Bursat zvicerane bien pas vendosjes së tarifave nga Trump
Tregu i aksioneve në Zvicër pësoi rënie të hënën, pasi investitorët reaguan ndaj vendimit befasues të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e një tarife prej 39 për qind ndaj produkteve zvicerane në fundjavën e kaluar.
Indeksi kryesor i bursës zvicerane, Swiss Market Index (SMI), ra deri në 1.9 për qind në orët e para të tregtimit, për të rikuperuar më vonë një pjesë të humbjeve dhe të tregtohej me 1.5 për qind më pak.
Tarifat e reja u shpallën nga presidenti amerikan të enjten mbrëma, ndërkohë që tregjet financiare në Zvicër ishin të mbyllura të premten për shkak të Ditës Kombëtare, duke e bërë të hënën ditën e parë të reagimit nga tregjet.
Aksionet e prodhuesit të orëve Rolex ranë me 1.2 për qind, ndërsa banka zvicerane UBS humbi 2.6 për qind të vlerës.
Zvicra është seli e disa prej kompanive më të mëdha farmaceutike në botë, të cilat mbështeten ndjeshëm te eksportet drejt Shteteve të Bashkuara. Po ashtu të enjten, presidenti Trump kërkoi “angazhime të detyrueshme” nga kompanitë farmaceutike globale për të ulur çmimet për konsumatorët amerikanë, duke shkaktuar rënie të aksioneve në gjithë sektorin.
Aksionet e gjigandëve farmaceutikë zviceranë Novartis dhe Roche ranë përkatësisht me 1.2 për qind dhe 2.2 për qind të hënën në mëngjes.
Franga zvicerane vazhdoi rënien kundrejt euros, duke humbur edhe 0.3 për qind, pas një rënieje prej 0.5 për qind të premten.
“Nëse këto tarifa mbeten në fuqi, ato do t’i shtohen forcave disinflacioniste në Zvicër, të cilat po e mbajnë inflacionin pranë zeros në baza vjetore,” deklaroi Chris Turner, drejtues global i kërkimeve të tregut në ING.
Franga ka fituar ndjeshëm terren këtë vit, si rezultat i pasigurisë së krijuar nga politikat e paparashikueshme të Trump, teksa investitorët kanë kërkuar alternativa ndaj aktiveve amerikane. Kjo ka detyruar Bankën Qendrore Zvicerane të ulë normat e interesit në zero, për të frenuar forcimin e valutës dhe inflacionin e dobët.
Të hënën, franga ra me 0.7 për qind kundrejt dollarit amerikan. Edhe pse kishte rënë gjatë tregtimit të premten, ajo u mbyll në nivel më të lartë ndaj dollarit pas publikimit të të dhënave të dobëta për punësimin në SHBA, që dobësuan ndjeshëm dollarin. Dobësimi i dollarit vijoi edhe të hënën, me një rënie prej 0.2 për qind kundrejt një shporte valutash kryesore./abcnews.al