KOMENT – Brukseli mbron marrëveshjen e tregtisë me Trumpin
BRUKSEL, 28 korrik /ATSH-AFP/ – Një kompromis “i mirë” apo një “kapitullim” ndaj Trumpit?
Bashkimi Evropian kërkoi sot të mbronte marrëveshjen e tij tregtare me Shtetet e Bashkuara, gjë që ka shkaktuar reagime shumë të përziera nga kryeqytetet dhe industritë kryesore.
“Jam 100% i sigurt se kjo marrëveshje është më e mirë se një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara”, tha kryenegociatori i BE-së, Maros Sefcovic në një konferencë për shtyp.
“Kjo është qartësisht marrëveshja më e mirë që mund të kishim arritur në rrethana shumë të vështira”, pohoi komisioneri evropian, i cili është përgjegjës për negociatat me Uashingtonin në emër të 27 shteteve anëtare.
E nënshkruar dje në Skoci nga presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen dhe Donald Trump, marrëveshja përfshin një tarifë prej 15% për produktet evropiane të eksportuara në Shtetet e Bashkuara.
Kjo është shumë më e lartë se norma në fuqi para rikthimit në pushtet të presidentit amerikan, por shumë më e ulët se ajo që miliarderi republikan kërcënoi të impononte në Kontinentin e Vjetër në mungesë të një marrëveshjeje.
Përveç tarifave të vendosura për produktet evropiane, BE është zotuar për 750 miliardë dollarë në blerje energjie dhe 600 miliardë dollarë në investime shtesë në Shtetet e Bashkuara.
Kushtet e tjera nuk dihen ende dhe pritet të ndahen nga BE dhe Shtetet e Bashkuara në një deklaratë të përbashkët në ditët në vijim.
Por, marrëveshja ka shkaktuar tashmë trazira në disa kryeqytete.
Kryeministri francez François Bayrou akuzoi Evropën se i është “nënshtruar” Shteteve të Bashkuara dhe u ankua për një “ditë të errët”.
Për udhëheqësin hungarez Viktor Orban, një kritik i fortë i Brukselit, Donald Trump e nxori jashtë loje Komisionin Evropian, i cili ishte përgjegjës për negocimin e kësaj marrëveshjeje tregtare në emër të 27 shteteve anëtare.
“Duket pak si një kapitullim”, vuri në dukje Alberto Rizzi, një analist në Këshillin Evropian për Punët e Jashtme (ECFR). Marrëveshja e pranuar nga BE është “mjaft e pabalancuar”, tha eksperti duke e quajtur atë një “fitore politike për Trump”.
Ky partneritet tregtar është tallur edhe nga Moska, e cila i përqeshi pasojat “shumë të ashpra” për industrinë evropiane.
– “Më e mira që mund të merrnim” –
Presidentja e Komisionit Evropian, përkundrazi, mbrojti një “marrëveshje të mirë”, duke siguruar se ajo do të sillte “stabilitet” për konsumatorët, investitorët dhe prodhuesit në të dy anët e Atlantikut.
Marrëveshja “shmang përshkallëzimin e panevojshëm”, tha kancelari gjerman Friedrich Merz.
Ajo shmang një skenar “potencialisht shkatërrues”, shtoi kryeministrja italiane Giorgia Meloni.
Në Bruksel, pranohet se marrëveshja e negociuar i vendos evropianët në një pozicion më të keq se më parë. Ndërsa këmbëngulet se alternativat – edhe tarifat më të larta ose pasiguria që rrethon mungesën e një marrëveshjeje – do të kishin qenë shumë më të këqija.
Dhe për një arsye të mirë dy fuqitë kryesore tregtare në botë shkëmbejnë gati 4,4 miliardë euro në mallra dhe shërbime çdo ditë.
Komisioneri evropian, Maros Sefcovic theksoi se ai dhe ekipet e tij kishin udhëtuar në Uashington 10 herë për të gjetur një zgjidhje për këtë mosmarrëveshje tregtare. Dhe se tarifat më të larta do të kishin vënë në rrezik deri në pesë milionë vende pune evropiane.
Por, ashtu si kryeqytetet evropiane, edhe tregjet globale të aksioneve i dhanë kësaj marrëveshjeje një pritje të përzier, duke lëvizur pa ndonjë entuziazëm të vërtetë.
Për lobin evropian të automobilave, një nga industritë më të prekura nga këto tarifa, kjo shënon një “shpërshkallëzim” të mirëpritur në një kontekst “pasigurie të madhe”.
Tarifat e dakorduara mbeten “shumë të larta”, protestoi industria kimike gjermane, e cila përfaqëson gjigantë industrialë si “Bayer” dhe BASF.
Kjo “ilustron vështirësinë që BE-ja ka ende në pohimin e fuqisë së ekonomisë së saj dhe rëndësinë e tregut të saj të brendshëm”, deklaroi organizata kryesore e punëdhënësve të Francës, MEDEF./ /os/
The post KOMENT – Brukseli mbron marrëveshjen e tregtisë me Trumpin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.