Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

BRUKSEL – Shefat e Mbrojtjes së NATO-s diskutojnë garancitë e sigurisë për Ukrainën

BRUKSEL, 20 gusht /ATSH/- Shefat e mbrojtjes të NATO-s zhvilluan sot diskutime rreth garancive të sigurisë që mund t’i ofrojnë Kievit – për të ndihmuar në krijimin e një marrëveshjeje paqeje – që do t’i japë fund luftës 3-vjeçare të Rusisë kundër Ukrainës, tha një zyrtar i lartë i aleancës, sipas AP.

Admirali italian, Giuseppe Cavo Dragone, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, tha se 32 shefa të mbrojtjes nga e gjithë aleanca zhvilluan një video-konferencë mes një nxitjeje diplomatike të udhëhequr nga SHBA-ja – për t’i dhënë fund luftimeve.

“Pati një diskutim të shkëlqyer dhe të sinqertë. I falënderova të gjithë për pjesëmarrjen e tyre gjithmonë pro aktive në këto takime. Ne jemi të bashkuar dhe ky unitet ishte vërtet i prekshëm sot, si gjithmonë”, shkroi ai në  X pa dhënë detaje të mëtejshme.

Garancitë për të shmangur pushtimin e Ukrainës në të ardhmen – janë thelbësore për ta bindur Ukrainën të nënshkruajë një marrëveshje paqeje me Rusinë.

Kievi kërkon ndihmën perëndimore për të forcuar ushtrinë e saj, duke përfshirë armët dhe trajnimin e personelit, dhe zyrtarët evropianë po përpiqen të kuptojnë se çfarë angazhimesh mund të ofrojnë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, kritikoi përpjekjet për të punuar mbi marrëveshjet e sigurisë në Ukrainë pa përfshirjen e Moskës.

“Nuk mund të pajtohemi me faktin se tani propozohet të zgjidhen çështjet e sigurisë kolektive pa Federatën Ruse. Kjo nuk do të funksionojë”, tha sot Lavrov.

“Rusia do të sigurojë interesat e saj legjitime në mënyrë të vendosur dhe të rreptë”, shtoi Lavrov në një konferencë shtypi në Moskë me ministrin e Jashtëm jordanez, Ayman al-Safadi. //a.i/

 

 

The post BRUKSEL – Shefat e Mbrojtjes së NATO-s diskutojnë garancitë e sigurisë për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Atmosferë super në Sarandë me Solar Music Festival

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Solar Music Festival dhuroi një superatmosferë në Sarandë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot foto nga ky festival teksa u shpreh se, për dy net radhazi, bregdeti i Jonit u ndez me ritme elektronike, drita magjike dhe energji që nuk u shua deri në orët e vona të mbrëmjes.

Festivali u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si pjesë e nismave që i japin turizmit veror më shumë energji, gjallëri dhe një dimension kulturor.

Solar Music Festival, i cili mbahet prej disa vitesh, sjell në qytetin e bukur të Sarandës DJ të nivelit botëror, artistë dhe muzikantë të njohur e jo vetëm.

Ky festival është kombinimi i muzikës së mirë, festave të jashtëzakonshme në anije, si edhe të pushuarit në plazh përgjatë ditës.

Festivali ka një program argëtues të jetës së natës, ndryshe nga festivalet e tjerë.

/gj.m/r.e/j.p/

The post Gonxhja: Atmosferë super në Sarandë me Solar Music Festival appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ujëvara e Peshturës, tjetër thesar unik i Parkut Kombëtar Vjosa

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga ujëvara e Peshturës, të cilën e cilëson si perla e fshehur e Progonatit në zemër të Tepelenës.

“E fshehur mes shkëmbinjve dhe gjelbërimit, kjo ujëvarë e kristaltë rrjedh si një melodi natyrore që të fton të përjetosh qetësinë, freskinë dhe mrekullinë e saj”, theksoi Kumbaro.

Ministrja nënvizoi se, ujëvara e Peshturës është një tjetër thesar unik i Parkut Kombëtar Vjosa, që pret të zbulohet nga çdo vizitor.

Ujëvara e Peshturës ndodhet në Progonat të Tepelenës e për të shkuar atje duhet të kalohet përmes malësive të Tepelenës.

Zona përbëhet nga shkëmbinj gëlqerorë të cilët në shekuj janë përshkuar nga përrenj të vrullshëm dhe lozonjarë.

Forma të shumta karstike, gropa të thella, shpella të shumta dhe ujëvara është peizazhi që ofron rruga për të shkuar drejt ujëvarës së Peshturës.

/gj.m/r.e/j.p./

The post Ujëvara e Peshturës, tjetër thesar unik i Parkut Kombëtar Vjosa appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOPENHAGË – Danimarka heq TVSH-në e librave për të nxitur leximin

KOPENHAGË, 20 gusht /ATSH/ – Danimarka do të heqë taksën mbi vlerën e shtuar (TVSH) për librat në një përpjekje për të nxitur më shumë njerëz të lexojnë, sipas “The Guardian”.

Me 25%, norma e taksës mbi librat në vend është më e larta në botë, një politikë që qeveria beson se po kontribuon në një “krizë të leximit” në rritje.

Ministri i Kulturës, Jakob Engel-Schmidt, njoftoi sot se qeveria do të propozojë në projektligjin e buxhetit që taksa mbi librat të hiqet.

Ky hap pritet të kushtojë 330 milionë korona (rreth 38 milionë paund) në vit.

“Kjo është diçka për të cilën unë, si ministër i Kulturës, kam punuar, sepse besoj se duhet të vendosim gjithçka nëse duam të përfundojmë krizën e leximit që fatkeqësisht është përhapur në vitet e fundit”, tha Engel-Schmidt.

“Jam jashtëzakonisht krenar. Nuk është çdo ditë që arrin të bindësh kolegët që të shpenzohet një shumë kaq e madhe parash për të investuar në konsumimin dhe kulturën e danezëve”.

Vendet e tjera nordike gjithashtu aplikojnë normën standarde prej 25% TVSH, por kjo nuk vlen për librat. TVSH-ja për librat në Finlandë është 14%, në Suedi 6% dhe në Norvegji zero. Suedia e ulën TVSH-në për librat në vitin 2001, duke sjellë një rritje të shitjeve të librave, por analiza tregoi se ato bliheshin kryesisht nga lexuesit ekzistues.

“Tashmë ne kemi lëvruar para për një bashkëpunim të forcuar midis bibliotekave publike të vendit dhe shkollave, në mënyrë që më shumë fëmijë të prezantohen me literaturë të mirë”, tha Engel-Schmidt.

Në total, 8,3 milionë libra u shitën në dyqane dhe online në Danimarkë në vitin 2024, sipas zyrës kombëtare të statistikave. Popullsia e vendit është pak më shumë se 6 milionë banorë.  /Ad.Ab./

The post KOPENHAGË – Danimarka heq TVSH-në e librave për të nxitur leximin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Palestinezët e armatosur sulmojnë ushtarët izraelitë në Rripin e Gazës

GAZË, 20 gusht /ATSH-DPA/- Më shumë se 15 palestinezë të armatosur sulmuan sot një pozicion ushtarak në jug të Rripit të Gazës, njoftoi ushtria izraelite.

“Sulmuesit qëlluan ndaj ushtarëve izraelitë dhe përdorën raketa antitank në zonën e Khan Younis”, tha një zyrtar ushtarak.

Trupat u përgjigjën me zjarr, të mbështetur nga sulmet ajrore, dhe vranë dhjetë nga sulmuesit, të cilët kishin dalë nga tunelet nëntokësore.

Media izraelite raportoi se sulmuesit kishin ndërmend të rrëmbenin ushtarët.

“Tre ushtarë u plagosën, njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë”, tha ushtria.

Incidenti ishte ende duke vazhduar, ndërsa ushtria deklaroi se trupat po vepronin për të gjetur dhe eliminuar terroristët.

Krahu ushtarak i Hamasit mori përgjegjësinë për sulmin.

“Brigadat al-Qassam thanë se operacione të tilla do të vazhdojnë derisa të përfundojë pushtimi dhe populli të fitojë lirinë”, tha Hamasi në një deklaratë të mëtejshme. //a.i/

The post FOKUS – Palestinezët e armatosur sulmojnë ushtarët izraelitë në Rripin e Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Rusia vazhdon t’i shesë naftë Indisë pavarësisht tarifave të Trump

MOSKË, 20 gusht /ATSH-DPA/- Rusia tha sot se po vazhdon të furnizojë me naftë Indinë, pavarësisht tarifave ndëshkuese të SHBA-së të vendosura ndaj Nju Delhit.

“Ne vazhdojmë të furnizojmë me karburant, duke përfshirë naftë bruto dhe produkte të naftës, qymyr termik dhe metalurgjik”, tha zëvendëskryeministri i parë i Rusisë, Denis Manturov.

Në një takim të Komisionit Qeveritar ruso-indian, Manturov tha se ai gjithashtu shihte një potencial të madh për zgjerimin e eksporteve të gazit natyror të lëngshëm (LNG).

“Për të forcuar partneritetin e tyre energjetik, të dy vendet synojnë të zhvillojnë së bashku Kalimin Verilindor”, shtoi Manturov.

Kalimi Verilindor është një rrugë detare në Oqeanin Arktik përgjatë bregdetit rus.

Depozitat e pasura të lëndëve të para mund të transportohen nëpërmjet kësaj rruge, e cila aktualisht ngrin në dimër.

Këtë muaj, Trump rriti tarifat për importet nga India nga 25% në 50%, duke përmendur lidhjet tregtare me Rusinë – si justifikim.

Sipas raporteve të medias, Nju Delhi është përgjigjur duke kufizuar importin e naftës nga Rusia. //a.i/

The post MOSKË – Rusia vazhdon t’i shesë naftë Indisë pavarësisht tarifave të Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla uron ish-presidentin Clinton për ditëlindje: Mik i madh i shqiptarëve

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ka uruar ditëlindjen e ish-presidentit amerikan Bill Clinton, duke e quajtur “mik i madh i shqiptarëve”.

Postimi i tij në rrjetet sociale shoqërohet me një foto ku shfaqet së bashku me Clinton dhe Kryeministrin Edi Rama gjatë vizitës historike të ish-presidentit në Shqipëri dy vjet më parë.

Bill Clinton, ish-presidenti i 42-të i Shteteve mbush 79 vjeç.

Clinton është një figurë e nderuar ndër shqiptarët për rolin e tij gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, kur urdhëroi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe për të ndalur gjenocidin ndaj popullsisë shqiptare dhe për të mbrojtur civilët. Kjo veprim i shpëtoi mijëra jetë dhe e bëri ish-presidentin amerikan simbol të mbështetjes ndërkombëtare për të drejtat dhe lirinë e shqiptarëve.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë korrikun e vitit 2023, Clinton u prit me ceremoni shtetërore nga Kryeministri Edi Rama, i cili e vlerësoi me medaljen “Ylli i Mirënjohjes për Arritjet Publike”, duke theksuar kontributin e tij në forcimin e partneritetit strategjik SHBA-Shqipëri dhe mbështetjen ndaj Kosovës.

Postimi i Ballës rikthen vëmendjen tek marrëdhëniet historike midis Shqipërisë dhe ish-presidentit amerikan, i njohur si simbol i drejtësisë dhe mbrojtjes së shqiptarëve gjatë periudhave të vështira.

/gj.m/r.e/j.p/

The post Balla uron ish-presidentin Clinton për ditëlindje: Mik i madh i shqiptarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUMANI – NATO dërgon dy “Eurofighter” në përgjigje të sulmeve ajrore ruse

BRUKSEL 20 gusht /ATSH-DPA/- NATO ngriti në ajër dy avionë luftarakë gjermanë “Eurofighter” në përgjigje të sulmeve ajrore ruse pranë kufirit të Ukrainës me Rumaninë gjatë natës.

Avionët luftarakë u aktivizuan pasi sistemet e armëve ruse iu afruan hapësirës ajrore rumune.

Në fund, ata nuk kaluan në atë që është gjithashtu hapësira ajrore e NATO-s.

Avionët luftarakë, të cilët u ngritën nga baza ajrore ushtarake rumune “Mihail Kogalniceanu” pranë Konstancës, u kthyen pa incidente. Kjo shënoi alarmin e parë të një misioni të ri atje.

Forcat Ajrore Gjermane po marrin pjesë në fluturime patrullimi të armatosura për të siguruar krahun juglindor të aleancës së NATO-s.

Operacioni përfshin pesë avionë “Eurofighter” dhe afërsisht 170 ushtarë, duke siguruar pajisje ushtarake që Rumania nuk i zotëron mjaftueshëm vetë.

Avionët luftarakë gjermanë janë pjesë e një njësie alarmi për reagim të shpejtë të stacionuar në vend, gati për t’u dislokuar 24 orë në ditë.

Disa shtete anëtare të NATO-s e ofrojnë me radhë këtë mbështetje. Misioni gjerman filloi këtë muaj dhe është planifikuar të vazhdojë deri në mars. //a.i/

The post RUMANI – NATO dërgon dy “Eurofighter” në përgjigje të sulmeve ajrore ruse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Rekord i ri në BE, rriten sëmundjet virale nga mushkonjat

KOPENHAGË, 20 gusht /ATSH-DPA/- Sëmundjet virale të transmetuara nga mushkonjat po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në BE, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

“Infeksionet me patogjenë të tillë si virusi i Nilit Perëndimor ose virusi “chikungunya” mund të bëhen realiteti i ri në Evropë”, paralajmëroi sot agjencia e Bashkimit Evropian.

Virusi “chikungunya”, i transmetuar nga mushkonja tigër aziatike, ka vendosur një rekord të ri për kontinentin këtë vit, me 27 shpërthime të raportuara deri më tani.

Një rast i etheve “chikungunya” të kontraktuara në nivel lokal – u regjistrua në fillim të korrikut në rajonin francez të Alsasës.

Sipas agjencisë së BE-së, kjo është e pazakontë për gjerësinë gjeografike dhe thekson faktin se rreziku i transmetimit po përhapet më tej në veri.

“Deri në mesin e gushtit, 335 raste të virusit të Nilit Perëndimor të transmetuar në nivel lokal dhe 19 vdekje u raportuan në tetë vende evropiane”, sipas raportit të ECDC.

Italia është vendi më i prekur me 247 raste, e ndjekur nga Greqia me 35 raste.

ECDC pret që numri i infeksioneve të vazhdojë të rritet, me transmetimet që do të arrijnë kulmin në gusht ose shtator.

ECDC ia atribuon përhapjen në rritje të këtyre sëmundjeve në Evropë kushteve klimatike që lejojnë mushkonjat të zhvillohen.

Mushkonja tigër aziatike është tani e pranishme në 16 vende evropiane.

Agjencia me seli në Suedi këshillon banorët dhe vizitorët në zonat e prekura – veçanërisht të moshuarit, fëmijët dhe ata me sistem imunitar të dobët – të mbrohen nga pickimet e mushkonjave. //a.i/

 

The post FOKUS – Rekord i ri në BE, rriten sëmundjet virale nga mushkonjat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Merz bën thirrje për taksa të larta ndaj të pasurve

BERLIN, 20 gusht /ATSH/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz nuk e ka përjashtuar mundësinë e rritjes së taksave për shtresat më të pasura, si zgjidhje për boshllëqet e vazhdueshme buxhetore të vendit.

Zëdhënësi i qeverisë Steffen Meyer, tha sot në Berlin se prioriteti kryesor është rritja ekonomike.

“Qeveria do të bëjë gjithçka që i shërben këtij objektivi dhe do të shmangë gjithçka që e dëmton”, tha ai, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e investimeve në infrastrukturë dhe lehtësimin e barrës për “klasën e mesme punëtore”.

Deklaratat vijnë pas intervistës së fundjavës nga zëvendëskancelari Lars Klingbeil, i cili tha se nuk përjashtohet mundësia e rritjes së taksave për të pasurit për të mbuluar deficitin prej miliarda eurosh në buxhetet e ardhshme.

Propozimet e Klingbeil, i cili është gjithashtu ministër i Financave dhe bashkëkryetar i SPD- së, janë kundërshtuar nga disa politikanë të bllokut konservator të Merz (CDU/CSU).

Sipas marrëveshjes së koalicionit mes CDU-së, CSU-së dhe SPD-së, qeveria është zotuar të ulë tatimin mbi të ardhurat për shtresat e mesme deri në mesin e mandatit.

Megjithatë, një rritje e mundshme e taksave për të pasurit pritet të kthehet në një tjetër pikë tensioni mes partnerëve të koalicionit, të cilët tashmë kanë pasur përplasje mbi çështje të tjera, si zgjedhja e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese. /Ad.Ab./

The post GJERMANI – Merz bën thirrje për taksa të larta ndaj të pasurve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – AIAC-ja kërkon pezullimin e Izraelit në sport lidhur me luftën në Gaza

FIRENCE, 20 gusht /ATSH/ – Shoqata Italiane e Trajnerëve të Futbollit (AIAC) po kërkon pezullimin e Izraelit nga garat ndërkombëtare për shkak të luftës në Gaza, sipas “AP”- së.

Para ndeshjeve vendimtare të Italisë për kualifikimet e Kupës së Botës kundër Izraelit gjatë dy muajve të ardhshëm, AIAC -ja thotë se “Izraeli duhet të ndalet. Futbolli gjithashtu duhet të veprojë”.

AIAC –ja ka dërguar një letër zyrtare te federata italiane e futbollit, e cila do t’i përcillet organeve drejtuese të futbollit europian dhe botëror, duke kërkuar pezullimin e Izraelit.

“Bordi Drejtues i AIAC-së beson unanimisht se, duke pasur parasysh masakrat e përditshme, që kanë sjellë edhe qindra viktima midis menaxherëve, trajnerëve dhe sportistëve është legjitime, e nevojshme, madje një detyrë, që të vendoset në qendër të diskutimeve të federatës kërkesa për të paraqitur te UEFA dhe FIFA për përjashtimin e përkohshëm të Izraelit nga garat sportive”, përfundon letra.

Italia do të luajë kundër Izraelit në një fushë neutrale, në Debrecen, Hungari më 8 shtator, para se të presë ndeshjen e kthimit në Udine më 14 tetor.

“Ne mund të përqendrohemi vetëm te loja, duke bërë sikur nuk shohim. Por besojmë se kjo nuk është e drejtë”,  tha zëvendëspresidenti i AIAC-së, Giancarlo Camolese.

“Bota është në flakë. Shumë njerëz si palestinezët po vuajnë”, tha zëvendëspresidenti i AIAC-së, Francesco Perondi. “Indiferenca është e papranueshme”, përfundoi ai./ Ad.Ab./

 

The post ITALI – AIAC-ja kërkon pezullimin e Izraelit në sport lidhur me luftën në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VARSHAVË – Ministria e Mbrojtjes: Droni që u rrëzua në Poloni e kishte origjinën nga Rusia

VARSHAVË, 20 gusht /ATSH-DPA/- Droni që u rrëzua në një fushë misri në Poloni është me origjinë ruse, tha sot ministri i Mbrojtjes Władysław Kosiniak-Kamysz, duke e quajtur incidentin një provokim.

“Rusia po provokon sërish shtetet e NATO-s”, tha Kosiniak-Kamysz.

“Kjo po ndodh në një kohë kur përpjekje për paqe në Ukrainëpo rriten, e cila është nën sulm nga Rusia”, shtoi ai.

“Të gjithë aleatët e NATO-s janë informuar për incidentin”, shtoi Kosiniak-Kamysz.

Droni ra në një fushë pranë fshatit Osiny, rreth 100 kilometra në juglindje të Varshavës, herët në mëngjes.

Oficerët e policisë të thirrur nga banorët gjetën mbeturina të djegura prej plastike dhe metali në vendin e rrëzimit.

Vendi i rrëzimit është rreth 120 kilometra nga kufiri i Polonisë me Ukrainën dhe rreth 100 kilometra nga kufiri me Bjellorusinë.

Polonia, një shtet anëtar i BE-së dhe NATO-s, është një nga mbështetëset më të rëndësishme politike dhe ushtarake të Ukrainës.

Ajo gjithashtu e sheh veten të kërcënuar nga Rusia dhe po riarmatoset masivisht.

Që në nëntor të vitit 2022, një raketë goditi fshatin lindor polak, Przewodow, duke vrarë dy persona. Për aq sa dihet, ishte një raketë anti-ajrore ukrainase e humbur. //a.i/

The post VARSHAVË – Ministria e Mbrojtjes: Droni që u rrëzua në Poloni e kishte origjinën nga Rusia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

XHAKARTA – Wadephul kritikon projektin e Izraelit për vendbanime në Bregun Perëndimor

XHAKARTA, 20 gusht /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul kritikoi sot Izraelin për miratimin e ndërtimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor.

“Plane të tilla, nëse zbatohen, do të ishin në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe do ta bënin të pamundur një zgjidhje me dy shtete”, u tha Wadephul gazetarëve, përpara vizitës së tij në Xhakarta.

Një zgjidhje me dy shtete i referohet një shteti të pavarur palestinez që ekziston në mënyrë paqësore përkrah Izraelit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka refuzuar një zgjidhje me dy shtete – ashtu si edhe organizata islamiste palestineze “Hamas” në Rripin e Gazës.

“Gjermania favorizon një zgjidhje me dy shtete”, tha Wadephul.

“Kjo është arsyeja pse ne këshillojmë fuqimisht që mos të ndiqet kjo rrugë”, shtoi ai.

Komiteti izraelit i Planifikimi miratoi sot planin për të ndërtuar rreth 3,400 njësi banimi në të ashtuquajturën zona E1 – një shtrirje toke midis Jerusalemit Lindor dhe vendbanimit Maale Adumim.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Gjermane tha se plani do të ndante de facto pjesën veriore të Bregut Perëndimor nga pjesa jugore.

Lëvizshmëria e palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe palestinezëve në Jerusalemin Lindor do të kufizohej ndjeshëm.

Kritikët kanë paralajmëruar prej kohësh kundër këtij veprimi të kontestuar, duke thënë se ai mund të dëmtojë rëndë perspektivat për një shtet të ardhshëm palestinez. //a.i/

The post XHAKARTA – Wadephul kritikon projektin e Izraelit për vendbanime në Bregun Perëndimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – Macron paralajmëron për rrezikun e një lufte të përhershme mes ofensivës së re izraelite në Gazë

PARIS, 20 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi sot për rrezikun e një lufte të përhershme – mes operacionit të planifikuar ushtarak të Izraelit në Qytetin e Gazës.

“Ofensiva ushtarake në Gazë – që Izraeli po përgatit – mund të çojë vetëm në një katastrofë për të dy popujt dhe rrezikon të zhytë të gjithë rajonin në një cikël lufte të përhershme”, shkroi Macron në X – pas bisedimeve me Mbretin Abdullah II të Jordanisë dhe presidentin egjiptian, Abdel-Fattah al-Sissi.

Macron përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim të përhershëm në Rripin e Gazës.

Ai gjithashtu përmendi lirimin e të gjithë pengjeve, ndihmën humanitare në shkallë të gjerë për njerëzit në Gazë, si dhe çarmatimin e organizatës militante palestineze “Hamas” dhe forcimin e Autoritetit Palestinez – si parakushte për t’i dhënë fund luftës.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka miratuar planin për mobilizimin e 60 000 rezervistëve për të pushtuar Qytetin e Gazës.

Autorizimi u miratua pavarësisht se grupi militant palestinez “Hamas” tha se kishte njoftuar një “përgjigje pozitive” ndaj propozimit të ri për një armëpushim në Rripin e Gazës.

Macron ka rritur kritikat e tij ndaj Izraelit në muajt e fundit për sjelljen e tij në Gazë.

Gjithashtu, ai është zotuar të njohë shtetin palestinez, një veprim i kritikuar ashpër nga qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. //a.i/

The post PARIS – Macron paralajmëron për rrezikun e një lufte të përhershme mes ofensivës së re izraelite në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AUSTRALI – Albanese i përgjigjet Netanyahu-t: Nuk jam “i dobët”

MELBURN, 20 gusht /ATSH/ – Kryeministri australian Anthony Albanese i hodhi sot poshtë akuzat e homologut të tij izraelit Benjamin Netanyahu se ai ishte një “politikan i dobët që e ka tradhtuar Izraelin” duke njohur një shtet palestinez, sipas “AP”-së.

Akuza  publike e Netanyahut erdhi pas një njoftimi të 11 gushtit nga kryeministri Albanese se njohja e qeverisë së tij për një shtet palestinez do të formalizohej në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator. Njoftimi u pasua nga anulime të vizave australiane dhe izraelite.

“Historia do ta kujtojë Albanese për atë që është: një politikan i dobët që tradhtoi Izraelin dhe braktisi hebrenjtë e Australisë”, tha dje Netanyahu në mediet sociale.

“Unë i trajtoj udhëheqësit e vendeve të tjera me respekt. Unë angazhohem me ta në një mënyrë diplomatike”, u përgjigj ashpër kryministri Albanese

“Nuk i marr këto gjëra personalisht”, tha ai. “Gjithnjë e më shumë ka shqetësim global, po shqetësim global, sepse njerëzit duan të shohin fundin e ciklit të dhunës që kemi parë për një kohë shumë të gjatë. Kjo është ajo që australianët duan gjithashtu të shohin”.

Ministri australian i Punëve të Brendshme, Tony Burke, e ndezi më tej zemërimin e Izraelit duke anuluar vizën e ligjvënëses së ekstremit të djathtë izraelite, Simcha Rothman, një anëtare e koalicionit të Netanyahut, e cila planifikoi një turne fjalimesh në Australi.

Rothman është anëtar i partisë së Sionizmit Fetar, e cila mbështet vazhdimin e luftës, zhvendosjen masive të palestinezëve përmes asaj që e përshkruan si migrim vullnetar dhe rivendosjen e vendbanimeve hebraike në Gaza.

Burke akuzoi sot Netanyahun për “sulm” kundër Australisë ashtu siç kishte bërë kundër Britanisë, Kanadasë, Francës, Irlandës, Norvegjisë dhe Spanjës për njohjen e një shteti palestinez. Burke mohoi se kryeministri Albanese ishte “i dobët”.

“Forca nuk matet me sa njerëz mund të hedhësh në erë ose sa fëmijë mund të lësh të uritur”, tha Burke për “Australian Broadcasting Corp”.

Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar u hakmor të hënën për trajtimin  ndaj Rothman duke revokuar vizat e përfaqësuesve australianë në Autoritetin Palestinez. Saar gjithashtu i tha ambasadës izraelite në Australi që të “shqyrtojë me kujdes” çdo aplikim zyrtar për vizë nga Australia në Izrael.

Australia është një vend gjithnjë e më shumëkulturor ku më shumë se gjysma e popullsisë ka lindur jashtë shtetit ose ka të paktën një prind të huaj.

Ekziston një shqetësim i përhapur në komunitet për luftën Izrael-Hamas, i treguar nga dhjetëra mijëra demonstrues pro-palestinezë që marshuan mbi Urën e Portit të Sidneit në fillim të këtij muaji. /Ad.Ab./

The post AUSTRALI – Albanese i përgjigjet Netanyahu-t: Nuk jam “i dobët” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Putini informon Erdoganin për zhvillimet e luftës në Ukrainë

MOSKË, 20 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk Recep Tayyip Erdogan zhvilluan sot një bisedë telefonike rreth zhvillimeve në luftën në Ukrainë.

Kremlini dhe zyra presidenciale në Ankara thanë sot se Putini informoi presidentin turk rreth samitit me presidentin e SHBA-së, Donald Trump javën e kaluar, në Alaskë.

Trump po përpiqet t’i japë fund luftës në Ukrainë, duke kërkuar të organizojë një takim midis Putinit dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Një samit i mundshëm tripalësh me Trump, Putinin dhe Zelensky është gjithashtu në plan.

“Putini, gjithashtu falënderoi Turqinë për mbështetjen e saj gjatë bisedimeve midis Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll”, sipas deklaratës.

Ukraina dhe Rusia kanë negociuar tre herë në Stamboll që nga maji, por pa asnjë rezultat përveç disa shkëmbimeve të të burgosurve.

Këto ishin bisedimet e para të drejtpërdrejta midis palëve ndërluftuese që nga viti 2022, që do të thotë se Turqia mund të merret në konsideratë edhe për takime të mëtejshme.

Gjithashtu, Putini zhvilloi dje një bisede telefonike me Princin e Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman.

Rusia, SHBA-ja dhe Ukraina kanë përdorur gjithashtu Arabinë Saudite si një pikë takimi në muajt e fundit. //a.i/

The post MOSKË – Putini informon Erdoganin për zhvillimet e luftës në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndihmë në shuarjen e zjarreve, Kingji pret komandantin e Komandës së Bashkuar Operacionale të EBA

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, priti sot në një takim zyrtar komandantin e Komandës së Bashkuar Operacionale të Emirateve të Bashkuara Arabe, gjeneralmajor Awad Saeed Al-Ahbabi.

Gjatë takimit, gjenerallejtënant Kingji shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për angazhimin dhe mbështetjen e forcave të Emirateve të Bashkuara Arabe në operacionet e shuarjes së zjarreve në Shqipëri, duke e konsideruar këtë kontribut si një dëshmi të thellë të miqësisë dhe solidaritetit mes dy vendeve.

Nga ana e tij, gjeneralmajor Al-Ahbabi shprehu gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin dhe për të zgjeruar më tej fushat e partneritetit.

Që prej dy javësh, dy helikopterë “Black Hawk” të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe janë dislokuar në Bazën Ajrore të Kuçovës, duke mbështetur operacionet e shuarjes së zjarreve në të gjithë territorin e vendit dhe duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë drejtim.

Gjatë takimit bashkëbiseduesit diskutuan mbi rritjen dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e mbrojtjes dhe shkëmbimin e eksperiencave mes forcave të armatosura të të dy vendeve, si dhe vlerësuan rëndësinë e forcimit të partneritetit dhe angazhimin për rritjen e bashkëpunimit në kuadër të sigurisë rajonale dhe globale.

Më pas, gjeneralmajor Awad Saeed Al-Ahbabi, i shoqëruar nga zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Altin Kurti, ka zhvilluar dhe një vizitë në Bazën Ajrore të Kuçovës, ku ka inspektuar nga afër trupat e Forcave të Emirateve të Bashkuara Arabe të dislokuara aty, të cilat janë angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarreve në vend.

/gj.m/r.e/j.p/

The post Ndihmë në shuarjen e zjarreve, Kingji pret komandantin e Komandës së Bashkuar Operacionale të EBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

XHAKARTA – Wadephul vlerëson marrëveshjen tregtare të BE-së me Indonezinë

XHAKARTA, 20 gusht /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul vlerësoi sot marrëveshjen e tregtisë së lirë të BE-së me Indonezinë, ndërsa ndodhet në vizitën e tij të parë në Azi.

“Në një botë krizash dhe konfliktesh, kufizimesh dhe barrierash tregtare është jetike të krijohet një rrjet partneritetesh të forta globale”, tha Wadephul në një takim me homologun e tij indonezian Sugiono, në Xhakartë.

Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Partneritetit Ekonomik (CEPA) e BE-së me Indonezinë, e arritur në korrik, pritet të finalizohet në shtator.

“Marrëveshja mund të shërbejë si një model për tregtinë evropiane me rajone të tjera”, tha Wadephul.

“Për kompanitë gjermane dhe indoneziane, ajo ofron një mundësi të madhe për bashkëpunim, për shembull në energjitë e rinovueshme”, shtoi ai.

Demokracia e tretë më e madhe në botë dhe vendi me popullsinë më të madhe myslimane në botë, Indonezia është shfaqur si një lojtare globale gjithnjë e më e rëndësishme vitet e fundit.

Ashtu si Gjermania, kombi i Azisë Juglindore është anëtar i grupit G20 të ekonomive kryesore.

Indonezia është gjithashtu pjesë e aleancës BRICS që përfshin Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut.

Partnerët më të rëndësishëm tregtarë të vendit përfshijnë Kinën, Japoninë, Indinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, si dhe tregun e Azisë Juglindore.

Sugiono, i cili si shumë indonezianë përdor një emër të vetëm – tha se Indonezia dhe Gjermania ishin partnerë strategjikë dhe se ishte i bindur se ky partneritet do të bëhej më i fortë në vitet e ardhshme.

“Vendi është i hapur për më shumë investime gjermane në fusha kyçe si energjia e rinovueshme, inteligjenca artificiale, infrastruktura dhe siguria ushqimore”, tha ministri i Jashtëm indonezian.

Duke pasur parasysh mungesën e punonjësve të kualifikuar në Gjermani, të dy ministrat theksuan potencialin për bashkëpunim në tregun e punës.

Sugiono e përshkroi vizitën e ardhshme shtetërore të presidentit indonezian Prabowo Subianto, në Gjermani – me ftesë të presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier – si një formë të veçantë njohjeje që pasqyron rëndësinë e partneritetit të të dy vendeve. //a.i/

The post XHAKARTA – Wadephul vlerëson marrëveshjen tregtare të BE-së me Indonezinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tre vite më parë, Luiza Gega u shpall kampione e Europës në 3000 m

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Sot shënohen tre vite nga shpallja e atletes Luiza Gega si kampione e Europës, në 20 gusht 2022.

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar përkujtoi sot këtë rezultat historik të atletes shqiptare.

Luiza Gega u shpall kampione e Europës në 3000 m me pengesa në Europianin e atletikës, mbajtur në Mynih.

Atletja e ‘Team Albania’ e ndali kohën në 9:11.31, duke vendosur edhe rekordin e kampionatit në këtë disiplinë.

Luiza Gega mban gradën “kolonele” në Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

/gj.m/r.e/

The post Tre vite më parë, Luiza Gega u shpall kampione e Europës në 3000 m appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Punime në rrjet, reduktohet furnizimi me ujë në disa zona në kryeqytet

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë njoftoi sot abonentët se për shkak të punimeve në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm do të ketë reduktim të përkohshëm të furnizimit në disa zona në kryeqytet.

Konkretisht reduktim të përkohshëm të furnizimit me ujë të pijshëm do të ketë në zonën “Kodra e Diellit” dhe në zonën “Komuna e Parisit”.

UKT siguron qytetarët se ekipet e saj janë në terren për të përfunduar punimet sa më shpejt.

/m.m//a.f/

The post Punime në rrjet, reduktohet furnizimi me ujë në disa zona në kryeqytet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌