Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Moti i keq, ndalohet lundrimi për anijet turistike dhe të peshkimit në Ksamil, Sarandë dhe Borsh

Për shkak të përkeqësimit të kushteve hidrometeorologjike, Kapiteneria e Sarandës ka vendosur ndalimin e lundrimit për të gjitha anijet turistike dhe anijet e peshkimit në zonat e Ksamilit, Sarandës dhe Borshit për ditën e premte, 24 korrik 2026.

Sipas njoftimit zyrtar, masa është marrë në interes të sigurisë së lundrimit dhe do të jetë në fuqi deri në një njoftim të dytë nga autoritetet përkatëse.

Kapiteneria u bën thirrje të gjithë pronarëve, operatorëve dhe kapitenëve të mjeteve lundruese të respektojnë urdhrin dhe të mos dalin në det gjatë kësaj periudhe.

“Protestat Hamasi i Berishës. Kërkon gjak, duan që dikush të vritet”/ Beqiri: Saliu para drejtësisë, e ka lakun në fyt. SPAK të hetojë 21 janarin

Avokati Idajet Beqiri, në një intervistë në “News Hour” në ABC News, komentoi protestën e opozitës, duke hedhur akuza të forta ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Sipas Beqirit, protestuesit janë të organizuar dhe të financuar, ndërsa pretendoi se qëllimi i tyre është krijimi i tensioneve politike.

Avokati u bëri thirrje qytetarëve të mos përfshihen në akte dhune, duke paralajmëruar pasoja ligjore për çdo veprim që cenon rendin kushtetues.

“Në këtë grup 150 veta që kanë ngelur, janë shumë pak, janë fakir fukarenj që paguhen. U kanë thënë deri në shtator jeni të paguar. Thelbi i asaj është “Hamasi” i Sali Berishës. Protestuesit janë të paguar nga Berisha. Janë banditë të rinj. Lufta e paepur që bën edhe ky Agron Shehaj me ato cironka që ka…. Për të mbrojtur pastrimin e parave që rrjedhin nga një krim…Këta i hedhin në sul m dhe e bëjnë që të vijë një qeveri teknike dhe kjo do sundohet nga Saliu dhe do shkojmë sërish në ’97. Por le të shohin ëndrra me sy hapur, sepse jemi anëtar të NATO-s dhe kemi hapur kapituj për rrugën europianë. Unë apeloj që të gjithë ata qytetarë, të largohen sepse ndëshkimi për kryengritje të armatosur sepse ndëshkimi kur vret shtetin nuk ka njeri në botë që t’u nxjerrë nga burgu. Këta planet i kanë bërë në një mënyrë të tillë, se duan me çdo kush gjak, duan që dikush të vritet. Saliu po e shikon që i ka shkuar laku në fyt, se edhe kjo rezolutë e Kuvendit që i thotë SPAK jepi drejtim ligjor 21 janarit, i thotë SPAK çoje deri në fund vendimin e Gjykatë së Strasburgut dhe Berisha do me çdo kusht të bëjë një gjullurdi siç ëndërron ai. Ky do të shkojë në 14 shtatorin e 1998 , por ta ëndërrojë sepse nuk shkon dot më”, ka thënë ai.

Më tej ai theksoi se askush nuk mund ta ndalë rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, ndërsa s’i kurseu akuzat për Berishën, duke “thënë se kërkon vetëm gjak”, ndërsa kujtoi ngjarje si “Gërdeci”, “21 Janari”, vrasja e Kosta Trebickës”, për të cilat hedh akuza ndaj kreut të PD Sali Berisha.

/abcnews.al/

Protestat, gurë policisë/ Avokati: Ka forca që synojnë ta çojnë vendin në luftë civile, duhet të arrestohen organizatorët që i paguajnë

Avokati Idajet Beqiri deklaroi në  “News Hour” në ABC News se, sipas tij, në vend ekzistojnë grupe që synojnë të nxisin një përplasje civile.

Duke komentuar zhvillimet e fundit politike dhe protestat, Beqiri pretendoi gjithashtu se protestat nuk organizohen spontanisht, por financohen nga persona të caktuar.

“Aty ka mbetur dora kriminale që me çdo kusht do ta çojë në luftë civile. Sot deputeti Kapri, u ngrit dhe tha se nuk po lejojnë Agron Shehajn të futen në Parlament dhe po na nxisin për luftë civile. Pra këta e dinë që do fillojë një luftë civile. Por ka edhe bazë dhe e pamë vetë se si nisi protesta. Ne nuk na e mori mendja që ne shqiptarët të ngriheshim vullnetarisht pa na paguar, njeri se ne nuk ngrihemi kurrë pa pagesë. Por po a marrin vesh që baza materiale, qeleshet, flamujt që vijnë natë për natë i paguajnë emisarët e huaj, por u futën në lojë edhe emisarë brenda. Sot pamë kontretizim sinjalesh që janë dhënë për një luftë civile. E pamë me sulmin që i bënë Rinasit, goditën komisariatin e policisë dhe sot plagosën dhe 6 policë të tjerë. Por duhet të arrestohen ata që po i paguajnë këta kriminelë dhe ata që duan këtë luftë civile”, tha ai.

/abcnews.al/

“Sezoni rrit kërkesën për punonjës të huaj”/ Eksperti: Nisma “dyfisho sipërmarrjen tënde” mbështet bizneset që kanë vizion

Sezoni ka shtuar kërkesën për punonjës të huaj. Në një intervistë në emisionin “Money Report” në ABC News, eksperti për sipërmarrjet Rezart Lahi u shpreh se kushdo mund të gjejë punë në Shqipëri dhe se emigrantët janë shprehur të kënaqur.

Ai u shpreh se tregu i punës në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më tërheqës për punonjësit nga jashtë, ndërsa numri i tyre është dyfishuar brenda dy viteve të fundit.

Sipas Lahit, përveç shtetasve italianë që vijnë për të investuar dhe zhvilluar biznese, një numër në rritje i punonjësve të huaj po angazhohen në sektorët e turizmit dhe hotelerisë.

“Biznesi gjithmonë do të gjejë rrugën e vet për t’i dhënë zgjidhje problematikave. Brenda dy viteve kemi arritur t dyfishohen punonjësit e huaj që punojnë në Shqipëri. Siç thamë që përveç punonjësve italianë që vijnë për të bërë biznes, ka edhe punonjës që punojnë në turizëm e hoteleri. Sa kohë biznesi nuk ka gjetur stabilitet tek punonjësit shqiptar, lidhet edhe me kosto. Stabiliteti që i ka ofruar një punonjës që ka ardhur nga jashtë e ka bërë edhe më rehat. Nëse në fillim ishte qëndrimi për 3 muajt e verës, tashmë po qëndrojnë edhe më gjatë”, tha ai.

Gjithashtu ai u ndal edhe te nisma “Dyfisho Sipërmarrjen tënde”, duke argumentuar se sa do të ndikojë nisma në zgjerimin e bizneseve.

“Sezoni tashmë po zgjerohet, nis që në maj dhe vazhdon deri në tetor dhe pritet një rritje e ndjeshme e punonjësve të huaj që po vijnë në Shqipëri. Nisma “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, do shpërblejë ata biznese që kanë një vizion dhe duan të zgjerohen. Si nismë është për t’u përgëzuar. Por pikëpyetja do jetë më pas se si duhet të shpërndahen. Por nga ana tjetër shteti po vë në sfidë edhe bizneset”, tha ai.

Më tej ai nënvizoi se nëse ka plane shumë të mirë edhe për sektorin bujqësor do të ishte një element shumë i mirë.

“Është një hapësirë shumë e madhe dhe një mundësi për arritje”, tha mes të tjerash ai.

/abcnews.al/

Sezoni shton kërkesën për punonjës të huaj/ Fier, interesi më i lartë është në sektorin e turizmit

Sezoni veror në Fier, shtohet numri i punonjësve të huaj. Në Fier, punojnë dhe jetojnë afërisht 600 shtetas të huaj dhe tendenca për punësim të të huajve është në rritje.  Këtë sezon veror, sektori i shërbimeve ka shtuar kërkesën për punonjës për të përballuar fluksin e verës në bare, restorante dhe shërbimet e hotelerisë.

Deri në fund të qershorit janë dhënë afërisht 600 “leje unike” për shtetas të huaj në qarkun e Fierit. Kërkesa më e lartë për punonjës vjen nga sektorë si bujqësia, dhe agropërpunimi, ndërtimi, industria përpunuese, tregtia dhe shërbimet.

Xhei Selle dhe Haxhi Wenceslao nga Filipinet punojnë në sektorin e shërbimeve. Ata tregojnë se në Fier ndihen si në shtëpi. Fitimet nga puna këtu, janë të mjaftueshme për të mbajtur familjet që kanë lënë pas, në atdheun e tyre

Italia, Kosova, Turqia, India, Filipinet dhe Egjipti renditen ndër vendet me numrin më të lartë të të punësuarve në qarkun e Fierit. Mosha mesatare e punonjësve të huaj është 25-35 vjeç.

/abcnews.al/

Rrëzohet një helikopter ushtarak në Çeki, një i vdekur

Një helikopter i ushtrisë çeke është rrëzuar këtë të enjte në lindje të Çekisë, ndërsa në bord ndodheshin pesë ushtarë.

Sipas një deklarate të ushtrisë çeke, aksidenti ndodhi në një bazë ushtarake në Náměst nad Oslavou, rreth 180 kilometra në juglindje të Pragës.

Shërbimet e emergjencës kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur operacionin e ndërhyrjes. Raportohet se të paktën një person ka humbur jetën.

Hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit janë në vijim.

/abcnews.al/

BE gjobit Google me 890 milionë euro për shkelje të rregullave të konkurrencës

Komisioni Evropian ka vendosur një gjobë prej 890 milionë eurosh ndaj Google, pasi konstatoi se kompania ka shkelur rregullat e konkurrencës të përcaktuara në Aktin e Tregjeve Dixhitale (DMA), si përmes motorit të kërkimit ashtu edhe përmes dyqanit të aplikacioneve.

Sipas vendimit të Komisionit, Google favorizoi shërbimet e veta, si ato për blerje, hotele dhe udhëtime, duke u dhënë përparësi ndaj platformave konkurruese në rezultatet e kërkimit. Për këtë shkelje, kompania u gjobit me 460 milionë euro.

Një tjetër gjobë prej 430 milionë eurosh u vendos për kufizimin e zhvilluesve të aplikacioneve, të cilët nuk lejoheshin t’i drejtonin përdoruesit drejt ofertave më të lira në faqet e internetit ose dyqanet alternative të aplikacioneve jashtë ekosistemit të Google.

Komisioni Evropian i ka kërkuar kompanisë që të trajtojë në mënyrë të drejtë dhe të paanshme shërbimet e palëve të treta në rezultatet e kërkimit, si dhe t’u japë zhvilluesve mundësinë të promovojnë oferta jashtë platformës së saj.

Autoritetet evropiane theksuan se Google ka nisur tashmë të testojë ndryshime në mënyrën e paraqitjes së rezultateve për shërbime si blerjet dhe fluturimet, duke i cilësuar këto hapa si një përparim të rëndësishëm drejt përputhjes me rregullat e reja.

Sipas Komisionit, konsumatorët në Bashkimin Evropian do të jenë përfituesit kryesorë të këtij vendimi, pasi pritet të kenë rezultate kërkimi më të balancuara dhe më shumë zgjedhje në tregun dixhital.

Vendimi vjen në një moment delikat për marrëdhëniet mes Brukselit dhe Uashingtonit, pasi u publikua vetëm pak orë përpara afatit për zbatimin e tarifave të përkohshme amerikane ndaj dhjetëra vendeve.

Megjithatë, zyrtarët evropianë theksuan se masa ndaj Google nuk ka lidhje me çështjet tregtare, por është pjesë e zbatimit të legjislacionit evropian për konkurrencën dhe tregjet dixhitale.

/abcnews.al/

Prej tre ditësh në flakë, vijojnë përpjekjet për shuarjen e zjarrit në Fushë-Krujë

Vijojnë përpjekjet për shuarjen e zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve në fshatin Halilaj, në Fushë-Krujë, ku prej tre ditësh disa vatra zjarri mbeten ende aktive.

Forcat zjarrfikëse të Krujës janë angazhuar në terren për neutralizimin e plotë të flakëve, ndërsa në operacion janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura.

Efektivët po transportojnë dhe për të mbuluar vatrat e zjarrit, si dhe po përdorin mjete të tjera për izolimin dhe shuarjen e tyre.

Zjarri shpërtheu mbrëmjen e së martës në vendgrumbullimin e mbetjeve, duke shkaktuar ndotje të konsiderueshme të ajrit dhe shqetësim për banorët e zonës.

Tymi i dendur ka prekur edhe disa fshatra përreth, ndërsa autoritetet vijojnë punën për vënien e situatës nën kontroll.

/abcnews.al/

E rëndë në Orikum, humb jetën 75-vjeçari, dyshohet se pësoi infarkt në det

Një ngjarje tragjike është regjistruar paraditen e së enjtes në plazhin e Orikumit, ku një turist shqiptar, rreth 75 vjeç, ka humbur jetën pasi dyshohet se pësoi një infarkt kardiak.

Sipas informacioneve paraprake, i moshuari kishte shkuar për pushime së bashku me familjen. Rreth orës 11:30, menjëherë pasi kishte hyrë në det, ai është ndier keq dhe është drejtuar drejt bregut, ku ka humbur ndjenjat.

Pushuesit dhe familjarët kanë reaguar menjëherë, duke e nxjerrë në breg dhe duke njoftuar shërbimet e emergjencës. Në vendngjarje ka mbërritur ambulanca e Orikumit, ndërsa ekipi mjekësor ka kryer manovrat e reanimimit, por pa arritur ta rikthejë në jetë.

Dyshimet e para janë se 75-vjeçari ka ndërruar jetë si pasojë e një infarkti kardiak.

Megjithatë, shkaku i saktë i vdekjes dhe rrethanat e plota të ngjarjes pritet të konfirmohen nga autoritetet kompetente pas përfundimit të veprimeve procedurale.

Balla: Urdhëruesi i vrasjeve të 21 janarit, Sali Berisha të merret i pandehur dhe të vendoset para drejtësisë

Kreu i Grupi Parlamentar të PS, Taulant Balla në një komunikim për mediat dënoi dhunën e protestuesve ndaj policisë.

Gjithashtu ai theksoi se Sali Berisha të merret i pandehur dhe të vendoset para drejtësisë për vrasjet e 21 janarit.

“Një njeri që mbështet akte terroriste të Iranin është shërbëtor i tij. Janë organet e drejtësisë që duhet të ndjekë  këto shqetësime dhe ditën në vijim do të ketë fakte konkrete dhe  procedime.

Unë nuk jam Sali Berisha që pa ditur asgjë të them këtë qytetarin  e kanë goditur vetë protestuesit. Sot unë pres të mbaj fjalën në Kuvend , në rezolutë Kuvendi i kërkon prokurorisë së posaçme të zbatoi vendimet e gjykatës europiave të të drejtave të Njeriut të zbatojë vendimet për 21 janarin.

Presim që urdhëruesi i vrasjeve të 21 janarit , Sali Berisha të thirret të thirret të merret i pandehur dhe të vendoset para drejtësisë. Thonë edhe ju keni bërë 21 janar, por në 21 janar kishte të vrarë nga dora e shtetit 4 protestues, sot ke efektivë të policisë të plagosur nga protestues”, tha ai.

/abcnews.al/

Protestuesit, gurë policisë/ 6 efektivë marrin ndihmë mjekësore në spital

Në protestën para Kuvendit të mbajtur ditën e sotme, ku edhe po mbahet seanca parlamentare, disa efektivë kanë mbetur të lënduar.

Gazetarja Bleona Sari tha për ABC News  se 6 efektivë po marrin ndihmë mjekësore në spital.

Seanca e sotme është shoqëruar me tensione e debate mes palëve. Ndërsa jashtë Kuvendin kishte një situatë kaotike, me protestues përpara ambienteve të Parlamentit, dhe efektivë të policisë të vendosur në hyrje, për të mos lejuar përshkallëzim të situatës.

/abcnews.al/

 

Ndezën zjarr për djegien e mbetjeve, procedohen dy persona në Fier, një i arrestuar

Dy persona janë vënë përballë drejtësisë në Fier, pasi dyshohet se ndezën zjarr në tokat e tyre bujqësore për djegien e mbetjeve bimore, por flakët dolën jashtë kontrollit, duke përfshirë sipërfaqe me shkurre, ullinj dhe bimësi të ndryshme, si dhe duke rrezikuar banesa pranë zonave të prekura.

Sipas Policisë së Fierit, shërbimet policore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, identifikuan dhe kapën autorët e dyshuar vetëm pak orë pas ngjarjeve.

Në pranga u vu shtetasi 58 vjeç, banues në fshatin Varibop, i cili u kap në flagrancë pranë vatrës së zjarrit që kishte ndezur në tokën e marrë me qira prej tij. Gjatë shoqërimit në ambientet e Policisë, 58-vjeçari ka kundërshtuar efektivët.

Ndërkohë, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen 78 vjeçe, banuese në fshatin Fermë Rroms, e cila u kap pranë një zjarri të ndezur në afërsi të banesës së saj.

Nga hetimet paraprake rezulton se zjarret, të ndezura për djegien e mbetjeve bimore, u përhapën në sipërfaqe të konsiderueshme, duke shkaktuar dëme në bimësi, pemë frutore dhe duke rrezikuar banesat përreth.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.

Sulme ukrainase në Rusi dhe Krime, dy të vrarë dhe pesë të plagosur

Dy persona humbën jetën dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur gjatë natës si pasojë e sulmeve të forcave ukrainase në territorin rus dhe në Krimenë e aneksuar, sipas autoriteteve lokale.

Në rajonin kufitar të Belgorodit, një burrë u vra dhe një tjetër u plagos pasi një dron ukrainas goditi automjetin me të cilin po udhëtonin në rrethin Shebekinsky. Lajmi u bë i ditur nga autoritetet rajonale përmes një njoftimi në Telegram.

Ndërkohë, në Krime, një burrë humbi jetën dhe katër persona të tjerë u plagosën, mes tyre edhe dy fëmijë, si pasojë e një sulmi ukrainas. Guvernatori i emëruar nga Moska, Sergei Aksyonov, tha se ekipet e emergjencës po punojnë në zonat e goditura.

Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vijon të shkaktojë viktima dhe dëme, ndërsa sulmet me dronë dhe raketa janë intensifikuar jo vetëm në vijën e frontit, por edhe në zonat e thella të të dy vendeve.

Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit mbeten të bllokuara. Vëmendja e Shteteve të Bashkuara është përqendruar kryesisht te zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke lënë në plan të dytë iniciativat për ndërmjetësim mes Kievit dhe Moskës.

Riaktivizohet zjarri mes Lekasit dhe Voskopojës, forca të shumta në terren për shuarjen e flakëve

Zjarri i rënë në zonën mes territorit të fshatit Lekas dhe Voskopojës, në vendin e quajtur “Antenat”, në Njësinë Administrative Voskopojë të Bashkisë Korçë, është riaktivizuar si pasojë e erës së fortë.

Sipas autoriteteve, aktualisht në terren po punojnë forcat e Shërbimit Pyjor dhe të Njësisë Administrative Voskopojë për izolimin dhe neutralizimin e vatrave aktive të zjarrit.

Ndërkohë, janë angazhuar edhe forca të tjera mbështetëse, të cilat janë nisur drejt zonës për të përforcuar operacionin dhe për të vënë situatën nën kontroll sa më shpejt.
Autoritetet vijojnë të monitorojnë zhvillimet në terren, ndërsa era e fortë po vështirëson ndërhyrjen për shuarjen e plotë të flakëve.

VIDEO/ Huthitët sulmojnë dy anije cisternë saudite në Detin e Kuq, rriten tensionet në Lindjen e Mesme

Tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të përshkallëzohen, ndërsa Huthitët e Jemenit kanë sulmuar dy anije cisternë saudite në Detin e Kuq me dronë dhe raketa, vetëm 24 orë pasi shpallën vendosjen e një bllokade detare ndaj Arabisë Saudite.

Sipas deklaratave të grupit rebel, sulmet janë pjesë e një strategjie për të zgjeruar presionin në rajon, duke paralajmëruar se mund të synojnë edhe lundrimin në Detin e Kuq. Një zhvillim i tillë rrezikon të ndikojë në një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë, përmes të cilit kalon një pjesë e konsiderueshme e tregtisë globale.

Në të njëjtën kohë, konflikti në rajon mbetet i tensionuar, ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë operacionet ushtarake ndaj objektivave që, sipas tyre, përbëjnë kërcënim për sigurinë e lundrimit dhe stabilitetin rajonal.

Ekspertët paralajmërojnë se përshkallëzimi i sulmeve në Detin e Kuq mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për transportin ndërkombëtar, zinxhirët e furnizimit dhe tregjet globale të energjisë, nëse situata vazhdon të përkeqësohet.

 

 

 

BIG: First Saudi oil tanker reportedly hit by Houthi missile near Yemen, engulfed in flames. pic.twitter.com/R3nG7FSdW1

— Clash Report (@clashreport) July 22, 2026

BE bie dakord për sanksione të reja kundër Rusisë për shkak të luftës kundër Ukrainës

Bashkimi Evropian ka rënë dakord për paketën e 21-të të sanksioneve kundër Rusisë, që kur Moska nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.

”Vendet e Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje sot në mëngjes në Bruksel për të vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë”, thanë diplomatët, pas disa javësh negociatash.

Kjo paketë e 21-të e sanksioneve synon të zgjasë një kufizim çmimesh për eksportet e naftës ruse.

Këto sanksione duhej të përshtateshin në përgjigje të ngurrimit të Greqisë.

❌