Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

UKRAINË – Numri i të vdekurve nga sulmi shkatërrues rus në Kiev rritet në 31

KIEV, 1 gusht /ATSH-DPA/ – Numri i personave të vrarë në një sulm masiv rus në Kiev një ditë më parë është rritur në 31, pasi trupa të tjerë u nxorën nga rrënojat, thane sot autoritetet.

Rreth 160 persona u plagosën në sulme, sipas forcës së mbrojtjes civile.

”Forcat ruse përdorën rreth 72 dronë në sulmet e tyre të fundit të natës në Ukrainë”, sipas Forcave Ajrore të Ukrainës.

Rreth 44 dronë u kapën, me 28 goditje të regjistruara në nëntë vende në Kharkiv, Donetsk, Dnipropetrovsk dhe Kiev. /Ad.Ab./

The post UKRAINË – Numri i të vdekurve nga sulmi shkatërrues rus në Kiev rritet në 31 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti akuzon ‘opozitën’ për krizën politike

PRISHTINË, 1 gusht/ATSH/ Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka akuzuar sot ish-partitë opozitare për bojkot dhe sabotim të themelimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, raporton KosovaPress.

Sipas tij, “destruktiviteti opozitar” po bëhet për shkak të xhelozisë dhe lakmisë ndaj Vetëvendosjes dhe mospranimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Duke prezantuar, siç tha ai, kompromiset e bëra në këta muaj të krizës politike, Kurti deklaroi se “opozitarët as nuk po shtyhen dhe as nuk po ngrihen”.

Kanë kaluar pothuajse gjashtë muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ndërkohë që Kosova ende nuk ka themeluar institucionet e reja. Qe nga 27 korriku është vendosur një masë e përkohshme nga Gjykata Kushtetuese si pasojë e dështimit për konstituimin e legjislaturës së nëntë deri më 26 korrik – një afat i vendosur nga aktgjykimi i parë i kësaj gjykate. Masa e përkohshme vlen deri më datën 8 gusht.

Kurti, duke përmendur kompromiset që sipas tij janë bërë për konstituimin e Kuvendit, theksoi se partitë që deri tani ishin në opozitë “as nuk po shtyhen e as nuk po ngrihen”.

Kurti ka dërguar dy herë ftesë për bashkëpunim dhe bashkëqeverisje ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, por kjo e fundit ka refuzuar. Ndërkaq, negociatat me Nismën, e cila ka tre deputetë në Kuvend, nuk kanë sjellë dakordësi për bashkëpunim në nivel të legjislativit, pasi kërkesa e partisë së Fatmir Limajt ka qenë posti i kryetarit të Kuvendit.

Këto komente Kurti i bëri në nominimin zyrtar të Hajrulla Çekut si kandidat për kryetar të Prishtinës nga Këshilli i Lëvizjes Vetëvendosje – Qendra në Prishtinë.

Në anën tjetër, kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, tha se partia e tij është e vetmja forcë që mund ta transformojë Prishtinën. Ai shtoi se në ditët në vijim do të shpalosë platformën afatgjatë – “Prishtina 2035”.

/Kosovapress/

 

The post Kurti akuzon ‘opozitën’ për krizën politike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova heq tarifën doganore ndaj produkteve amerikane

PRISHTINË, 1 gusht/ATSH/ Qeveria në detyrë e Kosovës ka hequr tarifën doganore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tani e tutje, të gjitha produktet me origjinë nga SHBA-ja do të kenë tarifë zero për qind kur të hyjnë në Kosovë, tha kryeministri në detyrë Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë të premten, më 1 gusht.

“Tjetër vendim shumë të rëndësishëm që po marrim sot është largimi i tarifës doganore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu tani e tutje të gjitha produktet me origjinë nga SHBA-të do të kenë tarifë zero për qind kur të hyjnë në vendin tonë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë fuqishëm që kjo do të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar si dhe shtimin e investimeve. Ky është një hap i radhës që dëshmon për marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve tona dhe njëkohësisht tregon përkushtimin dhe vendosmërinë tonë për të pasur një marrëveshje për tregti të lirë me SHBA-të”, tha Kurti.

Kujtojmë se Kosova kishte tarifë doganore ndaj produkteve amerikane prej 10%.

Pas tarifave të publikuara nga Donald Trump për rreth 200 vende në mbarë botën, Kosova u prek me 10% për produktet e eksportuara në SHBA.

Pas këtij vendimi Qeverisë në detyrë të Kosovës i janë bërë thirrje të vazhdueshme për heqjen e tarifave doganore për importet amerikane.

/KosovaPress/

The post Kosova heq tarifën doganore ndaj produkteve amerikane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata nga zjarret – BE aktivizoi pesë avionë, dy helikopterë dhe mbështetje satelitore për Shqipërinë

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Për përballimin e situatës së zjarreve gjatë periudhës 21 dhe 31 korrik 2025, Bashkimi Evropian mobilizoi edhe në Shqipëri avionë zjarrfikës, helikopterë, si dhe mbështetje satelitore përmes sistemit “Copernicus”.

Delegacioni i Bashkimit Euopian në Tiranë bëri sot të ditur se në total gjashtë vende, përfshirë Shqipërinë, u përballën me zjarre të rënda dhe aktivizuan Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së.

“Si reagim, Bashkimi Evropian mobilizoi avionë zjarrfikës, 2 helikopterë, ekipe nga terreni dhe mbështetje satelitore nga e gjithë Evropa, për të ndihmuar në përballimin e situatës dhe mbrojtjen e komuniteteve të prekura”, thuhet në njoftimin për shtyp të BE-së.

Konkretisht në Shqipëri u angazhuan pesë avionë zjarrfikës nga Greqia, Italia dhe Kroacia, helikopterë nga Hungaria, si dhe mbështetje me imazhe satelitore përmes sistemit “Copernicus”.

“Ky reagim i shpejtë dhe i koordinuar dëshmon përkushtimin e palëkundur të Bashkimit Evropian për të qëndruar pranë vendeve partnere në momente sfiduese, duke ofruar jo vetëm mjete dhe kapacitete, por edhe solidaritet, bashkëpunim dhe mbështetje afatgjatë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Delegacionit të BE-së në Tiranë.

/m.m//r.e//a.f/

The post Situata nga zjarret – BE aktivizoi pesë avionë, dy helikopterë dhe mbështetje satelitore për Shqipërinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndezi zjarr në fshatin Kryekuq dhe flakët dogjën dhjetëra rrënjë ulliri, arrestohet 41-vjeçari

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Një 41-vjeçar është arrestuar nga policia e Divjakës pasi dyshohet se ndezi zjarr në afërsi të rezervuarit të fshatit Kryekuq, dhe si pasojë u dogjën dhjetëra rrënjë ulliri.

Policia njoftoi sot se “si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen para përgjegjësisë penale të autorëve të rasteve të zjarrvënieve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë shtetasin D. T., 41 vjeç, banues në fshatin Kryekuq”.

Sipas policisë “41-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr në afërsi të rezervuarit të fshatit ku banonte, për të pastruar një sipërfaqe toke nga barishtet. Si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 70 rrënjë ulliri në pronësi të një shtetaseje”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier u bën thirrje të gjithë qytetarëve, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.

/m.q//a.f//r.e/

The post Ndezi zjarr në fshatin Kryekuq dhe flakët dogjën dhjetëra rrënjë ulliri, arrestohet 41-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirohet nga masa e arrestit në shtëpi kryetari i bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka liruar nga masa e arrestit në shtëpi, kryetarin bashkisë së Tropojës Rexh Byberin si dhe nënkryetarin Abedin Kërrnaja, të cilët po hetohen për shpërdorim detyre dhe prerje të paligjshme të pyjeve.

Gjykata vendosi sot caktimin e masës së sigurimit “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, të hënën e parë të çdo muaji.

Hetimet kanë zbuluar se kryetari i bashkisë Tropojë, Rexh Byberi, dhe zëvendësi i tij, Abedin Kërrnaja, dyshohen për shpërdorim detyre dhe veprime në kundërshtim me legjislacionin për ndërtimin e rrugëve.

Konkretisht, ata akuzohen për moszbatimin e procedurave ligjore gjatë ndërtimit të rrugës “Stacioni i Anijes Palç-Guri i Lules”, që ka shkaktuar një dëm ekonomik prej 277 milionë lekësh.

/m.q//r.e//a.f/

The post Lirohet nga masa e arrestit në shtëpi kryetari i bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bujqësia Digjitale dhe Transformimi Rural, miratohen prioritetet

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Zyrtarë të lartë nga Qeveria e Shqipërisë, Kombet e Bashkuara dhe partnerët e zhvillimit u mblodhën sot në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për takimin e dytë të Komitetit Drejtues të programit të Bujqësisë Digjitale dhe Transformimit Rural (DART). Takimi shqyrtoi progresin e programit deri më sot dhe miratoi prioritetet për fazën e tij të ardhshme.

E bashkëkryesuar nga Anila Denaj, ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, dhe Randi Davis, koordinatore rezidente në detyrë e OKB-së dhe përfaqësuese rezidente e UNDP-së, seanca riafirmoi një angazhim të përbashkët për të sjellë inovacion digjital në sektorin bujqësor të Shqipërisë dhe për të zvogëluar pabarazitë midis zonave rurale dhe urbane.

“Ky program po transformon mënyrën se si mendojmë për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Ne nuk po investojmë vetëm në teknologji, por edhe në njerëz, fermerë, të rinj dhe nëpunës publikë të cilët do të udhëheqin tranzicionin digjital të Shqipërisë në përputhje me vizionin e Bujqësisë 2030”, tha Denaj.

I zbatuar bashkërisht nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU), në partneritet me Ministrinë e Bujqësisë, programi DART mbështet zhvillimin e mjeteve, shërbimeve dhe aftësive digjitale për të përmirësuar produktivitetin bujqësor, ofrimin e shërbimeve dhe mundësitë e punësimit rural veçanërisht në përputhje me objektivat e integrimit në BE.

Përfundimet kryesore të takimit ishin disa.

Sa i takon progresit në Strategjinë e Bujqësisë Digjitale, Komiteti Drejtues shqyrtoi përparimet në Strategjinë e re të Bujqësisë Digjitale të Shqipërisë, duke përfshirë aktivizimin e grupeve të punës të përbëra nga qeveria, akademia, sektori privat dhe ekspertë të shoqërisë civile. Një anketë kombëtare që mbulon mbi 800 fermerë në 9 rajone dhe një analizë e thelluar e politikave po formësojnë një strategji të përafruar me standardet e planifikimit të Shqipërisë dhe kërkesat e BE-së.

Përmirësimi i Portalit të Fermerëve: Pjesëmarrësit diskutuan ridizajnimin e Portalit kombëtar të Fermerëve, bazuar në hulumtimin dhe reagimet e përdoruesve. Karakteristikat e reja do të përfshijnë qasje në çmimet e tregut, module të mësimit elektronik dhe shërbime këshillimore të përshtatura sipas nevojave të fermerëve. Ndërtimi i Aftësive Digjitale: U ndanë plane për bashkëpunim me shkollat e TVET-së dhe qendrat e formimit profesional për të përmirësuar shkrim-leximin digjital dhe rrugët e karrierës për të rinjtë në bujqësi, pavarësisht boshllëqeve në infrastrukturë dhe kapacitete në mjediset e arsimit rural.

Plani i Punës dhe Integrimi i Buxhetit: Komiteti miratoi planin e punës DART 2025, dhe Ministria e Bujqësisë shprehu angazhimin e saj për integrimin e prioriteteve të bujqësisë digjitale në Programin Buxhetor Afatmesëm 2026–2029.

Pronësia Institucionale: Komiteti miratoi Termat e Referencës për grupet e punës të DART, të cilat do të hartojnë së bashku Strategjinë dhe Portalin e Fermerëve. Ministria u zotua për formalizimin dhe angazhimin proaktiv të këtyre grupeve.

“Për të pasur sukses, ne kemi nevojë për zgjidhje të hartuara së bashku që janë të bazuara në prova të arritshme”, shtoi Lorena Pullumbi, ndihmëspërfaqësuese e FAO-s në Shqipëri. “Ne mirëpresim një angazhim më të fortë nga institucione të tilla si Universiteti Bujqësor i Tiranës, bashkitë dhe shërbimet këshillimore lokale dhe presim me padurim përforcimin e dialogut me Delegacionin e BE-së, roli i të cilit është kyç në ankorimin e kësaj pune brenda kornizës së pranimit të Shqipërisë në BE”, tha ajo.

Ndërsa dr. Francelino Rodrigues i FAO-s dhe koordinatorja kombëtare e projektit, Arsita Mati, ndanë përditësime teknike dhe pranuan rolin e institucioneve kombëtare si SASPAC, ARDA dhe Agjencisë për Ekselencë dhe Inovacion në nxitjen e zbatimit në nivel kombëtar dhe lokal.

Takimi u mbajt në format hibrid, me pjesëmarrjen e disa ministrive duke përfshirë Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MECI) dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE)  si dhe zyrat rajonale të OKB-së dhe ekipet në terren. Delegacioni i Bashkimit Evropian ishte gjithashtu i përfaqësuar, duke theksuar rëndësinë e sinergjive më të ngushta midis zbatimit të programit dhe proceseve të përafrimit me BE-në.

Në muajt në vijim, programi do të përqendrohet në ngritjen e grupeve të punës ndërinstitucionale për të udhëhequr zhvillimin e strategjisë; Avancimi i Portalit të Fermerëve përmes finalizimit të planit rrugor, seancave të bashkëdizajnimit dhe rekrutimit të ekipit të zhvillimit; Përmirësimi i programeve të trajnimit në bujqësinë digjitale për të rinjtë dhe profesionistët; Forcimi i koordinimit me qeveritë lokale dhe bashkitë, të cilat luajnë një rol jetësor në afrimin e mjeteve digjitale me komunitetet rurale.

Programi “Bujqësia Digjitale dhe Transformimi Rural” (DART) është një program trevjeçar (2024–2027) i financuar nga Dritarja e Transformimit Digjital e Fondit të Përbashkët të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) përmes kontributeve nga Bashkimi Evropian, Suedia dhe Spanja. Ky program udhëhiqet nga FAO me ILO-n, ITU dhe ministritë e Bujqësisë dhe Financave të Shqipërisë.

/e.xh//a.f//r.e/

The post Bujqësia Digjitale dhe Transformimi Rural, miratohen prioritetet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Deklarata e përbashkët e DASH dhe 14 vendeve të tjera, përfshirë Shqipërinë, mbi aktivitetin e kërcënimit shtetëror iranian në Evropë dhe Amerikën e Veriut

UASHINGTON, 1 gusht /ATSH/ – Më poshtë është deklarata e publikuar nga qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Shqipërisë, Austrisë, Belgjikës, Kanadasë, Çekisë, Danimarkës, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Spanjës dhe Suedisë mbi aktivitetin e kërcënimit shtetëror iranian në Evropë dhe Amerikën e Veriut:

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria, Austria, Belgjika, Kanadaja, Çekia, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Spanja dhe Suedia dënojnë numrin në rritje të kërcënimeve shtetërore nga shërbimet sekrete iraniane në territoret tona respektive.

Ne jemi të bashkuar në kundërshtimin tonë ndaj përpjekjeve të shërbimeve sekrete iraniane për të vrarë, rrëmbyer dhe intimiduar njerëz në Evropë dhe Amerikën e Veriut, në shkelje të qartë të sovranitetit tonë.

Këto shërbime po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë me organizatat kriminale ndërkombëtare për të synuar gazetarët, disidentët, qytetarët hebrenj dhe zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarë në Evropë dhe Amerikën e Veriut.
Kjo është e papranueshme.

Ne i konsiderojmë këto lloje sulmesh, pavarësisht nga objektivi, si shkelje të sovranitetit tonë.

Ne jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për të parandaluar që këto veprime të ndodhin dhe u bëjmë thirrje autoriteteve iraniane që t’u japin fund menjëherë aktiviteteve të tilla të paligjshme në territoret tona respektive”, përfundon deklarata e publikuar nga qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Shqipërisë, Austrisë, Belgjikës, Kanadasë, Çekisë, Danimarkës, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Spanjës dhe Suedisë mbi aktivitetin e kërcënimit shtetëror iranian në Evropë dhe Amerikën e Veriut./ /Ad.Ab./

The post FOKUS – Deklarata e përbashkët e DASH dhe 14 vendeve të tjera, përfshirë Shqipërinë, mbi aktivitetin e kërcënimit shtetëror iranian në Evropë dhe Amerikën e Veriut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndre Mjeda, poeti i “Vajit të Bylbylit” dhe figura poliedrike e Rilindjes Kombëtare

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Më 1 gusht të vitit 1937 u nda nga jeta kleriku, teologu, poeti, gjuhëtari, deputeti dhe patrioti i Rilindjes Kombëtare, Dom Ndre Mjeda.

Mjeda ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare, i afirmuar si njeri me dije poliedrike dhe veprimtari në shumë fusha, megjithatë, u diplomua doktor në Teologji dhe Filozofi nga Universiteti Pontifik Gregorian, më 20 tetor 1931.

Ndre Mjeda lindi më 20 nëntor 1866, në Shkodër. Mësimet e para i ndoqi në vendlindje dhe më pas vazhdoi studimet e mesme dhe të larta teologjike në disa vende të Evropës. Kur u kthye në atdhe, Mjeda u emërua famullitar në disa fshatra dhe u lidh me lëvizjen patriotike. Ishte viti 1901 kur bashkë me të vëllain, themeloi shoqërinë “Agimi”, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti.

Mes të tjerash, Dom Ndre Mjeda ishte anëtar i komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes në Kongresin e Manastirit, i zgjedhur në 1908-ën, si përfaqësues i Shkodrës dhe mbështeti variantin e shkronjave latine bashkë me At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin dhe Mati Logorecin. Në kujtesën popullore ai mbetet si poeti i “Vajit të Bylbylit”, botuar më 1887.

/r.e//a.f/

The post Ndre Mjeda, poeti i “Vajit të Bylbylit” dhe figura poliedrike e Rilindjes Kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan artikullin e “RTL Radio”: Shqipëria, “xhevahiri ballkanik” që po kthehet në destinacion qendror në hartën turistike europiane

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Shqipëria turistike vijon të marrë jehonë në mediet ndërkombëtare.

Këtë herë është RTL Radio, një platformë mediatike e vendosur në Luksemburg, që i ka kushtuar një artikull të posaçëm potencialeve turistike të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale artikullin e publikuar në “RTL Radio”, e cila në serinë e saj për destinacionet e pushimeve në Europë ka ndaluar në Shqipëri.

“’Xhevahiri ballkanik’ që po kthehet nga një sekret, në destinacion qendror të hartës turistike europiane”, shkruan RTL Radio.

Rama nënvizoi se “nga Alpet e Shqipërisë, deri në Dhërmi, Ksamil e Himarë, duke kaluar përmes Parkut Kombëtar të Vjosës dhe qyteteve UNESCO si Gjirokastra e Berati, kjo guidë e plotë u ofrohet pushuesve europianë për pushimet e tyre në Shqipërinë tonë”.

Në artikullin dedikuar Shqipërisë RTL Radio vlerëson se vendi është në mes të transformimit drejt një pike të nxehtë në hartën e pushimeve të Evropës.

Artikulli veçon natyrën e paprekur në veri, e cila ofron një larmi të jashtëzakonshme në një zonë të vogël, me natyrë shumë larg turizmit masiv.

“Fshatrat e vegjël me shtëpi guri, lumenj të pastër dhe pamje panoramike e bëjnë zonën një parajsë për entuziastët e aktiviteteve në natyrë dhe ata që kërkojnë paqe. Parku Kombëtar i Vjosës, i klasifikuar në vitin 2023 si ‘Parku Kombëtar i Lumit të Egër’ i parë në Evropë, ofron edhe më shumë bukuri natyrore. Vjosa konsiderohet si lumi i fundit i madh me rrjedhë të lirë në kontinent, me rajonin përreth që strehon mbi 1100 lloje kafshësh dhe bimësh, duke përfshirë rrëqebullin, vidrat dhe zogj të rrallë”, shkruan RTL Radio.

Po ashtu Riviera Shqiptare përgjatë bregdetit Jon konsiderohet një nga rajonet më të bukura, por më pak të zhvilluara në Mesdhe.

“Plazhe si Maldivet. Ata që preferojnë detin në vend të maleve nuk do të zhgënjehen gjithashtu. Plazhet e Ksamilit, Dhërmiut dhe Himarës kanë rërë të imët, ujëra bruz dhe një atmosferë të relaksuar, turmat e vendpushimeve të mëdha”, thuhet në artikull.

RTL Radio shkruan po ashtu për Tiranën, një qytet që përzien ngjyrat, historinë dhe jetën e gjallë. “Qendra e tij është plot me energji krijuese, nga kafenetë me muzikë live dhe art rruge, deri te restorantet inovative dhe një popullsi e re që i jep jetë qytetit”, vijon artikulli.

/m.m//a.f//r.e/

The post Rama ndan artikullin e “RTL Radio”: Shqipëria, “xhevahiri ballkanik” që po kthehet në destinacion qendror në hartën turistike europiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPAK sekuestron 25 pasuri të një grupi kriminal të dënuar në Belgjikë

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi sot sekuestrimin e 25 pasurive të një grupi kriminal të dënuar në Belgjikë, përfshirë para cash, objekte me vlerë dhe sende luksi.

Pasuritë u sekuestruar u kryen në kuadër të procedimit pasuror ndaj D.D dhe familjarët e tij, D.S., B. A., A. H, L.V., dhe D. H.

Sipas SPAK “këta shtetas janë subjekte të hetimit pasuror pasi rezultojnë të dënuar në Mbretërinë e Belgjikës  për veprat penale të “Vjedhjes”, në bashkëpunim në formën “Grupit të strukturuar kriminal”, “Grupit të strukturuar kriminal””.

“Bazuar në dispozitat e ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 janë identifikuar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të personave nën hetim pasuror dhe të personave të lidhur me ta, të cilat sipas hetimeve të deritanishme rezultojnë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe prezumohen se janë rezultat i veprimtarisë kriminale së tyre”, njoftoi SPAK.

Pasuri të sekuestruara:

Pasuri të paluajtshme: 9; Subjekte tregtare: 1 (“GUARD SECURITY”); Automjete dhe mjete motorike: 6 (3 automjete + 3 motorë).

Shuma monetare: Euro: 77,360 €; Lekë: 2,055,000 lekë; Paund britanik: 1,150 £

Orë dore të markave të ndryshme: 52; Bizhuteri: mbi 35 copë; Monedha ari: 32; Pajisje elektronike: 15; Laptopë: 2; iPad: 5; Kamera/aparate fotografike: 8.

SPAK thekson se sendet me vlerë, si ora, bizhuteri, monedha ari, automjete dhe mjete motorike janë sekuestruar me parë në kuadër te ekzekutimit te kontrolleve të banesave të këtyre shtetasve për llogari të kërkesave për ndihme juridike të autoriteteve belge.

Për ekzekutimin e sekuestros u kryen veprimet nga ana e policisë gjyqësore në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale, së bashku me Administratorin e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara Tiranë.

/m.q//a.f/

The post SPAK sekuestron 25 pasuri të një grupi kriminal të dënuar në Belgjikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kroacia kujton Ditën e Fitores dhe të Veteranëve, FA në paradën Zagrebit

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Me rastin e 30-vjetorit të Ditës së Fitores dhe të Veteranëve, Shqipëria ishte mes të ftuarve të nderit në paradën ushtarake të organizuar në kryeqytetin kroat, Zagreb.
Me ftesë të homologut të tij kroat, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral-lejtnant Arben Kingji, mori pjesë në këtë ceremoni të rëndësishme, ku vendi ynë u përfaqësua denjësisht.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ndau në rrjete sociale aspekte nga kjo ceremoni, teksa vlerësoi pjesëmarrjen e Shqipërisë krah Forcave të Armatosura Kroate dhe aleate.
“Flamurtarët tanë marshuan krah për krah Forcave të Armatosura Kroate dhe aleate. Një simbol partneriteti të qëndrueshëm, miqësie dhe bashkëpunimi gjithnjë e më të ngushtë mes Shqipërisë dhe Kroacisë”, u shpreh Vengu.

/e.xh//a.f/

The post Kroacia kujton Ditën e Fitores dhe të Veteranëve, FA në paradën Zagrebit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – Hamasi e lidh kthimin në bisedimet e armëpushimit me përmirësimin e kushteve në zonë

TEL AVIV, 1 gusht  /ATSH-DPA/ – Grupi militant palestinez Hamas ka sinjalizuar gatishmërinë e tij për të rifilluar bisedimet e ngecura të armëpushimit në Rripin e Gazës, por vetëm nëse situata humanitare në terren përmirësohet më parë.

Në një deklaratë të lëshuar mbrëmë vonë, Hamasi i quajti bisedimet e vazhdueshme në kushtet aktuale “të pakuptimta dhe joefektive”.

Negociatat indirekte midis Izraelit dhe Hamasit, të mbajtura në Doha dhe të ndërmjetësuara nga SHBA-të,  Egjipti dhe Katari, u ndërprenë së fundmi.

Sipas zyrtarëve izraelitë dhe amerikanë, Hamasi i prishi bisedimet duke bërë kërkesa të tepërta.

Pas ndërprerjes, delegacionet amerikane dhe izraelite u kthyen në kryeqytetet e tyre për konsultime.

Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për mungesën e përparimit, megjithëse asnjëra nuk i ka deklaruar zyrtarisht negociatat të përfunduara.

Hamasi akuzon Izraelin për një tërheqje të pajustifikuar, ndërsa Izraeli akuzon Hamasin për vonesë të qëllimshme të procesit.

Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar tha në një deklaratë të enjten se Hamasi nuk është i interesuar të arrijë një marrëveshje.

Ministri shtoi se grupi ndihet i inkurajuar nga kritikat ndërkombëtare në rritje ndaj veprimeve të Izraelit në Gaza./   /Ad.Ab./

 

The post GAZA – Hamasi e lidh kthimin në bisedimet e armëpushimit me përmirësimin e kushteve në zonë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj ndan pamje nga Kisha e Shën Apostujve: I ka mbijetuar pushtimeve nga dashuria e banorëve

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Kisha e Shën Apostujve, (Shën Pjetrit dhe Pavlit), në Hoshtevë, një prej monumenteve më të veçanta në Shqipëri, është kthyer në një destinacion turistik për vizitorët të cilët shohin afreske mbresëlënëse si dhe rrënoja që mbartin histori.

Presidenti Bajram Begaj ndau në një postim në rrjetet sociale pamje nga Kisha e Shën Apostujve, ku shkruan se “e pikturuar e gjitha me afreske, shfaqet si një befasi e bukur pas malit Dhëmbel”.

Begaj shkruan më tej se “ajo i ka mbijetuar pushtimeve dhe regjimit nga kujdesi dhe dashuria e banorëve të zonës, pavarësisht besimeve të tyre fetare”.

Manastiri i Shën Pjetrit dhe Pavlit gjendet mbi një kodër në verilindje të fshatit Vithkuq. Nga godinat e manastirit ka mbetur vetëm kisha e “Shën Pjetrit dhe Pavlit”, sepse konakët e manastirit janë shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Konakët e manastirit kanë qenë dy dhe trikatëshe dhe shtriheshin në tri anët e oborrit të brendshëm, i cili kishte sipërfaqe rreth 200 metra katrore. Anash tij në formën e shkronjës “U” gjendeshin rreth 40 qela banimi. Ndërsa në katin e dytë të konakëve gjendej biblioteka, ku ruheshin dorëshkrime me vlerë rreth historisë së Korçës dhe Voskopojës.

Kisha përbëhet nga naosi dhe një portik përpara hyrjes kryesore. Kisha është e tipit bazilikë trinefëshe me kupolë. Ajo u ndërtua rreth vitit 1759-1764.

Në përfundim të saj, kisha u pikturua prej piktorëve Kostandin e Athanas Zografi. Ndërsa ikonostasi është pikturuar në vitin 1748 nga Kostandin Shpataraku.

/m.q//a.f/

The post Begaj ndan pamje nga Kisha e Shën Apostujve: I ka mbijetuar pushtimeve nga dashuria e banorëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Makineritë bujqësore pa TVSH, hapat për të përfituar agrobiznesi

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Agrobiznesi është i përjashtuar nga TVSH-ja për importin e makinerive dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit të tyre, pavarësisht nga vlera e investimit.

Për të përfituar përjashtim nga TVSH-ja në importin e makinerive dhe pajisjeve, subjektet agropërpunuese duhet të aplikojnë përmes e-Albanias.

Portali i qeverisë e-Albania ndau në rrjete sociale hapat që ndiqen duke aplikuar në  zgjedhjen e shërbimit “Makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e agrobiznesit, pavarësisht nga vlera e investimit”.

pas duhet të plotësohet formulari dhe të ngarkohen dokumentet e kërkuara.Kopje e planit të investimit dhe preventivi. 

Nëse aplikimi i plotëson kushtet mundësohet hedhja e autorizimit në sistem.

Autorizimi “Makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e agrobiznesit, pavarësisht nga vlera e investimit” është një autorizim që i jepet operatorit ekonomik i cili vepron në fushën e agrobiznesit. Me anë të këtij autorizimi operatori përfiton nga përjashtimi i pagesës së TVSH-së në momentin e importimit. Makineritë dhe pajisjet që përfitojnë nga ky përjashtim janë të listuara në Aneksin e bazës ligjore të mëposhtme.

E- Albania publikoi linkun ku aplikohet teksa njoftoi se, koha për marrjen e shërbimit është 15 ditë dhe dokumenti mbërrin elektronikisht tek rubrika “Dokumentet e mia” dhe në email.

https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx…

 

/e.xh//a.f/

The post Makineritë bujqësore pa TVSH, hapat për të përfituar agrobiznesi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të vizituara të trashëgimisë sonë kulturore

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Kalaja e Gjirokastrës është një nga monumentet më të vizituara të trashëgimisë sonë kulturore.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale një album fotografik nga një ditë e zakonshme, gjatë së cilës kalaja është e mbushur plot me vizitorë nga e gjithë bota. Ata ndalen për të përjetuar historinë, arkitekturën dhe shpirtin që kalaja ruan prej shekujsh. Me gjithë vlerat që posedon, ajo është tejet atraktive për turistët nga mbarë bota.

“Një nga monumentet më të vizituara të trashëgimisë sonë kulturore, ku vizitorë nga e gjithë bota ndalen për të përjetuar historinë, arkitekturën dhe shpirtin që ajo ruan prej shekujsh”, shkruan ministri Gonxhja.

Kalaja e Gjirokastrës e arriti shifrën prej 100 mijë vizitorësh që në 6-mujorin e parë të vitit. Në përfundim të 2024-ës, ajo ishte kalaja më e vizituar në rang vendi, pasi priti një numër të madh grupesh turistike të tërhequr nga pamja që ofron qyteti mijëravjeçar.

Panorama nga kalaja e Gjirokastrës është një pamje që ngjall kureshtje te vizitorët, të interesuar për historinë dhe kulturën që ky qytet mbart.

Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë”, është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë. Me vlera të shumëfishta që ka ky qytet-muze është pranuar ndër të parët qytete në UNESCO. Simboli kryesor i qytetit është Kalaja. Ajo është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 m mbi nivelin e detit.

/r.e//a.f/

The post Gonxhja: Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të vizituara të trashëgimisë sonë kulturore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: 237 mijë fëmijë përfituan bonusin e bebes që prej vitit 2019

TIRANË, 1 gusht/ATSH/- Prej mëse 6 vitesh, nëpërmjet programit të bonusit të bebes janë  mbështetur financiarisht mijëra të porsalindurit dhe familjet e tyre pavarësisht statusit social apo ekonomik të tyre.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se më shumë se 237 mijë fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes prej fillimit të programit të qeverisë në janar 2019.

Rama shprehet në një postim në rrjetet sociale se familjet e reja janë mbështetur me 40,000 lekë për fëmijën e parë, 80,000 për fëmijën e dytë dhe 120,000 lekë për fëmijën e tretë

Në buxhetin e vitit 2025, për Programin e Bonusit të Bebes është akorduar një fond prej 2.2 miliardë lekësh, duke mbështetur familjet që në hapat e parë të saj.

Programi i qeverisë do vijojë të mbështesë financiarisht familjet të cilat jetojnë dhe kontribuojnë në Shqipëri.

The post Rama: 237 mijë fëmijë përfituan bonusin e bebes që prej vitit 2019 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Transporti ajror rritje me 42,4% në mallra dhe 6% në pasagjerë në tremujorin e dytë

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Në tremujorin e dytë të këtij viti, sektori i transportit ajror ka shënuar një rritje të konsiderueshme.

Volumi i mallrave të transportuar, duke përfshirë postën, ka arritur në 798,6 tonë, me një rritje prej 42,4% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2024.

Nga ky total, 67,5% përbëjnë mallrat e hyrë, ndërsa 32,5% janë mallra të dalë.

Në të njëjtën periudhë, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore ka kaluar kufirin e 3 milionëve, duke shënuar një rritje prej 6% krahasuar me vitin e kaluar, krahasuar me 2.8 milionë pasagjerë që udhëtuan gjatë periudhës përkatëse të vitit të kaluar.

Për sa i përket tregtisë ajrore, volumi i mallrave të eksportuara dhe importuara arriti 583 tonë, duke u rritur me 2,3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Mallrat e importuara me ajër përbëjnë një pjesë të vogël, vetëm 0,02% të totalit të mallrave të importuara, në vend.

Në këtë tremujor, transporti ajror është operuar nga 29 shoqëri ajrore, nga të cilat 28 janë të huaja dhe vetëm një është shoqëri shqiptare.

Hapësira ajrore shqiptare ka regjistruar 110.073 fluturime, ku 83,2% e tyre përbëhen nga mbikalimet.

1 nga 4

/a.f/

The post Transporti ajror rritje me 42,4% në mallra dhe 6% në pasagjerë në tremujorin e dytë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vendimi i Kushtetueses për Zonat e Mbrojtura, Zhupa: Do t’i drejtohemi Strasburgut

TIRANË, 1 gusht/ATSH/- Deputetja e PD-së, Ina Zhupa ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila la në fuqi ligjin për zonat e mbrojtura, duke rrëzuar kërkesën e opozitës për shpalljen e tij antikushtetues.

Zhupa, e cila ka qenë nismëtarja e ankimimit shprehet në një postim në rrjetet sociale se “dredhitë e Gjykatës Kushtetuese për të larë duart nga shkatërrimi që pret zonat e mbrojtura në Shqipëri nuk na ndalojnë”.

Ajo bën të ditur se do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut për të gjetur të drejtën e mohuar nga drejtësia shqiptare.

“Ndarja 4 me 4, ku 4 gjyqtarët pranojnë që ka shkelje kushtetuese dhe 4 gjyqtarë mendojnë se nuk ka, çon në rrëzimin e kërkesën dhe pse nuk ndajnë dot nëse është apo jo antikushtetues. Kjo barazi është përdor dhe në raste të tjera si dredhi për të vendosur pa vendosur, për të ruajtur status quo e qeverisë duke bërë sehir. Kjo praktikë dënohet nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ku në çështjen Marini kundër Shqipërisë, 2007 shprehet se “ del në përfundimin se parashikimi për ndarjen e votave në mënyrë të barabartë nuk i shërben sigurisë juridike dhe mund të privojë ankuesin nga e drejta efektive për një vendim përfundimtar për kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese”. Nuk mund të fshihen pas ligjit, ku s’ka asnjë arsye juridike dhe morale se përse katërshja që mendon se nuk ka shkelje duhet të prevaloj mbi katërshen që argumenton se ka shkelje?!”, shprehet Zhupa.

Deputetja e PD-së shton se “është fatkeqësi për vendin që lënë në fuqi një ligj antikushtetues dhe dështim për Gjykatën Kushtetuese. Turpi i ngelet gjykatës, ne rrëzohemi pa u rrëzuar me dredhi që nuk respektojnë as standardet europiane”.

“Pavarësisht kësaj dua të falenderoj edhe organizatat mjedisore për pjesëmarrje në çdo pjesë të procesit dhe që kanë pajisur me materiale gjykatën mbi standardet europiane të mbrojtura dhe nga konventat që bën pjesë Shqipëria. Gjithashtu falenderoj për punën e tyre dy avokatët e nderuar Marash Logu dhe Franci Nuri. Zonat e mbrojtura do mbrohen, sepse i mbron kushtetuta dhe se ja kemi detyrim brezave të ardhshëm për ti lënë një Shqipëri më të mirë se sot dhe jo të betonizuar dhe të shkatërruar nga babëzia e klientëve të pushtetit”, përfundon reagimin e saj deputetja Zhupa.

The post Vendimi i Kushtetueses për Zonat e Mbrojtura, Zhupa: Do t’i drejtohemi Strasburgut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Kina: Nuk do ta lejojmë kurrë pavarësinë e Tajvanit

PEKIN, 1 gusht /ATSH-ANSA/ – Forcat e armatosura kineze janë të gatshme të shtypin çdo përpjekje për pavarësi në Tajvan dhe ne nuk do të lejojmë kurrë që asnjë projekt pavarësie separatiste të ketë sukses dhe jemi të gatshëm të mposhtim çdo ndërhyrje të armatosur të jashtme në çdo kohë, pasi për ribashkimin e plotë të atdheut, Ushtria Çlirimtare Popullore është e gatshme në çdo kohë, paralajmëroi ministri kinez i Mbrojtjes, Dong Jun duke folur të enjten në mbrëmje në një pritje të organizuar në Sallën e Madhe të Popullit në sheshin ”Tienanmen” për 98-vjetorin e themelimit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore.

”Viti 2025 shënon 80-vjetorin e fitores së luftës së rezistencës së popullit kinez kundër agresionit japonez dhe luftës botërore antifashiste, 80-vjetorin e çlirimit të Tajvanit dhe 80-vjetorin e themelimit të Kombeve të Bashkuara”, shtoi ai.

Brenda pak më shumë se një muaji, Ushtria Popullore do të nderohet nga partia dhe populli kinez në lidhje me paradën e 3 shtatorit që feston fitoren ndaj Japonisë militariste.

“Ne do të bashkohemi edhe më ngushtë rreth Komitetit Qendror të PKK-së… për të promovuar pa u lodhur zhvillimin politik të forcave të armatosura, për të forcuar në mënyrë gjithëpërfshirëse stërvitjen dhe gatishmërinë luftarake dhe për të përmbushur në mënyrë efektive misionin dhe detyrat e Ushtrisë Popullore në epokën e re”, vazhdoi ministri.

”Ushtria kineze është e gatshme të bashkëpunojë me ushtritë e të gjitha vendeve për të zbatuar konceptin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin dhe tre nismat kryesore globale, për të adresuar së bashku rreziqet dhe sfidat dhe për të punuar së bashku për të ndërtuar një botë me paqe të qëndrueshme, siguri universale, prosperitet të përbashkët, hapje dhe përfshirje”, theksoi ai./ a.jor.

The post FOKUS – Kina: Nuk do ta lejojmë kurrë pavarësinë e Tajvanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌