Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 July 2025Main stream

Të shtëna me armë zjarri në Dragodan, raportohet për të plagosur

24 July 2025 at 23:49

Një incident me armë zjarri ka ndodhur të enjten rreth orës 23:30 në lagjen Dragodan të Prishtinës, përkatësisht te Hotel Ador.

Sipas raportimeve fillestare, nga të shtënat ka persona të plagosur, por ende nuk dihet numri apo gjendja e tyre shëndetësore.

Telegrafi ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihen forca të shtuara të Policisë së Kosovës si dhe automjete të emergjencës shëndetësore në vendin e ngjarjes.

Policia është duke hetuar rrethanat e këtij incidenti.

Lidhur me rastin, Telegrafi ka provuar të marrë detaje nga policia, por deri në momentin e publikimit të lajmit, nuk ka mundur të marrë përgjigje.

 

The post Të shtëna me armë zjarri në Dragodan, raportohet për të plagosur appeared first on Telegrafi.

Kur fëmijët bëhen vrasës të prindërve: Ngjarja në Fier, ripërsëritje e skenarëve të krimeve në familje

24 July 2025 at 23:41

Një ngjarje rëndë ka tronditur Fierin sot, teksa një 26 vjeçare, Emanilda Rama ka vrarë babanë e saj, duke e mbytur me një tel.

Në këtë krim të rëndë ajo ka pasur bashkëpunëtore edhe nënën e cila pas vrasjes, ka ndihmuar që të fshihnin gjurmët dhe ngjarja t’i raportohej policisë si aksidentale.

Pasi pranoi krimin në polici vajza tha se e ka vrarë të atin sepse ‘i kishte nxirë jetën, nuk i jepte para, dhe ishte fanatik’.

Por rastet e krimeve të tilla, kur fëmijët vrasin prindërit, për fat të keq, në vendin tonë janë raportuar edhe më parë.

E fundit ishte ngjarja në Shënavlash të Durrësit në 2024, ku tre fëmijët bashkëpunuan për vrasjen dhe zhdukjen e trupit të babait të tyre Pëllumb Meta.

Në shkurt 2024 Ike Sokoli u gjet e vdekur në banesë nga nipi në fshatin Vilë-Bashtovë të Rrogozhinës. 75-vjeçarja humbi jetën nga dhuna fizike e të birit, Ndriçim Sokoli, 35 vjeç, me probleme të shëndetit mendor.

Në vitin 2023, 23-vjeçari Mato Gllucaj organizoi vrasjen e babait të Gjorm të Vlorës, ku në sobën me gaz që e mbanin në oborrin e shtëpisë vendosi eksploziv. Sapo babai Durmish Glluçaj, 56 vjeç, u afrua, djali e shpërtheu lëndën plasëse me mekanizëm elektrik. I riu tha se e vrau të atin e verbër pasi e dhunonte vazhdimisht dhe fillimisht tentoi të fsheh ngjarjen.

Në 2022 Mariglen Muhametaj, 30-vjeç, me probleme të shëndetit mendor, vrau me sende të forta babanë e tij, Qemalin, 73-vjeç, në Greshnicë të Mallakastrës.

Në 2021 Ylber Lezi, 47 vjeç, u vra me sende të forta në shtëpi nga gruaja dhe vajza e tij, Mine Lezi dhe Aida Lezi, 51 dhe 21 vjeçe, në Bulqizë. Lezi ishte përdorues i rregullt i alkoolit, ndërsa gruaja e tij me probleme të shëndetit mendor. Familja jetonin në kushte të mjerueshme ekonomike, ndërsa edhe vajza kishte nisur të shfaqte shenja depresioni.

Në 2020 në Buçimas, pranë qytetit të Pogradecit, 44-vjeçari Olsi Çekiçi, i sëmurë me probleme mendore, pas një konflikt verbal me të ëmën, Firdes Çekiçi, rrëmbeu thikën nga kuzhina dhe e goditur atë. Më pas i preu kokën me kosë dhe ia vari tek porta e shtëpisë me gjakftohtësi. E gjithë ngjarja ka ndodhur në sy të vajzës së mitur të autorit.

Në 2018 Qemal Sela, 26 vjeç, qëlloi me plumba automatiku nënën dhe babanë e tij, Flamur Sela, 55 vjeç, dhe Zeqimete Sela, 50 vjeçe. I riu ishte kthyer një ditë më parë nga Anglia dhe kishte debatuar rëndë me të atin. Dyshimet e hetuesve u lidhën me shkakun se ai nuk kishte sjell para nga jashtë. Në grindje djali u kërkoi llogari prindërve për 2 prona që kishte blerë më herët.

Në 2017 burrë e grua, Ali e Jenie Nika u gjetën të vdekur në derën e shtëpisë në Durrës. Vrasës i të dyve ishte djali Leo Nika, 29 vjeç, i cili pas një debati qëlloi drejt tyre me çifte. Ngjarja në atë kohë dyshohej se ndodhi për shkak të problemeve psikologjike dhe me pijen që kishte i riu.

Në 2016 Ardit Zenelhoxha, 30 vjeç, mbyti me duar nënën e tij Hedije Zenelhoxha, brenda në shtëpi në lagjen “Çlirimi” të Elbasanit. I riu sipas policisë, vuante prej kohësh nga depresioni dhe ishte në vështirësi ekonomike.

The post Kur fëmijët bëhen vrasës të prindërve: Ngjarja në Fier, ripërsëritje e skenarëve të krimeve në familje appeared first on Telegrafi.

“Nëse e kisha pas përballë dhunuesin Dejan Rashiq…”, rrëfen e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës

24 July 2025 at 23:30

Një grua, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka rrëfyer publikisht përvojën e saj të rëndë, duke përballur me guxim traumën dhe pasojat e thella që i kanë ndjekur për vite me radhë.

Ajo ka treguar se ishte dhunuar seksualisht nga një fqinj serb, Dejan Rashiq, i cili asokohe kishte qenë pjesëtar i ushtrisë serbe. Sot, ajo thotë se do të donte ta kishte përballë vetëm për t’i treguar se dhuna e tij nuk e kishte thyer, por e kishte bërë më të fortë.

“Nëse e kisha pas përballë Dejan Rashiqin, i kisha thanë: a po m’sheh mirë tash? M’ke rrah, m’ke dhunu, m’ke malltretu, e sot jam gjallë. Jam gjallë dhe kam me qenë edhe më e fortë. Ku je ti tash? Ma mirë me t’i vra kush fëmijët e tu… Ishalla sa më shpejt hyn prapa grilave me i vuajt pasojat që na i ke shkaktu”, ka thënë ajo me lot në sy dhe zë të dridhur.

Rrëfimi i saj përshkruan skenat tmerruese të ndodhura para fëmijëve të saj, në një shtëpi pa kushte, ku përveç saj ndodheshin edhe fëmijët dhe vjehrra e paralizuar.

“Sa nuk muj me ia përshkru qysh ka ardh ai në shtëpi… para fëmijëve… s’e kam prit me malltretim në shtëpi, me një tub fëmijë, vjehrrën e paralizune, tmerr u kanë!”, rrëfen ajo në RTVDukagjini.

Edhe pse kanë kaluar vite, ajo thekson se drejtësia ende mungon, dhe se ajo vazhdon të presë që shteti të veprojë.

“Nëse del ai prapa grilave, mu m’doket sikur kam lind edhe njëherë”, tha ajo, duke bërë thirrje për ndëshkimin e kriminelëve të luftës.

Në fund, ajo falënderoi Qendrën për Rehabilitimin e Krimeve të Luftës (QRKMT) për mbështetjen shumëvjeçare dhe u dërgoi një mesazh të gjitha viktimave të dhunës seksuale që ende hezitojnë të flasin:

“Ju lutem, ngritni zërin. Flisni me dikë. Ka shoqata që merren me këtë çështje, ka shtet. Mos e mbani mllefin përbrenda, se sëmundja ju ha. Nxirreni dhimbjen jashtë, shëroni veten – se ndryshe nuk mundeni me jetu.”

Rrëfimi i saj është një ndër dhjetëra të tjerë të përfshirë në ciklin e rrëfimeve të të mbijetuarve të dhunës seksuale, që po shpalosin të vërtetën përballë harresës dhe padrejtësisë.

The post “Nëse e kisha pas përballë dhunuesin Dejan Rashiq…”, rrëfen e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 24 July 2025Main stream

Thaçi: Roli i SHBA-së i pazëvendësueshëm, BE-ja po e inkurajon Serbinë të sillet jo mirë me Kosovën

24 July 2025 at 21:56

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nga Haga ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke thënë se qëndrimi i disa shteteve anëtare po i jep Serbisë hapësirë për veprime destruktive.

Në një intervistë për emisionin Rubikon në Klan Kosova, Thaçi theksoi se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë–Serbi është i pazëvendësueshëm.

“Roli udhëheqës i Uashingtonit në dialogun Kosovë–Serbi është i pazëvendësueshëm. Bashkimi Evropian është ende jounik për njohjen e shtetit të Kosovës, duket i përgjumur dhe i vonuar për integrimin e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Shqipërisë dhe Malit të Zi,” deklaroi ai.

Thaçi gjithashtu kritikoi pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke thënë se kjo situatë po e motivon Serbinë të sillet në mënyrë armiqësore ndaj vendit.

“Mosgatishmëria e njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, sikur po e inkurajon Serbinë të sillet jo mirë me Kosovën,” theksoi Thaçi.

Ai aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë, ku po përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

The post Thaçi: Roli i SHBA-së i pazëvendësueshëm, BE-ja po e inkurajon Serbinë të sillet jo mirë me Kosovën appeared first on Telegrafi.

Osmani mohon ndërtimin e ndonjë rezidence personale: Kërkesa është për objekt zyrtar, jo luks privat

24 July 2025 at 21:46

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka hedhur poshtë në mënyrë të prerë pretendimet se ajo ka kërkuar ndërtimin e ndonjë rezidence presidenciale për qëllime personale.

Përmes një reagimi zyrtar, nga zyra e saj është bërë e ditur se asnjanëherë nuk është kërkuar ndonjë objekt me oborr privat, dhoma private apo ndonjë luks tjetër personal.

Sipas njoftimit, plani ideor i shpallur për ndërtimin e objektit të Presidencës nuk ka marrë miratimin e Presidentes, dhe brenda kornizës ligjore, ajo do të kërkojë rishikimin e projektit për t’iu përshtatur nevojave reale të shtetit dhe jo ndonjë interesi personal.

Presidentja thotë se ka kërkuar që të procedohet vetëm me ndërtimin e një objekti zyrtar, që do të shërbejë për takime dhe pritje shtetërore.

Ajo ka theksuar se Kosova është vendi i vetëm në Evropë, ndoshta edhe në botë, ku Kreu i Shtetit nuk ka një ndërtesë të dedikuar për funksionin e tij/saj. Aktualisht, pritjet zyrtare mbahen në sallat e Kuvendit, ku sipas Presidencës, kushtet janë të papërshtatshme, deri në atë masë sa liderët e shteteve mike përballen me erën e kanalizimeve.

Ndërkaq, mungesa e ambienteve për darka apo pritje të nivelit të lartë ka bërë që këto të mbahen në restorante private, çka, sipas Presidentes, është praktikë e pazakontë për një shtet serioz, dhe një turp kombëtar që 26 vjet pas çlirimit, kjo çështje themelore mbetet e pazgjidhur.

Presidentja Osmani ka sqaruar më tej se edhe nëse fillon ndërtimi i objektit zyrtar, përfundimi i tij do të kërkojë së paku 5 deri në 6 vite, që nënkupton se ajo nuk do të përfitojë nga ai objekt gjatë mandatit të saj. Prandaj, çdo pretendim se ajo po ndërton për veten e saj është cilësuar si i pabazë dhe jashtë çdo logjike.

Pa suita personale, vetëm ambiente zyrtare

Zyra e Presidentes thekson se nuk është autorizuar ndërtimi i ndonjë suite apo hapësire private, por janë kërkuar vetëm ambiente pune dhe pritjeje shtetërore — përfshirë një suitë pritjeje për liderët dhe homologët ndërkombëtarë, praktikë e zakonshme në çdo presidencë të vendeve demokratike.

Në përmbyllje të reagimit, theksohet se ndërtimi i një objekti për Presidencën është një domosdoshmëri shtetërore, jo luks personal. Objektivi është garantimi i kushteve dinjitoze pune, sigurisë dhe përfaqësimit të denjë të shtetit të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Ndërtimi i këtij objekti nuk ka të bëjë me Presidenten Osmani, por me institucionin e Presidencës dhe respektin që një shtet i jep vetes dhe përfaqësimit të tij”, përfundon reagimi.

The post Osmani mohon ndërtimin e ndonjë rezidence personale: Kërkesa është për objekt zyrtar, jo luks privat appeared first on Telegrafi.

Gjykata Kushtetuese ua ndalon deputetëve vendimet pas kalimit të afatit 30-ditor

24 July 2025 at 21:41

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj veprimeve dhe vendimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, duke ndaluar çdo aktivitet parlamentar nga data 26 korrik 2025 deri në një vendim të mëtejmë.

Në njoftimin zyrtar, Gjykata thekson se masa është vendosur ex officio, me arsyetimin se çdo veprim pas kësaj date mund të shkaktojë “dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe”.

“Gjykata vlerëson se ekzistojnë rrethana të interesit publik që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore pas zgjedhjeve për Kuvend, dhe për këtë arsye ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi nga ana e deputetëve të zgjedhur pas 26 korrikut është në interes publik”, thuhet në vendimin e publikuar.

Sipas Gjykatës, vendimi është marrë me qëllim ruajtjen e rendit kushtetues dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve të Kosovës, derisa të shqyrtohen kërkesat që kanë sjellë deri te kjo masë.

Ky vendim vjen në një periudhë të ndjeshme politike për vendin, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, dhe pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e konstituimit të institucioneve të reja.

Në vendim tutje theksohet caktimi i masës së përkohshme.

The post Gjykata Kushtetuese ua ndalon deputetëve vendimet pas kalimit të afatit 30-ditor appeared first on Telegrafi.

Avokati Musa thotë se Ministria e Drejtësisë po punon në favor të ZPS-së, e jo për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së

24 July 2025 at 19:39

Avokati Skënder Musa ka thënë se Ministria e Drejtësisë ka ndryshuar udhëzimin administrativ që më herët lejonte sigurimin e fondeve shtesë për mbrojtjen juridike të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me gjykimin në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Sipas tij, fshirja e nenit 11 nga udhëzimi administrativ, nen që mundësonte kërkesa për buxhet shtesë në raste të veçanta, ka rrezikuar seriozisht cilësinë e mbrojtjes në fazën më kritike të procesit.

“Është e tmerrshme që një pushtet shqiptar në Kosovë, një ministri e Drejtësisë që udhëhiqet prej një shqiptari e largon nenin nga udhëzimi administrativ që duhet të paguhen edhe pagesa shtesë që i kërkon mbrojtja në një proces kaq të rëndësishëm për Kosovën. Dhe në këtë fazë që është vendimtare për që të paraqitet mbrojtja më efikase. Është e pamundshme që çdo ekip tjetër të përgatit në fazën përfundimtare të procesit. Dhe të jetë efektive mbrojtja ashtu e siç ka qenë mjaftë e ashpër Prokuroria Speciale në raport me të akuzuarit dhe me mbrojtjen. Dhe në çdo pikë prokurorët special e kanë shfrytëzuar që mbrojtja të duket sa më e dobët”, ka thënë Musa.

Musa ka shtuar se përgjegjësia për këtë situatë bie drejtpërdrejt mbi Ministrinë e Drejtësisë, duke i fajësuar se “kanë punuar në favor të Prokurorisë Speciale dhe jo në favor të mbrojtjes”.

“Pa asnjë dyshim konsideroj që Ministria e Drejtësisë, personat përgjegjës prej ministri deri personat përgjegjës që janë për financa kanë punuar në favor të prokuroria speciale dhe jo në favor të mbrojtjes’”, ka thënë Musa.

The post Avokati Musa thotë se Ministria e Drejtësisë po punon në favor të ZPS-së, e jo për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së appeared first on Telegrafi.

SHBA-ja sheh mundësi për bashkëpunim ekonomik me Kosovën, kërkon heqjen e barrierave

24 July 2025 at 19:37

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se ekzistojnë mundësi të rëndësishme për bashkëpunim ekonomik me Kosovën në disa sektorë strategjikë dhe se heqja e barrierave tregtare do t’i forconte më tej këto lidhje.

“Shohim mundësi për bashkëpunim ekonomik në Kosovë në disa sektorë, përfshirë energjinë, mbrojtjen, infrastrukturën, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, si dhe sigurinë kibernetike. Heqja e barrierave ndaj eksporteve amerikane do të rezultonte me rritje të tregtisë”, tha një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë për REL-in.

“Ne i inkurajojmë sektorët publikë dhe privatë në Kosovë që të vazhdojnë të kërkojnë mundësi ekonomike dhe investime në tregun amerikan dhe që Qeveria të promovojë një mjedis transparent dhe të qëndrueshëm për bizneset amerikane që kërkojnë të zgjerohen në Kosovë”, tha ai.

Ky qëndrim përkon edhe me përpjekjet e Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik me SHBA-në, sidomos pas vizitës së presidentes Vjosa Osmani në Uashington, këtë muaj.

Gjatë takimeve me zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë zëvendëssekretarin e Shtetit, Christopher Landau, ajo tha se u fol për rëndësinë e krijimit të një partneriteti të ri ekonomik, me fokus në sektorët e energjisë, mbrojtjes dhe teknologjisë informative.

Radio Evropa e Lirë mori vesh se temë diskutimi ishte edhe mundësia e bashkëpunimit në sektorin e pasurive minerare.

Ekspertët e ekonomisë e përkrahën këtë vizion, duke nënvizuar se pozicioni gjeografik, fuqia e re dhe e arsimuar e punës, si dhe politikat fiskale konkurruese e bëjnë Kosovën një destinacion tërheqës për investitorët e huaj.

Megjithatë, ata theksuan nevojën për reforma të thella në sundimin e ligjit dhe politikat ekonomike.

“Kosova duhet të angazhohet më tej në forcimin e sundimit të ligjit, në shmangien e veprimeve që mund të rrisin paparashikueshmërinë juridike, si dhe në rritjen e mbrojtjes së investitorëve, përmes përmirësimit të efikasitetit të gjykatave”, i tha Radios Evropa e Lirë më 18 korrik Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Kosova, aktualisht, ka një taksë prej 10% për mallrat e importuara nga SHBA-ja.

Në fillim të prillit, presidentja Osmani kërkoi nga Qeveria e Kosovës pezullimin e saj, pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për tarifë të ngjashme ndaj importeve nga Kosova, por taksa mbeti në fuqi.

Osmani tha, po ashtu, se zyra e saj ka përgatitur një projektligj për heqjen e taksës, por se miratimi i tij varet nga konstituimi i Kuvendit të ri.

Konstituimi nuk ka përfunduar ende, për shkak të mosmarrëveshjeve politike qysh pas zgjedhjeve të shkurtit.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vlera e importeve nga SHBA-ja në vitin 2024 ka arritur mbi 105 milionë euro, ndërsa eksportet kanë qenë rreth 39 milionë euro.

Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve njofton se investimet amerikane në Kosovë gjatë vitit 2024 kapën vlerën prej rreth 87 milionë eurosh.

Zëdhënësi i Ambasadës amerikane në Prishtinë theksoi se stabiliteti dhe siguria në rajon janë kyçe për prosperitetin ekonomik.

Duke cituar zëvendëssekretarin e Shtetit, Christopher Landau, ai shtoi:

“Misionet tona në mbarë botën janë gati të ndihmojnë bizneset dhe investitorët e huaj që të bashkëpunojnë me partnerët tanë amerikanë nga sektori publik dhe privat, për të shfrytëzuar kompanitë tona kryesore, teknologjinë dhe fuqinë punëtore”.

The post SHBA-ja sheh mundësi për bashkëpunim ekonomik me Kosovën, kërkon heqjen e barrierave appeared first on Telegrafi.

AIP publikon raportin gjashtëmujor: 462 ankesa për qasje në dokumente publike dhe 82 për të dhëna personale

24 July 2025 at 19:33

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka publikuar raportin gjashtëmujor të punës për periudhën janar-qershor 2025, duke paraqitur statistika dhe zhvillime të rëndësishme në fushat e transparencës dhe mbrojtjes së të dhënave personale.

Sipas raportit, AIP ka pranuar gjithsej 462 ankesa lidhur me qasjen në dokumente publike. Komunat kanë qenë subjektet më të ankuara, me 137 ankesa, pasuar nga ministritë me 107 dhe sistemi gjyqësor me 23 ankesa. Për shkelje të konstatuara, janë shqiptuar 12 gjoba administrative gjatë kësaj periudhe.

Në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, janë regjistruar 82 ankesa, ku kryesojnë rastet për publikim të të dhënave personale (21 ankesa), keqpërdorim të të dhënave (9) dhe shpërndarje të paautorizuar (5).

Raporti gjithashtu vë në pah përkushtimin e AIP për ndërgjegjësim dhe edukim të aktorëve publikë e privatë. Janë zhvilluar 20 aktivitete informuese dhe trajnime, me pjesëmarrjen e mbi 450 zyrtarëve publikë dhe kontrolluesve, përfaqësues të sektorit shëndetësor, bankar, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave. Nga këto trajnime, 227 pjesëmarrës janë certifikuar.

Një ndër aktivitetet e veçanta ishte punëtoria me gazetarë me temën “Sektori i Mediave dhe Mbrojtja e të Dhënave Personale”, që kishte për synim rritjen e përgjegjësisë në trajtimin e të dhënave gjatë raportimeve mediatike.

AIP thekson se në këtë gjashtëmujor ka qenë në fokus bashkëpunimi me institucionet dhe forcimi i kapaciteteve institucionale, për të siguruar respektimin e të drejtave për qasje në dokumente publike dhe për mbrojtjen e të dhënave personale.

The post AIP publikon raportin gjashtëmujor: 462 ankesa për qasje në dokumente publike dhe 82 për të dhëna personale appeared first on Telegrafi.

Hasani: Kërkesa e presidentes Osmani për Kushtetuesen është e pabazuar dhe e papranueshme

24 July 2025 at 17:34

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka deklaruar se kërkesa e presidentes Vjosa Osmani për vendosjen e një mase të përkohshme dhe sqarim të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit është “qartazi e pabazuar” dhe, si e tillë, e papranueshme nga Kushtetuesja.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani theksoi se vetëm kërkesat e deputetëve të partive politike kanë legjitimitet për t’u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese dhe se çështja e afatit kushtetues dhe pasojave të moskonstituimit të Kuvendit nuk mund të trajtohet përmes një kërkese të presidentes.

“Presidentja nuk ka të drejtë t’i drejtohet Kushtetueses për sqarime të një aktgjykimi. Kërkesa e saj është absurde dhe nuk përmban asnjë konflikt kompetencash, siç pretendon ajo vetë,” u shpreh Hasani.

Sipas tij, vetëm Gjykata Kushtetuese ka të drejtë të përcaktojë nëse një konstituim i mundshëm i Kuvendit pas afatit 30-ditor është kushtetues apo jo, ndërsa veprimet politike – përfshirë caktimin e mandatarit nga presidentja – duhet të vazhdojnë në përputhje me Kushtetutën dhe rregullat në fuqi.

Hasani po ashtu kritikoi Gjykatën Kushtetuese për faktin që në aktgjykimin e fundit nuk ka përcaktuar qartë pasojat juridike të moskonstituimit brenda afatit, duke krijuar kështu një situatë të paqartë juridike dhe politike.

Ai tha se vetëm nëse Kushtetuesja vendos përmes një vendimi të qartë se çfarë pasoja juridike sjell vonesa në konstituim – përfshirë mundësinë e decertifikimit të deputetëve – atëherë procesi do të marrë një drejtim të saktë.

Në fund, Hasani shprehu shpresën se Gjykata Kushtetuese do të ruajë integritetin profesional dhe do të bazohet në arsyetimin e vet në aktgjykimin e fundit për të dhënë një sqarim përfundimtar për afatin 30-ditor dhe të drejtën e partisë së parë për të propozuar mandatarin.

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet për herë të 52-të në përpjekje për t’u konstituar, ndërsa afati i vendosur nga Kushtetuesja për përfundimin e këtij procesi skadon më 26 korrik.

Intervista e plotë KËTU.

The post Hasani: Kërkesa e presidentes Osmani për Kushtetuesen është e pabazuar dhe e papranueshme appeared first on Telegrafi.

U fut për t’u larë me shokun, mbytet 16-vjeçari në Luginën e Patokut

24 July 2025 at 17:29

Një 16-vjeçar ka humbur jetën pasi është mbytur teksa lahej në det me shokun e tij.

Policia tha se ngjarja ndodhi rreth orës 15:00, në lagunën e Patokut, ku dy 16-vjeçarë kanë hyrë për t’u larë në det, duke kaluar përmes kanalit që lidh lagunën me detin.

Ndërsa ishin duke u larë, njëri prej tyre është nxjerrë nga uji dhe është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa 16-vjeçari tjetër dyshohet se është mbytur dhe trupi i tij nuk është gjetur ende.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin dhe të Policisë Kufitare, si dhe është kërkuar ndërhyrja e polumbarëve të Renea-s, për kërkimin dhe gjetjen e trupit.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

The post U fut për t’u larë me shokun, mbytet 16-vjeçari në Luginën e Patokut appeared first on Telegrafi.

Mbahet Konferenca Rajonale e Turizmit në kuadër të projektit ndërkufitar “Udhëtim në Kohë”

24 July 2025 at 17:24

Në një atmosferë të ngrohtë bashkëpunimi dhe dialogu ndërinstitucional, në ambientet e restaurant “Ujana” në Klinë u zhvillua Konferenca Rajonale e Turizmit, si pjesë e projektit ndërkufitar “Rilindja Kulturore nga Liqeni i Shkodrës në Kosovë (Udhëtim në Kohë)”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Konferenca u organizua nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF) në bashkëpunim me Komunën e Klinës, Qendrën për Iniciativat e Turizmit të Qëndrueshëm (CSTI) dhe Organizatën Kombëtare të Turizmit të Malit të Zi (NTO).

Qëllimi i saj ishte promovimi i turizmit kulturor dhe forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Ngjarja mblodhi përfaqësues të institucioneve vendore dhe qendrore, ekspertë të trashëgimisë kulturore dhe turizmit, akademikë dhe organizata të shoqërisë civile nga të dy vendet, duke shërbyer si një platformë për ndarjen e ideve dhe zhvillimin e strategjive të përbashkëta.

Konferenca u zhvillua nën moton: “Forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar dhe zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit kulturor”, duke përfshirë:

Prezentimin e projektit “Udhëtim në Kohë” dhe shtigjeve tematike që lidhen me trashëgiminë kulturore në Kosovë dhe Mal të Zi;

Promovimin e lokaliteteve historike dhe arkeologjike në Klinë dhe në Mal të Zi;

Diskutimin mbi rolin e lokalitetit arkeologjik të Drsnikut si pjesë e zhvillimit lokal turistik;

Prezentimin e Strategjisë së Turizmit të Komunës së Klinës;

Promovimin e produkteve të turizmit kulturor nga NTO e Malit të Zi;

Iniciativa akademike të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë për zhvillimin e kurrikulës së turizmit.

Një nga momentet më të rëndësishme të konferencës ishte prezantimi i produktit të ri të turizmit kulturor-historik “Udhëtim në Kohë”, i cili synon të ofrojë një përvojë gjithëpërfshirëse për vizitorët përmes rrëfimeve të gjalla dhe eksplorimit të destinacioneve me vlerë historike nga të dyja anët e kufirit.

Konferenca u përmbyll me një drekë partneriteti, ku pjesëmarrësit shfrytëzuan mundësinë për thellimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e projekteve të reja të përbashkëta në të ardhmen.

Projekti “Rilindja Kulturore nga Liqeni i Shkodrës në Kosovë (Udhëtim në Kohë)” po zbatohet në kuadër të programit të bashkëpunimit ndërkufitar Kosovë – Mali i Zi, përmes Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA) të Bashkimit Evropian.

Ai ka nisur më 1 mars 2023 dhe do të zgjasë për një periudhë 30-mujore, me synim forcimin e zhvillimit kulturor dhe turistik në rajonet përfituese.

The post Mbahet Konferenca Rajonale e Turizmit në kuadër të projektit ndërkufitar “Udhëtim në Kohë” appeared first on Telegrafi.

Detajet, si u përgjua Veliaj në furgonin e Policisë së Burgjeve?

24 July 2025 at 15:57

“Eri jam. Më merr çikë në Whatsapp tek ky numri”. Thirrja telefonike e bërë në numrin e bashkëshortes së kryebashkiakut Erion Veliaj, Ajola Xoxa, pasditen e 11 marsit, që ishte ndërkohë nën përgjim, ka ngjallur kureshtjen e hetuesve të SPAK.

Gati dhjetë minuta me herët, e njëjta kërkesë ishte bërë në numrin telefonik të vëllait të kryebashkiakut Veliaj.

Hetimi i mëtejshëm zbuloi se telefonuesi ishte kryebashkiaku Veliaj dhe se telefoni i përkiste efektivit të Policisë së Burgjeve, që ishte në autoburg bashkë me të, gjatë shoqërimit nga paraburgimi i Durrësit në Gjykatë dhe anasjelltas. Përdorimi i telefonit të gardianit për 12 thirrje hyrëse e dalës i shtoi akuzën e “futjes së sendeve të ndaluara në burg” Veliajt, e po ashtu vuri nën përgjegjësi penale për të njëjtën akuzë edhe efektivin Fatjon Baci, raporton A2 CNN.

Në deklarimet e tij në SPAK, efektivi ka zbardhur edhe përmbajtjen e bisedave mes Veliajt e vëllait dhe bashkëshortes.

“Erioni më tha, a mund t’i bëja një nder, se donte të merrte vëllain e tij në telefon, pasi ndihej keq. Unë në atë moment kam qenë i prerë dhe ja dhashë telefonin”, ka treguar Baci. Sipas tij, bisedën e parë kryebashkiaku e kishte bërë me vëllain e mandej me të shoqen.

E njëjta kërkesë i ishte bërë nga kryebashkiaku edhe të nesërmen dhe ua kishte dhënë telefonin, nisur nga frika që kishte për shkak të pushtetit dhe personit që përfaqësonte. Në bisedat me familjarët, sipas tij, Veliaj kishte shprehur pakënaqësi për shtyrjen e vendimit. “Kur më ktheu telefonin, ka treguar gardiani, nuk më tha asgjë. As faleminderit”, ka deklaruar gardiani, shkruan A2 CNN.

Ndërsa për ditën e tretë, pas konfirmimit të “arrestit në burg”, në bisedën e radhës, sipas gardianin, Veliaj i ka thënë të vëllait “S’kam ça të them, e kanë personale me mua”.

Në bisedat vijuese, gardiani ka dëgjuar Veliajn t’i thotë familjarëve si plan për shpëtimin nga burgu kandidimin e tij për deputet, siç kishin bërë edhe kryebashkiakë të tjerë si Tërmet Peçi apo një me mbiemër Malaj për t’i shpëtuar SPAK-ut.

“Po ashtu, është shprehur gardiani, gjatë bisedës me gruan ose vëllain, thoshte se Ulsiun e ka nxjerrë ai deputet nga Paskuqani ose Lapraka, por nuk e dinte që mbante anën e SPAK-ut”.

Të mërkurën Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij u morën të pandehur nga SPAK për 4 vepra penale secili, ndërsa për të njëjtën çështje janë marrë të pandehur gati 30 vetë në total, persona fizikë dhe juridikë.

The post Detajet, si u përgjua Veliaj në furgonin e Policisë së Burgjeve? appeared first on Telegrafi.

“Burri në fillim më mirëkuptoi, por pas martesës lindën problemet” – rrëfimi tronditës i të mbijetuarës së dhunës seksuale

23 July 2025 at 23:39

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës ka rrëfyer vështirësitë që akti barbar i kryer nga forcat serbe, i shkaktoi brenda familjes.

Ajo ka bërë të ditur se dy vjet pas dhunimit është martuar. Në fillim, sipas saj, partneri e kishte mirëkuptuar për atë që i kishte ndodhur, por ky qëndrim i tij nuk zgjati shumë.

Problemet, ajo thotë se filluan një vit pas martesës, të cilat kishin çuar deri në ndarje.

“Ai nuk është në Kosovë. Një herë më ka thirrë, se ai ka një femër tjetër, e ka marrë, e ka pasur sa ka qenë në Kosovë, por tash a është me të a jo se di. Një herë më ka thirrë, në momentin që kthehem, më ka thënë ti r*** veç lëshoje Kosovën, kështu me ka thënë”, ka vazhduar ajo rrëfimin.

Pas këtyre telasheve, e mbijetuara e dhunës kishte adresë të parë familjen e saj. Por nga frika prej stigmës, edhe atje u përball me një kërkesë, të cilën e kishte respektuar.

“Iu tregova prindërve pastaj, por thoshin hajt hesht mos ta dinë vëllezërit, mos ta dinë këta tjerët, hesht, hesht, sikur prind, por kot kishte qenë kjo”, përshkruan ajo situatën e vështirë në të cilën ka kaluar.

Fëmijët e saj nuk janë në dijeni për tmerrin nëpër të cilin ka kaluar nëna e tyre, por ajo ka frikë që nëse ata e kuptojnë, mund të sillen sikurse babai i tyre.

The post “Burri në fillim më mirëkuptoi, por pas martesës lindën problemet” – rrëfimi tronditës i të mbijetuarës së dhunës seksuale appeared first on Telegrafi.

Uran Ismaili mban tubimin e parë elektoral në Sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë

23 July 2025 at 23:18

Uran Ismaili ka mbajtur tubimin e tij të parë elektoral në Sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, ku para një numri të madh qytetarësh ka shpalosur vizionin dhe arsyet që e kanë shtyrë të rikandidojë për kryetar të kryeqytetit.

Gjatë fjalimit të tij, Ismaili u kthye te zgjedhjet e kaluara, duke kujtuar porositë që ka marrë nga qytetarët pas humbjes së asaj gare: “Pas fushatës, kudo që më keni pa – edhe ata që më kanë votu, edhe ata që atëherë kanë hezitu, ma keni dhanë një porosi rrugës: ‘Mos u dorëzo’,” tha ai.

Ai theksoi se vendimi për të hyrë sërish në garë nuk ka qenë i lehtë, por është udhëhequr nga besimi i thellë se Prishtina ka nevojë për një mënyrë të re të të bërit politikë – një politikë që vendos qytetarin në qendër.

“Prishtinë, unë nuk jam dorëzu. Ti je një për mu. E unë kam me qenë gjithmonë me ty,” u shpreh Ismaili me tone emocionale.

Duke kritikuar qeverisjen aktuale, ai tha se kryeqyteti është udhëhequr nga një grup i vogël njerëzish, të izoluar në zyra dhe të shkëputur nga realiteti i qytetarëve: “Qytetari i Prishtinës nuk ka qenë në qendër as të investimeve, as të shërbimeve, as të vendimeve.”

Ai premtoi një qeverisje të hapur, të përkushtuar dhe në kontakt të përhershëm me qytetarët: “Askush s’ka me hy mes meje dhe qytetarëve. Do t’i shërbej Prishtinës 24/7.”

Ismaili tha se shpresat që ndjen nga qytetarët e tij i japin motiv dhe përgjegjësi të shtuar për të nxjerrë Prishtinën nga, siç e quajti ai, “kaosi që ka kapluar çdo lagje dhe çdo rrugë”.

Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në këtë rrugëtim të ri: “Bashkë mund ta përfundojmë epokën e zhgënjimit në Prishtinë. Bashkë mund ta ndërtojmë një qytet të pastër, të gjelbër, të sigurt, me mundësi për të gjithë.”

The post Uran Ismaili mban tubimin e parë elektoral në Sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

“Më dhunuan me rend tre policët serbë” – e mbijetuara e dhunës seksuale rrëfen tmerrin gjatë luftës

23 July 2025 at 21:31

Një tjetër histori dhunimi seksual në kohën e luftës në Kosovë po transmetohet në serinë e emisioneve “Heshtja që vret – Klithma e vërtetë e luftës” në Debat Plus.

E mbijetuara e këtij krimi lufte ka rrëfyer se si u mor me dhunë nga forcat serbe derisa bashkë me babanë po e dërgonte nënën e saj te mjeku.

“Ishim së bashku me familje, me një shtëpi dhe ishin edhe disa vetë të tjerë dhe me një mëngjes u keqësua gjendja e nënës, dhe e morëm me babën dhe e dërguam të mjeku. Duke e dërguar të mjeku me tha baba të vishem me tesha, u vesha unë si djalë dhe duke e dërguar të mjeku na ndaluan policia dhe aty me hetuan mua që jam vajzë dhe me morën nga ta”, rrëfen ajo tmerrin fillestar.

Prindërit kishin provuar ta shpëtonin nga duart e tre policëve serbë, por nuk ia kishin dalë.

Ajo ka treguar se policët e maskuar serbë e kishin dërguar në një shtëpi, pas rreth 20 minuta ecjeje në këmbë.

E mbijetuara kishte menduar se ata do ta vrisnin, pa e ditur se po e priste një përjetim i tmerrshëm.

“Më dërguan në dhomë dhe filluan të tre të mi hiqnin rrobat. Njëherë erdhi njëri më dhunoi, pastaj tjetri, të tre rend edhe me kanë lënë aty shtritë, deri ka ardhur babai dhe nënën me kanë marrë. Ndoshta edhe ata janë kanë në tjetrën dhomë apo ku e di unë, se s’kanë treguar kurrë, sepse e kanë pasur dhimbjen time”, vazhdon rrëfimin gruaja e mbijetuar.

Në atë dhomë, ajo kishte qëndruar për rreth tri orë, derisa aty kishin ardhur babai dhe nëna e saj për ta marrë mes lotësh.

Në bisedën e parë me prindërit pas këtij trajtimi çnjerëzor që kishte përjetuar, e mbijetuara ishte përballur me një kërkesë të tyre – që për atë që i ndodhi të mos fliste me askënd.

“Unë rrija vetëm në një dhomë gjithë, nëna rrinte thuajse gjithë me mua. Babai vinte, më përkëdhelnin, ledhatonin, unë qaja, qaja, qaja”, vazhdon tutje rrëfimin e rëndë.

The post “Më dhunuan me rend tre policët serbë” – e mbijetuara e dhunës seksuale rrëfen tmerrin gjatë luftës appeared first on Telegrafi.

Xhevahire Izmaku kandidate e Nismës për kryetare të Vushtrrisë

23 July 2025 at 19:59

Deputetja e NISMA-s, Xhevahire Izmaku, ka bërë të ditur se do të jetë kandidate e partisë së saj për kryetare të Komunës së Vushtrrisë.

Ajo në T7 ka thënë se do t’i hyjë garës për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë të këtij viti.

“Do të kandidoj për kryetare të Vushtrrisë”, ka thënë Izmaku.

Theksojmë se zgjedhjet për kryetar komune mbahet më 12 tetor.

The post Xhevahire Izmaku kandidate e Nismës për kryetare të Vushtrrisë appeared first on Telegrafi.

Kosova kërkon sqarime për ndalimin e Lulzim Halilit, Serbia hesht

23 July 2025 at 19:56

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se ende nuk ka marrë informacione zyrtare nga autoritetet serbe lidhur me arrestimin e shtetasit të Kosovës, Lulzim Halili.

Në një reagim zyrtar, MPJD bëri të ditur se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka tentuar të konfirmojë arrestimin përmes kontaktit me Stacionin Policor në Svilajnac mbrëmjen e 22 korrikut, rreth orës 23:00. Sipas ministrisë, zyrtari policor kujdestar në atë stacion ka refuzuar të japë detaje mbi rastin.

“Sot, më 23 korrik 2025, Zyra Ndërlidhëse i ka adresuar një kërkesë zyrtare Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë dhe me njoftim paralel për Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, për të konfirmuar zyrtarisht arrestimin dhe për të marrë informata shtesë lidhur me rastin. Deri më tani, nuk kemi pranuar përgjigje nga pala serbe,” thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Po ashtu, ministria ka bërë të ditur se ka informuar për këtë zhvillim edhe misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it në Serbi, si dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian.

MPJD thekson se, sapo të konfirmohet nëse Halili do të përballet me masë paraburgimi dhe do të nisë procedura penale ndaj tij, Zyra Ndërlidhëse do të parashtrojë kërkesë zyrtare për vizitë në Qendrën e Mbajtjes ku ndodhet ai.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) tha se emri i Lulzim Halilit, që raportohet se u arrestua në Serbi një ditë më parë, nuk është gjetur në arkivat e veteranëve të luftës e as në listat e disa brigadave të UÇK-së.

Mediat në Serbi kanë raportuar se Halili dyshohet për krime lufte kundër njerëzimit.

Ai pretendohet se ka qenë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ka vepruar në rajonet e Prishtinës, Pejës dhe Gjakovës, si dhe pretendohet se ka marrë pjesë në një sulm ndaj një posti ushtarak jugosllav në Koshare.

Radio Televizioni i Serbisë tha se Halilit i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh dhe më pas ai pritet të dërgohet në prokurorinë përkatëse për t’u përballur me kallëzim penal.

Viteve të fundit, në Serbi janë arrestuar disa qytetarë të Kosovës, të cilët Beogradi pretendon se kanë kryer krime të luftës.

Arrestimi i fundit vjen në kohën e rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, pasi më 18 korrik në Kosovë u arrestua Igor Popoviq, ndihmësi i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale të “nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit”, pasi gjatë një fjalimi në Rahovec e kishte cilësuar UÇK-në si “organizatë terroriste”.

Serbia ka kërkuar lirimin e tij dhe ka paralajmëruar për “pasoja të paparashikueshme”, ndërkaq kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin kalimin përmes Serbisë, pasi ka thënë se ka indikacione për provokime dhe ndalime arbitrare të qytetarëve të Kosovës.

Ndryshe, në Koshare, – në vendin ku Halili akuzohet nga Serbia se ka kryer krime – ishte një post kufitar i Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë, i vendosur në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, në shpatet e Pashtrikut. Më 9 prill 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë, aty shpërtheu një betejë e përgjakshme, që zgjati 67 ditë, mes forcave të ushtrisë jugosllave dhe UÇK-së.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, në betejën e Koshareve u vranë 108 ushtarë të ushtrisë jugosllave, ndërsa sipas zyrtarëve në Kosovë, në këtë betejë janë vrarë 114 pjesëtarë të UÇK-së. Autoritetet jugosllave kishin deklaruar po ashtu se NATO-ja kishte bombarduar zonën e Koshares në maj të vitit 1999.

Beteja në Koshare përfundoi më 14 qershor 1999, kur Ushtria e Jugosllavisë u tërhoq nga Kosova, në përputhje me marrëveshjen që i dha fund bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë së atëhershme.

Fushata ajrore e NATO-s ndaj Jugosllavisë filloi më 24 mars 1999. Sipas NATO-s, ndërhyrja ushtarake u ndërmor për shkak të shtypjes dhe dëbimit të shqiptarëve nga Kosova nga forcat serbe të sigurisë. Kjo fushatë ajrore zgjati për 78 ditë.

The post Kosova kërkon sqarime për ndalimin e Lulzim Halilit, Serbia hesht appeared first on Telegrafi.

Gjini reagon pas arrestimit të katër zyrtarëve komunalë në Gjakovë: Prokuroria të sqarojë për çfarë po akuzohen

23 July 2025 at 19:48

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas arrestimit të katër zyrtarëve komunalë nga Policia e Kosovës, të dyshuar për përfshirje në veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gjini e ka cilësuar këtë veprim si të panevojshëm, duke shprehur besimin e plotë në ndershmërinë dhe profesionalizmin e kolegëve të tij.

Ai ka kërkuar nga Prokuroria që të sqarojë publikisht arsyet konkrete të arrestimit, sidomos për faktin se ngjarja ka ndodhur në një kohë të ndjeshme para zgjedhjeve.

“Jam sinqerisht i befasuar me arrestimin e ish-kolegëve dhe kolegëve të mi. E shoh këtë arrestim si plotësisht të panevojshëm, derisa kjo ngjarje ka shkaktuar shqetësim të kuptueshëm – si brenda institucionit, ashtu edhe në opinionin publik. Jam i bindur në ndershmërinë dhe profesionalizmin e kolegëve dhe ish-kolegëve të mi,” ka deklaruar Gjini.

Policia e Kosovës konfirmoi se katër persona janë arrestuar më 23 korrik 2025 në Gjakovë, me dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sipas zëdhënësit të Policisë, Daut Hoxha, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh me vendim të Prokurorit të Shtetit.

“Policia e Kosovës, konkretisht hetues kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, kanë ndërmarrë veprime hetimore në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga zyrtarë komunalë në Gjakovë. Katër persona të dyshuar janë intervistuar dhe ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit,” tha Hoxha.

Ndaj rastit janë duke vazhduar hetimet për të vërtetuar rrethanat dhe përgjegjësitë lidhur me këtë çështje.

The post Gjini reagon pas arrestimit të katër zyrtarëve komunalë në Gjakovë: Prokuroria të sqarojë për çfarë po akuzohen appeared first on Telegrafi.

Mërgimtarët në masë vijnë përmes Serbisë, injorojnë thirrjet

23 July 2025 at 19:44

Vetëm në tri ditët e fundit, nga pikat kufitare në Lindje dhe Veri kanë hyrë afro 90 mijë persona, të cilët kryesisht janë mërgimtarë që kalojnë përmes Serbisë për në Kosovë.

Përkundër thirrjeve që të mos kalohet në këto pika, ata thonë se ose nuk i kanë dëgjuar ato, ose që në të kaluarën nuk kanë pasur probleme.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin udhëtimet drejt territorit të Serbisë, sepse ka indikacione për provokime dhe ndalime arbitrare nga autoritetet serbe ndaj qytetarëve tanë”, ka thënë Albin Kurti, në konferencë për media më 21 korrik 2025.

Këtë thirrje kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e bëri në konferencën e fundit, e ndër të rrallat që ka bërë në këtë kohë.

Por, kosovarët kryesisht nga mërgimi, megjithatë në masë të madhe vazhdojnë të vijnë pikërisht rrugëve të njëjta – duke kapërcyer përmes Serbisë.

RTVDukagjini kërkoi nga Policia e Kosovës numrin e qytetarëve që kanë hyrë në territorin e Kosovës në dy muajt e fundit.

Por, brenda ditës ata nuk arritën të sigurojnë këto të dhëna dhe dërguan shifrat e qytetarëve që kanë hyrë nga e diela e kësaj jave.

Të dielën e kaluar, në total nga pikëkalimet me Serbinë në lindje dhe veri, kanë hyrë 33,417 persona.

Të hënën, 29,561 persona, siç thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, vetëm 24 orë më parë, në total 26,068 qytetarë kanë hyrë në Kosovë.
Daljet janë dukshëm më të vogla.

E qytetarët që vinin këtë të mërkurë nga pika kufitare në Merdare, patën qëndrime të ndryshme. Disa nga ta thanë se nuk po vlerësohet mjaftueshëm rrezikshmëria nga ta.

“Më së pari, ata që janë të pa vetëdijshëm hinë, se ata që janë të vetëdijshëm… po, është njeriu i pa vetëdijshëm, s’ka pas rrezik më herët, edhe e sheh si qytetar, si faqe nuk i pëlqen, edhe e arreston”, ka thënë Milazim Bajgora, Mërgimtar nga Gjermania.

Ka nga ata të cilët thonë se thirrjet që të shmanget kalimi nëpër Serbi, nuk i kanë dëgjuar.

“Me thanë të drejtën, unë i përcjelli lajmet kohët e fundit, edhe punoj në mbramje edhe nuk i kam përcjellë shumë, amo të shqetësuar jemi gjithë herat, amo kështu kaluam mirë, nuk u kanë keq diçka”.

“Kisha apelu valla mos me i ra knej, me i ra për Shqipëri andej, pa më gjatë amo, mos me rreziku veten as familjen e vet, shumë problem, këta edhe i lënë me qëllim kapak me hi njëherë-dyherë edhe tani e arreston”.

Në mesditë, gjatë kohës sa qëndroi ekipi i Dukagjinit në pikëkalimin kufitar të Merdares, nuk pati kolona të gjata dhe pritjet ishin të shkurta, siq ishte gjendja edhe në pikat e tjera, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

The post Mërgimtarët në masë vijnë përmes Serbisë, injorojnë thirrjet appeared first on Telegrafi.

❌
❌