“Si ta doni” nga Shakespeare, vjen në skenën shqiptare si pjesë e sezonit të ri të Teatrit Kombëtar. Komedia romantike“Si ta doni”(As You Like It), një nga veprat më të dashura të William Shakespeare, do të jetë pjesë e sezonit të ri artistik në Teatrin Kombëtar, nën regjinë e John Blondell. Kjo vepër që feston dashurinë, identitetin dhe lirinë, vjen në skenë me një ekip të zgjedhur aktorësh.
Në role do të interpretojnë Genti Deçka, Lulzim Zeqja, Laert Vasili, Luli Bitri, Elia Zaharia, Donald Shehu, Dritan Boriçi, Besmir Bitraku, Flaura Kureta, Erjona Kakeli, Florian Agalliu, Ilirda Bejleri dhe Krist Lleshi, përcjellë KultPlus.
Shfaqja ndjek historinë e Rosalindës, e cila detyrohet të largohet nga oborri për shkak të persekutimit të xhaxhait të saj dhe nis një udhëtim në Pyllin e Ardenit, së bashku me kushërirën e saj Celia. Aty, ndërsa kërkojnë lirinë dhe dashurinë, takojnë plot karaktere unike dhe të paharrueshme, duke përfshirë edhe Jaquesin filozofik dhe melankolik, i cili sjell në skenë një nga monologët më të njohur të Shakespeare-it: “Gjithë bota është një skenë”.
Shkruar rreth vitit 1599 dhe e vendosur për herë të parë në skenë në “Wilton House” në vitin 1603, kjo komedi ka njohur qindra adaptime. Në versionin e saj më të fundit, publiku shqiptar do të ketë mundësinë ta përjetojë këtë klasik në një interpretim të gjallë dhe plot emocion./KultPlus.com
Çdo fazë e jetës ka dështimet dhe të bukurat e veta!
Në moshën tridhjetë vjeçare je i ri dhe i pasigurt, dyzet je i fortë dhe shpesh i lodhur, pesëdhjetë je i mençur e ndoshta edhe disi melankolik.
Dhe kur mbërrin në pragun e të tetëdhjetave, me raste të kap dëshira t’ia nisësh së gjithës nga e para.
Lind sërish nëpër kujtime dhe dashurohesh me të ardhmen.
Kjo është vetëm një nga thëniet e Sophia Loren, gruas plot pushtet në kinematografi, një prej aktoreve më të dashura e të njohura në botë.
Në vijim, ju njohim me disa nga shprehjet e saj më të bukura, që janë pjesë e frazeologjisë botërore, duke frymëzuar miliona gra.
“Kur shihem në pasqyrë, bëj tifozllëk për veten. Nuk pyes ‘a jam e mrekullueshme?’ apo ‘a jam e bukur?’ Jo! Ka të bëjë me atë se si ndihem, sa e sigurt dhe e lumtur jam. Ajo ka rëndësi”.
Kur ti je nënë, ti vërtetë nuk je vetëm në mendimet e tua. Një nëne i duhet të mendojë dy herë. Një herë për veten dhe një herë për fëmijën e saj.
Veshja e një femre duhet të jetë si një gardh telash me gjemba: që t’i shërbejë qëllimit pa e penguar shikimin.
Një grua mund të duket më mirë, nëse ndihet mirë nën lëkurën e saj. Këtu nuk hyjnë as fustani e as tualeti, por mënyra se si shkëlqen.
Ka një burim i pashtershëm rinie: është mendja jote, talenti yt, krijimet që ti sjell në jetën tënde dhe jetët e njerëzve që ti do. Kur ti mëson ta shfrytëzosh këtë burim, ti vërtet e ke mundur moshën.
Duhet ta gëzosh jetën. Gjithmonë të jesh me njerëz që i pëlqen, njerëz me të cilët ke bisedë të këndshme. Ka kaq shumë gjëra pozitive për të cilat të mendosh.
Nëse nuk ke qarë, sytë e tu nuk mund të jenë të bukur.
Gabimet janë pjesë e haraçeve që paguhen për një jetë sa më të plotë.
Duhet të jesh e lindur një sex symbol. Përndryshe nuk bëhesh dot. Nëse ke lindur me këtë cilësi, atëherë do ta kesh edhe kur të jesh 100 vjeçe.
Pas kaq vitesh, unë prapë jam e përfshirë në procesin e vetëzbulimit. Ishte më mirë ta shfrytëzoja jetën dhe të bëja gabime se të bëj një jetë të sigurt.
Seksi është si të lash fytyrën – diçka që do ta bësh, sepse duhet bërë. Seksi pa dashuri është absolutisht qesharak. Seksi pason dashurinë, asnjëherë nuk e paraprin.
Shumë njerëz mendojnë se i dëshirojnë gjërat, por ata nuk kanë vërtet forcën, disiplinën. Ata janë të dobët. Unë mendoj se njeriu arrin çfarë do, nëse ai e do vërtet shumë.
Kurrë nuk jam përpjekur t’i errësoj kujtimet e së shkuarës, edhe kur ato janë tejet të dhimbshme. Gjithçka që përjeton, të ndihmon që të jesh njeriu që je.
Për të përparuar në profesion, kërkohet shumë besim tek vetja. Prandaj disa njerëz, me talent mediokër, por me shtysa të brendshme të fuqishme, shkojnë shumë më përpara se njerëz me talent të madh.
Nuk gjen kënaqësi në punë, nëse nuk e bën punën që dëshiron. / KultPlus.com
Korriku, ndër të tjera, mban në kujtesë edhe datën e përplasjes më të madhe letrare në Shqipëri, gjatë pushtetit diktatorial komunist. Në korrik të vitit 1961, në një mbledhje të rëndësishme në Tiranë, u përplasën dy kahje të rëndësishme në letërsinë shqipe: “poetët e rinj” dhe “poetët e vjetër”.
Takimi, që në fillim u lajmërua si diskutim për “Vendimin e Komitetit Qendror të PPSH-së mbi Letërsinë dhe Artet” (7 qershor 1961), u kthye në një debat të ashpër mbi drejtimet që po merrte poezia shqipe dhe kufirin midis “traditës” dhe “novatorizmit”.
Në këtë mbledhje, që nisi me referatin e Ramiz Alisë, theksi binte mbi kritikat ndaj poetëve të rinj, të cilët po eksperimentonin me forma të reja shprehjeje si vargu i lirë, tema ndërkombëtare, figura të reja letrare e stilistike, e largime nga temat klasike të partisë dhe jetës shqiptare.
Diskutimet e para i morën poetët e brezit të vjetër, si Andrea Varfi, Llazar Siliqi dhe Luan Qafëzezi, të cilët folën ashpër kundër prirjeve të reja.
Andrea Varfi tha: “Të jesh artist i realizmit socialist dhe të ndjekësh në të njëjtën kohë novatorizmin për hir të novatorizmit, është krejt pa kuptim dhe punë e dështuar që në fillim… Cilësia dhe vetëm cilësia artistike të bën novator dhe origjinal dhe aspak akrobacitë dhe majmunizimet e të huajve. Futuristët, me shokë, deshën të varrosnin çdo gjë të trashëgimit kultural dhe artistik të së kaluarës. Edhe sot izmat e ndryshme që pjell borgjezia imperialiste në kalbëzim, nuk lë gur pa luajtur në kët drejtim…”
Llazar Siliqi theksoi: “Unë jam i mendimit se ne e kemi një letërsi dhe art novator dhe nuk ka mbet puna që atë ta fillojmë me e krijua sot, pa mohu përpjekjet e ma tejshme që ne të gjithë duhet të bëjmë për ta çue edhe ma përpara letërsinë dhe artin tonë novator…! Karakteri novator kuptohet disa herë, nga njena anë si ndryshim, ose ma saktë si thyemje e formës dhe, nga ana tjetër, novatorizmi dhe fryma e kohës kontestohet atje ku ka fjalë të reja si asfalt, najlon dhe tematikë ndërkombëtare…”
Më i ashpër ishte Luan Qafëzezi, i cili deklaroi: “Në vitet 1960-‘61, vargjet e lira filluan të duken përsëri në shtypin tonë të përditshëm dhe periodik, por këtë herë me një formë të re, më me pretendime, duke dashur të thyejnë të gjitha normat tradicionale të metrikës sonë nën pretekstin e një farë “novatorizmi”…! Përdorimi i vargjeve të lira nga disa poetë, nuk duhet shikuar si një çështje thjeshtësisht formale… Ne prapa këtij “modernizimi” shikojmë një një goditje që i bëhet esencës kombëtare të poezisë sonë…”
Kjo klimë kritikash të drejtpërdrejta në një sallë ku ndodhej edhe Enver Hoxha, krijoi një atmosferë tensioni për “poetët e rinj”, përfaqësuar nga Ismail Kadare, Fatos Arapi dhe Dhori Qiriazi. Dritëro Agolli mungonte, por do të reagonte më vonë përmes një artikulli në gazetën “Drita”.
Pasdite, në seancën e dytë të mbledhjes, morën fjalën Kadareja dhe Arapi. Ata u mbrojtën, por edhe kundërsulmuan, duke argumentuar qartë drejtimin që duhet të merrte poezia shqiptar, përcjellë KultPlus.
Në mbrojtje të poetëve “të kryqëzuar” doli Ismail Kadare, me fjalimin e shkruar gjatë kohës së pauzës në mbledhje, ku i drejtohet me guxim Enver Hoxhës se “Asgjë tragjike nuk ka ndodhur”. “Problemi i ngritur kohët e fundit në diskutime dhe në faqet e gazetës “Drita”, në esencë të tij është problem fiktiv, i fryrë me qëllim nga disa njerëz. Bile, me sa duket, këta njerëz nuk e kanë hallin te vargjet e lira, por te poezia e disa poetëve të rinj… Unë mendoj se, në kohën tonë nuk është bërë te ne asnjë shpikje forme. Te ne përmbajtja e re ka sjellë gjetjen e disa mënyrave të reja shprehjeje, disa herë me sukses e disa herë pas sukses… Në qoftë se arti është i vërtetë, ai do të ketë patjetër të renë, novatoren…” – shprehet Kadareja.
Ndërsa Fatos Arapi u shpreh: “Shpesh herë, – tha ai,- na qortojnë se gjoja jemi mosmirënjohës, nënçmojmë gjithçka që është krijuar te ne… Në qoftë se dikush ka bërë traditë të tij ‘personale’ të shkruajë vjersha të dobëta, dhe këtë traditë kërkon të na e shesë si traditë kombëtare, këtë ne nuk e pranojmë kurrë… Nuk e ka fajin vargu. Dhe në qoftë se dikush, duke bërë poezi të këqija ka diskretituar veten e tij, ai nuk ka diskredituar tetërrokëshin tonë të mrekullueshëm… Shyqyr që na doli vargu i lirë, sepse disa kështu kanë rreth kujt të bëjnë zhurmë dhe të tregojnë se ekzistojnë, janë gjallë…”
Pasi u duk se takimi po mbyllej me një përplasje të hapur mes brezave, ndërhyri papritur vetë Enver Hoxha, i cili kishte ndjekur gjithçka në heshtje. Ai nuk e mohoi që e kishte lexuar dhe miratuar referatin e Ramiz Alisë, por vendosi të ndërhyjë si “gjyqtar”, për të ulur tensionet.
Ai tha: “Nuk është problem çështja ‘të rinj’ dhe ‘të vjetër’! Të rinjtë, me dinamizmin dhe gjallërinë e tyre, bëjnë mirë që na shkundin ne, të vjetërve… Por unë jam i bindur se ju, shokë të rinj … nuk do të ecni kurrë në rrugë të gabuar…! Unë kam lexuar disa vjersha të Ismail Kadaresë. Kam lexuar, p.sh., atë që ai i ka kushtuar kalasë së Gjirokastrës, (‘Princeshës Argjiro’), dhe mua më ka pëlqyer… Mendimi im personal është se gjersa vjershat tuaja të kenë përmbajtje marksiste, me të vërtetë patriotike, mobilizuese, edukative dhe formë të bukur, tërheqëse, të qartë, ato s’kanë sepse të mos pëlqehen…! Afirmohuni me vargun tuaj dhe në rast se ju do populli, ai varg është i mirë.”
Kështu, Hoxha zgjodhi një rrugë të mesme, duke këshilluar të vjetrit të mos ishin përjashtues dhe të rinjtë të ruanin përmbajtjen ideologjike “të saktë”.
“Në këtë mënyrë ai “kërkonte unitet”, – vë në dukje Fatos Arapi në librin e tij “Kur kujtohem që jam”.
Në thelb, ky takim përfaqësonte një nga përplasjet më të rëndësishme kulturore të epokës komuniste në Shqipëri, ku për herë të parë poetët e rinj guxuan të mbronin artin si formë të re shprehjeje përtej klisheve ideologjike, duke i dhënë një tjetër ritëm zhvillimit të letërsisë moderne shqiptare./KultPlus.com
Kapiten Shkëlqim Raci, një oficer i dalluar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka përfunduar me sukses Kursin e Karrierës së Kapitenit për Logjistikë në Universitetin e Mbështetjes së Ushtrisë (Army Sustainment University) në Fort Lee, Virxhinia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë kuadër, ai është nderuar me çmimin prestigjioz “Distinguished International Honor Graduate”, çmim që jepet vetëm për studentët ndërkombëtarë që kanë arritur performancë të jashtëzakonshme akademike dhe profesionale gjatë trajnimit,transmeton KultPlus.
Ky sukses i Kapiten Racit është një dëshmi e qartë e përkushtimit, profesionalizmit dhe standardeve të larta që përfaqësojnë pjesëtarët e FSK-së në arenën ndërkombëtare. Ai ka bërë krenar jo vetëm institucionin që përfaqëson, por edhe vendin, duke kontribuar në forcimin e mëtejshëm të imazhit të Kosovës në botë.
Ky është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së dhe forcimin e partneriteteve ndërkombëtare të Kosovës./KultPlus.com
Me hapjen e sezonit të verës dhe ditëve të gjata në plazh, leximi mbetet një nga aktivitetet më të preferuara. Por, përtej argëtimit, kjo periudhë është një mundësi e artë për të thelluar njohuritë dhe ndërgjegjësimin mbi çështje të rëndësishme sociale, përcjellë KultPlus.
‘Vogue’ ka përzgjedhur një listë të librave feministë më të mirë ndër vite, me ndihmën e autoreve që vazhdojnë të frymëzojnë dhe edukojnë për temat e gjinisë, identitetit dhe pushtetit. Këto libra nuk janë vetëm lexime të këndshme, por edhe mjete thelbësore për reflektim dhe ndryshim. Where the Girls Are: Growing Up Female With the Mass Media – Susan J. Douglas (1994)
Girl, Woman, Other – Bernardine Evaristo (2019)
Hunger: A Memoir of (My) Body – Roxane Gay (2017)
Wages Against Housework – Silvia Federici (1975)
Corregidora – Gayl Jones (1975)
Immaculate Conception – Ling Ling Huang (2025)
Love Is an Ex-Country – Randa Jarrar (2021)
Hood Feminism: Notes From the Women That a Movement Forgot – Mikki Kendall (2020)
The Cancer Journals – Audre Lorde (1980)
The Group – Mary McCarthy (1963)
Miss Major Speaks – Toshio Meronek dhe Miss Major Griffin-Gracy (2023)
The Argonauts – Maggie Nelson (2016)
SCUM Manifesto – Valerie Solanas (1967)
Ndërsa nxiheni nën rrezet e diellit, pse të mos kombinoni pushimet me një udhëtim intelektual drejt njohjes së mëtejshme feministe?/KultPlus.com
Një vit të plotë para publikimit të filmit epik të Christopher Nolan, Odisea, biletat dolën në shitje për të parë filmin të Universal. Versioni i Nolan mbi mitin klasik grek, me protagonist Matt Damon si heroi i përjetshëm Odiseu, po xhirohet tërësisht me kamera filmi Imax, hera e parë për një film komercial.
Imax njoftoi zyrtarisht ofertën speciale në rrjetet e saj sociale në mesnatë të së enjtes. Brenda një ore, 95 përqind e vendeve u shiten, sipas burimeve të ekspozitës, duke paraqitur rreth 1.5 milion dollarë shitje, pavarësisht një numri relativisht të vogël vendesh, transmeton KultPlus
Sipas të gjitha gjasave, është hera e parë në histori që biletat dalin në shitje një vit para premierës së një filmi. Titulli është një vazhdim i filmit të Nolan, fitues i çmimit Oscar, “Oppenheimer” , i cili pati sukses të madh në kinematë Imax.
Aktualisht, në SHBA ka afërsisht 16 vende Imax që janë pjesë e ofertës. Biletat për shfaqjet e fundjavës dhe të parapara të 17-19 korrikut janë shitur plotësisht në AMC Lincoln Square 13 në New York City, Universal Cinema AMC në CityWalk Hollywood dhe Regal Irvine Spectrum në Orange County. Diku tjetër në Kaliforni, ndenjëset 77 mm janë pothuajse të zhdukura në vendet Imax në San Francisco, Dublin dhe Ontario.
Diku tjetër në të gjithë vendin, kinema të tjera Imax me bileta të shitura plotësisht janë në Fort Lauderdale, Florida; Buford, Georgia; Indianapolis, Indiana; Grand Rapids, Michigan; King of Prussia, Pennsylvania; dhe Dallas, Teksas./KultPlus.com
Më 18 korrik të vitit 1932, Harry Fultz u largua nga Shqipëria.
Drejtori i shkollës teknike amerikane, Harry Fultz, e la Tiranën pas vendimit të mbretit Zog për shtetëzimin e arsimit. Kjo ishte një masë e ndërmarrë nga mbreti, për të parandaluar përpjekjet italiane për shtrirjen e ndikimit në vend. Fultz u nis nga porti i Durrësit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke lënë postin e drejtorit të shkollës teknike, që e mbante që prej vitit 1922.
“Harry Fultz” u krijua në vitin 1921 me fonde të Kryqit të Kuq amerikan. Pas Luftës së Dytë Botërore, Fultz do të rikthehej në Tiranë si zëvendësshef i misionit diplomatik amerikan, për t’u dëbuar më pas nga qeveria komuniste në vitin 1946, si person i padëshiruar.
Në vitin 1948, Ministria e Arsimit dhe e Kulturës e cilësonte “të papërshtatshëm” emërtimin “Instituti Teknik i Tiranës” për këtë shkollë profesionale të gradës së mesme. Për këtë arsye, ministria pat vendosur që instituti të quhej në vazhdim “Politeknikumi i Tiranës”./atsh/KultPlus.com
Filmi “Franz” është një projekt filmik, biografik, që po tërheq vëmendje të madhe në botën e kinemasë, i drejtuar nga regjisorja e njohur Agnieszka Holland.
Holland është e famshme për punën e saj në filma të nominuar për çmimin Oscar si “Angry Harvest,” “Europa Europa” dhe “In Darkness.” Skenari i filmit është shkruar nga vetë Holland në bashkëpunim me Marek Epstein, duke u bazuar në një histori të zhvilluar nga Epstein dhe producenti Mike Downey.
Në qendër të këtij filmi është jeta e shkrimtarit legjendar Franz Kafka, i cili do të portretizohet nga aktori Idan Weiss. “Franz” do të ndjekë historinë e shkrimtarit, nga vitet e tij të adoleshencës në qytetin e Pragës, vendlindjen e tij, e deri te vdekja e tij e parakohshme në vitin 1924. Filmi synon të ofrojë një portret intim dhe të detajuar të sfidave personale, krijuese dhe shëndetësore që Kafka përjetoi gjatë jetës së tij, përcjellë KultPlus.
Xhirimet kryesore filluan më 12 prill 2024 në Pragë, qyteti ku Kafka ka kaluar pjesën më të madhe të jetës, duke i dhënë filmit një autenticitet të veçantë. Më pas, produksioni u zhvendos në Berlin në fund të majit, duke pasuruar kështu ambientet ku rrëfimi i jetës së Kafkës merr formë.
Pas përfundimit të fazës së post-produksionit, regjisorja Agnieszka Holland shprehu entuziazmin e saj për rezultatin final të filmit. “Franz” pritet të ketë premierën e tij botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto, në shtator të vitit 2025, në seksionin Special Presentation, ku do të prezantohet para një audience ndërkombëtare dhe kritikëve të filmit.
Ky film është një përpjekje për të sjellë më pranë publikut historinë e një prej shkrimtarëve më influencues të shekullit të 20-të, duke theksuar përtej veprave të tij letrare edhe dimensionet njerëzore të jetës së tij./KultPlus.com
Në këtë ditë përkujtohet fillimi i karrierës së Elvis Presley-t, një prej yjeve më të mëdhenj të muzikës që ndryshoi përgjithmonë historinë e rock’n’roll-it dhe kulturës muzikore globale.
Elvis Aaron Presley lindi më 8 janar 1935 në një shtëpi me dy dhoma në Tupelo, Mississippi, nga prindërit Vernon dhe Gladys Presley. Në vitin 1948, familja u shpërngul në Memphis, Tennessee, ku Elvisi përfundoi shkollën e mesme në Humes High School në vitin 1953.
Ndikimet muzikore të Elvisit përfshinin muzikën pop dhe country të asaj kohe, muzikën ungjillore që dëgjonte në kishë dhe në netët e gjata të këndimeve fetare, si dhe ritmet e R&B-së afroamerikane që i përthithi në Beale Street historike, gjatë adoleshencës në Memphis.
Në vitin 1953, Elvisi nisi karrierën e tij muzikore në studiot legjendare të Sun Records në Memphis. Në fund të vitit 1955, kontrata e tij diskografike u ble nga RCA Victor. Deri në vitin 1956, ai ishte bërë një sensacion ndërkombëtar. Me një stil unik që bashkonte ndikime të ndryshme muzikore dhe që sfidonte barrierat racore e shoqërore të kohës, Elvis Presley hapi një epokë të re në muzikën dhe kulturën popullore amerikane.
Data e 18 korrikut shënon edhe lindjen e Elvisit, si ikonë muzikore. Më 18 korrik 1953, Elvis Presley shkoi për herë të parë në Memphis Recording Service, pjesë e kompanisë Sun Record, sot e njohur si Sun Studio. Ai pagoi 3.98 dollarë për të regjistruar dy këngët e para demo: “My Happiness” dhe “That’s When Your Heartaches Begin”. Kjo ditë shënon fillimin simbolik të karrierës muzikore të mbretit të rock’n’roll-it dhe kujtohet si një moment historik në muzikën moderne, përcjellë KultPlus.
Elvis Presley, shpesh i quajtur “Mbreti i Rock ‘n’ Roll-it”, nuk ishte thjesht një këngëtar, ai u shndërrua në një ikonë globale që tronditi skenën muzikore botërore dhe ndikoi thellësisht në kulturën popullore të shekullit XX. Me zërin e tij të veçantë, stilin karizmatik dhe performancat e zjarrta, Elvis arriti të krijojë një urë të rrallë mes muzikës pop, country, blues dhe R&B, duke thyer kufijtë tradicionalë të zhanreve dhe duke i dhënë zë një brezi të tërë në kërkim të ndryshimit.
Këngë të paharrueshme si “Heartbreak Hotel”,”Hound Dog”, “Jailhouse Rock”, dhe “Can’t Help Falling in Love” mbeten sot ndër himnet e muzikës moderne. Performancat e tij televizive dhe kinematografike tronditën normat kulturore të asaj kohe dhe e shndërruan Elvisin në një fenomen ndërkombëtar.
Në kulmin e karrierës së tij, Elvis nuk ishte thjesht një artist me shitje rekorde, ai ishte një simbol i emancipimit rinor, një shpirt rebel dhe një figurë që ndryshoi përjetë mënyrën se si muzika dhe fama perceptoheshin. Ai mbetet një nga artistët më të shitur të të gjitha kohërave, me mbi një miliardë disqe të shpërndara në mbarë botën, dhe ndikimi i tij ndjehet ende sot në skenën muzikore globale./KultPlus.com
Margaret Atwood, një nga shkrimtaret më me ndikim të shekujve XX dhe XXI, ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme që përfshin më shumë se gjashtë dekada. E lindur më 18 nëntor 1939 në Otava të Kanadasë, ajo është autore romanesh, poezish, esesh dhe një zë i fuqishëm në çështje të të drejtave të njeriut dhe ambientit.
Romani i saj më i njohur, The Handmaid’s Tale (1985), ka lënë gjurmë të thella në letërsinë botërore dhe në diskursin shoqëror për të drejtat e grave. Historia e shërbëtores në një shoqëri totalitare, ku gratë janë kthyer në mjete riprodhimi, mbetet një metaforë e fuqishme për kontrollin dhe shtypjen. Ky roman ka marrë statusin e një vepre kulturore, është përkthyer në mbi 40 gjuhë dhe është adaptuar në serial televiziv të suksesshëm,përcjellë KultPlus
Përveç këtij romani, Atwood ka shkruar edhe vepra të tjera të rëndësishme si The Testaments (fituese e Booker Prize në 2019), The Blind Assassin (fituese e Booker Prize në 2000), Oryx and Crake, Alias Grace, dhe shumë të tjera. Ajo është gjithashtu një poete e vlerësuar, me poezi që shpërfaqin thellësinë emocionale, ndjeshmërinë femërore dhe shqetësimet ekzistenciale.
Veprat e Atwood karakterizohen nga ironia e mprehtë, stili poetik dhe trajtimi i temave si autoritarizmi, ndryshimet klimatike, pabarazia gjinore dhe e drejta për të menduar ndryshe. Ajo nuk shkruan për të parashikuar të ardhmen, por për të reflektuar mbi të tashmen në mënyrë të ekzagjeruar, për të na kujtuar se rreziqet më të mëdha shpesh nisin nga indiferenca.
E pranishme në debatet publike dhe mediat sociale, Margaret Atwood është bërë një ikonë e mendimit kritik global. Në një kohë kur e vërteta dhe trillimi shpesh ndërthuren, ajo na rikujton se letërsia është jo vetëm art, por edhe një mjet për të mbijetuar dhe për të mos heshtur./KultPlus.com
Manastiri i Shën Antonit në Egjipt, themeluar rreth vitit 356 pas Krishtit, konsiderohet manastiri më i vjetër i krishterë dhe ende në funksion në botë.
Manastiri i Shën Antonit, i njohur si një prej manastireve më të vjetër në botë, ka një histori të pasur dhe një ndikim të thellë në jetën religjioze kristiane. Manastiri i Shën Antonit u ndërtua midis viteve 298 dhe 300 gjatë mbretërimit të Constantius Chlorus. Në vendbanimin fillestar, ithtarët e tij ngritën vetëm ndërtesat më thelbësore. Theks i veçantë iu vu izolimit. Ata jetonin në qeli të vetmuara të rrethuara nga një qendër e përbashkët lutjeje ku kryenin Liturgjinë Hyjnore. I vendosur në Zemër të Shkretëtirës Lindore të Egjiptit, ky manastir është një oazë e vërtetë ku monakët kanë kërkuar mbrojtje, paqe dhe lidhje të thellë me besimin gjatë shekujve, përcjellë KultPlus. Gjatë shekujve të 6-të dhe 7-të, shumë monakë nga manastiret e Scetes u detyruan të largoheshin për t’i shpëtuar sulmeve të përsëritura nga beduinët. Ata gjetën strehë tek Manastiri i Shën Antonit, dhe që atëherë u bë një vend ku bashkëjetonin herë pas here si monakë kopthë ashtu edhe melkitë nga lindja. Një moment i veçantë historik ishte në vitin 615, kur patriarku melkit John, i dërgoi ndihma financiare kryetarit të manastirit, Anastasius të Persisë, duke i kërkuar që të pranojë disa monakë melkitë të përndjekur nga persët, të cilët menaxhuan manastirin deri në fund të shekullit të 8-të.
Megjithëse i vendosur në një zonë të largët, Manastiri i Shën Antonit nuk ishte pa sfida. Ai u sulmua disa herë nga beduinët e Shkretëtirës Lindore dhe u dëmtua në shekullin e 11-të. Gjithashtu përjetoi trazira gjatë rebelimeve kurde dhe turke, përfshirë plaçkitjen nga ushtria e Nasir al-Dawla. Megjithatë, manastiri u rindërtua në shekullin e 12-të dhe njohu periudha të lulëzimit gjatë shekujve të mëvonshëm. Për t’u mbrojtur nga sulmet, rreth manastirit u ndërtuan edhe mure.
Abu al-Makarim, një udhëtar dhe historian i shekullit të 13-të, e përshkruan manastirin si një vend unik dhe të pasur me prona në Egjipt, me kopshtet e tij të mëdha plot pemë fruta, burime uji që rrjedhin përgjithmonë, një vresht dhe një kala madhështore. Ai vlerësonte se asnjë manastir tjetër në Egjipt nuk i afrohej këtij përmasave dhe bukurie.
Manastiri i Shën Antonit përfaqëson një qendër të rëndësishme të krishterimit dhe monakizmit, ku tradita e thellë asketike ka mbijetuar dhe është përshtatur me kohën. Si një nga manastiret më të vjetër në botë, ai ka shërbyer jo vetëm si strehë për besimtarët dhe monakët, por edhe si një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe pasurisë kulturore e shpirtërore të Egjiptit. Historia e tij e përplotë me sfida dhe mbijetesë, si dhe vlera unike arkitektonike dhe artistike e bëjnë atë një destinacion të domosdoshëm për besimtarët dhe vizitorët nga e gjithë bota./KultPlus.com
Nelson Mandela lindi më 18 korrik të vitit 1918. Gjatë gjithë jetës së tij ai ishte luftëtar i lirisë; ai luftonte kundër shtypjes racore që u bëhej zezakëve në Afrikë. Shumë vite të jetës së tij, Mandela i kaloi nëpër burgje. Që në moshë të re ai u bë aktiv në lëvizjen e anti-aparteidit dhe iu bashkua Kongresit Kombëtar Afrikan. Në vitin 1940, Mandela u bë kreu i krahut rinor të kësaj lëvizjeje.
Nelson Mandela ndoqi Universitetin dhe fakultetin e drejtësisë dhe me kolegun e tij Oliver Tambo themeluan firmën e parë zezake të avokatisë në Afrikën e Jugut, me zyra në Johanesburg. Ata i jepnin këshilla juridike falas ose me çmim të ulët zezakëve.
Në vitin 1962, 44-vjeçari Mandela u arrestua dhe doli në gjyq për aktivitetin kundër qeverisë. Ai i mbrojti veprimet e tij si pjesë e “luftës së popullit afrikan për një shoqëri të lirë.”
Mandela mori qindra çmime dhe medalje gjatë jetës së tij. Në vitin 1993, ai ndau Çmimin Nobel të Paqes me ish-armikun e tij të betuar de Klerk. Ata u nderuan për kontributin në procesin e paqes në Afrikën e Jugut.
“Jugafrikanët kanë krijuar një shoqëri e cila konfirmon se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë,” deklaroi Mandela duke marrë çmimin.
Si president, Mandela u kritikua se nuk u përball me krizën e sidës në Afrikën e Jugut. Megjithatë, në vitet e tij të mëvonshme, ai u bë një personalitet publik i luftës kundër sidës.
“Së bashku ne mund ta luftojmë sidën dhe të garantojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë,” tha në një rast Mandela.
KultPlus, ju sjell disa nga thëniet frymëzuese të ish-Presidentit të Afrikës së Jugut.
“Askush nuk lind me urrejtje kundër një race tjetër, kundër një religjioni tjetër apo kundër një shtrese tjetër sociale. Njerëzit e mësojnë më vonë urrejtjen. Atëherë, nëse mësojnë urrejtjen, ata mund të mësojnë edhe dashurinë, meqenëse për zemrën njerëzore dashuria është diçka më e natyrshme se urrejtja.”
“Mos më gjykoni nga sukseset e mia, më gjykoni nga ajo se sa herë jam rrëzuar dhe jam ringritur sërish”.
“Unë jam në thelb një optimist. Nuk mund ta them nëse është e lindur, apo e ushqyer. Pjesë e të qenit optimist, është që të mbash kokën drejtuar nga Dielli, dhe me këmbët që ecin përpara”.
“Mirësia e njeriut është një flakë që mund të fshihet, por nuk zhduket”.
“Dikur toleroja shumë sepse nuk doja të humbja njerëzit, tani vendos kufij sepse nuk dua të humbas veten”. / KultPlus.com
Si sot, 26 vjet më parë u nda nga jeta Pandi Raidhi.
Ai lindi në Korçë, më 14 prill 1921. Është quajtur “talent i lindur”, pasi që në moshë fare të re spikati tek shfaqja “Dasma korçare”. Ai ishte një nga themeluesit e Estradës Profesioniste të Korçës si dhe aktor themelues i Teatrit “Andon Zako Çajupi”.
Edhe pse ideologjia e kohës e ndëshkoi punën e shumë artistëve, pati nga ata që mbetën të mëdhenj duke marrë përgjegjësi për artin që përcillnin.
Kur u nda nga jeta, më 18 korrik të vitit 1999, Pandi Raidhi, Mjeshtri i Madh i karaktereve kishte lënë pas një galeri të pasur rolesh në teatër e filma: 200 role në teatër dhe 36 në kinematografi.
Debutimin e parë kinematografik e bëri në filmin “Tana”, të vitit 1958, por shkëlqeu dhe u bë i paharrueshëm me gjithë interpretimet e mëpasshme të cilat kanë ngelur në mendjen e publikut, ndër të cilët jane rolet tek filmat “Yje të netëve të gjata”, “Nëntori i Dytë “, “Tokë e përgjakur”, “Përballimi”, “Zonja nga qyteti”, etj. Në vitin 1975 iu dha titulli i lartë “Artist i Popullit”./atsh/KultPlus.com
Në Spitalin e Fëmijëve “Sheika Fatima” është inauguruar dje një laborator i ri, i pajisur me teknologji moderne, donacion nga “Khalifa Foundation” me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe. Inaugurimi u bë në prani të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila vlerësoi këtë investim si hap të rëndësishëm për përmirësimin e sistemit shëndetësor në vend, veçanërisht në shërbimet për fëmijët.
Laboratori i ri do të mundësojë kryerjen e shumicës së analizave brenda vetë spitalit, duke përmirësuar ndjeshëm efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve për pacientët më të vegjël. Një fokus i veçantë i këtij investimi është reparti i neonatologjisë, ku pajisjet moderne do të kontribuojnë në kujdesin jetik për foshnjat dhe nënat e reja, transmeton KultPlus
Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për popullin dhe shtetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe për Lartmadhërinë e saj, Sheika Fatima bint Mubarak Al Ketbi, për kontributin e vazhdueshëm në mbështetjen e shëndetësisë në Kosovë.
“Ky laborator është më shumë sesa një hapësirë me pajisje – është një mundësi e re për jetë më të mirë për fëmijët tanë”, u shpreh Presidentja Osmani gjatë ceremonisë.
Donacioni i fundit është pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe fondacioneve humanitare nga Emiratet, të cilat në vitet e fundit kanë mbështetur projekte të rëndësishme në fushën e shëndetësisë dhe arsimit./KultPlus.com
Një rekuizitë kyçe nga skena hapëse e filmit të famshëm “Citizen Kane”, i konsideruar si një nga filmat më të mirë të të gjitha kohërave, është shitur në ankand për 14.75 milionë dollarë.
Slita prej druri “Rosebud”, një nga të paktën tre ekzemplarët e mbijetuar të saj, për një kohë të gjatë mendohej se ishte humbur, derisa iu dhurua regjisorit Joe Dante në vitin 1984, duke e shpëtuar nga shkatërrimi. Ai më pas e përdori slitën si referencë për adhuruesit (të njohur si “Easter egg”) në disa nga filmat që realizoi, përfshirë “Gremlins 2: The New Batch”.
Objekti është tashmë pjesa e dytë më e shtrenjtë e kujtimeve të Hollywood-it e shitur ndonjëherë, të parat janë një palë këpucë të kuqe rubini të përdorura në “The Wizard of Oz” që u shitën për 32 milionë dollarë (23.9 milionë paund) në dhjetor. “Së bashku me këpucët e rubinit të Dorothyt, slita Rosebud nga “Citizen Kane” është një nga objektet më ikonike në historinë e Hollywood-it,” u shpreh Joe Maddalena, nënkryetar ekzekutiv i Heritage Auctions, përcjellë KulPlus.
Identiteti i blerësit nuk u bë publik. Slita të tjera “Rosebud” të përdorura në film janë shitur në të kaluarën, përfshirë një që i është shitur regjisorit të njohur Steven Spielberg, i cili më vonë e dhuroi për “Muzeun e Akademisë së Arteve të Filmit” në Los Anxhelos.
Megjithatë, versioni i shitur të enjten nuk ishte parë prej shumë vitesh derisa përfundoi në duart e Joe Dante-s. Ai tregoi për Heritage Auctions se ishte duke realizuar filmin “Explorers” në vitin 1984, në të njëjtin studio që dikur ishte pronë e RKO Radio Pictures, kompania që kishte prodhuar “Citizen Kane”.
Dante tha se punonjësit po pastronin disa ambiente magazinimi, kur një prej tyre, që e dinte pasionin e tij për filmat klasikë, e pyeti nëse donte slitën.
“U habita… Duke qenë se jam një adhurues i madh i filmit, i thashë, ‘Po, me kënaqësi do ta marr.’”
“Citizen Kane mund të jetë filmi më i madh që është bërë ndonjëherë, dhe Rosebud është boshti i rrëfimit, zemra e të gjithë fabulës dhe pika qendrore e dramës misterioze në jetën e Kane-it. Si regjisor, të kesh rekuizitën që përfaqëson një element kaq thelbësor të një thesari kinematografik ka një domethënie të veçantë.” – u shpreh Joe Dante./BBC/KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka vendosur të vërë në ankand Porsche-in e saj të personalizuar, në mbështetje të fondacionit që ajo themeloi së bashku me babain e saj, Sunny Hill Foundation. Lajmi është bërë i ditur në mediat ndërkombëtare dhe ka marrë vëmendje të gjerë, jo vetëm për vetë vlerën e makinës, por edhe për kauzën fisnike që ajo përfaqëson.
Makina, një Porsche unike me dizajn të personalizuar sipas stilit të saj, pritet të tërheqë interes të madh në ankand. Me linja elegante, ngjyrime të veçanta dhe detaje të dizajnuara me kujdes, ajo është një përzierje perfekte mes luksit, artit dhe identitetit personal të yllit të muzikës.
Të gjitha të ardhurat nga ankandi do të shkojnë për fondacionin “Sunny Hill”, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbështetjen e komuniteteve dhe të rinjve në Kosovë, veçanërisht në fushat e arsimit, artit dhe kulturës. Fondacioni ka organizuar gjithashtu Festivalin e njohur “Sunny Hill”, që ka sjellë emra të mëdhenj të muzikës në Prishtinë dhe Tiranë./tv21/
Netflix thotë se ka përdorur efekte vizuale të krijuara nga inteligjenca artificiale gjeneruese (IA) në një nga serialet e saj origjinale televizive për herë të parë.
Bashkëdrejtori ekzekutiv i gjigantit të transmetimit, Ted Sarandos, tha se inteligjenca artificiale, e cila prodhon video dhe imazhe bazuar në sugjerime, u përdor për të krijuar një skenë të një ndërtese që po shembej në serialin argjentinas të fantastiko-shkencorë, The Eternauts.
Ai tha se teknologjia i lejoi ekipit të prodhimit të përfundonte sekuencat më shpejt dhe me një kosto më të ulët. Përdorimi i inteligjencës artificiale gjeneruese është i diskutueshëm në industrinë e argëtimit, për shkak të shqetësimeve se ajo krijon përmbajtje duke përdorur punën e të tjerëve pa pëlqimin e tyre dhe frikës se do të zëvendësojë punën e njerëzve.
Z. Sarandos i bëri komentet e tij ndërsa Netflix njoftoi një rritje prej 16% të të ardhurave në 11 miliardë dollarë (8.25 miliardë paund) për tre muajt deri në fund të qershorit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fitimet u rritën nga 2.1 miliardë dollarë në 3.1 miliardë dollarë.
Firma e transmetimit tha se performanca më e mirë se sa pritej u nxit nga suksesi i serisë së tretë dhe të fundit të trillerit të Koresë së Jugut Squid Game, i cili deri më tani ka tërhequr 122 milionë shikime.
I pyetur në lidhje me përdorimin e inteligjencës artificiale nga Netflix, zoti Sarandos tha se teknologjia u ka lejuar produksioneve me buxhete më të vogla të përdorin efekte vizuale të përparuara.
Ai tha se inteligjenca artificiale gjeneruese e përdorur në filmin “The Eternauts” ndihmoi ekipin e prodhimit të përfundonte një sekuencë që tregonte shembjen e një ndërtese në Buenos Aires, 10 herë më shpejt sesa nëse do të kishin përdorur mjetet tradicionale të efekteve speciale.
“Kostoja e saj thjesht nuk do të kishte qenë e realizueshme për një shfaqje me atë buxhet.
“Kjo sekuencë në fakt është pamjet e para përfundimtare [gjenerative] të inteligjencës artificiale që shfaqen në ekran në një serial ose film origjinal të Netflix. Kështu që krijuesit ishin të emocionuar me rezultatin”, tha z. Sarandos.
Inteligjenca artificiale ishte ndër shqetësimet kryesore të ngritura gjatë një greve në Hollywood në vitin 2023. Gjatë grevës tremujore, sindikata e Guild-it të Aktorëve të Ekranit–Federatës Amerikane të Artistëve të Televizionit dhe Radios bëri thirrje për rregullim më të rreptë të përdorimit të Inteligjencës Artificiale./BBC/KultPlus.com
Perla evropiane krenohet me plazhet mahnitëse, malet, qytetet historike dhe trashëgiminë kulturore, shkruan Lauren Haughey në të përditshmen britanike “Mirror”.
Një eksperte udhëtimesh, Jordynn, e cila ndan aventurat e saj në TikTok, ka rekomanduar Shqipërinë si një vend të veçantë, me plazhe marramendëse, male dhe qytete të paharrueshme.
Sipas saj, perla e fshehur është një parajsë edhe për turistët me një buxhet të kufizuar, falë çmimeve të përballueshme për ushqim dhe akomodim.
“Këto nuk janë Filipinet, kjo nuk është Zvicra, nuk është Greqia, kjo nuk është Italia, as Tajlanda! Nuk është as Portugalia! Kjo është Shqipëria”, tha ajo në një postim në TikTok.
“Ky vend na habiti vërtetë. Shqipëria ndodhet midis Greqisë dhe Malit të Zi dhe ju ofron një përvojë kaq të larmishme.. mes maleve, detit të kristaltë dhe të qetë dhe plazheve të mrekullueshme në jug, kulturës dhe historisë së pasur në qytet, qyteteve të vjetra me kalldrëm dhe vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s – me çmime të përballueshme”, tha ekspertja.
“Shqipëria i ka vërtet të gjitha. Mund të vizitoni shumë vende: Shkodrën, Valbonën, Thethin, Tiranën, Beratin, Gjirokastrën, Sarandën, Himarën, çdo vend ofron diçka të ndryshme. Qëndrova dy javë në Shqipëri dhe mund të kisha qëndruar lehtësisht një muaj të plotë”, tha ajo.
Edhe pse kaloi vetëm një javë në Shqipëri, Jordynn ndjeu se mund ta kishte zgjatur me kënaqësi qëndrimin e saj në një muaj të plotë, duke pasur parasysh shumëllojshmërinë e përvojave që ofron ky vend evropian.
Ajo rekomandon një vizitë në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, i njohur për muzetë e tij të pasura, ndërtesat historike dhe jetën e gjallë të natës.
Për adhuruesit e plazhit dhe ushqimeve të detit, qyteti bregdetar i Sarandës është gjithashtu një vend që duhet vizituar me patjetër.
Mos humbisni gjithashtu Gjirokastrën – një qytet magjepsës i listuar si Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, rreth një orë larg me makinë nga Saranda.
Byreku është padyshim një nga gatimet më të famshme të Shqipërisë, i cili shpesh mund të blihet në dyqanet lokale.
Turistët që pëlqejnë ëmbëlsirat mund të tundohen gjithashtu nga Bakllavaja e famshme e vendit – një tjetër ushqim i shijshëm me arra e zhytur në shërbet./atsh/KultPlus.com