Mijëra tifozë të Lazios protestojnë kundër presidentit të klubit, skuadra italiane nuk mund të nënshkruajnë as me agjentë të lirë
Në kryeqytetin italian, Romë, mijëra tifozë të Lazios dolën në rrugë për të protestuar kundër presidentit të klubit, Claudio Lotito.
Klubeve të tifozëve iu dërguan thirrje për tubim, dhe mbështetësit u mblodhën në Piazza Corrado Ricci përpara se të marshonin drejt Forumit Perandorak.
Sipas mediave italiane, rreth 10,000 tifozë morën pjesë në protestë, duke shprehur pakënaqësinë e thellë për drejtimin e klubit dhe situatën aktuale financiare të tij.
Claudio Lotito është president i Lazios që nga viti 2004 dhe fillimisht u vlerësua për shpëtimin e klubit nga falimentimi, pas krizës së trashëguar nga ish-pronari Sergio Cragnotti.
Megjithatë, lidershipi i tij është përballur shpesh me kritika, sidomos këtë verë, kur Lazio dështoi në tre teste të stabilitetit financiar dhe u ndalua nga transferimet.
Si pasojë, klubi nuk mund të nënshkruajë as lojtarë të lirë deri në janar të vitit 2026, përveç nëse Lotito vendos të injektojë fonde të reja në buxhetin e klubit, një hap që ai aktualisht e konsideron të panevojshëm.
Kjo situatë ka tensionuar më tej raportet mes presidentit dhe tifozëve, të cilët kërkojnë ndryshime të menjëhershme në drejtim dhe investime për të ardhmen e skuadrës.
Përballë spekulimeve, Lazio publikoi të martën një deklaratë zyrtare, duke mohuar kategorikisht se klubi është nxjerrë në shitje. /Telegrafi/
The post Mijëra tifozë të Lazios protestojnë kundër presidentit të klubit, skuadra italiane nuk mund të nënshkruajnë as me agjentë të lirë appeared first on Telegrafi.