Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 July 2025Main stream

Haziri: Kushtetuesja është rruga e vetme për presidenten, Vjosa s’i ka më duart e lidhura

22 July 2025 at 23:52

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar pas veprimeve të presidentes Vjosa Osmani, e cila të martën njoftoi se ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të zgjidhur ngërçin institucional në vend.

Përmes një postimi në “Facebook”, Haziri ka deklaruar se Kushtetuesja është rruga e vetme për Presidenten që ta ushtrojë funksionin e saj.

“Nga sot, Republika në dorë të Presidentes! Gjykata Kushtetuese është rruga e vetme për ta ushtruar rolin e saj. Vjosa nuk i ka duart e lidhura ma. Të tjerët kanë me përcjellë! E theu rrethin 5-vjeçar”, ka shkruar ai.

Osmani, në konferencën për media, tha se përveç bllokadës institucionale dhe cënimit të rendit kushtetues, as ajo nuk po mund ta ushtrojë në plotëni rolin kushtetues për shkak të moskonstituimit të Kuvendit.

Ajo ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese vendosjen e një mase të përkohshme, me qëllim të parandalimit të thellimit të krizës kushtetuese dhe institucionale në vend.

The post Haziri: Kushtetuesja është rruga e vetme për presidenten, Vjosa s’i ka më duart e lidhura appeared first on Telegrafi.

“U dënova për një krim që nuk e bëra”, si i ndryshoi jeta për një muaj 41-vjeçarit që erdhi nga Gjermania

22 July 2025 at 23:36

Flamur Novak, aktualisht i dënuar me 5 vjet burg për veprën penale të lëndimit të rëndë trupor, rrëfen anën e tij të historisë dhe pretendon pafajësi.

Novak, i cili ka përfunduar studimet në drejtësi dhe pedagogji në Gjermani, thotë se kishte ardhur në Kosovë për pushime, por vizita e tij përfundoi me një proces gjyqësor që e la pas grilave.

Ai tregon se gjithçka nisi nga një njohje me një vajzë, raporti me të cilën, sipas tij, fillimisht ishte miqësor, më pas intim, por që më vonë përfundoi me një akuzë për dhunë.

“U njohëm në një banesë që e ndaja me të tjerë në Prishtinë. Ajo nuk punonte, por vishej me rroba të shtrenjta, çka më bëri të dyshoj. Më pas mësova nga të njohurit se ajo merrej me punë eskortash. E luta të largohej nga banesa, e thirra edhe familjen e saj, por nuk pranoi të ikte. Unë nuk kisha asnjë interes tjetër, përveç ta ndihmoja, pasi më thoshte që s’kishte as nënë, as baba”, rrëfen Novak.

Ai thotë se u përpoq ta ndihmonte edhe financiarisht, duke i dhënë para asaj dhe vëllait të saj, pa asnjë detyrim, si një akt bamirësie. Por situata ndryshoi papritur kur Novak u arrestua, fillimisht si dëshmitar, dhe më pas u akuzua për lëndim të rëndë trupor.

“Gjithçka ndodhi pas një muaji e tri javësh. Më arrestuan pa paralajmërim dhe më çuan në Lipjan për 48 orë. Ajo kishte pretenduar se ishte dhunuar fizikisht, por nuk kishte dëshmi të besueshme. Mjekësia ligjore nuk provoi asnjë gjurmë dhune nga ana ime, nuk kishte analiza të gjakut, as gjurmë në duar. Megjithatë, gjykata më dënoi”, tha Novak.

Ai pohon se dëshmitë vendimtare që mund ta shpëtonin – si një CD me video të incizuara – janë zhdukur në mënyrë të dyshimtë.

“Avokatët kërkuan prova, por asnjëherë nuk u paraqit asgjë konkrete. CD-ja që ishte dorëzuar nga unë ishte e zbrazët. E kishin fshirë. Në 22 seanca, pala tjetër nuk ishte prezent. Vetëm më vonë ajo erdhi dhe nisi të ndryshojë deklarimet”, thotë ai.

Novak thekson se marrëdhëniet intime me të ishin me dëshirë të dyanshme dhe nuk ka pasur asnjë formë dhune. Ai pretendon se është viktimë e një manipulimi dhe se drejtësia në Kosovë ka dështuar në trajtimin e rastit të tij.

“Unë jam i pafajshëm. Po e vuaj një dënim pa prova. Drejtësia nuk u soll siç duhet dhe dikush duhet të përgjigjet për këtë padrejtësi”, përfundon rrëfimin e tij Flamur Novak.

Rasti i tij mbetet një shembull i ndjeshëm dhe kontestues që ngre pyetje të mëdha mbi hetimin, transparencën dhe drejtësinë në sistemin gjyqësor të Kosovës. RTVDukagjini.

The post “U dënova për një krim që nuk e bëra”, si i ndryshoi jeta për një muaj 41-vjeçarit që erdhi nga Gjermania appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 22 July 2025Main stream

Hapet përkohësisht pika kufitare Strazimir mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

22 July 2025 at 21:53

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se Pika e Kalimit Kufitar (PKK) Strazimir, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të hapet për qarkullim të përkohshëm sezonal.

Sipas njoftimit zyrtar, kjo pikë kufitare do të jetë funksionale nga data 25 korrik deri më 25 shtator 2025.

“Hapja e kësaj pike bëhet për të mundësuar zhvillimin e aktiviteteve dhe manifestimeve kulturore, shkencore, profesionale, sportive dhe/apo turistike”, thuhet në vendim.

Autoritetet e të dy vendeve presin që kjo masë të lehtësojë lëvizjen dhe të nxisë bashkëpunimin ndërkufitar, sidomos gjatë sezonit veror kur aktivitetet ndërmjet komuniteteve janë më të shumta.

The post Hapet përkohësisht pika kufitare Strazimir mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut appeared first on Telegrafi.

Belgjika dhe Kosova nënshkruajnë Letër Qëllimi për bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes

22 July 2025 at 21:24

Belgjika dhe Kosova kanë nënshkruar sot një Letër Qëllimi për të thelluar bashkëpunimin në fushën e industrisë së mbrojtjes.

Kjo u bë e ditur nga ministri i Mbrojtjes i Belgjikës, Theo Francken.

Ky hap përfaqëson një angazhim të përbashkët për forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve dhe zhvillimin e kapaciteteve industriale të mbrojtjes në Kosovë.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka mirëpritur këtë nismë si një mundësi për të avancuar bashkëpunimin dypalësh me Belgjikën dhe për të rritur kontributin e vendit në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.

Francken shprehu gatishmërinë për të vazhduar dialogun dhe projektet konkrete me autoritetet kosovare në këtë fushë jetike.

Today, Belgium and Kosovo signed a Letter of Intent to deepen defence industrial cooperation 🤝🇽🇰. I look forward to continue our dialogue with @EjupMaqedonci on advancing this collaboration.

And to work on our other mutual interests @albinkurti . pic.twitter.com/qkUZBHqC92

— Theo Francken (@FranckenTheo) July 22, 2025

The post Belgjika dhe Kosova nënshkruajnë Letër Qëllimi për bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes appeared first on Telegrafi.

Ushtarët amerikanë me patrulla për sigurinë dhe stabilitetin e përgjithshëm

22 July 2025 at 19:41

Ushtarët amerikanë të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, zhvilluan patrulla të montuara dhe të çmontuara në bashkësitë lokale në të gjithë Kosovën.

Sipas njoftimit, patrulla të tilla synojnë të kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin e përgjithshëm të zonës.

“Përmes këtyre përpjekjeve, KFOR-i përforcon angazhimin e tij për paqe të qëndrueshme, duke siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjitha komunitetet në të gjithë rajonin”, thuhet në njoftim.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

The post Ushtarët amerikanë me patrulla për sigurinë dhe stabilitetin e përgjithshëm appeared first on Telegrafi.

Shërbimet kroate: Përshkallëzimi i tensioneve në Kosovë, rrezik i vazhdueshëm

22 July 2025 at 19:32

Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës e Kroacisë (SOA) vlerëson se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten të paqëndrueshme dhe se, në këto rrethana, përshkallëzimi i tensioneve në Kosovë paraqet një rrezik të vazhdueshëm.

Në raportin e saj vjetor, SOA hedh dritë jo vetëm mbi situatën e sigurisë në Kroaci, por edhe mbi zhvillimet në Ballkanin Perëndimor – një rajon që, sipas saj, vazhdon të përballet me sfida të thella politike dhe të sigurisë, të lidhura ngushtë me çështjet e pazgjidhura ndërshtetërore.

Edhe pse BE-ja dhe SHBA-ja mbeten të përfshira në përpjekjet për stabilizim, raporti nënvizon se zgjidhja e këtyre çështjeve vazhdon të jetë e vështirë.

Kjo klimë pasigurie, sipas SOA-s, ndikon drejtpërdrejt edhe në procesin e integrimit evropian të rajonit, i cili po ec me ritme të ngadalta.

Kroacia sheh kërcënime të vazhdueshme në veri

Në vlerësimin e saj për Kosovën, SOA thekson ekzistencën e grupeve që synojnë destabilizimin e situatës në veri të vendit, ku shumica e popullsisë është serbe.

Si shembull për këtë, raporti përmend sulmin e armatosur të formacioneve serbe ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, më 24 shtator të vitit 2023, në të cilin mbeti i vrarë një polic.

Prishtina e ka akuzuar Beogradin për këtë sulm, ndërsa zyrtarët serbë kanë mohuar çdo përgjegjësi.

Raporti vëren se ende nuk është e qartë se si është organizuar ky formacion paraushtarak dhe si është armatosur me armë të rënda me origjinë ushtarake.

Për Millan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit dhe ka qenë pjesëmarrës në të, raportohet se është larguar në Serbi, ku është marrë në pyetje, por ende pritet ngritja e procedurave penale kundër tij.

Raporti i SOA-s përmend edhe përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për të shuar institucionet paralele serbe në veri, me qëllim forcimin e sovranitetit të shtetit dhe kufizimin e ndikimit të Beogradit në këtë zonë.

“Në rrethana të tilla, përshkallëzimi i tensioneve në Kosovë mbetet një rrezik i vazhdueshëm. Ndaj, rolin e garantuesit të sigurisë vazhdon ta luajë prania ushtarake e forcave ndërkombëtare”, përfundon SOA.

Balancimi strategjik i Serbisë

Për fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, SOA thekson vazhdimësinë e politikës së balancimit midis Perëndimit, Rusisë dhe Kinës.

Kjo strategji përfshin edhe promovimin e konceptit të “botës serbe”, i cili synon bashkimin e serbëve në vendet fqinje – sidomos në Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë – nën ombrellën e unifikuar politike të Beogradit zyrtar.

Në nivelin e brendshëm, SOA vëren se Serbia ka përjetuar disa valë protestash antiqeveritare, të organizuara kryesisht nga studentët, të cilët kërkojnë demokratizim të shoqërisë, depolitizim të institucioneve shtetërore, forcim të lirisë së medias dhe luftë kundër korrupsionit.

Raporti thekson se – në një situatë të tillë të ndërlikuar, me polarizim shoqëror në rritje – mediat pranë strukturave qeverisëse përforcojnë një narrativ që identifikon armiq të jashtëm dhe të brendshëm.

Sipas raportit, kjo krijon një atmosferë të kërcënimit kombëtar dhe përdoret për të diskredituar protestat studentore.

Në këtë kontekst, Republika e Kroacisë përmendet si një “faktor i përhershëm antiserb”, thekson SOA.

Sfida të tjera

Agjencia kroate vëren se në Bosnje dhe Hercegovinë vazhdon paqëndrueshmëria politike, e shkaktuar nga mosmarrëveshjet midis entiteteve dhe komuniteteve për rregullimin kushtetues dhe politikën e jashtme.

Konflikti kryesor qëndron midis udhëheqjes së Republikës Sërpska dhe Përfaqësuesit të Lartë mbi juridiksionin.

SOA vlerëson se udhëheqja e Republikës Sërpska mbështet hapur shpërbërjen e Bosnje dhe Hercegovinës dhe kërkon mbështetje politike nga Rusia – gjë që do të vazhdojë të krijojë sfida serioze politike dhe të sigurisë.

Në Mal të Zi, sipas raportit, vazhdon po ashtu ndarja socio-politike mes opsionit proevropian dhe atij serb, i cili është njëkohësisht prorus dhe antiperëndimor.

Partitë radikale serbe janë pjesë e koalicionit aktual qeverisës, dhe megjithëse Qeveria malazeze synon të demonstrojë angazhim evropian, ndikimi i politikave nacionaliste dhe antiperëndimore të opsionit serb mund të pengojë integrimin evropian dhe t’i ndikojë negativisht marrëdhëniet me BE-në, vlerëson raporti i SOA-s.

Ai përmend edhe Kishën Ortodokse Serbe, që përveç rolit fetar, thotë se ka edhe ndikim të fuqishëm politik – kombëtar dhe rajonal.

Udhëheqësit e Kishës promovojnë konceptin e “botës serbe”, duke përfshirë veçanërisht Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën si pjesë të kësaj hapësire, vë në dukje raporti.

I njëjti paralajmëron, gjithashtu, se organizatat kriminale të Ballkanit Perëndimor, sidomos ato serbo-malazeze, janë shumë aktive në trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.

Roli destabilizues i Rusisë

Në një pjesë të raportit, SOA thekson edhe ndikimin e vazhdueshëm dhe destabilizues të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Moska, sipas raportit, përdor një gamë mjetesh – sidomos lidhjet tradicionale me Serbinë – për të ruajtur dhe zgjeruar ndikimin e saj në rajon.

Agjencia vëren, gjithashtu, praninë aktive të shërbimeve ruse të inteligjencës në Serbi, të cilat, sipas SOA-s, përfshijnë edhe strehimin e agjentëve të larguar nga vendet perëndimore.

Raporti thekson se nga territori serb operojnë edhe mjete hibride ruse dhe përmend në mënyrë të veçantë RT-në dhe Sputnik-un.

Këto media “shërbejnë për të përhapur narrativë prorusë dhe antiperëndimorë në Ballkanin Perëndimor”, thekson raporti.

“Demokraci e sigurt”

Për vetë Kroacinë, SOA vlerëson se është një “demokraci e sigurt dhe e qëndrueshme në një mjedis sfidues të sigurisë”.

Ajo thekson se ndryshimet e shpejta globale, zhvillimet teknologjike dhe pasojat e luftës në Ukrainë kanë ndikuar në përkeqësimin e sigurisë në Evropë.

Por Kroacia, aktualisht, nuk përballet me kërcënime serioze të drejtpërdrejta ndaj sigurisë kombëtare apo rendit demokratik kushtetues, konstaton SOA.

The post Shërbimet kroate: Përshkallëzimi i tensioneve në Kosovë, rrezik i vazhdueshëm appeared first on Telegrafi.

Kryeziu i reagon Osmanit: Absurde, Kushtetuesja nuk e ka nxjerrë afatin 30 ditor nga mendja, e as nuk e ka shpikur atë

22 July 2025 at 17:39

Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka shprehur shqetësime serioze lidhur me kërkesën e presidentes Vjosa Osmani drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për sqarime rreth pasojave juridike në rast të mosrespektimit të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Sipas Kryeziut, janë dy çështje që e shqetësojnë veçanërisht në këtë rast. E para, sipas tij, është vonesa në paraqitjen e kësaj kërkese.

“Kjo kërkesë është dashur të bëhet shumë më herët. Nuk ka sens që Presidentja të presë deri në ditët e fundit për të kërkuar sqarime për një çështje kaq të rëndësishme, që po e shqetëson gjithë Kosovën. Kjo vonesë jep përshtypjen e një taktizimi politik edhe nga vet Presidentja”, ka deklaruar Kryeziu.

Pika e dytë që ai e cilëson problematike është përfshirja në kërkesën e Presidentes edhe e një mase të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor kushtetues për konstituimin e Kuvendit.

“Një kërkesë e tillë është gabim dhe absurde. Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë të pezullojë një afat që rrjedh drejtpërdrejt nga Kushtetuta – konkretisht nga neni 66. Ky afat nuk është shpikje e Gjykatës, por është normë kushtetuese, prandaj edhe nuk mund të pezullohet nga ajo”, u shpreh ai.

Kryeziu thekson se një kërkesë e tillë bie ndesh me detyrimin kushtetues të Presidentes për të garantuar funksionimin normal të institucioneve dhe rrezikon të prodhojë një precedent të rrezikshëm në sistemin kushtetues të vendit.

Ndërkohë, Presidenca ka argumentuar se masa e përkohshme synon të parandalojë një bllokadë institucionale që mund të çojë në veprime jashtë kornizës kushtetuese dhe në mungesë afatesh të qarta për funksionimin e Kuvendit./Telegrafi/

The post Kryeziu i reagon Osmanit: Absurde, Kushtetuesja nuk e ka nxjerrë afatin 30 ditor nga mendja, e as nuk e ka shpikur atë appeared first on Telegrafi.

“Dy ëmbëlsira dhe dy koktej, 33.40 euro – pa kupon fiskal”, mërgimtari ankohet për çmimet e larta në Shatërvan të Prizrenit

22 July 2025 at 17:25

Një mërgimtar ka shprehur pakënaqësinë e tij në rrjete sociale pas një vizite në një nga restorantet në zonën turistike të Shatërvanit, në Prizren.

Ai thotë se për dy ëmbëlsira tradicionale të njohura si “Katmer” dhe dy kokteje pa alkool është detyruar të paguajë plot 33.40 euro – pa marrë kupon fiskal zyrtar.

“U befasova nga çmimi i lartë për vetëm katër produkte. Kur kërkova kupon fiskal, më dhanë një fletë që nuk përputhej me porosinë që kisha bërë,” ka thënë qytetari, duke ndarë edhe një foto të faturës jozyrtare si dëshmi të përvojës së tij.

Rasti ka shkaktuar reagime të ndryshme nga qytetarët, disa prej të cilëve thonë se nuk është hera e parë që ndodhin raste të tilla në zonat turistike të vendit, sidomos gjatë sezonit veror, kur numri i vizitorëve dhe mërgimtarëve rritet ndjeshëm.

Qytetarë të tjerë kanë kërkuar që autoritetet tatimore të ndërmarrin kontrolle më të rrepta për shmangien e abuzimeve dhe moslëshimit të kuponëve fiskalë.

The post “Dy ëmbëlsira dhe dy koktej, 33.40 euro – pa kupon fiskal”, mërgimtari ankohet për çmimet e larta në Shatërvan të Prizrenit appeared first on Telegrafi.

Zjarret në Vërnik, janë angazhuar rreth 150 efektivë dhe 11 mjete zjarrfikëse

21 July 2025 at 23:45

Zjarret në zonën e fshatit Vërnik në bashkinë Devoll vijojnë të jenë aktive, ndonëse me intensitet të ulur, falë temperaturave më të freskëta dhe ndërhyrjes së strukturave vendore.

Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, së bashku me nënprefektin e Devollit, zhvilluan një takim me banorët e zonës mbrëmjen e sotme për të ndjekur nga afër situatën dhe për të koordinuar veprimet e mëtejshme për përballimin e flakëve.

Sipas deklaratës së Jolës, aktualisht dy vatra zjarri janë ende aktive dhe në to po vijon puna për shuarjen nga forcat vendore në bashkëpunim me banorët.

Gjatë dy ditëve të fundit, në operacionin për fikjen e zjarreve janë angazhuar rreth 150 efektivë dhe 11 mjete zjarrfikëse.

Ndërhyrjet do të rifillojnë me intensitet sërish nesër në orët e para të mëngjesit.

“Rreziku pranë pikës kufitare është shmangur. Zjarri në kodrën pranë rrugës nuk përbën më rrezik të lartë, pasi bimësia aty është e ulët”, theksoi Jole për A2 CNN.

Autoritetet vijojnë të apelojnë për vigjilencë dhe bashkëpunim nga banorët e zonës për të shmangur përkeqësimin e situatës.

The post Zjarret në Vërnik, janë angazhuar rreth 150 efektivë dhe 11 mjete zjarrfikëse appeared first on Telegrafi.

“Kur të mbyllet dera e burgut, hapen sytë” – Rrëfimi i një të riu që u dënua për një gabim adoleshence

21 July 2025 at 23:16

Një djalë i ri, vetëm 19 vjeç, ndodhet sot në vuajtje të dënimit pas një përleshjeje të dhunshme që përfundoi me tentim vrasje.

Ai në emisionin ‘Prapa Grilave’ me Liridon Llozani e nis rrëfimin jetën si një nxënës i mirë, me sjellje shembullore dhe pa asnjë problem me ligjin, por një gabim i vetëm në moshën 15-vjeçare i ndryshoi përfundimisht drejtimin.

Ngjarja e ndodhur para rreth katër vitesh nisi si një konflikt mes grupeve të të rinjve, në të cilin ai u përfshi për të mbrojtur një shok.

Ajo që filloi si një kacafytje, përfundoi në një incident me armë të ftohtë dhe dënimin e tij me një vit burgim për tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Megjithëse ai pohon se nuk e ka kryer therjen dhe se nuk është gjetur asnjë provë konkrete që e lidh drejtpërdrejt me aktin, vendimi gjyqësor nuk mundi ta shmangte.

Për të, gjithë kjo ka qenë një goditje e rëndë. Jo vetëm për shkak të privimit nga liria, por më shumë për peshën emocionale që ka shkaktuar ndaj familjes së tij. Ai kujton me dhimbje momentin kur i telefonoi prindërve për herë të parë nga burgu, ndërsa zëri i dridhej dhe nuk mund të fliste.

“Vetëm i kam lënë të flasin”, rrëfen ai, “unë nuk kisha fuqi as për të hapur gojën”, rrëfen ai.

Një pjesë e madhe e reflektimit të tij lidhet me ndikimin e shoqërisë dhe zgjedhjet që ka bërë. Megjithëse nuk kishte përdorur substanca narkotike apo alkool, ishte rrethuar nga njerëz që e kishin bërë këtë një mënyrë jetese. Ai pohon se familja e kishte paralajmëruar shpesh për rrezikun që vjen nga këto shoqëri, por ai nuk i kishte dëgjuar.

Sot, nga qelia, ai thotë:

“Atëherë nuk e kuptoja, por tani e di se çfarë kanë parë prindërit që unë nuk e pashë”, shprehet ai.

Pendesa është një fjalë që e përsërit shpesh gjatë rrëfimit të tij. Jo vetëm për aktin konkret, por për distancimin nga vlerat, për shpërfilljen e këshillave, për braktisjen e rrugës që dikur e kishte dalluar si një nxënës i mirë dhe fëmijë i bindur. Ai e pranon me sinqeritet:

“Isha rrugës, edhe nxënës i mirë, edhe i rrugës – por ajo e rrugës më tërheq më shumë”, rrëfen ai.

Me ironi dhe vetëdije, ai e përshkruan qëndrimin në burg si një “gjysmë fakulteti”, një vend ku mëson shumë – për veten, për njerëzit dhe për jetën. Në këto muaj izolimi, ka nisur të kuptojë rëndësinë e vetëkontrollit, të qetësisë dhe të reflektimit.

“Tash jam shumë më i qetë”, thotë ai, “në liri nuk e kontrolloja nervozën, këtu po mësoj ta bëj”, thotë ai.

Por një nga zhgënjimet më të mëdha që ai përmend është mungesa e atyre që dikur i kishte quajtur “shokë të ngushtë”. Ai thotë se askush prej tyre nuk e ka vizituar, madje as shoku për të cilin hyri në përleshje.

“Vetëm nëna e babai po kujdesen për mua. Të tjerëve nuk i intereson. Ndoshta as nuk e dinë që jam këtu”, thotë me dhimbje.

Në fund të bisedës, ai nuk kërkon as justifikim, as mëshirë. Ai merr përgjegjësinë mbi vete.

“Fajtor jam vetëm unë”, thotë.

“Nuk mund ta fajësosh as situatën, as shoqërinë. Fajtor është vetvetja dhe mënyra se si reagon ti”, shprehet ai.

Kjo histori është një kujtesë e fortë për rrezikun që fshihet në vendimet e shpejta dhe shoqëritë e gabuara.

Është një thirrje për prindërit të qëndrojnë të përfshirë në jetën e fëmijëve të tyre dhe për të rinjtë që të vlerësojnë atë që kanë – familjen, shkollën, lirinë – para se të jetë vonë. Sepse, siç thotë ai vetë, “kur të mbyllet dera e burgut, hapen sytë e mendjes”, por atëherë është shumë vonë, raporton RTVDukagjini.

The post “Kur të mbyllet dera e burgut, hapen sytë” – Rrëfimi i një të riu që u dënua për një gabim adoleshence appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

“Më kanë përdhunuar… e nuk i thashë askujt”: Ende e mbaj mend fytyrën e Goranit

21 July 2025 at 21:55

Në kuadër të serisë “Heshtja që vret – Klithma e vërtetë e luftës”, një grua që ka përjetuar këtë tmerr, ndau historinë e saj për herë të parë publikisht.

Ajo tregoi se, pas dhunimit nga forcat serbe, ishte kthyer në familje pa i treguar askujt për atë që kishte ndodhur.

“Kur u ktheva, të gjithë më pyetën çfarë kam. U thashë vetëm që më kanë rrahur, kurgjë tjetër. Nuk dola më nga shtëpia deri më 13 qershor, kur jemi kthyer”, rrëfen ajo.

Ngjarja e rëndë që e kishte përjetuar, ndikoi thellësisht në jetën e saj. Ajo nuk kishte dëshiruar të krijonte familje dhe shmangte me vetëdije çdo lidhje apo mundësi për martesë.

“Sa herë më vinte mundësia për martesë, bëja gjeste të qëllimshme që të mos lidhesha me askënd”, tregoi ajo.

Megjithatë, në një fazë më të vonshme të jetës, ajo u martua dhe solli në jetë një djalë. Por, pas një kohe humbi bashkëshortin.

“Sot jetoj si një nënë shumë e lumtur me djalin tim”, rrëfen me emocione të përziera e mbijetuara.

Ajo tha se traumat e luftës nuk janë larguar asnjëherë. Disa netë i përjeton si ëndrra të këqija, e shpesh ndien dhimbje fizike në duar, si pasojë e dhunës së përjetuar.

“Njëri nga ata më mbante të shtypur me çizme. Dy ishin gjithsej. Njërin prej tyre, kriminelin, e kujtoj ende”, thotë ajo.

Kur gazetari Panduri e pyet nëse i kujtohet fytyra e Goranit, njërit prej dhunuesve, ajo përgjigjet shkurt: “Po”, raporton RTVDukagjini.

 

The post “Më kanë përdhunuar… e nuk i thashë askujt”: Ende e mbaj mend fytyrën e Goranit appeared first on Telegrafi.

Beogradi përmes BIA-s kërkon emrat e policëve që arrestuan zyrtarin serb për fyerje ndaj UÇK-së

21 July 2025 at 19:27

“Arrestimi i zëvendësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Igor Popoviq nga Policia e Kosovës dhe urdhri i paraburgimit prej një muaji është një poshtërim për regjimin e Vuçiqit dhe për faktin se Serbia nuk është më një shtet”, thotë politologu Ognjen Gogiq.

Popoviqi u arrestua të premten në mbrëmje në Bërnjak, pasi më parë iu drejtua të pranishmëve në takim për të përkujtuar serbët nga Rahoveci. Popoviqi i quajti pjesëtarët e UÇK-së terroristë, për këtë arsye u ndalua, pastaj u dërgua në njësinë e paraburgimit në Gjilan dhe iu urdhërua paraburgimi 30-ditor.

Të hënën, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd i dërgoi kërkesa zyrtare Drejtorisë së Policisë Kriminale të Ministrisë së Brendshme të Republikës së Serbisë dhe Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), me qëllim identifikimin e personave të cilët më 18 korrik, duke u paraqitur si anëtarë të policisë së Kosovës, arrestuan dhe sollën në Prishtinë Igor Popoviq, zëvendësdrejtorin e Zyrës për Kosovë në Qeverinë serbe.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në Pink TV të dielën se arrestimi i Popoviq tregon se Alibin Kurti, kryeministri në detyrë i Kosovës, është çmendur dhe se dëshiron konflikte, dhe se Beogradi do të luftojë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, por gjithashtu do të reagojë në një mënyrë shumë “të ashpër dhe të fortë”.

Kurti deklaroi se sundimi i ligjit është themeli i Kosovës dhe se kushdo që shkel ligjin dhe rendin do të ndalohet.

“Rasti i Igor Popoviqit nuk është përjashtim”, vuri në dukje ai.

“Kërkesa e Prokurorisë së Beogradit nuk është naive për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, sepse Serbia mund të lëshojë një urdhër arresti për ta, i cili mund të mbetet vetëm një urdhër arresti në territorin e Serbisë, por ekziston edhe mundësia që të bëhet një urdhër arresti ndërkombëtar”, thekson politologu Ognjen Gogiq.

“Nëse krijohen kushtet dhe bëhet një urdhër arresti ndërkombëtar, kjo rrit çmimin për Kosovën që të ndërmarrë gjëra të tilla në të ardhmen, atëherë Kosova do të jetë më pak e gatshme ta bëjë këtë. Gjëja tjetër është se, nuk e di nëse do të shkojë aq larg, sikur Serbia të tërheqë njohjen e juridiksionit të Kosovës. Me marrëveshjen e Brukselit, Serbia de facto njohu policinë dhe gjyqësorin e Kosovës. Kjo do të thotë që Serbia mund të mos i njohë autoritetet gjyqësore dhe policinë sepse thonë “persona që paraqiten si policë të Kosovës”, domethënë, janë individë privatë që paraqiten si të tillë”, thotë ai.

Gogiq shton se kjo mund të nënkuptojë tërheqjen e plotë të Marrëveshjes së Brukselit.

Sipas tij, varet se sa larg do të shkojë Beogradi me këtë, dhe se kjo është një lojë e rrezikshme dhe se do të ishte një veprim i rrezikshëm.

“Ose do të qëndrojnë me këtë dhe asgjë nuk do t’i ndodhë askujt, ose Beogradi do të fillojë të ndërmarrë veprime. Kjo është për audiencën e brendshme, por mund të ketë pasoja të mëtejshme. Nëse do të fillonin të arrestonin anëtarë të Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe gjyqësorit, të thoshin se thjesht po e paraqesin veten si të tillë. Ekziston gjithashtu rreziku i konfliktit”, thekson Gogiq, raporton Danas, transmeton Telegrafi.

The post Beogradi përmes BIA-s kërkon emrat e policëve që arrestuan zyrtarin serb për fyerje ndaj UÇK-së appeared first on Telegrafi.

Haradinaj reagon për vdekjen tragjike të dy punëtorëve në Gjakovë

21 July 2025 at 19:14

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas lajmit për vdekjen tragjike të dy punëtorëve në një aksident në vendin e punës në Gjakovë, duke e cilësuar këtë si një ngjarje të rëndë për familjet dhe shoqërinë.

Përmes një postimi të shpërndarë në Facebook, Haradinaj ka bërë thirrje për rritje të sigurisë në ambientet e punës dhe për më shumë përgjegjësi nga ana e institucioneve shtetërore.

“I trishtë lajmi për ndarjen tragjike nga jeta të dy punëtorëve në vendin e punës në Gjakovë. Humbja e jetës në përpjekje për të siguruar bukën e gojës është një tragjedi e madhe për familjet, por edhe për gjithë shoqërinë tonë,” ka shkruar ai.

Ai u ka bërë thirrje ndërmarrësve kosovarë që të rrisin nivelin e sigurisë fizike për punëtorët në çdo vend pune, ndërsa institucionet i ka ftuar të veprojnë me seriozitet.

“Për organet shtetërore, ky rast duhet të shërbejë si alarm për të rritur përgjegjësinë institucionale dhe për të garantuar zbatimin e plotë të ligjeve që mbrojnë punëtorin.”

Në fund, Haradinaj shprehu ngushëllime për familjet dhe kolegët e viktimave:

“Ndaj dhimbjen me familjet e viktimave, me kolegët e tyre dhe me gjithë qytetarët e Gjakovës.”

The post Haradinaj reagon për vdekjen tragjike të dy punëtorëve në Gjakovë appeared first on Telegrafi.

Mediumi britanik “Metro” shkruan për protestën e avokatit Arianit Koci: Me makinë rroje kundër ngërçit politik në Kosovë

21 July 2025 at 19:02

Mediumi i njohur britanik Metro i ka kushtuar një artikull veprimit simbolik të avokatit Arianit Koci, i cili protestoi para Kuvendit të Kosovës duke nxjerrë një makinë rroje para gazetarëve.

Me këtë akt, ai denoncoi dështimin e vazhdueshëm të institucioneve për të formuar Kuvendin e ri, tashmë për herë të pesëdhjetë radhazi.

“Një avokat nxori një makinë rroje para gazetarëve për të protestuar kundër dështimit të qeverisë së tij për të krijuar një asamble për herë të pesëdhjetë radhazi”, shkruan Metro, duke theksuar mesazhin e fortë të kësaj proteste të pazakontë.

Koci e cilësoi veprimin e tij si një akt simbolik, për të tërhequr vëmendjen ndaj asaj që e konsideron krizë të thellë institucionale dhe kërcënim për vetë shtetësinë e Kosovës.

“Shtetësia jonë në Kosovë po kërcënohet gjithashtu. Miqtë dhe armiqtë po bindën se ne nuk jemi të aftë të mbajmë një shtet”, deklaroi ai para mediave.

Ndërkohë, edhe pse protestën e shoqëroi me një akt që mund të duket i pazakontë – rruajtjen e flokëve – Koci u përball me përkrahje dhe reagime të fuqishme nga qytetarët në rrjete sociale.

“Ju jeni ndërgjegjja e pastër e kombit! Çdo veprim i juaji më mbush me shpresë dhe më jep mesazhin se ky vend nuk ka fund”, u shpreh një qytetar.

Një tjetër komentoi: “Respekt. Mos u ngatërroni me këta budallenj.”

Protesta e Kocit vjen në një kohë tensionesh në rritje, ndërsa kriza politike ka hyrë në muajin e gjashtë.

Kosova ka mbetur pa një Kuvend funksional që nga zgjedhjet e mbajtura në shkurt, me 162 ditë të humbura në përpjekje të pasuksesshme për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

Partia Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, e cila doli fituese në zgjedhje, nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme për konstituimin e institucioneve, duke shkaktuar një bllokadë të zgjatur.

Kurti po akuzohet nga opozita për përmbysje të rendit kushtetues dhe zhbërje të institucioneve demokratike.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se “162 ditë nuk janë shumë për Albin Kurtin sepse për të, kjo kohë është pjesë e një plani. Për përmbysjen e rendit kushtetues, për delegjitimizimin e demokracisë dhe institucioneve dhe për zhbërjen e vetë ADN-së së shoqërisë sonë”.

“Nuk do të keni sukses sepse kjo nuk është vetëm një krizë politike, është një krizë morale dhe ne duhet ta ndalojmë atë.”

The post Mediumi britanik “Metro” shkruan për protestën e avokatit Arianit Koci: Me makinë rroje kundër ngërçit politik në Kosovë appeared first on Telegrafi.

Sindikata e Policisë mirëpret vendimin e Gjykatës së Apelit për pesë policët në rastin e Lipjanit

21 July 2025 at 17:48

Gjykata e Apelit e Kosovës ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan për paraburgimin e pesë zyrtarëve policorë të përfshirë në rastin e Lipjanit.

Gjykata Themelore e Prishtinës Dega në Lipjan kishte vendosur masën e paraburgimit ndaj pesë zyrtarëve policorë të cilët u akuzuan pas vdekjes së të riut 27 vjeçar gjatë procesit të arrestimit të tij.

Sindikata e Policisë së Kosovës, ka mirëpritur vendimin duke shprehur shqetësimin për mënyrën e raportimit nga disa media duke i quajtur raportimet tendencioze.

“Sindikata e Policisë së Kosovës (SPK) e mirëpret dhe përshëndet vendimin e Gjykatës së Apelit lidhur me rastin ndaj pesë zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Lipjan, për të cilët ishte caktuar masa e paraburgimit nën dyshimin për veprën penale “vrasje nga pakujdesia.Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë për mënyrën e papërgjegjshme dhe tendencioze të raportimit nga disa media të shkruara dhe elektronike, të cilat edhe pas vendimit të Gjykatës së Apelit vazhdojnë të përdorin gjuhë stigmatizuese, duke e cilësuar këtë rast si “vrasje” pa asnjë fakt, provë apo vendim përfundimtar gjyqësor”, thuhet në reagim.

Kujtojmë që viktima Agon Zejnullahu ndërroi jetë pas arrestimit nga policia, kurse zyrtarët policorë dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘vrasje nga pakujdesia’.

The post Sindikata e Policisë mirëpret vendimin e Gjykatës së Apelit për pesë policët në rastin e Lipjanit appeared first on Telegrafi.

Ndërron jetë Avdyl Osmanaj nga Istogu – ishte lënduar në vendin e punës

21 July 2025 at 17:25

Kosova është goditur sot nga dy ngjarje të rënda që ndodhën në vendet e punës, ku kanë humbur jetën tre persona.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka ndërruar jetë Avdyl Osmanaj, rreth 64 vjeç, nga fshati Gurrakoc i Istogut.

Ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra më 24 qershor, kur kishte rënë nga kati i tretë i një objekti në ndërtim në fshatin Zallq të komunës së Istogut, gjatë punës në skelë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se aksidenti kishte ndodhur rreth orës 17:25, ndërsa lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur zëdhënësi rajonal i Policisë në Pejë, Fadil Gashi.

Një tjetër aksident i rëndë ndodhi sot në Gjakovë, ku dy punëtorë humbën jetën në vendin e tyre të punës.

Ata kanë rënë nga kati i tretë i një objekti në ndërtim, duke pësuar lëndime fatale.

Rrethanat e këtyre ngjarjeve tragjike janë ende duke u hetuar nga autoritetet, ndërkohë që ngrihen sërish shqetësimet për sigurinë në vendin e punës në sektorin e ndërtimit në Kosovë.

The post Ndërron jetë Avdyl Osmanaj nga Istogu – ishte lënduar në vendin e punës appeared first on Telegrafi.

Përfundon me sukses operacioni i shpëtimit në Kanionin e Mirushës

21 July 2025 at 00:05

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) ka njoftuar se ka përfunduar me sukses operacioni i ndërmarrë në Kanionin e Mirushës, pas raportimeve për një person të lënduar në atë zonë.

Sipas njoftimit zyrtar, ekipet e shpëtimit kanë arritur ta lokalizojnë dhe ndihmojnë personin e lënduar, duke i ofruar ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas duke e evakuuar me sukses te ekipet mjekësore.

“Operacioni Mirusha ka përfunduar me sukses, personit të lënduar i është dhënë ndihma e parë duke e evakuuar dhe dorëzuar te ekipet mjekësore”, thuhet në njoftimin e ShKShMK-së.

Rasti kishte ndodhur më herët gjatë ditës, kur autoritetet ishin njoftuar për lëndimin e një personi në këtë zonë të njohur për vështirësitë gjeografike dhe natyrën e rrezikshme për vizitorët.

The post Përfundon me sukses operacioni i shpëtimit në Kanionin e Mirushës appeared first on Telegrafi.

Vuçiq reagon pas paraburgimit të Igor Popoviqit: Kjo mund të ketë pasoja të paparashikueshme

20 July 2025 at 23:33

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin një muaj paraburgim ndaj Igor Popoviqit, zëvendësdrejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.

Vuçiq tha se Beogradi zyrtar i ka njoftuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë për caktimin e paraburgimit ndaj Igor Popoviqit, duke shtuar se “kjo mund të ketë pasoja të paparashikueshme”.

“Arrestimi i fundit i Igor Popoviqit tregon se Albin Kurti e ka humbur arsyen dhe se dëshiron të shkaktojë incidente dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor”, tha Vuçiq gjatë një interviste në televizionin Pink në Beograd.

Ai theksoi se do të përpiqet të ruajë paqen dhe stabilitetin, por paralajmëroi se do të reagojë “në mënyrë të ashpër dhe të fuqishme, sepse ky terror duhet të ndalet në një moment”.

Ndërkaq, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, e cilësoi vendimin e Gjykatës Themelore si “vendim politik”.

Sipas njoftimit të Listës Serbe, Popoviqi është ndaluar sepse ka folur për “vuajtjet e popullit serb dhe ka kërkuar që përgjegjësit për krimet kundër bashkëkombësve tanë – të cilët ende janë të lirë – të dalin para drejtësisë”.

“Arrestimi i Igor Popoviqit është një sulm ndaj dialogut, një sulm ndaj vendosmërisë së shtetit serb për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura përmes dialogut. Po ashtu, është dëshmi e qasjes joserioze dhe të papërgjegjshme të përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilët po e tolerojnë arbitraritetin, autokracinë dhe persekutimin e gjithçkaje që është serbe nga [kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin] Kurti”, thuhet në njoftim.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha po ashtu se caktimi i masës së paraburgimit ndaj Popoviqit është “vendim politik”, duke akuzuar autoritetet kosovare se duan t’u “ndalojnë serbëve në Kosovë jo vetëm lirinë e shprehjes, por edhe vetë jetën”.

“Çdo mundësi për marrëveshje dhe negociata me Prishtinën bie poshtë pas këtij vendimi skandaloz, të paligjshëm dhe të papranueshëm, derisa Popoviq të lirohet. Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare janë bashkëfajtorë në këtë vendim ndaj Igor Popoviqit, përfaqësues i lartë i shtetit serb”, thuhet në njoftimin e kësaj zyreje.

Po ashtu, nga kjo zyrë thanë se gjatë ditëve të fundit, përmes kontakteve intensive të përditshme, kanë marrë disa siguri nga përfaqësues ndërkombëtarë se nuk ekziston bazë ligjore që Igor Popoviq të mbahet në paraburgim, dhe se po bëhet gjithçka që ai të lirohet.

Pas ndalimit të Popoviqit, më 18 korrik ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, deklaroi seKosova, si shtet demokratik dhe sovran, nuk do të tolerojë fyerje dhe përdhosje të historisë e çka më pak të luftës së udhëhequr nga UÇK-ja.

“Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare”, u shpreh ai.

UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.

Kategoritë e dala nga lufta, Organizata e Veteranëve të UÇK-së (OVL-UÇK), Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve kanë reaguar ashpër ndaj, siç kanë thënë, pranisë së ndihmësit të Petar Petkoviqit në Kosovë.

Ato, po ashtu, kanë thënë se “çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndalur me vendosmëri”.

The post Vuçiq reagon pas paraburgimit të Igor Popoviqit: Kjo mund të ketë pasoja të paparashikueshme appeared first on Telegrafi.

Transferta ilegale me sistemin Hawala: Si u pastruan miliona euro nga Zvicra në Shqipëri dhe çka zbuloi SPAK?

20 July 2025 at 21:56

Në një botë gjithnjë e më të lidhur, ku teknologjia dhe bankat digjitale dominojnë tregun financiar, ekziston ende një sistem tradicional e i fuqishëm që funksionon përtej bankave dhe pa nevojën e ndonjë dokumentacioni zyrtar: Hawala.

Ky sistem, i përdorur prej shekujsh në vendet e Lindjes së Mesme, Azisë Jugore, Afrikës së Veriut dhe më gjerë, është një formë informale e transferimit të parave, që mbështetet në besimin personal, jo në institucionet financiare.

Çfarë është Hawala?

Hawala është një sistem alternativ për transferimin e parave, ku nuk ka lëvizje fizike të parave dhe as ndonjë regjistrim zyrtar të transaksionit. Në vend të kësaj, paratë kalojnë përmes një rrjeti agjentësh të njohur si “hawaladarë”, të cilët merren me dërgimin dhe pranimin e shumave të parave në mënyrë diskrete.

Për shembull, një person në Kanada dëshiron të dërgojë para në Pakistan. Ai i jep shumën një hawaladari në qytetin e tij. Ky hawaladar e njofton një tjetër në Pakistan që t’ia japë shumën marrësit. Marrësi i parave i tërheq ato menjëherë, ndërsa hawaladarët rregullojnë borxhet mes tyre më vonë, shpesh përmes tregtisë ose shkëmbimeve të tjera financiare.

Pse përdoret?

Hawala ka disa përparësi që e bëjnë tërheqës për shumë njerëz:

Shpejtësi – Transaksionet bëhen pothuajse në kohë reale.

Tarifa të ulëta – Shpesh më të lira se bankat tradicionale ose shërbimet si Western Union.

Diskrecion – Nuk kërkohet ID ose dokumente zyrtare.

Qasje për të gjithë – I përshtatshëm për komunitetet që nuk kanë akses në sistemet bankare moderne.

Për këto arsye, hawala është mjaft popullor në zonat rurale, mes emigrantëve dhe në rastet ku njerëzit nuk i besojnë bankave.

Rreziqet dhe kontestet ligjore

Megjithëse vetë koncepti i hawala-s nuk është kriminal, ai shpesh ndodhet në zonë të errët ligjore. Në disa vende, hawala është plotësisht i paligjshëm; në të tjera, ai lejohet vetëm nëse agjentët regjistrohen dhe raportojnë transaksionet.

Për shkak të mungesës së dokumentimit dhe transparencës, hawala është përdorur edhe për pastrim parash, financim të terrorizmit, dhe aktivitetet e paligjshme ndërkombëtare. Kjo ka bërë që shumë autoritete financiare dhe agjenci ndërkombëtare të ndjekin nga afër rrjetet hawala dhe ta lidhin me krimin e organizuar.

Përfundim

Hawala mbetet një fenomen unik në botën financiare moderne – një sistem që mbështetet jo te teknologjia, por te besimi mes njerëzve. Ai është dëshmi e mënyrës sesi strukturat tradicionale arrijnë të mbijetojnë përkrah zhvillimeve globale. Megjithatë, sfida kryesore është balancimi mes përfitimeve të tij praktike dhe rrezikut që paraqet për sigurinë financiare ndërkombëtare. Prandaj, diskutimi rreth hawala-s mbetet aktual dhe kompleks.

Çfarë ndodhi sot?

SPAK ka zbuluar dhe goditur një rrjet kriminal të përfshirë në trafik droge dhe pastrim parash, përmes sistemit “Hawala”.

Sipas njoftimit zyrtar nga SPAK, nga veprimet hetimore të kryera gjatë hetimeve paraprake dhe ato të kryera nga autoritetet e drejtësisë zvicerane, janë mbledhur provat e nevojshme, të cilat kanë provuar faktin se personat nën hetim E.F, B.F dhe P.K, në bashkëpunim me njëri tjetrin, si dhe në bashkëpunim me disa persona të tjerë që janë me banim në Luzern, Zvicër, në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar dhe kanë bërë të mundur funksionimin e një sistemi informal të transferimit të parave. Përmes këtij sistemi kanë transferuar dhe kanë transportuar nga Zvicra për në Shqipëri, sasi të konsiderueshme të parave që kanë pasur si burim të origjinës së tyre aktivitetet e trafikimit dhe të tregtimit të lëndëve narkotike në territorin e Zvicrës apo në vende të tjera.

Ky sistem informal i transferimit të parave, i njohur me emërtimin “Hawala”, iu ka mundësuar personave nën hetim dhe personave të tjerë të përfshirë në aktivitetet kriminale, të transferonin në mënyrë të shpejtë, shuma monetare nga Zvicra në Shqipëri, për një periudhë disa vjeçare, të paktën prej vitit 2020 dhe në vazhdim.

Personat e interesuar për transferimin e parave (dërguesit e parave) dorëzonin paratë që kishin origjinë kriminale tek bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër, duke i informuar ata për emrin e personit që ishte pritësi i shumave të parave në Tiranë.

Bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër menjëherë sapo kryhej depozitimi i parave njoftonin bashkëpunëtorët e tyre në Tiranë, personin nën hetim E.F, i cili është edhe drejtuesi i këtij grupi kriminal, për shumën e depozituar të parave dhe emrin e personit i cili ishte pritësi i parave në Tiranë. Më pas, personi nën hetim E.F, në bashkëpunim me personat nën hetim B.F dhe P.K, dorëzonin sasinë e njëjtë të parave që ishtë depozituar te bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër, tek personat që ishin pritësit e shumave në Tiranë.

Në këtë mënyrë mundësohej transferimi i parave në një kohë shumë të shpejtë, pa qënë e nevojshme që të kryhej transportimi i menjëhershëm fizik i parave nga Zvicra në Shqipëri, si dhe njëkohësisht bëhej e pamundur për agjencitë e zbatimit të ligjit, rregjistrimi i transfertave të parave, identifikimi i personave dërgues dhe pritës të parave, si dhe verifikimi i burimit të parave që transferoheshin.

The post Transferta ilegale me sistemin Hawala: Si u pastruan miliona euro nga Zvicra në Shqipëri dhe çka zbuloi SPAK? appeared first on Telegrafi.

Tetë muaj nga sulmi në Ibër Lepenc – dy persona në paraburgim, prokuroria vijon hetimet

20 July 2025 at 20:06

Së shpejti bëhen tetë muaj nga sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut. Dy persona mbesin në paraburgim, ndërkaq Prokuroria, pa treguar detaje, vetëm njoftoi se hetimet po vijojnë.

Ky institucion nuk tregoi as nëse kanë marrë ndonjë raport nga FBI. Ndërsa, hetimet vlerësohet se janë brenda afateve ligjore.

Gati tetë muaj nga sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ende nuk ka aktakuzë lidhur me rastin.

Dy të dyshuarit për shpërthimin që dëmtoi infrastrukturën kritike, Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, të cilët u arrestuan pak pas rastit, janë ende në paraburgim.

Megjithatë, Prokuroria Speciale nuk tregoi nëse kanë identifikuar të dyshuar të tjerë lidhur me rastin, e as kohën kur mund të përmbyllet hetimi dhe eventualisht të ngritët aktakuzë.

“Prokuroria Speciale është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore me qëllim të konstatimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Megjithatë, duke pasur parasysh se çështja ndodhet ende në fazën e procedurave hetimore, për momentin nuk mund të ofrojmë më shumë informacione”, ka theksuar Arbnora Luta, Zëdhënëse e Prokurorisë Speciale.

Për zbardhjen e rastit, ish-ambasadori amerikan Jeffery Hovenier kishte thënë se “SHBA-ja ka sjellë mbështetjen e FBI-së në Kosovë për të punuar drejtpërdrejtë dhe me kohë të plotë me autoritetet kosovare për të identifikuar përgjegjësit”.

Megjithatë, Prokuroria nuk tregoi nëse kanë marrë ndonjë raport nga amerikanët.

Referuar ndjeshmërisë dhe ndërlikueshmërisë së rastit, me synim një aktakuzë të përgatitur mirë, juristi Ardian Bajraktari tha se hetimet janë brenda praktikave dhe kufizimeve ligjore.

“Natyrisht, situata të tilla marrin kohë në drejtim të trajtimit dhe hetimit të çështjes, prandaj për aq kohë sa është brenda afateve dhe parametrave të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale vlerësoj se jemi në rregull dhe të shpresojmë që Prokuroria të kryejë detyrën e saj konform detyrave dhe përgjegjësisë që ka dhe afateve të përcaktuara”, ka deklaruar Bajraktari.

Në rastin tjetër, për sulmin terrorist paramilitar në Banjskë, më 24 Shtator 2023, hetimet para ngritjes së aktakuzës ndaj Milan Radojçiqit dhe 44 të tjerëve kishin zgjatur një vit të plotë.

The post Tetë muaj nga sulmi në Ibër Lepenc – dy persona në paraburgim, prokuroria vijon hetimet appeared first on Telegrafi.

❌
❌