Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 22 August 2025Main stream

BSH: 3,5 miliardë lekë pagesa elektronike në 6-mujorin e parë 2025

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Banka e Shqipërisë bën të ditur se përdorimi i pagesave elektronike nga qytetarët dhe bizneset ka shënuar një rritje të vazhdueshme gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, duke reflektuar zhvillimin e teknologjisë financiare dhe rritjen e besimit ndaj shërbimeve digjitale.

Sipas BSH-së, gjatë periudhës janar–qershor 2025, numri total i pagesave përmes sistemit bankar arriti në 27.9 milionë, një rritje prej 24% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Vlera totale e pagesave kap shifrën e 3.475 miliardë lekëve, me një rritje prej 13% në terma vjetorë.

Ndërkohë kartat bankare kanë qenë një tjetër instrument shumë i përdorur në këtë periudhë.

“Pagesat me kartë janë rritur me 30%, duke zënë 67% të totalit të pagesave, çka tregon adoptimin gjithnjë e më të gjerë të këtij instrumenti në jetën e përditshme. Ndërkohë, transfertat e kreditit online kanë shënuar rritje me 23%, dhe tani përbëjnë 19% të totalit të pagesave”, njofton BSH-ja.

Referuar statistikave, numri i kartave të debitit dhe kreditit në qarkullim ka arritur në 1.572 milionë, duke shënuar një rritje vjetore prej 4.1%.

Këto shifra tregojnë qartë zhvendosjen drejt një ekonomie gjithnjë e më digjitale dhe moderne, me qytetarë që po përqafojnë më shumë komoditetin dhe sigurinë që ofrojnë pagesat elektronike. Banka e Shqipërisë vijon të mbështesë këtë zhvillim përmes reformave dhe rregulloreve që rrisin aksesin, transparencën dhe sigurinë në tregun financiar.

/e.xh//a.f/

The post BSH: 3,5 miliardë lekë pagesa elektronike në 6-mujorin e parë 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Furnizim i pandërprerë me energji elektrike pavarësisht konsumit rekord gjatë sezonit turistik

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se pavarësisht rritjes historike të konsumit të energjisë gjatë sezonit turistik veror, furnizimi ka vijuar në standardet më të mira në të gjithë vendin, përfshirë zonat me interes të lartë turistik.

“E megjithëse sistemi elektroenergjetik dhe rrjeti janë ekspozuar në kërkesën më të lartë historike të konsumit, furnizimi me energji elektrike në vend, edhe në zonat me interes në ekonominë e turizmit, ka vijuar të jetë në standardet më të mira të tij”, u shpreh ministrja Balluku nga salla SCADA e OST-së.

Ajo tha se, është shënuar një rritje rekord e konsumit të energjisë në verën e këtij viti 2025.

“Konsumi i energjisë janar–korrik 2025 është rritur me 2.2% krahasuar me vitin 2024 (41,885 MWh më shumë). Krahasuar me vitin 2023, rritja arrin në 10.3% ose mbi 184,151 MWh më shumë. Në muajt qershor dhe korrik, rritja respektive e konsumit është 21.5% dhe 30.7% krahasuar me vitin 2019  viti i fundit para pandemisë dhe krizës energjetike. Dita me konsum më të lartë në histori është regjistruar më 13 gusht 2025, me 27,995 MWh, duke kaluar për herë të parë 31 dhjetorin si dita me konsumin më të lartë në vit”, u shpreh Balluku.

Ministrja theksoi edhe vështirësitë e përballuara nga sektori energjetik gjatë verës, veçanërisht për shkak të zjarreve që kanë rrezikuar nënstacione dhe linja transmetimi.

“Skuadrat e OST dhe OSHEE kanë qenë në gatishmëri të plotë dhe kanë kontribuar aktivisht jo vetëm në riparimin e rrjetit, por edhe në shuarjen e zjarreve, duke mbrojtur asetet tona strategjike,” theksoi Balluku.

Duke u ndalur në humbjet teknike në rrjet, Balluku infomoi se vijohet të shënohet rënie.

“Humbjet teknike në rrjet kanë rënë me 1.45%, duke kursyer 21,699 MWh energji. Ky kursim përkthehet në 7 milionë euro më pak humbje financiare për sistemin”, informoi Balluku.

Ajo tha se, ky përmirësim i performancës mbështet forcimin e sektorit energjetik dhe krijon hapësirë për ulje të mëtejshme të çmimit të energjisë për abonentët familjarë, pas zbritjes prej 10.5% që hyri në fuqi në fillim të vitit 2025.

Ndërsa u ndal se fokus në të ardhmen do të jetë rritja e kapaciteteve dhe integrimi në tregun rajonal.

Ministrja njoftoi se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po vijon me nisma të rëndësishme për rritjen e kapaciteteve të prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes, me qëllim përballimin e kërkesës në rritje dhe përfshirjen e plotë në tregun rajonal të energjisë.

“Do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për të ofruar një shërbim energjetik cilësor dhe të qëndrueshëm, edhe përtej sezonit veror”, përfundoi ministrja Balluku.

/e.xh//a.f/

The post Balluku: Furnizim i pandërprerë me energji elektrike pavarësisht konsumit rekord gjatë sezonit turistik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INSTAT – Në korrik mbi 1.82 mln të huaj hynë në Shqipëri, hyrjet për biznes u rritën 15.6%

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Gjatë muajit korrik 2025, mbi 1,82 milionë shtetas të huaj kanë hyrë në vendin tonë me një rritje me 0,4%, duke treguar vijimësinë e interesit për Shqipërinë si destinacion turistik.

Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot raportin mbi lëvizjet e shtetasve, ku evidenton se, në Korrik 2025, 95% e hyrjeve të shtetasve të huaj janë nga kontinenti Evropian.

INSTAT raporton se në 99% të rasteve, hyrjet e shtetasve të huaj kanë qenë për pushime dhe turizëm, me një rritje prej 0,2% krahasuar me Korrik 2024. Ndërkohë, hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale kanë shënuar një rritje domethënëse prej 15,6%, duke reflektuar rritjen e interesit për Shqipërinë edhe në aspektin ekonomik.

Ky trend konfirmon potencialin në rritje të Shqipërisë si një vend me rëndësi në hartën turistike dhe ekonomike të rajonit. Autoritetet po theksojnë rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm të kësaj rritjeje për të garantuar një përvojë pozitive për vizitorët dhe përfitime afatgjata për vendin.

Sipas INSTAT, gjatë muajit Korrik 2025, në territorin e Republikës së Shqipërisë janë regjistruar 2.663.010 hyrje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, duke shënuar një rritje prej 1,5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Daljet nga territori rezultojnë të kenë qenë 2.576.342, me një rritje më të lartë prej 9,6% krahasuar me Korrik 2024, duke reflektuar një dinamikë të shtuar të qarkullimit ndërkombëtar.

INSTAT raporton se, 782.849 shtetas shqiptarë kanë dalë nga territori shqiptar (rritje me 11,1%), dhe 1.793.493 shtetas të huaj kanë dalë nga vendi (rritje me 9,0%).

/e.xh//a.f/

The post INSTAT – Në korrik mbi 1.82 mln të huaj hynë në Shqipëri, hyrjet për biznes u rritën 15.6% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Transaksionet home banking u rritën me 21 %

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Numri i transaksioneve të realizuara me home banking arriti në 4,3 milionë, në 5-mujorin e parë të këtij viti duke shënuar një rritje me 21% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2024, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Sipas statistikave të BSH-së, paralelisht me numrin rritje ka shënuar edhe shuma e transaksioneve që kapi një vlerë rekord prej 1 miliardë lekësh.

Krahasur me janar-maj 2024, shuma e transaksionve u rrit me 14,7% këtë vit.

Home banking, i quajtur ndryshe si bankingu në shtëpi, përdoret për të kryer transferta parash, paguar taksat, faturat e energjisë elektrike, ujit, të telefonit, gjobat e policisë, pagesat e kartës së kreditit dhe të tjera, pa qenë nevoja e paraqitjes në degët fizike të bankave.

Klientët e bankave mund të kenë qasje në këto shërbime bankare kudo që ndodhen për sa kohë që kanë internetin.

Rritja e transaksioneve që kryhen përmes aplikacioneve ose faqeve online të bankave është një tregues i digjitalizimit të shërbimeve bankare, ndërsa rrit edhe më tepër përfshirjen financiare të qytetarëve, si dhe transparencën e veprimeve bankare.

/e.xh/a.f/

The post Transaksionet home banking u rritën me 21 % appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijon puna për përmirësimin e infrastrukturës në Shishtavec

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Drejtoria e Rrugëve Rurale pranë Bashkisë Kukës vijon me investimet e planifikuara për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në zonat rurale, me fokus përmirësimin e kushteve të lëvizjes për banorët dhe automjetet.

Aktualisht, janë ndërmarrë ndërhyrje në disa zona të Njësisë Administrative Shishtavec.

Sipas njoftimit të Bashkisë Kukës, në fshatin Shtrezë është realizuar zgjerimi i rrugës, një investim i domosdoshëm që ka përmirësuar ndjeshëm qarkullimin e përditshëm, duke garantuar më shumë siguri, shpejtësi dhe lehtësi në lëvizje për banorët.

Ndërsa në aksin rrugor Çernalevë–Oreshkë janë kryer punime sistemimi dhe riparimi, të cilat kanë ndikuar pozitivisht në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe në lehtësimin e ndërlidhjes ndërmjet tre fshatrave të zonës.

Këto investime janë pjesë e një strategjie afatgjatë të Bashkisë Kukës për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale, si dhe për rritjen e aksesit dhe cilësisë së jetës për komunitetin lokal.

Bashkia Kukës shpreh mirënjohje të veçantë për ekipet e punës në terren, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm po realizojnë projekte që sjellin ndryshime të prekshme në jetën e përditshme të qytetarëve.

/e.xh/a.f/

The post Vijon puna për përmirësimin e infrastrukturës në Shishtavec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BB: Turizmi mbi trashëgiminë kulturore në Shqipëri, po nxit investime dhe transformim ekonomik

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Jugu i Shqipërisë po gjallërohet permes investimeve në restaurimin e trashëgimisë kulturore dhe përmirësimin e infrastrukturës në qytete si Berati, Gjirokastra, Përmeti dhe Saranda.

Banka Botërore në një artikull të publikuar në faqen e saj zyrtare vlerëson se, investimet dhe projektet e ndryshme kanë sjellë nxitjen e turizmit, krijimin e vendeve të punës dhe zhvillim ekonomik, teksa ky realitet i ri po tërheq ish-banorët të kthehen në vendlindjet e tyre dhe po nxit mundësi të reja biznesi dhe zhvillimi.

Sot, gjithçka ka ndryshuar, pasi bashkitë kanë ndërmarrë hapa për të vlerësuar historinë e pasur dhe bukuritë natyrore të zonës, qytete të shpallura Trashëgimi Botërore nga UNESCO, kala antike, arkitekturë osmane, bregdet piktoresk dhe shumë të tjera. Nëpërmjet Projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe të Turizmit (PIUTD), Qeveria Shqiptare në bashkëpunim me Bankën Botërore, kanë ndihmuar në restaurimin e zonave historike, përmirësimin e infrastrukturës dhe zgjerimin e shërbimeve turistike, duke sjellë mundësi të reja ekonomike dhe vende të reja pune në qytetet e Beratit, Gjirokastrës, Përmetit, Sarandës dhe zonave përreth.

Sipas BB, PIUTD është përqëndruar në restaurimin e 12 zonave kryesore turistike, si Qafa e Pazarit, shëtitorja e Sarandës, kalatë e Beratit, Borshit, Gjirokastrës dhe Kaninës, duke i bërë ato më të aksesueshme. Janë përmirësuar pothuajse 200,000 m² hapësira publike, përfshirë rikonstruksionin e rrugëve me kalldrëm, asfaltimin e rrugëve, rehabilitimin e shesheve dhe vendosjen e tabelave orientuese, trotuareve, ndriçimit, shtigjeve të reja, stolave, rampave dhe pikave të informacionit për vizitorët.

Referuar të dhëneve të INSTAT, Shqipëria regjistroi një rritje prej 82% të numrit të vizitorëve në vitin 2024 krahasuar me vitin 2019. Në jug të vendit shifrat janë edhe më mbresëlënëse, Berati ka pritur gati katërfishin e turistëve dhe Gjirokastra gjashtëfishin, gjatë të njëjtës periudhë.

Ky fluks vizitorësh, i nxitur nga përpjekjet e sektorit publik, po i hap rrugën investimeve nga sektori privat. Sipërmarrjet vendase po zhvillohen, familjet po shndërrojnë shtëpitë karakteristike në bujtina duke krijuar eksperienca kulinarie e kulturore dhe investojnë në infrastrukturë të re si shtigje për ecje dhe biçikleta, autobusë elektrikë, varka dhe së shpejti  zip-line.

Këto sipërmarrje, vlerëson BB, po gjallërojnë fusha si turizmi i aventurës dhe aktivitetet rekreative në natyrë. Që nga fillimi i zbatimit të PIUTD në vitin 2019, numri i bizneseve të lidhura me turizmin në zonën e mbështetur nga projekti është më shumë se dyfishuar.

Ky ekosistem në rritje i sipërmarrjeve private po zgjat sezonin turistik në jug të vendit, po diversifikon burimet e të ardhurave të banorëve dhe po i kthen vendet e restauruara të trashëgimisë kulturore në qendra ekonomike plot jetë.

E gjithë kjo veprimtari ekonomike ka qenë një pikë kthese për tregun e punës në rajon, sidomos në sektorët e mikpritjes, turizmit dhe transportit. Me rëndësi është fakti se kjo rritje është gjithëpërfshirëse, më shumë se gjysma e vendeve të reja të punës u përkasin personave që shpesh përjashtohen nga tregu i punës, si gratë, të rinjtë dhe personat me aftësi të kufizuara.

BB vëren se mundësitë e shumta të krijuara nga zhvillimi i turizmit kulturor në Shqipërinë e Jugut dhe investimet që pasuan nga sektori privat kanë përmbysur rënien e popullsisë në rajon, duke vepruar si magnet për tërheqjen e ish-banorëve. Ata po kthehen në vendlindjet e tyre për të investuar, për të sjellë ide të reja dhe për të ndërtuar jetën këtu.

Kristi Magllara, e kthyer në Sarandë pas 15 vitesh në Gjermani dhe Austri, sot menaxhon biznesin familjar në turizëm shprehet se, “Kur pashë zhvillimin e turizmit në Shqipëri, mendova se kishte ardhur momenti i duhur për t’u rikthyer në shtëpi, për të zhvilluar biznesin familjar dhe për të sjellë ide të reja”, tha ajo.

Ky rikthim po i jep frymëmarrje të re komuniteteve dhe po ndihmon në vazhdimin e ciklit të investimeve dhe zhvillimit që po rigjallëron Jugun e Shqipërisë.

BB vlerëson se ky është një model për zhvillim të qëndrueshëm

Projekti po ruan asetet natyrore dhe kulturore të Shqipërisë, duke nxitur rritjen ekonomike. Nga restaurimi i Kalasë së Gjirokastrës, te investimet në infrastrukturë publike, ekoturizëm dhe shërbime për vizitorët, qëndrueshmëria është pjesë e çdo ndërhyrjeje të PIUTD.

Gjithashtu, bizneset kanë fituar përvojë dhe aftësi të reja, duke krijuar njësi të turizmit për të siguruar zhvillimin afatgjatë të sektorit.

Sipas BB, përvoja e zhvillimit të Jugut të Shqipërisë tregon se si ruajtja e trashëgimisë dhe zhvillimi i turizmit kulturor, të mbështetur nga komunitetet e fuqizuara dhe partnerët ndërkombëtarë, mund të krijojnë vende pune, të nxisin investime dhe të gjenerojnë transformim ekonomik.

“Duke investuar në të shkuarën, Shqipëria po ndërton një të ardhme më të begatë”, thekson BB.

1 nga 3

/e.xh//a.f/

The post BB: Turizmi mbi trashëgiminë kulturore në Shqipëri, po nxit investime dhe transformim ekonomik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: Rritje me 23% e eksporteve të peshkut, 5 615 tonë në gjashtë muaj

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri të ditur se eksportet e peshkut të freskët shënuan një rritje prej 23% gjatë periudhës janar–qershor 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në 6-mujorin e parë të këtij viti u eksportuan 5 615 tonë peshk i freskët, kundrejt  4 558 tonëve peshk që u eksportuan në të njëjtën periudhë vitin e kaluar.

Ministrja tha se, “kjo rritje reflekton përkushtimin e peshkatarëve shqiptarë për të sjellë në treg produkte cilësore MadeinAlbania, si dhe ndikimin pozitiv të politikave mbështetëse të ndërmarra nga qeveria”.

Sipas saj, masat përfshijnë naftën pa taksa, rinovimin e flotës së peshkimit, si dhe investimet në motorë dhe pajisje frigoriferike, të cilat garantojnë freskinë dhe cilësinë e produkteve peshkore dhe rrisin konkurrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare.

Ministrja Denaj theksoi gjithashtu objektivin për të arritur 30 mijë tonë produkte peshkore deri në vitin 2030.

“Për të mbështetur këtë zhvillim, përmes Skemës Kombëtare të Investimeve 2025, e cila ka aplikimet e hapura deri më 30 shtator, ofrohet: 50% grant për akuakulturën, rrjetat dhe koshat e rritjes së peshkut; Kredi e butë me interes 2%; Garanci sovrane deri në 70% të kolateralit”, u shpreh Denaj.

Këto masa synojnë modernizimin dhe zgjerimin e sektorit të peshkimit dhe akuakulturës në Shqipëri.

/e.xh//a.f/

The post Denaj: Rritje me 23% e eksporteve të peshkut, 5 615 tonë në gjashtë muaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Dogana drejt digjitalizimit sipas standardeve të BE: Strategji e re për sistemet IT doganore

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka nisur hartimin e një Strategjie të re për Zhvillimin e Sistemeve Digjitale Doganore, në bashkëpunim me AKSHI-n, UNCTAD dhe me asistencën teknike të DG TAXUD të Komisionit Evropian.

Kjo strategji është pjesë e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe synon përafrimin e sistemeve dhe legjislacionit doganor me Kapitullin 29 – Bashkimi Doganor.

Në një njoftim për shtyp sot, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bën të ditur se, gjatë mbledhjes së fundit të Grupit të Përhershëm të Punës, u diskutuan tri shtyllat kryesore të digjitalizimit: Sistemet qendrore transevropiane, për shkëmbim certifikatash, kontroll importi dhe menaxhim risku; Sistemet e decentralizuara transevropiane, përfshirë NCTS dhe zhdoganimin e centralizuar; Sistemet kombëtare, të zhvilluara nga Shqipëria, si njoftimi i mbërritjes, magazinimi i përkohshëm dhe sistemi kombëtar i importit.

“Kjo strategji synon të transformojë doganën shqiptare në një strukturë moderne, transparente dhe të integruar me tregun e përbashkët evropian, duke lehtësuar procedurat tregtare dhe garantuar siguri më të madhe në shkëmbimet ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e DPD-së.

1 nga 4

/r.e//s.g/

The post Dogana drejt digjitalizimit sipas standardeve të BE: Strategji e re për sistemet IT doganore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema Kombëtare e Investimeve 2025: Deri në 50% mbështetje për agroturizëm dhe energji të rinovueshme

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Përmes Skemës Kombëtare të Investimeve 2025 qeveria po nxit investimet në agroturizëm dhe sektorin bujqësor, duke ofruar deri në 50% grant, deri në 15 milionë lekë për subjekt, për investime që përfshijnë edhe instalimin e paneleve fotovoltaike.

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural bën të ditur se kjo masë synon rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe uljen e kostove për bizneset rurale, duke garantuar energjisë të qëndrueshme dhe të mjaftueshme deri në 110% të nevojave energjetike të objektit.

Sipas AZHBR-së, subjektet përfituese mund të sigurojnë financim të plotë falë kombinimit të grantit me Kredi të Butë (me interes vetëm 2%) dhe garanci sovrane prej 70% të kolateralit.

Aplikimet janë të hapura deri më 30 shtator 2025 në zyrat e AZHBR, në kuadër të 9 masave mbështetëse për sektorin bujqësor dhe agroturizmin.

Kjo nismë synon të përshpejtojë kalimin drejt një ekonomie rurale më të gjelbër dhe të vetëqëndrueshme, duke kthyer zonat rurale në burim të qëndrueshëm zhvillimi dhe punësimi.

/r.e//a.f/

The post Skema Kombëtare e Investimeve 2025: Deri në 50% mbështetje për agroturizëm dhe energji të rinovueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Vajzë Fest” rikthehet në Vlorë: Tri ditë art, film, trashëgimi dhe mikpritje në zemër të Labërisë

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Për të tretin vit radhazi, fshati Vajzë në Vlorë kthehet në një qendër të gjallë arti dhe kulture me “Vajzë Fest”, që zhvillohet nga 22 deri më 24 gusht 2025.

Festivali sjell bashkë artistë, kineastë, muzikantë, poetë dhe figura publike në një mozaik aktivitetesh që përfshijnë film, teatër, këngë polifonike, valle popullore, muzikë bashkëkohore dhe ekspozita.

Risia e këtij edicioni është “Dita Olimpike” në Parkun Arkeologjik të Amantias, organizuar në bashkëpunim me KOKSH, si një rikthim simbolik i shpirtit të garave të lashta. Për të rinjtë dhe dashamirësit e natyrës do të ketë hiking, kampingje nën yje, net me zjarre dhe eksplorime në shpellat dhe ujëvarat e zonës.

Përvoja pasurohet me kuzhinën tradicionale të Labërisë – gatime shtëpie, bulmet të freskët, mish të pjekur, raki dhe verë, të shërbyera në ambientin natyror të Shpellës së Bletës.

Eventi organizohet nga Shoqata e fshatit Vajzë, në bashkëpunim me bashkinë Selenicë dhe komunitetin vendas, duke e kthyer Vajzën në një destinacion unik për artin, natyrën dhe trashëgiminë shqiptare.

/r.e//a.f/

The post “Vajzë Fest” rikthehet në Vlorë: Tri ditë art, film, trashëgimi dhe mikpritje në zemër të Labërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijon lirimi i hapësirave publike në Durrës, ndërhyrje të përditshme nga IMT

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Në bashkinë Durrës vijon puna për lirimin e hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin.

Kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ndau në rrjete sociale pamje nga punimet që po kryhen në disa zona të qytetit në kuadër të lirimit dhe sistemimit të hapësirave publike.

Ajo deklaroi se puna zhvillohet çdo ditë nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Policia Bashkiake, me qëllim rikthimin e hapësirave publike për qytetarët.

“Hapësirat publike janë pronë e përbashkët. Ato i përkasin të gjithë qytetarëve dhe duhet të jenë të lira, të pastra dhe të aksesueshme për të gjithë”, theksoi Sako.

Lirimi i hapësirave publike është pjesë e vizionit të qeverisë Rilindjes Urbane 2.0, për Shqipërinë 2030 në BE.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Në këtë kuadër, po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Puna ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/r.e//a.f/

The post Vijon lirimi i hapësirave publike në Durrës, ndërhyrje të përditshme nga IMT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kontrolli i Ministrisë së Financave – ILD, sistem efektiv të kontrollit të brendshëm

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ishte objekt kontrolli për sistemin e kontrollit të brendshëm nga Drejtoria e Harmonizimit të Menaxhimit Financiar, Kontrollit dhe Kontabilitetit e Ministrisë së Financave.

Përmes një njoftimi për shtyp, ILD bën të ditur se, gjatë javës së parë të qershorit 2025, ekipi i Ministrisë së Financave monitoroi proceset e punës në ILD, duke analizuar dhe vlerësuar me detaje gjendjen e sistemeve të kontrollit të brendshëm të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

U verifikua mjedisi i kontrollit, menaxhimi i riskut, aktivitetet e kontrollit, që synojnë reduktimin e risqeve, informacioni e komunikimi, si dhe monitorimi, pra tërësia e proceseve të rishikimit të aktivitetit të institucionit, duke u ekzaminuar baza dokumentare për secilën rubrikë të listës së kontrolleve.

Në përmbyllje të këtij procesi monitorimi e analizimi, raporti i Drejtorisë së Kontrollit Financiar të Ministrisë së Financave jep vlerësimin maksimal, bazuar në përgjigjet e 59 pyetjeve për ILD-në, duke u shprehur se “Sistemi i kontrollit të brendshëm në institucionin e ILD vlerësohet efektiv, me 59 pika të plotësuara nga lista e kontrollit të shoqëruar me dokumentacion justifikues”.

“Raporti vëren se sipas Metodologjisë për Vlerësimin e Cilësisë së Sistemit të Kontrollit të Brendshëm në Njësitë e Qeverisjes së Përgjithshme “Sistemi i Kontrollit të Brendshëm konsiderohet efektiv, nëse nuk janë zbuluar asnjë ose janë zbuluar shumë pak dobësi dhe mangësi të zbatimit të sistemit të kontrollit të brendshëm””, thuhet në njoftimin e ILD-së.

/e.xh//a.f//r.e/

The post Kontrolli i Ministrisë së Financave – ILD, sistem efektiv të kontrollit të brendshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aksi rrugor Qukës-Qafë Plloçë, të shtunën përfundon asfaltimi i 400 metrave të fundit

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Aksi rrugor Qukës-Qafë Plloçë, në juglindje të vendit, tashmë është drejt përfundimit dhe ka marrë një pamje krejtësisht të re.

Bashkia Pogradec ndau sot në rrjete sociale pamje nga ky investim teksa njoftoi se, loti i tretë i aksit Qukës–Qafë Plloçë, me gjatësi 9,3 km, është drejt përfundimit të punimeve.

Inxhinierët e kompanisë “2T” kanë konfirmuar se këtë të shtunë (24 gusht 2025) do të përfundojë edhe asfaltimi i 400 metrave të fundit. Pasi të përfundojë ky element teknik, do të bëhet njoftimi zyrtar për hapjen e plotë të gjithë aksit prej 43 kilometrash.

Ky aks rrugor përmirëson parametrat e rrugëtimit dhe bën të mundur aksesimin e trafikut, që kalon ndërmjet Korridorit 8 nga aksi rrugor Tiranë-Elbasan me pjesën e juglindjes, si dhe shkurtimin e distancave me pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, qytetin e Korçës dhe më tej.

Po ashtu, aksi ndikon në rritjen e turizmit të zonës së Pogradecit dhe Korçës, bën të mundur akomodimin e trafikut të rëndë, ndikon në zhvillimin e bujqësisë së zonës rurale të Mokrës dhe fshatrave përreth, duke ndihmuar në shkurtimin e distancës së fshatrave me rrugën e kryeqytetit dhe anasjelltas, rrit dhe nxit punësimin, shkurton kohën e rrugëtimit nga Tirana drejt Korçës dhe kohën e transportit të mallrave nga porti i Durrësit për në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.

Ky aks është konsideruar një projekt strategjik, sidomos për zonën e Mokrës, e cila ka qenë për dekada me infrastrukturë të kufizuar. Përfundimi i rrugës pritet të sjellë rritje të qarkullimit, turizmit dhe tregtisë lokale, duke hapur një kapitull të ri për zhvillimin ekonomik dhe social të zonës.

/e.xh//a.f//r.e/

The post Aksi rrugor Qukës-Qafë Plloçë, të shtunën përfundon asfaltimi i 400 metrave të fundit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Investimi në nënstacionin elektrik në Fier, dyfishim i kapaciteteve

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi se nënstacioni elektrik në Fier, është tashmë transformuar dhe kapacitetet janë dyfishuar duke përmirësuar ndjeshëm furnizimin me energji elektrike për të gjithë zonën.

Balluku ndau sot pamje nga ky investim i ri i realizuar sipas parametrave bashkëkohorë teksa theksoi se “tani nënstacioni i ri elektrik në Fier është gati”.

“Ky është një investim me parametra modernë, i cili do të përmirësojë cilësinë e furnizimit me energji elektrike për të gjithë zonën, duke rritur edhe sigurinë e rrjetit”, tha Balluku.

Nënstacioni elektrik në Fier është një projekt strategjik me rëndësi që parashikohet të lidhet së shpejti me rrjetin në Fier, me Rrashbullin dhe më tej përmes një linje nënujore drejt Italisë, duke kontribuar në forcimin e rrjetit dhe diversifikimin e burimeve të energjisë së pastër.

Investimi i realizuar nga OSHEE në ka përfshirë ndërtimin dhe pajisjen e nënstacionit në një nivel të ri të qëndrueshmërisë së rrjetit.

Rezultati i këtij investimi është dyfishim i kapaciteteve dhe eliminim i problemit historik të përmbytjeve në zonë, falë mbështetjes teknologjike moderne.

MIE për zhvillimin afatgjatë të sektorit energjik në vendin tonë ka dizenjuar një sërë investimesh të tjera. Aktualisht po punohet edhe në nënstacionin e Divjakës, ndërkohë që janë planifikuar ndërhyrje edhe në njësi të tjera për të përmirësuar furnizimin dhe sigurinë energjetike në të gjithë rajonin.

/e.xh//r.e//a.f/

The post Balluku: Investimi në nënstacionin elektrik në Fier, dyfishim i kapaciteteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: “Solaris Nexus”, fituese e grantit 2024 dhe shembull inovacioni në energji

TIRANË, 20 gusht /ATSH/  Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, vlerësoi sot historinë frymëzuese të sipërmarrësit Bujar Bakiu dhe kompanisë së tij Solaris Nexus, si një shembull konkret të inovacionit shqiptar në fushën e energjisë së rinovueshme.

Ibrahimaj ndau në rrjete sociale historinë e Bujarit, teksa bëri të ditur se, “falë mbështetjes nga Grant 2024, projekti i tij për integrimin e inteligjencës artificiale në impiantet diellore kaloi nga faza MVP (produkt minimal i vlefshëm) në një zgjidhje funksionale që tashmë po përdoret nga klientë të rëndësishëm”.

Sipas saj, Solaris Nexus ka sjellë optimizim të kostove të prodhimit të energjisë dhe rritje të ndjeshme të efikasitetit, duke e kthyer Shqipërinë në një aktor premtues në tranzicionin e gjelbër teknologjik.

Lidhur me atë se çfarë e motivoj Bujarin për këtë projekt, ai tregon se motivimi për Solaris Nexus, erdhi nga pasioni i tij dhe i skuadrës për energjinë e rinovueshme.

“Dëshira jonë për të pasur një impakt pozitiv në ambient dhe në energinë e rinovueshme, na motivon ta vazhdojmë zhvillimin e Solaris Nexus. Vështirësia më e madhe ka qënë bindja e klientëve të parë testues për të na dhënë një shans. Shumë prej tyre ishin ose shumë të vegjël, ose duke përdorur një zgjidhje tjetër konklurrente”, u shpreh ai.

Sot, kompania po synon të zgjerojë veprimtarinë në 3 kontinente, ndërsa motivimi i themeluesit Bakiu mbetet i qartë: “Të lëmë një gjurmë pozitive në mjedis dhe të përshpejtojmë kalimin drejt energjisë së pastër”.

1 nga 2

 

/e.xh//a.f/

The post Ibrahimaj: “Solaris Nexus”, fituese e grantit 2024 dhe shembull inovacioni në energji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj: 10,8% e shpenzimeve buxhetore në mbështetje të politikave me bazë gjinore

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se buxhetimi gjinor është tashmë pjesë e pandashme e procesit të hartimit të projektbuxhetit vjetor, me synimin për të lehtësuar ose eliminuar pabarazitë gjinore në fusha të ndryshme të jetës shoqërore dhe ekonomike.

Malaj tha se, “për vitin 2025, janë parashikuar 89 miliardë lekë për mbështetjen e politikave me bazë gjinore, të shpërndara në 77 programe në rritje të ndjeshme krahasuar me 39 programe që ishin në vitin 2019”.

Sipas tij, buxheti i përgjithshëm gjinor zë 10,8% të shpenzimeve totale të buxhetit 2025.

Ky progres reflekton angazhimin e qeverisë për ndërtimin e një sistemi buxhetor gjithëpërfshirës, ku nevojat dhe prioritetet e grave dhe burrave të trajtohen në mënyrë të barabartë, përmes politikave të drejta dhe të mirë-targetuara.

1 nga 4

/a.f/

The post Malaj: 10,8% e shpenzimeve buxhetore në mbështetje të politikave me bazë gjinore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në konsultim publik ligji i ri “Për kontrollet zyrtare”, forcim i sigurisë ushqimore dhe gjoba për shkelësit

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur zyrtarisht konsultimin publik për projektligjin “Për kontrollet zyrtare”, një nismë e rëndësishme që synon forcimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik në Shqipëri.

Qëllimi i ligjit është të garantojë standarde të larta të sigurisë në të gjithë zinxhirin ushqimor,  nga prodhimi deri te konsumi, duke përfshirë produkte me origjinë shtazore, bimët, OMGJ-të dhe ushqimin për kafshë.

Ligji parashikon risi në protokollet e kontrollit: Kontroll i bazuar në vlerësimin e riskut, jo në supozime; Inspektime pa njoftim paraprak për të reflektuar realitetin në terren; Procedura të detajuara për therjen, inspektimin dhe mbikëqyrjen veterinare; Rregulla të veçanta për produktet OMGJ dhe etiketimin.

Projektligji parashikon tarifa për kontrollet zyrtare dhe gjoba nga 100,000 deri në 2,000,000 lekë për shkelje të rënda, si veprimtaria në njësi të paregjistruara apo të pambikëqyrura.

Konsultimi publik është i hapur deri më 16 shtator 2025, duke i dhënë mundësi qytetarëve, ekspertëve dhe grupeve të interesit të japin kontributin e tyre në përmirësimin e legjislacionit për një ushqim më të sigurt në tryezën e çdo familjeje shqiptare.

/e.xh//a.f/

The post Në konsultim publik ligji i ri “Për kontrollet zyrtare”, forcim i sigurisë ushqimore dhe gjoba për shkelësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: Familja Caco në Pogradec, nga tradita në sukses me prodhimin e verërave autoktone

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Në fshatin Grabovicë të Pogradecit, familja Caco ka kthyer pasionin për kultivimin dhe përpunimin e rrushit në një histori të vërtetë suksesi.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndau në rrjete sociale historinë e Ersol Cacos, që duke ndjekur traditën familjare, ka ngritur një nga kantinat më të vlerësuara të verës në Shqipëri.

“Vera e prodhuar nga kjo kantinë sot përfaqëson me dinjitet vendin në tregjet ndërkombëtare”, u shpreh Denaj.

Me përkushtim ndaj cilësisë dhe inovacionit, Kantina “Caco” po sjell risi në prodhimin e verërave, si vera rose me bulëza nga rrushi Pamid, një varietet autokton i zonës së Pogradecit.

Ersoli tregon se aktualisht në këtë kantinë prodhohen 6 lloje verërash autoktone dhe po zhvillohen dy drejtime kryesore: zgjerimi i sipërfaqeve të mbjella me vreshta dhe shtimi i vreshtave farë autoktone.

“Në këtë linjë, ne po punojmë për prodhimin e një produkti të ri që përfaqëson territorrin, duke sjellë dhe një teknikë të re për zonën tonë, pasi është një rajon që ka potencial të madh për zhvillimin e verërave me gaz. Pra do të kemi një verë me gaz, e prodhuar me metodë klasike “Roze” që do të përfaqësoj shumë mirë dhe zonën tonë”, tha ai.

Rritja e kërkesës dhe standardet e larta po e kthejnë këtë kantinë në një shembull frymëzues për zhvillimin e agroturizmit dhe përkrahjen e prodhimit vendas.

1 nga 3

/e.xh//a.f/

The post Denaj: Familja Caco në Pogradec, nga tradita në sukses me prodhimin e verërave autoktone appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritet numri i tatimpaguesve për tatimin në burim, 2,138 më shumë në gjashtëmujorin e parë 2025

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 janë regjistruar 2,138 tatimpagues më shumë për tatimin në burim, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Sipas DPT-së, ky rezultat reflekton: Përmirësimin e procesit të formalizimit të ekonomisë dhe forcimin e bashkëpunimit midis administratës tatimore dhe sipërmarrjes; Rritjen e ndërgjegjësimit të bizneseve për përmbushjen e detyrimeve tatimore.

Tatimi në Burim është një element i rëndësishëm i sistemit tatimor që garanton mbledhjen e të ardhurave në mënyrë të drejtë dhe transparente, duke kontribuar në një ekonomi më të rregullt dhe të qëndrueshme.

Kategoritë e të Ardhurave për të cilat mbahet Tatimi në Burim  janë: dividenti; honoraret, jorezidentet  lojarat e fatit e per qiratë.

/a.f/

The post Rritet numri i tatimpaguesve për tatimin në burim, 2,138 më shumë në gjashtëmujorin e parë 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Strehimi social, Gonxhja: 1,253 familje përfituese në vitin 2025

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka intensifikuar mbështetjen për familjet në nevojë përmes programeve të strehimit social, duke dyfishuar numrin e përfituesve krahasuar me një vit më parë.

Ministri Blendi Gonxhja bëri të ditur se në vitin 2025, synohet përmirësimi i kushteve të banimit për 1,253 familje, në krahasim me 650 familje të mbështetura gjatë vitit 2023.

Sipas tij, Programi Kombëtar i Mbështetjes Sociale përfshin: Subvencionimin e qirave; Kreditë e buta për strehim; Rikonstruksionin e banesave ekzistuese; Projekte bashkiake për banesa sociale të reja

“Qëllimi ynë është strehim i përballueshëm, i përshtatshëm dhe i qëndrueshëm për çdo qytetar, duke rritur standardin e jetesës në të gjithë vendin” tha ministri Gonxhja.

Kjo nismë përbën një hap konkret në drejtim të fuqizimit të politikave sociale dhe përfshirjes më të madhe të grupeve në nevojë në zhvillimin e qëndrueshëm urban.

/e.xh//a.f/

The post Strehimi social, Gonxhja: 1,253 familje përfituese në vitin 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌