Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 August 2025Main stream

Klerikët shqiptarë: Stop luftës në Gaza/ Këshilli Ndërfetar: Të ndalojë dhuna ndaj civilëve, të lirohen pengjet

By: Rovena
28 August 2025 at 15:18

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka shprehur shqetësimin për situatën në Gaza. Përmes një deklarate zyrtare, përfaqësuesit e pesë komuniteteve fetare në vend, iu bashkohen thirrjeve ndërkombëtare, për përfundimin e menjëhershëm të luftës dhe lirimin e pengjeve. Këshilli Ndërfetar dënon përpjekjet për të shpërngulur palestinezët nga Rripi i Gazës, duke e cilësuar si shkelje të rëndë të dinjitetit njerëzor.

“Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë kërkon ndalimin e dhunës dhe garantimin e mbrojtjes së jetës së civilëve të pafajshëm, veçanërisht grave dhe fëmijëve, të cilët janë viktimat më të mëdha të këtij konflikti. Shpërngulja e detyruar e popullsisë, pengimi i ndihmës humanitare dhe shkatërrimi i infrastrukturës bazë nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë dhe përbëjnë një shkelje të rëndë të dinjitetit njerëzor.”

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë thekson se paqja e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm mbi drejtësi, mëshirë dhe respekt të ndërsjellë.

“Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve botërorë, institucioneve ndërkombëtare dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë të shtojnë përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit, për të siguruar menjëherë ndihmën e nevojshme humanitare dhe për të hapur rrugën drejt një paqeje të drejtë e të qëndrueshme në Tokën e Shenjtë dhe përreth saj.”

Më 7 tetor të vitit 2023, militantë të Hamasit, organizatë që kontrollon Rripin e Gazës, të shpallur nga perëndimi si terroristë u futën brenda territorit izraelit duke vrarë mbi 1000 persona dhe morën peng 251 persona. Pas sulmit të Hamasit, Izraeli nisi një operacion të gjerë ushtarak në Gaza./abcnews.al

Begaj takim me luftëtarët për çlirimin e Kosovës: UÇK-ja do të jetë patjetër në vëmendjen e shtetit shqiptar

By: Rovena
28 August 2025 at 15:08

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti këtë të enjte në një takim luftëtarët e parë për çlirimin e  Kosovës, të stërvitur në Shqipëri në vitin 1991, familjarë të martirëve dhe ish-pedagogët ushtarakë që kryen trajnimet e asaj kohe.

Kreu i Shtetit vlerësoi guximin dhe sakrificën e tyre dhe, po ashtu, rolin e ushtarakëve të Shqipërisë në përgatitjen politike, logjistike dhe ushtarake.

Duke i cilësuar ata si “njerëz që kanë shkruar një faqe të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar”, Presidenti Begaj u shpreh se akti i vitit 1991 duhet vlerësuar për rëndësinë historike si dhe të mësohet në shkolla për të mos mbetur në harresë.

Presidenti Begaj theksoi se nga ky moment, nga kjo sakrificë nisi udha drejt luftës për çlirimin e Kosovës dhe  se vepra e të gjithë atyre që guxuan dhe sakrifikuan nuk do të harrohet kurrë.

“Ngjarjet e tetor-nëntorit të ‘91-shit janë fillimi i flakës së madhe të çlirimit të Kosovës. Ishte një sakrificë, sakrificë, së pari, e atyre njerëzve që dolën vullnetarë dhe erdhën për t’u stërvitur në Shqipëri, sakrificë e atyre pedagogëve që i mësuan, trajnuan, i stërvitën, të cilët nuk e dinin se si do të shkonte Shqipëria dhe kur askush nuk e imagjinonte që në ’99-ën ne do të kishim një Kosovë të çliruar”.

Ndërsa nderoi figurën e martirëve të këtij grupi të përgatitur në Tiranë, mes të cilëve ishte dhe Adem Jashari, Ilaz Kodra dhe Sali Çekaj. Presidenti Begaj i siguroi pjesëmarrësit në takim për angazhimin e tij në vlerësimin e veprës së ish-luftëtarëve.

“Unë ju siguroj që ju do të keni gjithmonë vëmendjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, UÇK-ja do të jetë patjetër në vëmendjen e shtetit shqiptar”.

Presidenti i Republikës u shpreh, gjithashtu, se Shqipëria do të mbetet një avokate dhe mbrojtëse e Kosovës në çfarëdo lloj rrethane dhe situate, ndërsa kërkoi që dhe Kosova të dëshmojë pjekurinë e duhur për të ecur përpara.

“Vetë shteti i Kosovës duhet të bëjë shumë më shumë për interesat e brendshme të Kosovës. Tani jemi në një situatë që shpresoj të tejkalohet ngërçi institucional për formimin e institucioneve të reja, pasi Kosova e ka shumë të nevojshme, shumë të domosdoshme për t’u promovouar në arenën ndërkombëtare që është e aftë të bëjë shtetformim dhe të jetë një partner i besueshëm për ata të cilët kontribuuan për shtetin e Kosovës, që janë partnerët tanë strategjik: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian”.

Gjatë bashkëbisedimit, ish-luftëtarët sollën përjetimet e atyre viteve dhe vuajtjet që pasuan nga torturat në burgjet jugosllave apo gjatë luftës së UÇK-së, si dhe i përcollën Kreut të Shtetit mirënjohjen për mbështetjen nga Shqipëria, si dhe për pritjen e rezervuar sot në Institucionit e Presidentit të Republikës.

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, ekstradohen nga Italia dhe Gjermania dy shqiptarët

By: Rovena
28 August 2025 at 14:57

Janë ekstraduar nga Italia dhe Gjermania, dy shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ekstradohet nga Italia, një person i cili gjatë muajit shkurt 2024, kanosi në mënyrë të përsëritur, për shkak të detyrës, gjyqtarin e Gjykatës Administrative Lushnjë.

“Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, në kuadër të operacionit “The Wanted”, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe ekstradimin e tyre, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Italia, të shtetasit H. Xh., 42 vjeç, banues në Tiranë.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë,  në vitin 2024, i ka caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Shtetasi H. Xh. akuzohet se gjatë muajit shkurt 2024, ka kanosur në mënyrë të përsëritur, nëpërmjet celularit, për shkak të detyrës, shtetasin E. L., gjyqtar i Gjykatës Administrative Lushnjë, si dhe ka protestuar para Gjykatës së Lartë”, njofton policia.

Gjithashti është ekstraduar nga Gjermania, një tjetër shtetas i kërkuar për prodhim dhe shitje të narkotikëve.

“Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit me homologët gjermanë, u finalizua ekstradimi nga Gjermania, i shtetasit shqiptar B. S., 34 vjeç. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, i ka caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Shtetasi B. S. akuzohet për shitje të dozave të kokainës, në qytetin e Pogradecit”, njofton më tej policia.

Shtetasit e ekstraduar iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

SHBA: Danimarka të qetësohet/ “Respektojmë të drejtën e qytetarëve të Groenlandës për të vendosur”

By: Rovena
28 August 2025 at 14:50

Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Danimarkës të “qetësohet” pasi kryediplomati amerikan në Kopenhagë u thirr nga Ministria e Jashtme lidhur me akuzat e ngritura se Amerikanët po kryenin operacione të fshehta në Groenlandë. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë nuk e konfirmoi ekzistencën e një fushate për të ndikuar tek populli i Groenlandës, por tha se “ SHBA-të mendojnë se danezët duhet të qetësohen.” Duke cituar burime të ndryshme, televizioni publik danez raportoi se qëllimi i këtyre operacioneve kishte qenë infiltrimi në shoqërinë e Groenlandës me synim për të bindur qytetarët atje të të kërkonin shkëputjen nga Danimarka dhe bashkimin me SHBA. Ende nuk është saktësuar se për kë punonin personat e përfshirë në këtë operacion.

Ministri i Jashtëm i Danimarkës, , theksoi të mërkurën se “çdo përpjekje për të ndërhyrë në punët e brendshme të Mbretërisë së Danimarkës do të ishte e papranueshme”. Agjencia daneze e inteligjencës paralajmëroi se Grenlanda është bërë objektiv i fushatave të ndryshme të ndikimit, të cilat sipas saj synojnë të krijojnë përçarje mes Kopenhagës zyrtare dhe popullit te Groenlandës. Agjencia daneze e inteligjencës tha gjithashtu se ka rritur praninë e saj në territor dhe bashkëpunimin me autoritetet vendase.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit amerikan konfirmoi se i ngarkuari me punë në Kopenhagë, Mark Stroh, kishte zhvilluar një takim me Ministrinë e Jashtme dhe se bisedimet kishin qenë “produktive”, duke rikonfirmuar “lidhjet e forta” mes SHBA-së, Danimarkës dhe Groenlandës. Ai shtoi se Uashingtoni gjithmonë ka respektuar të drejtën e qytetareve te Groenlandës për të vendosur mbi të ardhmen e tyre.

Donald Trump ka shprehur më herët se nëse Danimarka nuk do të pranonte që Groenlanda ti bashkohej Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atëherë Uashingtoni nuk do të përjashtonte mundësinë e aneksimit të këtij territori autonom nëpërmjet forcës ushtarake. Groenlanda është një territor autonom me vetëqeverisje qe prej vitit 1979, por megjithatë politika e jashtme dhe mbrojta e saj mbeten në duart e Kopenhagës. “Një sondazh i janarit tregoi se shumica dërrmuese e 57 mijë banorëve të Grenlandës mbështesin pavarësinë nga Danimarka, por jo bashkimin me Shtetet e Bashkuara.

Tensionet e fundit janë cilësuar nga analistët si një “karton i verdhë diplomatik” ndaj Uashingtonit, diçka e paprecedentë në marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat tradicionalisht kanë qenë shumë të ngushta./abcnews.al

Tirana, 20 vendet për t’u vizituar/ Lonlyplanet: Eksperiencë e veçantë kulturore dhe historike

By: Rovena
28 August 2025 at 13:11

Tirana është ndalesa e parë e turistëve të huaj në Shqipëri. Revista e dedikuare për udhëtimet LonelyPlanet i rekomandon udhëtarëve të vizitojnë kryeqytetin shqiptar i cili ofron një larmishmëri vendesh historike dhe kulturore.

Sipas Lonelyplanit kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, ishte i shkëputur nga bota, ashtu si edhe pjesa tjetër e këtij vendi ballkanik, për dekada nën regjimin komunist. Por tashmë Turizmi sapo ka filluar të zhvillohet në këtë qytet gjithnjë e më kozmopolit gjatë dekadave të fundit, dhe për pasojë, vizitorët për herë të parë kanë përpara disa përvoja kulturore magjepsëse.

Rekomandohet që të eksplorohen 20 pikat me interesante duke nisur nga  Xhamia e Namazgjasë e ndërtuar me stil osman. Me një sipërfaqe mbresëlënëse prej 10,000 m², kjo është xhamia më e madhe në Ballkan me  arkitekture klasike osmane dhe e ngjashme me Xhaminë Blu të Stambollit.

Po ashtu sipas Lonelyplanet turistët nuk duhet të lenë pa vizituar Sheshi Skënderbej, sheshi kryesor i gurtë dhe i gjerë i Tiranës për të vijuar më pas me afresket e Xhamisë së Et’hem Beut e nderuar në  shek. XVIII .Në qendër të kryeqytet ndodhet edhe Kulla e Sahatit  si dhe Muzeu Kombëtar. Për të vijuar më pas me piramidën e Tiranës e projektuar nga vajza e Hoxhës më 1988 si muze  dhe pas viteve ’90 ka shërbyer si qendër konferencash, bazë e NATO-s dhe tani është qendër inovacioni .

Po ashtu sipas Lonely Planet një vizitë duhet bërë edhe në Parkun e Liqenit Artificial  si dhe në Parkun Kombëtar të Dajtit. Ndërsa për ata që duan të shijojnë produktet tradicionale shqiptare rekomandohet të shkojnë te Pazari I ri .

E veçantë vlerësohet edhe Ish-selia e Sigurimit ose Shtëpia me Gjethe  ku sot ekspozohen pajisje përgjimi dhe metoda kontrolli të regjimit, duke sjellë në kujtesë persekutimin politik./abcnews.al

“Jemi në një situatë primitive në ndarjen e mbetjeve”, Rama: Sfidë, përafrimi i direktivave me standardet e BE

By: Rovena
28 August 2025 at 11:31

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot një plan të ri masash ligjore dhe investimesh në kuadër të Reformës për Trajtimin e Integruar të Mbetjeve, gjatë një aktiviteti të posaçëm të mbajtur në Tiranë.

Në fokus të kësaj reforme qëndron ngritja e një operatori kombëtar për menaxhimin e mbetjeve, në funksion të përafrimit me standardet dhe direktivat e Bashkimit Europian, një hap kyç në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit.

Kryeministri theksoi domosdoshmërinë për rishikimin e strategjive për tarifat, riciklimin dhe përmirësimin e sistemit aktual, duke pranuar se vendi ende përballet me sfida serioze, veçanërisht në ndarjen e mbetjeve dhe eliminimin e praktikave të paligjshme si “varrezat e makinave”.

 “Së shpejti do të kemi një operator kombëtar për mbetjet. Trajtimi i mbetjeve nuk do te jetë më një proces i administruar nga bashkitë, por nga ky operator. Një tjetër sfidë është përafrimi i direktivave me Bashkimin Europian. Por, nëse pastrim kemi bërë përparime të dukshme, nëse në mbajtjen pastër të vendit dhe të plazheve sidomos gjatë sezonit, dhe në trajtimin e mbetjeve kemi bërë përparime domethënëse, jemi në një situatë tërësisht primitive në ndarjen e mbetjeve, në përgjegjësinë e përdoruesve. Jemi besoj i vetmi vend në Europë, që varrezat e makinave i kemi të ligjëruara pa ligj, dhe ky do të jetë një operacion që sapo ka nisur dhe do të vazhdojë për shkuljen e këtyre varrezave.  Një tjetër nevojë e krijuar është rishikimi i strategjive dhe masterplanit për tarifat dhe riciklimin sipas standardeve të Bashkimit Europian”, tha kryeministri Rama./abcnews.al

Transportonin karburant kontrabandë/ Arrestohet në Fier 34-vjeçari i shpallur në kërkim

By: Rovena
28 August 2025 at 10:47

Policia e Fierit ka arrestuar edhe një 34-vjeçar të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Liquid”.

34-vjeçari E. R., banues në Fier, ishte në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Liquid”, si rezultat i të cilit, dje, u vunë në pranga 2 shtetas që magazinonin dhe transportonin lëndë hidrokarbure të dyshuara të kontrabanduara./abcnews.al

Ushtar i ‘Rrumit të Shijakut’/ Kush është Aldi Mustafa që u arrestua në aksionin policor në Shkozet

By: Rovena
28 August 2025 at 10:22

Aldi Mustafa është një prej personave që ra në prangat e policisë, gjatë aksionit që u zhvillua mbrëmjen e djeshme, të 27 gushtit, në Shkozet të Durrësit. Mbrëmjen e së mërkurës u shoqëruan në komisariat disa persona me rrezikshmëri të lartë, mes tyre Aldi Mustafa dhe Arbi Haxhiu.

Aldi Mustafa në fakt nuk është një emër i padëgjuar për policinë. 3 vite më parë ai u kap me disa persona të tjerë, teksa ishte në makine me arsenal armësh. Ndërkohë që rreth një vit e gjysmë më parë, persona ende të paidentifikuar shpërthyen me telekomandë makinën e tij. Mustafa doli i pa lënduar nga shpërthimi ndërsa pak minuta para se të ndodhte ngjarja, la në banesë gruan me fëmijën. Zona në të cilën ndodhi ngjarja kishte kamera të shumta sigurie, ndërsa Shqiptarja.com siguroi edhe videon e shpërthimit të mjetit.

Aldi Mustafa, ose siç e quajnë ndryshe Aldi Mustafa, është një person me precedent të theksuar penal. Mustafa më herët ka qenë anëtar i një bande të njohur në Durrës, ndërsa kohët e fundit ka pasur lidhje me Aleksandër Lahon i njohur si ‘Rrumi i Shijakut’, një personazh i përfolur në ngjarje kriminale, siç ishte dhe atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.

Ndërkohë Mustafa është arrestuar më 30 gusht të 2021 me dy të tjerë, pasi po planifikonin një vrasje. Ai rezulton gjithashtu i dënuar më parë me 10 vite burg në Gjermani, për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”./abcnews.al

Situata e zjarreve në vend/ Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri

By: Rovena
28 August 2025 at 09:51

Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin lidhur me situatën e zjarreve në vend. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri, nga të cilat 3 janë ende aktive, 2 janë në monitorim dhe pjesa tjetër janë izoluar dhe shuar.

Vatrat aktive: Në fshatin Delisuf, bashkia Vlorë, vatra e nisur më 25 gusht vijon në pyllin e Pishë-Poros. Sot në terren po punojnë 30 forca zjarrfikëse e bashkiake dhe 20 efektivë të FA me 3 automjete. Zjarri ka intensitet të ulët, duke djegur kryesisht trungje brenda vatrës.

Në fshatin Miras, bashkia Devoll, vijon zjarri në një sipërfaqe pyjore, ku po punojnë rreth 70 forca vendore të MZSH, bashkisë dhe vullnetarë.

Vatra në monitorim:

Skrapar (Bogovë) – Zjarri në pyllin me pisha është vënë nën kontroll, ndërsa po mbahet në monitorim nga forcat zjarrfikëse dhe bashkiake. Pezë Helmës, vatra të izoluara në zonën e Kodrave të Caushit po vijojnë të monitorohen.

Korçë (Parku Natyror Gërmenj) – Vatra e riaktivizuar në zonën e piramidave 14–15 është izoluar dhe po monitorohet nga forcat operacionale./abcnews.al

Kim Jong Un dhe Putin do të marrin pjesë në një paradë ushtarake në Kinë javën e ardhshme

By: Rovena
28 August 2025 at 09:37

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, do të udhëtojë në Kinë për herë të parë pas gjashtë vjetësh, për të marrë pjesë në një paradë ushtarake javën e ardhshme, njoftuan të dyja vendet të enjten.

Kim dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të jenë mesin e 26 liderëve të huaj që do të marrin pjesë në paradën e 3 shtatorit në Pekin, për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe qëndresës së Kinës ndaj agresioneve të Japonisë gjatë luftës, sipas Ministrisë së Jashtme të Kinës.

“Ne e mirëpresim ngrohtësisht sekretarin e përgjithshëm Kim Jong Un në Kinë, për të marrë pjesë në aktivitetet përkujtimore”, tha Hong Lei, zëvendësministër i jashtëm i Kinës, në një konferencë për shtyp.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA, tha se Kim do ta vizitojë Kinën me ftesë të presidentit kinez, Xi Jinping, për të marrë pjesë në festimet e 80-vjetorit të përfundimit të luftës.

Në mesin e të ftuarve të tjerë janë edhe liderët e Iranit, Bjellorusisë, Serbisë, Kubës, Indonezisë, Mianmarit, Pakistanit dhe Malajzisë. Asnjë lider nga Shtetet e Bashkuara apo vendet kryesore të Evropës Perëndimore nuk pritet të marrë pjesë, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve me Putinin mbi luftën në Ukrainë.

Në paradë pritet të shfaqen disa nga armët më të reja të Kinës, ku gjithashtu Xi do të mbajë fjalim. Nëse udhëtimi i Kimit realizohet, ai do të jetë udhëtimi i tij i parë në Kinë që nga viti 2019.

Prej se e mori pushtetin pas vdekjes së babait të tij në dhjetor të vitit 2011, Kimi është takuar me Xinë, Putin, presidentin amerikan Donald Trump, ish-presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in, dhe të tjerë, por të gjitha këto takime kanë qenë dypalëshe dhe ai nuk ka marrë pjesë kurrë në ngjarje shumëpalëshe me liderë të huaj.

Në përgjithësi, Kimi udhëtoi katër herë në Kinë nga viti 2018 deri në vitin 2019 për t’u takuar me Xinë.

Kina është tash e një kohë të gjatë partneri më i madh tregtar i Koresë së Veriut dhe furnizuesi kryesor i ndihmave, megjithatë në vitet e fundit janë ngritur dyshime mbi marrëdhëniet mes tyre.

Koreja e Veriut është përqendruar në zgjerimin e bashkëpunimit me Rusinë, duke dërguar trupa dhe municione për ta mbështetur luftën e Moskës në Ukrainë, në këmbim të ndihmës ekonomike dhe ushtarake.

Megjithatë, shumë analistë thonë se Koreja e Veriut pritet të ndërmarrë hapa për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Kinën, në mënyrë që ta ringjallë ekonominë e saj të dobësuar, sepse ka një kufi për atë që mund ta marrë nga Rusia dhe mbetet e paqartë nëse bashkëpunimi me Moskën do të vazhdojë me të njëjtin ritëm pas përfundimit të luftës në Ukrainë.

Vizita e Kimit në Kinë mund të lidhet gjithashtu me përpjekjet për të rifilluar diplomacinë me Trumpin, i cili ka theksuar shpesh marrëdhënien e tij me Kimin dhe ka shprehur shpresat për të rinisur bisedimet. Koreja e Veriut deri tani kundërshtuar qasjen e Trumpit, por shumë analistë thonë se ajo mund të rikthehet në bisedime nëse beson se SHBA-ja do të bëjë lëshime më të mëdha.

“Bashkëpunimi i paligjshëm i Phenianit me Moskën ka tensionuar marrëdhëniet me Pekinin, edhe pse mbështetja politike dhe ekonomike e Kinës mbetet jetike për regjimin e Koresë së Veriut”, tha Leif-Eric Easley, profesor i studimeve ndërkombëtare në Universitetin Ewha Womans në Seul.

“Për të rifituar lidhjen me Trumpin nga një pozitë force, Kim po përpiqet t’i ndreqë marrëdhëniet me Xinë, dhe pjesëmarrja në paradën e Pekinit është një mënyrë shumë e dukshme për ta bërë këtë”, shtoi Easley./REL

Presidenti kroat bën thirrje për nisjen e procesit parlamentar për njohjen e Palestinës

By: Rovena
28 August 2025 at 09:31

Presidenti kroat Zoran Milanoviq i ka bërë thirrje sot qeverisë së vendit të fillojë procesin parlamentar për njohjen e Palestinës si shtet sovran dhe të pavarur.

“Kroacia duhet ta njohë Palestinën si një hap drejt përfundimit të luftës dhe katastrofës njerëzore në Gaza”, tha Milanoviç.

“Njohja e të drejtave të popullit palestinez për shtetin e tyre është e vetmja mënyrë për të vendosur paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, shtoi ai.

Milanoviç gjithashtu ka dënuar ashpër sulmet izraelite ndaj civilëve në Gaza dhe planin e shpallur të pushtimit.

Ai ka deklaruar ndër tjera se do të “avokojë fuqimisht që Kroacia të njohë Palestinën sa më shpejt të jetë e mundur”.

Gjithashtu, ai i ka bërë thirrje Qeverisë së Republikës së Kroacisë të fillojë procedurën për njohjen e Palestinës në Parlamentin e Kroacisë.

Masakra në Minneapolis, si autori transgjinor planifikoi gjithçka për sulmin në ditarin e tij

By: Rovena
28 August 2025 at 09:25

Minneapolis është tronditur mëngjesin e 27 gushtit nga një ngjarje tragjike, ku dy fëmijë humbën jetën dhe të paktën 17 persona të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri në një shkollë katolike në jug të qytetit. Autor i kësaj masakre është identifikuar si Robin Westman, 23 vjeç, i cili sipas burimeve ishte një grua transgjinore.

Sipas raportimeve të New York Post, vetëm pak orë përpara sulmit, Westman kishte publikuar disa video në YouTube, në të cilat paralajmëronte aktin që do kryente. Në videot dhe fotot e publikuara nga autoritetet amerikane dhe mediat, shihen karikatorë armësh me shkrime kërcënuese si “Vrit Donald Trump” dhe të tjera mesazhe me përmbajtje të dhunshme dhe urrejtëse.

Në një prej materialeve filmike, që zgjat rreth 20 minuta, Westman shihet duke shfletuar një bllok të kuq me shënime dhe vizatime të çuditshme. Në një moment, e përshkruan veten si “monstra e tmerrshme që qëndron mbi fëmijët e pafuqishëm”. Gjithashtu, duken skica armësh, përfshirë një që mban shënimin “Ruger Mark IV”, ndërsa në sfond shihet tym dhe dëgjohen sharje të pakontrolluara.

Disa nga faqet e bllokut përmbajnë shënime ku Westman shpreh idetë e tij për një “masakër të planifikuar prej kohësh”, ndërsa një tjetër detaj i zbuluar lidhet me faktin se në të njëjtën shkollë ku ndodhi sulmi, më herët kishte punuar nëna e tij. Në një pjesë të ditarit shkruan: “Mendoj se sulmi mbi një grup të madh fëmijësh që kthehen nga pushimi është plani im ideal.”

Përveç planifikimit të dhunshëm, në shënimet e tij dallohet një përzierje ideologjike mes ekstremizmit të majtë dhe antisemitizmit. Në një nga faqet e bllokut është ngjitur një sticker me flamurin transgjinor dhe mbishkrimin “Mbro barazinë”, mbi të cilin vendoset një tjetër me një armë AK-47. Në një tjetër fragment shkruan: “Nëse do të bëja një sulm me motive racore, do të ishte me shumë gjasë kundër çifutëve të ndyrë”, ndërsa më poshtë shton thirrjen: “Free Palestine!”

Westman ka shprehur gjithashtu dëshirën për të sulmuar figura të njohura politike dhe publike. “Objektiva si Elon Musk, Trump apo ndonjë drejtues i rëndësishëm,” shkruan ai, duke nënvizuar se pas kryerjes së masakrës kishte në plan të vetëvritej.

Në fund të njërës prej videove, ai ndalet në një faqe bosh të bllokut ku është vizatuar pjesa e brendshme e një kishe. E sheh, qesh dhe thotë: “Haha, bukur!”

Autoritetet janë duke hetuar më tej motivet dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike që ka tronditur opinionin publik amerikan./abcnews.al

Shtëpia e Bardhë shkarkon drejtoreshën e CDC-së

By: Rovena
28 August 2025 at 09:16

Shtëpia e Bardhë njoftoi se ka shkarkuar nga detyra drejtoreshën e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), Susan Monarez, pasi ajo refuzoi të jepte dorëheqjen. Në deklaratë thuhej se Monarez “nuk ishte e përafruar me agjendën e presidentit” dhe për këtë arsye u largua nga posti.

Pak më herët, Departamenti i Shëndetësisë kishte njoftuar për largimin e saj, çka solli një reagim nga avokatët e Monarez, të cilët thanë se ajo nuk ishte informuar për shkarkimin dhe se nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqjen.

Ata e akuzuan sekretarin e Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., se po “armatos shëndetin publik” duke ushtruar presion për vendime të papërgjegjshme dhe duke larguar ekspertët.

Dr. Monarez, shkencëtare e karrierës në administratën federale, ishte emëruar nga presidenti Donald Trump dhe u konfirmua në korrik me votat e republikanëve në Senat.

Para saj, Trump kishte tërhequr kandidaturën e ish-kongresmenit republikan Dave Weldon, i kritikuar për qëndrimet e tij mbi vaksinat.

Largimi i Monarez u pasua menjëherë nga dorëheqja e disa drejtuesve të lartë në CDC. Shefja mjekësore Debra Houry paralajmëroi në një letër për “rritjen e dezinformimit mbi vaksinat” dhe kritikoi planet për shkurtime buxhetore.

Ndërkohë, Daniel Jernigan, drejtor i Qendrës për Sëmundjet Infektive dhe Zoonotike, dha dorëheqjen duke përmendur “kontekstin aktual në departament”.

Edhe Demetre Daskalakis, drejtues i Qendrës për Imunizim dhe Sëmundje Respiratore, deklaroi se nuk mund të vijonte punën “për shkak të politizimit të shëndetit publik”.

Sipas mediave amerikane, dorëheqje ka dhënë edhe Jennifer Layden, drejtoreshë e Zyrës për të Dhënat dhe Teknologjinë e Shëndetit Publik.

Këto zhvillime ndodhin ndërkohë që ekspertët shprehin shqetësim për drejtimin që po merr politika e vaksinimit nën drejtimin e Kennedy, i njohur si skeptik i vaksinave.

Po të mërkurën, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi vaksina të reja kundër Covid, por vetëm për të moshuarit dhe personat me sëmundje shoqëruese, duke përjashtuar të rinjtë dhe fëmijët e shëndetshëm.

Monarez ishte drejtoresha e parë e CDC-së në 50 vjet pa diplomë mjekësore, me profil në kërkimin e sëmundjeve infektive.

Gjatë muajit të saj në krye të agjencisë, ajo mori pjesë në mbështetjen e stafit pas një sulmi të armatosur në selinë e CDC në Atlanta, ku një polic mbeti i vrarë.

Shkarkimi i saj vjen vetëm pak ditë pasi sindikata e punonjësve të CDC bëri të ditur se rreth 600 punonjës ishin pushuar nga puna, mes tyre edhe ekspertë që punonin për gripin e shpendëve, rreziqet mjedisore dhe menaxhimin e të dhënave publike.

Yesterday — 27 August 2025Main stream

Shirat e rrëmbyeshëm përfshijnë Tajlandën, një i vdekur dhe një i zhdukur

By: Rovena
27 August 2025 at 16:49

Një person ka humbur jetën si dhe një tjetër rezulton i zhdukur pas rrëshqitjes së dheut si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm, në qytetin Chiang Mai, të Tajlandës.

Pamjet e transmetuara nga transmetuesi tajlandez TPBS tregonin rrugë të përmbytura në pjesë të provincave Nan dhe Lampang, në lindje të Chiang Mai, raporton AP.

Departamenti për Parandalimin dhe Zbutjes së Fatkeqësive në Tajlandës, njoftoi për shumë shtëpi të prekura dhe disa persona të lënduar nga përmbytjet e menjëhershme dhe rrëshqitjet e dheut në provincat veriore.

Departamenti Meteorologjik i Tajlandës paralajmëroi për shira të rrëmbyeshëm në rajonet veriore dhe verilindore të mërkurën. Banorët në zonat kodrinore dhe zonat e ulëta pranë rrugëve ujore u paralajmëruan për përmbytje të mundshme dhe rrëshqitje dheu.

Shiu ishte pasojë e Stuhisë Tropikale Kajiki, e cila zbarkoi të hënën pasdite në Vietnamin qendror, ku mijëra njerëz u evakuuan nga zonat me rrezik të lartë.

Portreti i vjedhur nga nazistët 80 vite më parë, rishfaqet rastësisht në Argjentinë

By: Rovena
27 August 2025 at 16:36

Një portret nga shekulli i 18-të, i vjedhur nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, besohet se është rishfaqur në një vend krejt të paparashikueshëm: i varur mbi një divan në një shtëpi bregdetare në Argjentinë dhe nuk u zbulua nga organet ligjzbatuese apo ndonjë muze, por nga një foto e publikuar në një faqe interneti për shitjen e pasurive të patundshme.

Vepra, “Portreti i një Zonje” i realizuar nga artisti barok italian Giuseppe Vittore Ghislandi, i përkiste Jacques Goudstikker, një tregtar i njohur hebre-arti nga Holanda, koleksioni i të cilit me më shumë se 1 mijë e 100 vepra u konfiskua pas pushtimit nazist të Holandës në vitin 1940.

Zyrtarë të lartë nazistë morën qindra prej tyre, sipas Agjencisë Holandeze për Trashëgiminë Kulturore.

Trashëgimtarët e Goudstikker përfaqësohen nga avokatët amerikanë Yael Friedman dhe Amelia Cuneo nga Friedman, Norman & Friedland, LLP.

Friedman konfirmoi për “ABC News” se klientja e tyre, Marei von Saher, vajza e dhëndrit të Goudstikkerit, 81 vjeçe dhe trashëgimtare e vetme, synon të ngrejë një kërkesë zyrtare për dëmshpërblim për “Portretin e një Zonje”./abcnews.al

Polonia i vë ultimatum Ukrainës: Jashtë BE-së pa pranimin e masakrës së Volinës si gjenocid

By: Rovena
27 August 2025 at 16:12

Ministri i Mbrojtjes dhe njëherazi zëvendëskryeministër i Polonisë, Władysław Kosiniak-Kamysz, ka deklaruar se Ukraina nuk do të ketë “asnjë shans” për anëtarësim në Bashkimin Evropian nëse nuk e njeh tragjedinë e Volinës si akt gjenocidi. Këtë qëndrim ai e bëri publik gjatë një konference për shtyp, sipas asaj që transmeton agjencia polake e lajmeve PAP.

“Nëse Ukraina nuk përballet me gjenocidin e Volinës, nëse nuk do të ketë zhvarrime apo përkujtimore, atëherë nuk do të ketë asnjë mundësi për të hyrë në Bashkimin Evropian”, tha Kosiniak-Kamysz.

Ministri shtoi gjithashtu se “refuzimi për të mbështetur Ukrainën në luftë është kundër interesave të sigurisë së shtetit polak” dhe se “ndihma për Ukrainën në luftë do të thotë gjithashtu ndërtimi i një Polonie të sigurt”.

Masakra e Volinës e vitit 1943, kur anëtarë të Ushtrisë Kryengritëse Ukrainase (UPA) vranë mijëra polakë, mes 60 mijë dhe 90 mijë, në Volinën e pushtuar nga nazistët (sot pjesë e Ukrainës perëndimore), ka qenë gjithmonë një nga pikat më të ndjeshme të marrëdhënieve mes Kievit dhe Varshavës.

Sipas një sondazhi të publikuar në janar nga instituti IBRiS, gjysma e polakëve besojnë se Ukraina nuk duhet të hyjë në NATO apo në Bashkimin Evropian përderisa nuk zgjidhet çështja e zhvarrosjes së viktimave të masakrës së Volinës.

Në korrik, presidenti polak, Karol Nawrocki, i ka bërë thirrje presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, të lejojë zhvarrosjen në shkallë të gjerë të viktimave polake, megjithëse procesi, i cili kishte qenë i bllokuar për një kohë të gjatë, kishte rifilluar që në prill./abcnews.al

 

❌
❌