Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 August 2025Main stream

Vlora mes stuhisë dhe reshjeve, largohen turistët me vrap nga plazhet

5 August 2025 at 19:53

Vlora është përfshirë këtë të martë nga një stuhi e fuqishme, e shoqëruar me reshje shiu me intensitet të lartë, duke shkaktuar vështirësi të shumta në qarkullim dhe ndërprerje të aktiviteteve bregdetare.

Reshjet kanë mbuluar të gjithë qytetin, duke detyruar pushuesit të braktisin plazhet dhe të kërkojnë strehim në ambiente të mbyllura.

Kushtet e papritura atmosferike kanë krijuar shqetësim te qytetarët dhe turistët, sidomos në zonat më të frekuentuara gjatë sezonit veror.

Autoritetet lokale ndodhen në terren për të monitoruar nga afër situatën dhe për të ndërhyrë në rast nevoje.

Sipas parashikimeve, pritet që moti të përmirësohet shpejtë.

The post Vlora mes stuhisë dhe reshjeve, largohen turistët me vrap nga plazhet appeared first on Telegrafi.

Emisarja Karen Pierce, bisedon me Kurtin për tensionet Kosovë-Serbi

5 August 2025 at 19:46

Emisarja Speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë bisedë, Dame Karen shprehu shqetësimin e saj për situatën aktuale dhe theksoi rëndësinë e zgjidhjes së çështjeve të hapura përmes Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Ajo theksoi se Mbretëria e Bashkuar pret me padurim pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kosovës në takimet e Procesit të Berlinit që do të mbahen në tetor në Mbretërinë e Bashkuar.

Dame Karen do të zhvillojë gjithashtu një bisedë edhe me presidentin e Serbisë në kuadër të përpjekjeve për uljen e tensioneve dhe vazhdimin e dialogut konstruktiv.

The post Emisarja Karen Pierce, bisedon me Kurtin për tensionet Kosovë-Serbi appeared first on Telegrafi.

Kryeziu kërkon përgjigje nga Osmani: Çfarë keni bërë për ta larguar gjyqtarin serb që rrezikon shtetin?

5 August 2025 at 19:01

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka ngritur katër pyetje publike ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pas vendimit të saj për të tërhequr kërkesën në Gjykatën Kushtetuese më 22 korrik 2025.

Kryeziu, në një reagim të shkruar, tha se këto pyetje janë thelbësore për të kuptuar nëse Presidentja ka vepruar në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese, pas pretendimeve për veprimtari të rrezikshme të gjyqtarit Radomir Laban.

Osmani, në një konferencë për media të martën, tha se vendimi për tërheqjen e kërkesës ishte një reagim i menjëhershëm, pas informacioneve zyrtare të institucioneve të sigurisë që lidhen me aktivitetin e Labanit në vitet 2018, 2021 dhe 2024. Ajo e konsideroi të “absurd” faktin që mbrojtja e rendit kushtetues mund t’i besohej dikujt që, sipas të dhënave të sigurisë, e rrezikon atë.

Në këtë kontekst, Kadri Kryeziu kërkon përgjigje për sa vijon:

A keni komunikuar me Kryetaren e kaluar dhe Kryetarin aktual të Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me këto gjetje të organeve të sigurisë?

A janë këto gjetje të organeve të sigurisë të faktuara mirë, përtej çdo dyshimi të bazuar?

A keni biseduar me anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje?

A keni sugjeruar që, në dritën e këtyre gjetjeve, Gjykata Kushtetuese të nisë procedurën për të rekomanduar shkarkimin e gjyqtarit?

Kryeziu thekson se neni 118 i Kushtetutës ia njeh Presidentit të Republikës kompetencën për të shkarkuar një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, por vetëm me propozimin e dy të tretave të anëtarëve të kësaj gjykate dhe në rastet kur vërtetohet kryerja e një krimi të rëndë apo mospërfillje e rëndë e detyrave.

“Veprimtaria që rrezikon rendin kushtetues, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, konsiderohet krim i rëndë”, thotë ai, duke shtuar se pyetjet e tij nuk janë politike, por të natyrës kushtetuese dhe institucionale.

Në fund, Kryeziu thekson se “opinioni i gjerë ka nevojë për qartësi dhe argumentim të saktë”, sepse, sipas tij, çdo gjë tjetër është veprim që dëmton seriozitetin e institucioneve të Republikës./Telegrafi/

The post Kryeziu kërkon përgjigje nga Osmani: Çfarë keni bërë për ta larguar gjyqtarin serb që rrezikon shtetin? appeared first on Telegrafi.

Kryetari Ilir Ferati promovon Istogun si destinacion turistik dhe investiv: Thesar i paqes dhe mundësive

5 August 2025 at 17:21

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka promovuar Istogun si një nga destinacionet më të veçanta në Kosovë, duke e përshkruar si një vend që bashkon bukurinë natyrore, qetësinë shpirtërore dhe mikpritjen tradicionale me potencialin për zhvillim të qëndrueshëm dhe investime.

Përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, Ferati ka portretizuar Istogun si “një thesar për ata që kërkojnë paqe, frymëzim dhe jetë të shëndetshme”, të vendosur në zemër të Rrafshit të Dukagjinit, buzë maleve të Moknës dhe të Lugut të Butë.

Ai ka theksuar se në çdo stinë, Istogu ofron përjetime unike: pranverën e gjelbëruar si një poezi natyrore, verën freskuese në bjeshkë, vjeshtën plot ngjyra të ngrohta dhe dimrin e bardhë e mikpritës.

Ferati veçoi edhe banorët e Istogut si element kyç të vlerave të kësaj komune – të qetë, punëtorë dhe mikpritës, në harmoni me natyrën.

“Istogu është vendi ku mund të ecësh nëpër shtigje alpine, të pushosh pranë burimeve të freskëta, të shijosh një drekë me specialitetin tonë – peshkun, dhe të kuptosh se jetesa e shëndetshme këtu nuk është luks, por përditshmëri”, ka shkruar ai.

Ferati shtoi gjithashtu mundësitë për investime dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në komunën që ai drejton, duke theksuar rëndësinë e politikave të mençura dhe vizionit afatgjatë për të ruajtur natyrën dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik.

Në fund, Ferati ka ftuar ata që i duan bukuritë natyrore të vizitojnë Istogun dhe të përjetojnë nga afër qetësinë, aventurën dhe mundësitë që ofron ky vend.

“Istogu është vendi ku natyra, qetësia dhe zhvillimi ecin dorë për dore”./Telegrafi/

The post Kryetari Ilir Ferati promovon Istogun si destinacion turistik dhe investiv: Thesar i paqes dhe mundësive appeared first on Telegrafi.

Komuna e Ferizajt premton kompensim për fermerët e dëmtuar nga breshëri

5 August 2025 at 17:13

Komuna e Ferizajt ka njoftuar se do të angazhohet për kompensimin e fermerëve të cilët kanë pësuar dëme në kulturat bujqësore si pasojë e reshjeve të fuqishme të breshërit që goditën rajonin më 4 gusht 2025.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, komuna ka bërë të ditur se drejtori i Bujqësisë, Burim Bajrami, dhe drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, Alberton Sahiti, kanë vizituar nga afër një prej fermerëve të prekur në fshatin Gaçkë, për të parë gjendjen në terren.

“Drejtorët komunal u shprehën se Komuna, përmes Komisionit Profesional, do të bëjë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga breshëri dhe do të angazhohet në kompensimin e tyre për fermerët e dëmtuar në bazë të mundësive buxhetore”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ferizaj është një nga komunat që herë pas here përballet me dëme nga kushtet ekstreme atmosferike, ndërsa autoritetet lokale kanë premtuar vëmendje të shtuar ndaj nevojave të bujqve vendas.

The post Komuna e Ferizajt premton kompensim për fermerët e dëmtuar nga breshëri appeared first on Telegrafi.

“Nga dyshimet për tradhëti tek burgu” – rrëfimi i Sevdin Lajqit për problemet me gruan që e çuan prapa grilave

4 August 2025 at 23:34

Divorci në Kosovë, ashtu si në shumë vende të tjera, shpesh përjetohet si një krizë personale dhe familjare, por në disa raste, pasojat e tij mund të shkojnë përtej konfliktit emocional.

Kjo ndodhi me Sevdin Lajqin, i cili përfundoi në burg si rezultat i përplasjeve të rënda pas ndarjes me ish-bashkëshorten.

Në një intervistë të gjatë për emisionin “Prapa Grilave”, Lajqi rrëfen rrjedhën e një martese që përfundoi në një konflikt të ashpër dhe me pasoja penale.

“Sevdin Lajqi, 50 vjeç. Jam i akuzuar për pengim të zyrtarit policor dhe për kanosje. Jam dënuar me 1 vit e 10 muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë”, ka treguar ai.

Sipas tij, kriza në martesë nisi pas dyshimeve për tradhti bashkëshortore, të cilat u pasuan nga konflikte të shumta dhe një përplasje fizike që përfshiu edhe familjen e ish-bashkëshortes.

Një incident i rëndë ndodhi pranë një stacioni policor në Pejë, ku Lajqi thotë se ndjeki ish-bashkëshorten dhe kumbarin e saj me veturë, duke tentuar të përballej fizikisht me këtë të fundit.

“Edhe një ditë isha te rrethi te OSBE i Pejës, sa e pata pru një kerr prej Italisë nga Alfarome, e qaty isha ndalë kur po e shoh ish-bashkëshorten me atë kumbarën dule dalë prej villave edhe unë po i ndjeki pas me veturë, po deshti Zoti u ndalën tek stacionin i komunikacioni të Policisë i pari që është në Pejë, pak për të rrethit, jo regjional po i komunikacionit që është ku rrijnë specialcat, edhe janë zebrat aty”.

“Ai u ndalë me kerr me kalu këmbësori unë t’i jepi gaz e t’i bi kerrit e e qeli derën ta ze atë ta rrehi edhe ai ik prej kerrit, unë nuk dojsha me u marr me të. Edhe vijnë Policia më kapën më sollën mua por unë nuk e lshojsha janë kanë taksistat kanë kqyrë. Atë e kam rrahur, tash janë ardh Policia kam shku në stacion më kanë gjobitur e kam pranuar veprën se e kam pranuar se e kam bërë, e tash këtë kanosje që ma kanë shkru nuk e di se kë e kam kanosur unë. Pse me më dënu. Kanosjen nuk e di për çka më kanë dënuar ajo po më intereson më së shumti”, ka rrëfyer Lajqi në RTVDukagjini.

Ai thotë se e ka pranuar se ka ushtruar dhunë, por nuk e kupton arsyen përse është dënuar për kanosje: “Kanosjen nuk e di për çka më kanë dënuar, ajo po më intereson më së shumti”.

The post “Nga dyshimet për tradhëti tek burgu” – rrëfimi i Sevdin Lajqit për problemet me gruan që e çuan prapa grilave appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 4 August 2025Main stream

“S’guxon të tregosh kurrë”, Nishori rrëfen për dhunën seksuale që përjetoi gjatë luftës

4 August 2025 at 21:59

Ramadan Nishori, i mbijetuar i luftës në Kosovë, ka ndarë për publikun përvojën e tij të dhunës seksuale në ciklin e emisioneve “Heshtja që vret – Klithma e vërtetës së luftës”.

Nishori kujton ditët e fundit të shtatorit 1998, kur një ofensivë e ushtrisë serbe e detyroi atë dhe shumë të rinj të largoheshin nga Negroci drejt bjeshkëve të Kasmaqit dhe më pas në grykën e Baicës së Drenasit.

Aty, përjetuan një tjetër ofensivë më 27 shtator, ku ushtria serbe e rrethoi zonën dhe ndau burrat dhe djemtë nga gratë në fund të grykës.

“Na kanë hyp nëpër kamiona, na kanë sjell, qysh kanë ditur ata. Edhe na cuan në stacion policor në Drenas. Ish frika pa na çuar në stacion, a po na çojnë në Ferronikel, na vrasin e na djegin në furra. Mendja kah nuk shkon në ato momente. Por na çuan në stacion të policisë…”, ka treguar Nishori.

Ai rrëfen se pas mbërritjes në stacion, pas mesnate, iu nënshtrua testit të parafinës. Pas kësaj, teksa po prite të intervistohej nga policia serbe, një nga policët e stacionit e dhunoi seksualisht në një banjo të objektit, ndërsa i dyti u përgatit për të njëjtën gjë.

Ndërhyrja e një polici shqiptar që shërbente si përkthyes, e shpëtoi Nishorin nga një dhunim i dytë.

“Na shtinen, në garazha të stacionit. Edhe nuk vonoi shumë, pas pak kohe filluan të na marrin me rend. Naj bojshin testin e parafinës, me kqyr a kemi përdoru armë. Tash pasi e bojshin testin, kanë qenë ato zyret, ku na marrin në pyetje. Një (polic) shqiptar ka qenë edhe ai e ka atë ditë rolin e përkthyesit. E njoh me emër e mbiemër…

Pas mesnatës më ka ardh rendi mua. Ma bën testin. U dashke me prit, deri te lirohen dhomat me na marrë në pyetje. Aty kanë ardhur dy polic me uniforma. Edhe me kanë kap zhag, dhe me kanë shti në një banjo. Edhe njani prej tyre më dhunoi”, ka shtuar Nishori.

“Këtu u bë i dyti gati për dhunë. Prej britmave t’mija ka ni ky shqiptari që ka punuar. Edhe ka ardhur edhe më ka nxjerr prej aty. Dhe më ka shti në këto zyret që na merrshin në pyetje”, ka rrëfyer më tej Nishori në Debat Plus.

Pastaj, Nishori tregon se u kërcënua nga policët serbë që të mos tregonte se çfarë i kishte ndodhur.

“Ata që më merrnin në pyetje, policia civile, ia nisën të më kërcënojnë. Më thanë kjo çka ka ndodh kurrë nuk guxon me kallxu. Mua atë ditë nuk më morën në pyetje. Tash unë kur dola i pa rrahur, pse nuk të rrehen ty, këta që ishin jashtë. Tash çka me thënë, nuk mundesha me kallxu kërkujt (për dhunimin). Atë natë kemi nejt aty, vetëm britma kemi dëgjuar, njerëz që dilshin të përgjakur e të llomitur”, ka treguar Nishori.

The post “S’guxon të tregosh kurrë”, Nishori rrëfen për dhunën seksuale që përjetoi gjatë luftës appeared first on Telegrafi.

Kosova pranohet anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale / Arsimin Dual (EAfA)

4 August 2025 at 19:51

Kosova është pranuar zyrtarisht si anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale dhe Arsimin Dual (European Alliance for Apprenticeships – EAfA), duke u bërë vendi i 43-të që i bashkohet kësaj platforme prestigjioze evropiane.

Sipas njoftimit, ky anëtarësim përfaqëson një arritje të rëndësishme për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), e cila ka qenë e përkushtuar në fuqizimin e arsimit profesional dhe përafrimin e tij me kërkesat reale të tregut të punës.

Synimet kryesore të këtij anëtarësimi përfshijnë:

Përfshirjen aktive të sektorit privat në arsimin dual;

Zgjerimin e ofertës për arsimin dual në bashkëpunim me bizneset;

Integrimin e arsimit dual në aftësimin dhe riaftësimin e të rriturve;

Krijimin e Këshillave Sektoriale të Shkathtësive;

Përmirësimin e qeverisjes së shkollave profesionale.

Përmes EAfA-së, Kosova fiton mundësinë të angazhojë organizata të tjera vendore si odat ekonomike, shoqatat sektoriale dhe partnerët socialë në platformë, duke ndërtuar partneritete strategjike me kompani, organizata rinore dhe institucione arsimore në të gjithë Evropën.

EAfA është një platformë gjithëpërfshirëse që nxit praktikat profesionale cilësore dhe efektive, mbështet ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, promovon pjesëmarrjen aktive të praktikantëve në vendimmarrje, dhe forcon angazhimin e autoriteteve vendore.

“Anëtarësimi i Kosovës në EAfA pritet të sjellë mundësi të reja për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit profesional, duke e forcuar pozitën e vendit si një partner serioz që synon cilësinë dhe integrimin në standardet evropiane të arsimit dhe punësimit”, thuhet në njoftim.

The post Kosova pranohet anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale / Arsimin Dual (EAfA) appeared first on Telegrafi.

​Mbyllet një klinikë në veri, inspektorati gjen mangësi të rënda dhe rrezik për pacientët

4 August 2025 at 19:24

Drejtoria e Inspektoratit Komunal në Mitrovicën Veriore, në bashkëpunim me Inspektoratin Sanitar të Ministrisë së Shëndetësisë, ka ndërmarrë masa ndaj një klinike private me licencë, duke e mbyllur përkohësisht atë pas një inspektimi të detajuar në terren.

Gjatë kontrollit, janë identifikuar dhe larguar rreth 30 produkte mjekësore me afat të skaduar, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e pacientëve.

Po ashtu, janë konstatuar parregullsi në sistemin e ventilimit, si dhe mospërputhje në dokumentacion, përfshirë mungesën e noterizimit të disa dokumenteve të rëndësishme, gjë që përbën shkelje të standardeve profesionale dhe ligjore.

Autoritetet kanë bërë të ditur se nesër do të dalin në terren edhe Inspektorati Farmaceutik dhe ai Shëndetësor, për të kryer asgjësimin e artikujve të dyshimtë dhe për të thelluar hetimet rreth funksionimit të klinikës.

Ndërkohë, vijon procedura e rregullt administrative për marrjen e masave ndëshkuese, që përfshijnë edhe pezullimin e mundshëm të licencës, deri në përmirësimin e të gjitha mangësive të evidentuara.

Autoritetet lokale kanë theksuar se veprime të tilla janë të domosdoshme për garantimin e standardeve të sigurisë dhe cilësisë në shërbimet shëndetësore që u ofrohen qytetarëve.

The post ​Mbyllet një klinikë në veri, inspektorati gjen mangësi të rënda dhe rrezik për pacientët appeared first on Telegrafi.

“Për pesë vite, urimin nga Haga e mori vetëm përmes telefonit”, nëna e Hashim Thaçit feston 88-vjetorin

4 August 2025 at 19:18

Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit” ka publikuar një fotografi të nënës së ish-presidentit të Kosovës, Hyrë Thaçi, e cila ka mbushur 88 vjet.

Në postimin e tyre shoqëruar me fotografinë, theksohet pritja emocionale e nënës për urimin e të birit, Hashimit, i cili tash e pesë vjet ndodhet në paraburgim në Hagë dhe e ka uruar atë vetëm përmes telefonatave apo videolidhjeve.

“Nëna Hyrë që mbushi 88 vjet me padurim e priti urimin e djalit të saj, Hashimit, i cili në këto pesë vjetët e fundit e uroi vetëm përmes telefonatave apo videolidhjeve nga burgu i Hagës”, thuhet në njoftim.

Më tej, në postim thuhet se nëna Hyrë nuk është vetëm nëna e një burguari, por nënë e një lideri që ka bërë histori dhe për të cilin krenaria mbetet e palëkundur.

“Ajo është shumë krenare për djalin e saj dhe pret që së shpejti të kthehet në shtëpi e të festojnë së bashku! Liri për çlirimtarët!”, përfundon mesazhi i fondacionit.

The post “Për pesë vite, urimin nga Haga e mori vetëm përmes telefonit”, nëna e Hashim Thaçit feston 88-vjetorin appeared first on Telegrafi.

Kurti me video-mesazh në gjuhën serbe njofton për 121 vende pune të hapura në Ujësjellësin Rajonal “Mitrovica”

4 August 2025 at 19:14

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se janë hapur 121 vende të reja pune në katër komunat veriore me shumicë serbe: Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan.

Në një video-mesazh në gjuhën serbe, të publikuar në Facebook, Kurti ka thënë se këto vende pune janë shpallur nga Ujësjellësi Rajonal “Mitrovica”, i cili tashmë ka krijuar njësitë punuese në këto komuna.

Sipas Kurtit, konkursi për 68 prej këtyre vendeve të punës do të përfundojë më 8 gusht, ndërsa për 53 të tjerat më 19 gusht 2025.

“Ujësjellësi Rajonal ‘Mitrovica’ ka formuar njësitë punuese dhe ka shpallur konkurse për 121 vende pune në komunat: Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan. Konkursi për 68 vende pune mbyllet këtë të premte, me 8 gusht, ndërsa për 53 vendet e tjera mbyllet më 19 gusht,” tha Kurti.

Kurti i ftoi qytetarët e këtyre komunave që të vizitojnë faqen zyrtare të KRU Mitrovica për informata të mëtejshme dhe të aplikojnë për pozitat e hapura: https://www.kru-mitrovica.com/konkurset/.

The post Kurti me video-mesazh në gjuhën serbe njofton për 121 vende pune të hapura në Ujësjellësin Rajonal “Mitrovica” appeared first on Telegrafi.

A mund të vendoset KFOR-i edhe në dy urat e reja që po ndërtohen mbi Ibër?

4 August 2025 at 17:39

Teksa punimet për ndërtimin e urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë po i afrohen fundit, ka shqetësime për funksionalitetin e tyre.

Ka mbetur më pak se një muaj deri në afatin e fundit për përfundimin e punimeve, të paktën ashtu siç ka deklaruar kryeministri ë detyrë Albin Kurti, në vendosjen e gurthemeleve.

Në emisionin FIVE të televizionit Dukagjini, dy njohës të çështjeve juridike dhe të sigurisë, avokatët Shkelzen Sopjani dhe Visar Rrecaj, kanë folur mbi fatin e këtyre urave që priten të lidhin pjesën veriore dhe jugore të qytetit të ndarë.

Sipas Sopjanit, nuk duhet përjashtuar skenari ku në ditën e përurimit të urës, KFOR-i mund të vendosë patrulla në të dhe të lejojë vetëm kalimin e këmbësorëve, njësoj siç ka ndodhur me urën kryesore të qytetit.

Ai shton se KFOR-i mund të dalë me një vlerësim të situatës së sigurisë dhe ta ndalojë qarkullimin e automjeteve, nëse kjo shihet si cenim i sigurisë.

“Nuk përjashtohet mundësia në asnjë rrethanë që KFOR-i në ditën e inaugurimit t’i vendos dy patrulla në urë, dhe të thotë se mund të kalojnë vetëm këmbësorë, sikur në këtë urën kryesore. Pasi që ata mund të dalin më një vlerësim të situatës së sigurisë, që mund të vlerësojnë që qarkullimi  i automjete mund të cenojë edhe sigurinë përgjithshme në atë pjesë”, ka thënë Sopjani.

Në të njëjtën linjë, avokati Rrecaj thekson se ndërtimi i urave në të njëjtën vijë me atë ku ndodhet KFOR-i i vendosur, krijon rrezik të përsëritjes së masave ekzistuese.

“Marrë parasysh qëndrimin e KFOR-it dhe pozitën ku ata janë të vendosur dhe krahasuar me distancën, ku këto dy ura të reja po ndërtohen, që do të thotë janë në të njëjtën vi, në të njëjtin vend. Atëherë ekziston mundësia që KFOR-i të marrë masa të njëjta, t’i lërë të qarkullojnë vetëm këmbësorët. Dhe njëkohësisht t’i mbyll për qarkullim për vetura…”, ka thënë Rrecaj.

Sipas tyre, ndërtimi i këtyre urave është më shumë një veprim simbolik dhe populist sesa një zgjidhje reale.

The post A mund të vendoset KFOR-i edhe në dy urat e reja që po ndërtohen mbi Ibër? appeared first on Telegrafi.

Shaip Kamberi padit Ana Brnabiqin për nxitje të urrejtjes kombëtare e fetare

4 August 2025 at 17:36

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, për veprën penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare.

Sipas Kamberit, kallëzimi penal është dorëzuar bashkë me kolegët deputetë Ahmedin Skrijelj dhe Minela Kalender, pas deklaratave të Bërnabiqit lidhur me protestat e zhvilluara ditë më parë në Novi Pazar.

“Dhe dëgjuam thirrjen ‘Allahu Ekber’ dhe gjëra të tjera të neveritshme”, kishte deklaruar kryeparlamentarja serbe në një konferencë për shtyp, deklaratë që u bë shkak për reagimin e deputetëve.

Kamberi thekson se kjo fjali e Bërnabiqit stigmatizon fenë islame dhe identitetin e shqiptarëve myslimanë dhe të komuniteteve të tjera që ndajnë të njëjtin besim, duke i asociuar ata me diçka “të neveritshme”, “të rrezikshme” dhe “të huaj”, në një shoqëri që, sipas tij, ende nuk është shkëputur nga nacionalizmi i egër i viteve ’90.

“Ky nuk është një veprim politik, por një thirrje për drejtësi”, ka shkruar Kamberi, duke shtuar se gjuha e urrejtjes nuk mund të trajtohet vetëm si çështje politike apo morale, por është mbi të gjitha çështje ligjshmërie dhe drejtësie.

The post Shaip Kamberi padit Ana Brnabiqin për nxitje të urrejtjes kombëtare e fetare appeared first on Telegrafi.

Breshëri dëmton të mbjellat në Gaçkë të Ferizajt

4 August 2025 at 17:21

Reshjet e fuqishme të shiut dhe breshërit kanë përfshirë disa rajone të vendit, Brezovicën, Gjilanin, Ferizajn dhe disa fshatra të Gjakovës.

Në fshatin Gaçkë të Ferizajt, ka shkaktuar dëme të mëdha në prodhimet bujqësore të fermerit Mursel Osmani.

Pamjet nga terreni tregojnë shkatërrim të plotë të kulturave bujqësore, përfshirë speca, shalqinj, pemë frutore dhe perime të tjera.

Ndërkohë, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) njoftoi se reshjet kanë shkaktuar dëmtime në rrjetin elektrik, duke lënë pa energji një numër të konsiderueshëm të konsumatorëve, veçanërisht në rajonin e Anamoravës.

“Ekipet tona janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për të rikthyer furnizimin me energji sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Apelohet që organet komunale, Ministria e Bujqësisë dhe mekanizmat përkatës të reagojnë sa më parë.

The post Breshëri dëmton të mbjellat në Gaçkë të Ferizajt appeared first on Telegrafi.

Zhduket pasagjeri i tragetit, Shqipëria operacion kërkimi nga Kepi i Stillos në grykëderdhjen e Semanit

3 August 2025 at 23:51

Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit në bashkëpunim të ngushtë me Forcat e Armatosura, Policinë Kufitare dhe autoritetet italiane po zhvillon një operacion të gjerë kërkimi për personin e raportuar të zhdukur nga trageti ndërkombëtar “AKKA”.

Mësohet se gjatë gjithë së dielës është kërkuar me intensitet nga Kepi i Stillos në jug, deri në grykderdhjen e Semanit në veri.

Në operacionin e kërkim shpëtimit janë përdorur 1 Dron TB2 i Forcave Ajrore, 1 Helikopter UH-60 i FA (me 3 efektivë), 1 anije patrulluese P05 e Forcës Detare (me 4 efektivë) dhe 1 motor uji (me 2 efektivë). Po ashtu për kërkimin e shtetasit ende të paidentifikuar kanë dalë në det të hapur 4 mjete patrullimi të Policisë Kufitare me gjithsej 13 efektivë.

Operacioni është zhvilluar në koordinim të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, duke ndjekur çdo protokoll të kërkim-shpëtimit në det, por pa rezultat.

Mësohet gjithashtu se operacioni do të vijohet edhe në ditët në vijim, në varësi të zhvillimeve dhe kushteve detare, raporton tch.

The post Zhduket pasagjeri i tragetit, Shqipëria operacion kërkimi nga Kepi i Stillos në grykëderdhjen e Semanit appeared first on Telegrafi.

Brand shqiptar për vajin e ullirit, Ministria e Bujqësisë synon të bëjë bashkë 50 fermerë në një konsorcium

3 August 2025 at 23:36

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u shpreh sot se Qeveria Shqiptare synon ndërtimin e një konsorciumi për vajin e ullirit, duke bashkuar 50 fermerë dhe prodhues të vajit në një brand shqiptar.

Në një takim me autoritetet lokale të bashkive në Berat, përfaqësues të biznesit të vajit të ullirit dhe ekspertë teknikë nga Banka Botërore, Denaj tha se u diskutua për krijimin e konsorciumit të vajit të ullirit “Berati 2400 vjet”.

Sipas Denajt, ky është një financim nga Qeveria Shqiptare, që synon bashkimin e 50 fermerëve prodhues të ullirit dhe vajit të ullirit në qarkun Berat dhe zonat përreth. “Objektivi është krijimi i një brendi shqiptar për një nga produktet më autoktone, prodhim me vlerë, cilësi dhe të bashkuar”, u shpreh Denaj.

Ministrja Denaj tha se në këtë takim u ndanë edhe hapa konkretë për forcimin e bashkëpunimit bujqësor në të gjithë Shqipërinë, me 5 bashki pilot për konsorciume të ngjashme në qarqet Fier, Gjirokastër, Elbasan, Lezhë dhe Vlorë. “Një model bashkëpunimi mes pushtetit vendor dhe fermerëve për të forcuar ekonominë rurale, kapërcyer prodhimin individual dhe garantuar akses më të madh në financim dhe të ardhura për fermerët”, vijoi ajo.

Denaj nënvizoi se të pranishmit u ndalën edhe te Skema Kombëtare e Investimeve 2025, aplikimet e së cilës janë të hapura deri më 30 shtator për investime në sektorin bujqësor me 9 masa mbështetëse.

The post Brand shqiptar për vajin e ullirit, Ministria e Bujqësisë synon të bëjë bashkë 50 fermerë në një konsorcium appeared first on Telegrafi.

“Na mashtruat për Kosovën” – Vuçiq, ndërkombëtarëve: Turp për ju, ju kopilë

3 August 2025 at 23:08

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj bashkësisë ndërkombëtare, duke i fajësuar ata për, siç tha, dobësimin e Serbisë ndërkohë që ndihmojnë shtetet e tjera në rajon të forcohen.

Në një fjalim të mbajtur të dielën, Vuçiq tha se i ishin bërë shumë premtime nga ndërkombëtarët lidhur me zgjedhjet në Kosovë, por ato nuk ishin mbajtur.

“Turp për ju, ju kopilë”, deklaroi ai në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Duke komentuar për procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, Vuçiq tha se Serbia ishte shtyrë të heshtë dhe të shikojë përpara, me premtime se “askush nuk do ta prekë Kosovën”.

“Ishte e vështirë dhe e dhimbshme për një serb ta shihte. Ne heshtnim, na detyruan të heshtnim, na thanë të shikonim drejt së ardhmes, atje nuk ka më luftëra dhe konflikte. Askush nuk do ta prekë Kosovën, është e juaja. Keni edhe Republikën Serbe, gjithçka po shkon normalisht. Pastaj serbët thanë, Kosova nuk mund të bëhet, tani do t’ju marrim 14 përqind të territorit tuaj…”, deklaroi ai.

Por sipas tij, më vonë pasuan kërkesa të reja dhe humbje të territorit.

“Ata [të huajt] forcojnë gjithçka përreth nesh dhe vetëm na dobësojnë ne. Në vend që të thonë se bënë një gabim për Kosovën apo për Republikën Serbe, ata nuk pranojnë asgjë. Sepse të mëdhenjtë, të fortët, arrogantët nuk gabojnë kurrë, por gabojmë vetëm ne, të vegjlit. Ata që nuk duan të jenë shërbëtorët e tyre”, shtoi ai.

“Dhe një serb nuk do të jetë shërbëtori juaj.”

Në fund, Vuçiq iu referua drejtpërdrejt situatës në Kosovë duke shprehur zhgënjimin e tij me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe qëndrimin e tyre ndaj Serbisë dhe popullit serb në Kosovë, shkruan NOVA, përcjell Telegrafi.

The post “Na mashtruat për Kosovën” – Vuçiq, ndërkombëtarëve: Turp për ju, ju kopilë appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Zjarr i madh në magjistralen Kaçanik–Ferizaj, dëme materiale rreth 20 mijë euro

3 August 2025 at 21:16

Një zjarr i madh ka përfshirë një lokal përgjatë magjistrales Kaçanik–Ferizaj sot rreth orës 18:53, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Policia e Kosovës në Ferizaj njoftoi se menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e zjarrfikësve, patrullat policore si dhe Njësia e Hetimeve nga Stacioni Policor në Kaçanik.

Po ashtu, është njoftuar edhe njësia e KEDS-it, e cila ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike në zonë për të shmangur rrezikun e përhapjes së mëtejme të zjarrit.

“Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se zjarri ka nisur nga djegia e disa gomave të vendosura jashtë lokalit, e më pas është përhapur në një gomisteri, duke prekur gjithashtu pjesërisht edhe një lokal tjetër dhe një pjesë të një shtëpie përreth,” thuhet në njoftimin e zëdhënësit të Policisë në Ferizaj, Vesel Gashi.

Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, por dëmet materiale dyshohet të jenë rreth 20 mijë euro.

Hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe përcaktimin e përgjegjësisë janë ende në proces.

The post Zjarr i madh në magjistralen Kaçanik–Ferizaj, dëme materiale rreth 20 mijë euro appeared first on Telegrafi.

Kurti premtoi 160 çerdhe, përgjigjet Nagavci: Deri me tani 22 çerdhe janë përuruar

3 August 2025 at 21:12

Arbërie Nagavci, ministrja në detyrë e Arsimit ka deklaruar se deri tani janë në proces të ndërtimit 71 çerdhe, ndonëse Qeveria Kurti premtoi ndërtimin e 160 çerdheve në mandatin katër vjeçar.

Kur u pyet se sa çerdhe janë kryer, Nagavci tha se 22 çerdhe janë përuruar dhe iu është prerë shiriti, që i bjen vetëm 13.75% prej asaj që është premtuar që do të kryhen brenda një mandati qeverisës.

“Janë disa që janë në përfundim, disa prej tyre janë adoptim, disa janë çerdhe të reja. Nëse e shohim me buxhet janë diku afër 40 milionë euro. Nëse e krahasojmë me të gjitha qeveritë paraprake, për 17 vite d.m.th Ministria e Arsimit ka ndërtuar vetëm 4 çerdhe në vlerë 1.2 milionë euro, ndërkohë në mandatin tonë, pra për një mandat kemi ndërtuar 70 ose janë në proces të ndërtimit 71 çerdhe.” – tha Nagavci në “Kallxo Përnime”.

Sa i përket ndërtimit të çerdheve në Prishtinë, ministrja në detyrë pretendoi se pati neglizhencë nga Komuna e Prishtinës për të lëshuar leje të ndërtimit të çerdheve.

“Kemi dërguar disa letra zyrtare, ka pasë neglizhencë të vazhdueshme në Komunën e Prishtinës në raport me investimet… Komuna e Prishtinës, ish-drejtoreshat [e Arsimit] edhe drejtorët e Urbanizmit, nuk na kanë pajisë me leje të ndërtimit në mënyrë që ne të mund të vazhdojmë punimet. Pra, nuk ka asnjë kërkesë të Komunës së Prishtinës që ne nuk e kemi plotësuar” – shtoi Nagavci.

Prej 71 çerdheve në proces të ndërtimit, ajo tha se tri prej tyre janë në kryeqytet.

KALLXO.com e ka pyetur Përparim Ramën, kryetarin e Komunës së Prishtinës dhe Samir Shahinin, drejtorin e Arsimit në këtë komunë, më 01.08.2025, për pretendimet e Nagavcit se pati neglizhencë dhe nuk iu lëshua leje për ndërtimin e çerdheve. Ata nuk janë përgjigjur deri në publikimin e lajmit.

The post Kurti premtoi 160 çerdhe, përgjigjet Nagavci: Deri me tani 22 çerdhe janë përuruar appeared first on Telegrafi.

Durmishi: Ura e Ibrit do të jetë e gatshme për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve në shtator

3 August 2025 at 19:43

Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar të dielën se janë vendosur trarët kryesorë në urën e re mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Ai ka bërë të ditur se deri më tani janë vendosur gjithsej 18 trarë, ndërsa ka shtuar se ura pritet të përfundojë dhe të hapet për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve në muajin shtator.

“Një muaj e dy ditë prej kur filluam. U betonuan pilotat e betonit, u përgatitën, armuan e betonuan themelet e urës, u përgatitën, armuan e betonuan shtyllat e urës. Dje e sot u vendosën 18 trarë të cilët ishin përgatitur, armuar e betonuar në një punishte në Bair të Mitrovicës”, ka shkruar Durmishi në Facebook, duke bashkëngjitur edhe disa fotografi nga terreni.

Sipas tij, punimet tashmë janë në fazën përfundimtare, ku ka mbetur vetëm betonimi i pllakës së urës dhe shtrimi i asfaltit.

The post Durmishi: Ura e Ibrit do të jetë e gatshme për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve në shtator appeared first on Telegrafi.

❌
❌