Shpesh kam lexuar, edhe sot pashë një video të CNN Albania, ku u tha se “turistët po konsumojnë pak”. Kjo nuk është një analizë reale ekonomike, por një paragjykim dhe një formë poshtërimi ndaj turistëve që vijnë në Shqipëri.
Njoh disa veta që kanë paguar më shumë për të njëjtat hotele dhe shërbime në Shqipëri sesa në Turqi, Greqi apo Spanjë. Në vend që t’i vlerësojmë për zgjedhjen që kanë bërë, i gjykojmë për “sasinë e konsumit”. Kjo nuk është as e drejtë, as fisnike, dhe mund të ketë pasoja negative.
Një turist, qoftë shqiptar nga diaspora apo i huaj, nuk duhet stigmatizuar. Ai shpenzon brenda mundësive të veta, ashtu si çdo shqiptar që shkon në Itali, Spanjë apo Greqi dhe shpenzon aq sa i lejon xhepi apo kartela bankare.
Në hotelin ku isha, kishte shumë shqiptarë nga Kosova që vinin nga Zvicra dhe Gjermania, por edhe polakë e çekë. Disa turistë marrin apartamente ose hotele deri në pesë yje, të tjerë bredhin nëpër male si adhurues të natyrës. Ne nuk mund t’i zgjedhim turistët; ata zgjedhin vendin. Turisti i pakënaqur dhe i paragjykuar rrallë kthehet. Ose kurrë.
Deklaratat për “turizëm elitar” janë jo vetëm të pavend, por edhe përjashtuese. Ky togfjalësh, në Gjermani e jo vetëm, kuptohet si arrogancë dhe krekosje. Ai gjeneron një dëshirë, një synim për të përjashtuar pjesën dërmuese të popullsisë. “Projekti” për turizëm elitar është shprehur edhe në transmetimet e Rai Uno dhe ARD në Gjermani, nga qeveria shqiptare, para rreth një viti.
Elita përfaqëson një përqindje shumë të vogël të shoqërisë në çdo vend, ndërsa është pikërisht shtresa e mesme ajo që përbën shtyllën kryesore të turizmit të qëndrueshëm.
Turizmi elitar nuk krijohet me dekrete politike apo me dëshira, por me standarde reale, cilësi të lartë, shërbime dinjitoze dhe, mbi të gjitha, me kërkesa të larta që tejkalojnë mundësitë e zakonshme për akomodim, si dhe respekt për çdo vizitor, pavarësisht sa shpenzon.
Problemi nuk është konsumimi i turistëve, sepse ata konsumojnë aq sa kanë mundësi. Problemi qëndron në mënyrën sesi numërohen “turistët”. Nuk mund të quhen turistë ata që vijnë për vizita familjare disa herë në vit nga Greqia, Italia apo nga Kosova disa herë në vit dhe qëndrojnë vetëm disa orë në vend. Turist është ai që paguan për një hotel apo apartament dhe qëndron të paktën një natë.
Statistikat shpesh përfshijnë edhe vizitorë në transit ose vizita ditore, duke krijuar një pasqyrë të gabuar të turizmit real. Kjo çon në përllogaritje të pasakta për konsumimin dhe ndikimin ekonomik, dhe në stigmatizim të turistëve që zgjedhin Shqipërinë. Turizmi nuk bëhet në aeroport, por në plazhe qytetet dhe natyrë.
Kur llogariten udhëtarët dhe vizitat në familje si turistë, na dalin turistë të varfër, sepse ndoshta gjysma nuk janë, por pason konkluzioni i gabuar ofendues: “Turistët konsumojnë pak”. Pra, poshtërohen ata që konsumuan dhe vlerësohen pozitivisht ata që ishin vetëm në transit. Kjo nuk është vetëm pasaktësi statistikore, por edhe sharje ndaj atyre që zgjodhën Shqipërinë.
Nëse vazhdojmë me këtë retorikë përçmuese, do të kemi më pak vizitorë dhe më shumë zhgënjim. Sepse turistëve u vihet një damkë në ballë. Dhe, atëherë, shumëkush do të ndjejë turp të thotë që ka qenë me pushime në Shqipëri, sepse, për disa, atje shkojnë vetëm “fukarenjtë”.
Ose do të mendohen mirë para se të shkojnë edhe një herë aty, ku, në bazë të statistikave, rezultojnë “turist të pastrehë” që enden poshtë e lartë, por nuk konsumojnë. Thua se nëpër hotele flenë falas dhe nëpër restorante nuk paguajnë. Dhe, mos harroni, edhe për Dubai, varet nga muaji, ka oferta nga 500 deri në 700 euro për një javë, përfshirë fluturimin. Nga Gjermania.
Asnjë turist nuk është i pavlerë. Dhe, duhet ta presim me dinjitet, jo ta gjykojmë sipas portofolit. Akoma më e rëndësishme, të numërojmë turistët, jo udhëtarët!
Me statistika të gabuara, do të kemi gjithmonë rezultate të gabuara. Dhe, sharje të pavend.
The post Si po e lufton Shqipëria turizmin? appeared first on Telegrafi.