Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 August 2025Main stream

Një i vdekur pas shpërthimit të një zjarri në Francë

By: Rovena
6 August 2025 at 11:18

Një grua ka vdekur dhe nëntë të tjerë janë lënduar pas shpërthimit të një zjarri në jug të Francës, thanë zyrtarët lokalë më 6 gusht.

Si pasojë e zjarrit janë djegur 11.000 hektarë tokë. Zjarri, që nisi të martën pasdite, ka shkatërruar apo dëmtuar 25 shtëpi në Aude. Në këtë zonë, 1.500 zjarrfikës janë angazhuar për të shuar flakët. Gruaja që vdiq, ishte në shtëpinë e saj, kur ndërtesa u kaplua nga flakët.

Autoritetet po ashtu njoftuan se shtatë zjarrfikës kanë pësuar lëndime në betejën me zjarrin, dy prej të cilëve janë hospitalizuar. Ndërkaq, një person konsiderohet i zhdukur.

“Zjarri po përparon në një zonë ku të gjitha kushtet janë të favorshme për përhapjen e tij. Po monitorojmë skajet dhe pjesën e pasme të zjarrit për të parandaluar vatra të reja”, tha Lucie Roesch, sekretare e përgjithshme e prefekturës së Audes.

Ajo paralajmëroi se vatra e zjarrit pritet të mos shuhet për disa ditë.

“Është një operacion i gjatë”, tha Roesch.

Viteve të fundit, në këtë pjesë të Francës ka pasur disa vatra zjarri. Shkencëtarët kanë thënë se ndryshimet klimatike, të nxitura nga njeriu, po bëjnë që ngjarje të motit ekstrem të jenë më të shpeshta, më intensive dhe të zgjasin më shumë.

WhatsApp mbyll 6.8 milionë llogari të lidhura me mashtrues, Meta njofton masa të reja mbrojtëse

By: Rovena
6 August 2025 at 10:57

Kompania Meta, pronare e WhatsApp, ka njoftuar se ka mbyllur 6.8 milionë llogari të lidhura me mashtrime në gjysmën e parë të këtij viti. Llogaritë ishin pjesë e rrjeteve të mashtrimit që veprojnë në mbarë botën, shumë prej tyre të lidhura me qendra mashtrimi të drejtuara nga grupe kriminale të organizuara në Azinë Juglindore.

Sipas Metës, këto qendra shpesh përdorin punë të detyruar në aktivitetet e tyre dhe synojnë individë të ndryshëm përmes platformave të komunikimit si WhatsApp.

Njoftimi u bë publik ndërkohë që WhatsApp ka prezantuar masa të reja për të luftuar mashtrimet në platformë. Një nga risitë është paralajmërimi për përdoruesit kur shtohen në një bisedë në grup nga dikush që nuk ndodhet në listën e kontakteve të tyre.

Meta thekson se këto përpjekje janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të luftuar taktikat gjithnjë e më të zakonshme të mashtruesve, të cilët vjedhin llogari të WhatsApp-it ose i shtojnë përdoruesit në grupe ku promovohen skema mashtruese investimi apo oferta të tjera të rreme. Kompania deklaron se ka vepruar në mënyrë parandaluese duke zbuluar dhe mbyllur llogaritë mashtruese para se të aktivizoheshin nga qendrat kriminale.

Në një rast konkret, WhatsApp bashkëpunoi me Meta dhe zhvilluesin e ChatGPT, OpenAI, për të ndërprerë një skemë mashtrimi të lidhur me një grup kriminal në Kamboxhia. Grupi ofronte para në këmbim të “pëlqimeve” në rrjetet sociale për të promovuar një skemë piramidale mashtruese me qira motorësh elektrikë. U zbulua se udhëzimet për viktimat ishin hartuar përmes ChatGPT.

Mashtruesit zakonisht fillojnë kontaktin përmes mesazheve tekst, përpara se të kalojnë komunikimin në rrjete sociale apo aplikacione të mesazheve private. Transaksionet përfundimtare shpesh ndodhin në platforma pagese apo në tregje të kriptomonedhave, sqaroi Meta.

“Ka gjithmonë një kurth që duhet të jetë sinjal paralajmërues për këdo: kërkohet pagesë paraprake për të marrë fitimet e premtuara,” thuhet në deklaratë.

Qendrat e mashtrimit që u shkaktojnë humbje miliarda dollarë viktimave janë të njohura për aktivitetet e tyre në vende si Mianmari, Kamboxhia dhe Tajlanda. Këto qendra gjithashtu rekrutojnë persona që më pas detyrohen të marrin pjesë në skemat mashtruese.

Autoritetet në rajon kanë bërë thirrje për vigjilencë dhe përdorimin e masave mbrojtëse, si aktivizimi i verifikimit me dy hapa në WhatsApp, për të parandaluar vjedhjen e llogarive.

Në Singapor, për shembull, policia ka paralajmëruar qytetarët të jenë të kujdesshëm ndaj çdo kërkese të pazakontë që marrin përmes aplikacioneve të mesazheve.

Rama: Receta mjekësore në format unik zbatohet në të gjithë vendin që nga 1 gushti

By: Rovena
6 August 2025 at 10:35

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social Facebook se prej datës 1 gusht ka hyrë në fuqi receta mjekësore në formatin unik, e cila tashmë po aplikohet në të gjithë territorin e vendit.

Në postim, Rama ka ndarë një video me dëshmi të farmacistëve, të cilët flasin për përfitimet e kësaj risi në sistemin shëndetësor. Sipas Kryeministrit, kjo masë përfaqëson një hap përpara në përmirësimin e shërbimit shëndetësor, duke sjellë, më shumë siguri për pacientët, më pak burokraci për mjekët dhe farmacistët dhe trajtim dhe ndjekje më të saktë për të sëmurët.

“Me zërin e farmacistëve që çdo ditë janë në shërbim të qytetarëve, vjen dëshmia për një tjetër hap përpara në përmirësimin e shërbimit shëndetësor: Që nga 1 gushti, receta mjekësore në formatin unik po zbatohet në të gjithë vendin. Më shumë siguri për pacientët. Më pak burokraci për mjekët dhe farmacistët. Trajtim dhe ndjekje më e saktë”, ka shkruar kryeministri Edi Rama.

/abcnews.al

Norvegjia rishikon investimet në kompanitë izraelite të përfshira në luftën e Gazës

By: Rovena
6 August 2025 at 10:05

Qeveria norvegjeze ka urdhëruar një rishikim të thelluar të portofolit të fondit të saj sovran prej 1.9 trilion dollarësh, për të siguruar që investimet të mos përfshijnë kompani izraelite që kontribuojnë në pushtimin e Bregut Perëndimor apo në konfliktin në Rripin e Gazës.

Ky vendim erdhi pas një raportimi të gazetës norvegjeze Aftenposten, e cila zbuloi se fondi kishte blerë aksione në kompaninë izraelite Bet Shemesh Engines Ltd (BSEL), që ofron shërbime për forcat ajrore izraelite, përfshirë mirëmbajtjen e avionëve luftarakë.

Sipas të dhënave nga Norges Bank Investment Management (NBIM), institucioni që menaxhon fondin, investimi në BSEL ka nisur në vitin 2023 me një aksion prej 1.3%, i cili u rrit në 2.09% deri në fund të vitit 2024, duke arritur një vlerë prej 15.2 milionë dollarësh.

Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre e cilësoi këtë zhvillim si “shqetësues” dhe theksoi nevojën për transparencë dhe qartësi në mënyrën se si fondi investon në kompani të lidhura me konfliktin izraelito-palestinez. “Ajo që lexova më shqetësoi”, deklaroi ai për televizionin publik NRK.

Guvernatori i Bankës Qendrore dhe njëkohësisht ministri i Financave, Jens Stoltenberg, njoftoi se, për shkak të situatës së tensionuar në Gaza dhe Bregun Perëndimor, do të ndërmerret një rishikim i plotë i investimeve të NBIM në kompani izraelite.

Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i NBIM, Nicolai Tangen, sqaroi se kompania BSEL nuk është përfshirë në ndonjë listë ndalimi të rekomanduar, as nga Kombet e Bashkuara, e as nga Këshilli Etik i vetë fondit.

Aktualisht, fondi sovran i Norvegjisë zotëron aksione në 65 kompani izraelite, me një vlerë totale prej 1.95 miliardë dollarësh. Në qershor, Parlamenti norvegjez rrëzoi një propozim për tërheqjen e plotë të fondit nga kompanitë që operojnë në territoret e okupuara palestineze.

Ndërkohë, fondi ka filluar tërheqjen nga disa investime, duke përfshirë shitjen e aksioneve në një kompani energjetike dhe një grup telekomunikacioni izraelit. Këshilli Etik i fondit po shqyrton gjithashtu mundësinë e rekomandimit për tërheqje nga pesë banka izraelite.

Ky zhvillim e vendos Norvegjinë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, si një nga vendet e para që ndërmerr hapa konkretë për të lidhur investimet shtetërore me respektimin e të drejtave ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut./abcnews.al

Armë, pranga si të policisë dhe një maskë në makinë/ Pranga 21-vjeçarit në Kamëz

By: Rovena
6 August 2025 at 09:37

Tiranë/Operacione të njëpasnjëshme, si rezultat i kontrolleve dhe punës informative, kundër armëmbajtjes pa leje.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Kryqëzimi”.

Arrestohet te kryqëzimi i Valiasit, një 21-vjeçar që posedonte armë zjarri me municion, armë të ftohtë, pranga si të Policisë dhe 1 kapuç për maskim.

Sekuestrohen sendet e kundërligjshme.

Në vijim të punës intensive, për identifikimin e shtetasve që posedojnë armë dhe cenojnë rendin dhe sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 finalizuan operacionin “Kryqëzimi”, gjatë të cilit u vu në pranga shtetasi G. Q., 21 vjeç, banues në Babrru.

Ai u ndalua nga shërbimet e Policisë, teksa lëvizte me një automjet tip “Audi”, te kryqëzimi i Valiasit.

Në vijim të veprimeve procedurale u kryen kontrolle në automjetin dhe në banesën e 21-vjeçarit, ku u gjetën 1 armë zjarri pushkë me municion, 1 armë e ftohtë (thikë), pranga si të Policisë dhe 1 kapuç për maskim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme

Zara në qendër të kritikave/ Reklamat që nxisin “ideale jo të shëndetshme” ndalohen në Britani

By: Rovena
6 August 2025 at 09:32

Autoriteti i Standardeve të Reklamimit në Mbretërinë e Bashkuar (ASA) ka ndaluar dy reklama të markës së modës Zara, pasi në to shfaqeshin modele që dukeshin “shumë të dobëta”.

Sipas autoritetit, në një prej imazheve, një model dukej “e rraskapitur” për shkak të hijeve dhe stilit të flokëve të mbledhura strukur pas, ndërsa në një tjetër, pozicioni i trupit dhe prerja e ulët e këmishës theksonin kockat e dala të klavikulave.

ASA e cilësoi reklamën si “të papërgjegjshme” dhe urdhëroi që ato të mos shfaqen më në formën aktuale, duke kërkuar nga Zara që të sigurojë që të gjitha imazhet e saj të përgatiten “në mënyrë të përgjegjshme”.

Zara i ka hequr reklamat nga platforma e saj dhe bëri të ditur se të dyja modelet kishin certifikata mjekësore që dëshmonin gjendjen e tyre të mirë shëndetësore në momentin e realizimit të fotografive. Reklamat ishin publikuar më herët në aplikacionin dhe faqen zyrtare të kompanisë, në një seri fotosh që shfaqnin veshjet me dhe pa modele.

Njëra prej reklamave promovonte një fustan të shkurtër, dhe ASA vlerësoi se hijet ishin përdorur për t’i bërë këmbët e modeles të dukeshin “dukshëm të holla”. Gjithashtu, pozicioni i krahëve dhe bërrylave e bënte modelen të dukej “jashtë proporcionit”.

Në reklamën tjetër, që promovonte një këmishë, pozicioni i modeles nxirrte në pah kockat e klavikulës, të cilat përbënin “piken qendrore të imazhit”.

ASA shqyrtoi edhe dy reklama të tjera të Zara-s, por nuk vendosi ndalimin e tyre.

Kompania tha se nuk kishte marrë ankesa të drejtpërdrejta dhe se imazhet nuk ishin modifikuar përveç “disa ndryshimeve të vogla të ndriçimit dhe ngjyrës”. Zara shtoi gjithashtu se ndjek rekomandimet e raportit Fashioning a Healthy Future, i publikuar në vitin 2007 nga UK Model Health Inquiry.

Sipas kompanisë, ajo veçanërisht respekton rekomandimin e tretë të raportit, i cili kërkon që modelet të paraqesin një certifikatë mjekësore që dëshmon shëndetin e tyre të mirë, të lëshuar nga mjekë të specializuar në çrregullimet e të ngrënit.

Kjo ndodhi pas rasteve të ngjashme më herët gjatë vitit, ku reklama të tjera të markave të njohura u ndaluan për arsye të ngjashme.

Në korrik, një reklamë e Marks & Spencer u ndalua për shkak se modelja dukej “jo shëndetshëm e dobët”. ASA theksoi se poza e modeles dhe zgjedhja e veshjes përfshirë “këpucë me majë të mëdha” që theksonin hollësinë e këmbëve e bënin reklamën “të papërgjegjshme”.

Më herët gjatë vitit, edhe kompania Next pati një reklamë të ndaluar për një palë xhinse të ngushta blu. ASA vlerësoi se këndi i kamerës theksonte hollësinë e këmbëve të modeles, duke e konsideruar reklamën “të papërshtatshme”.

Next e kundërshtoi vendimin, duke deklaruar se modelja, megjithëse e dobët, kishte “një trup të shëndetshëm dhe të tonifikuar”.

Protesta e 7 gushtit/ Veteranët mbajnë sot konferencë për media

By: Rovena
6 August 2025 at 09:18

Këtë të mërkurë, 6 gusht, nga ora 11:00, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së do të mbajë konferencë për media.

Siç bëhet e ditur në njoftim, gjatë kësaj konference, do të jepen detaje lidhur me përgatitjet për protestën e 7 gushtit.

Të enjten nga ora 17:00, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), ka thirrur protestë gjithëpopullore në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, kundër Gjykatës Speciale.

Moldavi: Dënohet me burg guvernatorja pro-ruse

By: Rovena
6 August 2025 at 09:04

Pak para zgjedhjeve parlamentare në Republikën e përçarë të Moldavisë u dënua me shtatë vjet burg një politikane e njohur pro-ruse. Evghenia Gutul, guvernatore e rajonit të Gagauzisë, u gjet fajtore nga trupi gjykues për financim ilegal të partisë.

Në proces bëhej fjalë për financimin e partisë përkohësisht të ndaluar Sor, parti që mban emrin e themeluesit të saj, oligarkut moskovit Ilan Sor. Gutul në vitet 2019 dhe 2022 nuk i ka deklaruar financimet ruse që janë lëvruar në Moldavi. Guvernatorja i hedh poshtë akuzat. Avokati i saj deklaroi, ankimimin e vendimit.

Moska: Vendimi i motivuar politikisht

Rusia vendimin ndaj governatores Gutul e konsideron si politik dhe se qeveria pro-europiane me qëllim do të nxisë frymën kundër forcave pro-ruse. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov e quajti vendimin të motivuar politikisht. Opozita në Moldavi po shtypet, tha ai për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve, Tass.

38-vjeçarja Gutul që nga viti 2023 ndodhet në krye të Gaugazisë, ku popullsia turkofone e Gaugazisë vetëadministrohet. Kjo krahinë tradicionalisht konsiderohet e afërt me Rusinë. Pas marrjes së detyrës Gutul disa herë ka udhëtuar për në Moskë, për t’u takuar me kreun e Kremlinit, Vladimir Putin.

Zgjedhjet parlamentare në fund të shtatorit

Në Moldavi më 28 shtator zhvillohen zgjedhjet për parlamentin e ri. Ish-republika e vogël sovjetike, që shtrihet ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë prej dekadash luhatet mes afrimit me Perëndimin dhe nga ana tjetër edhe me Rusinë. Presidente e Moldavisë është Maia Sandu, aktualisht në pushtet janë forcat politike që përkrahin BE-në.

Sandu javën e kaluar u shpreh për një influencim masiv rus ndaj zugjedhjeve parlamentare. Presidentja prej vitesh angazhohet për avancimin e procesit të afrimit me BE-në. Moldavia në vitin 2024 filloi negocitat e antarësimit me BE-në./DW

Mbi 100 persona të zhdukur dhe të paktën një i vdekur pas përmbytjeve katastrofike në Indinë veriore

By: Rovena
6 August 2025 at 08:32

Më shumë se 100 persona rezultojnë të zhdukur dhe të paktën një ka humbur jetën pas një shpërthimi reshjesh (cloudburst) që shkaktoi përmbytje të mëdha në shtetin verior indian të Uttarakhand.

Operacionet e kërkim-shpëtimit po vijojnë në distriktin Uttarkashi, pasi një valë masive uji zbret nga malet dhe përmbyti fshatin Dharali të martën, duke zhytur rrugë dhe ndërtesa nën ujë.

Ekipet e ushtrisë janë vendosur në Dharali që prej ditës së martë, ndërsa forcat e tjera të emergjencës dhe zyrtarët lokalë nuk kanë mundur të hyjnë në zonë për shkak të dëmtimit të rrugëve dhe reshjeve të dendura.

Prej disa javësh, shteti malor i Uttarakhand është përballur me reshje të rrëmbyeshme. Veçanërisht i prekur ka qenë distrikti Uttarkashi, ku ndodhet edhe fshati Dharali, me përmbytje të raportuara në disa zona.

Sipas Kryeministrit të Uttarakhand-it, Pushkar Singh Dhami, rreth 130 persona janë shpëtuar deri më tani në këtë distrikt.

Ngjarja ndodhi të martën rreth orës 13:30 me orën lokale (08:00 GMT), kur reshjet ekstreme bënë që lumi Kheerganga të fryhej ndjeshëm, duke sjellë sasi të mëdha uji dhe balte në terrenin kodrinor.

Dharali është një destinacion turistik i njohur gjatë verës, dhe ndodhet rreth 2 km larg bazës së madhe ushtarake në Harsil. Në zonë ndodhet edhe një kamp i forcave paraushtarake të Policisë Kufitare Indo-Tibetiane (ITBP).

Zyrtarët njoftojnë se të paktën 10 ushtarë të stacionuar në bazën e Harsil-it rezultojnë të zhdukur.

Operacionet e shpëtimit po përparojnë me vështirësi për shkak të sasisë së madhe të baltës dhe rrënojave. Reshjet e dendura, të cilat kanë vijuar edhe të mërkurën, po e vështirësojnë më tej ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës.

Shumë segmente të autostradës kryesore janë mbyllur, pasi janë dëmtuar rëndë nga shirat. Rrugët në distriktin Uttarkashi paraqesin çarje të thella dhe të rrezikshme.

Disa ekipe të Forcave Kombëtare dhe Shtetërore të Reagimit ndaj Katastrofave, të vendosura në Gangotri rreth 18 km larg Dharali janë në terren që prej pasdites së së martës, por autoritetet nuk kanë mundur të lidhen me ta për shkak të mungesës së sinjalit dhe ndërprerjeve të gjata të energjisë elektrike.

Departamenti Indian i Motit ka paralajmëruar për reshje të mëtejshme në ditët në vijim dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet në zonat e rrezikuara nga rrëshqitjet e dheut. Në disa zona, shkollat janë mbyllur për arsye sigurie.

Një pjesë e lumit Bhagirathi – që më poshtë shndërrohet në lumin e shenjtë Gang është bllokuar nga balta, duke krijuar një liqen artificial që ka përmbytur zona të gjera, përfshirë edhe një helikopterpad të qeverisë.

Zyrtarët paralajmërojnë se nëse ky ujë nuk largohet në kohë, mund të rrezikojë seriozisht vendbanimet më poshtë në rrjedhën e lumit.

Autoritetet kishin lëshuar disa paralajmërime për reshje gjatë ditëve të fundit, duke i këshilluar turistët të shmangnin udhëtimin drejt kësaj zone.

Dharali, i cili është një ndalesë e rëndësishme verore në itinerarin pelegrinazh Char Dham Yatra, zakonisht vizitohet më pak gjatë sezonit të shirave. Kjo dhe paralajmërimet e hershme besohet se kanë shmangur një tragjedi edhe më të madhe.

Shteti i Uttarakhand-it, i vendosur në Himalajet perëndimore, është i njohur për ndjeshmërinë e lartë ndaj përmbytjeve të rrufeshme dhe rrëshqitjeve të dheut.

Në vitin 2021, mbi 200 persona humbën jetën si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga një shpërthim reshjesh.

Një ndër fatkeqësitë më të mëdha që ka goditur këtë shtet ndodhi në vitin 2013, kur përmbytje dhe rrëshqitje masive shkatërruan fshatra të tëra, veçanërisht në qytetin e Kedarnath-it, i frekuentuar nga pelegrinët hindu. Mijëra persona u morën nga uji, ndërsa shumë trupa nuk u gjetën kurrë./abcnews.al

Yesterday — 5 August 2025Main stream

Teksas/ Republikanët urdhërojnë arrestimin e dhjetëra ligjvënësve demokratë që braktisën shtetin

By: Rovena
5 August 2025 at 15:38

Partia Republikane në Teksas ka votuar për lëshimin e urdhrave të arrestit ndaj dhjetëra ligjvënësve demokratë, të cilët janë larguar nga shteti për të penguar një projektligj që synon rishikimin e kufijve të zonave elektorale.

Guvernatori republikan i Teksasit, Greg Abbott, ka urdhëruar trupat e policisë shtetërore “të gjejnë, arrestojnë dhe të rikthejnë në sallën e Dhomës çdo anëtar që ka braktisur detyrën ndaj qytetarëve të Teksasit”.

Abbott ka kërcënuar gjithashtu se do të ngrejë akuza për ryshfet ndaj ligjvënësve demokratë që mund të kërkojnë fonde publike për të mbuluar gjobën ditore që u vendoset për bojkotimin e Dhomës. Çdo ligjvënës i munguar gjobitet me 500 dollarë në ditë.

Plani për të rishkruar hartën elektorale pritet të shtojë pesë zona të reja me prirje republikane në Dhomën e Përfaqësuesve në Uashington DC, ku republikanët aktualisht kanë një shumicë të ngushtë.

Për të zhvilluar një votim, në Dhomën me 150 anëtarë të legjislaturës së Teksasit kërkohet prania e dy të tretave të anëtarëve. Ky kuorum u bë i pamundur pasi më shumë se 50 ligjvënës demokratë u larguan nga shteti.

Shumica e demokratëve janë zhvendosur në Illinois, ku guvernatori i këtij shteti, JB Pritzker, deklaroi se “do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur secilin prej tyre”, duke iu referuar kërcënimeve për arrest nga guvernatori Abbott.

Demokratët janë shprehur se synojnë të qëndrojnë jashtë Teksasit për dy javë, deri në përfundimin e seancës së posaçme legjislative. Megjithatë, votimi për lëshimin e urdhrave të arrestit ka qenë kryesisht simbolik, pasi urdhrat vlejnë vetëm brenda territorit të Teksasit.

Ky vendim i jep kompetenca zyrtarit të sigurisë së Dhomës dhe policisë shtetërore për të arrestuar ligjvënësit mungesë dhe për t’i sjellë në ndërtesën e Kuvendit në Austin. Ligjvënësit nuk përballen me ndonjë akuzë civile apo penale për shkak të këtyre urdhrave.

Ligjvënësi demokrat nga Teksasi, Ron Reynolds, deklaroi për BBC nga Çikago se kërcënimi për arrestim është “asgjë më shumë se një taktikë frikësuese”.

Guvernatori Abbott ka paralajmëruar se ligjvënësit që refuzojnë të kthehen mund të përballen me akuza penale. “Do të konsiderohej ryshfet nëse ndonjë ligjvënës do të merrte para për të vepruar ose për të mos vepruar në kuadër të legjislaturës”, deklaroi ai për Fox News.

Abbott shtoi se sipas disa raportimeve, ligjvënësit demokratë kanë kërkuar dhe ofruar para për të shmangur votimin dhe për të ndërmarrë veprime politike, gjë që, sipas tij, përbën ryshfet.

Ligjvënësi republikan i Teksasit, Brian Harrison, kritikoi demokratët për pretendimet se rishikimi i hartës po bëhet mbi baza racore. “E pabesueshme, cinike, e pandershme, një marrëzi e plotë,” u shpreh ai për BBC.

Sipas Harrison, “këta demokratë duhet të arrestohen” dhe të përballen me “masa të tjera ndëshkuese”./abcnews.al

BE pezullon tarifat hakmarrëse pas marrëveshjes tregtare me Trump

By: Rovena
5 August 2025 at 15:15

Bashkimi Evropian njoftoi më 5 gusht për pezullimin e tarifave hakmarrëse ndaj mallrave amerikane në vlerë prej 93 miliardë eurosh, pasi Brukseli arriti një marrëveshje me Uashingtonin muajin e kaluar.

“Komisioni Evropian ka miratuar sot procedurat e nevojshme ligjore për të pezulluar zbatimin e kundërmasave tona, të cilat pritej të hynin në fuqi më 7 gusht”, tha zëdhënësi për tregti i BE-së, Olof Gill.

Komisioni Evropian, i cili është përgjegjës për politikat tregtare të bllokut prej 27 shtetesh, kishte përgatitur një listë me mallra amerikane që do të goditeshin me tarifa nëse bisedimet me Shtetet e Bashkuara nuk do të rezultonin me marrëveshje.

Kundërmasat e BE-së kishin në shënjestër një sërë eksportesh amerikane, nga soja deri tek aeroplanët, makinat e uiski.

Por, presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, arriti një marrëveshje kornizë me presidentin amerikan, Donald Trump, më 27 korrik, teksa afati i 1 gushtit për vendosjen e tarifave të larta po afrohej.Pas arritjes së marrëveshjes, eksportet e BE-së pritet të përballen me tarifa gjithëpërfshirëse prej 15 për qind që nga data 8 gusht më të larta se taksat doganore para se Trump të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë, por më të ulëta se tarifat prej 30 për qind, që presidenti amerikan kishte kërcënuar se do të vendoste.

NASA planifikon ndërtimin e një reaktori bërthamor në Hënë deri në vitin 2030

By: Rovena
5 August 2025 at 15:12

NASA ka njoftuar përshpejtimin e planeve për ndërtimin e një reaktori bërthamor në Hënë brenda vitit 2030, si pjesë e strategjisë së saj për të krijuar një bazë të përhershme njerëzore në sipërfaqen hënore. Lajmi vjen në një kohë kur gara hapësinore ndërkombëtare mes SHBA-ve, Kinës, Rusisë dhe vendeve të tjera po intensifikohet.

Drejtuesi i përkohshëm i NASA-s, Sean Duffy, i emëruar nga administrata e ish-presidentit Trump, e konsideroi projektin si të domosdoshëm për zhvillimin e ekonomisë hënore, për energjinë e ardhshme në Mars dhe për të forcuar sigurinë kombëtare amerikane në hapësirë. Ai u bëri thirrje kompanive private të paraqesin propozime për ndërtimin e një reaktori që të prodhojë të paktën 100 kilovat energji mjaftueshëm për një bazë të vogël, por shumë më pak se burimet tokësore të energjisë.

Ekspertët theksojnë se energjia bërthamore është mënyra më e besueshme për të siguruar furnizim të pandërprerë me energji në Hënë, për shkak të kushteve të vështira diellore: një ditë hënore zgjat rreth 28 ditë tokësore, me dy javë errësirë të plotë që e bëjnë të pamjaftueshme energjinë diellore.

Megjithatë, ka skepticizëm në lidhje me realizueshmërinë e këtij projekti. Shkurtimet e thella buxhetore në NASA përfshirë reduktimin me 24% të fondeve për vitin 2026 dhe pezullimin e disa programeve të rëndësishme shkencore vënë në dyshim aftësinë e agjencisë për të zbatuar këtë objektiv ambicioz. Ndërkohë, disa shkencëtarë paralajmërojnë se motivimet janë më shumë politike sesa shkencore, dhe mund të nxisin tensione të panevojshme ndërkombëtare.

Në maj të këtij viti, Kina dhe Rusia shpallën planet për ndërtimin e një stacioni bërthamor të automatizuar në Hënë deri në vitin 2035. Sipas ekspertëve, ndërtimi i bazave bërthamore mund të çojë në pretendime për “zona sigurie” përreth tyre, çka mund të përkthehet në pretendime të heshtura për pronësi në sipërfaqen hënore – diçka që bie ndesh me frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar të parashikuar nga marrëveshja e Artemis-it, e nënshkruar në vitin 2020 nga disa vende, përfshirë SHBA-në.

Programi Artemis 3 i NASA-s, që synon të dërgojë njerëz në Hënë në vitin 2027, ka hasur në vonesa dhe pasiguri financiare. Shkencëtarët paralajmërojnë se ndërtimi i një reaktori nuk ka kuptim nëse nuk sigurohet më parë dërgimi i ekuipazheve dhe pajisjeve të nevojshme.

Në këtë kontekst, projektet për energjinë bërthamore në Hënë vlerësohen si një hap i madh, por me sfida të mëdha teknike, politike dhe financiare përpara se të mund të bëhen realitet./abcnews.al

“Torra Veneciane” tërheq turistët/ Durrës, në shtatë muaj vizitohet nga 6500 të huaj

By: Rovena
5 August 2025 at 14:57

“Torra Veneciane” është një prej monumenteve më të vizituara në Durrës. Rreth 6500 turistë nga shtete të ndryshme e vizituan nga janari në korrik të këtij viti.

E kthyer në qendrën e interpretimit të  trashëgimisë kulturore  përmes programit teknologjik objekti  krijon përshtypje të veçantë tek të huajt.

Pritshmëritë janë për shtim të numrit të vizitorëve me freskimin e motit.

Durrësi është kthyer në një pikë referimi për turistët që dëshirojnë të kombinojnë plazhin me eksplorimin e historisë së pasur të Shqipërisë./abcnews.al

Digjet Kalifornia/ Tre persona të lënduar nga zjarret, shkrumbohen 29 mijë hektarë

By: Rovena
5 August 2025 at 14:51

Mbi 1000 forca zjarrfikëse po luftojnë me flakët që kanë përfshirë Kaliforninë Qendrore në Shtetet e Bashkuara duke kërcënuar qindra banesa dhe duke detyruar evakuimin e mijëra banorëve.

Sipas të dhënave të fundit flakët kanë shkrumbuar mbi 29 mijë hektarë zone të pyllëzuar si dhe zona të banuara, ndërsa vetëm 5% e zjarrit është vënë nën kontroll sipas asaj që ka deklaruar agjencia Shtetërore e Zjarrfikëseve Call Fire.

Të paktën 3 persona kanë mbetur të plagosur nga zjarri, ku mes tyre një shofer që u dogj nga flakët e automjetit të tij dhe dy punonjës të forcave zjarrfikëse.

Zjarri i quajtur “Gifford Fire” shpërtheu mbrëmjen e të premtes përgjatë autostradës 166 mes Santa Marias dhe Bakersfield.

Më shumë se 450 struktura përfshirë shtëpi dhe biznese vijojnë të jenë nën kërcënimin e flakëve duke përfshirë edhe veriun e Los Angeles.

Ndihma nga ajri ka qenë e kufizuar për shkak të tymit të dendur, por autoritetet kanë përdorur teknologji infra të kuqe për të monitoruar përhapjen e zjarrit. Erërat e forta me shpejtësi deri ne 40 kilometra në orë kanë përkeqësuar përhapjen e zjarrit. Autoritetet Amerikane kanë nisur hetimet pas dyshimeve se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.

Kalifornia pritet të goditet nga një vale tjetër e të nxehtit me temperatura mbi 40 gradë celsius këtë të mërkurë, vale kjo e cila do të shtojë rrezikun për zjarre./abcnews.al

Hekurudha Durrës-Rrogozhinë/ BERZH miraton huanë 30 milionë euro, pjesë e korridorit 8

By: Rovena
5 August 2025 at 14:43

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim  do të mbështesë ndërtimin dhe elektrifikim e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë. Me anë të një njoftimi në faqen zyrtare ky institucion ka bërë me dije se ka aprovuar kredinë me vlerë 30 milionë euro. Këto fonde do të përdoren për rehabilitimin e hekurudhës Durrës – Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII.

Kjo hua  plotëson një kredi sovrane prej 30 milionë eurosh nga BEI dhe 60 milionë euro grante investimi dhe asistence teknike nga BE përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor, të cilat u nënshkruan në fillim të këtij viti. Në total fondi për ndërhyrjen në këtë segment hekurudhor është mbi 120 milionë euro.

Projekti strategjik parashikon që  të rehabilitojë dhe elektrifikojë afërsisht 34 km hekurudhë midis qytetit portual të Durrësit dhe Rrogozhinës në Shqipëri, duke përfshirë rindërtimin e ndërtesave të stacioneve. Pas realizimit të këtij investimi, trenat do të mund të udhëtojnë me shpejtësi deri në 120 km/h. Ai shënon një hap të rëndësishëm  në përpjekjet e Shqipërisë për të modernizuar rrjetin e saj hekurudhor, për të përmirësuar lidhjen rajonale dhe për t’u përshtatur me standardet e transportit dhe mjedisit të BE-së.

BERZH bëri me dije se së bashku me Bashkimin Evropian, po mbështesin projektin e tyre të tretë të madh hekurudhor në Shqipëri. Kjo, pas linjave Tiranë – Durrës – Rinas dhe Vorë – Hani i Hotit.

Realizimi i projekteve hekurudhore pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme mjedisore duke zhvendosur trafikun e mallrave dhe pasagjerëve nga rruga në hekurudhë, duke ulur emetimet e karbonit dhe duke mbështetur tranzicionin e gjelbër të Shqipërisë.

Fermerët e Fierit djegin mbetjet e të mbjellave/ Zjarri del jashtë kontrolli, fshati Daullas mbulohet nga tymi

By: Rovena
5 August 2025 at 14:32

Djegia e mbetjeve te të mbjellave në afërsi të fshatit Daullas nga fermerët ka dale jashtë kontrollit duke mbuluar zonën me tym të dendur.

Zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e flakëve që kanë prekur një sipërfaqe të konsiderueshme në dy anët e by-bassit të Fierit.

Irani arreston tre persona të lidhur me organizatën e Muxhahedinëve

By: Rovena
5 August 2025 at 13:57

Irani ka arrestuar tre persona që dyshohet se janë pjesë e një celule sabotuese, të lidhur me opozitën në mërgim. Ata u arrestuan për prishje të rendit publik, raportuan mediat iraniane më 5 gusht.

Të dyshuarit, që pretendohet se janë të lidhur me grupin e ndaluar Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), u arrestuan nga Garda Revolucionare në Pakdasht, në juglindje të Teheranit, raportoi agjencia iraniane e lajmeve, ISNA.

“Tre anëtarë të celulave sabotuese të lidhura me MEK-un, të cilët synonin të prishnin rendin dhe sigurinë publike, u identifikuan dhe u arrestuan”, tha për ISNA, prokurori Mohammad Hassanpour.

Ai e akuzoi MEK-in se po përdorë rrjete të fshehta të propagandës për të rekrutuar individë në mënyrë që të formohen “celula sabotuese”, të cilat, sipas tij, synojnë prishjen e rendit publik.

Prokurori shtoi se forcat iraniane të sigurisë e kanë shkatërruar celulën dhe kanë arrestuar të gjithë anëtarët e saj. Ata, tha Hassanpour, do t’i nënshtrohen një “metode speciale të marrjes në pyetje” dhe hetimi për këtë rast do të vazhdojë.

Arrestimi i tyre vjen pas ekzekutimit në fund të muajit të kaluar të dy personave të dyshuar si anëtarë të kamotshëm të këtij grupi.

Ata, sipas autoriteteve iraniane, u gjetën fajtor për prodhimin e mortajave artizanale për të sulmuar civilët, shtëpitë dhe institucionet publike.

Në javët e fundit, udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, e ka akuzuar këtë grup se po përpiqet të nxisë “trazira” me synim rrëzimin e sistemit gjatë sulmit të Izraelit më 13 qershor, i cili shkaktoi një luftë 12-ditore me Iranin. I themeluar në vitet 1960 për të kundërshtuar shahun e mbështetur nga Perëndimi, MEK u shpall i jashtëligjshëm pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, për shkak se luftoi përkrah trupave të Saddam Husseinit në luftën Iran-Irak.

Më 1986, MEK-u u shpërngul në Irak. Grupi u çarmatos nga një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara pas pushtimit të Irakut në vitin 2003.

Tani, ky grup tani avokon për ndryshimin e sistemit në Iran nga jashtë vendit.

Ndërkaq, që nga viti 2013, mijëra pjesëtarë të MEK-ut janë strehuar, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara.

Borxhet ndaj ujësjellësit/ Vlorë, Task-Forcë për verifikimin e detyrimeve të pashlyera

By: Rovena
5 August 2025 at 13:18

Në Vlorë një Task-Forcë e  posaçme është ngritur për të  verifikuar bizneset që kanë detyrime të pashlyera ndaj ujësjellësit.

Grupet e punës kanë nisur aksionin  përgjatë bregdetit për të vijuar më pas dhe në lagjet e tjera të qytetit.

Debitorëve do t’u jepet mundësia  të paguajnë  detyrimet  me këste pas nënshkrimit  të marrëveshjes  me  ujësjellës kanalizimet.

Autoritetet  ftojnë  konsumatorët të mos rrisin debinë pasi pagesat sipas tyre ndikojnë  në  investime dhe përmirësim të shërbimit.

Taks forca do të vijojë verifikimet në terren  përgjatë të gjithë gushtit, pas bizneseve dhe tek familjet./abcnews.al

“Rusiagate, komplot i demokratëve”/ SHBA, prokurorja e përgjithshme urdhëron hapjen e hetimeve për akuzat

By: Rovena
5 August 2025 at 12:57

Prokurorja e Përgjithshme amerikane Pam Bondi ka urdhëruar prokurorët e Departamentit Amerikan të Drejtësisë që të hapin procedura ligjore mbi akuzat e bëra më herët nga kundërshtarët politikë të Trump, të cilët kanë akuzuar presidentin aktual se në fitoren e tij të parë në vitin 2016 kishte bashkëpunuar me Rusinë për të siguruar marrjen e Shtëpisë së Bardhë.

Prokurorët amerikanë do t’i paraqesin prova një jurie të madhe me përpjekjet e rivalëve politik demokrat me synimin për komplot ndaj Presidentit Donald Trump. Pas dorëzimit të këtyre provave, Juria do të vendosë nëse do të ngrejë akuza penale. Ende nuk dihet se kush janë zyrtarët që do të preken nga këto hetime. Trump, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 kundër Hillary Clinton, ka akuzuar prej vitesh kundërshtarët e tij për një fushatë shpifjesh lidhur me të ashtuquajturën “Russiagate”.

Muajin e kaluar, Drejtoresha Kombëtare e Inteligjencës, Tulsi Gabbard, akuzoi ish-presidentin Barack Obama dhe ekipin e tij të sigurisë kombëtare për një “grusht shteti të vazhdueshëm” kundër Trump. Ajo pretendoi se administrata Obama politizoi informacionet për ndërhyrjen ruse për ta lidhur në mënyrë të rreme Trump-in me Moskën. Trump reagoi duke e akuzuar Obamën për “tradhti”, gjë që u cilësua si “absurde” nga një zëdhënës i Obamës. Ndërkohë, demokratët theksuan se pretendimet e Gabbard nuk e rrëzojnë vlerësimin e inteligjencës amerikane të janarit 2017, i cili arriti në përfundimin se Rusia kishte synuar të dëmtonte fushatën e Clinton dhe të ndihmonte atë të Trump. Një raport dypartiak i Senatit në vitin 2020 po ashtu konfirmoi përpjekjet e Rusisë për të ndihmuar Trump-in.

Sipas Fox Neës, ish-drejtori i CIA-s John Brennan dhe ish-drejtori i FBI-së James Comey janë nën hetim penal për lidhje me hetimin fillestar për Trump dhe Rusinë. Të dy i mohojnë akuzat dhe thonë se Trump po abuzon me drejtësinë për qëllime politike. Gjysma e mandatit të parë të Trump-it u dominua nga hetimi i prokurorit special Robert Mueller, i cili konkludoi në vitin 2019 se nuk kishte prova që Trump apo fushata e tij kishin bashkëpunuar me Kremlinin. Askush nuk u akuzua për këtë.

Debati për Russiagate u rizgjua javën e kaluar kur një aneks i një hetimi tjetër nga Departamenti i Drejtësisë, i udhëhequr nga Prokurori i Posaçëm John Durham, u deklasifikua. Në të përmendet një dokument i marsit 2016 që sugjeron se Hillary Clinton mund të ketë aprovuar një plan për ta paraqitur Trump-in si agjent rus. Po ashtu, citohet një e-mail i dyshimtë i mundësuar nga hakerë të lidhur me inteligjencën ruse, i cili sugjeron se fushata Clinton kishte qëllim afatgjatë për të paraqitur Donald Trump dhe Presidentin Rus Vladimir Putin si dy figura qe bashkepunonin se bashku.

Durham thekson se nuk ka prova se FBI ka qenë pjesë e këtij plani, megjithatë, hetimi ngre pikëpyetje për bazën e fillimit të hetimit ndaj Trump në vitin 2016. Ai po ashtu vuri në dukje se hetimi fillestar i FBI-së ishte i mangët dhe i bazuar në të dhëna të paprovuara. Zyrtarët amerikanë e kanë konfirmuar ndërhyrjen ruse në zgjedhje përmes rrjeteve sociale dhe sulmeve kibernetike ndaj e-mail-ve të demokratëve, por konkluduan se ndikimi në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve ishte i kufizuar. Hetimi i ri mund të trazojë sërish ujërat në politikën amerikane, me ndikim të madh në debatin për zgjedhjet e ardhshme presidenciale./abcnews.al

❌
❌