Sula: Rikuperimi i trupave të të zhdukurve të komunizmit, mundësi për të bërë paqe me të shkuarën
TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Autoriteti i Dosjeve, në bashkëpunim me Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, mbajti sot, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur (30 gusht), simpoziumin me temë: “Kufiri i Shpresës dhe i Vdekjes, 1944–1991. Shkodra përballë së kaluarës.”
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ambasadori i Bashkimit Europian Silvio Gonzato si dhe ambasadori i OSBE-së, Michel Tarran, dy institucione që prej vitit 2017 bashkëpunojnë ngushtë me Autoritetin për trajtimin e çështjes së personave të zhdukur gjatë regjimit komunist në Shqipëri.
Të pranishëm ishin gjithashtu deputetja Greta Bardeli, përfaqësues të institucioneve publike, përfaqësues të komuniteteve fetare, të afërm të viktimave dhe të mbijetuar.
Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, u shpreh se ballafaqimi me të shkuarën është një domosdoshmëri, jo një opsion.
“Përballja me vrasjet në kufi dhe fenomenin e zhdukjes është çështje dinjiteti njerëzor. Demokracia është e fortë vetëm kur drejtësia tranzitore zbatohet. Qyteti i Shkodrës duhet të kthehet në një vend kujtese, me muze dhe hapësira përkujtimore”, shtoi ai.
Gonzato përcolli edhe shqetësimin e shumë ish-të përndjekurve që ende presin kompensimet, duke theksuar se ky proces nuk mund të shtyhet pafund. Ambasadori përmendi gjithashtu bashkëpunimin me ICMP për hartimin e protokolleve të kërkimit të personave të zhdukur.
Kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula, pranoi vonesat në ecurinë e procesit për rikuperimin e trupave të të zhdukurve gjatë regjimit komunist.
“Deri tani janë bërë hapa administrativë, por qetësia për familjet që ende nuk kanë një varr për të afërmin do të vijë vetëm kur të nisin gërmimet e para. Një Shqipëri që i gjen bijtë e vet është një Shqipëri më e mirë. Të vdekurit dhe ata që kanë vuajtur kërkojnë llogaridhënie historike; për të gjallët, kjo është një mundësi për të bërë paqe me të shkuarën; dhe për të rinjtë, për të mbyllur plagët që u janë trashëguar brez pas brezi”, tha ajo.
Rektori i Universitetit, Tonin Gjuraj, theksoi rolin e studimit shkencor. “Detyra jonë është të hulumtojmë mbi dokumentet, të analizojmë dëshmitë dhe ta kthejmë këtë njohje në pjesë të ndërgjegjes kombëtare e të edukimit universitar. Kujtesa nuk duhet të mbetet e ngujuar në dhimbje, por të kthehet në një proces të vazhdueshëm kërkimi, mësimi dhe reflektimi. Harrimi është një formë e dytë e vdekjes dhe ne nuk duhet ta lejojmë atë”, shtoi ai.
Në vijim, u prezantua edhe projekti artistik për ngritjen e Memorialit “Muri i Gjakut” në Shkodër, ide e deputetes Greta Bardeli, që do të shërbejë si hapësirë reflektimi dhe nderimi për viktimat e komunizmit.
Simpoziumi vijoi me prezantimet e 13 studiuesve nga trupa akademike e Universitetit të Shkodrës, institucione të tjera shkencore dhe studiues të pavarur. Kumtesat adresuan temat: si vrasjet në kufi dhe dhimbja e familjeve, mungesa e drejtësisë dhe rikthimi i së vërtetës historike, qëndresa e grave malësore përballë terrorit ,mekanizmat e kontrollit dhe dhunës shtetërore, arratisjet e intelektualëve dhe klerit, trauma ndërbreznore dhe pasojat e saj.
Në hyrje të simpoziumit, AIDSSH organizoi një ekspozitë me dokumente arkivore të krijuara nga Dega e Punëve të Brendshme, e cila hedh dritë mbi mënyrën se si regjimi ngriti një rrjet kontrolli, frike dhe ndëshkimi mbi qytetarët.
Në mbi 6 mijë faqe dokumentesh të ekspozuara dëshmohen fatet e mijëra individëve, institucioneve dhe vetë qytetit të Shkodrës, që për dekada u mbajt nën një kontroll të hekurt.
Nga dokumentet dhe dëshmitë u evidentuan kalimet e ndaluara në kufirin verior (Liqeni i Shkodrës, Buna, Hani i Hotit), ku për dekada u zhvilluan tragjedi njerëzore: qindra burra, gra dhe të rinj humbën jetën; të tjerë u arrestuan, u internuan apo u zhdukën pa gjurmë.
Në këtë simpozium u përkujtuan edhe viktimat e fundit të vrara në kufi në vitin 1990, mes tyre: Elez Kraja (29 vjeç), Dhurata Sokoli (24 vjeçe), Vat Beci (25 vjeç), Nini Hoti (25 vjeç), Pëllumb Pellumbi (17 vjeç), Osman Xhakolli (23 vjeç) dhe tragjikisht Anisa Gruda, vetëm 5 vjeçe, e vrarë në Shirokë, ndërsa arratisej me familjen e saj.
Ky simpozium e vendos Shkodrën në qendër të kujtesës historike, duke i dhënë një zë viktimave dhe një thirrje shoqërisë, të mos harrojmë dhe të mos përsërisim kurrë më krimet e së shkuarës.
/m.m/j.p/
The post Sula: Rikuperimi i trupave të të zhdukurve të komunizmit, mundësi për të bërë paqe me të shkuarën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.