TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, të kryera menjëherë pas njoftimit se në zonën e pyllëzuar midis fshatrave Kodër dhe Lekël, kishte rënë zjarr, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë mundësuan identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit E. M., 40 vjeç, banues në fshatin Kodër.
40-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e marrë me qira dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, pemë frutore, 5 stane me bazë ushqimore për bagëti dhe 3 krerë bagëti të trasha.
Prej mëngjesit të djeshëm, shërbimet e Policisë kanë mbajtur në kontroll perimetrin ku janë përhapur flakët.
Ndërkaq, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Gjirokastër dhe me shërbimet zjarrfikëse, vijojnë punën për shuarjen e zjarrit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër apelon për të gjithë banorët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast zjarrvënieje dhe paligjshmërie në tërësi, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.
/m.m/j.p/
The post Ndezi zjarr në tokën me qira, arrestohet 40-vjeçari në Tepelenë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.