Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 August 2025Main stream

Shtëpia e Bardhë s’përjashton prezencën e Zelenskyt në Alaska gjatë samitit Trump-Putin

By: Rovena
10 August 2025 at 14:59

Një përplasje diplomatike ka shpërthyer të shtunën pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se do të takohet me homologun e tij rus, Vladimir Putin, javën e ardhshme në Alaska, ndërkohë që udhëheqësit evropianë nxituan të kuptonin kushtet e takimit dhe të siguroheshin që Ukraina nuk po lihej jashtë diskutimeve për të ardhmen e saj.

Zyrtarët evropianë ia paraqitën rastin e tyre zëvendëspresidentit JD Vance në një takim të organizuar me nxitim në Angli të shtunën.

Udhëheqësit e disa vendeve evropiane kanë thënë më pas se, teksa mbështesnin përpjekjet diplomatike të Trumpit, çdo bisedë paqeje duhet të paraprihet nga një armëpushim dhe vetë Ukraina duhet të përfshihet në mënyrë aktive, raporton CNN.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk është përmendur si pjesëmarrës në samitin e Alaskës, që do të zhvillohet të premten midis Trumpit dhe Putinit.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë nuk e ka përjashtuar plotësisht përfshirjen e Zelenskyt në disa takime, kanë thënë për CNN dy burime të njohura me çështjen.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka theksyar se çdo gjë që përfshin Zelenskyn ka të ngjarë të ndodhë pas takimit Trump-Putin.

Samiti është zhvilluar shumë shpejt dhe detajet janë ende në ndryshim e sipër. Një vend i saktë nuk është njoftuar ende.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se Trumpi mbetet “i hapur për një samit trepalësh me të dy udhëheqësit”, por se “Shtëpia e Bardhë po planifikon takimin dypalësh të kërkuar nga presidenti Putin”.

Që kur Trumpi zbuloi planet për t’u takuar me Putinin në një postim në mediat sociale të premten, ka pasur një përpjekje intensive diplomatike prapa skenave për të bindur aleatët e SHBA-së të marrin pjesë.

Në njoftimin e Trumpit nuk është bërë e ditur nëse ose kur Zelensky do të përfshihej në proces.

Ndërkohë, Zelensky dhe udhëheqësit evropianë kanë theksuar se Ukraina duhet të jetë pjesë e çdo diskutimi për përfundimin e luftës.

100 fëmijë të vdekur nga kequshqyerja dhe uria në Gazë

By: Rovena
10 August 2025 at 14:28

Të paktën 100 fëmijë kanë vdekur në Gazë nga kequshqyerja dhe uria, ka thënë të dielën ministria e Shëndetësisë e territorit.

Gjatë 24 orëve të fundit, spitalet në Rripin e Gazës regjistruan pesë vdekje të reja për shkak të urisë dhe kequshqyerjes, përfshirë dy fëmijë, sipas ministrisë.

Kjo e çon numrin e përgjithshëm të palestinezëve që kanë vdekur nga uria dhe kequshqyerja në 217, përfshirë 100 fëmijë. Miratimi i planit për ta ripushtuar tërësisht Gazën të premten nga kabineti i sigurisë i kryeministrit, Benjamin Netanyahu, ka shtuar shqetësimet për përkeqësim të situatës në enklavë.

Ndërkohë, shumë njerëz po vazhdojnë të vdesin atje, gjatë përpjekeve të tyre për të siguruar ushqim, qoftë nga ajri apo nga kamionët e paktë që lejohen të hyjnë në Gazë.

Izraeli ka vendosur një bllokadë totale të ndihmës për 11 javë duke filluar nga marsi, që është parë si taktikë për të ushtruar presion mbi Hamasin për të liruar pengjet, dhe sasia e vogël e ushqimit, karburantit dhe furnizimeve mjekësore e lejuar që nga maji nuk e ka lehtësuar urinë ekstreme.

Grupet e ndihmës kanë thënë se bllokada e ndihmës humanitare nga Izraeli në Rripin e Gazës është shkaku kryesor i krizës së urisë.

Kur Izraeli lejoi kthimin e ndihmës, e bëri këtë kryesisht sipas një sistemi të ri të diskutueshëm të shpërndarjes së ndihmës – të drejtuar nga grupi logjistik i mbështetur nga Izraeli, Fondacioni Humanitar i Gazës.

Izraeli thotë se sistemi i ri i shpërndarjes ndalon ndihmën që shkon te Hamasi. Të paktën 1 mijë e 400 njerëz janë vrarë ndërsa kërkonin ndihmë që nga 27 maji 2025, shumica e të cilëve u vranë pranë vendeve të GHF-së, ndërsa palestinezë të tjerë u vranë përgjatë rrugëve të konvojeve të ndihmës, sipas OKB-së.

Daku “godet” sërish/ Sulmuesi shënon, goli i katërt në po aq ndeshje me Rubin

By: Rovena
10 August 2025 at 14:23

Mirlind Daku nuk ndalet në atë që mund të jetë sezoni më i mirë në karrierën e tij. Soulmuesi i kombëtares së Shqipërisë gjeti golin e tij të katërt me Rubin Kazan në po aq javë të luajtura deri tani në Premiere Ligën e Rusisë.

Futbollisti 27 vjeçar realizoi rrjetën e vetme në humbjen e thellë 5-1, që skuadra e tij pësoi kundër CSKA të Moskës. Një gol nderi, por shumë i rëndësishëm në aspektin personal dhe që konfirmon formën e shkëlqyer të Mirlind Dakut.

Në sezonin e ri të futbollit rus, ai numëron gjashtë realizime në pesë ndeshje, duke llogaritur edhe ato në Kupë. Po ashtu, ai është në bindshëm që tani në garën për “Këpucën e Artë”, ndërsa vijon të thellojë rekordet me Rubin Kazan.

Pas ndeshjes së fundit, Mirlind Daku ngjitet në kuotën e 29 golave në 58 ndeshje me Rubin, që nga koha kur debutoi në Premier Ligën e Rusisë.

Statistika që mund të jenë të rëndësishme edhe për kombëtaren e Shqipërisë, e cila do të kthehet në fushë në shtator për dy ndeshjet e radhës në eliminatoret e Botërorit 2026 kundër Serbisë dhe Letonisë.

Sylvinjo shpreson të ketë në formë të gjithë lojtarët dhe në këtë aspekt, mund të mbështetet te Mirlind Daku.

Plazhi i Kunës, destinacioni i verës/ Pastërtia dhe çmimet e ulëta tërheqin turistët

By: Rovena
10 August 2025 at 14:05

Nga një plazh i frekuentuar kryesisht nga banorët e zonës përreth, bregdeti i Kunës në Shëngjin është shndërruar në një destinacion të preferuar edhe nga pushuesit nga Kosova dhe emigrantët që kthehen në atdhe për pushimet e verës.

Hapësirat e shumta publike, pastërtia, siguria dhe qetësia janë disa nga arsyet pse kjo zonë po shënon çdo vit rritje të ndjeshme të frekuentimit.

Pushuesit vlerësojnë mundësinë për të vendosur çadrën e tyre pa kosto. Pylli me pisha që kufizon bregdetin ofron freski natyrale, duke e bërë zonën tërheqëse edhe për turistë të huaj që udhëtojnë me kamerë.

Zona lidhet me Lezhën dhe superstradën bëhet përmes rrugës së re të ndërtuar dy vite më parë, që shmang trafikun e rënduar të sezonit.

Numri i pushuesve në Kunë po rritet ndjeshëm vit pas viti, ndërsa çmimet mbeten të pandryshuara, duke i dhënë mundësi vizitorëve të zgjedhin sipas buxhetit të tyre./abcnews.al

“Thesarët” kuqezinj në merkato/ Armando Broja kthehet si futbollisti më i shtrenjtë i Kombëtares

By: Rovena
10 August 2025 at 13:38

Transferimi te Burnley e ka kthyer sërish Armando Brojën si lojtarin më të shtrenjtë sa i përket futbollistëve të kombëtares së Shqipërisë.

Klubi anglez shpenzoi 20 milion stërlina për të blerë kartonin e sulmuesit nga Chelsea, duke rritur ndjeshëm vlerën e tij në treg.

Në fakt, vlerësimi i Armando Brojës ka qenë më i lartë se kaq, por kuotat e tij në merkato kishin rëndë ndjeshëm pas sezoneve të fundit të kushtëzuara nga dëmtimet e rënda.

Në këtë mënyrë, 23 vjeçari kthehet të kryesojë listën e futbollistëve kuqezi me vlerën më të lartë të kartonit, duke kaluar sërish Kristjan Asllanin.

Me valixhet gati për t’i larguar nga Inter, kartoni i mesfushorit vlerësohet 13 milion euro nga siti i specializuar “Transfermark”.

Gjithsesi, klubi zikaltër pretendon të fitojë jo më pak se 15 milion euro nga shitja e tij.

Në vendin e tretë sa i përket lojtarëve shqiptarë më të shtrenjtë qëndron Ernest Muçi.

Sulmuesi që luan me Beshiktash vlerësohet 10 milion euro në merkato, aq sa klubi turk shpenzoi pak sezone më parë për ta transferuar nga Legia e Varshavës.

Pesëshja e parë e këtij kalsifikimi plotësohet me Mirlind Dakun dhe Myrto Uzunin.

I pari, që luan me Rubin Kazan ka një vlerë 8 milion euro, ndërsa tjetri që vendosi ta vazhdojë karrierën me Austin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësohet 7.5 milion euro.

Ndërkohë, dhjetëshja e futbollistëve të kombëtares kuqezi me vlerën më të lartë në merkato vijon me Marash Kumbullën, Anis Mehmetin, Berat Gjimshitin, Ardian Ismajlin dhe Mario Mitaj./abcnews.al

Jashari fiton zemrën e “djallit”/ Menjëherë titullar, mesfushori shkëlqen në debutimin me Milan

By: Rovena
10 August 2025 at 13:29

Nga avioni në klub për firmën. Më pas një seancë stërvitore dhe menjëherë në fushë për debutimin. Aventura e Ardon Jasharit me Milan ka nisur me xhiro të shpejta, por mesfushorit me origjinë shqiptare i kanë mjaftuar këto 48 orë për të fituar zemrën e “Djallit”.

Futbollisti 23 vjeçar luajti si titullar në miqësoren kundër Leeds, ku Milan barazoi 1-1.

Jashari qëndroi në fushë 61 minuta, shumë për një lojtar që javët e fundit për shkak të tratativave të vështira për transferimin e tij ishte stërvitur i vetëm.

Por ky detaj nuk e ndikoi paraqitjen e mesfushorit, që është vlerësuar lart në notat e mediave italiane.

Jo vetëm kaq, pasi edhe trajneri Masimiliano Alegri nuk i kurseu elozhet pas ndeshjes.

Ardon Jashari konsiderohet një lojtar i rëndësishëm për të tashmen dhe të ardhmen e Milan dhe pritet të jetë titullar në sezonin që do të nisë shumë shpejt.

Sa i përket miqësores kundër Leeds, Milan mori sinjale pozitive edhe nga Santiago Gimenez.

Sulmuesi meksikan, që u bashkua me skuadrën kuqezi me vonesë për shkak të impenjimit me kombëtaren në Kupën e Amerikës shënoi që në ndeshjen e tij të parë.

Alkooli nuk të freskon, por… të helmon/ Rriten rastet tek të rinjtë: Mjekët: Pasoja afatgjata

By: Rovena
10 August 2025 at 13:09

Pushimet e verës kanë sjell shtim të personave me helmim nga pijet alkoolike. Sipas mjekëve kjo vihet re më shumë gjatë fundjavave.

“Helmimi nga alkooli është një diagnozë që është prezente gjatë gjithë vitit. Mund të themi që është diagnoza që paraqitet me numrin më të lartë në shërbimin e toksikologjisë. Ajo që vihet re është që gjatë javës ka më pak sesa në fundjavë dhe gjatë ditëve të festave.”

Pre e alkoolit gjithnjë e më shumë po bien edhe të rinjtë e adoleshentët. Mjekja toksikologe në QSUT, Irena Ceko, thotë se vitet  e fundit është rritur numri i konsumuesve të pijeve alkoolike te femrat.

“Zakonisht mosha që vjen më shpesh është midis moshës 20-30 vjeç. Ka një rritje të ndërgjegjësimit, ajo që vihet re si tendencë, është rritja e numrit të konsumuesve të alkoolit nga femrat. Ka raste sporadike, grupmosha e adoleshencës 14-18 vjeç. Me intokacion alkooli.”

Pasojat e konsumimit të alkoolit janë të rënda, deri në humbje jete.

“Gjendje të rënda janë ato të komës, janë prezente, por, jo shumë të shpeshta. Përveç urgjencës, kërkojnë edhe hospitalizim. Mund të kërkojnë edhe ndihmë në shërbimin e reanimacionit.  Alkooli është e dëmshme sidomos tek adoleshentët, që tek intokacionet akute, përqendrimi i alkoolit në gjak. Rreziku në i madh kalimi në gjendje kome. Më vonë rrit rrezikun të bëhen vartës, ndryshon ecurinë komplet të jetës. Kemi pas edhe raste fataliteti.”

Mjekët bëjnë thirrje për shmangie të pijeve alkoolike, sidomos tek moshat e reja dhe adoleshentët, pasi pasojat janë afatgjata.

“Stop alkoolit, sidomos tek moshat e reja, rrezet e diellit shkaktojnë gjendje lipotimie, substancë që prek sistemin nervorë.”/abcnews.al

VIDEO/ Zjarr pranë stacionit të ujësjellësit në Gjirokastër

By: Rovena
10 August 2025 at 13:01

Zjarr në afërsi të stacionit të pompomit të ujit të pijshem për Gjirokastrën. Në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrefikese ku konstatuan se flaket kishin marrë përmasa të mëdha.

Pas nderhyrjes me shpejtesi për izolimin e flakëve ku po perhapeshin drejt pompës së ujit, vreshtave dhe pemtarive perreth saj, u arrit të vihej nën kontroll duke mos lejuar perhapjen e tij. Zjarri kishte rënë në një siperfaqe rreth 3000 m2 ku brenda saj ndodhej një magazine ku kishte automjete të parkuara brenda dhe jashtë saj.

Magazina ishte  rreth 50m2 ku brenda saj ndodheshin materiale bujqesore dhe nje automjet tip “Opel” kabriole i vitit 2005 me targa AA841VF dhe ngjitur me murin rreth një metër larg ndodhej një “Benz 2400” i vitit 1984 pa targa si dhe brenda perimetrit të djegur nga flakët u dogjën edhe 20 pemë frutore./abcnews.al

Notuan drejt lirisë/ Përkujtimi i guximit të të rinjve që sfiduan komunizmin

By: Rovena
10 August 2025 at 12:43

Përmes notit në një distancë rreth 5 km deri në derdhje të Bunës, disa qytetarë përkujtuan dhjetëra djem dhe vajza që rreth 4 dekada më parë notuan nën presionin e armëve, duke sfiduar komunizmin e duke kaluar kufirin me not.

Për organizatorin ky demostrim është mirënjohje dhe respekt për ata që treguan se liria fitohet edhe në periudhat më të errëta.

Pjesëmarrësit nuk ishin vetëm nga Shkodra, por edhe nga qytete të tjera, thonë se e pritën me kënaqësi ftesën për të kujtuar të kaluarën që nuk duhet harruar.

Të izoluar dhe në kushte të vështira, dhjetëra djem e vajza morën guximin që përmes ujit të kalonin në Mal të Zi. Disa prej tyre arritën të arratiseshin, ndërsa të tjerë mbetën të vrarë nga regjimi i kohës. Ky është viti i dytë që organizohet një aktivitet i tillë përkujtues nën moton “Noto drejt Lirisë”./abcnews.al

Shiste kokainë dhe kanabis në zonën e Livadhit/ Pranga 28-vjeçarit në Vlorë

By: Rovena
10 August 2025 at 12:39

Vihet në pranga një 28-vjeçar në Vlorë, që shiste kokainë dhe kanabis në zonën e Livadhit. Sekuestrohen sasi lëndësh narkotike, një pjesë e ndarë në doza gati për shitje, si dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Gjatë kontrollit fizik dhe të dhomës ku ky shtetas ishte akomoduar, Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale: sasi me lëndë narkotike kokainë në rreth 120 doza; sasi me lëndë narkotike kanabis në rreth 65 doza; një shumë parash, e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas e përgatiste lëndën narkotike në doza në dhomën ku ishte akomoduar e më pas e shiste atë në zonat turistike të vijës bregdetare, të frekuentuara nga pushues dhe turistë të huaj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.

Kundër pushtimit të Gazës/ Mijëra njerëz nga Tel Avivi, në Stamboll e Kili kundër planit të Izraelit

By: Rovena
10 August 2025 at 12:30

Nga Tel Avivi në Stamboll e në Kili, mijëra njerëz kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër planit izraelit për pushtimin e qytetit të Gazës.

Mijëra protestues marshuan nëpër Tel Aviv të shtunën në atë që ishte një nga tubimet më të mëdha në qytet që nga fillimi i luftës.

Të afërmit dhe mbështetësit e pengjeve izraelite që mbahen në Rripin e Gazës morën pjesë në tubim duke kërkuar lirimin e tyre dhe duke bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës.

Ata theksuan se nuk janë dakord me vendimet e qeverisë izraelite dhe madje e fajësojnë për të gjitha tragjeditë që ndodhën në tetor të vitit 2023, kur Hamasi sulmoi dhe mori peng familjarët e tyre.

Edhe në Stamboll u mblodhën qindra njerëz në mbështetje të palestinezëve dhe kundër planit izraelit për të zgjeruar ofensivën në enklavë.

Protestuesit kërkuan që Izraeli të mbahet përgjegjës për luftën 22-mujore që vrau mbi 61,300 njerëz në enklavë.

Bilal Erdogan, djali i presidentit turk dhe kreu i njërës prej organizatave që thirrën protestën, ishte midis atyre që u bënë thirrje njerëzve të dilnin në rrugët e kryeqytetit turk për të protestuar.

Ndërkohë numri i të arrestuarve nga protesta në Londër Policia ka shkuar në 466. Sipas aktivistëve ky është numri më i lartë i arrestimeve i kryer ndonjëherë në një protesta të vetme në kryeqytetin britanik.

Të shtunën  qindra njerëz u mblodhën në Sheshin e Parlamentit në Londër, duke denoncuar luftën e Izraelit në Gaza dhe duke mbajtur pankarta me mesazhe kundër gjenocidit dhe në mbështetje të grupimit “Palestine Action”, grupim pro palestinez që qeveria britanike ka vendosur ta ndalojë.

Edhe në Kili qindra qytetarë dolën në rrugë për të treguar mbështetje dhe solidaritet me popullin palestinez.

Ata bënë thirrje për një Palestinë të lirë dhe kërkuan që t’i jepet fund vrasjes së fëmijëve në Gaza./abcnews.al

Sulme dhe negociata/ Në prag të takimit me Trump, Putin raketa drejt Ukrainës

By: Rovena
10 August 2025 at 12:26

Sulmet ruse në Ukrainë nuk janë ndalur edhe pse këto ditë janë vendimtare për negociatat e paqes, me një takim mes Vladimir Putin dhe Donald Trump që pritet të mbahet ditën e premte më 15 gusht.

Pesë persona janë vrarë në rajonet e Zaporizhzhia dhe Donetsk. Tre nga viktimat ishin në Zaporizhzhia dhe të tjerat nga bombardimet në rrethet Vasylivka dhe Polohivka. Një 69-vjeçar u plagos gjithashtu nga sulmet.

Gjithashtu të paktën shtatë persona u plagosën në Kharkiv pas një serie sulmesh me dronë rusë.

Një nga sulmet goditi një dyqan në Kharkiv, duke plagosur tre gra, një burrë dhe një vajzë 17-vjeçare.

Zhvillimet më të fundit vijnë teksa për të arritur paqen mes Rusisë dhe Ukrainës, presidenti amerikan Donald Trump ka propozuar shkëmbim territoresh mes dy vendesh.

Kjo është kundërshtuar nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, që e ka quajtur një kusht të tillë shpërblim për pushtuesin.

Europa ka dalë krah Ukrainës me një deklaratë, duke theksuar se bisedimet e paqes duhet të përfshijnë patjetër Kievin. Liderët e Britanisë, Francës, Italisë, Gjermanisë, Polonisë, BE dhe Finlandës përsëritën nevojën për garanci të forta sigurie dhe kundërshton idenë se Ukraina duhet të bëjë lëshime territoriale.

Deri më tani nuk është konfirmuar se Ukraina do të marrë pjesë në bisedimet mes Trump dhe Putin që do të mbahen në Alaska. Megjithatë disa zyrtarë amerikanë i thanë NBC News se administrate e Trump po shqyrton mundësinë e një ftese ndaj Zelenskyt për të marrë pjesë në takim.

Sipas burimeve për median amerikane Donald Trump mbetet i hapur për një takim trepalësh, por aktualisht Shtëpia e Bardhë po përqendrohet në planifikimin e takimit dypalësh të kërkuar nga kreu i Kremlinit./abcnews.al

 

Irani arreston 20 të dyshuar për spiunazh për Izraelin

By: Rovena
10 August 2025 at 11:53

Irani i ka arrestuar 20 njerëz për të cilët dyshon se janë operativë të agjencisë së spiunazhit të Izraelit, Mossad, gjatë muajve të fundit, njoftoi të shtunën gjyqësori iranian.

Të mërkurën, Irani ekzekutoi një shkencëtar bërthamor me emrin Rouzbeh Vadi, i cili u dënua për spiunazh për Izraelin dhe për ndarjen e të dhënave me një tjetër shkencëtar bërthamor, i vrarë gjatë sulmeve ajrore të Izraelit ndaj Iranit në qershor, raportuan mediat shtetërore.

Zëdhënësi i gjyqësorit, Asghar Jahangiri, u tha gazetarëve në Teheran të shtunën se akuzat ndaj disa prej 20 të arrestuarve janë hedhur poshtë dhe ata janë liruar, por nuk tregoi sa prej tyre saktësisht.

“Gjyqësori nuk do të tregojë asnjë mëshirë ndaj spiunëve dhe agjentëve të regjimit sionist, dhe me vendime të forta do t’i bëjë shembull për të gjithë”, citohet të ketë thënë Jahangiri nga mediat iraniane.

Ai tha se hollësitë e plota do të bëhen të ditura sapo të përfundojnë hetimet.

Ekzekutimi i iranianëve të dënuar për spiunazh për Izraelin është rritur ndjeshëm këtë vit, pasi në muajt e fundit janë kryer të paktën tetë ekzekutime.

Izraeli kreu 12 ditë sulme ajrore ndaj Iranit në qershor, duke shënjestruar gjeneralët më të lartë, shkencëtarët bërthamorë, objektet bërthamore, si dhe lagjet e banuara.

Irani u kundërpërgjigj me një breshëri raketash dhe dronësh ndaj Izraelit.

Grupi për të drejtat e njeriut, HRANA, raportoi për 1.190 viktima iraniane gjatë 12 ditëve të sulmeve izraelite, përfshirë 436 civilë dhe 435 pjesëtarë të forcave të sigurisë.

Autoritetet izraelite thanë se 28 njerëz u vranë në Izrael gjatë sulmit hakmarrës të Iranit./REL

Shqipëria “përpihet” nga flakët/ Në 24 orë 38 vatra zjarri

By: Rovena
10 August 2025 at 11:36

Gjatë 24 orëve të fundit, vendi është përfshirë nga një valë zjarresh masive, Ministrinë e Mbrojtjes raporton për 38 vatra të evidentuara në disa qarqe të Shqipërisë.

Prej tyre, 31 janë shuar, ndërsa 7 vijojnë të jenë aktive, duke paraqitur rrezik serioz për jetën e banorëve dhe mjedisin. Situata më problematike paraqitet në Qarkun e Vlorës, ku për shkak të përmasave të flakëve dhe terrenit të vështirë, është kërkuar edhe ndërhyrje ajrore.

Autoritetet janë në gadishmëri të lartë, me mbi 700 forca operacionale dhe mbështetje ndërkombëtare nga avionët Canadair të Kroacisë dhe Italisë.

Qarku Vlorë – Në bashkinë Finiq, forcat kanë punuar gjatë gjithë natës dhe vijojnë ende, për shkak të situatës. Për të siguruar jetën e banorëve, u evakuuan 15 familje nga fshati Velahovë dhe 36 familje nga fshati Livinë, pa probleme apo lëndime. Në mbështetje shkuan edhe 3 autoambulanca të Urgjencës Mjekësore. Ditën e sotme situata vazhdon të jetë problematike. Konkretisht: vatra mbi fshatin Hardhasov në bazë dhe të erës është problematike për në drejtim jugor për në Navaricë si dhe në drejtimin perëndimor të fshatrave Fitore dhe Krane. Në vatrën e zjarrit mbi fshatin Bistricë po operohet me mjete nga MZSH dhe efektivë të FA. Gjithashtu vazhdon me intensitet puna për shuarjen e vatrës mbi fshatin Dhrovjan dhe Krongj. Vatrat e sipërpërmendura kanë shtrirje të madhe dhe në terren të thyer, çka pengon operimin me mjete. Për këto arsye u kërkua edhe mbështetje nga ajri me helikopter. Momentalisht në terren po  operojnë: 37 forca zjarrfikëse me 6  automjete zjarrfikëse të bashkive Finiq, Sarandë, Konispol dhe Delvinë; 20 forca policore, 30 forca bashkiake dhe vullnetare; 28 efektivë  me 4 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë dhe 1 autobot, 60 trupa dhe 1 helikopter i FA. Në terren në fshatin Dhrovjan po operon edhe avioni kroat Canadair.

*Në vendin e quajtur “Rëzom”, në afërsi të Tunelit të Skërficës, te maja e Lucës, ku rrezikohen sipërfaqe pyjore me bredh dhe shkurre. Për shkak të terrenit të thyer është e vështirë të operohet me mjete nga toka. Ditën e sotme do kryhet ndërhyrje me inspektorët e AdZM. Në fshatin Bolenë, Njësia administrative Horë-Vranisht, bashkia Himarë, ku vatra e zjarrit po zhvillohet në pyll me pisha. Në terren janë duke operuar forcat e MZSH së Himarës me 2 mjete zjarrfikëse, si dhe forcat e MZSH së Vlorës me 1 mjet zjarrfikës, banorë të zonës etj. Në mbështetje të strukturave vendore, në terren kanë shkuar edhe 20 efektivë nga FA.

Qarku Lezhë – Fshatin Malaj i Epërm, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë, ku zjarri është aktiv në sipërfaqe pyjore me pisha, lis dhe shkurre, në lagjen “Vjollcë”. Vatra e zjarrit është nën kontroll të plotë dhe sot do të punohet me 2  mjete zjarrfikëse, 6 Forca nga MZSH,  6 Forca nga shërbimi pyjor,  5 nga njësia administrative dhe 2 forca vullnetare.

Qarku Dibër – Malin e Allushit, në afërsitë fshatit Plani Bardhë, bashkia Klos, vatra e zjarrit është nën kontroll dhe po monitorohet nga 6 forca të MZSH dhe 1 mjet, për të mos patur zhvillime nga zjarri aktiv brenda vatrës ku akoma po digjen trungje.

Qarku Berat – Në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Zjarri është nën kontroll që prej mbrëmjes së djeshme dhe ditën e sotme janë angazhuar 15 forca zjarrfikëse të MZSH Poliçan.

Qarku Shkodër – Fshatin Zagore, njësia administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe  po punohet në terren të vështirë për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe barishte.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 66 automjete zjarrfikëse dhe 760 forca operacionale, të ndihmuar nga FA me 183 forca ushtarake, 3 automjete zjarrfikëse dhe  3 helikopterë të FA. Gjithashtu morën pjesë edhe 2 avionë Canadair nga Kroacia dhe Italia.

Ndikim i paligjshëm ndaj funksionarëve publikë/ Ekstradohet nga Itali shqiptari i shpallur në kërkim

By: Rovena
10 August 2025 at 11:21

Ekstradohet nga Italia një 32-vjeçar shqiptar i kërkuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

32-vjeçari E. C., alias E. Gj, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në prill 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në përfundim të procedurave në Komisariatin e Policisë Rinas, shtetasi E. C., alias E. Gj, iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve./abcnews.al

Shkodër/ 61-vjeçari përplas policin në vizat e bardha

By: Rovena
10 August 2025 at 11:16

Në vijim të informacionit të dhënë dje, për aksidentin në lagjen “Partizani”, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin B. N, 61 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Procedimi nisi pasi ky shtetas duke drejtuar automjetin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë, ka përplasur shtetasin P. K., 60 vjeç, punonjës policie, i cili ishte duke kaluar në vijat e bardha duke shkuar për të marrë shërbimin. Si pasojë shtetasi P. K., ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, për trajtim mjekësor më të specializuar, jashtë rrezikut për jetën.

Turqia: Vendet myslimane të bashkohen kundër planit të Izraelit për ta marrë nën kontroll Gazën

By: Rovena
10 August 2025 at 10:46

Vendet myslimane duhet patjetër të veprojnë të bashkuara dhe ta kundërshtojnë planin e Izraelit për ta marrë nën kontroll Qytetin e Gazës, tha të shtunën ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, pas bisedimeve në Egjipt.

Fuqitë rajonale, Egjipti dhe Turqia, e dënuan planin e Izraelit të premten.

Ankaraja tha se kjo shënon një fazë e re në atë që e quajti politikë “gjenocidale dhe ekspansioniste” të Izraelit, duke bërë thirrje për masa globale për të ndaluar zbatimin e tij.

Izraeli e mohon këtë përshkrim të veprimeve të tij në Gazë.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp në El Alamein me homologun e tij egjiptian, Badr Abdelatty, pas një takimi edhe me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, Fidan tha se Organizata për Bashkëpunim Islamik (OIC) ishte thirrur në një mbledhje urgjente.

Fidan tha se politika e Izraelit synon t’i detyrojë palestinezët të largohen nga tokat e tyre përmes urisë dhe ta pushtojë përgjithmonë Gazën, duke shtuar vendet nuk e kanë më asnjë arsye për ta vazhduar mbështetjen e Izraelit.

Izraeli e mohon se synon shkaktimin e krizës së urisë në Gazë dhe thotë se grupi militant palestinez Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – mund t’i japë fund luftës duke u dorëzuar.

“Ajo që po ndodh sot është një zhvillim shumë i rrezikshëm… jo vetëm për popullin palestinez apo vendet fqinje”, tha Abdelatty, duke shtuar se planet e Izraelit janë “të papranueshme”.

Abdelatty tha se ka pajtueshmëri të plotë me Turqinë për çështjen e Gazës dhe iu referua një deklarate të publikuar të shtunën nga Komiteti Ministror i OIC, i cili dënoi planin e Izraelit.

Komiteti i OIC-it tha se plani i Izraelit përbën “një përshkallëzim të rrezikshëm dhe të papranueshëm, një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe një përpjekje për të forcuar pushtimin e paligjshëm”, duke paralajmëruar se ai do të “shkatërrojë çdo mundësi për paqe”.

Ekipet ndërmjetësuese nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar prej muajsh për të arritur një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit.

OIC u bëri thirrje fuqive botërore dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së që “të marrin përgjegjësitë e tyre ligjore dhe humanitare dhe të ndërmarrin veprime urgjente për të ndaluar” planin e Izraelit për Qytetin e Gazës, duke siguruar njëkohësisht përgjegjësinë e menjëhershme për atë që e quajti shkelje të ligjit ndërkombëtar nga Izraeli./REL

❌
❌