Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 July 2025Main stream

Rasti i Agon Zejnullahut, gjykata vendos për rikthimin e 5 policëve në paraburgim

23 July 2025 at 13:50

Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan, vendosi që t’i kthejë në paraburgim pesë zyrtarët policorë që dyshohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu.

Rasti ishte në rigjykim nga 21 korriku, me kërkesë të mbrojtësve të tyre.

Në aktvendimin e fundit të Gjykatës Themelore thuhet se të dyshuarve u caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji dhe se ajo do të llogaritet prej datës së ndalimit të tyre, më 7 korrik 2025, deri më 6 gusht 2025.

Aty, po ashtu, thuhet se “pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit dhe pas vlerësimit të kundërshtimeve dhe argumenteve të të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre”, ka “arsye të mjaftueshme që të pandehurve t’iu caktohet masa e paraburgimit”.

Zejnullahu ka vdekur në orët e para të 7 korrikut, pasi është arrestuar nga policia në Lipjan.

Vdekjen e tij në vendngjarje e ka konstatuar edhe ekipi mjekësor. /Rel/

The post Rasti i Agon Zejnullahut, gjykata vendos për rikthimin e 5 policëve në paraburgim appeared first on Telegrafi.

Ngjarje e rëndë në Himarë, humbë jetën një 23-vjeçare holandeze pasi bie nga shkëmbi – lëndohet një turiste franceze

23 July 2025 at 13:31

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të mërkurë në Gjiri i Filikur” në Himarë.

Policia bën të ditur se dyshohet se gjatë zbritjes nga shkëmbi me litar, është rrëzuar aksidentalisht shtetasja holandeze M. B., 23 vjeçe, të cilës iu dha ndihma e parë mjekësore dhe u transportua me ndihmën e Policisë Kufitare, por për shkak të dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë, shkruan A2 CNN.

Gjithashtu, si pasojë e rrëshqitjes së disa gurëve në momentin e ngjarjes, është dëmtuar dhe po merr ndihmë mjekësore në spital, shtetasja franceze J. L., 18 vjeçe, e cila ndodhej në afërsi. (A2 Televizion)

The post Ngjarje e rëndë në Himarë, humbë jetën një 23-vjeçare holandeze pasi bie nga shkëmbi – lëndohet një turiste franceze appeared first on Telegrafi.

Vrasja e shtetasit irakian në Vërmicë të Prizrenit, ngrihet aktakuzë ndaj një personi

23 July 2025 at 13:24

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.A., i  cili gjenden nën masën e paraburgimit nga data 15.10.2024 për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprat penale “vrasja e rëndë” dhe veprën penale “mbajtja në pronësi, kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se: “Sipas aktakuzës, i pandehuri M.A., më dt. 17-18.06.2022,  në kohë të pacaktuar, në rrugët malore në afërsi të fshatit Vërmicë në Prizren, pas një mosmarrëveshje paraprake në mes të grupit të tij dhe grupit të të ndjerit J.H.– shtetas Irakian lidhur me kontrabandimin e migrantëve Sirian në territorin e Kosovës, duke vepruar i armatosur me dashje privon nga jeta të ndjerin J.H. duke shtënë me armë pistoletë të kalibrit 7.65×17 mm, në drejtim të të ndjerit, ku sipas konkluzionit të autopsisë MA-22-193, të dr. Naim Halitit, vdekja e të ndjerit është e dhunshme dhe ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme si pasojë e rupturës së mushkërisë së majtë të shkaktuar nga predha e armës, po ashtu, me këtë rast gjatë të shtënave me armë ka vë në rrezik edhe jetën e personave tjerë migrantë te cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin në bjeshkët e fshatit Vërmicë, e gjithë kjo me qëllim të eliminimit të grupit të të ndjerit dhe përfitimit të dobisë pasurore lidhur me kontrabandimin e migrantëve, ku pas ekzaminimit të telefonit të akuzuarit janë gjetur fotografi,  video-incizime të vrasjes të ndjerit në vendin e ngjarjes si dhe nga transkriptimi i bisedave të zhvilluara në rrjetin social ‘Whats app’ në bazë të komunikimit me personin e tretë N.N., e pranon se e ka vrarë njërin nga grupi i kurdëve, Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale ‘vrasja e rëndë’ sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se i njëjti ka poseduar pa leje valide armën – pistoletë të kalibrit 7.65×17 mm,, me të cilën ka privuar nga jeta të ndjerin J.H. gjë që shihet nga gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

The post Vrasja e shtetasit irakian në Vërmicë të Prizrenit, ngrihet aktakuzë ndaj një personi appeared first on Telegrafi.

Ndërpritet seanca e 51-të e Kuvendit të Kosovës

23 July 2025 at 11:31

Seanca e 51-të e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë sot, pa arritur sërish konstituimin e plotë të legjislaturës duke e vazhduar bllokadën institucionale që po zgjat prej javësh.

Pas një debati mes kryesuesit të seancës Avni Dehari dhe deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, seanca u ndërpre pa u proceduar në votim Komisioni për votim të fshehtë.

Që nga mbajtja e seancës së parë më 15 prill, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ende të konstituohet, duke e lënë vendin pa funksionim të rregullt institucional për më shumë se tre muaj.

Ndërkaq, seanca e radhës pritet të mbahet më 25.07.2025 në orë 11:00.

Ndryshe, kanë mbetur edhe pak ditë deri te përfundimi i afatit kushtetues, ku Gjykata Kushtetuese më 26 qershor i kishte dhënë 30 ditë për përfundimin e seancës konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese më 26 qershor ka publikuar aktgjykimin në rastin KO124/25, lidhur me kërkesën e parashtruar nga deputetja Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit, që kundërshtonin vendimin për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë dhe vendime të tjera të ngjashme, të marra gjatë seancave konstituive të Kuvendit të mbajtura në prill dhe maj 2025.

Gjykata ka theksuar se seanca konstituive e Kuvendit e nisur më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar, për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve, duke mos përmbushur kështu kërkesat kushtetuese të nenit 66 të Kushtetutës.

Po ashtu, Gjykata ka vendosur që deputetët e zgjedhur janë të obliguar që brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, të përfundojnë seancën konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Kjo nënkupton se palët politike kanë tashmë një afat të përcaktuar dhe një orientim më të qartë për të zgjidhur bllokadën dhe për të formuar organet drejtuese të Kuvendit në përputhje me rendin kushtetues, që i bie 26 korrik 2025. /Telegrafi/

The post Ndërpritet seanca e 51-të e Kuvendit të Kosovës appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 22 July 2025Main stream

Zjarret në Shqipëri – 13 vatra të raportuara, 9 aktive dhe 3 të shuara

22 July 2025 at 15:47

Nga të dhënat e raportuara në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, deri në orën 14:00 janë raportuar 13 zjarre, nga të cilat 3 vatra janë shuar, 9 vatra zjarri janë aktive dhe 1 në monitorim.

Kështu u bë e ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook të Ministrisë së Mbrojtjes.

Tutje bëhet e ditur se është bërë izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në, në fshatin Guras, njësia administrative Buçimas, bashkia Pogradec, në fshatin Lapardha, njësia administrative Otllak, bashkia Berat dhe në fshatin Buz Madh, njësia administrative Cakran, bashkia Fier.

Aktualisht, siç thuhet në postim janë aktive vatrat në qarkut e Dibrës, në qarkun e Vlorës, Elbasan, Lezhë, Korçë dhe Gjirokastër.

Po ashtu në postim bëhet e ditur se në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 21 automjete zjarrfikëse për momentin dhe 519 forca operacionale. /Telegrafi/

The post Zjarret në Shqipëri – 13 vatra të raportuara, 9 aktive dhe 3 të shuara appeared first on Telegrafi.

15 vjetori i shpalljes së mendimit të GJND-së, Kurti: Do mbetet akt i vulosjes së ligjshmërisë së Pavarësisë së Kosovës

22 July 2025 at 13:30

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 15-vjetorin e shpalljes së mendimit këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) për ligjshmërinë e deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Ai përmes një postimi në rrjetin social në Facebook e cilësoi këtë moment si një ndër momentet më të rëndësishme në afirmimin ndërkombëtar të së drejtës së popullit të Kosovës për shtetformim, vetëvendosje dhe liri.

“Sot bëhen 15 vite nga shpallja e Mendimit Këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Mendimi Këshillëdhënës i GjND-së i dha dritë njohjes vendimtare të së drejtës së popullit të Kosovës për shtetformim, vetëvendosje e liri. Ajo do mbetet akt i vulosjes së ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në të drejtën ndërkombëtare, dëshmi për legjitimitetin ndërkombëtar të së drejtës për vetëvendosje të popullit të Kosovës dhe akt konfirmues i evidencës shoviniste e kolonizuese të Serbisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Sipas kryeministrit në detyrë, mendimi këshillëdhënës është një nga momentet më frymëzuese në marrëdhëniet ndërkombëtare për siç tha “për shkak se i jep shpresë e vullnet popujve liridashës që drejtësia ndaj kauzës së tyre më në fund edhe mund të triumfojë”.

“Vlera juridike e këtij Mendimi, nuk do mend, do t’i shërbejë gjeneratave të juristëve si një mësim për parimësinë dhe etikën në vendosjen e interpretimin e vlerave universale. Ajo do mbetet edhe një mësim për Serbinë, e cila me nxitim loboi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për ta pyetur Gjykatën për ligjshmërinë e pavarësisë së Republikës sonë. Nxitimi i saj u kthye në një humbje të madhe të politikës serbomadhe, e po ashtu simbolikisht një kujtim për viktimat e kolonizimit, diskriminimit sistematik e gjenocidit të saj”, ka shkruar Kurti në Facebook. /Telegrafi/

The post 15 vjetori i shpalljes së mendimit të GJND-së, Kurti: Do mbetet akt i vulosjes së ligjshmërisë së Pavarësisë së Kosovës appeared first on Telegrafi.

“Veç sa s’shpërtheva në lot”, ish ministri Hyseni rikujton momentet pas opinionit të GJND-së për Pavarësinë e Kosovës

22 July 2025 at 13:20

Me rastin e 15-vjetorit të opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, ish-ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni ka kujtuar zhvillimet dhe sfidat që i paraprinë këtij vendimi historik.

Hyseni përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka theksuar se ky opinion mbetet një nga arritjet më të rëndësishme diplomatike të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, duke i dhënë legjitimitet ndërkombëtar aktit të 17 shkurtit 2008.

“Sot, 22 korrik 2025, bëhen 15 vjet nga dita e konfirmimit të pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që mbetet fitorja më e madhe diplomatike e vendit tonë pas shpalljes së pavarësisë”, ka shkruar Hyseni

Ai ka shtuar se ndihet krenar që e ka koordinuar procesin dhe e ka përfaqësuar Kosovën.

Për më shumë lexoni të plotë postimin e tij:

Sot, 22 korrik 2025, bëhen 15 vjet nga dita e konfirmimit të Pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që mbetet fitorja më e madhe diplomatike e vendit tonë pas shpalljes së pavarësisë.

Ndjehem krenar që e kam koordinuar gjithë procesin dhe e kam përfaqësuar Republikën e Kosovës pranë GJND-së. Prandaj në këtë përvjetor do të ndalem pak më gjatë te rrethanat që i paraprinë kësaj ngjarje historike.

Më 22 korrik 2010, u rikonfirmua besimi që kishim artikuluar në mënyrë konsistente në drejtësinë ndërkombëtare, sikundër edhe besimi i thellë në forcën dhe substancën e argumentit tonë në të dyja fazat e procesit.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, më 22 korrik 2010, me një votë bindëse prej 10 me 4, erdhi në përfundim “se deklarata e Pavarësisë së Kosovës e miratuar me 17 shkurt 2008 nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”. Ky Mendim i Gjykatës ishte konfirmim dhe afirmim i qëndrimit të Kosovës dhe argumenteve ligjore përgjatë gjithë procesit këshillëdhënës. Pra mendimi nuk lë asnjë dyshim se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte dhe është legjitime dhe në harmoni me të drejtën ndërkombëtare.

Gjykata poashtu ishte e qartë edhe në lidhje me Rezolutën 1244 të KS të KB: “Deklarata e pavarësisë nuk ka shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244(1999)” thuhet aty duke dhënë arsyetim të drejtpërdrejt: Rezoluta 1244 e KS të KB “ishte në thelb e dizenjuar për të krijuar një regjim të përkohshëm për Kosovën …. Rezoluta nuk ka përmbajtur ndonjë dispozitë që merret me statusin final të Kosovës”. Prandaj, ekzistenca e Kosovës si shtet sovran nuk mund të shkelë rezolutën 1244 të KS të OKB-së.

Vetëm pak muaj pas shpalljes së pavarësisë, me 8 tetor 2008, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, në sesionin e saj të 63-të aprovoi Rezolutën 63/3. Request for an advisory opinion of the International Court of Justice on ëhether the unilateral declaration of independence of Kosovo is in accordance with international laë (Këkresë për një mendim këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) rreth “Pajtueshmërisë me të Drejtën Ndërkombëtare të Shpalljes së Njëanshme të Pavarësisë së Kosovës’

Pra, pas më pak se tetë muajsh nga shpallja e pavarësisë, Kosova u gjend përballë mbase sfidës më të madhe diplomatike e ligjore deri atëherë.

Projekt-rezoluta serbe u paraqit nga ministri i jashtëm seb Vuk Jeremiç. Ajo u aprovua me 77 vota Për, 6 Kundër dhe 74 Abstenime. Nga shtetet që tashmë e kishin njohur Kosovën, kundër rezolutës u deklaruan vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria, si dhe katër shtete te vogla nga Paqësori. Aprovimi i Rezolutës 63/3 në tetor 2008 në OKB, pra vetëm pak muaj pasi kisha marrë detyrën e ministrit të parë të jashtëm të Republikës së Kosovës, mua më kishte vënë para një sfide, sipas shumëkujt atëherë, të papërballueshme. Isha në OKB ditën e aprovimit të rezolutës dhe ndonëse zhgënjimi im ishte i madh, vendosa që nga e para ta marr me optimizëm dhe besim.  E vlerësoja me rëndësi që medialisht të shpërthenim. Isha në qendër të interesimit të medias së akredituar në OKB. Interesimit të madh të medias, nga e para iu qasa me pozitivitet. Deklarata ime e parë pas aprovimit të rezolutës serbe ishte e prerë dhe e vendosur, “Kam besim të plotë në drejtësinë ndërkombëtare dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, si organ kryesor juridik i OKB-së. Në të njëjtën kohë kam besim të palëkundur në forcën e argumenteve që do të paraqesim në Gjykatë posa procesi të filloi”, theksoja me plot vetëbesim derisa po u drejtohesha gazetarëve të shumtë në hollin e ndërtesës së OKB-së në Nju Jork.

Dy ditë më vonë u ktheva në Prishtinë. Koha ishte shume e shkurtë. Menjëherë duhej të fillonin përgatitjet për procesin në GJND. Kërkova takim te Presidenti Fatmir Sejdiu. I sugjerova që në takim ta ftonte edhe kryeministrin Thaçi. Duhej urgjentisht të emërohej një koordinator, i cili do të koordinonte dhe organizonte mbrojtjen si dhe do ta përfaqësonte Kosovën para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Me Presidentin dhe Kryeministrin biseduam gjatë. Përmendëm edhe emra të mundshëm që kishin edhe përgatitje profesionale. Ndodhi ajo që unë realisht nuk e prisja. Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Thaçi më ngarkuan mua me detyrën e koordinatorit dhe përfaqësuesit të Kosovës në procesin e GJND-së.

Për hir të së vërtetës, më duhet të them se në Kosovë ato ditë çuditërisht mbisundonte bindja se gara në GJND ishte apriori e humbur.

Kishte shumë pak njerëz, qoftë në institucione, qoftë në komunitetin juridik, qoftë në shoqëri civile që besonin se Kosova do të fitonte në GJND. Rrjedhimisht nuk kishte shumë interesim nga askush që të merrte “pataten e nxehtë në dorë.” Pra më shumë kishte një kureshtje se kujt po i lihet në dorë ‘patatja e nxehtë.” Madje edhe ministra në qeveri, pa asnjë takt dhe përgjegjësi për fjalën publike, deklaronin ato ditë se në variantin me të mirë vendimi i GJND-së do të jetë “as mish as peshk!!!.”

Duke i hetuar të gjitha këto, ndjehesha thellësisht i zhgënjyer me mosbesimin që po shfaqej në forcën e argumentit të një shteti dhe populli i cili po luftonte për vet ekzistencën, lirinë dhe qenien e vet.

Pavarësisht mosbesimit që gjithandej shfaqej si dhe skepticizmit nëse Kosova do të fitonte, unë e pranova detyrën dhe obligimin që ta përfaqësojë vendin në GJND. Por duke e ditur se ishin pak njerëz që kishin besim në suksesin e Kosovës, e që rrjedhimisht donte të thoshte që në Kosovë nuk kisha shumë aleat, sepse pa besim nuk mund të ndjekësh asnjë kauzë, Presidentit dhe Kryeministrit u kërkova që të më lihen duart e lira gjatë gjithë procesit si dhe në përzgjedhjen e ekipit dhe bashkëpunëtorëve. Ishte përgjegjësia më e madhe që kisha marrë në jetën time. Kisha besimin e palëkundur se me punën që do të bënim si dhe me koordimin e ngushtë me shtetet të cilat tashmë kishin deklaruar gatishmërinë të merrnin pjesë ne proces në favor të Kosovës, do të dilnim fitues. Këtë besim vetëm sa e përforcoja gjatë fazave të procesit. Për hir të korrektësisë duhet thënë se edhe Sejdiu edhe Thaçi më kanë ofruar gjithë hapësirën e nevojshme dhe kushtet e nevojshme për punë.

Pa u vonuar, me 15 tetor 2008 i pata dërguar letër Gjykatës, me kërkesën që dhe Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrja në proces. Duke mos qenë anëtare e OKB-së Kosova nuk mund të merrte pjesë meqë GJND ishte organ juridik i OKB-së, por përfaqësimi dhe pjesëmarrja u mundësua si përfaqësues i “Entitetit të Shpalljes së Njëanshme të Pavarësisë”

Përgjigjja nga GJND ishte pozitive. Kosovës i mundësohej pjesëmarrja në të gjitha fazat procesit. Fitorja në GJND u bë e mundshme edhe falë përkrahjes së pakursyer të shumë shteteve që morën pjesë në mbrojtje të Kosovës, SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Austria, Shqipëria, Finlanda, Suedia, Norvegjia, Danimarka, Holanda, Kroacia, Bulgaria, Mbretëria Hashemite e Jordanisë, Arabia Saudite, Bahreini. Me ekipet nga të gjitha këto vende ishim në komunikim dhe koordinim të përhershëm.

Kishim angazhuar një ekip kulminant ekspertësh ndërkombëtarë në krye me Sir Michael Wood, me të cilët filluam të përgatisnim deklaratat, përkatësisht parashtresat me shkrim që duhej dërgua gjykatës. Pas gati një viti, me 1 dhjetor 2009, Gjykata thirri seancën e dëgjimeve gojore (oral hearings). Edhe sot e kësaj dite fjalën time para gjykatës e konsideroj si një ngjarje me peshën më të rëndë të përgjegjësisë në jetën time politike.

Nuk do të ndalem më gjatë në atë se çfarë kishte ndodhur në ndërkohë sepse në mase të madhe është e njohur. Vetëm dua të nënvizoj se Gjykatës iu deshën gati 8 muaj nga seancat dëgjimore para se të dilte me vendimin, përkatësisht mendimin këshillëdhënës përfundimtar me 22 korrik 2010. Vendimi, mendimi këshillues konstatonte në mënyrë eksplicite “se deklarata e pavarësisë së Kosovës e miratuar me 17 shkurt 2008 nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”

Me 21 korrik s’bashku me bashkëpunëtorët e mi, udhëtova për në Hagë për të marrë pjesë në shpalljen e vendimit.

Natyrisht, është krejt e kuptueshme që, edhe përkundër besimit të madh që kisha se fitorja është e sigurt, unë kisha vendosur të jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha postet publike e politike që mbaja në rast se vendimi i Gjykatës do të ishte i disfavorshëm për Kosovën. Për çdo rast, në xhep tashmë mbaja letrën e nënshkruar të dorëheqjes, të cilën do e beja publike në rast se do të dilnim humbës. Askush, përpos njërit nga bashkëpunëtorët e mi të ngushtë nuk e dinte që kisha vendosur të ipja dorëheqje në rast të humbjes.

Të nesërmen, 22 korrik 2010, i shoqëruar edhe nga Ambasadori jonë në Mbretërinë e Holandës Nexhmi Rexhepi, sëbashku me delegacionin ku ishte edhe Sir Michael Wood, u nisa drejt selisë së Gjykatës.

Në ora 10, erdhi ai momenti i shumëpritur. Kryetari i GJND-së Hisashi Owada njoftonte të pranishmit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me një votë bindëse prej dhjetë me katër, kishte konstatuar:  “se deklarata e pavarësisë së Kosovës e miratuar me 17 shkurt 2008 nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”.

Kjo seancë e GJND-së po transmetohej live në Kosovë. Përpos i lehtësuar për fitoren monumetale të vendit tim, gëzimi që përjetuan qytetarët e Kosovës, duke pritur në ankth pranë ekraneve televizive shpalljen e vendimit, veç sa nuk më beri të shpërtheja në lot nga emocionet.

The post “Veç sa s’shpërtheva në lot”, ish ministri Hyseni rikujton momentet pas opinionit të GJND-së për Pavarësinë e Kosovës appeared first on Telegrafi.

Lindin trinjakë prematurë në Tiranë, Koçiu: Histori suksesi

22 July 2025 at 09:50

Në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë kanë ardhur në jetë trinjakë, dy vajza dhe një djalë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e konsideron këtë lindje të veçantë, si një histori suksesi pasi, trinjakët ishin premature, ndërsa nëna Brunilda ka pasur një ndjekje të kujdesshme gjatë shtatzënisë për shkak të hipertensionit gestancional.

Ministrja Koçiu thotë se “gjithçka shkoi me sukses për nënën dhe foshnjat e saj”.

Koçiu u ka shprehur “mirënjohjen ekipit multidisiplinar të maternitetit “Koço Gliozheni” që me përkushtim, profesionalizëm dhe dashuri, bëjnë të mundur që jetë të reja të vijnë në botë të sigurta”.

Gjithashtu, mjekja e maternitetit “Koço Gliozheni”, Drita Bujari shprehet se trinjakët kanë ardhur në jetë në javën e 35-të.

“Trinjaku më i vogël është 1 kilogramë e 600 gramë, i dyti është 2 kilogramë e 100 gramë dhe i treti 2 kilogramë e 500 gramë. Ata kanë pasur nevojë në lindje për t’u ranimuar, pasi problematikë ka pasur trinjaku i tretë që kishte nevojë të intubohej për vështirësi respiratore dhe është trajtuar me terapi intensive. Dynjakët e tjerë kanë qenë në gjendje subintensive”, tha Bujari.

Sipas mjekes, trinjakët tashmë gëzojnë shëndet të plotë, janë pranë nënës së tyre dhe janë gati për t’u kthyer në shtëpi.

“Ka qenë një lindje çezariane me urgjencë sepse ishin fëmijë premature, dhe trinjakët gjithmonë shfaqin risk të lartë për lindje para kohe dhe urgjencë”, vijoi mjekja Bujari.

Ndërsa, Brunilda Lala nga Bulqiza, nëna e trinjakëve thotë se shërbimi në maternitetin “Koço Gliozheni” ka qenë shumë i mirë, si nga ana e doktorëve, mjekëve dhe infermierëve.

Brunilda u shpreh falënderimet e rastit dhe mirënjohjen të gjithë stafit të maternitetit “Koço Gliozheni” për përkushtimin. /Telegrafi/

The post Lindin trinjakë prematurë në Tiranë, Koçiu: Histori suksesi appeared first on Telegrafi.

Sezoni turistik, Rama ndan peizazhin magjepsës nga Velipoja

22 July 2025 at 09:41

Plazhi i Velipojës me një shtrirje prej mbi 14 km edhe këtë sezon turistik është ndër më të frekuentuarit nga pushuesit vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga plazhi i Velipojës i mbushur me pushues duke e cilësuar peizazh magjepsës.

Shtimi i plazheve publike dhe menaxhimi më i mirë i hapësirës bregdetare edhe këtë vit kanë sjellë rritje të numrit të pushuesve që frekuentojnë këtë plazh.

Velipoja njihet për ndërthurjen me hijeshi të detit, lumit, delta me ishuj, kodrat, pylli, laguna e fusha, që tërheqin çdo vit e më shumë pushues.

Bashkia e Shkodrës këtë sezon veror ka përmirësuar shërbimin e pastrimit dhe menaxhimit të hapësirave publike duke ofruar kushte të përshtatshme për çdo pushues që frekuenton Velipojën, me një tarifë prej vetëm 400 lekësh për një çadër dhe dy shezlonë.

Velipoja njihet po ashtu për ndërthurjen me hijeshi të detit, lumit, delta me ishuj, kodrat, pylli, laguna e fusha, që tërheqin çdo vit e më shumë pushues. Shumë prej tyre janë të përvitshëm në sezonin veror në Velipojë, të tjerë vijnë për herë të parë për t’u rikthyer vit pas viti. /Telegrafi/

The post Sezoni turistik, Rama ndan peizazhin magjepsës nga Velipoja appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Kurti: Serbia po nxit tensione, qytetarët të shmangin udhëtimet drejt Serbisë

21 July 2025 at 15:50

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar sërish Serbinë për përpjekje të qëllimshme për të destabilizuar rajonin dhe për nxitje të urrejtjes ndëretnike.

Në një konferencë për media Kurti foli për arrestimin e Igor Popoviqit, ndihmësdrejtor në Zyrën për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, i cili dyshohet për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit etnik.

“Sundimi i rendit dhe ligjit është themeli i shtetit tonë dhe ai nuk bën dallime sipas etnisë apo pozitës. Çdokush që e shkel ligjin do të përballet me drejtësinë”, tha Kurti.

Ai konfirmoi se rasti i Popoviqit është në trajtim nga organet kompetente të drejtësisë së Kosovës dhe lidhet me veprime që synojnë të sulmojnë vlerat themelore të popullit shqiptar.

“Popoviqi dhe Vuçiqi – dy fytyra të së njëjtës politikë përçarëse”, theksoi ai.

Kryeministri në detyrë theksoi se komentet e Popoviqit kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë të izoluara, por pjesë e një linje të qartë politike nga Beogradi zyrtar, që sipas tij, synon të destabilizojë Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Edhe sot Serbia nuk ka kërkuar falje për krimet që ka bërë në vendin tonë, përkundrazi, po përpiqet t’i relativizojë ato. Përmes njerëzve si Popoviq, ata provokojnë dhe nxisin ndarje e urrejtje etnike në Kosovë”, tha Kurti përcjell Kurti.

Ai reagoi me shqetësim edhe ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhënë më 20 korrik, duke i cilësuar si “kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme”.

“Kur komandanti suprem i një ushtrie lëshon deklarata nxitëse dhe kërcënuese, kjo nuk është më mendim individual, por politikë shtetërore që synon të prishë paqen në rajon”, u shpreh Kurti.

Kurti paralajmëroi për rrezik të ndalimeve arbitrare dhe provokimeve nga autoritetet serbe ndaj qytetarëve të Kosovës që kalojnë nëpër territorin e Serbisë.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin udhëtimet drejt Serbisë, sepse kemi indikacione të qarta për rrezikim dhe ndalime të pajustifikuara”, tha ai.

Kurti theksoi rëndësinë e maturisë dhe bashkëpunimit qytetar me institucionet shtetërore, duke theksuar nevojën për ruajtjen e unitetit dhe qetësisë në këto momente tensioni.

“Qytetarët tanë duhet të qëndrojnë të bashkuar, të qetë dhe të matur. Bashkë mund t’i përballojmë çdo provokimi dhe kërcënimi”, tha ai.

Po ashtu Kurti u bëri thirrje Bashkimit Evropian, NATO-s dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar që të reagojnë qartë dhe me vendosmëri ndaj retorikës së Vuçiqit, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për deklarime politike të zakonshme, por për një fushatë të organizuar destabilizuese ndaj Kosovës dhe rajonit. /Telegrafi/

The post Kurti: Serbia po nxit tensione, qytetarët të shmangin udhëtimet drejt Serbisë appeared first on Telegrafi.

Apeli rikthen çështjen e 5 policëve, Sindikata e PK-së mirëpret vendimin si dhe paralajmëron ankesë në AGK

21 July 2025 at 13:38

Sindikata e Policisë së Kosovës (SPK) e mirëpret dhe përshëndet vendimin e Gjykatës së Apelit lidhur me rastin ndaj pesë zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Lipjan, për të cilët ishte caktuar masa e paraburgimit nën dyshimin për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se vendimi i Gjykatës së Apelit, që anulon aktvendimin e Gjykatës Themelore dhe e kthen çështjen në rivendosje, është një hap i rëndësishëm drejt respektimit të parimeve të drejtësisë dhe të procesit të rregullt ligjor.

“Vendimi gjithashtu thekson mungesën e analizës së plotë të provave relevante dhe të besueshme, duke nënvizuar nevojën për qasje objektive dhe të paanshme në çdo rast që përfshin zyrtarë të rendit”.

Tutje thuhet se Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë për mënyrën e papërgjegjshme dhe tendencioze të raportimit nga disa media të shkruara dhe elektronike, të cilat edhe pas vendimit të Gjykatës së Apelit vazhdojnë të përdorin gjuhë stigmatizuese, duke e cilësuar këtë rast si “vrasje” pa asnjë fakt, provë apo vendim përfundimtar gjyqësor.

“Këto veprime jo vetëm që bien ndesh me etikën profesionale të gazetarisë, por rrezikojnë edhe perceptimin publik ndaj një institucioni kyç të sigurisë – Policisë së Kosovës. SPK u bën thirrje të gjitha institucioneve të drejtësisë që të veprojnë me profesionalizëm, paanshmëri dhe integritet të plotë, duke mos lejuar ndikime të jashtme, sidomos nga presioni mediatik, që cenon besimin qytetar dhe dëmton vetë procesin e drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim bëhet e ditur se SPK u bën apel të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të mos bien pre e dezinformatave dhe etiketimeve të pabazuara.

“Policia e Kosovës është dhe mbetet në shërbim të rendit, ligjit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke garantuar sigurinë e secilit qytetar në çdo cep të vendit. SPK do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të të drejtave të zyrtarëve policorë dhe të integritetit të Policisë së Kosovës, duke kërkuar përgjegjësi të plotë për çdo përpjekje që synon të njollosë apo dëmtojë këtë institucion jetik për funksionimin e shtetit të së drejtës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim në ditët në vijim, Sindikata e Policisë së Kosovës do të paraqesë ankesë zyrtare në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), për shkak të raportimit të njëanshëm dhe joetik të disa mediave që kanë deformuar realitetin dhe kanë praktikuar vetëgjyqësi në publik para se organet e drejtësisë të marrin vendimin përfundimtar.

“Ky veprim i Sindikatës është në funksion të mbrojtjes së të vërtetës dhe të zyrtarëve policorë, por edhe të ruajtjes së dinjitetit dhe profesionalizmit në komunikimin publik”.

The post Apeli rikthen çështjen e 5 policëve, Sindikata e PK-së mirëpret vendimin si dhe paralajmëron ankesë në AGK appeared first on Telegrafi.

Dyshohet për vetëvrasje në Prizren, viktima kishte armë me leje – policia i konfiskon

21 July 2025 at 09:54

Një person ishte dërguar në emergjencën e spitalit në Prizren i plagosur, e më pas nga mjeku kujdestar ishte konstatuar vdekja e tij.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të dielën rreth orës 11:25, në Prizren.

Tutje siç thuhet në raport vendin e ngjarjes janë gjetur një pistoletë me 8 copë fishekë, një gëzhojë fisheku dhe një predhë, po ashtu një pushkë gjuetie me dylbi me 12 copë fishekë, për të cilat armë viktima posedonte leje.

“Është raportuar se një viktimë mashkull kosovar ishte dërguar në emergjencën e spitalit në Prizren i plagosur. Nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e tij. Njësitë relevante të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur një pistoletë me 8 copë fishekë, një gëzhojë fisheku dhe një predhë, po ashtu një pushkë gjuetie me dylbi me 12 copë fishekë, për të cilat armë viktima posedonte leje”, thuhet në raport.

Ndërkaq sipas raportit armët janë konfiskuar nga njësitet policore, ndërsa trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit është dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke u hetuar. /Telegrafi/

 

 

The post Dyshohet për vetëvrasje në Prizren, viktima kishte armë me leje – policia i konfiskon appeared first on Telegrafi.

U gjet pa shenja në një pikë karburanti në Drenas, policia jep detaje

21 July 2025 at 09:44

Një grua është gjetur pa shenja jete mbrëmjen e së dielës rreth orës 21:25 në Drenas.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se njësitë policore dhe emergjenca kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e viktimës.

“Është raportuar se viktima femër kosovare  është gjetur pa shenja jete. Njësitë policore si dhe emergjenca kanë dalë në vendin e ngjarjes ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet në raport.

Ndërkaq, tutje bëhet e ditur se rasti po hetohet nga ekipet relevante. /Telegrafi/

 

The post U gjet pa shenja në një pikë karburanti në Drenas, policia jep detaje appeared first on Telegrafi.

Vdes 40 vjeçari pas incidentit me traktor në Bresanë të Dragashit

18 July 2025 at 14:05

Një person me inicialet D.A i moshës 40 vjeç ka ndërruar jetë në Spitalin e Prizrenit, pas lëndime të marra në një incident me traktor në fshatin Bresanë të Dragashit.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Sipas Bytyqit, 40 vjeçari fillimisht ishte dërguar nga vëllai i tij në qendër të mjekësisë familjare në Dragash, e më pas për shkak të lëndimeve të rënda ishte dërguar në Spitalin e Prizrenit.

“Sot, më 18 korrik 2025, rreth orës 09:50, Policia është njoftuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Bresanë, Dragashë se një person mashkull, D.A. (40 vjeç), është sjellë në qendër nga vëllai i tij me lëndime të rënda trupore. Pas ofrimit të ndihmës së parë, ai është dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku më pas, për shkak të lëndimeve të marra, ka vdekur.

Sipas informatave fillestare, viktima ishte duke punuar me traktor në zonën malore të fshatit Bresanë, Dragashë në momentin e incidentit. Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta”, ka thënë Bytyqi.

Tutje Bytyqi tha se policia ka reaguar menjëherë, ka dalë në vendin e ngjarjes, ka siguruar zonën dhe ka njoftuar njësitet përkatëse hetimore.

“Në vendngjarje është angazhuar edhe prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit rasti është iniciuar si ‘Vdekje e dyshimtë’, ndërsa trupi pa jetë është dërguar në Institutinë e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, ka thënë ndër të tjera Bytyqi. /Telegrafi/

The post Vdes 40 vjeçari pas incidentit me traktor në Bresanë të Dragashit appeared first on Telegrafi.

Suspendohet një zyrtar policor mbi dyshimin për rrjedhje të informatës zyrtare në Gjakovë

18 July 2025 at 12:58

Policia e Kosovës ka suspenduar një zyrtar policor  për 72 orë mbi dyshimin për rrjedhje të informatës zyrtare në Gjakovë.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se Policia e Republikës së Kosovës (PK), përpos prioriteteve në përmbushjen e objektivat strategjike të parapara, rendësi të veçantë i kushton edhe çështjeve që ndërlidhen me performancën në punë, integritetin, disiplinën, përgjegjësinë si dhe llogaridhënien e zyrtarëve policorë.

“Drejtoria Rajonale në Gjakovë pas veprimeve operativo – hetimore me qëllim të verifikimin të informatës, ka identifikuar një zyrtar policor, punonjës në stacionin policor në Gjakovë, i cili është suspenduar për 72 orë, mbi dyshimin e bazuar për rrjedhje të informatës zyrtare”, thuhet në njoftim.

Siç thuhet në njoftim lidhur më rastin të gjitha veprimet e mëtejme do të merren në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me institucionet kompetente duke përfshirë Inspektoratin Policor të Kosovës. /Telegrafi/

The post Suspendohet një zyrtar policor mbi dyshimin për rrjedhje të informatës zyrtare në Gjakovë appeared first on Telegrafi.

Inspektorati Policor i Kosovës hap zyrat e reja në Mitrovicën e Veriut

18 July 2025 at 12:49

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media të IPK-së, ku ndër të tjera thuhet se në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë  Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj, kryetari i Komunës së Mitrovicës , Erden Atiq si dhe zyrtarë e eprorë nga ARC, IPK dhe Policia e Kosovës.

Tutje në njoftim thuhet se zyrat e reja të IPK-së tani janë në lagjen e Boshnjakëve, në rrugën “Çlirimi” në objektin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Në fjalimet e rastit, hapja e zyrave të reja u konsiderua si një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të kapaciteteve të Inspektoratit Policor të Kosovës. Sveçla dhe Hodaj theksuan rëndësinë e zyrave të reja të IPK-së për përmirësimin e shërbimeve dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sundimin e ligjit  në Kosovë. Kryeshefi i IPK-së, gjatë fjalës së tij, falënderoi Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë për Regjistrim Civil (ARC) për mbështetje të vazhdueshme në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm”, thuhet në njoftim.

PO ashtu ministri i Brendshëm gjatë ceremonisë, theksoi rëndësinë e hapjes së zyrave të reja të IPK-së, duke e vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm për forcimin e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të Kosovës.

“Ai shtoi se hapja e zyrave te reja do të kontribuojë në fuqizimin e integritetit dhe besueshmërisë së Policisë së Kosovës. Përgjatë viteve, IPK ka ofruar shërbime në Mitrovicën e Veriut që nga hapja e zyrës së parë në vitin 2015, e vendosur  deri dje në një objekt me qera në rrugën ‘Mbreti Peter’ “, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, zyrat e reja të IPK-së në Mitrovicën e Veriut do të funksionojnë në shërbim të qytetarëve nga e hëna deri të premten, nga ora 08:00 deri në orën 16:00. /Telegrafi/

 

The post Inspektorati Policor i Kosovës hap zyrat e reja në Mitrovicën e Veriut appeared first on Telegrafi.

Bislimi takohet me anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Deutsche Bundesbank, u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë mes Bundesbank dhe BQK-së

18 July 2025 at 12:43

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, pritën në takim anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Deutsche Bundesbank, Burkhard Balz dhe ekipin e tij.

Sipas një njoftimi për media gjatë takimit, Balz përgëzoi institucionet e Republikës së Kosovës për përparimin e qëndrueshëm në sektorin makroekonomik dhe financiar.

“Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Bislimi e njoftoi për arritjet si dhe vlerësimet pozitive të ardhura për Kosovën edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Më tej u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm ndërmjet Bundesbank dhe Bankës Qendrore të Kosovës, përfshirë mbështetjen që kjo bankë gjermane ka dhënë në ndërtimin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të BQK-së. Gjithashtu, u bisedua rreth mbështetjes së mëtejme për proceset e anëtarësimit të BQK-së në institucionet ndërkombëtare financiare, si dhe për zhvillimet e fundit në fushën e projekteve digjitale dhe inovacionit financiar”, thuhet në njoftim.

Tutje siç thuhet në njoftim  Bislimi ritheksoi përkushtimin e qeverisë për të përkrahur Bankën Qendrore të Kosovës edhe në shërbim të thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë si Bundesbank.

“Gjatë këtij takimi z. Balz u informua edhe mbi punën intensive që institucionet tona kanë zhvilluar rreth anëtarësimit në SEPA, në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e këtij mekanizmi sikurse vendet e tjera të rajonit, por e cila aktualisht ka ngecur si shkak i dërgimit të disa ligjeve në Gjykatën Kushtetuese nga opozita”, bëhet e ditur ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/

The post Bislimi takohet me anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Deutsche Bundesbank, u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë mes Bundesbank dhe BQK-së appeared first on Telegrafi.

“Mbi 3 mijë euro dëmtim të buxhetit të Kosovës”, Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgim për zyrtarin doganor

18 July 2025 at 10:51

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit I.K., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se i pandehuri I.K në cilësi të zyrtarit doganor në pikë kalimin kufitar në Vërmicë ka lejuar të kalojë pa u kontrolluar një furgon i cili bartëte mall komercial, patika të ndryshme sportive në vlerë prej 11,457.60 euro.

Tutje në njoftim thuhet se me këto veprime i pandehuri në vlerën prej mbi 3 mijë euro ka dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Lexoni më poshtë kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren:

Sipas kërkesës së prokurorisë, me datë 16.07.2025, rreth orës 19:17min, në Pikën Kufitare në Vërmicë, i pandehuri I.K., në cilësi të zyrtarit doganor i caktuar në PKK në Vërmicë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij zyrtare, ashtu që në kundërshtim me rregullativën ligjore që ka pasur për detyrim të ndal veturën, të hap bagazhin dhe të bëjë kontrollimin e veturës, i njëjti me qëllim nuk e hap bagazhin e veturës dhe nuk bënë kontrollimin, në atë mënyrë që automjeti- furgoni i markës “Mercedes Sprinter 316 CDI”, të cilën e drejtonte A.K., hynë në pikën kufitare dhe e parkon automjetin në kabinën nr.6, dhe fillon të komunikojë me të pandehurin, të cilit ia jep një letër dhe pastaj kthehet për të marr dokumentet dhe futet deri tek dera e kabinës ku ishte duke punuar i pandehuri I.K., dhe pas bisedës së shkurtër, të cilët duke qenë në dijeni se brenda kabinave ka video incizim me audio, të dy dalin jashtë dhe bisedojnë edhe disa sekonda, pastaj drejtuesi i furgonit A.K., largohet me furgon duke mos u kontrolluar fare, ndërsa i pandehuri I.K., në të dhënat “SEED”, regjistron se furgoni i lartpërmendur është i zbrazët, ku pastaj furgoni lëviz në rrugën e vjetër afër pikë kalimit kufitar në Vërmicë – Prizren, saktësisht afër një Restauranti duke lëvizur në drejtim te Prizrenit ndalet nga njësia për antikontrabandë të cilët kanë sinjalizuar automjetin në fjalë duke përdorur dritat rotative dhe borinë, dhe pas kontrollimit të automjetit rezulton të jetë i ngarkuar me mall komercial patika te ndryshme sportive në vlerë prej 11,457.60 €, duke ju shmangur detyrimeve doganore në vlerë prej 3,414.36 €, me të cilat veprime i pandehuri në vlerën e cekur prej 3,414.36 €, ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin. /Telegrafi/

The post “Mbi 3 mijë euro dëmtim të buxhetit të Kosovës”, Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgim për zyrtarin doganor appeared first on Telegrafi.

Inaugurohet laboratori i ri pediatrik në QKUK

18 July 2025 at 10:28

Në Spitalin Pediatrik “Sheika Fatima” në Prishtinë është inauguruar një laborator i ri modern, si rezultat i bashkëpunimit mes Presidencës së Kosovës dhe fondacionit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, “Khalifa Foundation”.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook të presidencës bëhet e ditur se ky laborator do t’i mundësojë këtij institucioni publik shëndetësor të realizojë shumicën e analizave, brenda vetë spitalit pediatrik

“Falë angazhimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe përkrahjes së vazhdueshme të donatorit tonë të rregullt, ‘Khalifa Foundation’, dje në Spitalin ‘Sheika Fatima’, është inauguruar laboratori i ri. I pajisur me teknologji bashkëkohore, ky laborator do t’i mundësojë këtij institucioni publik shëndetësor të realizojë shumicën e analizave, brenda vetë spitalit pediatrik. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e efikasitetit, cilësisë dhe qasjes së qytetarëve në shërbime më të avancuara laboratorike, me theks të veçantë tek fëmijët, të cilët janë përfituesit më të ndjeshëm dhe më të rëndësishëm të këtyre investimeve”, thuhet në njoftim.

Po ashtu siç bëhet e ditur një pjesë e konsiderueshme e pajisjeve të reja do të përdoret në repartin e neonatologjisë, aty ku kujdesi mjekësor është vendimtar për jetën e bebeve dhe nënave.

“Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje të thellë për popullin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe, në veçanti, për Lartmadhërinë e saj, Sheika Fatima bint Mubarak Al Ketbi, për kontributin e çmuar dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në përmirësimin e sistemit shëndetësor në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/

The post Inaugurohet laboratori i ri pediatrik në QKUK appeared first on Telegrafi.

E përditshmja britanike “Mirror”: Eksploroni Shqipërinë – perlën evropiane me plazhe mahnitëse, male dhe qytete historike

18 July 2025 at 08:43

Perla evropiane krenohet me plazhet mahnitëse, malet, qytetet historike dhe trashëgiminë kulturore, shkruan Lauren Haughey në të përditshmen britanike “Mirror”.

Një eksperte udhëtimesh, Jordynn, e cila ndan aventurat e saj në TikTok, ka rekomanduar Shqipërinë si një vend të veçantë, me plazhe marramendëse, male dhe qytete të paharrueshme.

Sipas saj, perla e fshehur është një parajsë edhe për turistët me një buxhet të kufizuar, falë çmimeve të përballueshme për ushqim dhe akomodim.

“Këto nuk janë Filipinet, kjo nuk është Zvicra, nuk është Greqia, kjo nuk është Italia, as Tajlanda! Nuk është as Portugalia! Kjo është Shqipëria”, tha ajo në një postim në TikTok.

“Ky vend na habiti vërtetë. Shqipëria ndodhet midis Greqisë dhe Malit të Zi dhe ju ofron një përvojë kaq të larmishme.. mes maleve, detit të kristaltë dhe të qetë dhe plazheve të mrekullueshme në jug, kulturës dhe historisë së pasur në qytet, qyteteve të vjetra me kalldrëm dhe vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s – me çmime të përballueshme”, tha ekspertja.

“Shqipëria i ka vërtet të gjitha. Mund të vizitoni shumë vende: Shkodrën, Valbonën, Thethin, Tiranën, Beratin, Gjirokastrën, Sarandën, Himarën, çdo vend ofron diçka të ndryshme. Qëndrova dy javë në Shqipëri dhe mund të kisha qëndruar lehtësisht një muaj të plotë”, tha ajo.

Edhe pse kaloi vetëm një javë në Shqipëri, Jordynn ndjeu se mund ta kishte zgjatur me kënaqësi qëndrimin e saj në një muaj të plotë, duke pasur parasysh shumëllojshmërinë e përvojave që ofron ky vend evropian.

Ajo rekomandon një vizitë në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, i njohur për muzetë e tij të pasura, ndërtesat historike dhe jetën e gjallë të natës.

Për adhuruesit e plazhit dhe ushqimeve të detit, qyteti bregdetar i Sarandës është gjithashtu një vend që duhet vizituar me patjetër.

Mos humbisni gjithashtu Gjirokastrën – një qytet magjepsës i listuar si Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, rreth një orë larg me makinë nga Saranda.

Byreku është padyshim një nga gatimet më të famshme të Shqipërisë, i cili shpesh mund të blihet në dyqanet lokale.

Turistët që pëlqejnë ëmbëlsirat mund të tundohen gjithashtu nga Bakllavaja e famshme e vendit – një tjetër ushqim i shijshëm me arra e zhytur në shërbet. /ATSH/

The post E përditshmja britanike “Mirror”: Eksploroni Shqipërinë – perlën evropiane me plazhe mahnitëse, male dhe qytete historike appeared first on Telegrafi.

❌
❌