Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 August 2025Main stream

Nis rikonstruksioni i Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë, Koçiu: Do transformohet në një Qendër të Shërbimeve të Integruara për komunitetin

20 August 2025 at 13:50


TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Shtëpia e Fëmijës “Vangjel Pulla” në Sarandë ku marrin shërbim fëmijët pa kujdes prindëror të grupmoshës nga 6-14 vjeç do të transformohet në një Qendër të Shërbimeve të Integruara për komuniteti.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Sarandë, Olti Caci dhe drejtuesi i FSHZH-së, Dritan Agolli inspektoi punimet për rikonstruksionin e godinës e cila përfshin rehabilitim dhe zgjerim të ambienteve.

Ministrja theksoi se kjo qendër “nuk do të shërbejë vetëm si një qendër rezidenciale, është një qendër e cila tashmë me vizionin dhe më objektivat që qeveria shqiptare i ka vënë vetes ka marr përsipër ta transformojë jo vetëm në një qendër rezidenciale por dhe në një qendër që ofron shërbime me bazë komunitare”.

Koçiu vuri në dukje se qendra, si pjesë e reformës së deinstitucionalizimit, do të shërbejë si pikë referimi për kujdesin rezidencial e ditor, përgatitjen për jetesë të pavarur dhe zhvillimin e aftësive të fëmijëve në një mjedis më gjithëpërfshirës.

“Objektivi kryesor i qeverisë shqiptare është deinstitucionalizimi i fëmijëve që marrin shërbime në qendra rezidenciale duke i zhvendosur ato nga qëndrimi permanent në të tilla qendra dhe kalimi në familje të cilat ofrojnë kujdes të përhershëm pranë ambientit familjar”, theksoi ajo.

Më tej, ministrja Koçiu nënvizoi se po punohet jo vetëm për të përmirësuar infrastrukturën e kësaj qendre, por edhe për ta kthyer në një model të ri që i shërben jo vetëm fëmijëve rezidentë, por edhe komunitetit përreth.

“E rëndësishme është që kryesisht familjet vulnerabël që kanë nevojë edhe për kualifikime të nevojshme për t’u integruar më pas edhe në jetë, edhe në mjediset sociale, është e nevojshme që të marrin dhe shërbime të tjera si edukative, sociale, shërbime edhe të aftësimit me njohuritë që tregu i punës kërkon me qëllim që të kenë mundësinë edhe të integrohen ashtu siç duhen”, shtoi ministrja.

“Këtu afër kemi edhe një kopësht i cili funksionin për fëmijët e zonës dhe lidhja e këtij kopshti së bashku me këtë qendër që jemi duke rikonstruktuar do të bëjë të mundur që edhe fëmijët të bashkohen me njëri-tjetrin, të socializohen, të jetojnë në komunitet edhe pse jo patjetër, edhe fëmijët e tjerë të vijnë të marrin shërbime sociale, të argëtohen pasi këtu do të ketë edhe ambiente argëtuese dhe edukative”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Investimi në Shtëpinë e Fëmijës “Vangjel Pulla” në Sarandë parashikon rehabilitimin dhe zgjerimin e godinës, ambiente për mësim, art dhe zhvillim aftësish, kopësht edukativ, kënde lojërash dhe terrene sportive si dhe hapësira komunitare për kurse, trajnime dhe shërbime sociale.

1 nga 5

/m.m/

The post Nis rikonstruksioni i Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë, Koçiu: Do transformohet në një Qendër të Shërbimeve të Integruara për komunitetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërthurje e traditave dhe kulturës së Mesdheut, Shqipëria prezantohet në “Festival du Périgord Noir” në Francë

20 August 2025 at 13:46

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Shqipëria u prezantua në Festival du Périgord Noir, një nga festivalet muzikore më të njohura në Francë, ku muzika ndërthuri traditat, kulturat dhe historitë e Mesdheut.

Festivali u organizua në datat 3 deri më 17 gusht dhe artistë të shquar shqiptarë përcollën tinguj që bashkuan breza dhe hapësira.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja e konsideroi këtë një udhëtim i paharrueshëm përmes muzikës, ku Shqipëria jo vetëm u dëgjua, por edhe u ndje me emocion, nostalgji dhe gëzim

“Flaka Goranci dhe Togha Quartet sollën “Meloditë Shqiptare”, duke rikthyer në skenë thellësinë e zërit dhe fuqinë e këngëve popullore. Miksi, Yara Kasti dhe Tsanta ndezën atmosferën me një koncert të hapur nën qiellin e Terrasson-Lavilledieu, duke ndërthurur muzikë nga Shqipëria në Siri, Liban, Francë e Iran”, u shpreh Gonxhja.

Po ashtu, artistët e mirënjohur Tedi Papavrami dhe Maki Okada dhuruan një udhëtim virtuoz që kaloi përmes Shqipërisë, Italisë, Spanjës e Polonisë me pasion dhe mjeshtëri të rrallë.

Ndërsa pianistja Marie-Ange Nguci fali një recital plot ndjenja në piano në një nga netët më magjike të festivalit.

/m.m//a.f/

The post Ndërthurje e traditave dhe kulturës së Mesdheut, Shqipëria prezantohet në “Festival du Périgord Noir” në Francë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kukës, ndërhyrje për përmirësimin e infrastrukturës arsimore

20 August 2025 at 13:24

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Në bashkinë e Kukësit po vijojnë ndërhyrjet për përmirësimin e infrastrukturës arsimore para fillimit të vitit të ri shkollor.

Drejtoria e Shërbimeve Komunitare ka nisur zbatimin e një plani të detajuar pune për mirëmbajtjen e objekteve arsimore dhe institucioneve të edukimit parashkollor me synimin për të garantuar kushte optimale në prag të vitit të ri shkollor.

Në qytetin e Kukësit, ndërhyrjet për riparimin, lyerjen dhe sistemimin e klasave, kopshteve dhe çerdheve tashmë kanë përfunduar.

Aktualisht puna po vijon në shkollat e njësive administrative. Këto ndërhyrje përfshijnë lyerje, sistemim hapësirash të brendshme e të jashtme, si dhe punime mirëmbajtjeje të domosdoshme, në mënyrë që çdo institucion të ofrojë një mjedis të pastër, funksional dhe mikpritës.

“Synimi është që në shtator, çdo shkollë, kopsht dhe çerdhe të jetë gati për të pritur fëmijët, nxënësit dhe stafet pedagogjike në kushte dinjitoze, duke respektuar standardet e higjienës, sigurisë dhe cilësisë”, thuhet në njoftimin e bashkisë Kukës.

/m.m/

The post Kukës, ndërhyrje për përmirësimin e infrastrukturës arsimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PL: Nevojitet plan kombëtar për rikthimin e të rinjve dhe frenimin e shpopullimit

20 August 2025 at 12:40

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Partia e Lirisë deklaroi sot se duhet mbështetje e drejtpërdrejtë për familjet duke ulur koston e jetesës dhe duke mbështetur financiarisht dhe me strehim familjet e reja, si masë për ndaljen e shpopullimit.

Zv. Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu në një deklaratë për mediet e cilësoi shpopullimin si sfidën më të madhe që qeveria dhe e gjithë politika do të ketë në vitet e ardhshme.

“Emigrimi masiv, rënia e lindshmërisë, plakja e popullsisë sjellin me vete probleme të mëdha ekonomike dhe sociale. Plakja e vrullshme e popullsisë sjell një raport shumë të ulët të forcës punëtore me pensionistët, duke falimentuar skemën e pensioneve. Nevojitet më shumë shërbim shëndetësor për moshat e treta, ndërkohë që shëndetësia është në ditët e saj më të zeza”, u shpreh Haxhiu.

Ndaj Haxhiu nënvizoi rëndësinë e realizimit të politikave të integrimit në tregun e punës për të rinjtë dhe profesionistët, mbi bazë meritokracie dhe jo lidhjesh nepotike.

Sipas saj, “nevojiten lehtësime fiskale për të rinjtë dhe gratë sipërmarrëse dhe mbrojtje reale të biznesit të vogël”.

Po ashtu, Haxhiu theksoi se duhen investime reale në arsimin dhe shëndetësinë publike, për të siguruar të ardhmen e fëmijëve dhe familjeve.

“Nevojitet një plan kombëtar për rikthimin e të rinjve dhe frenimin e shpopullimit, duke siguruar mundësi dhe shpresë reale”, shtoi ajo.

/m.m//a.f/

The post PL: Nevojitet plan kombëtar për rikthimin e të rinjve dhe frenimin e shpopullimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: Drejt rikonstruksionit shkolla “Ismail Qemali” në Shkodër

20 August 2025 at 11:21

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Ismail Qemali” në Shkodër do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë me një projekt modern që do të transformojë rrënjësisht infrastrukturën arsimore.

Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, në një takim me mësuesit e kësaj shkolle.

“Në prag të çeljes së vitit të ri shkollor, me mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali” në Shkodër ndamë lajmin e mirë se kjo shkollë shumë shpejt do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, me një projekt modern, që do të transformojë rrënjësisht infrastrukturën arsimore të kësaj shkolle me traditë në kryeqendrën e veriut”, u shpreh ministrja Manastirliu.

Shkolla “Ismali Qemali” është një nga shkollat 9-vjeçare më të mëdha të bashkisë Shkodër me një numër të lartë nxënësish, rreth 850, ndërsa në ambientet e saj është edhe kopshti me mbi 20 fëmijë.

Ndërtesa aktualisht është e amortizuar dhe jashtë standardeve për efikasitet e siguri, me ndriçim te papërshtatshëm e kushte jo të mira të infrastrukturës në katër katet e saj.

Rikonstruksioni i shkollës “Ismail Qemali” synon krijimin e mjediseve të përshtatshme për edukim, arsimim dhe zhvillim të aktiviteteve të ndryshme në shërbim të nxënësve dhe komunitetit.

Përmes zbatimit të këtij projekti do të ketë ndërhyrje në të gjitha ambientet e brendshme e të jashtme të shkollës, përmirësim të kushteve infrastrukturore, që do të ndikojnë pozitivisht në procesin mësimor dhe krijimin e një ambienti të sigurt dhe të këndshëm për të gjithë.

Projekti i rikonstruksionit të shkollës ka për qëllim krijimin e një hapësire funksionale dhe tërheqëse që jo vetëm përmirëson mjedisin arsimor, por edhe kontribuon në forcimin e lidhjeve sociale dhe komunitare përmes krijimit të hapësirave të përshtatshme për edukim dhe aktivitete arsimore, krijimin e klasave moderne ku mund të përshtaten për metoda mësimdhënieje të ndryshme, hapësira për takime komunitare dhe integrim social, etj.

Në kuadër të thirrjes së hapur të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për vitin 2025 bashkia Shkodër ka aplikuar me tetë projekte, prej të cilave është shpallur fituese e katër propozimeve në vlerën rreth 4 milionë euro.

/m.m/

The post Manastirliu: Drejt rikonstruksionit shkolla “Ismail Qemali” në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Fotografët shqiptarë po lënë gjurmë në skenën ndërkombëtare

20 August 2025 at 11:04

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Fotografët shqiptarë po lënë gjurmë në galeritë, ekspozitat, shfaqjet dhe festivalet më të rëndësishme.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot shembujt e suksesit në skenën ndërkombëtare të disa prej tyre.

“Fotografët shqiptarë në skenën ndërkombëtare! Nga Roland Tasho me karrierë të gjatë e çmime prestigjioze, te Ilir Tsouko me tregime vizuale bashkëkohore; nga Burim Myftiu me festivalin ndërkombëtar FOTOIST, te Jetmir Idrizi me vepra të publikuara e vlerësuara në mbarë botën”, tha Gonxhja.

Ndërsa ndau informacion mbi eksperiencën profesionale të këtyre fotografëve, ministri Gonxhja vlerësoi se “artistët shqiptarë na nderojnë ndërkombëtarisht”.

“Ndiqni CulturAlb për të njohur më nga afër fotografët shqiptarë që po lënë gjurmë në galeritë, ekspozitat, shfaqjet dhe festivalet më të rëndësishme”, u shpreh ministri Gonxhja.

“Culturalb” është projekti më i ri për promovimin e kulturës shqiptare në botë. Trashëgimia dhe krijimtaria bashkëkohore shqiptare përmes këtij projekti bëhen pjesë e dialogut kulturor ndërkombëtar.

“Culturalb” është nisma zyrtare e qeverisë shqiptare që synon ta bëjë këtë realitet, përmes një kalendari të pasur me ekspozita, shfaqje, diskutime dhe ngjarje kulturore në qytete të ndryshme të botës. Me Culturalb, kultura shqiptare udhëton, bashkëbisedon dhe ndërvepron pa kufij.

/m.m//a.f/

The post Gonxhja: Fotografët shqiptarë po lënë gjurmë në skenën ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në konsultim publik projektligj i ri për Administratën Publike, synon forcimin e llogaridhënies

20 August 2025 at 10:46

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin ka hapur procesin e konsultimit publik për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, si pjesë e Reformës në Administratën Publike.

Qëllimi i këtij projektligji është përmirësimi i organizimit, funksionimit dhe llogaridhënies në administratën publike shqiptare.

Në relacionin shoqërues të këtij projektligji bëhet e ditur se objektiv është krijimi i një kuadri efektiv dhe modern të llogaridhënies për institucionet e varësisë.

Po ashtu synohet mirëpërcaktimi i tipologjisë së institucioneve të varësisë bazuar në tipologjinë e funksioneve që ato kryejnë, si dhe kufizimi i shkëputjes së strukturave të brendshme ministrore të vogla (drejtori/drejtori të përgjithshme) dhe organizimit të tyre si institucione varësie me vete.

Kjo nismë ligjore synon lehtësimin e Qendrës së qeverisjes nga institucionet në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit që duhet ose mund të kalojnë në varësi të ministrive përgjegjëse.

Po ashtu synohet transferimi i vendimmarrjes në nivelin menaxherial të mesëm të institucionit, shoqëruar me rritjen e përgjegjësisë menaxherie dhe lehtësimin e barrës së shtuar mbi pozicionet e ministrit apo sekretarit të përgjithshëm.

Sipas projektligjit, numri i tipologjive të institucioneve joministrore do të reduktohet nga 3 në 2, në funksion të qartësimit të rolit dhe përgjegjësive të tyre.

Në këtë drejtim, propozohet bashkimi i Institucioneve të Varësisë dhe Agjencitë Autonome në një kategori të vetme, ndërsa Autoritetet Rregullatore do të rikonceptohen si një lloj i veçantë me autonomi funksionale të garantuar sipas standardeve evropiane.

Legjislacioni në fuqi parashikon tre lloje të trupave joministrore: Institucionet e Varësisë (IV), Agjencitë Autonome (AA), të dyja në varësi të ministrive dhe që kryejnë të njëjtat funksione të zbatimit të politikave, por me regjime të ndryshme juridike të organizimit dhe funksionimit, dhe Autoritetet apo Entet Rregullatore (ARr) që janë krijuar me ligje të veçanta, dhe që i raportojnë Kuvendit dhe kryejnë gjithashtu funksione të zbatimit të politikave, por specifikisht të natyrës rregullatore (tregjeve dhe industrive).

“Dallimi aktual midis institucioneve të varësisë dhe agjencive autonome nuk bazohet në kritere të dallimit funksional. Gjithashtu, mbajtja e autoriteteve rregullatore jashtë mbikëqyrjes së qeverisë, sjell problematika në zbatimin e parimit të ndarjes së pushteteve, fragmentarizmin e aftësisë/përgjegjësisë së qeverisë për hartimin dhe zbatimin e politikave shtetërore dhe vakum në sistemin e përgjegjësisë e llogaridhënies qeveritare”, citohet në relacion.

Projektligji propozon ekzistencën e vetëm dy llojeve të trupave joministrore/ekzekutive, pra mbajtjen e institucioneve klasike të varësisë (IV) ku sipas këtij propozimi do të përfshihen edhe agjencitë aktuale autonome, dhe ri-konceptimi tërësor i Agjencive Autonome për të akomoduar tipologjinë aktuale të Autoriteteve Rregullatore, duke rregulluar regjimin e tyre juridik të organizimit dhe funksionimit të aftë për të garantuar një autonomi funksionale të plotë në kryerjen e funksioneve rregullatore, siç kërkohet nga legjislacioni evropian për secilin nga rregullatorët.

Në projektligj gjithashtu sillet në vëmendje edhe situata problematike me institucionet e vogla në varësi të ministrive, duke nënvizuar nevojën për rregullimin e funksionimit të tyre.

“Nga një analizë e situatës, rezulton se për shkak të mungesave në ligjin 90, ka një tendence të shkëputjes së njësive të brendshme administrative të ministrive (drejtorive/drejtorive të përgjithshme) nga aparati i ministrive duke u krijuar si institucione vartësie më vete. Kjo mungesë ka pas sjellë në disa raste krijimin e trupave/institucioneve të varësisë shumë të vogla, që nuk kanë realisht kapacitete për funksionimin e tyre ndarazi jashtë ministrisë mëmë. Projektligji propozon vendosjen e një pragu minimal të punonjësve që justifikojnë krijimin e një institucioni varësie, dhe njohjen e një lloji të ri drejtorie me status të posaçëm brenda aparatit të ministrisë, pa personalitet juridik por me autonomi të rritur në bazë të delegimit të ministrit”, thuhet në relacion.

Po ashtu edhe sistemi i mbikëqyrjes apo llogaridhënies së institucioneve për trupat jo ministrore rezulton se nuk është i uniformizuar. Projektligji, propozon gjithashtu krijimin e një sistemi të detyrueshëm, të uniformizuar të mbikëqyrjes/llogaridhënies së trupave joministrore bazuar në rezultatet e institucionit.

Ndërsa për institucionet në varësi të Kryeministrit legjislacioni aktual nuk ka dispozita apo kufizime për to, duke i trajtuar ato njësoj si institucionet në varësi të ministrive. Në relacion theksohet se me kalimin e viteve kjo ka krijuar një mbingarkesë në funksionimin normal të qendrës së qeverisjes si pasojë e një numri të konsiderueshëm institucionesh në varësi të kryeministrit.

Projektligji propozon shtimin e disa dispozitave për krijimin e institucioneve në varësi të Kryeministrit. Dispozitat parashikojnë kritere pozitive dhe negative.

Projektligji propozon edhe dy ndërhyrje specifike sipas të cilave: i) “Drejtoria” bëhet niveli thelbësor i vendimmarrjes ekskluzive në një ministri dhe titullari i drejtorisë (drejtori) është ekskluzivisht përgjegjës për të gjithë vendimmarrjen brenda fushës së kompetencave të drejtorisë përkatëse, me përjashtim, sigurisht, të asaj vendimmarrjeje që i ngarkohet në mënyrë eksplicite me legjislacion menaxherëve të tjerë më të lartë (nëpunësve civilë të kategorisë të lartë drejtuese) ose vetë ministrit, dhe ii) përcaktohen një set rregullash të thjeshta që lejojnë delegimin brenda varësisë së një tipologjie vendimmarrjeje apo një vendimmarrjeje konkrete.

Ndër të tjera në draft propozohen rregulla të reja për kontroll më të fortë të ndryshimeve institucionale, duke kërkuar analiza të detajuara nga ministritë para krijimit të institucioneve të reja dhe duke i besuar Departamentit të Administratës Publike rolin kryesor në këtë proces.

/m.m//a.f/

The post Në konsultim publik projektligj i ri për Administratën Publike, synon forcimin e llogaridhënies appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërhyrje e suksesshme në Spitalin e Vlorës, Koçiu: 59-vjeçari diabetik rifiton ndjeshëm shikimin

20 August 2025 at 09:30

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Në Spitalin Rajonal të Vlorës u realizua me sukses një ndërhyrje delikate tek një pacient 59-vjeçar, i cili kishte humbur shikimin nga komplikacionet e diabetit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot rastin e ndërhyrjes së suksesshme, ndërsa e konsideroi Spitalin Rajonal të Vlorës një qendër ekselence rajonale për shërbimet e okulistikës.

Pas trajtimit, pacienti 59-vjeçar rifitoi ndjeshëm pamjen dhe shpresën për një jetë më të pavarur.

“Ky rezultat behet me domethënës falë investimeve në kabinetin e ri të okulistikës, të pajisur me teknologji moderne dhe paketat e rimbursuara të vitrektomisë, që garantojnë trajtime falas, pa nevojë për referim në spitale të tjera”, u shpreh Koçiu, ndërsa shprehu mirënjohjen për ekipin mjekësor: Dr. Kemal Ylsek, Dr. Edmond Isufaj, Dr. Dilaver Haskaj, Dr. Ëngjëll Lazaj, Dr. Odela Risilia dhe infermiere Kleoniqi Mustafaraj.

Spitali Rajonal i Vlorës, me një ekip të përkushtuar mjekësh dhe infermierësh, ofron shërbim dhe kujdes mjekësor jo vetëm për qytetarët vlonjatë, por edhe për pushuesit vendas dhe turistët e huaj që zgjedhin këtë qytet për të kaluar pushimet verore.

/m.m//a.f/

The post Ndërhyrje e suksesshme në Spitalin e Vlorës, Koçiu: 59-vjeçari diabetik rifiton ndjeshëm shikimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 19 August 2025Main stream

Ndriçohet kalaja e Himarës, Gonxhja: Investim që rrit vlerën turistike

19 August 2025 at 22:55

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka investuar në projektin e ndriçimit dekorativ të kalasë së Himarës, duke i dhënë jo vetëm dritë, por edhe ngjyra që e bëjnë më madhështore këtë monument mbi 3500-vjeçar.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kalaja e Himarës, Monument Kulture i Kategorisë I.

Gonxhja vlerësoi se ky investim, i realizuar në një ansambël ku bashkëjetojnë banesa dhe objekte fetare, vjen si angazhim i bashkisë së Himarës, duke rritur kushtet për banorët dhe vlerën turistike të kalasë, e cila tashmë, falë këtij bashkëpunimi, vizitohet edhe në orët e mbrëmjes.

“Kalaja, Monument Kulture i Kategorisë I, në administrimin e DRTK Vlorë, ka qenë qendër e rëndësishme historike dhe kishtare që nga shekulli VIII. Sot, ajo është një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë së Himarës dhe një ftesë për ta vizituar jo vetëm për bregdetin”, theksoi ministri.

Kalaja e Himarës e cila të ofron një pamje të mrekullueshme nga zemra e Rivierës Shqiptare, vizitohet nga pushues të shumtë gjatë sezonit veror.

Turistë nga vende të ndryshme shprehen të mahnitur nga panorama që ofrohet teksa vizitojnë Kalanë e ndërtuar nga kaonët, një fortesë e fuqishme nëpër shekuj.

/m.m/r.e/

The post Ndriçohet kalaja e Himarës, Gonxhja: Investim që rrit vlerën turistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria në kujtesën fotografike të DPA-së me 135 mijë fotografi origjinale

19 August 2025 at 22:32


TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Në Ditën Botërore të Fotografisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ndau një ansambël imazhesh nga Fototeka e saj, që rrëfejnë historikun e vendit.

E dyta në rang republike për nga madhësia, pas Fototekës “Marubi” (për fotot para ‘44-s), fototeka.arkiva.gov.al është tërësisht e digjitalizuar, duke garantuar akses të menjëhershëm të qytetarëve, blerjen e imazheve të riprodhuara me rezolucion të lartë, si edhe ruajtjen e tyre afatgjatë në trajtën autentike.

Fototeka e DPA-së përllogarit rreth 135 mijë fotografi origjinale, prej të cilave afro 41 mijë ilustrojnë jetën politike nga Pavarësia deri në shtetndërtim.

Përmes imazheve paraqitet edhe jeta shoqërore nëpërmjet aktivitetit ekonomik, kulturor, arsimor dhe fetar.

Fondi prej rreth 43 mijë fotografish të Institutit “Luce” kryen një retrospeksion në Shqipërinë nën Italinë fashiste. Mes tyre, rreth 13 mijë fotografi që gjenden në negativë, u përkasin fotografëve të njohur korçarë Vani Burda dhe Thimi Raci.

/m.m/r.e/

The post Shqipëria në kujtesën fotografike të DPA-së me 135 mijë fotografi origjinale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vendimi për pallatin ku do të vendosej ASHK, Bardhi: Gjyqtarët zbatojnë rregullat që miraton qeveria

19 August 2025 at 21:12

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh sot se “gjyqtarët e prokurorët e Republikës nuk miratojnë rregulla, por janë të detyruar të zbatojnë rregullat që miraton qeveria e Kuvendi”.

Bardhi reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, lidhur me vendimin e gjyqtarit Hazbi Balliu, i cili një pallat të konfiskuar e kaloi në favor të ndërtuesit të paligjshëm.

“Edi Rama paska pyetur sot ‘se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të Republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm, kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit dhe të gjykatës Balliut’. Dikush duhet t’i kujtojë që vetë ai s’ka akses në trurin e tij, sa kohë nuk kujton që ka firmosur vetë vendimin e qeverisë nr. 589, datë 7.9.2022, që favorizon ndërtuesit e paligjshëm dhe ligjëron antishtetin”, u shpreh Bardhi.

Më herët sot, kryeministri Edi Rama reagoi lidhur me vendimin e gjyqtarit Hazbi Balliu, për një pallat të ndërtuar pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku ishte vendosur Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Rama e konsideroi vendimin “skandaloz”, ndërsa u shpreh se gjyqtari merr në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje.

/m.m/r.e/

The post Vendimi për pallatin ku do të vendosej ASHK, Bardhi: Gjyqtarët zbatojnë rregullat që miraton qeveria appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lëvizte në kundërvajtje, gjobitet dhe i pezullohet patenta policit në Pogradec

19 August 2025 at 20:51

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Korçë reagoi sot pas një videoje të postuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një automjet policie duke lëvizur në kah të kundërt të drejtimit të lëvizjes, në qytetin e Pogradecit.

Përmes një njoftimi për shtyp, Policia e Korçës bëri të ditur se për shkeljen e kryer, bazuar në Kodin Rrugor, drejtuesi i automjetit, shtetasi Th. K., punonjës policie i DVP Korçë, është ndëshkuar me masën administrative 10 000 lekë, i është pezulluar leja e drejtimit për 3 muaj dhe janë zbritur 6 pikë nga leja e drejtimit.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit.

/m.m/r.e/

The post Lëvizte në kundërvajtje, gjobitet dhe i pezullohet patenta policit në Pogradec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Kthim në identitet i rrugëve me kalldrëm të Gjirokastrës

19 August 2025 at 20:30

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Në qytetin e Gjirokastrës vijon puna për kthimin në identitet të rrugëve me kalldrëm, një ndër vlerat përfaqësuese të qytetit të gurtë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur sot se edhe në këto ditë gushti, kur të gjithë pushojnë, mjeshtrat e gurit në Gjirokastër po restaurojnë kalldrëmet mes lagjeve Granicë e Palorto.

“Ky projekt i mbështetur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit forcon identitetin dhe lehtëson lëvizjen për banorët e lagjeve dhe turistët që gjithnjë e më shumë po e zbulojnë Gjirokastrën përtej zonës tradicionale historike”, u shpreh Kumbaro.

Gjatë punimeve, mjeshtrat gurskalitës respektojnë traditën ndërtimore të kalldrëmeve, duke i dhënë vlera edhe për turizmin.

Ndërkohë, bashkia e Gjirokastrës po investon gjithnjë e më shumë për rijetësimin e resurseve të traditës.

/m.m/r.e/

The post Kumbaro: Kthim në identitet i rrugëve me kalldrëm të Gjirokastrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike, Rama: I hapim rrugë Rilindjes Urbane 2.0, për Shqipërinë 2030 në BE

19 August 2025 at 19:37

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Në të gjithë vendin vazhdon puna për lirimin e hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret që janë për kalimin e këmbësorëve apo dhe ambientet që u shërbejnë komunitetit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në kryeqytet, nga subjektet që kishin zaptuar pa leje hapësirën publike.

“Vazhdojmë çdo ditë t’i hapim rrugë Rilindjes Urbane 2.0, për Shqipërinë 2030 në BE”, shkruan Rama, krahas pamjeve.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Në këtë kuadër, kryeministri Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Aksioni ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/m.m/r.e/

The post Lirimi i hapësirave publike, Rama: I hapim rrugë Rilindjes Urbane 2.0, për Shqipërinë 2030 në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Godinës së ASHK-së i bien tavanet e muret, Rama: Gjykatësi Balliu e konsideron vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima

19 August 2025 at 18:41

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj vendimit të gjyqtarit Hazbi Balliu, i cili një pallat të konfiskuar e kaloi në favor të ndërtuesit të paligjshëm.

Pas zbardhjes së vendimit të arsyetuar, Rama e konsideroi atë “skandaloz”, ndërsa u shpreh se gjyqtari merr në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje.

“Më në fund gjykatësi Balliu e nxori arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz për të marrë në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku u sistemua Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila prej disa vitesh e vazhdonte punën në një objekt të vjetër e të dëmtuar seriozisht nga tërmeti”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri ndau edhe fotografi nga godina e vjetër e ASHK-së, e cila sipas tij, “për Balliun është një vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima”.

“Se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm, kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit dhe të gjykatës Balliut, por se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK-ja nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik në pritje që me ndihmën e të madhit Zot organet e kontrollit e të qeverisjes së gjyqësorit të zgjohen nga gjumi i tyre, i cili po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm edhe për fatet e vetë Reformës në Drejtësi”, shtoi Rama.

“Në foto keni (mos)arsyetimin e gjykatësit Balliut si edhe situatën e godinës së vjetër të ASHK-së, e cila mesa duket për Balliun është një vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima”, shtoi ai.

Në arsyetimin e vendimit, Gjykata vlerëson se “ASHK ka funksionuar edhe pas vitit 2021 për 4 vite rresht në të njëjtën godinë dhe nuk ka prova që ky shërbim nuk mund të vazhdojë në kushtet ekzistuese”.

“Pavarësisht se punonjësit e ASHK-së mund të mos jenë në hapësira komode në ushtrimin e detyrave të tyre, kjo situatë nuk mund të vlerësohet se përbën cenim të rëndë të interesit publik që paralizon veprimtarinë e ASHK-së nëse pezullohet zbatimi i vendimit të datës 18 qershor 2025 të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara. Sakaq, ASHK nuk është një institucion i ri, i sapokrijuar dhe mosakomodimi i menjëhershëm në objektin e konfiskuar të kërkuesit do ta cenonte menjëherë ushtrimin e funksioneve të tij në dhënien e shërbimit për publikun”, thuhet në vendimin e gjykatës.

1 nga 3

/m.m/r.e/

The post Godinës së ASHK-së i bien tavanet e muret, Rama: Gjykatësi Balliu e konsideron vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu në spitalin e Delvinës: Trajtuan me profesionalizëm rastet urgjente nga zjarret

19 August 2025 at 18:23

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi sot Spitalin Ditor “Ismet Shushi”, në Delvinë, ku vlerësoi profesionalizmin që tregoi stafi i këtij spitali për përballimin e situatës së shkaktuar nga zjarret.

E shoqëruar nga kryetari i bashkisë Delvinë, Besmir Veli, Koçiu zhvilloi një takim me stafin e spitalit, të cilëve u shprehu mirënjohjen për përkushtimin dhe gatishmërinë e treguar në punë, gjatë ditëve të vështira të zjarreve masive që përfshinë zonën e Delvinës.

“Në ditët e vështira të javës që lamë pas, ku rrethinat e qytetit u përfshinë nga zjarret, ata trajtuan rastet urgjente, përfshirë pacientë me probleme respiratore dhe tronditje psikologjike”, vlerësoi ministrja.

Koçiu shprehu respekt për çdo mjek, infermier e punonjës të sistemit tonë shëndetësor që shërben pranë komunitetit me profesionalizëm dhe humanizëm.

Zona e Delvinës u përball pak ditë më parë me vatra zjarresh të cilat shkaktuan dëme në banesa, ullishte dhe bagëti, ndërsa për shkak të rrezikshmërisë u urdhërua edhe evakuimi i përkohshëm i banorëve.

/m.m/r.e/

The post Koçiu në spitalin e Delvinës: Trajtuan me profesionalizëm rastet urgjente nga zjarret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndahet nga jeta inxhinieri i pyjeve Shpëtim Iseberi, Kumbaro: Kontribut të vyer në ruajtjen e zonave të mbrojtura

19 August 2025 at 17:22

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të inxhinierit të pyjeve Shpëtim Iseberi, pjesë e stafit të Administratës së Zonave të Mbrojtura Tiranë.

“E trishtë dita sot me ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut tonë, inxhinierit të pyjeve Shpëtim Iseberi, pjesë e stafit të Administratës së Zonave të Mbrojtura Tiranë. Me mbi 30 vite në shërbim të natyrës dhe zonave të mbrojtura, Shpëtimi la gjurmë jo vetëm me profesionalizmin e tij, por edhe me dashurinë dhe kujdesin e pashtershëm për çdo pemë, pyll e ekosistem natyror ku punoi”, vlerësoi ministrja.

Kumbaro vlerësoi kontributin e tij prej 30 vitesh në shërbim të natyrës dhe zonave të mbrojtura.

“Mirënjohje dhe respekt të thellë për kontributin e tij të vyer, i cili do të mbetet i gjallë tek kolegët, tek natyra që mbrojti me gjithë zemër dhe tek brezat që do të ndjekin rrugën e tij”, u shpreh Kumbaro.

/m.m/r.e

The post Ndahet nga jeta inxhinieri i pyjeve Shpëtim Iseberi, Kumbaro: Kontribut të vyer në ruajtjen e zonave të mbrojtura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DPSHTRR: Certifikata e Aftësimit Profesional përfshihet automatikisht në lejen e drejtimit

19 August 2025 at 16:18

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor njoftoi drejtuesit e mjeteve se prejt ditës së sotme Certifikata e Aftësimit Profesional (CAP) përfshihet automatikisht në lejen e drejtimit.

Përmes një njoftimi për shtyp, DPSHTRR bëri të ditur se nga data 19 gusht 2025 fillon aplikimi i një risie të rëndësishme që thjeshton ndjeshëm procesin për të gjithë drejtuesit e mjeteve që zotërojnë Certifikatën e Aftësimit Profesional (CAP).

“Në zbatim të standardeve më të mira europiane, CAP nuk do të lëshohet më si një karton më vete, por do të përfshihet automatikisht në lejen e drejtimit, duke u pasqyruar si Kodi 95 në të njëjtin dokument”, thuhet në njoftim.

Konkretisht, qytetarët nuk do të pajisen më me një karton të veçantë për CAP, dhe të gjitha të dhënat pasqyrohen në lejen e drejtimit, ku do të shënohet Kodi 95.

Po ashtu, aplikimi dhe rinovimi do të bëhet sipas procedurave për pajisjen me CAP dhe do të pasqyrohet në lejen e drejtimit.

Ky ndryshim sjell kursim në kohë dhe pará për qytetarët, duke shmangur aplikimet e përsëritura, pagesat shtesë dhe ecejaket e panevojshme.

Me një procedurë të thjeshtuar, drejtuesit e mjeteve do të kenë tashmë vetëm një dokument të unifikuar, duke e bërë përdorimin më praktik dhe më të sigurt.

Gjithashtu, ky hap përputhet me standardet e Bashkimit Evropian, ku Kodi 95, si kod unik për CAP-in, pasqyrohet në lejen e drejtimit, praktikë që ndiqet në disa vende të Bashkimit Evropian.

Aplikantët e rinj do të përfitojnë duke mos paguar më për kartonin CAP, ndërsa drejtuesit që rinovojnë shmangin kostot shtesë dhe mbajnë gjithçka në një dokument të vetëm.

Po ashtu edhe institucionet kursejnë kohë dhe burime përmes një administrimi më të thjeshtë dhe të digjitalizuar.

Me këtë risi, DPSHTRR vazhdon në angazhimin për të ofruar shërbime më të shpejta, më të lehta, më të lira dhe në përputhje me standardet evropiane për çdo qytetar.

/m.m/r.e/

The post DPSHTRR: Certifikata e Aftësimit Profesional përfshihet automatikisht në lejen e drejtimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Arrestohet një 41-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pritet ekstradimi drejt Spanjës

18 August 2025 at 14:32

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan arrestoi me qëllim ekstradimin drejt Spanjës një 41-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle, për kultivim të bimëve narkotike dhe vjedhje të energjisë elektrike.

Shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, të DVP Elbasan, bazuar në informacionet e shkëmbyera me Interpol Tiranën, kapën në rrugën e fshatit Papër, ndërkohë që qarkullonte me automjet, dhe arrestuan shtetasin E. B., 41 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Sabadellit (Spanjë), më datë 30 qershor 2025, ka lëshuar urdhër arresti për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Spanjë, do të kryejë procedurat për ekstradimin e shtetasit E. B.

/m.m/r.e/

The post Arrestohet një 41-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pritet ekstradimi drejt Spanjës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjurmë të reja nga qyteti ilir në Bushat

18 August 2025 at 14:07

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Harta arkeologjike e rajonit të Shkodrës do të plotësohet shumë shpejt edhe me një sit arkeologjik, zonifikim të qartë dhe rregullore administrimi të zonës A.

Bëhet fjalë për qytetin antik në Bushat, ku gërmimet arkeologjike që kanë nisur që në vitin 2018, nga misioni kërkimor shqiptaro-polak drejtuar nga Piotr Dyczek dhe Saimir Shpuza po nxjerrin në dritë të tjera gjurmë dhe të dhëna për qytetin ilir në Bushat.

Gjatë këtyre fushatave kërkimore u zbuluan dy porta hyrëse të qytetit dhe u kuptua shtrirja e tij. Ndërsa gërmimet e fundit janë përqendruar në qytetin e sipërm dhe kanë për qëllim zbulimin e organizimit të brendshëm dhe urbanistikës së këtij qyteti.

Misioni kërkimor po nxjerr në dritë se kjo pjesë e qytetit të sipërm ka qenë e ndërtuar masivisht që në gjysmën e shek. IV para Krishtit, sipas datimeve paraprake.

Tashmë falë bashkëpunimit me IKTK, DRTK Shkodër dhe ndihmën e pakursyer të misionit arkeologjik me të dhënat shkencore dhe rezultatet e arritura u krye në terren rilevimi dhe përcaktimi qartë i zonifikimit të nevojshëm për ruajtjen dhe administrimin e këtij territori me potencial të lartë arkeologjik referuar dhe kuadrit ligjor për këtë qëllim.

/m.m/r.e/

The post Gjurmë të reja nga qyteti ilir në Bushat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌