Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 August 2025Main stream

Policia e Prokuroria japin detaje për vrasjen e trefishtë në Gjilan: Shkodra ka raste për fajde, shantazh, e organizim të grupit kriminal

10 August 2025 at 18:55

I dyshuari për vrasjen trefishtë në Gjilan me mbi 30 vepra penale në të kaluarën

Gjilani është tronditur sot nga një vrasje e trefishtë që ka ndodhur në një kafiteri të qytetit. Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim tre persona të dyshuar për këtë ngjarje të rëndë – Mefail Shkodra dhe djemtë e tij, Edonis e Engjull Shkodra.

Drejtori rajonal i Policisë në Gjilan, Agron Rukiqi, tha në një konferencë për media se një person tjetër është arrestuar në vendngjarje dhe po hetohet për ndërlidhje me rastin.

Ndërkohë, për tre të kërkuarit është bërë kërkesë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe janë njoftuar të gjitha pikat kufitare.

“Tre persona janë shpallur në kërkim policor, dhe është bërë kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar dhe janë njoftuar pikat kufitare. Personi i katërt është arrestuar në vend të ngjarjes pasi janë duke u hetuar të gjitha veprimet nëse i njëjti mund të ketë ndërlidhje me këtë rast”.

Derisa, prokurori i rastit, Isuf Sadiku, bëri të ditur se Mefail Shkodra ka një precedent penal prej mbi 30 veprash penale, përfshirë sulm, prishje të rendit, fajde, mashtrim, kërcënim, shantazh, detyrim dhe pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal.

“Personi i dyshuar që ka kryer veprën penale ka precedent penal. Ka raste për sulm, prishje e rendit, fajde, mashtrim, kërcënim, shantazh, detyrim. Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, ka treguar Prokurori i rastit.

Megjithatë prokurori tha se ende herët për të dalë me qëndrim rreth motiveve

“Është ende herët të dilet me qëndrim për motivet”.

Institucionet hetimore po vazhdojnë operacionet për kapjen e të dyshuarve./Telegrafi/

The post Policia e Prokuroria japin detaje për vrasjen e trefishtë në Gjilan: Shkodra ka raste për fajde, shantazh, e organizim të grupit kriminal appeared first on Telegrafi.

Digjen tri shtëpi banimi në Kçiq të Mitrovicës

10 August 2025 at 18:23

Një zjarr i madh ka shpërthyer sot në lagjen “Ibrahimi” në Kçiq të Mitrovicës, duke përfshirë tre shtëpi banimi.

Zjarri është raportuar të ketë nisur në orët e mesditës dhe është përhapur me shpejtësi për shkak të kushteve atmosferike.

Lidhur me zjarret, banorët e zonës kanë shprehur shqetësim të madh për situatën e krijuar.

The post Digjen tri shtëpi banimi në Kçiq të Mitrovicës appeared first on Telegrafi.

Vrasja e trefishtë në Gjilan, Policia shpall në kërkim edhe dy djemtë e Mefail Shkodrës

10 August 2025 at 18:08

Policia e Kosovës, ka përditësuar njoftimin për rastin e rëndë duke shpallur në kërkim Mefail Shkodrën dhe dy djemtë e tij, Edonis e Engjull Shkodra si persona të dyshuar për vrasjen e fundit që ka tronditur qytetin.

Këta të tre banues në Gjilan,  dyshohet për përfshirje në vrasjen e trefishtë që ndodhi sot në rrugën “Ibrahim Rugova”.

“Bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të të dyshuarve, kërkojmë bashkëpunim nga qytetarët dhe mediat,” thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës.

Policia ka publikuar fotografitë e të dyshuarve dhe kërkon nga qytetarët që, në rast se kanë ndonjë informacion lidhur me vendndodhjen e tij, të lajmërojnë autoritetet menjëherë.

“Lajmroni Policinë e Kosovës në stacionin më të afërt policor apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë’’, E-mail: info@kosovopolice.com dhe numrat kujdestarë:192; 03850807001. Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”, thuhet në njoftim.

Rasti i rëndë i së dielës rezultoi me tre viktima të konfirmuara, ndërsa të dyshuarit janë ende në arrati. Autoritetet po vazhdojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të këtij krimi. /Telegrafi/

The post Vrasja e trefishtë në Gjilan, Policia shpall në kërkim edhe dy djemtë e Mefail Shkodrës appeared first on Telegrafi.

Krasniqi reagon për vrasjen e trefishtë në Gjilan: Alarm për pasigurinë në vend

10 August 2025 at 16:59

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vrasjes së trefishtë që ndodhi të dielën në Gjilan, duke e cilësuar ngjarjen si një alarm serioz për rritjen e pasigurisë dhe kriminalitetit në vend.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve që të veprojnë me shpejtësi për të sjellë autorët para drejtësisë dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve në sigurinë publike.

“Ngjarja tragjike e sotme në Gjilan, ku u vranë tre persona, është një dhembje e madhe për të gjithë… Ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

The post Krasniqi reagon për vrasjen e trefishtë në Gjilan: Alarm për pasigurinë në vend appeared first on Telegrafi.

Në Kosovë ende 18 vatra zjarri aktive

10 August 2025 at 16:41

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar se nga ora 08:00 deri në 14:00 të dielën, në gjithë vendin janë regjistruar gjithsej 37 vatra zjarri.

Sipas raportit zyrtar, 18 prej tyre vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 19 janë lokalizuar.

Menaxhimi i situatës po bëhet në koordinim me Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, ndërsa AME ka shprehur mirënjohje për përkushtimin e zjarrfikësve në terren.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër në numrat emergjentë 112, 193, 192”, ka shtuar Agjencia e Menaxhimit Emergjent./Telegrafi/

The post Në Kosovë ende 18 vatra zjarri aktive appeared first on Telegrafi.

Njohja e hapësirës ajrore shqiptare nga NATO, po konsiderohet strategjike

10 August 2025 at 16:24

AAC: Më shumë standarde ndërkombëtare, avantazh edhe për turizmin

Pak ditë më parë, Autoriteti i Aviacionit Civil i Shqipërisë është njohur nga NATO për vlefshmërinë ajrore.

Kreu i këtij autoriteti rendit disa nga avantazhet që vijnë nga kjo njohje, që nga rëndësia strategjike, por edhe niveli operacional në fushën ajrore.

“E para është auditi ndërkombëtar nga ICAO ku Autoriteti i Aviacionit Civil u vlerësua me 89% implementim efektiv të standardeve. E dyta është raporti i Komisionit Europian ku Shqipëria vlerësohet me risk të ulët për sa i përket operimeve. E treta është suporti dhe shtytja që ne i japim turizmit në vend. E katërta është strategjikisht dhe politikisht arritja më e madhe, rritja e kapaciteteve të Shqipërisë dhe rritja e aseteve të NATO-s për vlefshmërinë e avionëve të saj për misionet e tyre”, tha Maksim Et’hemaj, drejtor ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil.

Vlefshmëria e kësaj njohjeje nga NATO është pa kushte, për aq kohë sa ruhen standardet e përcaktuara.

Shqipëria mbetet një partnere e rëndësishme e Aleancës së Atlantikut Verior, e sidomos në rajonin e Ballkanit Perëndimor për operacione të ndryshme strategjike./Tv Klan

The post Njohja e hapësirës ajrore shqiptare nga NATO, po konsiderohet strategjike appeared first on Telegrafi.

U bllokuan në zonë shkëmbore, shpëtohen 3 turistë te Gjiri i Akuariumit

9 August 2025 at 23:44

Tre turistë të huaj janë shpëtuar nga efektivët e policisë së Himarës, pasi kishin mbetur të bllokuar në zonën e plazhit të Akuariumit.

“Krahas detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, shërbimet e Policisë mbeten të angazhuara edhe për të ndërhyrë dhe për t’iu ardhur në ndihmë çdo qytetari apo turisti në raste emergjente. Mbrëmjen e sotme, patrulla e rendit me shërbim në zonën e Jalës, pas një njoftimi se tre turistë të huaj kishin mbetur të bllokuar në një zonë të thepisur shkëmbore, në plazhin e Akuariumit, ndërhyri duke shkuar menjëherë në vendin ku kërkohej ndihmë”, informon policia.

Bëhet me dije më tej se pas kërkimeve në terren, u bë i mundur lokalizimi i tre turistëve të huaj, të cilët u nxorën prej shkëmbinjve ku kishin mbetur të bllokuar. Aktualisht, të tre ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

The post U bllokuan në zonë shkëmbore, shpëtohen 3 turistë te Gjiri i Akuariumit appeared first on Telegrafi.

Hambari 108-vjeçar i familjes Shatri, dëshmi e gjallë e trashëgimisë dukagjinase

9 August 2025 at 23:33

Hambari ishte vendi ku dikur vendoseshin dhe ruheshin drithërat e bardha të familjeve tradicionale shqiptare, por që kryente edhe funksione të tjera brenda bashkësisë familjare. Njëri prej tyre që po i mbijeton kohës, është edhe hambar i familjes dukagjinase Shatri në fshatin Tomoc.

Për fat të keq, këto objekte të rëndësishme të trashëgimisë sonë jo fort të largët sot i gjejmë shumë pak sepse ato u dogjën e u shkatërruan sidomos gjatë luftës së fundit.

Njëri prej tyre që po i mbijeton kohës, është edhe ky hambar i familjes dukagjinase Shatri në fshatin Tomoc.

“Hambari është një objekt i vjetër prej vitit 1917, atëherë kur familja jonë, të parët e mi gjyshi im me vëllezërit e vet e kanë blerë në kohën kur austrohungaria ka qenë në pushtet këtu. Në ato vite ka qenë një zi e madhe e bukës, mungesë e madhe e ushqimit edhe këtë e kanë ble nga një rajon i atyre fiseve, katundeve t’Gashit që themi ne Ushqe është. Atje e kanë punu me ato sharrat e dorës edhe ka qenë bukur vështirë sepse druri është i bungut që është dru i fortë?”, deklaroi  Muhamet Shatri, historian.

Shatri, i cili këto ditë po i kalon pushimet në vendlindje thotë se e ruan me nostalgji, sepse, sic tha ai, i sjell në kujtesë jetën e dikurshme në familjen shumë anëtarëshe Shatri.

“Konstrukti i mbrendhëm është se ka një hyrje të madhe që është pjesa kryesore aty ka qenë trina për me shtyp misrin edhe mbrenda ka qenë një koridor i vogël pastaj janë tri ndarje. Ndarjet kanë qenë dy për misër, përkatësisht për grurë, njëkohësisht meqenëse nuk kemi pas dhoma të mjaftueshme na djemt e ri kemi fjetur këtu verës, mandej këtu e kemi pas edhe një oxhak për me i pjekë bukët?”, shtoi ai.

Prof.Shaban Rexhahmetaj, njohës i trashëgimisë theksoi se zakonisht përpara shtëpitë e mëdha, shtëpitë e pasura i kanë pasur hambaret.

“Hambaret kanë shërbyer për ruajtjen e misrit, për ruajtjen e grurit, kanë qenë të ndara në “preseqe”. Ky hambar që po e shohim këtu është i madh në krahasim me hambaret tjera. Edhe familja Shatri ka qenë familje e madhe edhe për atë i ka shërbye për shumë funksione”, tha ai.

Gjatë viteve të fundit janë rivitalizuar shumë objekte të trashëgimisë, megjithëkëtë institucionet tona duhet të kujdesen ende më shumë në ruajtjen e kësaj trashëgimie, e cila në Rrafshin e Dukagjinit ka qenë e bollshme.

The post Hambari 108-vjeçar i familjes Shatri, dëshmi e gjallë e trashëgimisë dukagjinase appeared first on Telegrafi.

Rrëfimi i të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës: Na pyesnin “ku e keni NATO-n”

9 August 2025 at 23:19

Kishin qenë duke u larguar nga fshati me 15 traktorë, burra dhe gra së bashku, kur ranë në pritë të ushtarëve serbë.

Kështu e nis historinë e saj e mbijetuara e radhës e dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë, në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit.

Pasi ushtarët i kishin ndarë burrat nga gratë, këto të fundit u përballën me një prej armëve më të rënda të luftës: dhunën seksuale.

“Na ndanë burrat dhe na futën brenda. Më vonë erdhën, na tërhoqën zvarrë dhe na çuan në dhoma lart. Na dhunuan, na zhveshën, teshat na i prenë me thikë. Jo vetëm teshat, por edhe lëkurën e trupit na e çanin. Për orë të tëra na mbanin aty, na maltretonin dhe na rrihnin. Na thoshin: ‘Ku e keni NATO-n?’ dhe përmendnin emrat e udhëheqësve të saj, si Xhimi Shea…”, rrëfen ajo.

Sipas saj, burrat ishin ngujuar në hambarë, të rrahur dhe të detyruar të dëgjonin britmat e grave dhe fëmijëve.

Ajo thekson se ushtarët serbë nuk kursyen askënd, pavarësisht moshës.

“Ka pasur shumë gra, vajza, plaka. Nuk është kursyer asnjë moshë. Plakat i rrihnin, i zhveshnin lakuriq dhe i godisnin… Po, i rrihnin”, kujton ajo, duke shtuar se mes viktimave kishte edhe fëmijë.

Përveç dhunës seksuale dhe asaj fizike, torturat ishin nga më çnjerëzoret. Në natën e festës së Bajramit, ushtarët serbë i bënë një pyetje makabre:

“Cilin fëmijë do të ta presim për ta bërë kurban? Këtë nuk e harroj kurrë dhe nuk mund ta fal. E harrova veten, kur më erdhi puna te fëmija. Më gjuajtën djalin nga prehri, ma morën…”

Djali i saj ishte vetëm dy vjeç. Pas kësaj, e morën edhe atë me dhunë.

“Ma kapën djalin dhe e hodhën. Pastaj më kapën mua për flokësh. Unë nuk doja të shkoja, po bërtisja ‘s’dua, s’dua’. Më tërhoqën zvarrë për shkallë. Ishte mbrëmje… Na çonin nëpër dhoma, teshat na i prenë me thikë. Tri ditë nuk kishim asgjë për të veshur.”

Gjatë gjithë kohës, pyetja që përsëritej nga ushtarët ishte e njëjta:

“Ku e keni UÇK-në? Ku e keni NATO-n?”

The post Rrëfimi i të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës: Na pyesnin “ku e keni NATO-n” appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 9 August 2025Main stream

“Lema mu këtë të renë” – e mbijetuara e dhunës seksuale me histori rrëshqethëse

9 August 2025 at 22:51

Një tjetër e mbijetuare e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë ka ndarë historinë e saj tronditëse në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini.

Ajo ka treguar se ishte vetëm 11 vjeçe kur u dhunua nga ushtarë serbë, njëri prej të cilëve e njihte që para luftës. Ky person, të cilin e përmend me emrin “Gjura”, kishte punuar më herët me babain e saj.

Derisa mendonte se babai ishte i vdekur, ajo më pas e pa të gjallë në një stacion policie ku po mbahej peng nga forcat serbe, pasi kriminelët kishin marrë atë dhe nënën e saj.

“Fiks Gjura ka qenë. Tri ditë e tri netë… Nëna në një dhomë, unë në një dhomë tjetër, që ishte një stallë lopësh. Na morën atë ditë kur e gjuajtën nga djepi vëllain tim. Aty e futën nënën në kerr, katër me maska, Gjura si ‘bos’, me grada në krah, i rrihte gjoksin dhe u kthyen të më merrnin mua”, ka rrëfyer ajo.

Ajo tregon se vendi ku u çuan ishte përdorur si “stacion dhunimi” për gratë dhe vajzat shqiptare.

“Aty kishte vetëm kashtë në dysheme, rroba dhe sende të grave. Gjura tha ‘lema mu këtë të renë’… dhe më pas nuk e dija ku po më çonin”, tha ajo.

Sipas saj, dhunuesi i kërkonte ta zhvishte dhe i siguronte ushqim vetëm nëse pranonte kushtet e tij.

“Tha: shpërthekomi pullat e këmishës. Nuk munda… duart nuk më punonin. Sot nuk e dua burrin, nuk kam dëshirë as për jetën intime. Ai më detyronte që edhe kur të kthehesha, duhej prapë ta kënaqja nëse doja ujë ose ushqim”, shtoi e mbijetuara.

Kur u takua përsëri me nënën pas largimit të ushtarëve, ajo e gjeti atë të lënduar dhe me shenja në gjithë trupin.

Pas luftës, nëna e saj e fejoi në moshën 21-vjeçare me një burrë që fillimisht e pranoi të kaluarën e saj.

“Në takimin e parë, nëna i tha të vërtetën: ‘Kjo është vajza ime deri sot’. Ai e pranoi. Por me kohën, qëndrimi i tij ndryshoi dhe filloi dhuna fizike. Nga 16 vite martesë, 11 i kalova me prindërit e tij. Dhuna e luftës u zëvendësua nga dhuna në familje”, ka treguar ajo.

Sipas saj, problemet u thelluan kur vëllai i bashkëshortit kërkoi të martohej me motrën e saj, kërkesë që ajo e refuzoi.

“Hyri inati, pse nana nuk ia dha vajzën. Ai më tha para të gjithëve: ‘Po hajt se veç unë të kam marrë ashtu si je kanë’”, kujton ajo.

Pasi vjehrri mori vesh për dhunën që ajo kishte përjetuar gjatë luftës, e përzuri nga shtëpia.

The post “Lema mu këtë të renë” – e mbijetuara e dhunës seksuale me histori rrëshqethëse appeared first on Telegrafi.

Osmani: DokuFest e ka shndërruar Prizrenin në kryeqendër të kulturës

9 August 2025 at 22:25

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në Festivalin e Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest, i cili po mbahet në Prizren.

Ajo ka thënë se DokuFesti e ka shndërruar Prizrenin në kryeqendrën e kulturës, filmit dhe ideve të reja.

“Një përvojë e mrekullueshme, ndërmjet historive që frymëzojnë dhe njerëzve që e bëjnë artin pjesë të përditshmërisë sonë”, ka shkruar presidentja Osmani në Facebook, teksa ka publikuar edhe disa fotografi nga vizita e saj në natën përmbyllëse të edicionit të sivjetmë të këtij festivali.

The post Osmani: DokuFest e ka shndërruar Prizrenin në kryeqendër të kulturës appeared first on Telegrafi.

Video e keqtrajtimit të vajzës në Gjilan nga bashkëmoshataret, me rastin po merren policia dhe prokuroria

9 August 2025 at 22:19

Një vajzë e mitur është rrahut në mënyrë brutale nga disa bashkëmoshatare në Gjilan.

Në pamjet e siguruara nga Telegrafi por që nuk do t’i publikojmë të plota për shkak se vajzat janë të mitura, shihet se një vajzë është e shtrirë në tokë teksa mbi të janë disa vajza të tjera që e godasin me shuplakë dhe ia vendosin këmbën në kokë.

Në lidhje me rastin, zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka thënë se po merren policia dhe prokuroria.

“Mund ta konfirmoj si rast. Në lidhje me rastin po merren policia dhe prokuroria por nuk mund të japë më shumë detaje”, tha Hashani.

Ndryshe edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar pasi në media ka qarkulluar video në fjalë.

Hyseni ka deklaruar është i tronditur thellë nga ajo video.

Sipas tij pamjet e dhunës ndaj një të miture janë të papranueshme dhe shqetësuese në çdo formë.

“Si kryetar i Komunës së Gjilanit, shpreh keqardhjen dhe solidaritetin tim me viktimën dhe familjen e saj dhe dënoj çdo akt dhune që bie ndesh me vlerat tona njerëzore e shoqërore”, tha Alban Hyseni.

I pari i Gjilanit u bënë thirrje institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë që të veprojnë menjëherë dhe të marrin masat e nevojshme, në mënyrë që të garantohet siguria e çdo fëmije në qytetin tonë.

Edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, thotë se me tronditje dhe shqetësim të thellë, ka parë lajmin në media, ku disa vajza të mitura dhunojnë dhe keqtrajtojnë një bashkëmoshatare të tyre.

KOMF thekson se ky akt i papranueshëm dhune është një alarm serioz për gjithë shoqërinë, familjen si institucion, institucionet e rendit, arsimit dhe sistemin e mbrojtjes së fëmijëve.

“KOMF konsideron se dhuna ndaj të miturës nuk është thjesht një incident, por një dështim i shumëfishtë i gjithë sistemit, në parandalimin dhe adresimin e sjelljeve të rrezikshme që cenojnë dinjitetin dhe integritetin e fëmijëve, por edhe jetën, sigurinë dhe mirëqenien e tyre”, thuhet tutje në njoftim./Telegrafi/

The post Video e keqtrajtimit të vajzës në Gjilan nga bashkëmoshataret, me rastin po merren policia dhe prokuroria appeared first on Telegrafi.

“Më dhunuan në sy të dy grave, i kishin dhunuar edhe ato”- rrëfen i mbijetuar i dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë

9 August 2025 at 20:52

Në emisionin “Debat Plus” sonte rrëfimin po e jep një tjetër i mbijetuar i dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë.

Ai ka rrëfyer gjerë e gjatë për tmerrin që e përjetuan, dhunën që panë me sy të tyre, përfshirë masakra.

Por, në kulmin e luftës, familja mbeti pa ushqime dhe këtu ai vendosi të dal për të kërkuar ushqime, në shtëpi tjera të braktisura dhe këtu i ndodhi tmerri kur hasi në tre zyrtarë policorë serbë, të cilët e morën dhe e dërguan në një restorant.

Aty thotë që përjetoi tmerrin e jetës së tij.

“Antiqe, hajde t’ia kryejmë punën këtij, më kanë kap zhag, më rrehen, më kanë lidh duart, më kanë ngreh zhag, më kanë shti në restorant, i ashtuquajturi atëherë është quajtur Restorant “Beogradi”, është përballë kinemasë ABC, ashtu e ka pas atë emër. Aty i rrahun, i torturum kur jam hy i kam pa dy zonja, dy femra shqiptare të zhveshura, atëherë m’u kanë këput dy këmbët, ato veç i kishin pas dhunu ato. Aty më kanë shtri për toke, më ka ra shkelëm ma ka qit njani kamën këtu, më kanë desh edhe më ka dhunu qiky Antiqi, me fjalën ante, po emrin ky e ka pas Antiq, e ka pas një shejë në ballë këtu, i madh 2 metra..” ka rrëfyer ai.

I emocionuar e me zë të dridhur, ai u bënë thirrje atyre dy grave që të paraqiten për të dëshmuar atë që ndodhi aty.

“Si n’kllapi u rreha përjashta, shkelmin kur ma ka qit këtu më ka dhunu ky, dhe Antiqi, brima e atyre dy vajzave, zonjave gjithë kam kërkue është edhe dëshmitar edhe shoqata jem edhe psikologia, gjithë herë kam kërku ju lutem nëqoftëse jeni gjallë dikun, lajmërohuni në shoqatën në Prishtinë, tregone rastin edhe vendin në qoftëse nuk e dini pytne dikan restorant është quajtur restorant Beogradi, ku jeni hi ju”, shprehet ai tek thotë se përkrahja e familjes së tij asnjëherë nuk ka munguar.

Ai falënderon QKRMT-në gjithashtu për ndihmën që i kanë ofruar ndër vite për të zbutur sado pak traumën e dhimbjen që e ka nga ky krim i tmerrshëm lufte i forcave të Serbisë.

The post “Më dhunuan në sy të dy grave, i kishin dhunuar edhe ato”- rrëfen i mbijetuar i dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë appeared first on Telegrafi.

Zjarr i madh në Sllovi të Lipjanit, rrezikohen shtëpitë

9 August 2025 at 18:27

Një zjarr i madh ka përfshirë pasditen e sotme fshatin Sllovi të Lipjanit, duke rrezikuar banesat në zonë.

Ekipet e zjarrfikësve janë në terren dhe po punojnë për shuarjen e flakëve, si dhe për parandalimin e përhapjes së tyre në drejtim të shtëpive.

Tymi i dendur është parë nga disa kilometra larg, ndërsa autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje mbi shkakun e zjarrit apo dëmet e mundshme.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 23 vatra zjarri, nga të cilat 11 janë ende aktive, ndërsa 12 janë lokalizuar dhe janë nën kontroll.

Sipas raportit të fundit nga Qendrat Operative 112 dhe Qendra Operative e Agjencisë, situata po menaxhohet në mënyrë të koordinuar me Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, të cilët janë angazhuar intensivisht për të lokalizuar dhe shuar zjarret.

Agjencia ka apeluar për kujdes të shtuar nga qytetarët, duke i ftuar ata të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshuar në numrat emergjentë 112, 193, 192.

“Të gjithë qytetarët janë ftuar të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndërmarrin masa parandaluese për të shmangur shpërthimin e zjarreve. Çdo vatër zjarri duhet raportuar menjëherë në numrat 112, 193, 192”, thuhet tutje në njoftimin e tyre./Telegrafi/

The post Zjarr i madh në Sllovi të Lipjanit, rrezikohen shtëpitë appeared first on Telegrafi.

Kur do të thirret seanca e radhës konstituive – këto janë kushtet që duhet përmbushur

9 August 2025 at 18:10

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të rikthehen në ulëset e tyre për të vijuar me seancën konstituive vetëm pasi aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese të publikohet zyrtarisht në faqen e saj.

Kanë kaluar tashmë dy javë që nga ndërprerja e përpjekjeve për konstituimin e legjislativit të nëntë, pas masës së përkohshëm të Kushtetueses, e cila ndalonte çdo veprim parlamentar në këtë drejtim deri më 8 gusht.

Sipas vendimit të fundit të shpallur më 8 gusht, deputetët tani kanë në dispozicion 30 ditë për të përmbyllur procesin e konstituimit. Gjatë kësaj periudhe, kryesuesi i seancës ka të drejtë të thërrasë mbledhje të Kuvendit çdo 48 orë, apo edhe më shpesh në përpjekje për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, si parakusht për funksionalizimin e tij dhe votimi do të jetë në mënyrë të hapur.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë se afati i ri për konstituimin e Kuvendit fillon vetëm pasi të jenë përmbushur tri kushte: publikimi i Aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, shpallja e tij në Fletoren Zyrtare dhe përfundimi i afatit të masës së përkohshme. Ai beson se vazhdimi i seancës së re, e pesëdhjetë e pesta, do të thirret shumë shpejt.

Baraliu thekson se që nga momenti i hyrjes në fuqi të aktgjykimit, fillon të rrjedhë afati 30-ditor i përcaktuar nga Kushtetuesja, brenda të cilit mund të thirren seanca çdo 48 orë ose edhe më shpesh, në varësi të rrethanave dhe mundësive teknike.

Sipas Baraliut, juridikisht është thelbësore që vendimi të shpallet në mënyrë zyrtare, pasi masa e përkohshme mbetet në fuqi derisa kjo të ndodhë.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu vlerëson si urgjente publikimin sa më të shpejtë të vendimit në Fletoren Zyrtare.

“Pikërisht atëherë kur publikohet aktgjykimi i plotë, kur shpallet në fletoren zyrtare dhe kur kalon afati i masës të përkohshme zyrtare, kur të përmbushen këto kushte, atëherë fillon rrjedhë afati i ri prej 30 ditësh. Dhe brenda atij afati mund të vazhdojnë aktivitetet e tyre për vendime dhe veprime anëtarët e kuvendit, gjegjësisht deputetët…Varet prej rrethanave dhe mundësive teknike. Përndryshe, ajo çka është me rëndësi juridike është që vendimi duhet të shpallen në fletoren zyrtare. Gjykata Kushtetuese ka thënë që masa e përkohshme ende vazhdon, derisa nuk shpallet. Rrjedhimisht, kjo nënkupton që pasi të shpallet në faqen zyrtare vendimi hyn në fuqi dhe mund të zbatohet, rrjedhimisht fillon edhe afati përkatës prej 30 ditësh të tjera të cilin e ka caktuar me aktgjykim kjo gjykatë kushtetuese. Në atë afat fillojnë të rrjedhin edhe afatet 48-orëshe. Brenda tyre munden edhe tri orë, dy orë, çdo pesë minuta, mund të bëjnë ata episode deputetët të seancës konstituive dhe të vazhdojnë ta konsistojnë kuvendin…Besoj që shumë shpejt del vendimi në Fletoren Zyrtare, sepse është shumë emergjente kjo punë, duhet të bëhet shpejt”, tha Baraliu për KosovaPress.

Krahas kësaj, njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari, thekson se veprimet e para të partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje, tregojnë mungesë gatishmërie për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Siç thotë ai, LVV-ja duhet të reflektojë patjetër, veçanërisht pas këtij vendimi.

“Gjykata me këtë vendim që nxori në pika të shkurtra tregoi se cila është rruga e ditur për të konstituuar Kuvendin. Mendoj që asnjëra prej subjekteve politike, me theks të veçantë LVV-ja, nëse nuk e ka për qëllim rrënimin e këtij sistemi demokratik që e kemi dhe nëse nuk e ka për qëllim dëmtimin e shtetit të Kosovës, do të duhej patjetër që të reflektonte pas publikimit të aktgjykimit. Dhe këtë 30 ditshin e afatit të ripërsëritur tashmë për të tretën herë, do të duhej ta shfrytëzonte për të krijuar institucionet dhe për të ecur tutje. Ka qenë shqetësuese reagimi i djeshëm i tyre në kor, i asaj pjesës së propagandës së tyre, por edhe qëndrimi zyrtar i LVV-së ku atakon Gjykatën Kushtetuese dhe shpreh mospajtim me vendimin që e ka nxjerrë”, thotë Jashari.

Jashari potencon se reagimet e para të LVV-së pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese janë skeptike, ndërsa mbetet të shihet se si do të zhvillohet situata në lidhje me aktgjykimin.

“Nëse i shohim reagimet fillestare, duket se LVV-ja nuk është e gatshme ta zbatojë diçka që është mandatare e që vjen me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, përfillja e procedurave për konstituimin e kuvendit ose hapja rrugë për konstituimin e kuvendit pa pjesëmarrjen e tyre. Reagimet fillestare janë skeptike, megjithëse do të ri-konfirmohej përsëri se LVV-ja nuk e njeh këtë sistem juridik dhe duket sikur ky sistem demokracie nuk i bie ‘tamam’ atyre për faktin që vazhdimisht e sulmojnë sistemin e drejtësisë sa herë që atyre nuk iu konvenon… Mbetet për të parë se si do të sillet situata rreth vendimit të aktgjykimit. Por, reagimet e para nga LVV-ja tashmë është bërë e zakonshme që të jenë zhgënjyese”, tha Jashari.

Ndërkaq, avokati Ardian Bajraktari konsideron se e dispozitivi i fundit i Aktgjykimit të Kushtetueses, i publikuar më 8 gusht, është shumë më i qartë se ai paraprak.

Sipas tij, në këtë aktgjykim sqarohet se kryesuesi teknik ka ndërmarrë veprime në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e punës së Kuvendit. Për tejkalimin e kësaj situate, Bajraktari kërkon reflektim nga subjekti politik fitues.

“Dispozitivi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese i publikuar dje është shumë më i qartë sesa ai paraprak dhe përmes këtij qartësohet fakti se kryesuesi teknik ka ndërmarrë veprime në shpërputhje me aktgjykimin me kushtetutën dhe rregulloren e punës së kuvendit. Për tejkalimin e kësaj situate kërkohet reflektim në të fazë të procesit, para së gjithash, nga subjekti politik fitues. Për më tepër, po ashtu, qartësohet se e drejta e subjektit politik fitues për t’u propozuar kandidati nuk është absolute, por ka kufizime”, thotë Bajraktari.

Bajraktari thekson se aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar. Ai shton se, edhe pse mund të ketë diskutime mbi përmbajtjen e aktgjykimeve, në fund të fundit ato duhet të respektohen dhe zbatohen.

“Sa i përket çështjes se a do të zbatohet ose jo vendimi. Natyrisht, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme që të zbatohen nga ana e akterëve, të cilët iu adresohet. Diskutimet mund të bëhen përkitazi me aktgjykimet, por në instancë të fundit ato duhet të zbatohen pasi është jashtëzakonisht shqetësuese mos zbatimi eventual i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, tha Bajraktari.

Gjykata Kushtetuese tha të premten, më 8 gusht, se deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur. Po ashtu, gjykata vendosi që një kandidaturë për kryeparlamentar të votohet vetëm tri herë dhe se konstituimi i legjislaturës së nëntë duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh.

Në vendimin e publikuar, Kushtetuesja tha se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk e kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.

Sipas vendimit, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

The post Kur do të thirret seanca e radhës konstituive – këto janë kushtet që duhet përmbushur appeared first on Telegrafi.

Jo vetëm për turizëm, Shqipëria po bëhet destinacion edhe për dasma

9 August 2025 at 17:57

Shqipëria po shndërrohet në një destinacion të ri dhe të preferuar për çiftet e huaja që duan të kurorëzojnë dashurinë në mënyrë të veçantë.

Nga bregdeti magjepsës i jugut, deri te kalatë mesjetare e fshatrat piktoreske, vendi ofron një sfond unik për dasma që kombinojnë natyrën, historinë dhe mikpritjen tradicionale.

Arkitektja Juliana Osmënaj, e cila prej shumë vitesh merret me organizimin e këtyre eventeve thotë se prej më shumë se katër vitesh, Shqipëria është futur në hartën e “weddings destination”.

“Rasti na ka çuar me çiftet e përziera, pra kur njëri nga bashkëshortët ishte i huaj dhe duke parë këtë kënaqësinë që kur të huajt vinin këtu kishin edhe me zakonet tona të damave, lindi ideja që ta reklamonim si një ‘destination weddings’. Duke parë kërkesën që pati, avash-avash shkoi në projekte konkrete dhe tani mund të them që është trefishuar si kërkesa ashtu edhe konkretizimi i këtyre dasmave”.

Sipas Osmënajt, çiftet e huaja që zgjedhin Shqipërinë si vend për t’u martuar janë kryesisht nga Europa Veriore.

“Gjermani, Angli, vendet nordike, madje edhe nga Australia e Largët kemi pasur kërkesa. Normalisht duke qenë se është një dasmë me destinacion, vetë ata i ftojnë miqtë e tyre, por jo të gjithë janë në gjendje që të vijnë. Në përgjithësi variojnë në 50 persona, ka edhe me 30, ka edhe 80, më të rralla janë në 100”./Tv Klan

The post Jo vetëm për turizëm, Shqipëria po bëhet destinacion edhe për dasma appeared first on Telegrafi.

Kurti prezanton kandidatët e LVV për komunat e veriut

9 August 2025 at 17:05

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka prezantuar sot kandidatët e LVV për kryetarë të tri komunave veriore në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Në Leposaviq, LVV ka rikandiduar Lulzim Hetemin, i cili kërkon një mandat të dytë pas atij aktual. Për Zubin Potok, kandidati i Vetëvendosjes do të jetë Vedat Mehmeti, ndërsa për Zveçan, Fetah Peci.

Kurti tha se këta kandidatë përfaqësojnë vizionin e partisë për zhvillim, drejtësi dhe barazi për çdo qytetar, duke theksuar se në veri do të vazhdohet ndërtimi i institucioneve funksionale dhe sjellja e investimeve që ndikojnë në jetën e përditshme të banorëve.

Në prezantim morën pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm Alim Rama, Koordinatori i Qendrave dhe deputeti Salih Zyba, si dhe deputetët Armend Muja, Agim Bahtiri dhe Arjeta Fejza, të cilët riafirmuan mbështetjen e plotë për kandidatët.

“E ardhmja e veriut do të shkruhet me punë, vizion dhe me fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje”, u tha në njoftimin e subjektit.

The post Kurti prezanton kandidatët e LVV për komunat e veriut appeared first on Telegrafi.

Dërgoi armë e municion në Itali, kapet 30-vjeçari nga Malësia e Madhe

9 August 2025 at 16:54

Policia e Shtetit ka arrestuar një shtetas me inicialet F.M. (30) nga Malësia e Madhe, si pjesë e operacioni për goditjen e trafikimit të armëve.

Operacioni u zhvillua nga policia e Lezhës në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale Shkodër dhe GdF italiane, në koordinim me Interpol Tiranën dhe Zyrën e Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës italiane në Shqipëri.

Shtetasi F.M. kishte dërguar pesë armë zjarri dhe një sasi municioni luftarak në Itali kundrejt fitimit financiar.

Në pranga u vunë gjithashtu edhe dy shtetas të tjerë, drejtues të një mikrobusi për transport udhëtarësh, në bagazhet e të cilit u gjetën armët dhe municioni luftarak, të cilat janë konfiskuar.

Sekuestrimi u bë në kufirin mes Sllovenisë dhe Italisë, ku u ndalua mikrobusi i nisur nga Shqipëria me destinacion Italinë, i drejtuar nga shtetasit E. M. dhe A. D. Të dy këta shtetas janë shoqëruar nga policia italiane për veprime të mëtejshme, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale ndaj shtetasit F. M. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për trafikim i armëve dhe municioneve luftarake.

The post Dërgoi armë e municion në Itali, kapet 30-vjeçari nga Malësia e Madhe appeared first on Telegrafi.

Musliu komenton reagimin e Ministrisë serbe të Drejtësisë për rastin Popoviq: Piskamë e pafuqisë së Serbisë për të ndërhyrë në Kosovë

9 August 2025 at 16:36

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, reagon ndaj deklaratës së Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, e cila pretendon se pranimi i fajësisë nga Igor Popoviq është bërë nën presion.

Musliu thekson se Popoviq ka pranuar fajësinë në një seancë të hapur, të monitoruar edhe nga mediat, ku publikisht është pajtuar me deklaratën e përfaqësuesit të tij ligjor dhe marrëveshjen me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

Sipas tij, pretendimet e Serbisë janë “të pavërteta dhe një piskamë e pafuqisë për të ndërhyrë në vendimet sovrane e demokratike të institucioneve të Republikës së Kosovës”.

“Deklarata e Ministrisë së Drejtësisë e Serbisë se pranimi i fajësisë nga ana e Igor Popoviq është bërë nën presion është sa e pavërtetë aq edhe një piskamë e pafuqisë së Serbisë për të ndërhyrë në vendimet sovrane dhe demokratike të institucioneve të Republikës së Kosovës”, shtoi Musliu.

The post Musliu komenton reagimin e Ministrisë serbe të Drejtësisë për rastin Popoviq: Piskamë e pafuqisë së Serbisë për të ndërhyrë në Kosovë appeared first on Telegrafi.

Rinovimet në spitalin e Ferizajt ndikojnë në kushte më të mira për punë

8 August 2025 at 23:43

Rinovimet e fundit në spitalin e Ferizajt po vlerësohen se kanë ndikuar që të krijohen kushte më të mira për punë. Ndonëse investimet janë mirëpritur edhe nga pacientët e kësaj komune, si zgjidhje më e mirë shihet ndërtimi i një objekti të ri.

Ndonëse me një objekt të vjetruar dhe me hapësirë të kufizuar, personeli i Spitalit të Ferizajt, në baza ditore ofron shërbime të shumta për qytetarët. Madje së fundi ka rinovuar hapësirat e repartit të gjinekologjisë, duke krijuar kushte optimale për punë. Këtë projekt e ka vlerësuar stafi i repartit duke vëne në dukje se janë krijuar kushte për punë profesionale.

“Është një repart i cili ka ndryshuar komplet. Ndryshimet janë pozitive sa që po vërehen si në punën tonë profesionale si mjekë po ashtu edhe tek pacientët. Falënderojmë menaxheret e Spitalit dhe të SHSKUK-së në Prishtinë që kanë ndihmuar që ky spital të ketë pajisjet e duhura mjekësore, në këtë rast dy ultrazëra të rinj, e veçanërisht duhet theksohet me pajisjet me ajrin medicinal të cilat janë nëpër sallat operative”, tha Minire Alilaj, shefe e repartit të Gjinekologjisë.

Se ky investim është tejet i qëlluar e kanë thënë edhe pacientët, teksa e kanë çmuar punën e stafit në ofrimin e shërbimeve profesionale.

“Realisht duke u nisur nga kuptimi që kujdesi shëndetësor luan rol jashtëzakonisht shumë të madh për pacientët, sigurisht që edhe renovimi në institucionet shëndetësore luan një rol të madh për neve si pacient”, tha Albulena Lecaj Mema, paciente.

Drejtuesit e Spitalit në Ferizaj kanë çmuar lart përkrahjen nga SHSKUK-ja, në realizmin e kërkesave për furnizim me pajisje shëndetësore.

“Gjithë ky investim bëhet në koordinim me spitalin e përgjithshëm e me shefat e njësive. Qëllimi është që sado kudo të bëhet një komoditet dhe të rritet cilësia dhe normal të zgjerohet gama e shërbimeve mjekësore që ofron Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj më këto kapacitete që i ka, si në atë hapësinore ashtu edhe të resurseve njerëzore”, tha Fikret Arifi, ud i drejtorit të spitalit të Ferizaj.

Kohë më parë në këtë spital janë rinovuar reparti i pediatrisë dhe sallat operative të kirurgjisë. Ndonëse investimeve të dukshme, problemin përfundimisht do ta zgjidhte vazhdimi i projektit të spitalit të ri cili prej vitesh ka mbetur në mëshirën e kohës.

The post Rinovimet në spitalin e Ferizajt ndikojnë në kushte më të mira për punë appeared first on Telegrafi.

❌
❌