Tri formacionet se si mund të luajë Kosova me Leon Abdullahun në fushë
Leon Avdullahu është prurja më e re e Kombëtares së Kosovës dhe pritet të jetë i gatshëm për dy ndeshjet e shtatorit, të vlefshme për kualifikimet për Kupën e Botës 2026.
Mbrëmjen e së hënës u konfirmua se mesfushori 21-vjeçar vendosi ta pranoj ftesën e Kosovës për të luajtur me ekipin e parë, pas shumë viteve si pjesë e ekipeve të moshave të Zvicrës.
Ardhja e Avdullahut e përmirëson dukshëm ekipin e Kosovës, e në veçanti repartin e mesfushës, i cili ka çaluar më shumë në vitet e fundit.
Por, si mund të paraqitet Avdullahu në skemat e trajnerit Franco Foda te Kosova?
Telegrafi ka bërë tri formacione të mundshme me rreshtime të ndryshme, ku Avdullahu mund të jetë lider i ri i mesfushës.
Në rreshtimin e parë 4-2-3-1, i cili është i preferuari të Fodas, Avdullahu do të paraqitej në dyshen e mesfushës së bashku me Elvis Rexhbeçajn.
Në rreshtimin e dytë 4-3-3, 21-vjeçari shtatlartë do të paraqitej si mesfushor i fundit apo mesfushor defensiv, ndërsa para tij përsëri do të ishte Rexhbeçaj së bashku me njërin mes Florent Muslijës, Valon Berishës dhe Bledian Krasniqit.
Rreshtimi i tretë apo më pak i mundur për t’u praktikuar nga Foda është ai 3-4-3, ku Avdullahu përsëri do ta kishte partner Rexhbeçajn, ndërsa nga krahët do mund të luanin Mërgim Vojvoda ose Milot Rashica dhe Donat Rrudhani ose Leart Paqarada.
Kosova starton në eliminatoret për Kupën e Botës 2026 në shtator, ku takohet me Zvicrën si mysafir fillimisht, pastaj në shtëpi me Suedinë. Pjesë e grupit është edhe Sllovenia. /Telegrafi/
The post Tri formacionet se si mund të luajë Kosova me Leon Abdullahun në fushë appeared first on Telegrafi.