Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Australia e fajëson Iranin për dy sulme antisemitike, ia dëbon ambasadorin

Australia e ka akuzuar të martën Iranin për kryerjen e dy sulmeve antisemitike me zjarrvënie në dy qytete të vendit, Sidnei dhe Melburn, si edhe e urdhëroi ambasadorin iranian të largohet nga vendi brenda shtatë ditësh.

Ky është dëbimi i parë i këtij lloji që nga Lufta e Dytë Botërore.

Që nga fillimi i luftës së Izraelit në Rripin e Gazës në tetor të vitit 2023, shtëpitë, shkollat, sinagogat dhe automjetet në Australi janë vënë në shënjestër të vandalizmave dhe zjarrvënieve antisemitike.

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, tha se Agjencia Australiane për Inteligjencë dhe Siguri ka mbledhur të dhëna të besueshme se Irani kishte drejtuar të paktën dy nga këto sulme.

“Këto ishin akte të jashtëzakonshme dhe të rrezikshme agresioni, të orkestruara nga një shtet i huaj në tokën australiane”, tha Albanese në një konferencë për shtyp.

“Ishin përpjekje për ta minuar kohezionin social dhe për të mbjellë përçarje në komunitetin tonë”, nënvizoi ai.

Sipas tij, Irani ishte përpjekur ta “fshihte përfshirjen e vet” në sulmet e vitit të kaluar ndaj një restoranti në Sidnei dhe ndaj Sinagogës Adass Israel në Melburn.

Albanese shtoi se agjencia e sigurisë së Australisë vlerëson se është e mundur që Irani të ketë drejtuar edhe sulme të tjera.

Australia i ka pezulluar operacionet në Ambasadën e vet në Teheran dhe të gjithë diplomatët e saj janë të sigurt në një vend të tretë, tha kryeministri, duke shtuar se Qeveria e tij do ta shpallë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit si organizatë terroriste.

Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, tha se ambasadori Ahmad Sadeghi dhe tre zyrtarë iranianë kanë shtatë ditë kohë për t’u larguar.

Kjo do të jetë hera e parë që një ambasador dëbohet nga Australia që prej Luftës së Dytë Botërore.

Ambasada e Izraelit në Australi e mirëpriti këtë veprim ndaj rivalit të saj kryesor, Iranit.

“Regjimi i Iranit nuk përbën kërcënim vetëm për hebrenjtë ose Izraelin, ai rrezikon gjithë botën e lirë, përfshirë Australinë”, tha Ambasada izraelite në X.

Izraeli dhe Irani e zhvilluan një luftë ajrore 12-ditore në qershor, pasi Izraeli nisi sulme ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

Rreth 90 mijë njerëz të lindur në Iran jetojnë në Australi.

Dy burra janë akuzuar për sulmin e dhjetorit që dogji sinagogën, e ndërtuar në vitet 1960 nga të mbijetuarit e Holokaustit në lagjen Ripponlea.

Javën e kaluar, policia në shtetin juglindor të Viktorias tha se po ekzaminonte pajisje elektronike të sekuestruara gjatë një kontrolli në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, i cili pritet të dalë në gjyq të mërkurën.

Policia tha se tre persona ishin futur me forcë në sinagogë dhe ia kishin vënë zjarrin. Mediat raportuan se burri i arrestuar në janar për atë sulm kishte lidhje me një bandë të njohur motoçiklistësh australianë. Ai i mohoi akuzat në gjykatë dhe u lirua me kusht./REL

“Diskriminuese ndaj teknologjisë amerikane”/ Trump kërcënon me tarifa shtesë ndaj vendeve me taksa digjitale

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj vendeve që zbatojnë taksa digjitale, duke kërcënuar me vendosjen e tarifave shtesë për eksportet e tyre drejt SHBA-së nëse nuk e heqin këtë legjislacion.

Në një postim në rrjetet sociale, Trump deklaroi:

“Me këtë te vertete, i vë në dijeni të gjitha vendet që kanë taksa, ligje, rregulla apo rregullore digjitale, se nëse këto veprime diskriminuese nuk hiqen, unë, si President i Shteteve të Bashkuara, do të vendos tarifa shtesë të ndjeshme mbi eksportet e atij vendi drejt SHBA-së dhe do të aplikoj kufizime eksporti për teknologjinë dhe çipet tona të mbrojtura.”

Ai akuzoi vendet që kanë miratuar taksa të tilla se po dëmtojnë teknologjinë amerikane dhe favorizojnë konkurrentë të tillë si Kina, duke i cilësuar masat si të padrejta dhe të dizajnuara për të dëmtuar gjigantët teknologjikë amerikanë.

Burime për mediat ndërkombëtare bënë të ditur më herët se administrata Trump po shqyrton gjithashtu mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj zyrtarëve të Bashkimit Europian ose shteteve anëtare që kanë rol kyç në zbatimin e Aktit për Shërbimet Digjitale – një ligj i rëndësishëm që synon rregullimin e platformave online.

Trump ka shprehur më parë pakënaqësi edhe ndaj vendeve si Franca dhe Kanadaja për taksat e tyre mbi shërbimet digjitale, duke i kërcënuar me masa ekonomike si kundërpërgjigje.

Këto qëndrime sinjalizojnë një përplasje të mundshme ekonomike dhe diplomatike mes SHBA-së dhe aleatëve të saj tradicionalë në Europë, në një kohë kur debati për rregullimin e gjigantëve teknologjikë dhe taksimin e tyre mbetet i nxehtë në nivel global.

Kantieri i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë/ Rama: Laborator krijimtarie dhe qendër unike e rajonit

Kryeministri Edi Rama ka ndarë mëngjesin e sotëm pamje nga kantieri i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, e cila po transformohet rrënjësisht në një hapësirë moderne dhe gjithëpërfshirëse pranë Parkut të Madh të Liqenit në Tiranë.

Në një postim të bërë në rrjetet sociale, Rama shkruan:

“MIRËMËNGJES dhe nga kantieri i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, që po rilind si një hapësirë moderne pranë Parkut të Madh të Liqenit në Tiranë, me një skenë të dyfishtë brenda godinës dhe jashtë në formën e një amfiteatri në natyrë, auditore e klasa për artet dhe inovacionin, e cila do të kthehet në një laborator krijimtarie për fëmijë e të rinj, si një qendër unike në rajon, ju uroj një ditë të mbarë.”

/ abcnews.al /

Turqi/ Të drejtat e grave ‘në shënjestër’ të autoritetit fetar

Përpara Operës në lagjen Kadıköy të Stambollit në Turqi, një grup grash protestuan së fundmi kundër autoritetit fetar shtetëror, Diyanet. “Para disa ditësh iyaneti mbajti një predikim në 90,000 xhami ku ka sulmuar të drejtat e trashëgimisë së grave”, thotë një nga demonstrueset. “Kjo është arsyeja pse po ndërmarrim këtë veprim, sepse nuk duam të heqim dorë nga të drejtat tona.”

Përmbajtja e predikimeve gjatë namazit të së premtes në xhamitë turke përcaktohet nga autoriteti fetar në Ankara, Diyanet. Dhe kohët e fundit, Kurani është interpretuar jashtëzakonisht rreptësisht aty. Për shembull, ligji i trashëgimisë ishte tema e diskutimit një të premte në gusht. Sipas mësimeve klasike islame, gratë marrin vetëm gjysmën e pjesës që trashëgojnë burrat.

“Me çfarë ligji qeveriset ky vend?”

Diyaneti po shkakton zemërim të madh me predikimet e tij, thonë gratë protestuese. “Diyaneti sulmon të drejtat tona në xhami, të cilat miliona burra i vizitojnë të premteve. Dhe pastaj zyrtarët shtetërorë dalin me lehtësi dhe thonë: Çfarë problemi ka? Është tashmë në Kuran”, u shpreh Selin, një nga gratë e reja që protestuan para teatrit të operës. “Nëse është në Kuran apo jo, kjo nuk ka rëndësi për ne. Me çfarë ligji qeveriset ky vend? Ne kemi ligj civil këtu”, thotë ajo.

Hap tjetër drejt islamizimit?

Kodi Civil dhe Kushtetuta Turke përcaktojnë të drejta të barabarta trashëgimie për gratë. Meqenëse Zyra e Çështjeve Fetare, një agjenci shtetërore, e kundërshton këtë, shumë njerëz kanë frikë se qeveria e AKP-së nën Presidentin Rexhep Tajip Erdogan synon të çojë më tej islamizimin e vendit.

Politikania Aylin Nazliaka, e cila kryeson shoqatën e grave të partisë më të madhe të opozitës, CHP, gjithashtu e kritikoi këtë veprim në televizion. “Sipas Nenit 41 të Kushtetutës sonë, familja është themeli i shoqërisë dhe burrat dhe gratë kanë të drejta të barabarta brenda familjes”, thekson ajo. Por Diyanet tani po i shpërfill të gjitha këto të drejta kushtetuese dhe parimin e sekularizmit dhe po përpiqet të uzurpojë të drejtat që gratë fituan gradualisht gjatë epokës republikane.

Qeveria përpiqet të qetësojë gjakrat. Ish-Ministri i Drejtësisë dhe politikani i AKP-së, Bekir Bozdag, shpjegon se edukimi i njerëzve rreth rregullave islame është i mbrojtur me kushtetutë. Njerëzit janë të lirë të pranojnë këshillat ose jo. Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me trashëgiminë.

Por në predikime të tjera, autoriteti fetar kohët e fundit dënoi pushimet në stilin perëndimor si blasfemi. U tha se është “haram”, ose e ndaluar, që gratë të veshin rroba të shkurtra dhe transparente. Ato duhet të mbulohen.

Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve, 26 gusht 2025

♈ Dashi (21 mars – 20 prill)

Energjia shpërthyese e ditës mund të të vendosë përballë një imprevisti në punë që kërkon fleksibilitet. Mos u lër instinktit të të dominojë: qetësia është arma jote më e mirë. Në dashuri, dëshira për pavarësi përzihet me nevojën për afërsi. Ji i sinqertë me partnerin dhe mos ki frikë të tregosh ndjeshmëri. Një gjest i vogël mirësie mund ta ndryshojë gjithë atmosferën e ditës.

♉ Demi (21 prill – 20 maj)

Sot ndien nevojën për të ngadalësuar ritmin dhe për të shijuar gjërat e vogla. Në punë, angazhimi yt vihet re dhe sjell një vlerësim që të rrit besimin tek vetja. Në dashuri, stabiliteti është fjala kyçe: edhe heshtja e ndarë mund të forcojë lidhjen. Kujdes me shpenzimet, ndërsa një moment i thjeshtë bukurie – muzikë, ushqim i mirë ose art – do të të japë qetësi shpirtërore.

♊ Binjakët (21 maj – 21 qershor)

Idetë të vijnë me shpejtësi, por rrezikon të humbasësh fokusin nëse nuk vendos një drejtim të qartë. Dita favorizon kontaktet dhe bisedat: një takim i papritur mund të të hapë horizonte të reja. Në dashuri kërkon lehtësi, por kujdes të mos anashkalosh ndjenjat e thella. Një gjest spontan do ta bëjë magjik takimin me partnerin. Organizohu mirë për të mos shpërdoruar energjitë.

♋ Gaforrja (22 qershor – 22 korrik)

Sot emocionet do t’i ndjesh më fuqishëm dhe do të jesh i lidhur ngushtë me nevojat e të tjerëve. Është një ditë e mirë për reflektim dhe për të kuptuar çfarë të ushqen vërtet shpirtërisht. Në punë, mund të shfaqet një mundësi e re: beso tek intuita jote. Në dashuri, ëmbëlsia është arma jote më e fortë – një përqafim ose një fjalë e ngrohtë shëron keqkuptime. Shtëpia sot bëhet strehë e përsosur për paqe dhe qetësi.

♌ Luani (23 korrik – 22 gusht)

Forca dhe karizma jote ndriçojnë sot, duke të sjellë vëmendje dhe mbështetje. Është moment i mirë për të paraqitur idetë apo për të fituar admirimin e të tjerëve. Në dashuri, dëshiron të vlerësohesh dhe të marrësh gjeste konkrete nga partneri. Një projekt krijues mund të nisë me sukses nëse i beson vetes. Pasioni është fjala kyçe e ditës, por mos harro rëndësinë e durimit dhe dëgjimit.

♍ Virgjëresha (23 gusht – 22 shtator)

Sot yjet të sjellin qartësi dhe rregull. Çështje të mbetura pezull mund të marrin zgjidhje përfundimtare. Në punë, saktësia jote do të shpërblehet me një vlerësim të rëndësishëm. Në dashuri, kërkon dialog dhe sinqeritet për të rikthyer besimin pas një periudhe tensionesh. Shëndeti kërkon kujdes: merr kohë për lëvizje ose ushqyerje të balancuar, që energjia dhe qetësia të rikthehen natyrshëm.

♎ Peshorja (23 shtator – 22 tetor)

Sot ndien një dëshirë të fortë për harmoni dhe bukuri përreth teje. Ke aftësinë të zbusësh edhe tensionet më të vogla në familje falë diplomacisë dhe butësisë tënde. Në dashuri, dita premton takime të lehta e të këndshme: lejo veten të befasohesh pa kërkuar kontroll mbi gjithçka. Në punë, talenti yt si ndërmjetës do të vlerësohet sidomos në projekte grupore. Një shëtitje, një koncert apo një moment i lidhur me artin do të të rikthejë ekuilibrin dhe do të të mbushë me entuziazëm.

♏ Akrepi (23 tetor – 22 nëntor)

Yjet të ftojnë të shohësh më thellë dhe të mos kënaqesh me sipërfaqen. Një bisedë e ngarkuar emocionalisht mund të zbulojë një të vërtetë që e prisje prej kohësh. Në dashuri, dëshira për lidhje të forta dhe të pasionuara është e madhe, por kujdes të mos bëhesh shumë posesiv. Në punë, një ide e guximshme mund të sjellë përfitime, për sa kohë që e menaxhon me strategji. Dita është ideale për transformime të brendshme: shkruaj, medito ose thjesht lejo mendimet të të udhëheqin drejt qartësisë së re.

♐ Shigjetari (23 nëntor – 21 dhjetor)

Sot dëshira për liri dhe aventura është më e fortë se kurrë. Rrutina të duket e ngushtë dhe kërkon lëvizje, udhëtime apo përvoja të reja. Edhe nëse nuk mund të udhëtosh fizikisht, mund të ushqesh mendjen me lexim apo studim. Në dashuri, nevoja për aventura bashkohet me kërkesën për autenticitet: një ftesë e papritur jashtë skemave mund të të befasojë. Në punë, entuziazmi është arma jote më e fortë, por mos harro detajet: ato do të bëjnë diferencën. Ditë që premton gjallëri dhe hapje.

♑ Bricjapi (22 dhjetor – 20 janar)

Sot reflekton më shumë mbi përgjegjësitë dhe rëndësinë e angazhimeve që ke marrë. Mund të marrësh një sinjal të qartë që të kujton sa e vlefshme është këmbëngulja, por edhe rëndësia e aspektit njerëzor. Në dashuri, dëshira për stabilitet shoqërohet me nevojën për thellësi: një bisedë e ndershme mund të forcojë lidhjen. Në punë, një hap i vogël përpara është më i dobishëm se një kërcim i nxituar. Dediko kohë edhe pushimit: kujto se gjërat e mëdha ndërtohen me durim, jo brenda ditës.

♒ Ujori (21 janar – 19 shkurt)

Mendja jote sot është si një vullkan me ide të reja dhe të guximshme. Ndien nevojën të ndash mendimet e tua dhe të nisësh diçka origjinale. Bashkëpunimet janë të favorizuara, por duhet të ruash konkretësinë për të mos humbur vrullin. Në dashuri, dëshira për liri mund të ndeshet me kërkesën për vëmendje të partnerit: ekuilibri është çelësi. Një takim i papritur mund të të frymëzojë. Shfrytëzo krijimtarinë, por mos harro detajet praktike që sigurojnë stabilitet.

♓ Peshqit (20 shkurt – 20 mars)

Sot ndihesh i mbështjellë nga një ndjeshmëri e fortë që të lejon të kuptosh edhe nuancat më të fshehta tek njerëzit dhe situatat. Në punë, intuita dhe kreativiteti yt do të të ndihmojnë të gjesh zgjidhje origjinale për probleme komplekse. Në dashuri mbizotëron romantizmi: një gjest i ëmbël apo një fjalë poetike do të ngrohë zemrën e partnerit. Ki kujdes të mos ngatërrosh dëshirat e të tjerëve me të tuat. Një moment qetësie, ndoshta në heshtje apo me muzikë, do të të japë qartësi dhe harmoni shpirtërore

Parashikimi i motit, 26 gusht 2025

Ditën e sotme vendi ynë,Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e martë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin si dhe alternime vranësirash kalimtare të pakta deri mesatare në pjesën e parë të ditës. Në relievet malore në lindje këto vranësira hera-herës do të jenë deri të dendura kalimtare.

Era do të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 5 m/s, ndërsa në lugina dhe bregdet do të arrijë shpejtësi 10 m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 1-2 ballë.

“Berisha i ka njohur zgjedhjet”, avokati: Ka marrë peng PD, demokratët të kërkojnë zbatimin e statutit dhe largimin e tij

TIRANË– Pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit, Sali Berisha nuk mund të vijojë të rrijë më në krye të Partisë Demokratike.

Kështu u shpreh avokati Romeo Kara, i cili në një intervistë për ABC NeWs tha se Berisha vijon të përdorë një retorikë për të justifikuar humbjen, por kjo strategji tha ai është e kotë.

Sipas tij, Sali Berisha e ka marrë peng Partinë Demokratike dhe në këto kushte demokratët duhet të mblidhen dhe të kërkojnë zbatimin e statutit, i cili parashikon se një kryetar partie në rastet kur humbet zgjedhjet e përgjithshme, ai duhet të largohet nga drejtimi i partisë.

“Retorika e Saliut bëhet për të mbajtur pushtetin në PD. Ai si person, sipas statutit të PD, duhet të japë dorëheqjen dhe të mos jetë më kryetar i PD. Kjo flet për një pengmarrje të PD.  Zgjedhjet ai i ka njohur. Të mblidhet Kuvendi i PD. Ligjshmëria e tij brenda partisë ka rënë. Në bazë të statutit të PD, ai nuk mund të jetë më kryetar i PD. Demokratët të çohen dhe të kërkojnë respektimin e  statutit të Partisë Demokratike”, tha ai.

 

Meta kërkon lirinë/Avokati: Mund të ndikojë te dëshmitarët, provohet korrupsioni në të paktën tre raste

TIRANË- Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka paraqitur më 25 gusht apelin kundër vendimit të GJKKO-së, i cili e la në “arrest me burg”.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar refuzoi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj tij, duke argumentuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për një masë më të butë sigurimi.

Avokati Romeo Kara, tha se mbrojta e Ilir Metës do ta ketë të vështirë  të rrëzojë arsyetimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Apel, pasi sipas tij, provat dhe faktet e klasifikojnë Metën të përfshirë në korrupsion, në të paktë tre raste.

“Duke parë arsyetimi e shkallës së parë të GJKKO, besoj se do te e vështirë që mbrojtja e Metës të hedhë poshtë arsyetimin e këtij vendimi, i cili fakton se Meta ka kryer ato vepra penale. Kemi një korrupsion në të paktën në tre raste. Mund të intimidojë provat dhe të ndikojë te provat e gjalla, që janë dëshmitë. Ai mund t’i intimidojë ato dhe mund t’i ndikojë tek ato. Gjykata e  ka parë të arsyeshme që të rri nën masën e sigurisë arrest me burg. Çështja e Berishës do të zgjasë disa muaj, ndërsa e Metës besoj se do të marrë dy apo tre muaj.”, tha ai.”, tha ai.

Farsa e Berishës: Në shtator hyn në Kuvend/ Doktori u jep deputetë hua aleatëve

SHQIPËRI- Opozitë e tkurrur me oreks si në pushtet. Partia Demokratike me kërkesat e aleateve kërkon të shfrytëzojë të gjitha mundësitë brenda parlamentit, në kohë dhe para.

Ashtu si në vitin 2021, selia blu po mendon të copëzohet në disa grupe parlamentare. Diskutimet e para informale pas pushimeve të gushtit janë 2-3 grupe. Për të formuar një grup në parlament duhen të paktën 7 anëtarë deputetë.

Një grup parlamentar e kërkon Partia e Lirisë. Me porosi nga qelia e Ilir Metës, Tedi Blushi i ka çuar fjalët ne seline blu Flamur Nokës.

Momentalisht, Partia e Lirisë ka 4 deputetë, Tedi Blushi, Edmond Haxhinasto, Brunilda Haxhiu dhe Erisa Xhixho. I duhen dhe 3 deputetë. Në vitin 2021, Lulzim Basha ndëshkoi Monika Kryemadhin pas humbjes dhe e la pa grup parlamentar. Por tani kohët kanë ndryshuar, tani janë Berisha me Metën, njëri në liri, tjetri në qeli, por i lidh halli.

Ky grup parlamentar mund të plotësohej me aleatët e vegjël deputet. Por oreksi i tyre është më i madh. Mediu, Dule, Mesila Doda dhe Artan Luku i PAA kërkojnë gjithashtu grup parlamentar, dhe i duhen gjithashtu 3 deputetë.

Në vitin 2021, aleatët e vegjël i morën Bashës dy grupe parlamentare, duke trafikuar deputetë nga sigla e PD. Por kësaj radhe, Berisha duket e ka më të lehtë. Kjo për shkak të skemës që përdori në listat e PD. Doktori gostiti partitë joparlamentare me deputetë të sigurt. Tani do u kërkojë borxhin mbrapsht.

Kreu i Forumit Rinor, Besar Xhaferri rezulton deputet i Ballit Kombëtar, Denisa Vata e Legalitetit, Gerta Bardeli e Kristian Demokratëve.

Kjo skemë kap edhe djalin e Fahri Balliut, që figuron deputet i partisë së Sali Shehut. Përveçse ka punuar ish-këshilltar i Metës, në vitin 2021 u përfol edhe për një kandidim nga LSI.

Nuk përjashtohet, që doktori të sakrifikojë edhe deputetë demokratë anonimë të dalë nga zgjedhjet e 11 majit.

Me kete skenar, grupi parlamentar natyral i PD do te mbetej me 36 deputetë, trafikimi i tyre tashmë është bërë trend në PD. Edhe pse doktori do të mbledhë forumet për të vendosur, vendimet nuk u bëjnë më përshtypje as kupolës e as demokratëve.

Përjashtim bën vetëm bashkimi me deputetët e opozitarëve të rinj. Qëllimi është gjithashtu lënia pa grup parlamentar të Agron Shehajt dhe deputetëve të Lapajt e Qorrit.  Kjo do të reduktonte fondet dhe kohën në parlament të opozitës së re.

Doktori kështu me një gur vret dy zogj, nga njëra anë merr paratë, nga ana tjetër merr dhe kohën parlamentare si opozitë.

Por gjithë kjo histori ka një problem: farsën. Jo te zgjedhjeve, por te Sali Berishës, i cili njerëzve u bën thirrje për revolucion, ndërkohe qe në Kuvend jo vetëm do hyje, por do hyje me mendje te keqe; me mendjen te paratë./abcnews.al

SHBA dhe Ekuadori sekuestrojnë mbi 10 tonë kokainë

Marina dhe Policia e Ekuadorit, në koordinim me Rojën Bregdetare të SHBA-së, sekuestruan 10,3 tonë kokainë, me vlerë të vlerësuar mbi 60 milionë dollarë, gjatë një serie operacionesh në det, dhe arrestuan 18 persona.

Ministria e Brendshme specifikoi se, gjatë operacioneve të përbashkëta, përveç drogës, u shkatërruan gjashtë anije të përdorura nga rrjetet kriminale për të transportuar kokainë.

Sipas hetuesve, ”ajo ishte menduar të përdorej nga grupet e armatosura për të kryer akte terroriste në Kolumbi”.

Kolumbia po përjeton krizën e saj më të keqe të dhunshme në një dekadë. Të enjten, dy sulme nga grupet rebele lanë 19 të vdekur dhe mbi 60 të plagosur, përfshirë civilë dhe personel ushtarak.

Kompanitë e Musk padisin Apple dhe OpenAI për pengesë në fushën e inteligjencës artificiale

Kompanitë e miliarderit amerikan Elon Musk, X dhe xAI, kanë ngritur padi kundër Apple dhe OpenAI, duke i akuzuar ato për pengimin e konkurrencës në fushën e inteligjencës artificiale.

Kompanitë X dhe xAI ngritën padi në gjykatën federale, duke pretenduar se vendimi i Apple për të integruar OpenAI në sistemin operativ të telefonave inteligjentë të iPhone “dëmton konkurrencën dhe i privon konsumatorët nga e drejta për të zgjedhur”.

Në padinë e ngritur në Teksas, pretendohet se Apple dhe OpenAI kanë bllokuar tregun për të ruajtur monopolet e tyre dhe për të parandaluar kompani inovative si X dhe xAI të konkurrojnë.

Sipas padisë, Apple dhe OpenAI kërkojnë të “ndalojnë skemat e tyre antikonkurruese” dhe “të rikuperojnë miliarda dollarë dëmshpërblim”.

Gjithashtu pretendohet se Apple në dyqanin e saj të aplikacioneve është përmbajtur nga paraqitja në pah e aplikacionit X dhe chatbot-it të inteligjencës artificiale Grok të zhvilluar nga xAI për shkak të një marrëveshjeje të veçantë me OpenAI.

Një zëdhënës i OpenAI në një deklaratë lidhur me çështjen tha se padia është “në përputhje me tendencën e vazhdueshëm të ngacmimit të Musk-ut”.

Edhe zëdhënësi i Apple  mbrojti idenë se App Store është projektuar në mënyrën për të qenë “i drejtë dhe i paanshëm” dhe se ai “duke përdorur kritere objektive i ofron aplikacionet përmes listave, rekomandimeve algoritmike dhe renditjeve për përzgjedhura nga ekspertët”.

Këtë muaj, Musk përmes një postimi në llogarinë e kompanisë X me bazë në SHBA tha se “Apple paraqet një sjellje që e bën të pamundur për çdo kompani të IA-së përveç OpenAI të arrijë vendin e parë në App Store. Kjo është shkelje e qartë e antitrustit”.

Ai tha se xAI do të ndërmmarrë veprime ligjore.

EMRI/ Aksidenti në Vorë, identifikohet 66-vjeçari që u përplas për vdekje

VORË– Mbrëmjen e kësaj të hëne, në dalje të Vorës, automjeti me drejtues Jani Tanushi 53vjeç ka përplasur këmbësorin rreth 66-vjeçarin Kujtim Luka, i cili për pasojë ka humbur jetën.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit./abcnews.al

Donald Trump: Kina duhet të na japë magnetë, përndryshe tarifa 200%

Kina duhet t’i furnizojë Shtetet e Bashkuara me magnet (lëndë e parë që përdoret në industri), përndryshe do të na duhet të vendosim tarifa prej 200% ose diçka të tillë, deklaroi presidenti amerikan Donald Trump.

Deklarat e Trump u bë ndërsa priti në Zyrën Ovale presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae Myung.

“Miliarda dollarë, kryesisht nga vendet që kanë përfituar me padurim nga Shtetet e Bashkuara, do të fillojnë të rrjedhin në SHBA”, deklaroi Trump në Truth Social.

Këto tarifa zëvendësojnë, për ekonomitë e prekura, tarifat prej 10% të aplikuara që nga prilli praktikisht në të gjitha produktet që hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Sipas presidentit amerikan, qëllimi është të ribalancohet tregtia midis SHBA-së dhe partnerëve të saj, të cilët, thotë ai, “përfitojnë” nga fuqia kryesore ekonomike në botë.

Burg kush djeg flamurin e SHBA/ Trump nxjerr urdhër ekzekutiv: Departamenti i Drejtësisë të hetojë rastet

Kushdo që djeg flamurin amerikan në Shtetet e Bashkuara do të akuzohet për nxitje të trazirave dhe do të dënohet me një vit burg pa mundësi për lirim të parakohshëm.

Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që ngarkon Departamentin e Drejtësisë që të hetojë rastet e tilla.

Ai tha se djegia e një flamuri amerikan djeg trazira që nuk janë parë kurrë më parë, ndërsa këshilltarët e presidentit shtuan se urdhri nuk bie ndesh me amendamentin e parë të kushtetutës, që mbron lirinë e fjalës.

Trump nënshkroi urdhrin që ngarkon Departamentin e Drejtësisë me hetimin e rasteve të djegies së flamurit. Trump tha se ata që djegin flamurin e Shteteve të Bashkuara do të akuzohen për nxitje të trazirave dhe do të dënohen me një vit burg pa mundësi për lirim të parakohshëm.

Në një çështje të vitit 1989, Gjykata Supreme vendosi se djegia e flamurit përbën “fjalim simbolik” që mbrohet nga Amendamenti i Parë.

Ky vendim gjykate rrëzoi ligjet për djegien e flamujve në 48 shtete dhe e bëri të qartë se njerëzit kanë të drejtë të djegin flamuj si një mënyrë për të shprehur pikëpamjet e tyre politike.

Trump ka kohë që mbështet kriminalizimin e djegies së flamurit. Në vitin 2016, në një postim në mediat sociale ai tha se nëse dikush djeg flamurin amerikan duhet të ketë pasoja, nga humbja e shtetësisë deri te dënimi me burg.

Shumica e amerikanëve kanë tendencë të jenë dakord me Trump për këtë çështje. Sondazhet e kryera nga YouGov në vitin 2020 treguan se gati gjysma e amerikanëve janë pro që djegia e flamurit të jetë e paligjshme, ndërsa rreth një e treta mendonin se duhet të jetë e lejueshme. Ndërsa në një anketë të vitit 2023 59% e amerikanëve tani e konsiderojnë djegien e një flamuri amerikan gjatë protestave si të papranueshme.

Netanyahu: Izraeli shpreh keqardhje për aksidentin tragjik në spitalin Nasser

Kryeministri Benjamin Netanyahu pohoi se Izraeli “ndjen keqardhje të thellë” për “fatkeqësinë tragjike” që ndodhi këtë të hënë në spitalin Nasser.

Udhëheqësi izraelit tha gjithashtu se autoritetet ushtarake po kryenin një hetim të plotë për atë që ndodhi.

“Izraeli shpreh keqardhje të thellë për aksidentin tragjik që ndodhi sot në Spitalin Nasser në Gaza”, tha Netanyahu.

“Izraeli vlerëson punën e gazetarëve, stafit mjekësor dhe të gjithë civilëve. Autoritetet ushtarake po kryejnë një hetim të plotë”, shtoi  ai.

“Lufta jonë është me terroristët e Hamasit. Synimet tona të drejta janë mposhtja e Hamasit dhe sjellja e pengjeve tona në shtëpi”, shtoi ai.

VIDEO/ Zjarri në Pishë-Poro merr përmasa të mëdha, vijon operacioni për shuarjen e flakëve

VLORË– Në Pishë-Poro të Vlorës, zjarri i rënë në një terren ranor në fshatin Delisuf të njësisë administrative Novoselë është favorizuar nga era dhe ka marrë një shtrirje të madhe në drejtim të fshatit Pishë-Poro.

Terreni ranor nuk mundëson operimin me mjete zjarrfikëse edhe pse 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë, 4 forca AdZM dhe 10 forca bashkiake ndodhen në zonë.

Në mbështetje të forcave në terren kanë fluturuar nga Baza e Kuçovës katër helikopterë, dy të Forcës Ajrore shqiptare dhe dy të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Aktualisht, në operacionin për neutralizimin e vatrave të zjarrit, 2 helikopterë po operojnë në zonën e Poros dhe 2 të tjerë në Bogovë.

Njëkohësisht, Forca Ajrore vijon monitorimin e zonës me dronët TB-2, me qëllim identifikimin e vatrave të reja potenciale si dhe evidentimin e rasteve të mundshme të zjarrëvënieve të qëllimshme./abcnews.al

Rrezikuan gjatë lundrimit në Sarandë e Palasë, Policia Kufitare u vjen në ndihmë disa turistëve

Policia Kufitare Vlorë u shkoi në ndihmë disa pushuesve, të cilët rrezikuan gjatë lundrimit me mjetet e tyre në ujërat e Sarandës dhe në Palasë.

Pas marrjes së njoftimeve në kohë reale, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë me mjetet e tyre lundruese dhe bënë të mundur ndihmën dhe shoqërimin e sigurt të turistëve dhe mjeteve lundruese drejt bregut.

Operacioni në Sarandë
Pas marrjes së njoftimit se, rreth një milje larg Gjirit të Sarandës, kapiteni i një jahti me flamur maltez kërkonte ndihmë pasi mjeti i tij lundrues kishte pësuar defekt dhe kishte marrë ujë, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur shoqërimin e kapitenit në mënyrë të sigurt në breg dhe rimorkimin e jahtit në Portin e Limionit.

Operacioni në Palasë
Pas marrjes së njoftimit se, në zonën e Shën Andreut, disa turistë që ndodheshin në bordin e një mjeti lundrues po rrezikoheshin për shkak të kushteve të vështira të detit, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur shoqërimin e turistëve në mënyrë të sigurt në breg dhe ankorimin e mjetit të tyre lundrues në molin e Palasës.

Falë reagimit të menjëhershëm dhe profesional të strukturave të Policisë Kufitare, u shmangën pasojat e rrezikshme për jetën e pushuesve dhe u garantua siguria e mjeteve lundruese.

❌