Forcimi i lekut – Kush janë fituesit dhe humbësit?
Në vitet e fundit, Leku shqiptar është forcuar ndjeshëm ndaj euros dhe dollarit, një fenomen që autoritetet dhe zyrtarët ekonomikë e shfaqin si një tregues pozitiv dhe si “lajm të mirë” për ekonominë e vendit. Sipas tyre, një monedhë më e fortë do të thotë stabilitet, më pak inflacion dhe kushte më të mira për bizneset dhe qytetarët. Por realiteti në terren shpesh është shumë më kompleks dhe larg asaj që përshkruhet në televizion apo raporte zyrtare.
Qytetari i zakonshëm dhe bizneset e vogla nuk kanë ndjerë asnjë përfitim real nga forcimi i Lekut. Përkundrazi, ata po përballen me çmime gjithnjë e më të larta, fitime të ngushta dhe konkurrencë të egër, jo vetëm në tregun vendas, por edhe në tregjet ndërkombëtare ku prodhimet shqiptare janë bërë më të shtrenjta dhe më pak të dëshirueshme.
Eksportuesit janë ata që shesin jashtë, por marrin më pak
Mendo për një fermer që kultivon perime, apo një fasoner që punon me kompanitë ndërkombëtare dhe shet produktin e tij në euro. Në vitin 2021, për çdo 1.000 euro të fituara, ky biznes merrte rreth 121.000 lekë kur i konvertonte fitimet në monedhën vendase. Por vetëm tre vite më vonë, në 2025 për të njëjtën shumë prej 1.000 eurosh, ai merr vetëm 97.000 lekë, një humbje reale prej 24.000 lekësh, vetëm për shkak të forcimit të Lekut.
Çfarë nënkupton kjo në praktikë? Edhe pse nuk ka ulje në sasinë apo vlerën e eurove që fiton nga shitjet jashtë, në fakt ai ka më pak para në lekë për të paguar punëtorët, për të blerë inputet, për të bërë investime apo për të mbuluar shpenzimet e përditshme.
Kjo ngushton fitimet dhe e bën më të vështirë të rritet apo të konkurrojë në tregjet ndërkombëtare. Në një ekonomi ku eksportet janë shtylla kryesore e rritjes, ky është një problem i madh. Kur produktet shqiptare bëhen më të shtrenjta për klientët jashtë, ata kërkojnë zëvendësues më të lirë nga vendet e tjera. Kjo do të thotë humbje tregu për eksportuesit tanë. Në këtë situatë, roli i qeverisë është thelbësor për të ndihmuar bizneset e eksportit, për shembull, me subvencione, mbështetje financiare apo politika stimuluese. Por në realitet, përveç disa ndihmave sporadike, sidomos në bujqësi, nuk ka pasur mekanizma efektivë që kompensojnë këtë humbje të përkthyer në lekë. Si pasojë, shumë biznese eksportuese po ndjejnë tronditjen: investimet po ngadalësohen, krijimi i vendeve të punës po zvogëlohet, dhe shumë kompani përballen me rrezikun e mbylljes apo tkurrjes.
Në fund të ditës, këtë humbje të vërtetë e ndjen çdo fermer, fasoner apo prodhues që shet jashtë dhe kjo është një nga sfidat kryesore që pengon zhvillimin ekonomik të vendit.
Importuesit dhe tregtarët: Fituesit e vërtetë të kursit të fortë
Ndërsa eksportuesit kanë humbur nga forcimi i Lekut, importuesit janë të kundërt, ata kanë përfituar dukshëm. Mendoni për një biznes që sjell mallra nga jashtë, për shembull ushqime, makina apo tekstile. Në 2021, për një ngarkesë mallrash me vlerë 10.000 euro, ky biznes paguante rreth 1.21 milion lekë. Në 2025, për të njëjtën vlerë në euro, ai paguan vetëm 970 mijë lekë, një kursim i madh prej 240.000 lekësh. Ky kursim është një përfitim i drejtpërdrejtë që mund të përdoret në dy mënyra: ose biznesi i importit mund të ulë çmimet për të ndihmuar konsumatorët, duke bërë mallrat më të përballueshme në treg; ose mund të mbajë çmimet të pandryshuara dhe të rrisë fitimet e veta. Problemi është se në shumë raste, bizneset zgjedhin opsionin e dytë nuk e transmetojnë kursimin tek klienti, por rrisin marzhet e fitimit. Kjo do të thotë që konsumatori shqiptar, i cili përballet me inflacion dhe rritje të kostove të jetesës, nuk përfiton nga forca e Lekut, ndërsa fitimet e importuesve rriten.
Pra, për shumë qytetarë, forca e Lekut nuk është një lehtësim është një përfitim që mbetet larg nga xhepat e tyre. Kjo tregon se forca e monedhës, në mungesë të konkurrencës së ndershme dhe politikave mbrojtëse, shpesh përdoret për përfitime private dhe jo për ulje të çmimeve për konsumatorin.
Bizneset lokale dhe turizmi janë ata që nuk përfitojnë fare, madje humbasin. Bizneset që shërbejnë vetëm në tregun vendas, si kafenetë, restorantet, dyqanet e vogla apo shërbimet e ndryshme nuk kanë aspak përfitime nga forcimi i Lekut. Përkundrazi, situata për ta është bërë edhe më sfiduese. Një prej sektorëve më të rëndësishëm për ekonominë shqiptare është turizmi, që sjell të ardhura të konsiderueshme në valutë të huaj.
Me Lekun e fortë, Shqipëria është bërë më e shtrenjtë për turistët që paguajnë në euro
Si pasojë, ata që vijnë dhe shpenzojnë më pak, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e të ardhurave të bizneseve turistike hoteleve, restoranteve, guidave, apo dyqaneve të suvenireve. Në të njëjtën kohë, shumë biznese lokale duhet të blejnë mallra apo inpute të importuara, që për shkak të kursit të fortë nuk u kanë ardhur më lirë, madje në disa raste kostot janë rritur. Por ato nuk kanë hapësirë për të rritur çmimet, sepse konsumatori shqiptar po përballet me rritje të përgjithshme të çmimeve dhe kufizime në shpenzime. Kjo do të thotë se bizneset lokale po paguajnë më shumë për inputet dhe shërbimet, ndërkohë që nuk kanë mundësi të rrisin të ardhurat. Një kombinim i vështirë që për shumë prej tyre do të thotë tkurrje ose mbyllje.
Në këtë mënyrë, përfitimet e mbiçmimit të Lekut shpesh nuk arrijnë në këtë pjesë të ekonomisë, përkundrazi, këto biznese janë një nga grupet që po vuajnë më shumë. Profesionistët e lirë, IT dhe shoqëria civile janë në grupet më të prekura nga forcimi i Lekut. Freelancerët, profesionistët e lirë dhe bizneset që operojnë online duke marrë pagesa në dollarë apo euro janë ndër grupet më të ndjeshme ndaj forcimit të Lekut. Për ta, të ardhurat në valutë po tkurren ndjeshëm kur konvertohen në lekë. Mendo për një profesionist që në vitin 2021 merrte 1.000 euro në muaj. Kur i konvertonte në lekë, kjo ishte rreth 121.000 lekë. Por në 2025, për të njëjtën shumë në euro, ai merr vetëm rreth 97.000 lekë, një humbje reale prej 24.000 lekësh çdo muaj në të ardhura.
Çfarë do të thotë kjo për ta në jetën reale? Është një shumë e konsiderueshme që mungon në xhep, para që duhen për të paguar shpenzime të përditshme, për të investuar në biznesin e tyre, për të blerë pajisje apo për të përmirësuar cilësinë e jetës. Kjo goditje financiare i bën ata më të varfër dhe kufizon mundësitë e zhvillimit profesional dhe ekonomik. Por ndikimi nuk ndalet këtu. Shoqëria civile, përfshirë organizatat e vogla, grupet komunitare dhe aktorët socialë që varen nga fonde ndërkombëtare të paguara në valutë, po përjeton të njëjtën tkurrje të të ardhurave reale në lekë. Kjo dobëson aftësinë e tyre për të ofruar shërbime, për të mbështetur komunitetet dhe për të ndikuar në ndryshimet pozitive shoqërore.
Nëse duam një ekonomi që funksionon për të gjithë, nuk mund të mjaftohemi me të festuar forcimin e Lekut si një sukses teknik. Duhet ta kthejmë këtë forcë në një mundësi reale për qytetarët dhe bizneset e vendit me strategji gjithëpërfshirëse që sjellin përfitime të ndara, barazi dhe zhvillim të qëndrueshëm për të gjithë.
Analizë e kryer nga Qendra ALTAX*
The post Forcimi i lekut – Kush janë fituesit dhe humbësit? appeared first on Gazeta Si.