnimi mund të ishte më konsistent dhe efikas”, u shpreh Zannier.
Nga ana tjetër, ambasadori Zannier vuri në dukje se aksesueshmëria e qendrave të votimit të personave me aftësi të kufizuara mbetet një problem. “Vëzhgimi ynë i votimit dhe i procesit vazhdon, por pamë që transmetimi i të dhënave, rezultateve nga qendra që përdorën mjete elektronike u anulua dhe pati vonesa në dërgimin e votave nga jashtë shtetit”, u shpreh Zannier.
Sipas tij, rekomandimet e mëparshme të ODIHR mbeten ende të paadresuara dhe ende nuk ka pasur një reformë elektorale gjithëpërfshirëse.
“ODIHR është i gatshëm të kontribuojë për zgjidhjen e këtyre çështjeve të pazgjidhura”, deklaroi Zannier-i.
Fushata, vijoi më tej, përgjithësisht ishte e qetë, por pati vazhdimisht sulme mes drejtuesve kryesorë të partive politike, sidomos online, që reflekton mjedisin politik që tregon një polarizim tejet të madh.
“Kemi dëgjuar shqetësime për shpërdorim të burimeve shtetërore që u pa edhe nga vetë vëzhguesit në shumë raste, duke përfshirë edhe në aktivitetet e mëdha, ku u shpallën programe të mëdha edhe një ditë para ditës së zgjedhjeve apo falja e gjobave. Këto praktika i dhanë avantazh të padrejtë partisë në pushtet, duke çuar në kushte të pabarabarta garimi”, tha kreu i misionit.
Duke folur për fushatën në rrjetet sociale, ambasadori Zannieri tha se ajo mbetet e parregulluar.
“Partitë politike e nënshkruan një kod etik, duke promovuar një fushatë digjitale etike, megjithatë pikëpamjet e amplifikuara në rrjete sociale ishin të dukshme dhe nuk patën një autoritet për të monitoruar përmbajtjen manipuluese online. Disa parti politike iu ankuan misionit për ndalimin e TikTok-ut nga qeveria dy muaj para zgjedhjeve. Kjo ka ndikuar sipas tyre negativisht në fushatën e tyre”, theksoi ambasadori.
Ambasadori Zannier vuri në dukje se financimi i fushatës mbetet një sfidë e rëndësishme në kuadrin ligjor aktual dhe jo efikas.
“Që nga 2020-a ka pasur vetëm ndryshime të kufizuara në rregullat për financimin e fushatës. Rekomandimet kyçe të ODIHR në këtë fushë mbeten të paadresuara dhe kjo vazhdon të ndikojnë në transparencën e përgjithshme të financave të fushatës zgjedhore. Pozitive është që KQZ shpërndau në kohë fondet publike që i lejoi kandidatët t’i shfrytëzonin ato në kohën e duhur”, deklaroi ambasadori.
Sa i përket medias, ambasadori Zannier bëri të ditur se dy partive politike kryesore iu dha dy herë më shumë kohë se partive të tjera dhe dy partitë e mëdha ishin ato që dominuan edicionet informative.
Ai informoi se Zyra e OSBE për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut do të qëndrojë deri më 22 maj në Shqipëri për të ndjekur procesin e apelimeve dhe ankimeve. Raporti përfundimtar, vuri në dukje Zannier, do të publikohet pas disa muajsh.
Ai vlerësoi angazhimin e popullit shqiptar nga shumë këndvështrime në këtë proces zgjedhjesh, sikurse angazhimin e votuesve brenda dhe jashtë vendit.
“Këto zgjedhje u zhvilluan pas ndryshimeve të sistemit zgjedhor dhe pas futjes për herë të parë të votimit nga jashtë vendit duke i bërë këto zgjedhje gur të rëndësishëm themeli për këtë vend”, shtoi ambasadori Zannier. /j.p/r.e/
The post Ambasadori Zannier: Rekomandimet e OSBE-ODIHR ende të paadresuara, gati të ndihmojmë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.