Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 11 August 2025Main stream

Zjarri në Finiq, shkrumbohen disa shtëpi (FOTOT)

By: V K
11 August 2025 at 10:41

Zjarri që nisi një javë më parë në Dhivër të Delvinës, ka mbërritur mbrëmjen e djeshme edhe në Leshnicën e Poshtme në Bashkinë e Finiqit.

Sipas informacioneve, mësohet se si pasojë e flakëve janë djegur disa banesa, ndërsa zjarri vazhdon drejt Leshnicës së Sipërme.

Në fotot e publikura nga mediat, nga zjarri janë shkrumbuar disa shtëpi.

 

 

Situata në bashkinë e Finiqit, u përkeqësua dy ditë më parë si pasojë e erërave, ku në mbështetje të forcave në terren shkoi helikopteri i Forcës Ajrore.

Në mbështetje të forcave, në Finiq vepron edhe avioni kroat Canadair.

The post Zjarri në Finiq, shkrumbohen disa shtëpi (FOTOT) appeared first on Albeu.com.

Vrasja e trefishtë në Gjilan/ Shpallet në kërkim Mefali Shkodra dhe 2 djemtë e tij

By: V K
11 August 2025 at 10:25

Policia e Kosovës, ka përditësuar njoftimin për rastin e rëndë duke shpallur në kërkim Mefail Shkodrën dhe dy djemtë e tij, Edonis e Engjull Shkodra, si persona të dyshuar për vrasjen e fundit që ka tronditur qytetin.

Këta të tre banues në Gjilan, dyshohet për përfshirje në vrasjen e trefishtë që ndodhi në rrugën “Ibrahim Rugova”.

“Bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të të dyshuarve, kërkojmë bashkëpunim nga qytetarët dhe mediat”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës.

Policia ka publikuar fotografitë e të dyshuarve dhe kërkon nga qytetarët që, në rast se kanë ndonjë informacion lidhur me vendndodhjen e tij, të lajmërojnë autoritetet menjëherë.

“Lajmroni Policinë e Kosovës në stacionin më të afërt policor apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë’’, E-mail: info@kosovopolice.com dhe numrat kujdestarë:192; 03850807001. Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”, thuhet në njoftim.

Rasti i rëndë i së dielës rezultoi me tre viktima të konfirmuara, babë e bir, Selami Hasani dhe Edmond Hasani, të cilët janë argjendarë të njohur në Gjilan, si edhe Abedin Hoxha, ndërsa të dyshuarit janë ende në arrati. Autoritetet po vazhdojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të këtij krimi. /Telegrafi

The post Vrasja e trefishtë në Gjilan/ Shpallet në kërkim Mefali Shkodra dhe 2 djemtë e tij appeared first on Albeu.com.

Shembja me tritol e objektit tre katësh në Vlorë/ Momenti kur turistët dalin në ballkone të tronditur nga shpërthimi (VIDEO)

By: V K
11 August 2025 at 09:54

Mëngjesin e sotëm pavarësisht se është në kulmin e sezonit turistik, Vlora u zgjua nga shpërthimi i kontrolluar nga IKMT i një ndërtimi pa leje.

Shpërthimi i kontrolluar, i kryer në orën 07:30, përfshiu 410 furnela dhe 1.100 metra linearë fitil detonant.

Për arsye sigurie, rruga Vlorë–Orikum u bllokua përkohësisht, ndërsa furnizimi me energji elektrike u ndërpre 15 minuta para operacionit.

Por duket se shpërthimi me 32 kg tritol në pikë të mëngjesit, ka shqetësuar turistët. Në videot e publikuara nga mediat, ata kanë dalë në ballkone të tromaksur.

Duket se shpërthimi ka shkaktuar edhe një ndotje masive rreth zonës bregdetare, ku sasi të mëdha pluhuri janë përhapur./B.news

 

The post Shembja me tritol e objektit tre katësh në Vlorë/ Momenti kur turistët dalin në ballkone të tronditur nga shpërthimi (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Rama publikon pamjet e shembjes së godinës 3-katëshe në Vlorë: Kapitulli i fundit i betejës me ndërtimet pa leje (VIDEO)

By: V K
11 August 2025 at 09:35

Këtë të hënë, kryeministri Edi Rama, ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga shembja e një ndërtese 3-katëshe pa leje në zonën turistike të Radhimës, Vlorë, duke e cilësuar këtë një tjetër hap në betejën kundër paligjshmërisë.

Në postimin e tij në “Facebook”, Rama thekson se përballja me ndërtimet pa leje apo në shkelje të lejeve është një mision që do të çojë përpara deri në fund, për të mbrojtur hapësirat publike dhe për të ndalur shëmtimin e zonave të përbashkëta.

“Dhe me këto pamje nga përballja me paligjshmërinë që lëndon e shëmton hapësirat ku bashkëjetojmë si bij e bija të këtij vendi, e ku do ta shkruajmë me se s’bën kapitullin e fundit të betejës me ndërtimet pa leje apo në shkelje të lejeve, ju uroj një javë sa më të mbarë????️”, shkruan Rama.

 

The post Rama publikon pamjet e shembjes së godinës 3-katëshe në Vlorë: Kapitulli i fundit i betejës me ndërtimet pa leje (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Gjermania e palëkundur në anën e Izraelit/ Merz: Kemi një mospërputhje për veprimet në Rripin e Gazës, por miqësia i përballon edhe mospërputhjet

By: V K
11 August 2025 at 09:27

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka kritikuar planet e qeverisë së Izraelit për marrjen e qytetit të Gazës, duke theksuar se nuk ka ndryshuar qendrimi i Gjermanisë: Republika Federale e palëkundur në anën e Izraelit.

Kancelari Merz, nuk e konsideron aspak kthesë parimore në raportet gjermano-izraelite vendimin e qeverisë, për ndërprerjen e pjesshme të furnizimeve me armë për Izraelin.

“Ne kemi një mospërputhje – dhe kjo ka të bëjë me veprimet ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës. Por miqësia i përballon edhe mospërputhjet”, tha kancelari i Gjermanisë në intervistë për televizionin publik ARD.

Republika Federale prej 80 vjetësh është e palëkundur në anën e Izraelit, tha kancelari: “Në këtë drejtim asgjë nuk do të ndryshojë”.

Merz druan se mund të ketë qindra mijëra viktima

Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Izraelin që ky të mbrohet, theksoi Merz. Por nuk mund të furnizojmë armë për një konflikt, që aktualisht po synohet të zgjidhet vetëm me mjete ushtarake.

Kjo mund të shkaktojë qindra mijëra viktima civile dhe presupozon evakuiimin e qytetit të Gazës në tërësi. “Ku do të shkojnë këta njerëz“?- pyeti Merz. “Këtë ne nuk mund ta bëjmë, nuk do ta bëjmë dhe as unë nuk do ta bëj”.

Të premten (08.08.2025) qeveria gjermane njoftoi, se për një periudhë të papërcaktuar nuk do të furnizojë më Izraelin me armatime, që mund të përdoren në Rripin e Gazës.

Ky vendim ka të bëjë me planet e Izraelit, për të zgjeruar operacionin ushtarak dhe për të marrë qytetin e Gazës.

Ndaj këtij vendimi të qeverisë pati kritika edhe nga Këshilli Qendror i Hebrenjve në Gjermani, por edhe nga vet pjestarë të partisë kristiandemokrate të kancelarit Merz dhe partisë simotër kristiansociale.

Gjithashtu, Merz tha se ka pasur një vendim të kabinetit të sigurisë të Izraelit, për ta “ashpërsuar edhe një herë” konfliktin ushtarak në Rripin e Gazës.

“Ndaj këtij vendimi ka pasur edhe një reagim, për të mos furnizuar më armë, që kanë të bëjnë me këtë konflikt”.

Ky diskutim për një hap të tillë, sipas tij, është zhvilluar prej shumë javësh. Kancelari theksoi, se parimet e politikës gjermane ndaj Izraelit nuk kanë ndryshuar dhe as nuk do të ndryshojnë.

Netanjahu i përmbahet vendimit

Plani izraelit për të marrë qytetin e Gazës, ka ngjallur kritika të ashpra në nivel ndërkombëtar e madje edhe brenda vet Izraelit.

Megjithatë, kryeministri Benjamin Netanjahu, i përmbahet këtij vendimi. Sipas tij, planet e miratuara të natën e së premtes nga kabineti i sigurisë në Izrael janë “rruga më ë mirë, për t’i dhënë fund luftës, dhe rruga më e mirë për t’i dhënë fund shpejt asaj”, deklaroi Netanjahu të dielën (10.08.2025) para gazetarëve.

Duke iu referuar sundimit të Hamasit radikal-islamik në Gazë, Netanjahu bëri të qartë, se nuk ka alternativë tjetër, veçse “ta përfundojmë këtë punë”.

Ai e argumenton këtë me faktin, se grupimi palestinez refuzon të dorëzojë armët. Hamasi nga një sërë shtetesh, ndër to edhe nga Gjermania, klasifikohet si organizatë terroriste.

Planet e reja për një ofensivë kanë si objektiv dy epiqendrat e Hamasit, që ende ekzistojnë në Rripin e Gazës.

Po ashtu, sipas Netanjahut, po shqyrtohen edhe “plane kreative”, për t’i çliruar pengjet, që ende mbahen prej Hamasit.

Netanjahu siguroi, se ai nuk do ta zgjasë luftën. Izraeli do të mundësojë “korridore të sigurta” për “furnizimin dhe shpërndarjen e ndihmave” në territoret palestineze në Mesdhe.

Hamasi më 7 tetor 2023 sulmoi brutalisht rajonin ku zhvillohej një festival pop në jug të Izraelit. Lufta që u shkaktua si rrjedhojë në Rripin e Gazës, ka çuar në një katastrofë humanitare, edhe pse Izraeli vazhdimisht i bllokon furnizimet me ndihma për në territoret palestineze. Hamasi mban nën dhunën e tij rreth 50 pengje nga Izraeli. 20 prej tyre duhet të jenë ende gjallë./DW

The post Gjermania e palëkundur në anën e Izraelit/ Merz: Kemi një mospërputhje për veprimet në Rripin e Gazës, por miqësia i përballon edhe mospërputhjet appeared first on Albeu.com.

Tërmeti me magnitudë 6.1 në Turqi/ Një i vdekur dhe 29 të plagosur, publikohen pamjet nga rrënojat (VIDEO)

By: V K
11 August 2025 at 09:10

Një burrë 81-vjeçar humbi jetën dhe 29 të tjerë u plagosën në një tërmet me magnitudë 6.1 ballë që goditi provincën perëndimore të Balikesir ditën e djeshme, njoftuan autoritetet turke .

Sipas mediave turke, i ndjeri është Nihat Onbas, 81-vjeç, i cili dha frymën e fundit në spitalin ku u dërgua pasi u nxor nga një ndërtesë trekatëshe që u shemb.

Ai shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Hamide, e cila pësoi një frakturë në krah.

Sipas Ministrit të Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, i cili udhëtoi për në qytetin Zenter “asnjë nga 29 të plagosurit nuk është në gjendje të rëndë”.

Në fshatrat përreth Zenter, gjashtëmbëdhjetë ndërtesa, katër shtëpi dhe dymbëdhjetë ndërtesa të braktisura u shembën pa viktima, sipas Ministres së Brendshme Yerlikaya.

Përditësimi i fundit nga Ministria e Shëndetësisë e Turqisë, thotë se nga 29 të plagosurit, 18 janë liruar dhe 11 mbeten të shtruar në spital, ku shumica e tyre janë plagosur ndërsa përpiqeshin të dilnin nga ndërtesat.

 

Enkazdan 1 kişi çıkarıldı; Ekol TV olay yerinde

Sındırgı’da yıkılan binada 2 kişi kurtarıldı, 2 kişiyi kurtarma çalışmaları devam ediyor.

İşte bir vatandaşımızın enkazdan çıkarılma anı.#deprem pic.twitter.com/DXSJ93jKoL

— Ekol TV (@ekoltvv) August 10, 2025

The post Tërmeti me magnitudë 6.1 në Turqi/ Një i vdekur dhe 29 të plagosur, publikohen pamjet nga rrënojat (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Klubi i Serie A ofron 20 milion euro për Mirlind Dakun

By: V K
11 August 2025 at 08:57

Sulmuesi i Kombëtares  Mirlind Daku, po shkëlqen në nisjen e sezonit me Rubin Kazanin dhe kjo nuk ka kaluar pa u vënë re nga klubet e mëdha europiane.

Daku ka shënuar pesë gola dhe ka dhuruar një asist në pesë ndeshjet e para mes kampionatit dhe Kupës së Rusisë.

Sipas Telegrafi, Fiorentina ka nisur kontaktet me Rubin Kazanin për transferimin e 26-vjeçarit.

‘Vjollcët’ po përgatiten për largimin e Moise Kean drejt Arabisë Saudite dhe e shohin Dakun si zëvendësuesin ideal.

Drejtori sportiv Daniele Prade ka zhvilluar biseda edhe me agjentin e lojtarit, Shkumbin Qorrmemeti.

Edhe pse Daku ka rinovuar së fundmi deri në vitin 2029 dhe është lojtari më i paguar i klubit rus (2 milionë euro në sezon pa bonuse), një ofertë prej rreth 20 milionë euro mund të bindë Rubin Kazanin për ta lënë të lirë.

Interesimi i Fiorentinës mbetet i hapur, ndërsa tri javët e fundit të merkatos pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e tij.

Në të kaluarën, Dakun e ka kërkuar edhe Zenit St. Petersburg, ndërsa ka pasur oferta nga Turqia, të cilat i refuzoi për të qëndruar te Rubin Kazan.

The post Klubi i Serie A ofron 20 milion euro për Mirlind Dakun appeared first on Albeu.com.

Zjarr i përmasave të mëdha afër fshatit Sojnik në Gramsh

By: V K
11 August 2025 at 08:42

Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, një vatër zjarri me përmasa të mëdha është shfaqur në afërsi të fshatit Sojnik, pjesë e bashkisë Gramsh.

Sipas banorëve të zonës, zjarri ka përfshirë një masiv pyjor të dendur.

Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse është pothuajse e pamundur, për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së aksesit rrugor.

Zjarri vijon të përhapet me shpejtësi, për shkak të erërave dhe thatësirës që ka përfshirë rajonin në ditët e fundit.

Autoritetet lokale janë në dijeni të situatës dhe kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar nga banorët.

Ende pritet ndërhyrja nga ajri.

The post Zjarr i përmasave të mëdha afër fshatit Sojnik në Gramsh appeared first on Albeu.com.

Shembet një objekt tre katësh në Vlorë, iu vendos 32 kg lëndë plasëse (VIDEO)

By: V K
11 August 2025 at 08:36

Ky është momenti i shpërthimit të një objekti trekatësh në zonën e Radhimës. Prej më shumë se 4 javësh, në mbarë vendin ka nisur aksioni për objektet e ndërtuara në kundërshtim me ligjin.

IKMT në vijim të punës së saj, ndërhyri pak ditë më parë në një objekt tre katësh në zonën e Radhimës, i cili u shemb me tritol.

Për demolimin e këtij objekti janë hapur 410 furnela, janë shtrirë 1,100 metra linearë fitil detonant dhe është planifikuar vendosja e 32 kilogramëve lëndë plasëse.

Ndërkohë që për mbarëvajtjen e procesit në kulmin e sezonit turistik, shpërthimi u krye në orët e para të mëngjesit ku në aksin Vlorë-Orikum qarkullimi u ndërpre, si dhe furnizimi me energji elektrike u ndërpre 15 minuta përpara shpërthimit.

Sipas IKMT, ky objekt buzë detit rezulton pa lejen përkatëse.

 

The post Shembet një objekt tre katësh në Vlorë, iu vendos 32 kg lëndë plasëse (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Aksident me vdekje në Dimal, shoferi largohet nga vendngjarja (EMRI)

By: V K
11 August 2025 at 07:52

Mbrëmjen e djeshme, një aksident ka ndodhur në Dimal, në urën e re mbi lum. Sipas informacioneve, një 57-vjeçare, e cila po kalonte rrugën me delet, është përplasur për vdekje nga një automjet, i cili e ka lënë të shtrirë në rrugë dhe është larguar nga vendngjarja.

Thëllëza Caushi, banore e Dimalit, ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie, që kanë kryer kqyrjen e vendngjarjes, pas identifikimit të kufomës.

Policia konfirmon se janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë përreth vendit të aksidentit, për të identifikuar mjetin që e shtypi dhe shoferin që ndodhej në drejtimin e automjetit.

The post Aksident me vdekje në Dimal, shoferi largohet nga vendngjarja (EMRI) appeared first on Albeu.com.

Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

By: V K
11 August 2025 at 07:46

Sot, më 11 gusht 2025, dollari amerikan, blihet me 82.4 lekë dhe shitet me 83.8 lekë.

Euro, blihet me 96.4 lekë dhe shitet 97.5 lekë.

Franga zvicerane, këmbehet në blerje me 102 lekë, ndërsa në shitje me 103.5 lekë.

Sot, më 11 gusht 2025, dollari amerikan, blihet me 82.4 lekë dhe shitet me 83.8 lekë.

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

 

The post Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro appeared first on Albeu.com.

Temperatura përvëluese/ Parashikimi i motit 11 Gusht 2025, ja sa do të shënojë termometri

By: V K
11 August 2025 at 07:39

Ditën e sotme vendi ynë, do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Moti parashikohet i kthjellët dhe me kohëzgjatje të orëve me diell në të gjithë territorin.

Temperaturat maksimale pritet të regjistrohen në Shkodër dhe Lezhë, prej 42 gradë celcius.

Era do të fryjë me drejtim Veriperëndim-Verilindje me shpejtësi mesatare 6 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare hera-herës do të fitojë shpejtësi 8-12m/s

Deti pritet të ketë valëzim të forcës 1-2 ballë.

The post Temperatura përvëluese/ Parashikimi i motit 11 Gusht 2025, ja sa do të shënojë termometri appeared first on Albeu.com.

Before yesterdayMain stream

Barcelona, sezoni nis me probleme/ Tetë lojtarë nuk janë regjistruar ende për kampionatin

By: V K
9 August 2025 at 15:57

Nga jashtë duket se gjithçka po shkon në mënyrën më të mirë të mundshme, por Barcelona u kthye nga turneu i suksesshëm veror në Azi, ndërsa ka nisur përgatitjet për sezonin e ri të La Liga në kompleksin e saj sportiv.

Por kur mbeten vetëm pak ditë nga ndeshja e parë në kampionat kundër Mallorca më 16 gusht, mediat spanjolle nxjerrin në dritë problemet emergjente që klubi blaugrana duhet të zgjidhë.

Dhe bëhet fjalë për probleme të mëdha, siç është regjistrimi i të gjithë futbollistëve për sezonin e ardhshëm, përfshirë transferimet e verës, Marcus Rashford, Rony dhe Joan Garcia.

Po ashtu, duhet marrë një vendim edhe për Ter Stegen, me portierin dhe kapitenin në një konflikt të hapur me klubin gjatë javëve të fundit.

Të gjitha këto lidhen me problemet financiare që shoqërojnë Barcelonën. Gjatë vitit të fundit ato janë përmirësuar, por jo mjaftueshëm, ndërsa trajneri Hansi Flick ende nuk është i sigurt se cilët lojtarë do të ketë në dispozicion për ndeshjen e parë në La Liga.

Trajnerit gjerman i është shtuar edhe një problem tjetër. Robert Leëandoëski, është dëmtuar në seancën e parë stërvitore në shtëpi dhe është e sigurtë që do të mungojë në transfertën kundër Mallorca.

Ndërkohë, një tjetër çështje pa zgjidhje ka të bëjë me stadiumin “Camp Nou”. Rikonstruksioni i impiantit ka kaluar afatet.

Ai ishte parashikuar të inagurohej më 10 gusht, por në të vërtetë do të hapet vetëm për ndeshjen e dytë të kampionatit dhe me një kapacitet të reduktuar në vetëm 30 mijë tifozë.

Në këtë mënyrë, atmosfera që rrethon kampionët spanjollë në prag të sezonit të ri nuk është aq “rozë” sa duket nga jashtë.

The post Barcelona, sezoni nis me probleme/ Tetë lojtarë nuk janë regjistruar ende për kampionatin appeared first on Albeu.com.

Sulmi ndaj News24/ Reagon Ilir Meta: Akt kriminal i regjimit të “Ramaduros”

By: V K
9 August 2025 at 15:21

Ditën e sotme, policia rrethoi godinën e televizionit News24, duke ndaluar hyrjen e gazetarëve, pasi godina rezulton pronë shtetërore dhe do të përdoret për prodhimin e armëve.

Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar nga qelia Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë, i cili e quan “një akt kriminal të regjimit të “Ramaduros”.

“Akti i sotëm kriminal ndaj fjalës së lirë dhe ndërprerja e dhunshme e sinjalit të televizionit “News 24” është një tjetër veprim tepër i rrezikshëm i regjimit represiv të “Ramaduros”, armik i egër i lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor të shqiptarëve.

Duke dënuar me vendosmëri këtë akt terrori të paralajmëruar ndaj medias së pavarur shpreh solidaritetin tim të plotë dhe të vendosur me gazetarët, të cilët sot janë të rrezikuar më shumë se kurrë për vendin e tyre të punës dhe për lirinë profesionale të ushtrimit me ndershmëri të misionit të tyre për informim të vërtetë dhe të paanshëm.

U bëj thirrje organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare të mbrojtjes së lirisë së shprehjes të reagojnë fuqimisht për të dënuar këtë akt shumë të rëndë që na largon gjithmonë e më shumë nga Europa për ta kthyer vendin dekada pas në kohërat e errëta të diktatures totalitare dhe të izolimit të eger nga bota e qytetëruar”, shkruan Meta.

The post Sulmi ndaj News24/ Reagon Ilir Meta: Akt kriminal i regjimit të “Ramaduros” appeared first on Albeu.com.

Zbardhet ngjarja e plagosjes së 27-vjeçarit në Tiranë/ Policia arreston 3 persona, një në kërkim

By: V K
9 August 2025 at 15:05

Policia e Tiranës, ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në “Zonën e Treshit”, ku 27-vjeçari R. Ç, mbeti i plagosur me armë zjarri në këmbë.

Sipas burimeve policore, konflikti ka nisur për shkak të një borxhi të pashlyer.

Në vijim të hetimeve, janë arrestuar tre persona: B. N., 47-vjeç, A. L., 42-vjeç, dhe I. K., 51-vjeç. Njëri tjetër, me inicialet S. N., 35-vjeç, është shpallur në kërkim.

Tre të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Vrasje me dashje në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”. Ndërsa një prej tyre akuzohet edhe për “Moskallëzim krimi”.

Gjatë ngjarjes, gjatë një konflikti të çastit dhe për motive të dobëta, shtetasit B. N., A. L. dhe S. N. plagosën R. Ç., i cili aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spital. Një person tjetër, G. Sh., 42- vjeç, u dëmtua lehtë me sende të forta.

Policia ka sekuestruar një automjet dhe sende të tjera të kundërligjshme, që dyshohet janë përdorur nga autorët për të ikur nga vendi i ngjarjes.

Puna për kapjen e personit në kërkim dhe gjetjen e armës vazhdon nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Materialet procedurale janë referuar për veprime të mëtejshme ligjore.

The post Zbardhet ngjarja e plagosjes së 27-vjeçarit në Tiranë/ Policia arreston 3 persona, një në kërkim appeared first on Albeu.com.

Sulmi ndaj News24/ Gazetari “shpërthen” ndaj Ardi Veliut: Shok i ‘Escobarit’

By: V K
9 August 2025 at 14:55

Gazetari Armand Maho, ka reaguar ashpër pas agresionit policor ndaj News24, Balkanweb dhe Panorama, mëngjesin e kësaj të shtune.

Sipas tij, ky sulm është goditje ndaj lirisë së medias.

“Kjo është një goditje ndaj lirisë së medias. Mora vesh që në vend të News24 do ndërtojnë një fabrikë armësh. Si nuk gjeti një vend tjetër për tia dhënë Ardi Veliut, atij shokut të Escobarit”, tha ndër të tjera gazetari.

Nën drejtimin e shefit të “KAYO”, Ardi Veliu, policia mësyu godinën e “Focus Media Neës” dhe nxori me dhunë gazetarët jashtë.

Veprimet arbitrare vijuan edhe më tej, duke stakuar energjinë elektrike çka si rrjedhojë ndërpreu sinjalin e transmetimit.

The post Sulmi ndaj News24/ Gazetari “shpërthen” ndaj Ardi Veliut: Shok i ‘Escobarit’ appeared first on Albeu.com.

Fundi i një hakmarrjeje personale

By: V K
9 August 2025 at 14:14

Nga; Andi Bushati

Rreth shtatë vite më parë, pikërisht në të njëjtat mjedise ku sot u turrën forcat e policisë, për të mbyllur televizionin News 24, dhe për të penguar gazetarët të shkonin në punë, Edi Rama hyri si i ftuar i Ylli Rakipit. Ishte koha e kanabizimit të vendit dhe e shpërthimit të skandaleve të para korruptive, që kishin filluar ta gërvishtnin portretin e prijësit të 1 milionë shuplakave.

Me zakonin e tij të përhershëm, për të mohuar realitetin duke sulmuar ata që e vizatojnë atë, ai kishte hedhur në treg termin “kazan”, për të përshkruar ato media dhe gazetarë që nuk i shkonin pas fijes.

Në stilin e tij karakteristik, Rakipi e pyeti nëse edhe pronarët e mediave i konsideronte si të tillë. Shefi i qeverisë përdridhej dhe shmangej për të thënë nëse Sandri apo Vjollca duheshin quajtur kazan.

Radha i erdhi emrit të Irfan Hysenbelliut, pronarit të News 24, Panorama dhe Balkan Web. “Faji i vetëm i këtyre pronarëve është se mbajnë në punë gazetarë si ju” i’u përgjigj ai Rakipit, duke bërë një zgjedhje të qartë mes tij dhe Fanes.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Për një kohë të gjatë që pas ndryshimit të fundit demokratik të pushtetit, mediat e Hysenbelliut e kishin marrë kthesën nga mbështetja për Berishën, në atë për zotin e ri të vendit.

Madje ato kishin përkrahur edhe aksionin e mbylljes së Agon Channel, që ishte një riprodhim mot a mot i skenave të tanishme.

Për këtë shërbim pronari i televizionit dhe mediave të shkruara kishte marrë në këmbim privilegje që nuk mund ti gëzonin të gjithë. Debitor i madh në disa prej bankave të rëndësishme të vendit, flitej se ai riskonte falimentimin.

Me porosi të shefit, disa ministra të qeverisë u angazhuan pranë bankave duke ushtruar fuqinë që jep pushteti për negocimin e peshës së kredive të tij. Lehtësimi për Irfan Hysenbelliun shkoi në miliona euro.

Por ky nuk qe privilegji i vetëm. Me firmën e vet, Edi Rama, lëshoi në plazhin e Golemit, njësoj siç pati bërë për kështjellën e Aleksandër Frangajt, leje abuzive për një hotel të ri tek ish Mak Albania.

Projekti i Prestige Resort, me bekimin e kryeministrit parashikonte zaptimin e rërës së plazhit, ndalimin e qytatarëve të kalonin lirisht përmes saj dhe prishjen e një kondicioni të ruajtur që nga kryeministrat Meksi, Nano, Meta e Berisha që betoni të mos ngrihej mbi nivelin e lartësisë së pishave karakteristike të zonës.

Flitet për të njëjtin vend ku, fotot e bëra publike demostrojnë një orgji ushqimoro-alkoolike mes Edi Ramës dhe Fanes.

Ajo drekë, imazhet e së cilës janë botuar me qindra herë, zhvillohej në të njëjtin vend, ku më pas u pretendua se ishin shkelur kondicionet e lejes së ndërtimit dhe ishin shmangur taksat.

Por, në kohën e dashurisë me botuesin kryeministrit nuk mund ti interesonin detaje të tilla. Ato ishin krejt të pa rëndësishme për sa kohë mediat i shërbenin qeverisë.

Askush nuk di të thotë me saktësi se çfarë ngjau mes tyre që nga koha e lehtësimit të kredive, lejes në Golem dhe fotos së famshme e deri kur ruspat ia behën tek hoteli luksoz, Prestige Resort, për të hequr mbeturinat e shpërthimit me dinamit, gjoja në emër të aksionit për çlirimin e hapsirave publike (çfarë ironie!).

Të vërtetën e dinë vetëm ata të dy, ndonëse disa hamendësojnë se hakmarrja e kryeministrit u nxit nga mbështetja pa leje që mediat e Fokus Grup i jepnin disa prej pjestarëve të skuadrës së tij, në dëm të rivalëve të tyre.

Të tjerë, që pretendojnë se dinë më shumë, flasin për inatin proverbial të Zeusit që në një përplasje telefonike me Hysenbelliun ka lëshuar fjalën “do të shkrij”, pasi ky i fundit me aventurizmin proverbial për të vënë baste me risk, kishte vendosur të mbështeste Lulzim Bashën në zgjedhjet e vitin 2021.

Asnjë nga këto versione nuk është i konfirmuar, me përjashtim të faktit se që nga ajo kohë i gjithë shteti i është vërsulur Irfan Hysenbelliut si një “armiku të popullit”.

Edhe për invadimin e sotëm të bashibozukëve me uniforme, njësoj për hedhjen në erë Prestige Resort para tre vitesh, sërish do të sërviren të njëjtat alibi.

Nga ata që duan, me çdo kusht, ta shohin Edi Ramën si një një diktator liberal, ngjarja nuk do të shihet si një raport i pushtetit me mediat, por si një çështje mospagimi taksash, apo nevoje shtetërore për të marrë një mjedis që i duhet për të prodhuar armë.

Pak rëndësi ka se qeveria Rama ka nxjerrë VKM që i fali me 1 euro pronarëve të mediave pasuri publike, pavarësisht se ajo u ka dhënë atyre godina shkollash për t`u shndërruar në altoporlantë të qeverisë, drama e ndëshkimit të trajektores aventureske të Irfanit, nuk duhet të figurojë askund si problem i shtetit të së drejtës dhe lirisë së fjalës.

Po ashtu sikur vetë Hysenbelliu bëri për rastin Bechetti, shumë gazetarë dhe media të mëdha do të mbyllin sot sytë për goditjen ndaj tij, pa e trajtuar atë ashtu siç është vërtetë, si një hakmarrje personale që buron nga pasionet e njeriu që ka kapur shtetin. Dhe historia do të vijojë të zhvillohet kështu deri sa të pastohet i gjithë ai që pothuajse një dekadë më parë u shpall me bujë si kazan.

The post Fundi i një hakmarrjeje personale appeared first on Albeu.com.

Trump njofton se do të takohet me Putinin më 15 gusht në Alaska

By: V K
9 August 2025 at 13:48

Ditën e djeshme, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi nëpërmjet Truth Social, se “takimi i tij i shumëpritur” me homologun e tij rus, Vladimir Putin, do të zhvillohet të premten e ardhshme, më 15 gusht, në Alaska, duke shtuar se detajet rreth kësaj do të bëhen publike më vonë.

Zyrtarët amerikanë, përfshirë Trumpin, kanë informuar udhëheqësit evropianë dhe zyrtarët ukrainas rreth një plani të ofruar nga Putini, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë në këmbim të lëshimeve të rëndësishme territoriale nga Kievi, sipas zyrtarëve perëndimorë të informuar për këtë çështje.

Plani, të cilin Putini ia paraqiti të dërguarit të politikës së jashtme të Trumpit, Steve Witkoff, në një takim në Moskë të mërkurën, do të kërkonte që Ukraina të lëshonte rajonin lindor të Donbasit – pjesa më e madhe e të cilit është aktualisht nën pushtimin rus – si dhe Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014.

Trump foli dje, të premten, për një “shkëmbim territoresh” të mundshëm midis Ukrainës dhe Rusisë si pjesë e një marrëveshjeje të ardhshme midis dy vendeve ndërluftuese, pa sqaruar se sa larg kanë përparuar negociatat deri në këtë fazë.

“Do të ketë një shkëmbim territoresh në dobi të të dyve, por do të flasim për këtë më vonë”, tha presidenti amerikan në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se çështja “është e ndërlikuar, nuk është vërtet e lehtë”.Po flasim për një zonë që ka luftuar për tre vjet e gjysmë… një pjesë e saj do të rikuperohet”, tha ai, duke shmangur të jetë më specifik.

Trump, i cili kishte pranuar zhgënjimin e tij me presidentin rus në muajt e fundit për shkak të përshpejtimit të konfliktit, dukej më optimist për perspektivën e një marrëveshjeje paqeje të premten.

Dhe ai sugjeroi që fokusi i tij kryesor ishte negociimi i një fundi të armiqësive sa më shpejt të jetë e mundur.

“Udhëheqësit evropianë duan të shohin paqe”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Mendoj se Presidenti Putin dëshiron të shohë paqe dhe Zelensky dëshiron të shohë paqe”.

Ai më vonë shtoi: “Instinkti im më thotë vërtet se kemi një shans për paqe”.

The post Trump njofton se do të takohet me Putinin më 15 gusht në Alaska appeared first on Albeu.com.

Qëlloi me armë gjahu 22 kuaj në Parkun e Llogarasë/ Policia identifikon autorin, nisin hetimet

By: V K
9 August 2025 at 13:13

Ditën e djeshme, një ngjarje e rëndë është rregjistruar në zonën e Llogarasë, ku një tufë me kuaj dhe mushka që i përkisin fshatarëve të zonës së Dukatit, janë sulmuar me armë gjahu, (çifte), duke sjellë vrasjen e 7 prej tyre dhe plagosjen e 3 kafsheve te tjera.

Policia e Orikumit ka identifikuar dhe proceduar penalisht S. M., 55-vjeç, banues në Orikum, i dyshuar për plagosjen me armë gjahu të një kali në territorin e Parkut të Llogarasë.

Fillimisht, dyshohej se ishin dëmtuar dy kuaj të një 46-vjeçari, por verifikimet zbuluan se ishte plagosur vetëm njëri prej tyre.

“Në vijim të dokumentimit të plotë për rastin e referuar në Prokurori, për veprën penale ‘Keqtrajtimi i kafshëve’, ku në territorin e parkut të Llogarasë, fillimisht dyshohej se ishin dëmtuar dy kuaj të shtetasit K. K., 46-vjeç, por nga verifikimet rezultoi se ishte dëmtuar njëri prej tyre, të cilit i ishin shkaktuar disa dëmtime nga armë gjahu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar dhe nisjen e procedimit penal në ngarkim të tij, konkretisht ndaj shtetasit S. M., 55-vjeç, banues në Orikum”, njoftoi policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua, për ekzaminime të mëtejshme, edhe një armë gjahu në pronësi të shtetasit S. M.

The post Qëlloi me armë gjahu 22 kuaj në Parkun e Llogarasë/ Policia identifikon autorin, nisin hetimet appeared first on Albeu.com.

Rrethimi nga Policia/ Reagon “Panorama Group”: Ambientet tona janë zaptuar në mënyrë arbitrare, kemi kontratë qiraje deri në vitin 2033

By: V K
9 August 2025 at 12:52

Pas bllokimit dhe ndërprerjes së aktivitetit mediatik, ka reaguar  shoqëria “Panorama Group” sh.a.        Në reagim thuhet se “Panorama Group” sh.a. ka respektuar në mënyrë të përpiktë të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj Bashkisë së Tiranës dhe zotëron një kontratë qiraje të nënshkruar me ish-Ministrinë e Ekonomisë, e vlefshme deri në vitin 2033.

Në reagim gjithashtu, theksohet se çdo veprim për prishjen e kësaj kontrate pa vendim gjykate është i paligjshëm.

Shoqëria “Panorama Group” sh.a. shton se; ambientet janë zaptuar në mënyrë arbitrare nga Ardi Veliu-shoqëria “Kayo” sh.a dhe policia, duke shkelur, sipas tyre, të drejtat kontraktuale dhe ligjore.

Sipas deklaratës, vendimi i Këshillit të Ministrave nuk përfshin godinën ku ushtron aktivitetin “Panorama Group” sh.a. dhe kjo pronë nuk ka kaluar kurrë në pronësi të “Kayo” sh.a.

Gjithashtu, “Panorama Group” sh.a. thotë se ky akt përbën ndërhyrje të paprecedentë në lirinë e medias, duke bllokuar transmetimin e Panorama TV, Gazetës Panorama dhe Panorama Sport, si dhe duke penguar gazetarët të hyjnë në ambientet e tyre të punës.

““Panorama Group” sh.a. dënon ashpër këtë veprim arbitrar dhe i bën thirrje autoriteteve shtetërore të ndërpresin menjëherë çdo veprim të paligjshëm, të rivendosin të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë sonë mediatike dhe të garantojnë respektimin e Kushtetutës së Shqipërisë, e cila garanton lirinë e medias”, thuhet në reagim.

Deklarata e plotë:

Sot, në orët e para të mëngjesit, ambientet e Shoqërisë “Panorama Group” sh.a. (Panorama TV, Gazeta Panorama, Panorama Sport dhe Panorama) janë bllokuar dhe i është ndërprerë furnizimi me energji elektrike, në shkelje flagrante të ligjit.

“Panorama Group” sh.a. ka respektuar në mënyrë të përpiktë të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj Bashkisë së Tiranës dhe zotëron një kontratë qiraje të nënshkruar me ish-Ministrinë e Ekonomisë, e vlefshme deri në vitin 2033. Çdo veprim për prishjen e kësaj kontrate pa vendim gjykate është i paligjshëm.

Megjithatë, ambientet tona janë zaptuar në mënyrë arbitrare nga z. Ardi Veliu- shoqëria “Kayo” sh.a dhe policia, duke shkelur të drejtat kontraktuale dhe ligjore të “Panorama Group” sh.a. Vendimi i Këshillit të Ministrave, ku z. Veliu pretendon të mbështetet, nuk përfshin godinën ku ushtron aktivitetin “Panorama Group” sh.a. dhe kjo pronë nuk ka kaluar kurrë në pronësi të “Kayo” sh.a.

Ky akt përbën ndërhyrje të paprecedentë në lirinë e medias, duke bllokuar transmetimin e Panorama TV, Gazetës Panorama dhe Panorama Sport, si dhe duke penguar gazetarët tanë të hyjnë në ambientet e tyre të punës. Si pasojë, pasqyrimi i lajmeve penguar dhe pajisjet tona teknike rrezikohen nga mungesa e energjise elektrike.

“Panorama Group” sh.a. dënon ashpër këtë veprim arbitrar dhe i bën thirrje autoriteteve shtetërore të ndërpresin menjëherë çdo veprim të paligjshëm, të rivendosin të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë sonë mediatike dhe të garantojnë respektimin e Kushtetutës së Shqipërisë, e cila garanton lirinë e medias.

The post Rrethimi nga Policia/ Reagon “Panorama Group”: Ambientet tona janë zaptuar në mënyrë arbitrare, kemi kontratë qiraje deri në vitin 2033 appeared first on Albeu.com.

❌
❌