TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot në lidhje me situatën nga zjarret në vend. Gjatë orëve të fundit të sipas Ministrisë së Mbrojtjes janë evidentuar 30 vatra zjarri.
Vatrat e zjarrit janë aktive në qarqet Vlorë, Lezhë, Dibër, Berat, Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Elbasan, Shkodër dhe Kukës.
Qarku Vlorë
Bashkia Finiq – Zjarri ka kaluar në fshatin Krane, njësia administrative Mesopotam. Kjo vatër është përballë Syrit të Kaltër. Në këtë zonë janë problematikë fshatrat Krane, Krongj dhe Leshnicë e poshtme. Në terren po operojnë 3 mjete zjarrfikëse me 12 efektivë të MZSH Finiq, të ndihmuar nga FA me 4 mjete zjarrfikëse dhe 30 fefektivë të FA, 1 grup FNSH. Në këtë zonë ka operuar edhe Helikopteri i Forcës Ajrore të FA si dhe 2 avionë grekë PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak.
Parku “Rëzom” – maja e Lucës, njësia Vergo – Terren i thyer, e pamundur ndërhyrja me mjete tokësore. Në vendngjarje punonjës të AdZM.
Bashkia Himarë – fshatrat Bolenë dhe Tërbaç – Zjarri në pyll me pisha. Në terren: 3 mjete zjarrfikëse, 10 efektivë MZSH Himarë e Vlorë, forca vullnetare dhe 20 efektivë të FA.
Fshati Lukovë – Të angazhuar në operacion 3 mjete zjarrfikëse me 11 efektivë MZSH Himarë e Sarandë, avioni “Canadair” kroat, 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë MZSH Fier.
Fshati Ninat, bashkia Konispol – Zjarri me drejtim nga fshati Bistricë. Në terren 2 mjete dhe 19 punonjës.
Qarku Lezhë
Fshati Malaj i Epërm, bashkia Mirditë – Zjarri izoluar, në monitorim nga 6 efektivë MZSH, 6 forca pyjore, 17 forca bashkiake, 2 vullnetarë.
Fshati Kolsh, bashkia Lezhë – Zjarr në sipërfaqe pyjore, 2 mjete zjarrfikëse Lezhë dhe 1 nga Mirdita.
Qarku Dibër
Mali i Allushit, bashkia Klos – Zjarri është nën kontroll, digjen trungje brenda vatrës. Po punohet nga 6 efektivë MZSH dhe 1 mjet zjarrfikës.
Mali i Kovashicës, bashkia Bulqizë – Vatra në monitorim nga 2 mjete zjarrfikëse me 7 efektivë MZSH.
Fshati Kabe, bashkia Dibër.Vatra e zjarrit po zhvillohet në sipërfaqe me shkurre, ferra, barishte dhe bimësi të ulët, në kah të fshatit. Në terren janë angazhuar 1 mjet zjarrfikës dhe 6 efektivë zjarrfikës.
Qarku Berat
Vijon zjarri në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike. Zjarri ka kaluar mbi ujësjellësin, pranë një grupi banesash dhe pranë qytetit tek Azili i të Moshuarve. Situata është përkeqësuar në fshatin Plirëz, Poliçan dhe po evakuohen banorët. Në vendngjarje po punojnë MZSH Poliçan 3 mjete, 15 efektivë dhe 2 mjete, 10 efektivë Berat, 60 forca të ushtrisë si dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të policisë. Në mbështetje të situatës është edhe helikopteri i Forcës Ajrore.
Fshati Rehovë, bashkia Poliçan – Zjarr pranë banesave, një banesë dykatëshe ka marrë flakë. Po kryhet evakuim.
Fshati Backë, bashkia Skrapar – Po punohet për shmangien e rrezikut për banesat.
Qarku Tiranë
Mali i Bërzhitës, bashkia Tiranë, po punohet për shuarjen e zjarrit.
Fshati Stërbeg, bashkia Rrogozhinë – Forcave zjarrfikëse vendore u janë bashkuar edhe përforcime nga Peqini.
Fshati Okshtun, bashkia Rrogozhinë – Zjarri në sipërfaqe me shkurre e ferra është vënë nën kontroll. Po punohet për shuarjen e plotë të vatrës.
Fshati Peqinaj, bashkia Kavajë – Avioni “Canadair” kroat në operim.
Fshati Hajdaraj, bashkia Kavajë – Drejt shuarjes, angazhuar 1 mjet dhe 7 forca.
Zona Arbanë, bashkia Tiranë. Zjarri ka marrë përmasa, por aktualisht, në terren po veprojnë 20 forca zjarrfikëse me 6 mjete, të mbështetura nga 8 forca të APR-së, 8 forca të Policisë Bashkiake si dhe 5 forca të Policisë së Shtetit. Në këtë vatër zjarri ka shkuar edhe një helikopter “Canadair” kroat.
Qarku Durrës
Mali i Krujës, bashkia Krujë, pati riaktivizim të zjarrit në pyll pishe, 15 forca operacionale dhe mbështetje nga policia gjatë aksionit për shuarjen e vatrës.
Fshati Barkanesh, bashkia Krujë. Terreni vështirëson punën.
Qarku Gjirokastër
Rreziku nga zjarri ka kaluar në fshatin Lekël të Tepelenës, pa shkaktuar pasoja për banorët apo banesat e tyre.
Zjarri vijon të jetë aktiv në dy drejtime: poshtë fshatit, në drejtim të fshatit Hormovë, si dhe lart, në faqen e malit të Golikut.
Forcat zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura janë të angazhuara në terren dhe po punojnë me intensitet për izolimin e vatrës së zjarrit.
Qarku Elbasan
Në fshatrat Mukaj dhe Sojnik, Bashkia Gramsh. Në terren MZSH Gramsh dhe 25 efektivë të FA.
Qyteti Cërrik – Është arritur të izolohet zjarri në shkurre. Po mbahet në monitorim nga 20 efektivë e 2 mjete zjarrfikëse.
Fshati Hotolisht, bashkia Librazhd. Forcat po punojnë me intensitet për të shmagur rrezikun për banesat.
Qarku Shkodër
Zona Koderboks, bashkia Shkodër. Monitorim nga forcat e pyjores dhe zjarrfikësit.
Fshati Stajkë, bashkia Vau Dejës. Era favorizon flakët, 1 mjet zjarrfikës në terren.
Qyteti Pukë – Situata në kontroll. Në terren janë 2 mjete zjarrfikëse dhe forca policore.
Fshati Xath, bashkia Fushë-Arrëz. Situata është e vështirë dhe zjarri ka marrë përmasa. Po evakuohen banorët.
Qarku Kukës
Fshati Gegaj, bashkia Tropojë – Pa rrezik për banesat. Të angazhuara janë 7 forca MZSH, 15 pyjore, 1 emergjenca civile, 18 forca bashkiake, policë dhe 20 vullnetarë.
Mjete ajrore që kanë operuar sot: 1 “Canadair” (Kroacia), 2 avionë PZL (Greqi), 1 “Black Hawk” (Republika Çeke), 1 “Black Hawk” (Sllovakia), 2 “Black Hawk” (Forcat e Armatosura të Shqipërisë).
Pritet të operojnë edhe 2 “Black Hawk” nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
/m.q/r.e/
The post Ministria e Mbrojtjes: Gjatë orëve të fundit 30 vatra zjarri aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.