GJENEVË, 7 gusht ATSJ-DPA/ – Zvicra, e njohur për çokollatën, djathin, bankat dhe Alpet, u përball sot me një tronditje të fortë ekonomike, pasi presidenti amerikan Donald Trump vendosi një tarifë të papritur prej 39% ndaj mallrave zvicerane.
Kjo masë ka tronditur thellësisht ekonominë e vendit alpin, e cila varet shumë nga eksportet.
“Ekonomia jonë ka përballuar shumë stuhi”, u përpoq të qetësonte opinionin presidentja Karin Keller-Sutter.
Ajo njoftoi gjithashtu masa ndihmëse nga qeveria për kompanitë që do të detyrohen të reduktojnë orarin e punës për shkak të mungesës së porosive nga SHBA.
Por, nën sipërfaqe, situata në qarqet ekonomike është shumë më e zymtë. Dhjetëra mijëra vende pune mund të jenë në rrezik.
Shoqata e industrisë Swissmem paralajmëroi se, nëse këto tarifa nuk hiqen, eksportet e sektorit të teknologjisë drejt SHBA-së do të jenë “praktikisht të vdekura.”
Damien Cottier, deputet i partisë liberal-demokrate, e quajti këtë tarifë të ashpër “sulm ndaj Zvicrës”.
Ekonomia dhe neutraliteti në trysni
Me një popullsi prej vetëm 9 milionë banorësh, Zvicra mbështetet fuqishëm te eksportet. SHBA –ja është partneri më i madh tregtar i saj, duke përbërë 18% të eksporteve në vitin 2024.
Por kjo krizë shkon përtej ekonomisë. Ajo sfidon edhe politikën tradicionale të neutralitetit të Zvicrës, një shtyllë e diplomacisë së saj qëllimisht të kujdesshme dhe të balancuar.
Historiani Sacha Zala deklaroi në shkurt për radion SRF se “diplomacia e heshtur funksionon deri në një pikë. Por është një iluzion të mendosh se vetëm pse je sjellë ‘mirë’ nuk do të ndëshkohesh”.
Që nga pushtimi rus i Ukrainës, Zvicra ka qenë nën trysni për të hequr dorë nga neutraliteti klasik. Ajo u bashkua me sanksionet e BE-së kundër Rusisë, por refuzoi të lejojë transferimin e municioneve zvicerane drejt Ukrainës. Kritikët thonë se vendi ka bërë shumë pak për të gjetur ose ngrirë asetet e oligarkëve rusë.
Rriten thirrjet për afrimin me BE
Kriza aktuale ka ndezur sërish debatin e brendshëm për pozicionin e Zvicrës jashtë Bashkimit Evropian.
Deputetja socialdemokrate Franziska Roth shkroi javën e kaluar në Instagram se “kishte ardhur koha të heqim dorë nga vetëkënaqësia e ‘ne vetëm kundër botës’ dhe të ndërtojmë një rrugë të përbashkët me Evropën”.
Edhe grupet e biznesit janë gjithnjë e më të shqetësuara. Ndërkohë që kompanitë evropiane përballen me një tarifë shumë më të ulët, vetëm 15%, ato kanë një përparësi të qartë konkurruese ndaj Zvicrës.
Shoqata “Economiesuisse”, edhe para shpalljes së tarifave amerikane, ka deklaruar se “pozicioni ynë gjeografik e bënte thelbësore bashkëpunimin e ngushtë me BE-në”.
Por marrëdhëniet Zvicër-BE mbeten të tensionuara. Marrëveshja kornizë e vitit 2021 për thellimin e lidhjeve dështoi në momentet e fundit. Partia dominante e djathtë, SVP, e kundërshton çdo përpjekje për rinovimin e saj.
Në vend të afrimit me BE-në, ministri i ekonomisë Guy Parmelin, pjesë e SVP-së, u ka bërë thirrje kompanive që të gjejnë tregje të reja eksporti. /Ad.Ab./
The post ANALIZË – Tronditet modeli ekonomik dhe neutraliteti i Zvicrës, pas tarifave amerikane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.