Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 August 2025Main stream

VIDEO/ Vatër zjarri në një sipërfaqe pyjore në Kukës, flakët përhapen me shpejtësi, ndërhyjnë zjarrfikësit

13 August 2025 at 18:41

Një tjetër vatër zjarri është përhapur në sipërfaqen pyjore të fshatit Bele në Kukës, pjesë e parkut Kombëtar Korab Koretnik. Zjarri është përhapur me shpejtësi edhe si pasojë e erës së fortë duke rrezikuar edhe disa shtëpi në këtë zonë.

Në vendngjarje janë dhjetëra punonjës të shërbimit zjarrfikës, emergjenca civile të bashkisë Kukës si edhe të zonave të mbrojtura, në ndihmë janë edhe banorë të zonës.

/abcnews.al/

Trump: Pasojat do të jenë të rënda nëse Putin nuk pranon të ndalojë luftën!

13 August 2025 at 18:33

Në një konferencë të zhvilluar me gazetarët, presidenti amerikan u pyet nëse Rusia do të përballet me pasojë në rast se në takimin që pritet të mbahet të premten nuk do të arrihet marrëveshje për të përfunduar luftën.

Trump u shpreh shkurtimisht se do të ketë pasojë.

“Po do të ketë, do të ketë pasoja”, raportohet të ketë thënë Trump. Më tej nuk sqaroi se për çfarë sanksionesh mund të bëhej fjalë, por shtoi se pasojat do të jenë shumë të rënda.

Megjithatë theksoi se ekziston mundësia që të ketë një takim të dytë me Putinin, që sipas Trump do të jetë “më produktiv” sesa ai i planifikuar për të premten në Alaska.

Në takimin e parë, “Do të zbuloj se ku jemi dhe çfarë po bëjmë”, nënvizoi Trumop.

/abcnews.al/

Dash: Paraburgimi i zgjatur, problem/ Raporti: Mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve vonon proceset penale

13 August 2025 at 18:25

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin mbi të drejtat e njeriut edhe për Shqipërinë, për vitin 2024.

Nga njëra anë, Uashingtoni thekson se situata në Shqipëri nuk ka ndryshim, por vlerësohet puna e qeverisë për të ndëshkuar ata zyrtarë të cilët kishin abuzuar me të drejtat themelore të qytetarëve.

Por duket se jo rastësisht, në këtë raport 13 faqesh, Departamenti amerikan i Shtetit i kishte kushtuar një paragraf të veçantë drejtësisë.

Një nga pikat që mbetet thembra e akilit të të akuzuarve përballë drejtësisë, paraburgimi.

Në raport, theksohet se për vitin 2024, kjo çështje vijon të mbetet ende një problem i madh. Theksohet se hetimet paraprake duhet të zgjasin 3 muaj, edhe pse prokurori ka të drejtë ti zgjasë, ndërsa paraburgimi jo më shumë se 3 vite. Edhe pse sipas shifrave zyrtare, afatet nuk janë shkelur, sërish mbetet një problem për amerikanët.

Madje, shtohet se për disa raste të trajtimit të keq të të paraburgosurve apo të burgosurve, për shkak të kushteve të këqija të burgjeve.

Dhe tek kjo, ata gjejnë edhe arsyet, nga Vetingu, sipas të cilëve la gjykatat e prokuroritë bosh, tek mungesa e stafit, hapësirave fizike, menaxhimi jo efikas i kalendarit të gjykatave dhe burimeve material.

Tek fushat e tjera, Shqipëria nuk rezulton të ketë ceduar, mbrojtja e fëmijëve, tek kërkesat për azil dhe trajtimi i refugjatëve, apo deri tek liria e qytetarëve për të kritikuar haptazi qeverinë apo institucione të tjera.

Itali, përmbytet varka me emigrantë pranë Lampedusës, 20 viktima

13 August 2025 at 16:43

Një varkë me emigrantë është përmbysur pranë Lampedusës. Të paktën 20 persona kanë humbur jetën, ndërsa 27 të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Sipas informacioneve 80 emigrantë janë shpëtuar.

Autoritetet vijojnë punën t’i ardhur në ndihmë të lënduarve ndërsa vijon aksioni për të gjetur personat e zhdukur.

/abcnews.al/

Gjeneva e bën falas transportin publik

13 August 2025 at 16:37

Transporti publik do të jetë përkohësisht falas në Gjenevë, për herë të parë në Zvicër, si pjesë e një sërë masash që synojnë të trajtojnë rritjen e ndotjes në qytet.

Gjeneva, në pjesën perëndimore frëngjishtfolëse të Zvicrës, po përjeton kulmin e ndotjes nga ozoni- një gaz i dëmshëm që mund të shkaktojë probleme me frymëmarrjen dhe mund të shkaktojë dhimbje koke dhe sulme astme, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, raporton Reuters.

Sistemi anti-smog i qytetit tregoi se përqendrimet e ozonit kishin tejkaluar një prag të sigurisë shëndetësore mjedisore prej 180 mikrogramësh për metër kub gjatë 24 orëve, sipas një deklarate nga Kantoni i Gjenevës.

Të martën, temperaturat arritën 37 gradë celsius teksa qeveria lëshoi paralajmërime për nxehtësinë për pjesët perëndimore dhe jugore të Zvicrës.

SHBA/ Trump nis “pastrimin”, Garda Kombëtare zbret në rrugët e Uashingtonit

12 August 2025 at 23:37

Garda Kombëtare ka filluar të dalë në rrugët e kryeqytetit amerikan Uashington, pasi Donald Trump urdhëroi që forcat federale të merrnin përsipër departamentin e policisë së qytetit për të menaxhuar krimin dhe të pastrehët.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, thotë se afërsisht 850 oficerë federalë të zbatimit të ligjit u vendosën në Uashington dhe arrestuan 23 persona gjatë natës, duke e quajtur këtë vetëm fillimin.

Arrestimet përfshijnë akuza për vrasje, krime me armë dhe drogë, drejtim mjeti të pakujdesshëm dhe drejtim mjeti në gjendje të dehur. Ajo tha se u sekuestruan gjashtë pistoleta të paligjshme.

Leavitt tha gjithashtu se kontrolli federal i departamentit të policisë mund të zgjasë më shumë se 30 ditë.

Megjithatë shtëpia e Bardhë do të ketë nevojë për miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit për të zgjatur marrjen e kontrollit të departamentit.

Në lidhje me të pastrehët Leavitt tha se atyre do u ofrohet një strehë ose trajtim për varësinë nga droga. Ata që refuzojnë të largohen nga kampet e të pastrehëve, do të përballen me gjoba ose me burg.

Kryetarja e bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser tha se plani i sapo shpallur i Trump për të marrë përsipër Departamentin e Policisë Metropolitane dhe për të nxjerrë në rrugë Gardën Kombëtare nuk ishte një hap produktiv. Ajo tha se krimi në qytet ka qenë në rënie të vazhdueshme dhe tha se gjendja e jashtëzakonshme e perceptuar nga Trump nuk përputhet me shifrat.

Delvinë/ Zjarrfikëset, Forcat e Armatosura dhe policia në terren për të vënë në kontroll vatrat e rrezikshme, evakuohen banorët

12 August 2025 at 23:09

Delvinë- Për shkak të flakëve që po afrohen me qytetin shumica e forcave të bashkive Sarandë, Gjirokastër, Konispol dhe Finiq, së bashku me Brigadën e Mbështetjes së Emergjencave Civile të Forcave të Armatosura, janë dislokuar në terren për të luftuar vatrat e rrezikshme të zjarrit dhe për të ndihmuar në evakuimin e banorëve.

Aktualisht raportohet se nuk ka rrezik për banesat. Në zonë ka mbërritur edhe ministri Pirro Vengu.

Trupat në bashkëpunim me policinë e shtetit kane vendosur një perimetër të përkohshëm sigurie dhe po largojnë banorët nga zona.

Aktualisht në territorin e vendit janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 27 janë aktive dhe 7 po mbahen nën monitorim. Siç raporton Ministria e Mbrojtjes situata më problematike vijon të jetë në jug të vendit.

/abcnews.al/

Viktima e parë nga zjarret, në Gramsh digjen 7 fshatra/ 8 banorë në spital, autoritetet dhanë urdhër për evakuim

12 August 2025 at 22:50

Ajri në Harunas është i rëndë, i mbushur me tym e hi që era e fortë përhap në çdo drejtim.

Tymi dhe flakët që përpin çdo gjë përpara, përzihet me të bërtiturat e banorëve që nxitojnë të largohen, duke marrë me vete çfarë munden, një thes me rroba, disa orendi e shpeshherë vetëm bagëtinë që kanë arritur të shpëtojnë.

Në rrugët e ngushta të fshatit shihen forcat zjarrfikëse e banorët, që të gjithë në një betejë të përbashkët me kohën dhe erën, ndërsa qielli i kuqërremtë i pasdites e bën gjithçka të duket si një skenë lufte.

Në çdo anë ndihet ankthi se flakët mund të kthehen brenda pak minutash, duke mos lënë asgjë pas.

Banorët e Harunasit me lot në sy e disa me tonë të larta shprehin shqetësimin e tyre për këtë situatë.

Ndërkohë Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, pa situatën nga afër ndërsa tha se në zonë ka rrezik të shtuar për përhapjen e flakëve.

Të lodhur e të tronditur, banorët e evakuuar nuk e dinë nëse do ta gjejnë më shtëpinë ashtu siç e lanë.

Për shumë prej tyre, kjo është hera e parë që largohen nga fshati me emergjence. Makinat e emergjencave civile janë vënë në dispozicion për t’i transportuar drejt qytetit të Gramshit, ku pritet të akomodohen në ambiente publike dhe strehë të përkohshme, derisa situata të vihet nën kontroll.

Vetëm 5 kilometra nga këtu ku jemi, u shkaktua dhe viktima e parë e stinës së zjarreve. Por më shumë sesa viktimë e zjarreve, i moshuari nga fshati Kullollas vdiq si pasojë e pakujdesisë, pas ndezjes së zjarrit.

Moti i nxehtë dhe papërgjegjshmëria me ose pa dashje e qytetarëve në ndezjen e zjarreve, kanë detyruar autoritetet të bëjnë aksione të rrezikshme shpëtimi, ndërsa edhe presidenti i Republikës bëri thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë, në mënyrë që të shmangen viktima të tjera në njerëz.

/abcnews.al/

Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes: 27 vatra aktive. Situata problematike në jug, rrezik për banesat dhe zonat e mbrojtura

12 August 2025 at 22:42

Vendi po përballet me një situata problematike për shkak të zjarreve. Ministria e Mbrojtjes ka publikuar të dhënat e fundit mbi gjendjen e zjarreve.

Aktualisht në territorin e vendit janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 27 janë aktive dhe 7 po mbahen nën monitorim.

Situata më problematike vijon të jetë në jug të vendit, me rrezik të lartë për zonat e mbrojtura, banesat dhe infrastrukturën.

Zjarri i nisur në Finiq ka kaluar në territorin e Delvinës, duke rrezikuar edhe qytetin, pas fshatrave  Pecë, Kranë, Krongj, Kardhikaq dhe Sirakat.

Po vijon evakuimi i banorëve në zonat e rrezikuara. Në terren kanë operuar helikopteri i FA-së, 2 avionë grekë PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak. Bashkia Delvinë po hap breza mbrojtës me skrepa, ndërsa kërkohet mbështetje shtesë nga ajri për shkak të riskut të lartë.

Fshati Sevaster, Nj. A. Sevaster – Në terren ndodhet mjeti zjarrfikës i Selenicës me efektivët e tij. Flakët, të favorizuara nga era dhe terreni, po rrezikojnë disa banesa. Ka nisur evakuimi i banorëve.

Fshati Mesaplik, Nj. A. Brataj – Zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar banesa. Forcat zjarrfikëse të Vlorës po ndërhyjnë me mjete dhe efektivë, ndërkohë që po vijon evakuimi i banorëve.

Bashkia Dropull – Zjarri i ardhur nga Finiqi është shtrirë nga lartësitë mbi fshatin Goric deri në fshatin Dhuvjan (ish-reparti ushtarak i Leftokaresë). 20 forca të bashkisë Dropull po e mbajnë nën monitorim. Nuk ka rrezik për banesat.

Parku i “Rëzom” – Maja e “Lucës” – Vatra në sipërfaqe me shkurre e pyll vazhdon aktive. Terreni i thyer nuk lejon ndërhyrje me mjete, por AdZM do të kryejë ndërhyrje në orët e para të mëngjesit.

Lagjja “15 Tetori”, Vlora – Vatër aktive në kodrën pas bashkisë. Në terren ndodhet 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë.

Rrethrrotullimi i Orikumit – Vatër aktive, ku po ndërhyhet me 1 mjet zjarrfikës dhe 3 efektivë.

Qarku Dibër

Ternovë, Zerqan – Bulqizë – Zjarri ka marrë përmasa të mëdha. Po punojnë forcat e MZSH-së, pyjores, bashkisë dhe kompanive minerare, si dhe 30 trupa FA.

Mali me Gropa, Biz – Martanesh – Vatër në zonë të mbrojtur, larg zonave të banuara. Monitorim nga AdZM dhe njësia vendore.

Fshati Luzni – Zjarri rrezikoi banesat, por forcat operacionale arritën ta vendosin nën kontroll.

Xibër Murriz – Klos – Vatër nën monitorim, pa rrezik.

Qarku Berat

Fshati Rehovë – Poliçan – Riaktivizim me përmasa të mëdha, që po prek fshatrat Rehovë, Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik e Panarit, si dhe Rezervatin e Mbrojtur “Balloll”. Kërkohet ndërhyrje nga ajri.

Në fshatin Vokopolë  u evakuuan banorët. Në vendngjarje janë edhe efektivë të FA dhe forca nga bashkitë përreth. Situata është kritike.

Fshati Mbrakull – Poliçan – Zjarri ka kaluar pranë ujësjellësit dhe qytetit. Po punojnë 35 forca FA, 65 forca MZSH, 15 forca bashkiake dhe mjetet zjarrfikëse të zonës.

Fshati Velçan – Sinjë – Vatër nën monitorim.

Fshati Orizaj – Qendër Skrapar – Zjarr në sipërfaqe me shkurre, po monitorohet.

Qarku Tiranë

Spanesh – Rrogozhinë – Zjarri pranë banesave, është kryer evakuim i banorëve.

Ferraj dhe Zall-Herr – Tiranë – Forcat zjarrfikëse dhe APR po punojnë për izolimin.

Damjan dhe Isufaj – Vaqarr – Vatra e madhe po përparon drejt Pezë Helmës. Po ndërhyhet me 20 forca zjarrfikëse dhe mjete.

Mali i Bërzhitës – Ibë – Vatra aktive, pa rrezik të menjëhershëm.

Qarku Gjirokastër

Hormovë – Tepelenë – Zjarri rrezikon banesat, është kryer evakuimi i banorëve. Ndërsa të gjitha strukturat janë në terren.

Koshtan – Memaliaj. Zjarri ka përhapje të madhe. Banorët janë evakuuar, por 3 banesa janë përfshirë nga zjarri. Forcat zjarrfikëse me mjetin zjarrfikës si dhe forca vullnetare dhe Policia e Shtetit janë pozicionuar në sheshin e Teqesë dhe po punojnë për të ruajtur banesat e tjera.

Turan – Tepelenë – Janë djegur dy stalla bagëtish. Po punojnë forcat tokësore dhe ajrore.

Qarku Elbasan

Kullollas – Gramsh – Situatë e rënduar, është raportuar një humbje jete. Banorët janë evakuuar. Për shkak të flakëve janë bllokuar edhe disa rrugë që lidhin fshatrat. Në bashkinë Gramsh janë marrë masa për strehimin e banorëve të evakuuar.

Mukaj dhe Sojnik – Gramsh – Situatë problematike. Mbi 150 forca po punojnë për izolimin e zjarrit në sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Është kërkuar ndërhyrja me 50 forca operacionale FA. Në terren janë edhe forcat zjarrfikëse të Elbasanit dhe Gramshit afër fshatit Snosëm e Sojnik, të shoqëruara edhe nga punonjës bashkiak e banorë të zonës.

Qarku Shkodër

Xath – Fushë Arrëz – Po ndërhyhet me mbi 170 forca dhe mjete. Falë ndërhyrjes së koordinuar, deri tani është bërë i mundur shpëtimi i banesave që ishin në rrezik në fshatrat Xhath dhe Flet. Aktualisht po punohet me intensitet të lartë për izolimin dhe shuarjen e vatrave në disa drejtime, megjithë terrenin e vështirë.

Baks–Rrjoll – Velipojë – Vatër në kallamishte, po punohet për shuarjen.

Qyteti i Pukës – Vatra në kontroll.

Ura e Shtrejtë – Postribë – Monitorim i vazhdueshëm.

Qarku Kukës

Gegaj – Tropojë – Vatër e izoluar, pa rrezik për banesat.

Parku i Monellës – Kukës – Vatër nën monitorim.

Qarku Korçë

Gërmenj – Leskovik – Zjarri në Parkun Natyror vijon aktiv, po monitorohet.

Qarku Fier

Gjonc-Selisht – Cakran – Vatër e vendosur nën kontroll, monitorim.

Bashkia Lushnje – Vatër e re, po ndërhyhet me forcat zjarrfikëse të Divjakës.

Yesterday — 12 August 2025Main stream

Njëmbëdhjetë vatra zjarri vazhdojnë të jenë aktive në Kosovë

12 August 2025 at 22:35

Agjencia për Menaxhim Emergjent në Kosovë ka bërë të ditur se në 12 orët e fundit janë regjistruar 72 vatra zjarri dhe prej tyre 11 vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 61 të tjerë janë lokalizuar.

“Situata më e rënduar është paraqitur në Komunën e Kamenicës, në fshatin Tugjevc dhe fshatin Gmicë”, ka thënë agjencia përmes një postimi në Facebook.

Ajo ka thënë se për ta shuar zjarrin në fshatin Gmicë e ka kërkuar edhe ndihmën e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Kosova dhe gjithë rajoni i Ballkanit po përballen me temperatura rreth 40 gradë Celsius këtë javë. Ministria e Shëndetësisë në Kosovë u ka rekomanduar institucioneve publike dhe private që t’i zbatojnë masat për mbrojtjen e punëtorëve nga i nxehti i madh.

“Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht te grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Një ekip i Radios Evropa e Lirë e ka vizituar të martën fshatin Kçiq në Mitrovicë për t’i parë nga afër dëmet që i kanë shkaktuar zjarret në atë zonë.

Disa banorë janë shprehur shumë të shqetësuar, duke thënë se kanë humbur gjithçka që kanë pasur.

Situatë e rënduar me zjarre është edhe në vendet fqinje.

Në Mal të Zi është raportuar për një ushtar të vdekur dhe një tjetër të plagosur si pasojë e përmbysjes së një autocisterne që po përdorej për t’i shuar zjarret në rajonin Kuça afër Podgoricës, ka bërë të ditur ministria e Mbrojtjes.

Sipas autoriteteve, ushtria, në bashkëpunim me autoritetet, është duke kryer hetime lidhur me incidentin.

Shkencëtarët për klimën kanë thënë disa herë se disa dekada të nxjerrjes së gazrave serrë në atmosferë, kanë ndikuar në rritje të temperaturave globale.

Bota është ngrohur për 1.1 gradë Celsius në krahasim me epokën industriale, ndërsa shtetet synojnë që ta mbajë atë nën 1.5 gradë Celsius, për të shmangur katastrofa të mëdha natyrore./REL/

Elefanti “vizitor”, hyn shpesh në fshat. Banorët në Indi rrethojnë shtëpitë me gardhe

12 August 2025 at 22:33

Rritja e popullsisë dhe zgjerimi i qyteteve nëpër xhungla dhe habitate të tjera të kafshëve, ka sjellë probleme të papritura në Indi.

Elefantët shihen gjithnjë e më pranë qyteteve, në kontakt me njerëzit, në kërkim të ushqimit, teksa mjedisi ku ata jetojnë rrezikohet gjithnjë e më shumë.

Për muaj të tërë, një elefant mashkull i plagosur, ka vizituar shpesh një fshat në periferi të shtetit verilindor Assam të Indisë në kërkim të ushqimit.

Elefanti shpesh futet në dyqane dhe ushqehet vetë me ushqim nga raftet, duke i bërë vendasit të ngrenë gardhe çeliku dhe tela para shtëpive të tyre dhe kioskave në rrugë.

Fshatarët i kanë siguruar kafshës ushqim dhe ujë, por vizitat e tij të shpeshta, të paktën dy herë në ditë, ndonjëherë ndalojnë trafikun, duke i detyruar vendasit ta largojnë atë.

Sipas zyrtarëve të jetës së egër, elefanti nuk ka qenë në gjendje të kthehet në pyllin e afërt pasi lëndoi këmbën disa muaj më parë dhe është përballur gjithashtu me rezistencë nga elefantët e tjerë sa herë që përpiqet të bashkohet me një tufë.

Në Assam, i cili ka më shumë se 5,000 elefantë të egër aziatikë, ka pasur shumë incidente vitet e fundit ku elefantët e egër kanë hyrë në fshatra, kanë shkatërruar të mbjellat dhe madje kanë vrarë njerëz.

Aktivistët e jetës së egër thonë se veprimet e njerëzve i kanë detyruar elefantët të largohen nga habitatet e tyre natyrore.

Samiti Trump-Putin, Zelensky përjashton mundësinë e lëshimit të rajonit të Donbasit

12 August 2025 at 22:12

Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina do të refuzojë çdo propozim rus për të hequr dorë nga rajoni i Donbasit në këmbim të një armëpushimi, duke paralajmëruar se kjo mund të përdoret si trampolinë për sulme të ardhshme.

Zelensky foli përpara një takimi që pritet të mbahet mes Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin në Alaska të premten.

Gjithashtu presidenti ukrainas deklaroi se Moska po përgatiste ofensiva të reja në tre pjesë të frontit zonat Zaporizhzhia, Pokrovsk dhe Novopavlov.

Trump ka këmbëngulur se çdo marrëveshje paqeje do të përfshijë “një shkëmbim territoresh” dhe mund ta shohë Rusinë duke marrë të gjithë rajonin lindor të Donbasit dhe duke mbajtur Krimenë.

/abcnews.al/

 

SHBA/ Dronët “postierë”, mjete transporti për dërgesa

12 August 2025 at 21:35

Nëse kishit menduar se Inteligjenca Artificiale mund të na marrë vendet e punës, bëhuni gati për një tjetër konkurrent që na vjen nga zhvillimi I teknologjisë.

Në Shtetet e Bashkuara janë rritur ndjeshëm dërgesat me dronë, duke zëvendësuar në disa raste transportin me mjete të tjera.

Dërgesat me dronë janë aq të shpejta sa mund të transportojë një akullore në oborrin e një klienti përpara se të shkrihet.

Edhe pse janë përballur me pengesa të ndryshme, dërgesat me dronë në SHBA mund të rriten në numër. Këtë muaj, Administrata Federale e Aviacionit propozoi një rregull të ri që do ta bënte më të lehtë për kompanitë të përdorin dronë në distanca më të gjata larg shikimit të operatorit. Disa kompani e bëjnë këtë aktualisht, por atyre iu duhet të marrin një përjashtim nga qeveria, i cili është një proces i vështirë.

Kompanitë që e kanë testuar transportin me dronë pritet ta kenë zgjeruar shërbimin deri në verën e ardhshme.

Dronët ndryshojnë sipas kompanisë, por në përgjithësi, pasi porosia lidhet në mjet, droni gjen automatikisht një rrugë që shmang pengesat. Pilotët e dronëve vëzhgojnë ndërsa dronët fluturojnë drejt vendndodhjes së tyre dhe e ulin porosinë duke përdorur litarë.

Megjithatë dronët mund ta kenë të vështirë të fluturojnë në disa kushte moti. Disa prej tyre mund të fluturojnë në shi të lehtë, por në kushte të tjera, transporti bëhet tejet i vështirë.

Shume janë të shqetësuar se kjo lloj metode mund të zëvendësojë shoferët e shpërndarjes, por megjithatë kjo duket e largët. Së pari dronët nuk janë të përshtatshëm për shumë shpërndarje dhe mund të mbajnë sasi të kufizuara peshe.

/abcnews.al/

VIDEO/ Zjarri ‘rrethon’ Delvinën, evakuohen banorët, masa urgjente edhe në spital, hiqen bombolat e oksigjenit

12 August 2025 at 22:51

Shqipëria ndodhet nën pushtetin e flakëve. Vendi është përfshirë nga zjarret prej ditësh. Ndërkohë ekipe zjarrfikëse si edhe helikopterë kanë ndërhyrë për të shuar zjarret, por situata vijon të mbetet ende shqetësuese.

Situata në Delvinë është bërë kritike pasi flakët i janë afruar rrezikshëm spitalit të qytetit. Zjarri ka rrethuar qytetin nga veriu dhe lindja, duke detyruar policinë të evakuojë banorët nga dy lagjet e sipërme, “Llakë “dhe “Xhermëhallë”.

Përmasat e zjarrit cilësohen të jashtëzakonshme, ndërsa ndërhyrja ajrore nuk është e mundur gjatë natës.

Dyshohet se disa banesa mund të jenë përfshirë nga flakët, por për momentin është e vështirë të bëhet evidentimi i dëmeve për shkak të tymit të dendur dhe qasjes së kufizuar në terren.

Në zonë po punojnë dhjetëra forca të ushtrisë dhe zjarrfikëses. Pranë spitalit, janë marrë masa urgjente për çmontimin dhe largimin e sistemit të furnizimit me oksigjen, për të shmangur rrezikun e një shpërthimi në rast se flakët arrijnë godinën.

I gjithë personeli mjekësor është në gatishmëri për të mbrojtur ambientet me mjetet që kanë në dispozicion, ndërkohë që çdo pacient është evakuuar në ambiente të sigurta.

Era e fortë po fryn në drejtim të qytetit, duke vështirësuar ndërhyrjen dhe duke rritur rrezikun për banorët. Dhjetëra familje po largohen me urgjencë nga shtëpitë e tyre, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e forcave të rendit.

Qyteti  është pa energji elektrike. Përveç zjarrfikëses së Delvinës, Sarandës. Konispolit dhe Himarës, priten zjarrfikëse edhe nga Tirana

/abcnews.al/

VIDEO/ Greqia në flakë, zjarret jashtë kontrollit, urdhër evakuimi për mbi 7,500 banorë

12 August 2025 at 20:45

Zjarri ka dalë jashtë kontrollit në disa zona në Greqi. Prej ditësh vendin ndodhet i përfshirë nga flakët. Gjatë ditës së sotme, mediat greke kanë raportuar për banesat të dëmtuara nga zjarret. Ndërsa zjarrfikësit po përballen me një situatë të vështirë. Në shumë zona banorët po evakuohen për shkak të rrezikut të lartë.

Gjithashtu është dhënë urdhër evakuimi për mbi 7,500 banorë në Kato Akai. Zjarri që shpërtheu në mesditë në Zonën Industriale të Patras po përhapet në mënyrë të pakontrollueshme në Akainë Perëndimore, ndërsa mjetet ajrore u detyruan të tërhiqeshin pas perëndimit të diellit.

Era e forta dhe temperaturat e larta kanë ndikuar në përhapjen e shpejtë të zjarreve. Po ashtu edhe në Zakynthos zjarri ka marrë përmasa të mëdha, dhe ka përfshirë edhe një zonë pyjore në zonën e Kiliomenos.

Që nga mëngjesi, të gjitha forcat zjarrfikëse të Zakynthos janë mobilizuar, ndërsa gjatë gjithë ditës, mjetet ajrore kanë tentuar të hedhin ujë.

Çfarë duhet të dimë për samitin historik Trump-Putin?

12 August 2025 at 20:32

Samiti SHBA-Rusi në Alaska po zhvillohet në një vend ku Lindja takohet me Perëndimin, fjalë për fjalë, në një vend të njohur për të dy vendet si një vijë e frontit të Luftës së Ftohtë e mbrojtjes nga raketat, posteve të radarëve dhe mbledhjes së inteligjencës.

Nëse kjo mund të çojë në një marrëveshje për të sjellë paqe në Ukrainë pas më shumë se 3 vjet e gjysmë luftimesh, mbetet për t’u parë.

Por çfarë duhet të dini rreth takimit midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump, samiti i parë në katër vjet:

Samiti do të zhvillohet të premten në Alaska. Do të jetë udhëtimi i parë i Putinit në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2015, për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Meqenëse SHBA-ja nuk është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, e cila në vitin 2023 lëshoi një urdhër arresti për Putinin për akuzat për krime lufte, nuk është e detyruar ta arrestojë atë.

Të dy vendet konfirmuan një takim vetëm midis Putinit dhe Trumpit, edhe pse kishte sugjerime fillestare se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky mund të jetë pjesë e tij. Por Kremlini ka kohë që kundërshton takimin e Putinit me Zelenskyn,  të paktën derisa të arrihet një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës dhe të jetë gati për t’u nënshkruar.

Putini ka thënë javën e kaluar se nuk ishte kundër takimit me Zelenskyn por siç ka thënë “duhen krijuar kushte të caktuara” që kjo të ndodhë dhe se “kjo ështe ende shumë larg për t’u arritur”.

Deklarata e tij ka ngritur frikën për përjashtimin e Ukrainës nga negociatat. Zyrtarët ukrainas javën e kaluar kanë biseduar me aleatët evropianë, të cilët theksuan se paqja nuk mund të arrihet pa përfshirjen e Kievit.

Do të jetë vizita e parë e një udhëheqësi rus në Alaska, edhe pse ishte pjesë e perandorisë cariste deri në vitin 1867, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Tass.

Alaska ishte kolonizuar nga Rusia duke filluar nga shekulli i 18-të derisa Cari Aleksandri II ua shiti atë Shteteve të Bashkuara në vitin 1867 për 7.2 milionë dollarë. Kur u zbulua se përmbante burime të mëdha, u pa si një marrëveshje naive që shkaktoi keqardhje dhe vetë-qortim.

Trumpi është dukur gjithnjë e më i acaruar me Putinin për shkak të refuzimit të Rusisë për të ndaluar bombardimin e qyteteve ukrainase. Kievi ka rënë dakord për ndaljen e luftës duke këmbëngulur në një armëpushim si hapin e parë drejt paqes.

Moska ka paraqitur kushte armëpushimi që nuk janë fillestare për Zelenskyn, të tilla si tërheqja e trupave nga katër rajonet që Rusia i aneksoi ilegalisht në vitin 2022, ndalimi i përpjekjeve të mobilizimit ose ngrirja e dërgesave të armëve perëndimore.

Për një paqe më të gjerë, Putini kërkon që Kievi të lëshojë rajonet e aneksuara, edhe pse Rusia nuk i kontrollon plotësisht ato, dhe Krimenë, të heqë dorë nga një përpjekje për t’u bashkuar me NATO-n, të kufizojë madhësinë e forcave të saj të armatosura dhe të njohë rusishten si gjuhë zyrtare së bashku me gjuhën ukrainase.

Zelensky këmbëngul se çdo marrëveshje paqeje duhet të përfshijë garanci të forta sigurie për Ukrainën për ta mbrojtur atë nga agresioni i ardhshëm rus.

Putini e ka paralajmëruar Ukrainën se do të përballet me kushte më të ashpra për paqe, teksa trupat ruse hyjnë në rajone të tjera për të ndërtuar atë që ai e ka përshkruar si një “zonë neutrale”. Disa vëzhgues sugjeruan se Rusia mund t’i shkëmbejë këto fitime të fundit për territor ende nën kontrollin ukrainas, në katër rajonet e aneksuara nga Moska.

Zelensky ka thënë të shtunën se “ukrainasit nuk do t’ia japin tokën e tyre pushtuesit”.

Por Trumpi ka thënë të hënën: “Do të ketë shkëmbim territoresh. E di këtë nëpërmjet Rusisë dhe nëpërmjet bisedave me të gjithë. Për të mirën, për të mirën e Ukrainës. Gjëra të mira, jo të këqija. Gjithashtu, disa gjëra të këqija për të dyja palët”.

Putini e sheh takimin me Trumpin si një shans për të forcuar fitimet territoriale të Rusisë, për ta mbajtur Ukrainën jashtë NATO-s dhe për ta parandaluar atë të strehojë ndonjë trupë perëndimore, në mënyrë që Moska të mund ta tërheqë gradualisht vendin përsëri në orbitën e saj.

Ai beson se koha është në anën e tij, ndërsa forcat ukrainase po përpiqen të ndalojnë përparimet ruse përgjatë vijës së frontit mes një morie raketash dhe dronësh të Moskës që vazhdojnë ta godasin vendin.

Takimi është një grusht diplomatik për Putinin, i izoluar si pasojë e pushtimit. Kremlini kërkoi t’i portretizonte kontaktet e ripërtërira me SHBA-në si dy superfuqi që kërkojnë të zgjidhin probleme të ndryshme globale, teksa Ukraina është vetëm njëra prej tyre.

Ukraina dhe aleatët e saj evropianë janë të shqetësuar se një samit pa Kievin mund t’i lejojë Putinit të marrë Trumpin në anën e tij dhe ta detyrojë Ukrainën të bëjë lëshime.

“Çdo vendim që merret pa Ukrainën është në të njëjtën kohë vendim kundër paqes”, ka thënë Zelensky. “Ato nuk do të sjellin asgjë. Ato janë vendime të vdekura. Ato nuk do të funksionojnë kurrë”.
Zyrtarët evropianë e përsëritën këtë.

“Ndërsa punojmë drejt një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë, e drejta ndërkombëtare është e qartë: Të gjitha territoret e pushtuara përkohësisht i përkasin Ukrainës”, ka thënë shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas. “Një paqe e qëndrueshme do të thotë gjithashtu se agresioni nuk mund të shpërblehet”, ka shtuar ajo.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë të dielën se besonte që Trumpi po “sigurohej që Putini të ishte serioz, dhe nëse nuk ishte, atëherë gjithçka do të ndalet këtu”.

❌
❌