Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 August 2025Main stream

Kleopatra – fundi tragjik i një mbretëreshe që sfidoi historinë

By: Kult Plus
12 August 2025 at 09:00

Më 12 gusht të vitit 30 p.e.s., në Aleksandrinë e lashtë, përfundoi jeta e një prej figurave më të famshme dhe më të diskutueshme të historisë, Kleopatras së VII, mbretëresha e fundit e Egjiptit Ptolemeik. E njohur për bukurinë, inteligjencën dhe aftësitë e saj politike, ajo u bë simbol i fuqisë femërore, udhëheqjes dhe guximit.

Pas një jete të mbushur me intriga, aleanca strategjike dhe pasion të ndaluar me dy prej burrave më të fuqishëm të kohës, Jul Çezarin dhe Mark Antonin, Kleopatra u gjend e rrethuar nga fati. Humbja e betejës së Aktiumit dhe vetëvrasja e Mark Antonit shënuan fundin e shpresës për të mbrojtur Egjiptin nga Romakët. E famshme është legjenda sipas së cilës ajo zgjodhi të vdiste duke lejuar një gjarpër helmues ta kafshonte, për të shmangur poshtërimin publik në duart e Oktavianit, transmeton KultPlus.

Vdekja e Kleopatrës nuk ishte thjesht fundi i një gruaje, ajo shënoi fundin e një epoke. Me të, u shua dinastia ptolemeike dhe Egjipti u shndërrua në provincë romake. Figura e saj mbetet e gjallë jo vetëm në histori, por edhe në art, letërsi e kinematografi, si mishërim i bukurisë, pushtetit dhe tragjedisë.

Sot, mbi dy mijë vjet më pas, Kleopatra vazhdon të magjepsë botën, një mbretëreshë që i dha historisë një fund po aq dramatik sa edhe jeta që jetoi./KultPlus.com

Teatri i Kukullave Pogradec, pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar “Bitolino”

By: Kult Plus
11 August 2025 at 23:45

Trupa e Teatrit të Kukullave “Piro Xëci”, i Pogradecit mori pjesë në edicionin e 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit të Kukullave “Bitolino”, i cili u zhvillua në qytetin e Manastirit (Bitola) të Maqedonisë së Veriut.

Artistët pogradecarë u prezantuan me pjesën teatrore për fëmijë “Pabesi në Pyllin e së Mirës”, të autorit Andi Kosta, me regji të Dhimitraq Tasellarit dhe skenografi të Enxhel Gegpriftit.

Shfaqja u prit mjaft ngrohtë nga publiku i vogël dhe i rritur dhe u vlerësua për përcjelljen e vlerave të teatrit tradicional për të vegjël, lojën aktoreske, si edhe për mesazhin “Le ta bëjmë planetin në të cilin jetojmë, një vend më të mirë përmes mirësisë dhe besnikërisë ndaj njëri-tjetrit”.

Bitolino është një festival i përvitshëm i teatrit për fëmijë që mbahet në gusht, organizuar nga Teatri Babec. Çdo vit në festival marrin pjesë teatro profesioniste për fëmijë nga e gjithë bota./atsh/KultPlus.com

Porto Palermo Festival, emrat e njohur të këngës ndezin atmosferën në kala

By: Kult Plus
11 August 2025 at 23:10

Mes artistëve të shumtë që janë bërë pjesë e Porto Palermo Festival, ishte edhe Aurela Gaçe.

Skena e Kalasë së Ali Pashës u ndez nga energjia e saj shpërthyese dhe zëri që sfidon kohën. Për Aurelën, kjo ishte pjesëmarrja e saj e parë në këtë festival, i cili këtë vit shënon 5-vjetorin e tij.  Nata e Aurela Gaçes u kthye në një festë të paharrueshme, për publikun në kalanë mesjetare, ku çdo kengë u bë një shpërthim emocionesh dhe gëzimi.

Publiku këndoi, kërceu dhe e duartrokiti pa pushim. Një tjetër mbrëmje në Kalanë e Porto Palermos iu dedikua muzikës latine. Ritmet e zjarrta të Amerikës Latine pushtuan skenën magjike, kur Carlos Paz dhe Sin Fronteras sollën pasionin, energjinë dhe muzikën “pa kufij”, duke e kthyer natën në një festë plot kërcim dhe emocione nën yjet e jugut. Të tjerë artistë të mirënjohur që u bënë pjesë e Porto Palermo Festival gjatë kësaj fundjave ishin Kastriot Tusha dhe Ardian Trebicka. Serenatat e ëmbla dhe perlat e muzikës së kultivuar shqiptare u ndërthurën me sfondin magjik të detit dhe mureve shekullore të kalasë. Çdo notë, çdo fjalë, çdo melodi dukej se ngjallej për të treguar histori dashurie, kujtimesh dhe ëndrrash të harruara./atsh/KultPlus.com

Yesterday — 11 August 2025Main stream

‘Apolonia e Ilirisë’, Gonxhja: Gërmimet janë përqendruar në tri zona kryesore të sitit arkeologjik

By: Kult Plus
11 August 2025 at 22:35

Projekti kërkimor-shkencor “Apolonia e Ilirisë”, i bashkëdrejtuar nga profesorët Belisa Muka dhe François Quantin, po vijon në sitin arkeologjik të Apolonisë dhe këtë vit është përqendruar në tri zona kryesore të tij.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se “në kuadër të projektit kërkimor-shkencor “Apolonia e Ilirisë”, i bashkëdrejtuar nga profesorët Belisa Muka dhe François Quantin, vijon me përkushtim bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet Institutit të Arkeologjisë (Akademia e Shkencave e Shqipërisë), UMR 8546 – AOrOc Paris, Shkollës Franceze të Athinës (EfA), Shkollës Franceze të Romës (EfR), Departamentit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore (Universiteti i Tiranës), IKTK-së dhe Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia (nën varësinë e MEKI-t)”.

Sipas ministrit Gonxhja, “programi i vitit 2025 është përqendruar në tri zona kryesore të sitit arkeologjik: Sektori i termave të periudhës romake; Porta verilindore; Linja e fortifikimit”.

Gonxhja nënvizoi se “paralelisht me gërmimet, vijon puna e studimit të materialit arkeologjik dhe formimi i studentëve shqiptarë e francezë, përmes trajnimeve mbi metodologjitë bashkëkohore të dokumentimit, si dhe analizës së teknikës, stilit dhe ikonografisë së skulpturave antike”.

“Ky vit shënon fazën e dytë të ateliesë mbi skulpturën antike, një hap i rëndësishëm në thellimin e njohurive dhe praktikave kërkimore mbi artin skulpturor të Apolonisë dhe trashëgimisë së saj unike”, theksoi Gonxhja./atsh/KultPlus.com

“Kaq të këqij sa janë të mirë” – pse na pëlqejnë filmat e tmerrshëm?

By: Kult Plus
11 August 2025 at 22:05

Kritikët e filmit kanë dhënë verdiktin: versioni i ri i War of the Worlds, ku Ice Cube luan rolin e një burri që duhet të shpëtojë njerëzimin nga një pushtim alienësh pa u larguar nga tavolina e punës, është i keq. Por sa i keq? Është thjesht “adaptimi më i keq i mundshëm i veprës së HG Wells”? Është “një nga filmat më të këqij të dekadës deri tani”? Apo madje “një nga filmat më të këqij ndonjëherë”? 

Kur këtë javë nisën të dalin recensionet, interneti u argëtua me rezultatin 0% nga kritikët në faqen Rotten Tomatoes. Ndërsa disa u bashkuan me entuziazëm në “sulm”, të tjerë u tërhoqën prej filmit të Prime Video si fluturat drejt dritës. “Më duket se tani duhet ta shoh patjetër,” shkroi aktori i The White Lotus Patrick. 

Schwarzenegger, i cili, si djali i Arnold-it, ndoshta ka hasur edhe ndonjë film me vlerësime të ulëta. Ai nuk është i vetmi që ndjen “magnetizmin” e një filmi me recensione shkatërruese, disa filma të tmerrshëm kanë krijuar ndjekës të zjarrtë pikërisht sepse janë kaq keq, sa bëhen të mirë. 

Lon Harris, producent ekzekutiv i podcast-it This Week in Startups, ndezi debatin këtë javë kur postoi: “Rënia nën 5% në Rotten Tomatoes ka thuajse të njëjtin efekt tek unë si të thyhet shifra 90%. Është diçka që më duhet ta përjetoj patjetër.” Një film me vlerësim minimal, thotë Harris, është automatikisht interesant: “Një rezultat shumë i ulët tregon marrëveshje universale: ky film është i keq. Tani dua të di më shumë… Pse të gjithë bien dakord? Papritur, jam i intriguar. Shikoj shumë filma, ka kaq shumë përmbajtje që del, dhe shumica është e zbehtë e e harrueshme.” 

I intriguar, Harris e pa War of the Worlds, dhe filmi ia përmbushi “pritshmëritë e ulëta”: “Është shumë qesharak, interpretimi solo i Ice Cube duke reaguar para ekranit të laptopit herë pas here afrohet me parodi dhe shpesh më bëri të qesh, dhe ka një subplot të tërë për dërgesat me dron të Amazon-it, aq i drejtpërdrejtë sa është thuajse e pabesueshme që e kanë përfshirë.” Filmi nuk është aspak i sofistikuar.

Personazhi i Ice Cube, një agjent qeveritar i survejimit, duhet të shpëtojë botën dhe familjen nga distanca, duke parë pushtimin alien në ekranin e tij, një zgjedhje e shpjeguar nga fakti se filmi u realizua gjatë pandemisë. Ai kishte qëndruar në sirtar që atëherë, derisa u publikua tani. Harris shton: “Ka një lloj bukurie të shohësh një film që nuk është i lëmuar e i përsosur si shumica e të tjerëve, ku mund të dallosh dorën e artistëve duke bërë më të mirën për të mbuluar problemet me buxhetin dhe vonesat e prodhimit. Kjo më duket më interesante se thjesht ‘një tjetër film pushtimi alien’.” 

Pas kritikave të para të ashpra, një recensues vendosi t’i dilte në krah filmit. 
Jordan Hoffman nga Entertainment Weekly shkroi të enjten: “A është ky film vërtet aq i keq? Përgjigjja është… absolutisht jo. Sigurisht që është budalla, por është edhe shumë argëtues.” Shkrimi, i cili e përfundonte me: “Filmi është një rrëmujë, por një rrëmujë e hareshme,” u konsiderua pozitiv nga Rotten Tomatoes, duke e ngritur rezultatin nga 0% në “lartësinë” prej 4% në kohën e publikimit. 

Sipas Timon Singh, themelues i Bristol Bad Film Club një dekadë më parë, filmat vërtet të tmerrshëm janë shpesh më të preferueshëm se ata që janë thjesht të mërzitshëm: “Kam parë filma ku plani nuk është as në fokus, ekipi teknik hyn në kuadër, paruku e aktorit bie, dhe përsëri është një film jashtëzakonisht argëtues.” Ai shton se disa superprodhime mund të jenë “të fryra” dhe “të mërzitshme”, duke përmendur Transformers: The Last Knight (2017) si shembull. 

“Në krahasim, Samurai Cop është teknikisht një film i tmerrshëm, por është 90 minuta me aktrim qesharak, skena të tmerrshme sherri, dhe pasi ta shohësh, nuk do ta harrosh kurrë. Ndërsa Transformers: The Last Knight mund ta harrosh ndërsa ende po e shikon.” Filma të tjerë që kanë fituar kult pasuesish përfshijnë The Room (2003), të përshkruar dikur nga Daily Beast si “një kryevepër mbeturinash”. Megjithatë, The Room, i realizuar nga “auteuri i filmave të këqij” Tommy Wiseau, ka mjaftueshëm argëtim pervers për të mbajtur një 24% relativisht “të respektueshëm” në Rotten Tomatoes.

Katharine Coldiron, autore e Junk Film: Why Bad Movies Matter, thotë se është më mirë të shohësh një regjisor si Wiseau duke u përpjekur me gjithë shpirt dhe duke dështuar, sesa dikë që punon me autopilot: “Kur një film bëhet me sinqeritet, dhe dështon, kjo është fantastike për t’u parë.” Ajo thotë se filmi i saj i preferuar “i tmerrshëm” është Staying Alive (1983), vazhdimi i disko-klassikut Saturday Night Fever, me regji të Sylvester Stallone, që u kritikua rëndë pavarësisht suksesit komercial: “Të gjithë personazhet, përveç njërit, janë sociopat, kështu që filmi nuk funksionon në pothuajse asnjë nivel. Më pëlqen ta vë dhe t’i bërtas.”/BBC/KultPlus.com

Duke u menduar për bukurinë 

By: Kult Plus
11 August 2025 at 21:35

Poezi nga Dritëro Agolli

Përse një shkëmb i ashpër dhe i rrudhur,

Që deti e godet, si dash, me valë,

Më duket aq i bukur,

Ku ndodhet bukuria vallë?

Më shembëllen me bustin e njeriut,

Në rrudhat sikur fshihet dhembja e botës,

Gjëmon në rrudhat breshri dhe veriu 

Dhe moti shira derdh dhe i fryn shqotës,

Po shkëmbi rri fisnik si një bari me gunë

I zhytyr për shelegë në mendime, 

Që vijnë me këmborë e blegërime.

1971/KultPlus.com

Si lindi ikonizimi i këpucëve me taban të kuq të Christian Louboutin

By: Kult Plus
11 August 2025 at 21:05

Christian Louboutin, i njohur sot si mjeshtri i këpucëve me taban të kuq, nuk e kishte planifikuar kurrë këtë detaj që do ta kthente në ikonë. Ishte fillimi i viteve ’90 dhe ai po punonte në studion e tij mbi një palë këpucë elegante, por diçka mungonte. Dizajni dukej i bukur… por jo i paharrueshëm.

Ndërsa përpiqej të gjente atë “shkëlqimin” e fundit, vështrimi iu ndal tek një punëtore aty pranë, e cila po lyente thonjtë me një llak të kuq të ndezur. Ngjyra ishte aq e gjallë dhe e guximshme, sa i dha menjëherë frymëzim. Ai mori shishen e llakut nga dora e saj, u përkul mbi këpucë dhe filloi t’i lyente tabanin, transmeton KultPlus.

Rezultati ishte magjik, papritur, këpuca u shndërrua në një deklaratë sensualiteti dhe luksi. Nga ky moment spontan lindi firma më e famshme e Louboutin, tabani i kuq, një detaj që sot është sinonim i elegancës dhe i klasit të lartë në mbarë botën.

Në modë, shpesh janë rastet e vogla që krijojnë legjenda. Për Louboutin, ishte thjesht një çast, një shishe llak… dhe një vizion i kuq që nuk do të shuhet kurrë./KultPlus.com

Nis restaurimi i kishës 1.300-vjeçare në Arrëz të Lushnjës

By: Kult Plus
11 August 2025 at 20:35

Një nga monumentet më të hershme të Myzeqesë, kisha 1.300-vjeçare e “Shën Todrit” në fshatin Arrëz të Lushnjës, ka hyrë në një fazë të rëndësishme restaurimi. Ndërhyrja u konsiderua urgjente, pasi ndërtesa rrezikonte shembjen për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga kushtet atmosferike dhe tërmetet ndër vite.

Punimet, të mbështetura nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, po përqendrohen kryesisht në rikonstruksionin e çatisë dhe riparimin e mureve të degraduara. Kjo kishë, e cila besohet të jetë e dyta më e vjetër në zonë pas manastirit të Ardenicës, mbart jo vetëm vlera të veçanta fetare dhe historike, por edhe një arkitekturë të rrallë. Për këtë arsye, ajo gëzon statusin e “Monumentit të Kulturës” të kategorisë së parë, përcjellë KultPlus.

E mbyllur për besimtarët që prej vitit 2020 për shkak të amortizimit, kisha pritet të hapet sërish brenda pesë muajve, madje punimet po ecin me ritme të tilla që afati mund të përfundojë më herët. Drejtuesit e saj theksojnë se, krahas restaurimit të ndërtesës, mbetet e rëndësishme edhe rregullimi i rrugës që të çon drejt këtij objekti të trashëgimisë.

Pas restaurimit të kishës në Bishqethëm, ky është projekti i dytë i këtij lloji që realizohet në Lushnjë, duke treguar përkushtimin për ruajtjen e monumenteve me vlera të rralla historike dhe shpirtërore./KultPlus.com

Adidas dhe dizajneri Willy Chavarria kërkojnë falje për akuzat e “përvetësimit kulturor” nga Meksika

By: Kult Plus
11 August 2025 at 20:05

Dizajneri amerikan i modës Willy Chavarria ka kërkuar falje pas kritikave për bashkëpunimin e tij me Adidas Originals në krijimin e një modeli këpucësh të quajtur Oaxaca Slip-On. Ky model ishte frymëzuar nga sandalet tradicionale prej lëkure të njohura si huaraches, të punuara nga artizanët autoktonë në Meksikë.

Kontroversia shpërtheu kur u bë e ditur se këpucët ishin prodhuar në Kinë, pa konsultim ose njohje zyrtare ndaj komuniteteve që kishin origjinuar dizajnin. Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, reagoi duke theksuar se “shumë kompani të mëdha shpesh marrin produkte, ide dhe dizajne nga komunitetet indigjene” dhe njoftoi se po shqyrtohen hapa ligjorë për mbrojtjen e tyre.

Zëvendësministrja e Kulturës së Meksikës, Marina Nunez, tha se Adidas ka kontaktuar zyrtarët e Oaxacës për të diskutuar “kompensimin për njerëzit të cilëve iu plagjiatua dizajni”. Në një deklaratë për BBC, kompania tha se “vlerëson trashëgiminë kulturore të komuniteteve indigjene të Meksikës” dhe kërkoi falje publike, duke premtuar bashkëpunim me komunitetin e Yalálag-ut për të nderuar trashëgiminë e tyre.

Chavarria, ish-nënkryetar i lartë i dizajnit në Calvin Klein dhe themelues i markës së tij, u shpreh se “qëllimi gjithmonë ka qenë të nderohej fryma kulturore dhe artistike e Oaxacës”, por pranoi se mungesa e një bashkëpunimi të drejtpërdrejtë me komunitetin përbënte “një dështim në respektimin e tyre”. Ai shtoi: “Dashuria fitohet me veprime, jo vetëm me fjalë.”

Pamjet promocionale të modelit Oaxaca Slip-On janë hequr nga rrjetet sociale të Adidas dhe Chavarria-s, ndërsa diskutimet për zgjidhjen e situatës me komunitetet indigjene vazhdojnë./BBC/KultPlus.com

Tempulli i Solomonit – kujtimi i një lavdie të lashtë

By: Kult Plus
11 August 2025 at 19:35

Në kujtesën e historisë dhe besimit, Tempulli i Solomonit zë një vend të veçantë, si një nga monumentet më të përfolura të botës së lashtë. I njohur edhe si Tempulli i Parë, ai përshkruhet në Biblën Hebraike si “Shtëpia e parë e shenjtërores”, vendi ku qëndronte Arka e Besëlidhjes dhe ku kryheshin ritualet më të shenjta të popullit hebre.

Sipas rrëfimeve biblike, tempulli u ndërtua në shekullin e 10-të p.e.s. me porosi të mbretit Solomon, simbol i mençurisë dhe pasurisë së Izraelit të lashtë. Por lavdia e tij nuk zgjati përgjithmonë. Në vitin 587 p.e.s., gjatë rrethimit të Jeruzalemit nga mbreti Nebukadnetzar II i Perandorisë Neo-Babilonase, tempulli u shkatërrua plotësisht, duke u kthyer në një plagë të hapur në historinë e popullit.

Megjithëse studiuesit bashkëkohorë pajtohen se një tempull i tillë ka ekzistuar në Malin e Tempullit, mbeten dilema të mëdha për datën e saktë të ndërtimit dhe për identitetin e ndërtuesit. Për disa, ai është një fakt historik; për të tjerë, një mit i fuqishëm që ka marrë jetë në faqet e shkrimeve të shenjta.

Sot, përvjetori i tij rikthen kujtimin e një ndërtese që për shekuj ka qenë simbol i besimit, shpresës dhe lavdisë, por edhe një dëshmi se as monumentet më madhështore nuk i shpëtojnë rrjedhës së kohës. Tempulli i Solomonit mbetet një figurë e gjallë në ndërgjegjen kulturore të njerëzimit, një urë midis historisë, mitit dhe shpirtit./KultPlus.com

Rekord vizitash në Butrint – mbi 150 mijë turistë në shtatë muaj

By: Kult Plus
11 August 2025 at 19:03

Parku Kombëtar i Butrintit ka shënuar një rekord historik vizitueshmërie për vitin 2025, duke tërhequr mbi 150,000 vizitorë vetëm në shtatë muajt e parë të vitit. Vetëm gjatë muajit korrik, parku u vizitua nga 44,555 persona, shifër që përfaqëson një rritje prej 82% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Drejtoresha e parkut, Jorida Muho, konfirmon se përveç numrit të vizitorëve, është rritur ndjeshëm edhe të ardhurat. “Në korrik të këtij viti kemi arkëtuar 165% më shumë të ardhura sesa në korrik të vitit 2024, për një total prej 1.5 milionë eurosh.” Sipas saj, fundjavat janë periudha më e ngarkuar për parkun, ku krijohen radhë të gjata në hyrje, transmeton KultPlus.

Gjatë këtij sezoni, përveç turistëve vendas, një numër i madh vizitorësh ka ardhur nga Polonia. Klaudia Broda, udhërrëfyese me origjinë polake, prej 8 vitesh sjell grupe turistësh në Butrint. “Butrinti mbetet një magji jo vetëm për mua, por për të gjithë bashkëkombasit e mi, që kërkojnë të mësojnë diçka më shumë përtej guidës klasike. Por do t’ju them se ishte vërtet një surprizë për mua sot, pasi më kërkuan të paguaj biletën 10 euro, ndryshe nga çfarë ndodh kudo në Europë, ku udhëheqësi i guidës është falas.”

Mes vizitorëve të huaj këtë korrik ishte edhe 

Mattia Esposito, përfaqësues i një grupi rotarianësh italianë që kanë themeluar së fundmi klubin e tyre në Sarandë. “Ka qenë një fundjavë shumë e rëndësishme për ne të Rotary. U pasuruam edhe shumë me vizitën në këtë Park Arkeologjik, pasuri botërore. Tani po mendoj se ‘Butrinti’ është emri i duhur që i vendosëm edhe Rotary-t të Sarandës, pasi Butrinti është një pasaportë ndërkombëtare.”

Një nga atraksionet kryesore të korrikut ishte hapja për publikun e dy mozaikëve të rrallë: ai i Termës Romake dhe mozaiku i Gjimnazit, të cilët do të qëndrojnë të ekspozuar deri më 15 gusht.

Butrinti, pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që prej vitit 1992, përfshin një zonë të pasur me monumente historike si Teatri, Bazilika paleokristiane, Tempulli i Asklepit dhe Porta e Liqenit, një thesar i gjallë i kulturës dhe historisë shqiptare./KultPlus.com

DeepSeek: Aplikacioni kinez që tronditi tregun e AI, por a ndryshoi lojën?

By: Kult Plus
11 August 2025 at 18:30

Vetëm një javë pas marrjes së detyrës nga presidenti amerikan Donald Trump, një aplikacion i ri kinez i inteligjencës artificiale (AI) me emrin DeepSeek tronditi Silicon Valley-n. Brenda natës, versioni DeepSeek-R1 u ngjit në krye të listës së shkarkimeve falas në SHBA në App Store të Apple. Kompania pretendoi se chatbot-i i saj rivalizonte ChatGPT-n, dhe madje ishte zhvilluar me një kosto shumë më të ulët.

Ky lajm pati pasoja të menjëhershme në tregun financiar: vlera e aksioneve të gjigantit të çipave Nvidia ra me 600 miliardë dollarë, duke shënuar humbjen më të madhe ditore për një kompani në historinë e bursës amerikane. Edhe aksione të tjera të lidhura me AI pësuan rënie.

Për shumë analistë, mbërritja e DeepSeek ishte “momenti Sputnik” i AI-së, duke sfiduar perceptimin se SHBA dominonte plotësisht këtë fushë. Aplikacioni tregoi se edhe me burime më të kufizuara mund të ndërtohej një model konkurrues, duke vënë në dyshim qasjen amerikane të fokusuar te qendrat masive të të dhënave dhe fuqia e madhe kompjuterike.

Por suksesit të menjëhershëm i pasuan sfidat. Organizata në SHBA nisën ta ndalonin përdorimin e aplikacionit, mes frikës se të dhënat e përdoruesve mund të përfundonin në serverë në Kinë. Politika e privatësisë së kompanisë e konfirmon se të dhënat ruhen dhe përpunohen në Republikën Popullore të Kinës. SHBA madje nisi hetime mbi lidhjet e DeepSeek me ushtrinë dhe shërbimet e inteligjencës kineze.

Megjithatë, shumë start-up-e amerikane vazhdojnë ta përdorin modelin për të ulur kostot, shpesh duke e ekzekutuar lokalisht për të shmangur rreziqet e privatësisë. Ekspertët theksojnë se modeli kinez ndryshoi mënyrën se si mendohet për AI-në, duke treguar se efikasiteti mund të jetë po aq i rëndësishëm sa fuqia përpunuese.

Krahasimet financiare janë të dukshme: ndërsa OpenAI shpenzoi rreth 5 miliardë dollarë vetëm në vitin 2024, DeepSeekthotë se zhvilloi R1-in me vetëm 5.6 milionë dollarë, duke e kaluar modelin o1 të OpenAI në disa teste matëse.

Megjithatë, pas gjashtë muajsh, zhurma është zbehur. OpenAI ka rifituar terren duke lançuar modele të reja, përfshirë GPT-5  dhe tregu është kthyer sërish drejt investimeve masive në qendra të dhënash dhe infrastrukturë. Aksionet e Nvidia-s jo vetëm që janë rikuperuar, por kanë arritur nivele rekord, duke e bërë kompaninë më të vlefshme në histori.

Sipas analistëve, DeepSeek tani përballet me vështirësi për të ruajtur momentumin, me vonesa në produktin e ri DeepSeek-R2 për shkak të mungesës së çipave të avancuar dhe konkurrencës së ashpër si nga SHBA, ashtu edhe nga Kina.

Në fund, DeepSeek mbetet një shembull i fuqishëm se si një inovacion i papritur mund të tronditë tregjet dhe të ndryshojë diskutimin global, edhe nëse efekti i tij afatgjatë nuk është aq revolucionar sa dukej në fillim./KultPlus.com

Amy Schumer ndan rrëfimin e ndjerë pas operacionit të ‘rrezikshëm’ në shpinë

By: Kult Plus
11 August 2025 at 18:00

Aktorja dhe komediania e njohur Amy Schumer ka zbuluar për fansat e saj një moment të rëndësishëm në jetën personale, duke treguar se ka kaluar një operacion për një problem të vjetër në shpinë.

Përmes një postimi në Instagram, Schumer bëri të ditur se i është nënshtruar një laminektomie? një ndërhyrje kirurgjikale që konsiston në heqjen e një pjese të kockës së shtyllës kurrizore për të lehtësuar dhimbjet. Sipas saj, shkaku ishte një dëmtim i hershëm gjatë praktikës së surf-it.

“Që nga lëndimi im me surf, L5 më ka shkaktuar shumë dhimbje. Sot bëra një laminektomi! Rikuperimi është i shpejtë dhe kur të ndihem më mirë, do të blej recipeta!”, ka shkruar ajo me humor.

Schumer ndau gjithashtu një selfie nga spitali në Instagram Stories, duke treguar momente të rikuperimit dhe duke ironizuar mbi bisedat që kishte dëgjuar aty: “Dëgjova një bisedë pas operacionit: ‘Pickleball mbajnë këtë vend në biznes’”.

Komediania ka qenë gjithmonë e hapur për sfidat e saj shëndetësore. Më herët këtë vit, ajo foli edhe për përdorimin e ilaçeve për humbje peshe, duke treguar se aktualisht përdor Mounjaro, pas një periudhe jo të mirë me Ozempic.
“Ozempic më bëri të përjetoj një përvojë të tmerrshme me të vjella,” ka rrëfyer ajo në një intervistë, ndërsa për Mounjaro-n ka pasur një përvojë pozitive./KultPlus.com

‘Balt’ e pluhur do të bëhem, të më shkelnjë këmbë’ e saj’

By: Kult Plus
11 August 2025 at 17:30

Poemth nga Naim Frashëri

Bukuria

9.

Zëmra jote në krahrorët tënt

Është hekur Brenda n’ergjënt;

Dhe në linj’ aty krahruar, 

Si ndë dhé gur’ i paçmuar.

Dielli zënë me rezë, 

Vera në qelqe të zezë,

Shpirti brënda nër qivure,

Zot’ i madh nër katrë mure! 

10.

Do të shtrihem

Të venitem

Si kandili kur s’ka vaj

Balt’ e pluhur 

Do të bëhem

Të më shkelnjë këmbë’ e saj;

E të prehem 

Duke puthur

Atë këmbë pasandaj.

As më thua,

Ç’ke me mua?

Pse të dua paskam faj?/KultPlus.com

‘The Skin of Light’– Rikthehet në Korçë dhe përfundon në Manhattan edicioni i tretë i Gjon Mili International Video Art Festival

By: Kult Plus
11 August 2025 at 17:00

Edicioni i tretë i Gjon Mili International Video Art Festival vjen këtë vit nën temën poetike “The Skin of Light”, një ftesë për të shikuar dritën jo vetëm si burim ndriçimi, por si një “lëkurë” ku ndërthuren kujtesa, perceptimi dhe forma.

Nga gjithsej 1,230 aplikime nga mbarë bota, vetëm 62 artistë janë përzgjedhur për të prezantuar vizionin e tyre mbi marrëdhënien me dritën, duke e paraqitur atë si një element që pulson mes botës reale dhe asaj virtuale, mes ndjeshmërisë intime dhe ndërveprimit artistik, transmeton KultPlus.

Festivali nis në Korçë, më 27-29 gusht, në Muzeun Gjon Mili, vendi ku filloi kjo nismë ndërkombëtare, ku për tre ditë video arti do të bashkëjetojë me kujtesën dhe historinë, në një lojë të pandërprerë formash dhe refleksesh. Më pas, nga 1 deri më 3 shtator, destinacioni i dytë është Dhërmiu, ku drita do të dialogojë me shtëpitë e vjetra dhe hapësirat e qiellit të hapur. 

Udhëtimi përmbyllet në zemër të Nju Jorkut, në Manhattan, nga 28 shtatori deri më 4 tetor, aty ku Gjon Mili arriti majat e famës së tij.

Programi përfshin net kushtuar artistëve fitues dhe ditë të tëra shfaqjesh ku drita shfaqet si element i gjallë, i ndjeshëm dhe gjithmonë në transformim. 

Ky edicion synon jo vetëm të nderojë trashëgiminë e mjeshtrit të fotografisë dhe dritës, por edhe të ndërtojë ura mes kulturave, vendeve dhe mënyrave të reja të të parit./KultPlus.com

Shkallë për qiell

By: Kult Plus
11 August 2025 at 16:14

Timo Flloko
Shkallë për qiell


Ngrita sytë, qiellin pashë,
Ku është skaji i tij, thashë.
A i soset fundi vallë?
Ndoshta duhen shpikur shkallë.
Të padukshme, pa dyshim,
Shkallë që zgjaten pambarim,
Që takojnë fund e fillim,
Prej këtej në askund,
Gjithësisë pa anë e fund.

Fantazova të shkoj larg,
Botën poshtë ta shoh nga lart,
Gjithë ç’pata pas ta lë,
Historitë një nga një,
Dashuritë pa shpirt në të,
Miq, të afërt që s’janë më,
Mitet, ëndrrat dhe çdo gjë.

Sa ngjita shkallën e parë,
Ndjeva frikë, të jem i marrë?
N’atë udhë katrahurë,
Humb përjetë, s’kthehesh kurrë.
Nëse ndodh atje të mbes,
Zbrazëtisë, në univers,
Fillikat e i pashpresë,
Kush kujtohet të më presë?
Nëna la një det me lot,
Iku herët nga kjo botë.
(Kthehem s’kthehem, çfarë pastaj,
Fatin tim mbi shpinë e mbaj)

U enda vite të tërë,
Jeta – një kështjellë në rërë.
Në çdo skaj me stërmund,
Fundin prekja por s’kish fund,
Ishte fund sa ish fillim,
Hapësirës pa mbarim.

(S’ka fillim as fund ky bosh,
Nis e sos ku ta mendosh.)

*
Rrugëtova aq kohë qiellit,
Mend sa preka yjet, diellin.
Rënie ngjitje na shkon jeta,
Që nga lindja gjer te vdekja.

*
Mbërrin koha që të zbres,
Yjet fikur një mëngjes…

Këmbën ula kur, për djall,
Mend u vara, s’kishte shkallë (!)
Udha çonte veç për lart
(Kurth qiellor, thirra në çart).
Pas në tokë kthim s’kish më,
Shkallët shpinin në mosgjë,
Me shigjetën Udhë pa Kthim,
Gjithësisë pa mbarim,

Zbrazëtisë së askundit,
Shkalla ime ish e fundit.

Por u zgjova atë çast,
Çfarë vjen pas, ska përmasë,
Askund qiellit s’është e shkruar,
Portë e hyrjes në parajsë.

Kurrë s’e dimë se ç’të fshehta,
Na i ngre fati më pas..!/KultPlus

Demi Lovato ribashkohet me Jonas Brothers pas 15 vitesh në skenë

By: Kult Plus
11 August 2025 at 15:48

Në koncertin e mbajtur të dielën në New Jersey, Jonas Brothers surprizuan publikun me një moment nostalgjik. Demi Lovato u ngjit papritur në skenë për t’u bashkuar me Joe, Kevin dhe Nick Jonas, duke performuar këngë të njohura nga filmi i famshëm “Camp Rock”.

Ky ribashkim shënoi 15 vite nga koha kur Demi dhe Joe u takuan gjatë xhirimeve të filmit, moment të cilin këngëtarja e ndau edhe në Instagram me fjalët: “Për librat e historisë”.

Bashkëshorti i saj, muzikanti Jordan Lutes, shfaqi mbështetje të plotë me një koment plot krenari. Ndërkohë, koncerti ishte pjesë e turneut të 20-vjetorit të Jonas Brothers, i mbushur me performanca dhe surpriza për fansat, duke përfshirë edhe mysafirë specialë nga projektet e tyre të njohura./KultPlus

Kurti takon zyrtarin gjerman, bisedojnë për ekonominë, integrimin evropian dhe sfidat rajonale

By: Kult Plus
11 August 2025 at 14:58

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, u takua mbrëmë me drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, dhe ambasadorin gjerman në Kosovë, Jörn Rohde.

Takimi u fokusua në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin bilateral, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe investimeve të huaja, zhvillimet politike në vend, situatën në Ballkanin Perëndimor dhe procesin e integrimit evropian.

Kurti theksoi performancën ekonomike pozitive të gjashtëmujorit të parë të vitit, rezultatet e politikave të punësimit dhe angazhimin për të drejtat dhe mirëqenien e pakicave. Ai shprehu edhe shqetësimin për ndikimin e fushatave dezinformuese dhe lajmeve të rreme në shoqëritë demokratike.

Kryeministri falënderoi Reiffenstuel për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës./KultPlus

NASA zbulon detaje të pabesueshme nga Marsi

By: Kult Plus
11 August 2025 at 14:55

Roveri Perseverance i NASA-s ka dërguar një nga panoramat më të detajuara të Planetit të Kuq, duke i ofruar shkencës një pasqyrë të rrallë të terrenit marsian. Mozaiku 360 gradë, i përbërë nga 96 imazhe të marra më 26 maj, tregon kodra deri në 65 kilometra larg, falë një dite me qiell jashtëzakonisht të kthjellët e pa pluhur.

NASA ka publikuar dy versione të panoramës: një me ngjyra të përmirësuara që shfaq qiellin në blu, dhe një tjetër në ngjyra natyrale me qiellin karakteristik të kuqërremtë të Marsit.

This view of Mars is worth a minute of your day.
Not typically known for blue skies, Mars gets a stylized twist in this enhanced-color panorama in order to bring out subtle differences in the Martian terrain.
The real skies? Reddish.
The view? Worth it. https://t.co/HUd1HeoRd1 pic.twitter.com/akvnAa65G8

— NASA 360 (@NASA360) August 9, 2025

Shkencëtarët janë të intriguar nga një shkëmb i madh që duket sikur “lundron” mbi një brez ranor, si dhe nga zona e quajtur Falbreen, që mund të jetë ndër më të vjetrat e studiuara ndonjëherë nga roveri. Panorama zbulon gjithashtu kufirin mes dy njësive gjeologjike dhe gjurmët e rrotave të Perseverance.

Ky mision është pjesë e përgatitjeve për eksplorimin e ardhshëm njerëzor të Marsit, i cili pritet të nisë pas programeve Artemis të NASA-s./KultPlus

NASA's Perseverance Rover at 'Falbreen' on the red planet MARS
Mars is a dusty place – but every two years, the dust settles. The Perseverance rover's imaging team took advantage of this moment to capture one of the sharpest panoramas of its mission so far! pic.twitter.com/UzMvrm8gaD

— tellme (@ankushasp) August 7, 2025

“Express” e rendit Shqipërinë si destinacionin më të mirë për një arratisje në bregdet

By: Kult Plus
11 August 2025 at 14:45

Maldivet janë një ëndërr për shumë pushues falë plazheve të tyre të pastra, ujërave të kaltra dhe temperaturave të ngrohta rreth 30 gradë Celsius, shkruan Anders Anglesey në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express”.

Shqipëria, e konsideruar shpesh si “Maldivet e Evropës” – falë plazheve të saj të pastra, ujërave kristalore dhe temperaturave që arrijnë në 30 gradë Celsius, është një destinacion shumë afër Britanisë së Madhe dhe tërheqëse për shumë turistë.

Ndërsa e gjejmë veten në kulmin e sezonit turistik – me hotele të rezervuara dhe bagazhe padyshim të paketuara, disa vizitorë mund të jenë duke kërkuar tashmë destinacionin e tyre të ardhshëm të udhëtimit.

Maldivet, padyshim që janë në lista të shumta dëshirash, për shkak të vijave bregdetare të pastra dhe ujërave të kaltra të oqeanit.

Megjithatë, çmimet e larta dhe kohëzgjatja e udhëtimit mund t’i dekurajojnë disa turistë nga arratisja e tyre në Oqeanin Indian.

“Booking.com” zbuloi se vitin e kaluar, turistët balancuan kufizimet buxhetore dhe dëshirat për pushime luksoze.

Platforma vuri në dukje se 62% e turistëve treguan se rritja e kostove të jetesës do të kufizonte shpenzimet e tyre të udhëtimit për vitin 2024.

“Booking.com” tha se 50% e pushuesve dëshironin të vizitonin një vend ku shpenzimet e jetesës ishin më të ulëta se në vendin e tyre të origjinës.

Vitin e kaluar, ekspertët e udhëtimeve të “Booking.com” sugjeruan që pushuesit mund të zgjidhnin plazhet magjepsëse dhe akomodimet mahnitëse buzë detit në Shqipëri.

Vendi ballkanik, i vendosur midis Malit të Zi dhe Greqisë, ofron pushime mesdhetare me një kosto shumë më të ulët krahasuar me destinacionet e tjera në rajon.

Në mënyrë specifike, “Booking.com” e përcaktoi qytetin bregdetar të Vlorës si një nga zgjedhjet e tyre kryesore për vitin 2025.

Xhevahiri i Ballkanit, Shqipëria është destinacioni më i mirë për një arratisje në plazh – falë ujërave të kristalta, maleve mbresëlënëse dhe përballueshmërisë për të gjithë turistët.

“E fshehur në jugperëndim – perla e Shqipërisë, Vlora – është pika e fillimit të Rivierës Shqiptare dhe një bazë e shkëlqyer për udhëtime rrugore për të eksploruar vijën bregdetare me diell.

Vlora është shtëpia e disa prej plazheve më të bukura të Shqipërisë, bregdeti i mahnitshëm u ofron vizitorëve plazhe të ngjashme me Maldivet.

Rreth 43% e turistëve britanikë kërkojnë pushime luksoze me më pak kosto.

Ndërsa nuk ofrohen ende fluturime direkte për në Vlorë, aeroporti më i afërt është afërsisht dy orë larg me makinë në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Ekziston gjithashtu një mori fluturimesh me çmime të përballueshme që ju çojnë direkt nga Britania e Madhe në Shqipëri – sigurohuni që të eksploroni opsionet më të mira që i përshtaten nevojave tuaja.

Marrja me qira e një makine është një mundësi më e përshtatshme për të arritur në Vlorë pasi të mbërrini në Shqipëri.

Gjithashtu, shërbime transporti ofrohen nga autobusë që operojnë midis Aeroportit të Tiranës dhe Vlorës.

Por vizitorët që duan të eksplorojnë kryeqytetin, mund të marrin një autobus nga terminali i autobusëve në qendër të qytetit.

Për shkak të popullaritetit të saj, ka një mori opsionesh në dispozicion për turistët që dëshirojnë të qëndrojnë në Vlorë.

Qyteti i bukur bregdetar ofron akomodime që fillojnë nga 47,87 paund dhe hotele me pesë yje që fillojnë nga 189,06 paund nata./atsh/

❌
❌