Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 9 August 2025Main stream

Kur do të thirret seanca e radhës konstituive – këto janë kushtet që duhet përmbushur

9 August 2025 at 18:10

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të rikthehen në ulëset e tyre për të vijuar me seancën konstituive vetëm pasi aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese të publikohet zyrtarisht në faqen e saj.

Kanë kaluar tashmë dy javë që nga ndërprerja e përpjekjeve për konstituimin e legjislativit të nëntë, pas masës së përkohshëm të Kushtetueses, e cila ndalonte çdo veprim parlamentar në këtë drejtim deri më 8 gusht.

Sipas vendimit të fundit të shpallur më 8 gusht, deputetët tani kanë në dispozicion 30 ditë për të përmbyllur procesin e konstituimit. Gjatë kësaj periudhe, kryesuesi i seancës ka të drejtë të thërrasë mbledhje të Kuvendit çdo 48 orë, apo edhe më shpesh në përpjekje për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, si parakusht për funksionalizimin e tij dhe votimi do të jetë në mënyrë të hapur.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë se afati i ri për konstituimin e Kuvendit fillon vetëm pasi të jenë përmbushur tri kushte: publikimi i Aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, shpallja e tij në Fletoren Zyrtare dhe përfundimi i afatit të masës së përkohshme. Ai beson se vazhdimi i seancës së re, e pesëdhjetë e pesta, do të thirret shumë shpejt.

Baraliu thekson se që nga momenti i hyrjes në fuqi të aktgjykimit, fillon të rrjedhë afati 30-ditor i përcaktuar nga Kushtetuesja, brenda të cilit mund të thirren seanca çdo 48 orë ose edhe më shpesh, në varësi të rrethanave dhe mundësive teknike.

Sipas Baraliut, juridikisht është thelbësore që vendimi të shpallet në mënyrë zyrtare, pasi masa e përkohshme mbetet në fuqi derisa kjo të ndodhë.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu vlerëson si urgjente publikimin sa më të shpejtë të vendimit në Fletoren Zyrtare.

“Pikërisht atëherë kur publikohet aktgjykimi i plotë, kur shpallet në fletoren zyrtare dhe kur kalon afati i masës të përkohshme zyrtare, kur të përmbushen këto kushte, atëherë fillon rrjedhë afati i ri prej 30 ditësh. Dhe brenda atij afati mund të vazhdojnë aktivitetet e tyre për vendime dhe veprime anëtarët e kuvendit, gjegjësisht deputetët…Varet prej rrethanave dhe mundësive teknike. Përndryshe, ajo çka është me rëndësi juridike është që vendimi duhet të shpallen në fletoren zyrtare. Gjykata Kushtetuese ka thënë që masa e përkohshme ende vazhdon, derisa nuk shpallet. Rrjedhimisht, kjo nënkupton që pasi të shpallet në faqen zyrtare vendimi hyn në fuqi dhe mund të zbatohet, rrjedhimisht fillon edhe afati përkatës prej 30 ditësh të tjera të cilin e ka caktuar me aktgjykim kjo gjykatë kushtetuese. Në atë afat fillojnë të rrjedhin edhe afatet 48-orëshe. Brenda tyre munden edhe tri orë, dy orë, çdo pesë minuta, mund të bëjnë ata episode deputetët të seancës konstituive dhe të vazhdojnë ta konsistojnë kuvendin…Besoj që shumë shpejt del vendimi në Fletoren Zyrtare, sepse është shumë emergjente kjo punë, duhet të bëhet shpejt”, tha Baraliu për KosovaPress.

Krahas kësaj, njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari, thekson se veprimet e para të partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje, tregojnë mungesë gatishmërie për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Siç thotë ai, LVV-ja duhet të reflektojë patjetër, veçanërisht pas këtij vendimi.

“Gjykata me këtë vendim që nxori në pika të shkurtra tregoi se cila është rruga e ditur për të konstituuar Kuvendin. Mendoj që asnjëra prej subjekteve politike, me theks të veçantë LVV-ja, nëse nuk e ka për qëllim rrënimin e këtij sistemi demokratik që e kemi dhe nëse nuk e ka për qëllim dëmtimin e shtetit të Kosovës, do të duhej patjetër që të reflektonte pas publikimit të aktgjykimit. Dhe këtë 30 ditshin e afatit të ripërsëritur tashmë për të tretën herë, do të duhej ta shfrytëzonte për të krijuar institucionet dhe për të ecur tutje. Ka qenë shqetësuese reagimi i djeshëm i tyre në kor, i asaj pjesës së propagandës së tyre, por edhe qëndrimi zyrtar i LVV-së ku atakon Gjykatën Kushtetuese dhe shpreh mospajtim me vendimin që e ka nxjerrë”, thotë Jashari.

Jashari potencon se reagimet e para të LVV-së pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese janë skeptike, ndërsa mbetet të shihet se si do të zhvillohet situata në lidhje me aktgjykimin.

“Nëse i shohim reagimet fillestare, duket se LVV-ja nuk është e gatshme ta zbatojë diçka që është mandatare e që vjen me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, përfillja e procedurave për konstituimin e kuvendit ose hapja rrugë për konstituimin e kuvendit pa pjesëmarrjen e tyre. Reagimet fillestare janë skeptike, megjithëse do të ri-konfirmohej përsëri se LVV-ja nuk e njeh këtë sistem juridik dhe duket sikur ky sistem demokracie nuk i bie ‘tamam’ atyre për faktin që vazhdimisht e sulmojnë sistemin e drejtësisë sa herë që atyre nuk iu konvenon… Mbetet për të parë se si do të sillet situata rreth vendimit të aktgjykimit. Por, reagimet e para nga LVV-ja tashmë është bërë e zakonshme që të jenë zhgënjyese”, tha Jashari.

Ndërkaq, avokati Ardian Bajraktari konsideron se e dispozitivi i fundit i Aktgjykimit të Kushtetueses, i publikuar më 8 gusht, është shumë më i qartë se ai paraprak.

Sipas tij, në këtë aktgjykim sqarohet se kryesuesi teknik ka ndërmarrë veprime në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e punës së Kuvendit. Për tejkalimin e kësaj situate, Bajraktari kërkon reflektim nga subjekti politik fitues.

“Dispozitivi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese i publikuar dje është shumë më i qartë sesa ai paraprak dhe përmes këtij qartësohet fakti se kryesuesi teknik ka ndërmarrë veprime në shpërputhje me aktgjykimin me kushtetutën dhe rregulloren e punës së kuvendit. Për tejkalimin e kësaj situate kërkohet reflektim në të fazë të procesit, para së gjithash, nga subjekti politik fitues. Për më tepër, po ashtu, qartësohet se e drejta e subjektit politik fitues për t’u propozuar kandidati nuk është absolute, por ka kufizime”, thotë Bajraktari.

Bajraktari thekson se aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar. Ai shton se, edhe pse mund të ketë diskutime mbi përmbajtjen e aktgjykimeve, në fund të fundit ato duhet të respektohen dhe zbatohen.

“Sa i përket çështjes se a do të zbatohet ose jo vendimi. Natyrisht, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme që të zbatohen nga ana e akterëve, të cilët iu adresohet. Diskutimet mund të bëhen përkitazi me aktgjykimet, por në instancë të fundit ato duhet të zbatohen pasi është jashtëzakonisht shqetësuese mos zbatimi eventual i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, tha Bajraktari.

Gjykata Kushtetuese tha të premten, më 8 gusht, se deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur. Po ashtu, gjykata vendosi që një kandidaturë për kryeparlamentar të votohet vetëm tri herë dhe se konstituimi i legjislaturës së nëntë duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh.

Në vendimin e publikuar, Kushtetuesja tha se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk e kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.

Sipas vendimit, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

The post Kur do të thirret seanca e radhës konstituive – këto janë kushtet që duhet përmbushur appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Çfarë vendosi Kushtetuesja për zgjedhjen e kryeparlamentarit?

8 August 2025 at 23:53

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka urdhëruar që kryetari i Kuvendit të zgjidhet përmes votimit të hapur, ndërsa i njëjti kandidat nuk mund të hidhet në votim më shumë se tri herë.

Po ashtu, konstituimi i Kuvendit duhet të përfundojë brenda 30 ditëve nga publikimi i aktgjykimit në Gazetën Zyrtare. Vendimi ka nxitur reagime të ndryshme nga spektri politik dhe institucional në vend.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), partia fituese e zgjedhjeve, e ka cilësuar këtë vendim si arbitrar dhe në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës. Ajo akuzoi Gjykatën për ndërhyrje flagrante në punët e Kuvendit dhe paralajmëroi rrezikun e “pushtetit juridik të pakontrolluar”.

LVV nuk ka bërë të qartë nëse do ta respektojë ose jo aktgjykimin.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e mirëpritën vendimin, duke e quajtur atë një fitore kushtetuese dhe demokratike.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, deklaroi se vendimi konfirmon se VV-ja ka mbajtur peng Kuvendin, ndërsa LDK-ja e cilësoi sjelljen e VV-së si përpjekje të qëllimshme për kapje të institucionit më të lartë përfaqësues në vend.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) foli për një rrëzim të diktatit, ndërsa nga skena ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian dhe Ambasada Gjermane në Kosovë u kanë bërë thirrje partive që ta pranojnë vendimin dhe të gjejnë kompromise për të përfunduar sa më shpejt konstituimin e Kuvendit.

Ish-gjyqtarë të Kushtetueses, si Enver Hasani dhe Kadri Kryeziu, kanë theksuar disa paqartësi në aktgjykim, përfshirë mungesën e sanksioneve për moszbatim dhe përfshirjen e emrit të Avni Deharit në udhëzime, ndonëse ndaj tij ekziston dyshimi për shkelje kushtetuese.

Në një reagim të mëvonshëm deputetja e LVV Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka kritikuar edhe të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati.

“E nderuara zonja Prattipati,  nuk është mirë nëse i keni vizituar një ditë para se gjyqtarët e Kushtetueses të vetëposhtëroheshin me këtë njoftim për Aktgjykimin”, ka shkruar ajo në Facebook.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, në TV Dukagjini ka theksuar se për partinë e saj edhe vendimi i mëhershëm i Kushtetueses ka qenë “i qartë si loti”.

“Për PDK-në edhe vendimi i mëhershëm i Kushtetueses ka qenë i qartë si loti. Që nga seancë e parë, pas publikimit të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, paraprak, ne në mënyrë të vazhdueshme i kemi bërë thirrje kryesuesit të seancës që të mos ta shkel Kushtetutën, mos ta shkel vendimin e Gjykatës Kushtetues.

Derisa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj ka deklaruar për Tv Dukagjinin se kjo parti nuk ka ndryshuar qëndrim dhe do të marrë pjesë në seancë për të ushtruar të drejtën e votës, por jo për të mbështetur kandidatin e Vetëvendosjes.

“Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim deri më tani, do të jemi në ulët tona dhe do të votim. Sepse kemi kërkuar të na jepet e drejta për të votuar, për ose kundër. Votë për VV-në nuk kemi si LDK”, ka shtuar Zogaj./Telegrafi/

The post Çfarë vendosi Kushtetuesja për zgjedhjen e kryeparlamentarit? appeared first on Telegrafi.

Deputetja e LVV-së, përfaqësueses amerikane: S’është mirë nëse e vizituat Kushtetuesen një ditë para njoftimit

8 August 2025 at 19:41

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka vazhduar me kritikat ndaj Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimin për seancën konstituive të Kuvendit, duke përfshirë në komentet e saj edhe të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati.

Në një reagim publik, Kryeziu-Hyseni ka lënë të nënkuptohet se një takim i mundshëm mes Prattipatit dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese një ditë para publikimit të njoftimit për aktgjykimin, ngrit pyetje për integritetin e procesit.

“E nderuara zonja Prattipati, nuk është mirë nëse i keni vizituar një ditë para se gjyqtarët e Kushtetueses të vetëposhtëroheshin me këtë njoftim për aktgjykimin”, ka shkruar deputetja.

Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kritike ndaj veprimeve të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke e akuzuar për tejkalim të kompetencave dhe ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit.

The post Deputetja e LVV-së, përfaqësueses amerikane: S’është mirë nëse e vizituat Kushtetuesen një ditë para njoftimit appeared first on Telegrafi.

LVV: Gjykata Kushtetuese po shpik rregulla dhe po ndikon politikisht në krizën kushtetuese

8 August 2025 at 17:49

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj njoftimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një devijim të rrezikshëm nga roli i saj kushtetues dhe si ndërhyrje flagrante në kompetencat e Kuvendit.

Sipas njoftimit të LVV-së, Gjykata ka tejkaluar mandatin e saj duke “shpikur norma të reja juridike” dhe duke “uzurpuar funksione që i takojnë ekskluzivisht Kuvendit të Kosovës”.

“Gjykata Kushtetuese nuk ka të drejtë të krijojë rregulla të reja që nuk janë të përcaktuara as në Kushtetutë, as në Rregulloren e Kuvendit. Shpikja arbitrare e normave si ajo për kufizimin e propozimit të kandidatit për kryetar Kuvendi vetëm tri herë, është shembull i rrezikshëm i interpretimit që shkon përtej juridiksionit kushtetues”, thuhet në reagim.

VV ka shtuar se vendimi i Gjykatës ka përmasa politike dhe se cenon rëndë ndarjen e pushteteve.

“Kushtetutën e ndryshon vetëm Kuvendi ose referendumi, jo anëtarët e Gjykatës. Gjykata është kthyer në një organ jashtëkushtetues nëse vazhdon të prodhojë norma të reja.”

Në komunikatë kritikohet edhe përmendja e Kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, duke u cilësuar si “etiketim politik pa bazë juridike”, ndërsa vlerësohet se Gjykata po mban qëndrime të njëanshme në dëm të parimeve demokratike.

Lëvizja Vetëvendosje e përmbyll reagimin me paralajmërimin se po përballemi me një “pushtet juridik të pakontrolluar që sfidon vullnetin popullor dhe rendin kushtetues”.

The post LVV: Gjykata Kushtetuese po shpik rregulla dhe po ndikon politikisht në krizën kushtetuese appeared first on Telegrafi.

Vendimi i Kushtetueses përplas partitë politike në Kosovë

By: Elva
8 August 2025 at 15:37

Lëvizja Vetëvendosje e quajti vendimin arbitrar, Partia Demokratike e Kosovës, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cilësuan fitore kushtetuese e demokratike, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës foli për rrëzimin e diktatit. Këto ishin reagimet e para ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila të premten vendosi që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta […]

The post Vendimi i Kushtetueses përplas partitë politike në Kosovë appeared first on BoldNews.al.

Ish-gjyqtari Kryeziu: Gjykata po e rishkruan Kushtetutën, vendimi nuk ofron rrugëdalje nga bllokada

8 August 2025 at 15:49

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që kryetari i ri i Kuvendit të zgjidhet përmes votimit të hapur dhe brenda një afati prej 30 ditësh.

Në njoftimin e publikuar të premten, thuhet se kandidati për këtë post mund të votohet maksimumi tre herë, ndërsa të gjithë deputetët kanë detyrimin të marrin pjesë në procesin e votimit, transmeton Telegrafi.

Po ashtu sipas njoftimit, Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Një reagim rreth këtij vendimi e ka bërë ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu. Ai ka pohuar se Gjykata Kushtetuese nuk ofron rrugëdalje nga bllokada.

“Qëndrimi i shpalosur më poshtë është i bazuar në njoftimin që ka bërë sot Gjykata Kushtetuese. Aktgjykimi i plotë, ku do të shohim arsyet prapa vendimit, akoma nuk është bërë publik. E lexova me vëmendje njoftimin e Gjykatës Kushtetuese për vendim në rastin KO193/25 dhe KO196/25 dhe e them shumë sinqerisht që prisja qartësi dhe rrugëdalje nga bllokada. Fatkeqësisht, ky vendim nuk e ofron këtë. Pika 1, 2 dhe 3 e njoftimit nuk janë objekt debati, pa i parë arsyet konkrete pse Gjykata Kushtetuese ka ardhur në këto përfundime. Gjithsesi, duke i njohur procedurat e Gjykatës, konsideroj që arsyetimi do të jetë i kopsitur mirë”, ka theksuar Kryeziu.

Ai ka shkruar se pika 4 e njoftimit e rikonfirmon që e drejta e propozimit për Kryetar të Kuvendit i takon grupit më të madh parlamentar.

“Pra nuk ka bartje të së drejtës për propozim nga një grup parlamentar te tjetri. Pjesa tjetër e kësaj pike është problematike. Gjykata ka vendosur që një kandidat i caktuar mund të nominohet vetëm tre herë, dhe pas votimit të tretë, grupi më i madh parlamentar duhet ta ndryshojë emrin e kandidatit”, tha ai.

Mes tjerash, ai ka shkruar se “pavarësisht arsyetimit që mund të japë Gjykata, gjë që do ta lexojmë kur ta kemi tekstin e plotë të Aktgjykimit, vendimi që e drejta e nominimit të një kandidati të caktuar të kufizohet në tre herë nuk ka bazë në dispozitat materiale të Kushtetutës”.

“Me keqardhje e them që kjo gjë është vazhdim i praktikës që ka instaluar Enver Hasani ku vazhdohet praktika e shpikjes së gjërave. Efektivisht, dhe kjo nuk ka si të thuhet ndryshe, Gjykata e ka rishkruar nenin 67 të Kushtetutës. Po ashtu, Gjykata e ka rishkruar Aktgjykimin e vitit 2014 si dhe Aktgjykimin e vet të datës 26 Qershor 2025, ku thuhet qartë që deputetët mund të votojnë hapur ose në mënyrë të fshehtë. Në parim pajtohem plotësisht që votimi për Kryetar dhe Nënkryetarët e Kuvendit duhet të jetë i hapur, por kjo gjë është çështje politike dhe jo juridike. Nuk ekziston asnjë dispozitë materiale juridike që i jep Gjykatës të drejtën të vendosë për një formë të votimit ose tjetrën, aq më tepër kur vetë Gjykata disa herë është deklaruar që të dy format e votimit janë të mundshme”, u shpreh Kryeziu.

Ai tutje shtoi se pika 5 e njoftimit është po ashtu problematike, sepse Gjykata nuk mund t’i urdhërojë deputetët çfarë të bëjnë.

“Me këtë formulim, njësoj si në vitin 2014, Gjykata është në shkelje të pikës 1 të nenit 70 të Kushtetutës. Refuzimi për të votuar dhe refuzimi për të marr pjesë në një proces votimi është manifestim i vullnetit të lirë politik të deputetit, një e drejtë e garantuar me kushtetutë dhe konventa ndërkombëtarë që janë të zbatueshme në Kosovë. Pika 6 është ripohim i vendimit të 26 Qershorit. Asgjë e re, pos që afati i ri 30 ditor do të fillojë të rrjedhë që nga dita e publikimit të Aktgjykimit të plotë”, tha ndër tjera ai.

Sipas Kryeziut,  “ajo çfarë mungon në këtë vendim, dhe që është tejet e rëndësishme për të gjithë qytetarët e këtij vendi, është qartësia për rrugën përpara në ndërtimin e institucioneve”.

“Gjykata nuk ka treguar çfarë ndodh pas skadimit të afatit 30 ditor, pra cilat janë pasojat juridike të mosrespektimit të afatit. Po ashtu Gjykata nuk ka treguar çfarë pasojash juridike kanë deputetët që nuk i binden pikës 5 të vendimit, gjegjësisht urdhrit që të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Kolegë të dashur nga Gjykata Kushtetuese, e respektoj vendimin tuaj, por kjo nuk do të thotë që keni vepruar mirë. Prisja më shumë nga ju”, përfundon reagimi i tij.

Ndryshe, LVV ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa PDK, LDK dhe AAK kanë mirëpritur vendimin. /Telegrafi/

The post Ish-gjyqtari Kryeziu: Gjykata po e rishkruan Kushtetutën, vendimi nuk ofron rrugëdalje nga bllokada appeared first on Telegrafi.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Murati: Kjo nuk është drejtësi

8 August 2025 at 13:49

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që kryetari i ri i Kuvendit të zgjidhet përmes votimit të hapur dhe brenda një afati prej 30 ditësh.

Në njoftimin e publikuar të premten, thuhet se kandidati për këtë post mund të votohet maksimumi tre herë, ndërsa të gjithë deputetët kanë detyrimin të marrin pjesë në procesin e votimit.

Po ashtu sipas njoftimit, Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës, transmeton Telegrafi.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar edhe ministri në detyrë i Financave, Hekura Murati, ka kritikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se kjo gjykatë merr vendime varësisht se cila parti është në pyetje.

“Kjo e fakton padyshim se vendimet e kësaj Gjykate nuk bazohen në Kushtetutë, por bazohen në atë se cila parti është në pyetje. Kjo nuk është drejtësi. Ky është arbitraritet klientelist, që synim ka t’ua sigurojë gardës së vjetër në tavolinë, atë çfarë nuk ua dha populli me votë”, ka deklaruar ai.

Reagimi i plotë i Muratit:

“Në vitin 2014, për ta mbajtur PDK-në me çdo kusht në pushtet, Gjykata Kushtetuese ishte bërë vegël e PDK-së dhe kishte vendosur që:

1. Qeveria nuk mund të formohej pa fituesin e zgjedhjeve, pra PDK-në. Nëse nuk ishte PDK-ja në Qeveri, vendi duhej të shkonte në zgjedhje.

2. Pozita e Kryetarit të Kuvendit i takonte fituesit të zgjedhjeve, pra PDK-së, dhe deputetët s’kishin rrugë tjetër pos ta realizonin këtë, qoftë me votim të hapur, të fshehur, apo çfarëdo forme tjetër.

Në vitin 2020, Gjykata Kushtetuese bëri kthesë dhe e ndryshoi pikën 1, kur i dha të drejtë Presidentit asokohe që të mandatonte një qeveri pa fituesin brenda, sepse fituesi ishte Lëvizja Vetëvendosje.

Në vitin 2025, kësaj radhe në disa akte, Gjykata Kushtetuese përsëri bëri kthesë edhe për pikën e dytë, ku tash e thotë se vetëm votimi i hapur është i vlefshëm, dhe madje vendos edhe kufizim në vetëm 3 tentime, sepse fituesi është Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo e fakton padyshim se vendimet e kësaj Gjykate nuk bazohen në Kushtetutë, por bazohen në atë se cila parti është në pyetje.

Kjo nuk është drejtësi. Ky është arbitraritet klientelist, që synim ka t’ua sigurojë gardës së vjetër në tavolinë, atë çfarë nuk ua dha populli me votë.

E provuan më 2020, kur thanë se populli nuk vendos se kush e udhëheq qeverinë, dhe populli ua dha përgjigjen më 14 shkurt 2021.

Po dëshirojnë ta provojnë përsëri më 2025, dhe përsëri populli do t’ua japë përgjigjen”./Telegrafi/

The post Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Murati: Kjo nuk është drejtësi appeared first on Telegrafi.

Protesta e OVL e UÇK-së, zëdhënësi i LVV-së: Është dhjetë vjet me vonesë

7 August 2025 at 13:40

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbajnë sot një protestë në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00 në kundërshtim të padrejtësive nga Gjykata Speciale dhe raportimeve se dosje e dokumente të Serbisë po përdoren nga Gjykata Speciale në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një konferencë të mbajtur të mërkurën u kanë bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në protestë, në mbrojtje të luftës çlirimtare.

E mbështetje për këtë protestë kanë deklaruar PDK, LDK, e AAK.

Ndërkaq, sot zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka në një postim në Facebook ka shkruar lidhur me protestën e sotme të OVL e UÇK-së.

Ai ka paraqitur gjashtë pika, duke thënë se protesta është dhjetë vjet e vonuar.

Tutje, sipas tij, për më pak se pesë vjet qeveria Kurti ka paguar mbi 33 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë dhe shpenzimet e tjera atje.

Lexoni të plotë postimin e Manxhukës, ku paraqiti gjashtë pika e që ndërlidhen me protestën e sotme të OVL e UÇK-së, përmes së cilës kundërshtohen padrejtësitë e Gjykatës Speciale.

– Protesta është dhjetë vjet e vonuar. Është dashur që në verën e vitit 2015 të kundërshtohet pushteti i atëhershëm.

– Nuk mund të ndryshohet historia e Kosovës dhe lufta çlirimtare por as historiku i themelimit të Gjykatës Speciale.

– Kosova ka nevojë për gjykata normale që dalin pas vettingut dhe për kryeprokuror të ri e jo për gjykata speciale jotransparente të cilat janë jashtë praktikave ndërkombëtare.

⁠Për më pak se pesë vjet qeveria Kurti ka paguar mbi 33 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë dhe shpenzimet e tjera atje.

⁠Në intervistën e tij nga Haga para një jave, ish presidenti dhe ish kryeministri Thaçi ishte tepër i butë me Gjykatën Speciale. Protestat nuk mund ta zëvendësojnë a kompensojnë mungesën e qëndrimit të tij.

⁠Fatkeqësisht, në vitin e pestë që po mbahen në paraburgim ish drejtues të UÇK-së, është e qartë që partia kryesore opozitare çështjen e tyre e ka përdorur shumë më tepër kundër qeverisë Kurti sesa për lirimin e të akuzuarve. /Telegrafi/

The post Protesta e OVL e UÇK-së, zëdhënësi i LVV-së: Është dhjetë vjet me vonesë appeared first on Telegrafi.

SHBA me porosi të qartë: Të mos bllokohet pjesëmarrja e asnjë partie në zgjedhje

By: kemajlbr
6 August 2025 at 18:39

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, u ka dërguar një porosi të qartë partive politike në vend: Të shmangen çdo përpjekje për të bllokuar pjesëmarrjen e ndonjë partie në zgjedhje përmes taktikave politike apo procedurale.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Ambasadës në Facebook, u bë e ditur se gjatë kësaj jave, Prattipati ka zhvilluar takime të ndara me udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

“E ngarkuara me punë, Anu Prattipati, u takua me udhëheqësit e PDK-së, AAK-së dhe LDK-së për të theksuar një parim thelbësor demokratik: të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të votojnë për përfaqësuesit e tyre. Bllokimi i partive të kualifikuara, përmes taktikave politike ose procedurale, minon demokracinë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në këto takime është diskutuar edhe për ngërçin aktual institucional dhe vonesën në konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet.

Prattipati ua ka kujtuar liderëve politikë se janë zgjedhur për të zgjidhur sfidat me të cilat përballet vendi dhe u ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe përmbushje të mandatit të dhënë nga qytetarët.

Qëndrimet e partive politike

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se në takim ka theksuar nevojën për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

“PDK do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi, në interes të qytetarëve, për stabilitet institucional dhe mbetet e përkushtuar për partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë perëndimorë”, shkroi ai në Facebook të martën.

Nga ana tjetër, LDK-ja ka deklaruar se në takim është diskutuar situata e krijuar pas moskonstituimit të Kuvendit dhe është theksuar rëndësia e trajtimit të kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese.

“Përfaqësuesit e LDK-së ritheksuan rëndësinë që ky institucion të marrë një vendim të drejtë, të bazuar në Kushtetutë dhe në interes të stabilitetit institucional, në mënyrë që vendi të dalë sa më parë nga kriza aktuale politike dhe institucionale”, thuhet në njoftimin e partisë.

Ndërsa, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar se i ka përcjellë Prattipatit përkushtimin e Aleancës për të kontribuar në formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja që kanë dalë nga zgjedhjet.

Zgjedhjet e radhës në Kosovë janë ato lokale, të planifikuara për muajin tetor.

The post SHBA me porosi të qartë: Të mos bllokohet pjesëmarrja e asnjë partie në zgjedhje appeared first on Telegrafi.

Haxhiu mohon komunikimin me Listën Serbe: Kam pasur vota në PDK e LDK

28 July 2025 at 22:57

Albulena Haxhiu, ministre në detyrë e Drejtësisë dhe kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, e cila nuk mori votat për t’u zgjedhur në këtë post, në një intervistë në Debat Plus është pyetur nëse kishin shpresuar në votat e Listës Serbe në votimin e fshehtë.

Ajo ka thënë se nuk kanë pasur komunikim me ta, por ka pretenduar se kishte vota në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

“Nuk kemi pasur komunikim me ta, kam pasur vota në PDK-LDK”, ka thënë ajo.

”Ne kemi dëshmuar me veprime se jemi kundër Listës Serbe, pra kundër Listës Serbe që për mua nuk është subjekt politik”, është shprehur ajo.

Haxhiu kur është pyetur se pse nuk e kanë shpallur Listën Serbe organizatë terroriste ka thënë se fajtore për këtë është opozita.

”Ne kemi kundërshtuar brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që Lista Serbe të mos certifikohej, por se patëm mbështetjen nga partitë tjera”, ka thënë ajo.

”Vetëm po të ishim të unifikuar që të mos lejonim certifikimin e Listës Serbe, unë mendoj se nuk do të përballeshim me këtë situatë”, ka thënë ajo.

Ajo tutje ka thënë se askush nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur komunikim me Listën Serbe.

”Askush nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur komunikim me Listën Serbe. Askush nga Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka kërkuar Listës Serbe votë as në këtë rast as…”, ka thënë ajo.

Tutje, Haxhiut i është përkujtuar edhe komunikimi me Listën Serbe, përkatësisht biseda mes Milan Radojçiqit dhe Mimoza Kusari-Lilës.

”Kemi diskutuar shumë për atë çështje, kemi thënë qëndrimet tona”, ka thënë Haxhiu.

The post Haxhiu mohon komunikimin me Listën Serbe: Kam pasur vota në PDK e LDK appeared first on Telegrafi.

Jetmir Tofaj zyrtarizohet kandidat i LVV-së për kryetar të Junikut

28 July 2025 at 21:56

Lëvizja Vetëvendoasje ka zyrtarizuar Jetmir Tofajn si kandidat për kryetar të Komunës së Junikut, në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.

Kandidatura e tij u konfirmua gjatë një tubimi me strukturat e Lëvizjes në këtë komunë, ku morën pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, sekretari organizativ Alim Rama, deputetët Nezir Kraki e Salih Zyba, zëvendësministri i Arsimit Taulant Kelmendi dhe kryetari i Qendrës së Gjakovës, Agon Batusha.

Gjatë këtij takimi u theksua rëndësia e një qeverisjeje që u ngjan qytetarëve të Junikut – e fjalës dhe e punës – ndërsa Tofaj u prezantua si kandidati që do të udhëheq me ndershmëri dhe përkushtim.

“Junikasit e dinë mirë çfarë do të thotë t’i qëndrosh tokës, fjalës dhe punës. Tani është koha që edhe qeverisja në Junik t’u ngjajë qytetarëve të vet”, u tha në mbështetje të kandidaturës së tij.

Me vlerësimin për Junikun si një komunë me histori krenare dhe potencial të madh në turizëm, bujqësi dhe kulturë, përfaqësuesit e LVV-së u zotuan për një qeverisje të hapur dhe të përkushtuar ndaj nevojave të qytetarëve.

“Me Jetmir Tofajn dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE!, Juniku do të ecë përpara me hap të sigurt dhe me duar të pastra”, u theksua në përmbyllje të tubimit.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor, dhe LVV ka bërë thirrje për bashkim rreth vizionit të një Juniku më të drejtë dhe më të zhvilluar.

The post Jetmir Tofaj zyrtarizohet kandidat i LVV-së për kryetar të Junikut appeared first on Telegrafi.

LVV kandidon Abdyl Gashin për kryetar të Artanës, më 2024 ishte angazhuar si ekspert në MMPHI

27 July 2025 at 23:45

Lëvizja Vetëvendosje ka kandiduar për kryetar të Komunës së Artanës, Abdyl Gashin, për zgjedhjet lokale të 12.10.2025.

LVV njofton se në një takim atje, së bashku me strukturat e partisë dhe në prani të kryetarit të LVV-së Albin Kurti e sekretarit organizativ Alim Rama, u konfirmua kandidatura e Gashit.

“Projektet e suksesshme të qeverisjes qëndrore për Artanën do t’i shumëfishojmë edhe në nivel lokal. Adresa e shqiptarëve në Artanë është Lëvizja VETËVENDOSJE!. Abdyl Gashi është kandidati që përfaqëson të gjithë qytetarët, përtej dallimeve, përfshirë ato partiake” – thuhet në postimin e LVV-së.

“Na priftë e mbara në Artanë me Abdyl Gashin, kandidatin tonë në zgjedhjet e 12 tetorit dhe zgjedhjen e duhur për banorët e kësaj komune” – ka shkruar Kurti në rrjete sociale.

Abdyl Gashi, tanimë kandidat për Kryetar të Artanës, më herët ishte angazhuar si ekspert në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës gjatë.

The post LVV kandidon Abdyl Gashin për kryetar të Artanës, më 2024 ishte angazhuar si ekspert në MMPHI appeared first on Telegrafi.

Dështoi edhe përpjekja e fundit për konstituimin e Kuvendit – çfarë u tha pas përmbylljes së seancës

26 July 2025 at 23:52

Deputetët e Kuvendit të Kosovës për të 54-në herë dështuan të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, ndërkaq nga e diela, më 27 korrik ndalohet çdo vendim i deputetëve, pasi hyn në fuqi masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Kjo ishte edhe tentativa e fundit para se të përfundojë afati 30 ditor, që është vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj veprimeve dhe vendimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, duke ndaluar çdo aktivitet parlamentar nga data 27 korrik 2025 deri në një vendim tjetër.

Në njoftimin zyrtar, Gjykata thekson se masa është vendosur ex officio, me arsyetimin se çdo veprim pas kësaj date mund të shkaktojë “dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe”.

Pas dështimit të seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, deklaroi se nuk është mbajtur asnjë seancë për votimin e komisionit për votim të fshehtë.

Ai fajësoi partitë tjera për këtë bllokadë, duke theksuar se VV-ja ka propozuar që të arrihet një dakordim mes kryetares dhe nënkryetares së Kuvendit, por sipas tij, kjo është refuzuar nga opozita.

Murati theksoi se po tentohet të ndryshohet rezultati zgjedhor përmes manovrave.

”Me keqardhje, deri në orët e fundit, pavarësisht përpjekjeve, shtysës tonë të krijohen institucionet, s’patëm sukses. E pamë që deputetët e opozitës sërish refuzuan të kryejnë obligimin e tyre kushtetues, që të votojnë. Nuk u është dhënë shansi deputetëve përmes votimit të fshehtë të krijoheshin institucionet e vendit”, u shpreh Murati.

Ndërkaq, lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, pas dështimit të konstituimit të Kuvendit, tha se ata nuk janë bllokues dhe se i vjen keq për atë që ka ndodhur.

Krasniqi tha se nuk bëhen pjesë e shkeljeve të Kushtetutës.

“Nuk bëhemi pjesë e shkeljeve të Kushtetutës. Ne do ta mbrojmë qytetarin, për Kosovën është derdhur gjak”, tha ai në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, kryeneçësia e Kurtit dhe partisë së tij ishin më e madhe se Kosova dhe demokracia.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të respektojë ligjin.

Abdixhiku theksoi se gjuha e përplasjes dhe imponimit duhet të marrë fund. /Telegrafi/

The post Dështoi edhe përpjekja e fundit për konstituimin e Kuvendit – çfarë u tha pas përmbylljes së seancës appeared first on Telegrafi.

​Seanca e 53-të, Baraliu: Pritet të arrihet marrëveshje, është momenti i fundit

26 July 2025 at 09:50

Në prag të mbajtjes së seancës së 53-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, profesori universitar dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, shpreh shpresë se kjo seancë mund të sjellë një zhvillim ndryshe nga dështimet e deritanishme.

Baraliu vlerëson se sot mund të arrihet një marrëveshje mes partive politike për konstituimin e Kuvendit, duke e cilësuar këtë si shansin e fundit për t’i dhënë fund bllokadës institucionale dhe për të përmbushur obligimet kushtetuese të deputetëve.

Në një intervistë për KosovaPress, profesori universitar, Mazllum Baraliu tha se pret që sot të ketë një marrëveshje për Kuvendin, dhe ndoshta edhe për Qeverinë, sipas tij.

Nëse kjo nuk ndodhë, sipas Baraliut, vendi rrezikon të futet në një situatë të paqartë dhe të rrezikshme, që cenon jo vetëm sigurinë, por edhe vetë funksionimin dhe ndërtimin e shtetit.

“Pritet është momenti i fundit. Fatkeqësisht ne jemi mësuar që momentet e fundit t’i zgjidhim çështjet dhe jo me kohë. Parashikoj që duhet të ketë një vendim. Duhet të ketë një marrëveshje dhe duhet të ketë mbase një marrëveshje edhe për kuvend edhe për qeveri. Por,të paktën për kuvend është e domosdoshme. Nëse kjo nuk ndodhë, deputetët e kësaj legjislature të nëntë të kuvendit do të duhej të vetëdijesohen dhe t’i kthehen arsyjes dhe detyrave e përgjegjësive që kanë. Dhe detyrave e përgjegjësive edhe morale, jo vetëm politike, e etike që kanë marrë me vetë faktin se kanë marrë besimin e sovranit të popullit, të qytetarit që i ka votuar, pa marrë parasysh nga qëndrimet e subjekteve të tyre politike ta bëjnë shumicën, ta votojnë kryetarin e kuvendit, cili do qoftë ai kandidat. Jemi në rrezik dhe futemi në një hapësirë, në një labirinth ta pa paraparë dhe të paparë të rreziqeve edhe në aspektin e sigurisë edhe të shtetekzistmit dhe shtet ndërtimit”, tha Baraliu.

Baraliu potencoi se sot minimalisht duhet të finalizohet marrëveshja ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate.

Ai theksoi se është absurde që një proces që mund të zgjidhet për pesë minuta të mbetet i bllokuar.

Sipas tij, nëse Kuvendi nuk konstituohet dhe nuk votohen kryetari dhe nënkryetarët, vendi futet në një “zonë gri”, që rrezikon seriozisht ekzistencën e shtetit dhe funksionimin e republikës.

“Ajo që është minimumi i minimumit do të duhej të ishte marrëveshja e finalizuar tashmë. Sepse nuk ka kuptim, është absurde…Diçka që bëhet për pesë minuta, duhet ta bëjnë. Nëse kjo jo, duhet të ketë votim të kujtdo qoftë, çfarëdo qoftë propozimi, modeli, duhet të votohet kandidati apo kandidatja që propozohet nga shumica ose ndonjë kompromis. Nëse jo kompromis, nëse jo marrëveshje politike për kuvend apo qeveri, domosdoshmërisht deputetët, e kanë për detyrë, madje edhe Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin e mëhershëm, pjesë e të cilit është edhe vendimi i djeshëm, si sqarim i këtij akgjykimi. Do të duhej ta konstituoni kuvendin, ta votonin kryetarin dhe nën kryetarët e të gjitha partive, gjithë atyre që iu takojnë dhe të hapet rruga më tutje për themelim të qeverisë në bazë të dispozitave të nenit 95 të kushteutes…Nëse jo, ne hymë në një zonë gri e cila është mjegulluar po aq sa ne ta rrezikojmë qenien tonë shtetërore, qenien e republikën dhe ekzistencën e shtetit. Këtë nuk i lejohet asnjë deputeti ta bëjë”, potencoi Baraliu.

Ndërkaq, lidhur me vendimin e 24 korrikut të Gjykatës Kushtetuese, Baraliu tha se është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse sipas tij vjen në një moment kritik dhe u tregon qartë deputetëve dhe partive politike se çfarë duhet të bëjnë dhe brenda cilave afate.

Ai sqaroi se Gjykata ka dhënë afat deri më 27 korrik për konstituimin e Kuvendit. Nëse kjo nuk ndodhë nga 27 korriku deri më 8 gusht, siç e shpjegoi edhe Baraliu, aktivizohet masa e sigurisë dhe Gjykata do të nisë shqyrtimin e të gjitha kërkesave dhe dokumenteve të paraqitura nga dy partitë politike.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është precizim i aktgjykimit të mëhershëm dhe përgjigje në dy parashtresat e dy subjekteve politike që kanë bërë, PDK-ja dhe LDK-ja lidhur me procesin e bllokimit të konstituimit të kuvendit. E shoh si një akt jashtëzakonisht të rëndësishëm në momentin më të rëndësishëm dhe kritik për të vetëdijesuar dhe për trasuar në mënyrë rekomanduese kardinale rrugën e deputetëve dhe të partive politike dhe çfarë duhet të bëjnë dhe deri kur janë afatet e caktuara për të vepruar. Pra, iu ka dhënë mundësinë që fillimisht deri më 27 të bëhet kuvendi, nëse bëht çdo gjë është në rregull. Nëse jo, atëherë nga 27 korrikut deri më 8 gusht fillon dhe zbatohet masa e sigurisë dhe pastaj fillon punën gjykata në përpunimin e të gjitha kërkesave, të dhënave, elementeve të atyre dy parashtresave të dy subjekteve politike”, tregoi Baraliu.

Gjykata Kushtetuese ka kthyer të premten më 24 korrik, përgjigje ndaj kërkesave të PDK-së dhe LDK-së mbi vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë të seancës së mbajtur më 29 qershor 2025.

Kushtetuesja ka caktuar masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo vendim dhe veprim i deputetëve të zgjedhur lidhur me seancën konstituive pas përfundimit të afatit 30 ditor, dhe se nuk do të mund të marrin asnjë vendim tjetër nga 27 korriku deri më 8 gusht.

The post ​Seanca e 53-të, Baraliu: Pritet të arrihet marrëveshje, është momenti i fundit appeared first on Telegrafi.

Maliqi thotë se nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik, presidentja duhet t’i shpall zgjedhjet e reja

26 July 2025 at 09:17

Sot, deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen për herë të 53-të me radhë në përpjekje për ta konstituar Kuvendin.

Seanca për ditën e sotme u thirri pasi Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj veprimeve dhe vendimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, duke ndaluar çdo aktivitet parlamentar nga data 26 korrik 2025 deri në një vendim të mëtejmë.

Për situatën e krijuar, një reagim e ka bërë edhe analisti politik Shkëlzen Maliqi.

“Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se, nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik, presidentja duhet të shpallë zgjedhje të reja.

“Nëse Kuvendi nuk konstituohet deri me 26 korrik, presidentja si kujdestare e funksionalitetit të institucioneve të republikës e konstaton gjendjen e vetëshkarkimit të kuvendit dhe i shpall zgjedhjet e reja”, tha ai.

Ndryshe, Kuvendi ka mbetur pa u konstituar pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk po heqë dorë nga emri i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, gjersa kryesuesi po ashtu ka vënë si pikë të rendit të ditës formimin e një Komisioni që do të mundësonte votim të fshehtë në Kuvend për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Në anën tjetër, partitë tjera, PDK, LDK e AAK kanë thënë se nuk do ta votojnë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, ndërsa po ashtu çështja e Komisionit zgjedhor nuk po arrihet në mungesë kuorumi.

Që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, vendi ka mbetur pa formuar institucione të reja./Telegrafi/

The post Maliqi thotë se nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik, presidentja duhet t’i shpall zgjedhjet e reja appeared first on Telegrafi.

Reagon deputetja Pacolli: Sulmi nuk ishte spontan, video është incizuar nga gruaja ose vajza e tij

25 July 2025 at 21:56

Deputetja e Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka reaguar pasi sot derisa ishte duke qëndruar në një lokal, një qytetar i afrohet dhe e ofendon duke e akuzuar se është “hajneshë”.

Deputetja thotë e sulmi nuk ishte spontan, dhe se video e cila po qarkullon në rrjetet sociale është incizuar nga gruaja ose vajza e tij, të cilat sipas saj, ishin në vendngjarje, transmeton Telegrafi.

“Sot, në ambientet e lokalit “Home”, u përballa me një akt të rëndë kërcënimi dhe sulmi verbal nga një person i quajtur Agim Pllashniku. Ky individ njihet në publik dhe nga autoritetet për të kaluarën e tij të dhunshme. Ky sulm nuk ishte aspak spontan, ishte i organizuar dhe i mirëkoordinuar. Videoja që po qarkullon në rrjetet sociale është incizuar nga gruaja ose vajza e tij, të cilat ishin të pranishme në vendngjarje. Gruaja është e punësuar në institucionin e Avokatit të Popullit, ndërsa vajza pritet të jetë kandidate për Asamblenë Komunale nga radhët e PSD-së”, thotë Pacolli.

Deputetja po ashtu ka deklaruar se video nuk është e plotë.

“Kjo video nuk është e plotë. Ajo është prerë dhe manipuluar për të fshehur sulmin e tij ndaj meje si dhe momentin kur agresori e sulmon fizikisht asistentin tim, si dhe çastin kur tenton të fusë dorën në çantën që mbante në krah, një çantë për të cilën dyshohet se mund të ketë pasur armë”, shtoi deputetja.

Pacolli theksoi se “Agim Pllashniku u afrua me tonë e mënyrë kërcënuese pranë tavolinës ku isha ulur, duke shfaqur qartazi qëllime agresive dhe provokuese.”.

“Dëshmitarë të drejtpërdrejtë të këtij incidenti ishin përfaqësues të institucionit të Avokatit të Popullit, përfshirë edhe vetë Avokatin e Popullit, si dhe zyrtarë policorë në uniformë, të cilët ndodheshin në lokal në momentin e ngjarjes. Disa portale, “gazetarë” dhe “analistë”, të financuar nga oligarkë dhe interesa të tyre të errëta, po e portretizojnë këtë sulm të rrezikshëm si një akt “heroik”, duke mbrojtur agresorin dhe duke tentuar ta paraqesin dhunuesin si viktimë.

Këto portale nuk kanë për qëllim informimin e publikut. Ato janë kthyer në instrumente të dhunës së organizuar dhe sistematike kundër meje, duke përhapur qëllimisht urrejtje, kërcënime, shpifje, thirrje për sulme verbale e fizike, si dhe dhunë politike e psikologjike, me qëllimin e vetëm për të më detyruar të tërhiqem nga angazhimi im politik”,vijon reagimi.

Ajo thotë se këto veprime tashmë përbëjnë përgjegjësi penale.

“Unë nuk do të frikësohem. Nuk do të hesht. Nuk do të tërhiqem. Do të vazhdoj, sypatrembur dhe e palëkundur, rrugën time të drejtë. Dhe nuk do të lejoj që e vërteta të deformohet nga ata që përkrahin dhunën dhe krimin”, deklaroi deputetja.

Ndryshe,dDeputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, është përballur sot me një situatë jo të këndshme ndërsa ishte në një lokal. Ku një qytetar i afrohet në tavolinë dhe e akuzon duke e quajtur “hajneshë”.

Lidhur me rastin, Policia tashmë ka intervistuar personin e dyshuar.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, ka konfirmuar për Telegrafin, se ndaj tij është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale ‘’Kanosja’’

“Referuar këtij rasti, i dyshuari është ftuar për intervistim nga ana e policisë dhe me rekomandimin e prokurorit të shtetit ndaj tij është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale ‘’Kanosja’’ dhe i njëjti më pas është proceduar i lirë”, tha Borovci.

Ndryshe, Pacolli ishte e shoqëruar nga një person në lokal, gjatë kohës sa qytetari iu afrua duke e akuzuar për hajni./Telegrafi/

The post Reagon deputetja Pacolli: Sulmi nuk ishte spontan, video është incizuar nga gruaja ose vajza e tij appeared first on Telegrafi.

Takimi Kurti-Limaj, dalin detajet e fundit të negociatave

22 July 2025 at 15:36

Negociatat ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate për një marrëveshje bashkëqeverisëse janë intensifikuar në ditët e fundit. Derisa nuk ka ende një konfirmim zyrtar, përfaqësues të të dy subjekteve kanë dhënë sinjale për afrimin e qëndrimeve.

Në koalicionin LVV-Guxo dhe Alternativa janë optimistë se do të arrihet marrëveshja me Nismën, siç thonë, vetëm për postet në ekzekutiv, pasi nuk lëvizin nga emri i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.

Ndërkaq, në Nismën Socialdemokrate deklarojnë se nuk kanë kushte për bashkëpunim me LVV-në, derisa shtojnë se ditët në vijim do të shohin a do të binden nga oferta e LVV-së për koalicion qeverisës.

Megjithatë, vihet në pah se përkundër kësaj marrëveshje duhet të sigurohet edhe vota e një deputeti për të krijuar shumica parlamentare prej 61 deputetëve.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se javën e kaluar ka paraqitur një ofertë konkrete karshi liderit të Nismës, Fatmir Limaj, për koalicion qeverisës. Sipas tij, në ditët në vijim do të ketë sërish takime dhe do të shihet nëse do të ketë marrëveshje për formim të institucioneve të reja para afatit obligues të Gjykatës Kushtetuese për konstituim të Kuvendit të Kosovës, i cili skadon më 26 korrik.

Kryetarja e Alternativës, njëherësh deputete e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë për KosovaPress se pas takimit të fundit Kurti-Limaj ka mundësi të mëdha të arrihet një marrëveshje.

Limaj, në takimet paraprake me Albin Kurtin, është shprehur i interesuar që në kuadër të marrëveshjes me LVV-në të marrë vetëm postin e kryekuvendarit dhe jo të përfshihet në koalicion qeverisës.

Mirëpo, Kusari-Lila deklaron se tashmë është bërë e qartë se grupi i tyre parlamentar nuk ka votë për Fatmir Limajn për kryetar të Kuvendit, mirëpo po shikohen variantet tjera për pozicionet në ekzekutiv.

“Nuk mund të flas për detaje të diskutimit pasi që në diskutim apo në negociata është vetë kryeministri me zotëri Limaj. Do të thotë që ata janë të dytë që diskutojnë, por përderisa ka diskutime në vazhdimësi dhe ka ende paralajmërime për takim, unë mendoj që ka mundësi të arrihet një marrëveshje. Ajo çka ka qenë e qartë në këtë periudhë të dytë të diskutimeve, gjegjësisht ju e dini që ka pasur takime edhe në fillim të mbajtjes së seancave konstituive me udhëheqësin e Nismës Socialdemokrate, zotin Limaj, është se tashmë është e ditur se nga grupi ynë parlamentar i përbërë nga tri parti, Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa, nuk ka pasur vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur zotëri Limaj kryetar i Kuvendit… Unë jam e bindur se janë duke u shqyrtuar variantet tjera, gjegjësisht mundësi të tjera, por prapë po them që në këtë fazë është ende herët të thuhet çkado për shkak se nuk është një marrëveshje e finalizuar… Nëse është marrëveshje politike, është marrëveshje për bashkëqeverisje, atëherë duhet të diskutohen pozicionet në ekzekutiv, besoj unë, apo edhe pozicionet tjera në kuadër të Kuvendit”, thekson Kusari-Lila.

Në anën tjetër, anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Fatmir Matoshi, thotë për KosovaPress se nuk kanë paraqitur kushte për bashkëpunim me LVV-në. Megjithatë, sipas tij, vazhdojnë të insistojnë në emrin e Fatmir Limajt për kryeparlamentar. Kjo çështje, sipas Matoshit, është ngritur edhe në takimin e javës së kaluar mes Kurtit dhe Limajt.

Ai nuk tregon ofertën që Kurti ia ka bërë Limajt për koalicion qeverisës, mirëpo shton se rezultatet e takimeve në ditët në vijim do të përcaktojnë nëse Nisma do të bindet të jetë pjesë e ekzekutivit me LVV-në.

“Normalisht se ne mendojmë që Fatmir Limaj, kryetar i Kuvendit, është zgjidhja më e mirë edhe për Lëvizjen Vetëvendosje. Nuk është veç për Nismën Socialdemokrate, është edhe për Lëvizjen Vetëvendosje. Normalisht që këto ia themi Lëvizjes Vetëvendosje, sepse kemi një kundërshtim të madh për zonjën Haxhiu nga gjitha subjektet tjera politike… Tema e kryetarit të Kuvendit ka qenë pjesë e bisedave të fundit. Do të jetë prapë pjesë e bisedave që mund të ketë këto dy-tri ditë. Nisma nuk ka paraqitur kushte, nuk vendos kushte. Nuk është e interesuar me ngulë këmbë edhe me kushtëzuar me një pikë të caktuar… Ndërkohë, rezultatet e bisedimeve do ta përcaktojnë nëse ne do të bindemi që të jemi pjesë e një ekzekutivi me Lëvizjen Vetëvendosje”, thekson Matoshi.

Pavarësisht mundësisë së arritjes së marrëveshjes me Nismën, në koalicioninin LVV-GUXO-Alternativa thonë se duhet të sigurohet edhe një deputet për të krijuar shumicën parlamentare që do të zgjidhte kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë e re.

Sipas Kusari-Lilës, LVV bashkë me partnerët aktualisht ka 57 vota, duke u bazuar në gjashtë tentimet për votim të hapur të kandidates së tyre për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu.

Ndërkaq, për formimin e qeverisë nevojiten 61 vota. Nga zgjedhjet e shkurtit, LVV-ja ka siguruar 47 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 25, LDK-ja 20, AAK-Nisma tetë deputetë ndërkaq, 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet pakicë – dhjetë për serbët dhe dhjetë për pakicat e tjera.

Kusari-Lila shton se me tri votat e Nismës bëhen gjashtëdhjetë deputetë, mirëpo është e bindur që do të bëhen 61 pas arritjes së marrëveshjes me Nismën, por nuk tregon se si do të sigurojnë votën edhe të një deputeti.

“Jemi në kufij të gjysmës, bëhen gjashtëdhjetë me një matematikë të thjeshtë, por jemi të bindur që mund të bëhen gjashtëdhjetë e një pas arritjes së marrëveshjes me Nismën… Me deputetët nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, tash kush do të jetë vota e gjashtëdhjetë e një, mbetet të shihet, por jam e bindur se nëse arrijmë deri në diskutim ose marrëveshje me Nismën Socialdemokrate, atëherë do të mund të kemi edhe votë tjetër për të arritur gjashtë e njëshin”, shton ajo.

Shqetësim të tillë ka edhe anëtari i Kryesisë së Nismës, Fatmir Matoshi, i cili kërkon nga LVV-ja që t’i sigurojë 58 deputetë të tjerë dhe më pas të llogarisë në tri votat e Nismës.

Sipas tij, nëse LVV-ja ka vullnet politik, nuk është e pamundur të sigurohen edhe dy vota nga komunitetet joserbe, të cilët deri tani kanë shprehur rezerva për bashkëpunim me LVV-në: deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, si dhe deputeti nga radhët e komunitetit egjiptian, Veton Berisha.

“Lëvizja Vetëvendosje duhet me i pas edhe pesëdhjetë e tetë të tjera për me kriju shumicë parlamentare. Tani ata janë në bisedime edhe me deputetë të tjerë, edhe nga pakicat joserbe. Nuk është e pamundshme që të arrijmë numrin 58, nëse kanë vullnet nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Unë besoj që kjo gjë është e arritshme dhe nuk do të ishte fare problem”, thekson Matoshi.

Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja, përkundër që zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.

Gjykata Kushtetuese më 26 qershor ka obliguar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të konstituojnë legjislaturën e nëntë deri më 26 korrik, mirëpo nuk ka specifikuar pasojat juridike nëse nuk ndodh një gjë e tillë.

Kuvendi nesër do të tentojë për herë të 51-të konstituimin e legjislaturës së nëntë./KP/

The post Takimi Kurti-Limaj, dalin detajet e fundit të negociatave appeared first on Telegrafi.

Mustafa kritikon qeverinë në detyrë: Kushtetuta nuk lejon dy poste, mospërfillja sjell përgjegjësi ligjore

20 July 2025 at 15:22

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kujtuar një vendim të ndërmarrë gjatë mandatit të tij në vitin 2017 për lirimin nga detyra të disa anëtarëve të kabinetit qeveritar, të cilët sapo kishin fituar mandatin si deputetë, duke theksuar rëndësinë e respektimit të Kushtetutës edhe në mungesë të ligjeve specifike.

Mustafa përmes një postimi në rrjetin social Facebook thekson se këtë veprim e kishte marrë në prag të certifikimit të rezultateve zgjedhore në atë vit.

“Në prag të certifikimit të rezultateve zgjedhore të vitit 2017, në konsultim me Zyrën Ligjore të KM dhe me këshilltarin juridik të Kryeministrit, që sot është kryetar i Odës së Avokatëve, në harmoni me nenin 72 të Kushtetutës, si kryeministër në detyrë lirova nga detyra një zëvendëskryeministër dhe 8 ministra të cilët kishin fituar mandatin e deputetit. Qeveritarët e liruar nga detyra ishin: Ramiz Kelmendi, zëvendëskryeministër, ministrat; dr. Kujtim Shala, dr, Avdullah Hoti, dr. Enver Hoxhaj, dr, Lutfi Zharku, Memli Krasniqi, dr, Hykmete Bajrami, Arban Abrashi dhe Rasim Demiri”, ka shkruar Mustafa.

Sipas tij, qëllimi nuk ishte të tregohej si shembull i zbatimit të Kushtetutës, por të shmangej shkelja e saj.

“Këtë veprim nuk e ndërmorëm që të jemi shembull i zbatimit të Kushtetutës, por që të preventojmë të mos bëhemi shembull i shkeljes së saj”, ka shkruar Mustafa.

Ish-kryeministri shton se të gjithë zyrtarët e liruar nga detyra në atë kohë e kishin kërkuar vetë largimin për të respektuar mandatin e tyre të ri si deputetë dhe për të shmangur
mospërputhshmëri kushtetuese.

Ai rikujton se në atë kohë mungonte Ligji për Qeverinë, por tashmë ekziston një bazë e qartë ligjore.

“Edhe pse në atë kohë Kosova nuk e kishte Ligjin për Qeverinë, i cili tani në mënyrë eksplicite e bën ligjërisht të detyrueshme normën kushtetuese se asnjë person nuk mundet në të njëjtën kohë të ushtrojë pozita ekzekutive dhe ato legjislative”, shprehet Mustafa.

Mustafa ka shprehur shqetësim për qëndrimin në pushtet në kundërshtim me Kushtetutën dhe paralajmëron përgjegjësi ligjore.

“Qeveria në detyrë nuk duhet t’i lejojë vetes veprim antikushtetues dhe të qëndrojë në pushtet në shkelje të ligjit. Atëherë jo vetëm se do duhej dhënë përgjegjësi për veprime jo legale dhe jo legjitime, por edhe të pret përgjegjësia individuale para ligjit për pasojat e krijuara nga mospërfillja e gjyqësorit”, ka shkruar Mustafa. /Telegrafi/

The post Mustafa kritikon qeverinë në detyrë: Kushtetuta nuk lejon dy poste, mospërfillja sjell përgjegjësi ligjore appeared first on Telegrafi.

Albin Kurti prezanton Artan Abrashin kandidat për kryetar të Prizrenit

19 July 2025 at 21:28

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, sonte në Prizren ka prezantuar publikisht kandidatin e partisë së tij për kryetar komune.

Në një ngjarje të mbajtur në sheshin Kej, përballë Xhamisë së Sinan Pashës në qendër të Prizrenit, u bë e ditur se kandidati i VV-së për kryetar të Komunës së Prizrenit në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025 është Artan Abrashi.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se Abrashi është një figurë me vizion, i ndershëm dhe punëtor, duke theksuar se Vetëvendosje po hyn në këto zgjedhje me një ekip të fortë dhe një program të qartë për ndryshim dhe përparim në qytet.

Zyrtarët e partisë bënë të ditur se gjatë fushatës zgjedhore do të ketë takime të tjera me qytetarët në të gjitha lagjet e Prizrenit. /RTK/

The post Albin Kurti prezanton Artan Abrashin kandidat për kryetar të Prizrenit appeared first on Telegrafi.

U takuan pa zhurmë, përfundon takimi Kurti–Limaj

19 July 2025 at 16:49

Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj duket se kanë përfunduar takimin e shumëpërfolur këto ditë.

Ende nuk dihen detaje nëse ka pasur dakordim për ndonjë marrëveshje për të dalë nga kriza politike.

Megjithatë, Kurti është parë duke u larguar nga ambientet e një restoranti në lagjen Pejton të kryeqytetit, shumë afër selisë së NISMA-s.

Pamjet nga largimi i Kurtit janë publikuar nga mediumi “Nacionale”.

Kujtojmë se NISMA vijon të këmbëngulë për postin e kryeparlamentarit, siç deklaroi edhe deputetja Xhevahire Izmaku, e cila theksoi se Limaj në krye të Kuvendit është “mundësia më e mirë për vendin”.

Ndërkaq LVV nuk ka bërë të ditur nëse do të mund ta ndryshoj emrin e Albulena Haxhiut.

Afati për formimin e institucioneve përfundon më 26 korrik. Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se, në mungesë të marrëveshjes lënda do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. /Telegrafi/

The post U takuan pa zhurmë, përfundon takimi Kurti–Limaj appeared first on Telegrafi.

❌
❌