Me rastin e 15-vjetorit të opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, ish-ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni ka kujtuar zhvillimet dhe sfidat që i paraprinë këtij vendimi historik.
Hyseni përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka theksuar se ky opinion mbetet një nga arritjet më të rëndësishme diplomatike të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, duke i dhënë legjitimitet ndërkombëtar aktit të 17 shkurtit 2008.
“Sot, 22 korrik 2025, bëhen 15 vjet nga dita e konfirmimit të pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që mbetet fitorja më e madhe diplomatike e vendit tonë pas shpalljes së pavarësisë”, ka shkruar Hyseni
Ai ka shtuar se ndihet krenar që e ka koordinuar procesin dhe e ka përfaqësuar Kosovën.
Për më shumë lexoni të plotë postimin e tij:
Sot, 22 korrik 2025, bëhen 15 vjet nga dita e konfirmimit të Pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që mbetet fitorja më e madhe diplomatike e vendit tonë pas shpalljes së pavarësisë.
Ndjehem krenar që e kam koordinuar gjithë procesin dhe e kam përfaqësuar Republikën e Kosovës pranë GJND-së. Prandaj në këtë përvjetor do të ndalem pak më gjatë te rrethanat që i paraprinë kësaj ngjarje historike.
Më 22 korrik 2010, u rikonfirmua besimi që kishim artikuluar në mënyrë konsistente në drejtësinë ndërkombëtare, sikundër edhe besimi i thellë në forcën dhe substancën e argumentit tonë në të dyja fazat e procesit.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, më 22 korrik 2010, me një votë bindëse prej 10 me 4, erdhi në përfundim “se deklarata e Pavarësisë së Kosovës e miratuar me 17 shkurt 2008 nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”. Ky Mendim i Gjykatës ishte konfirmim dhe afirmim i qëndrimit të Kosovës dhe argumenteve ligjore përgjatë gjithë procesit këshillëdhënës. Pra mendimi nuk lë asnjë dyshim se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte dhe është legjitime dhe në harmoni me të drejtën ndërkombëtare.
Gjykata poashtu ishte e qartë edhe në lidhje me Rezolutën 1244 të KS të KB: “Deklarata e pavarësisë nuk ka shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244(1999)” thuhet aty duke dhënë arsyetim të drejtpërdrejt: Rezoluta 1244 e KS të KB “ishte në thelb e dizenjuar për të krijuar një regjim të përkohshëm për Kosovën …. Rezoluta nuk ka përmbajtur ndonjë dispozitë që merret me statusin final të Kosovës”. Prandaj, ekzistenca e Kosovës si shtet sovran nuk mund të shkelë rezolutën 1244 të KS të OKB-së.
Vetëm pak muaj pas shpalljes së pavarësisë, me 8 tetor 2008, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, në sesionin e saj të 63-të aprovoi Rezolutën 63/3. Request for an advisory opinion of the International Court of Justice on ëhether the unilateral declaration of independence of Kosovo is in accordance with international laë (Këkresë për një mendim këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) rreth “Pajtueshmërisë me të Drejtën Ndërkombëtare të Shpalljes së Njëanshme të Pavarësisë së Kosovës’
Pra, pas më pak se tetë muajsh nga shpallja e pavarësisë, Kosova u gjend përballë mbase sfidës më të madhe diplomatike e ligjore deri atëherë.
Projekt-rezoluta serbe u paraqit nga ministri i jashtëm seb Vuk Jeremiç. Ajo u aprovua me 77 vota Për, 6 Kundër dhe 74 Abstenime. Nga shtetet që tashmë e kishin njohur Kosovën, kundër rezolutës u deklaruan vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria, si dhe katër shtete te vogla nga Paqësori. Aprovimi i Rezolutës 63/3 në tetor 2008 në OKB, pra vetëm pak muaj pasi kisha marrë detyrën e ministrit të parë të jashtëm të Republikës së Kosovës, mua më kishte vënë para një sfide, sipas shumëkujt atëherë, të papërballueshme. Isha në OKB ditën e aprovimit të rezolutës dhe ndonëse zhgënjimi im ishte i madh, vendosa që nga e para ta marr me optimizëm dhe besim. E vlerësoja me rëndësi që medialisht të shpërthenim. Isha në qendër të interesimit të medias së akredituar në OKB. Interesimit të madh të medias, nga e para iu qasa me pozitivitet. Deklarata ime e parë pas aprovimit të rezolutës serbe ishte e prerë dhe e vendosur, “Kam besim të plotë në drejtësinë ndërkombëtare dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, si organ kryesor juridik i OKB-së. Në të njëjtën kohë kam besim të palëkundur në forcën e argumenteve që do të paraqesim në Gjykatë posa procesi të filloi”, theksoja me plot vetëbesim derisa po u drejtohesha gazetarëve të shumtë në hollin e ndërtesës së OKB-së në Nju Jork.
Dy ditë më vonë u ktheva në Prishtinë. Koha ishte shume e shkurtë. Menjëherë duhej të fillonin përgatitjet për procesin në GJND. Kërkova takim te Presidenti Fatmir Sejdiu. I sugjerova që në takim ta ftonte edhe kryeministrin Thaçi. Duhej urgjentisht të emërohej një koordinator, i cili do të koordinonte dhe organizonte mbrojtjen si dhe do ta përfaqësonte Kosovën para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Me Presidentin dhe Kryeministrin biseduam gjatë. Përmendëm edhe emra të mundshëm që kishin edhe përgatitje profesionale. Ndodhi ajo që unë realisht nuk e prisja. Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Thaçi më ngarkuan mua me detyrën e koordinatorit dhe përfaqësuesit të Kosovës në procesin e GJND-së.
Për hir të së vërtetës, më duhet të them se në Kosovë ato ditë çuditërisht mbisundonte bindja se gara në GJND ishte apriori e humbur.
Kishte shumë pak njerëz, qoftë në institucione, qoftë në komunitetin juridik, qoftë në shoqëri civile që besonin se Kosova do të fitonte në GJND. Rrjedhimisht nuk kishte shumë interesim nga askush që të merrte “pataten e nxehtë në dorë.” Pra më shumë kishte një kureshtje se kujt po i lihet në dorë ‘patatja e nxehtë.” Madje edhe ministra në qeveri, pa asnjë takt dhe përgjegjësi për fjalën publike, deklaronin ato ditë se në variantin me të mirë vendimi i GJND-së do të jetë “as mish as peshk!!!.”
Duke i hetuar të gjitha këto, ndjehesha thellësisht i zhgënjyer me mosbesimin që po shfaqej në forcën e argumentit të një shteti dhe populli i cili po luftonte për vet ekzistencën, lirinë dhe qenien e vet.
Pavarësisht mosbesimit që gjithandej shfaqej si dhe skepticizmit nëse Kosova do të fitonte, unë e pranova detyrën dhe obligimin që ta përfaqësojë vendin në GJND. Por duke e ditur se ishin pak njerëz që kishin besim në suksesin e Kosovës, e që rrjedhimisht donte të thoshte që në Kosovë nuk kisha shumë aleat, sepse pa besim nuk mund të ndjekësh asnjë kauzë, Presidentit dhe Kryeministrit u kërkova që të më lihen duart e lira gjatë gjithë procesit si dhe në përzgjedhjen e ekipit dhe bashkëpunëtorëve. Ishte përgjegjësia më e madhe që kisha marrë në jetën time. Kisha besimin e palëkundur se me punën që do të bënim si dhe me koordimin e ngushtë me shtetet të cilat tashmë kishin deklaruar gatishmërinë të merrnin pjesë ne proces në favor të Kosovës, do të dilnim fitues. Këtë besim vetëm sa e përforcoja gjatë fazave të procesit. Për hir të korrektësisë duhet thënë se edhe Sejdiu edhe Thaçi më kanë ofruar gjithë hapësirën e nevojshme dhe kushtet e nevojshme për punë.
Pa u vonuar, me 15 tetor 2008 i pata dërguar letër Gjykatës, me kërkesën që dhe Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrja në proces. Duke mos qenë anëtare e OKB-së Kosova nuk mund të merrte pjesë meqë GJND ishte organ juridik i OKB-së, por përfaqësimi dhe pjesëmarrja u mundësua si përfaqësues i “Entitetit të Shpalljes së Njëanshme të Pavarësisë”
Përgjigjja nga GJND ishte pozitive. Kosovës i mundësohej pjesëmarrja në të gjitha fazat procesit. Fitorja në GJND u bë e mundshme edhe falë përkrahjes së pakursyer të shumë shteteve që morën pjesë në mbrojtje të Kosovës, SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Austria, Shqipëria, Finlanda, Suedia, Norvegjia, Danimarka, Holanda, Kroacia, Bulgaria, Mbretëria Hashemite e Jordanisë, Arabia Saudite, Bahreini. Me ekipet nga të gjitha këto vende ishim në komunikim dhe koordinim të përhershëm.
Kishim angazhuar një ekip kulminant ekspertësh ndërkombëtarë në krye me Sir Michael Wood, me të cilët filluam të përgatisnim deklaratat, përkatësisht parashtresat me shkrim që duhej dërgua gjykatës. Pas gati një viti, me 1 dhjetor 2009, Gjykata thirri seancën e dëgjimeve gojore (oral hearings). Edhe sot e kësaj dite fjalën time para gjykatës e konsideroj si një ngjarje me peshën më të rëndë të përgjegjësisë në jetën time politike.
Nuk do të ndalem më gjatë në atë se çfarë kishte ndodhur në ndërkohë sepse në mase të madhe është e njohur. Vetëm dua të nënvizoj se Gjykatës iu deshën gati 8 muaj nga seancat dëgjimore para se të dilte me vendimin, përkatësisht mendimin këshillëdhënës përfundimtar me 22 korrik 2010. Vendimi, mendimi këshillues konstatonte në mënyrë eksplicite “se deklarata e pavarësisë së Kosovës e miratuar me 17 shkurt 2008 nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”
Me 21 korrik s’bashku me bashkëpunëtorët e mi, udhëtova për në Hagë për të marrë pjesë në shpalljen e vendimit.
Natyrisht, është krejt e kuptueshme që, edhe përkundër besimit të madh që kisha se fitorja është e sigurt, unë kisha vendosur të jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha postet publike e politike që mbaja në rast se vendimi i Gjykatës do të ishte i disfavorshëm për Kosovën. Për çdo rast, në xhep tashmë mbaja letrën e nënshkruar të dorëheqjes, të cilën do e beja publike në rast se do të dilnim humbës. Askush, përpos njërit nga bashkëpunëtorët e mi të ngushtë nuk e dinte që kisha vendosur të ipja dorëheqje në rast të humbjes.
Të nesërmen, 22 korrik 2010, i shoqëruar edhe nga Ambasadori jonë në Mbretërinë e Holandës Nexhmi Rexhepi, sëbashku me delegacionin ku ishte edhe Sir Michael Wood, u nisa drejt selisë së Gjykatës.
Në ora 10, erdhi ai momenti i shumëpritur. Kryetari i GJND-së Hisashi Owada njoftonte të pranishmit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me një votë bindëse prej dhjetë me katër, kishte konstatuar: “se deklarata e pavarësisë së Kosovës e miratuar me 17 shkurt 2008 nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”.
Kjo seancë e GJND-së po transmetohej live në Kosovë. Përpos i lehtësuar për fitoren monumetale të vendit tim, gëzimi që përjetuan qytetarët e Kosovës, duke pritur në ankth pranë ekraneve televizive shpalljen e vendimit, veç sa nuk më beri të shpërtheja në lot nga emocionet.
The post “Veç sa s’shpërtheva në lot”, ish ministri Hyseni rikujton momentet pas opinionit të GJND-së për Pavarësinë e Kosovës appeared first on Telegrafi.