Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Zjarret në Gramsh, MM urdhër evakuimi për tri fshatra të tjerë


TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes lëshoi sot një njoftim urgjent për evakuimin e banorëve të tri fshatrave të tjerë në Gramsh, si pasojë e situatës së shkaktuar nga zjarret.

Përmes një njoftimi urgjent për evakuim, Ministria e Mbrojtjes kërkon që banorët e fshatrave Ërmenj, Harunas dhe Zenelas të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.

Ndërkohë, sipas MM-së fshati Skënderbegas është evakuuar.

Më herët sot, MM dha urdhër për evakuimin e banorëve në tre fshatra të tjera të Gramshit: Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, për shkak të dy fronteve të rrezikshme të zjarrit me të cilat po përballet zona që prej mëngjesit.

Në terren janë dislokuar 80 trupa të Forcave të Armatosura në mbështetje të forcave vendore, të cilat po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve.

Në vijim pritet të nisë mbështetja nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit.

Gjatë 24 orëve të fundit në gjithë vendin janë evidentuar 50 vatra zjarri, 19 ndër të cilat mbeten ende aktive. Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 82 automjete zjarrfikëse dhe 1080 forca operacionale.

/m.m/j.p/

The post Zjarret në Gramsh, MM urdhër evakuimi për tri fshatra të tjerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Humb jetën 80-vjeçari në fshatin Kullollas të Gramshit, Policia: Dyshohet se ndezi zjarr në kopshtin e banesës

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Policia e Elbasanit bëri të ditur sot se nga vatrat e zjarreve në Gramsh ka humbur jetën një 80-vjeçar.

Përmes një njoftimi për shtyp të Policisë së Elbasanit bëhet e ditur se dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit.

“Rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët.

“Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po heton për të zbardhur dhe dokumentuar shkakun e zjarrit dhe rrethanat e tjera të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Elbasanit.

Për shkak të situatës që ka dalë nga kontrolli, Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e banorëve të 3 fshatrave.

/m.m/j.p/

The post Humb jetën 80-vjeçari në fshatin Kullollas të Gramshit, Policia: Dyshohet se ndezi zjarr në kopshtin e banesës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KAYO shkresë administratorit të Focus Media News: Materialet e gazetarëve mund të tërhiqen pranë Rezervave të Shtetit

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Administratori i kompanisë shtetërore KAYO, Ardi Veliu njoftoi sot se “lirimi i ndërtesës së shoqërisë ‘Focus Media News sh.p.k.’ është kryer në kushte të larta sigurie, në prani të Forcave të Armatosura, duke dokumentuar me procesverbal çdo send të ndodhur brenda saj”.

Në një letër drejtuar administratorit të shoqërisë “Focus Media News sh.p.k.”, Veliu u shpreh se pretendimet për fshirjen e materialeve të gazetarëve janë të pabazuara dhe të pavërteta.

“Materialet e gjetura brenda ambienteve, pas inventarizimit u dërguan pranë Rezervave të Shtetit, me adresë Rruga Bajram Tusha, pranë ish-Gjykatës së Apelit, Shkozet, Durrës”, thuhet në letër

Veliu bëri të ditur se administratori i “Focus Media News sh.p.k.” duhet të paraqitet personalisht pranë Rezervave të Shtetit si i vetmi person i autorizuar, për të marrë sa më parë sendet e gjetura dhe të inventarizuara në objekt.

Në këtë drejtim, kompania shtetërore “KAYO” i ka bërë thirrje administratorit që t’i tërheqë të gjithë bazën materiale.

/m.m/

The post KAYO shkresë administratorit të Focus Media News: Materialet e gazetarëve mund të tërhiqen pranë Rezervave të Shtetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga plazhi i Rrjollit në Shkodër

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Velipoja me plazhet e saj është një ndër më të preferuarat për pushuesit vendas e të huaj këtë sezon turistik.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga plazhi Rrjollit në Velipojë, një tjetër destinacion që tërheq pushues që zgjidhin qetësinë dhe rërën kurative.

Plazhi i Rrjollit në juglindje të Velipojës, që deri para pak vitesh njihej vetëm nga vendasit, tani po kthehet në një prej destinacioneve më të frekuentuara të Shkodrës gjatë verës.

Në juglindje të Velipojës, shtrihet një fshat i bukur dhe kryesisht i panjohur, Boks-Rrjoll, i cili së bashku me plazhin e tij të virgjër me ujëra të kristalta dhe rërë të mbushur me jod, e bëjnë këtë zonë të adhurueshme.

Plazhi i Rrjollit ka një shtrirje prej 4 km në një zonë me pyll e duna të vogla rëre. Plazhi i “strukur”, deri para pak kohëve i shfrytëzuar vetëm nga banorët e këtij fshati, vitet e fundit është kthyer në përzgjedhje të mirëfilltë të pushuesve.

/m.m/j.p/

The post Rama ndan pamje nga plazhi i Rrjollit në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata nga zjarret, MM: Urdhër evakuimi për banorët e tri fshatrave në Gramsh

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes lëshoi sot një urdhër evakuimi për banorët e tri fshatrave në Gramsh, si pasojë e situatës së shkaktuar nga zjarret.

Në një njoftim për shtyp, Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se “është dhënë urdhri për evakuimin e banorëve në tre fshatra të Gramshit: Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, për shkak të dy fronteve të rrezikshme zjarri me të cilat po përballet zona që prej mëngjesit”.

Në terren janë dislokuar 80 trupa të Forcave të Armatosura në mbështetje të forcave vendore, të cilat po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve.

Në vijim pritet të nisë mbështetja nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit.

Gjatë 24 orëve të fundit në gjithë vendin janë evidentuar 50 vatra zjarri, 19 ndër të cilat mbeten ende aktive. Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 82 automjete zjarrfikëse dhe 1080 forca operacionale.

1 nga 2

/m.m/

The post Situata nga zjarret, MM: Urdhër evakuimi për banorët e tri fshatrave në Gramsh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fertilizimi in vitro falas, Koçiu: Vijnë në jetë dy foshnje tek “Koço Gliozheni”

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Sistemi shëndetësor publik ofron tashmë shërbimin e fertilizimit in vitro (FIV) falas për çiftet që përballen me infertilitetin, përmes Qendrës së Teknikave të Riprodhimit Mjekësor të Asistuar (RMA) pranë Maternitetit “Koço Gliozheni”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot rastin e suksesit me lindjen e dy foshnjave të tjera përmes procedurës in vitro.

“Dy gëzime të reja nga materniteti “Koço Gliozheni”. Dua dhe Mertoni erdhën në jetë falë programit kombëtar për trajtimin e infertilitetit, përmes procedurës in vitro që tashmë ofrohet në sistemin publik dhe po kthen në realitet ëndrrat e shumë familjeve. Urime prindërve dhe stafit mjekësor për këto mrekulli”, u shpreh Koçiu.

Për herë të parë pranë Spitalit Universitar Obstetrik – Gjinekologjik “Koço Gliozheni ka ardhur në jetë në 17 dhjetor 2024, fëmija i parë me teknikën e riprodhimit të asistuar.

Paketa e fertilitetit synon të mbështesë çiftet e reja përmes shërbimit falas të Fertilizimit in Vitro (FIVET).

Me buxhetin e këtij viti, rreth 150 çifte të reja po mbështeten për të realizuar ëndrrën e tyre për të krijuar familje.

1 nga 2

/m.m/

The post Fertilizimi in vitro falas, Koçiu: Vijnë në jetë dy foshnje tek “Koço Gliozheni” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndezi zjarr në tokën me qira, arrestohet 40-vjeçari në Tepelenë

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, të kryera menjëherë pas njoftimit se në zonën e pyllëzuar midis fshatrave Kodër dhe Lekël, kishte rënë zjarr, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë mundësuan identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit E. M., 40 vjeç, banues në fshatin Kodër.

40-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e marrë me qira dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, pemë frutore, 5 stane me bazë ushqimore për bagëti dhe 3 krerë bagëti të trasha.

Prej mëngjesit të djeshëm, shërbimet e Policisë kanë mbajtur në kontroll perimetrin ku janë përhapur flakët.

Ndërkaq, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Gjirokastër dhe me shërbimet zjarrfikëse, vijojnë punën për shuarjen e zjarrit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër apelon për të gjithë banorët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast zjarrvënieje dhe paligjshmërie në tërësi, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

/m.m/j.p/

The post Ndezi zjarr në tokën me qira, arrestohet 40-vjeçari në Tepelenë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarret në Tiranë, nënkryetari i bashkisë Sulaj: Kush kryen zjarrvënie të qëllimshme, përballet me ligjin

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Vatra zjarri me përmasa të konsiderueshme prej disa ditësh kanë përfshirë fshatin Damian në njësinë administrative Vaqarr në Tiranë.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj ka paralajmëruar të gjithë ato subjekte që kryejnë veprime për zjarrvënie të qëllimshme dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve se do të përballen me forcën e ligjit.

“Ajo që shihet është se zjarri ka përparuar nga ditët e tjera por një apel i rëndësishëm është për të gjithë ata që bëjnë këto veprime dhe me sa duket janë veprime të qëllimshme, qofshin individë apo biznese se do të përballen me forcën e ligjit”, tha Sulaj.

Sulaj siguroi të gjithë qytetarët se Bashkia do jetë 24 orë në shërbim të tyre dhe do bëjë të pamundurën që jeta dhe prona e qytetarëve të mos rrezikohet.

Nga ana e saj, administratorja e njësisë administrative Vaqarr, Jonida Mema bëri të ditur se sot zjarret kanë marrë përmasa më të mëdha dhe se është dashur ndërhyrja nga ajri për të mbajtur nën kontroll flakët por strukturat përkatëse janë në gatishmëri të plotë për përballimin e situatës.

“Ndodhemi në fshatin Damian, lagjja Tresaj. Situata u bë pak më emergjente. Zjarri ka marrë përmasa pak më të mëdha nga dje deri më sot. Jemi afër banesave. Forcat zjarrfikëse, Emergjencat, Bashkia janë në dispozicion. Tani mbetemi me shpresë që çdo gjë të shkojë mbarë dhe me sukses në këtë situatë të vështirë. Terreni është i vështirë. Ne jemi në gatishmëri gjatë gjithë kohës”, u shpreh Mema.

/m.m/j.p/

The post Zjarret në Tiranë, nënkryetari i bashkisë Sulaj: Kush kryen zjarrvënie të qëllimshme, përballet me ligjin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kampusi i ri i Akademisë së FA, Rama: Infrastrukturë ushtarake e bazuar në standardet e NATO-s

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje investimet në modernizimin e infrastrukturës ushtarake, bazuar në standardet e NATO-s.

Rama ndau në rrjetet sociale fotografi nga projekti shumëfunksional i Akademisë së Forcave të Armatosura, i konceptuar nga kompania me famë botërore “Bofill Taller de Arquitectura”, që reflekton një frymë të re arkitekturore ku shkrihen mes tyre zonat akademike, stërvitore, sportive, logjistike dhe komanduese, për ta zhvendosur kampusin akademik drejt konceptit bashkëkohor të NATO-s.

“Modernizimi i infrastrukturës ushtarake nëpërmjet investimeve të qeverisë shqiptare po prek çdo qelizë të Forcave të Armatosura, bazuar në standardet më moderne të Aleancës”, u shpreh kryeministri.

Investimi në kapitalin njerëzor, sipas tij, “mbetet në fokusin e qeverisë dhe kjo reflektohet në rritjen e ndjeshme të numrit të aplikimeve për sezonin e ri, me 1634 të rinj të interesuar për programet Bachelor”.

Kampusi i ri i Akademisë së Forcave të Armatosura shtrihet në një hapësirë prej 10 hektarësh.

Kampusi do të ofrojë godinë mësimore, konvikti, qendra shëndetësore, kinemaja, palestra, pishina e mbyllur, terrenet sportive dhe ato të stërvitjes ushtarake në natyrë, si poligonet, pista e vrapit, kulla e alpinizmit, etj.

Akademia e re do të ketë si fillim 300 studentë dhe degë të reja, përfshirë dhe inteligjencën artificiale, ku do të ketë diploma të përbashkëta me Universitetin Politeknik në degë të caktuara, por dhe binjakëzime me Akademitë e vendeve aleate të NATO-s.

/m.m//a.f/

The post Kampusi i ri i Akademisë së FA, Rama: Infrastrukturë ushtarake e bazuar në standardet e NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Jo shëmbjeve me tritol në kulm të sezonit, ngrejmë komisionin hetimor “McGonigal”

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot ndaj shembjes së një ndërtese pa leje në bregdetin e Vlorës.

Në një konferencë për shtyp, Berisha u shpreh se ka denoncuar turizmin e tritolit në kulmin e turizmit.

“Si mund të zgjosh një qytezë të tërë dhe fillojnë ditën, fillojnë pushimet, me një shpërthim të atillë, duke iu prerë dhe dritat, duke krijuar një situatë lufte”, tha ai.

Berisha theksoi se edhe ndërhyrjet në Theth ishin politikisht të motivuara, pasi ajo zonë kishte votuar me shumicë për PD-në.

I pyetur mbi investimin e Jared Kushner në ishullin e Sazanit, Berisha tha se “ligjet shqiptare lejojnë dhënien me 1 euro”.

“Nuk kam asnjë të dhënë se kemi të bëjmë me një shitje. Ligjet shqiptare lejojnë dhënien me 1 euro, siç dihet, për një periudhë të caktuar të terreneve, trojeve dhe tokave. Unë nuk kam asnjë dijeni se, ishulli i Sazanit është blerë nga çifti Kushner apo është shitur nga kreu i organizatës kriminale, Edi Rama. Personalisht, nuk kam asnjë lloj dijenie, sepse ligjet shqiptare nuk parashikojnë një gjë të tillë”, shtoi ai.

Po ashtu, Berisha tha se Opozita do të krijojë komisionin hetimor parlamentar për McGonigal. “Do përpiqemi të hetojmë edhe me Kosovën, se kjo veprimtari është shtrirë dhe në Kosovë, sikundër do të demaskojë me prova dhe fakte mbrojtjen që Altin Troplini i ka bërë McGonigalit”, tha Berisha.

Berisha shprehu solidaritetin e tij me gazetarët dhe punonjësit e “Focus Media News”.

Reagimi i Berishës vjen pasi Policia e Shtetit ka kërkuar lirimin e godinës ku ushtron aktivitetin “Focus Media News”, pasi me vendim të Gjykatës kjo godinë do t’i kalojë shoqërisë shtetërore “Kayo” sh.a.

Berisha u shpreh se “nuk ka absolutisht asnjë bazë ligjore rrethimi, ndërprerja e sinjalit dhe shkëputja e kabllove të transmetimit, që është realizuar këto 3 ditë ndaj televizionit”.

“Ka një proces gjyqësor midis palëve, sepse kemi të bëjmë me tjetërsime pronash, dhe natyrisht, ligji vepron, njeh të drejtën e parablerjes të atij që e administron pronën. Të gjitha këto, janë akte atentate të rënda ndaj fjalës së lirë, janë përpjekje për të vendosur, për të shuar çdo zë kundër çdo burimi të pavarur, çdo hetimi gazetaresk të pavarur”, u shpreh Berisha, ndërsa bëri thirrje për rikthimin e menjëhershëm të sinjalit.

/m.m//a.f/

The post Berisha: Jo shëmbjeve me tritol në kulm të sezonit, ngrejmë komisionin hetimor “McGonigal” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Droni kap zjarrvënësin, Rama: Tradhëti, të barazohet me vrasjen në Kodin Penal

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “zjarrvënia duhet të barazohet me vrasjen në Kodin Penal”.

Rama ndau në rrjetet sociale pamjet e një zjarrvënieje të qëllimshme të evidentuar sot nga dronët e Forcës Ajrore.

“Të ndezësh një zjarr me qëllim, nuk është vetëm krim, por është tradhti ndaj tokës sonë dhe të ardhmes së fëmijëve tanë”, u shpreh Rama.

Kryeministri siguroi se Policia e Shtetit është në terren për të çuar përpara drejtësisë këdo që luan me flakët mbi pasurinë e përbashkët.

“Ndërkohë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, zjarrvënien do të duhet ta barazojmë me vrasjen në Kodin Penal”, shtoi Rama.

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 38 vatra zjarri në territorin e vendit, nga të cilat 14 vijojnë të jenë aktive dhe po ndiqen në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përkatëse.

/m.m//a.f/

The post Droni kap zjarrvënësin, Rama: Tradhëti, të barazohet me vrasjen në Kodin Penal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj dekreton për një mandat të dytë Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Arben Kingji

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi sot Gjeneral Lejtnant Arben Kingji në detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për një mandat të dytë.

Ceremonia nisi me ekzekutimin e Himnit Kombëtar dhe vijoi me leximin e dekretit të Presidentit të Republikës për emërimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Emërimi i tij vjen në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Pas leximit të dekretit, Gjeneral Lejtnant Arben Kingji bëri betimin me dorën mbi Kushtetutë.

Në ceremoninë e betimit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm mori pjesë Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, si dhe komandantët e forcave dhe strukturave të tjera të Forcave të Armatosura.

/m.m//a.f/

The post Begaj dekreton për një mandat të dytë Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Arben Kingji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia Rrugore e Dibrës, 469 masa administrative në një javë

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Policia Rrugore e Dibrës vijon monitorimin e të gjitha akseve rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Akset rrugore po monitorohen pandërprerë nga ajri me dron dhe nga toka me pajisje të logjistikës bashkëkohore, të loguara dhe të paloguara, me qëllim menaxhimin e trafikut dhe evidentimin e shkeljeve që janë burim aksidenti apo që bëhen pengesë për qarkullimin.

Gjatë javës së parë të muajit gusht, është proceduar penalisht 1 drejtues automjeti për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, si dhe janë vendosur gjithsej 469 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Konkretisht janë vendosur 119 masa për parakalime të gabuara; 37 masa për mosvënien e rripit të sigurimit; 16 masa për mosvënien e kaskës mbrojtëse; 2 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit; 5 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit;
2 masa për xhama të errësuar; 138 masa për ndalim apo qëndrim të gabuar;
masa për mosdhënie përparësie këmbësorëve; 142 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Kontrolle të tilla vijojnë çdo ditë nga Policia Rrugore, të shtrira në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Policia Rrugore e Dibrës u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos drejtojnë mjetin, në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

/m.m//a.f/

The post Policia Rrugore e Dibrës, 469 masa administrative në një javë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bashkia Lezhë thirrje qytetarëve: Mos ndizni zjarre në mjedise të hapura

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Ndërkohë që vendi përballet me temperaturat e larta rrezikshmëria për vatra të reja zjarri rritet në territor.

Në ditët në vijim (11, 12 dhe 13 gusht) pritet rritje e ndjeshme e temperaturave, duke arritur nivele ekstreme sidomos në zonën e Lezhës.

Ndaj bashkia Lezhë u bëri sot thirrje të gjithë banorëve dhe vizitorëve që të mos ndezin zjarre në hapësira të hapura për të shmangur rrezikun e zjarreve masive.

Bashkia Lezhë siguron se mbetet në gatishmëri të plotë për menaxhimin e çdo situate emergjente.

“Qytetarët duhet të shmangin qëndrimin dhe aktivitetet fizike në diell gjatë orëve 11:00 – 17:00. Po ashtu duhet të konsumojnë mjaftueshëm ujë dhe të qëndrojnë në ambiente të freskëta. Të tregojnë kujdes të shtuar për fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore”, thuhet në njoftimin për shtyp të bashkisë Lezhë.

/m.m//a.f/

The post Bashkia Lezhë thirrje qytetarëve: Mos ndizni zjarre në mjedise të hapura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Në 36 qendrat verore shërbim shëndetësor falas, pa radhë dhe listë pritje për pushuesit vendas e të huaj

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu zhvilloi sot një inspektim në qendrën shëndetësore verore Golem, një nga 36 qendrat e hapura përgjatë vijës bregdetare dhe zonave me fluks të lartë pushuesish.

Gjatë vizitës, ministrja vlerësoi punën e stafit mjekësor dhe infrastrukturën e vënë në dispozicion për të përballuar fluksin e vizitorëve në muajt e verës, duke theksuar rëndësinë e këtyre strukturave për ofrimin e një shërbimi të shpejtë, efektiv dhe sa më pranë qytetarëve.

“Jo pa arsye kemi vendosur që të 36 qendrat shëndetësore verore që kemi hapur këtë vit gjatë sezonit turistik në të gjithë Shqipërinë, afër vijës bregdetare apo aty ku ka densitet edhe fluks pushuesish, pikërisht për të shmangur ecejaket nëpër struktura spitalore, për kërkesat dhe nevojat që mund të ketë një pushues në një moment të caktuar, një medikament apo një ndërhyrje e stafit mjekësor që mund edhe të shpëtojë jetë në raste të veçanta”, u shpreh Koçiu.

Gjithashtu, Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se shërbimet në këto qendra janë falas për të gjithë, pa dallim nëse janë apo jo rezidentë në Shqipëri.

“Duhet theksuar që e ofrojmë shërbimin njësoj edhe për ata që nuk janë rezidentë në Shqipëri, falas, pa radhë, pa listë pritje dhe pa rezervim”, deklaroi Koçiu.

Në këtë kuadër, Ministrja e Shëndetësisë inkurajoi edhe të rinjtë e sapodiplomuar në fushën e mjekësisë që të përfshihen në këto struktura, për të fituar eksperiencën e parë praktike.

“Është një eksperiencë shumë e mirë për ju të rinjtë që sapo keni mbaruar studimet dhe doni një eksperiencë të parë, dhe ku më mirë sesa tek këto të papriturat që sjellin Qendrat Shëndetësore, tipologjitë e sëmundjeve apo problematikave shëndetësore që vijnë e trajtohen”, u shpreh ajo.

Duke u ndalur tek puna dhe efektiviteti i qendrës shëndetësore verore në Golem, Koçiu deklaroi se “mbi 3 mijë vizita janë pritur në këtë qendër nga 1 qershori që është hapur” si dhe shtoi se “qendra do të vijojë të jetë e hapur deri në fund të muajit gusht”.

Në përfundim, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vuri në dukje infrastrukturën e kësaj Qendre Shëndetësore, e cila ka në dispozicion pajisjet e nevojshme që u japin mundësi stafit të shërbejnë siç duhet.

Me të gjitha pajisjet e nevojshme mjekësore dhe staf të kualifikuar dhe të përkushtuar, qendrat shëndetësore verore të shtrira në të gjithë vendin vijojnë të jenë një hallkë e rëndësishme në zinxhirin e reagimit dhe ofrimin e ndihmës së shpejtë për pushuesit dhe turistët e huaj gjatë sezonit turistik.

/m.m//a.f/

The post Koçiu: Në 36 qendrat verore shërbim shëndetësor falas, pa radhë dhe listë pritje për pushuesit vendas e të huaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: 180 trupa të FA-së të angazhuar për shuarjen e zjarreve në Poliçan dhe Finiq

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Mbi 180 trupa të Forcave të Armatosura janë angazhuar në terren për përballjen me situatën e zjarreve.

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur sot se trupat e FA janë në terren përballë flakëve, duke operuar nga toka në Poliçan dhe në bashkinë Finiq, në fshatrat Krongj, Livinë dhe Krane.

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 38 vatra zjarri në territorin e vendit, nga të cilat 14 vijojnë të jenë aktive dhe po ndiqen në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përkatëse.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 68 automjete zjarrfikëse dhe 601 forca operacionale, të ndihmuar nga FA me 183 forca ushtarake, 3 automjete zjarrfikëse dhe 3 helikopterë të FA.

Gjithashtu morën pjesë edhe 2 avionë Canadair nga Kroacia dhe Italia. Në dispozicion sot janë edhe dy helikopterët Black Hawk të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Helikopterët e Forcës Ajrore çeke dhe asaj sllovake kanë operuar sot nga Baza e Kuçovës drejt Gramshit.

/m.m//a.f/

The post MM: 180 trupa të FA-së të angazhuar për shuarjen e zjarreve në Poliçan dhe Finiq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AMP ndalon punonjësin e policisë, pengoi zbardhjen e së vërtetës

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal me karakter ndalues “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndaj një punonjësi policie dhe një shtetasi të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

AMP ka ekzekutuar masat ndaj inspektor E. P., me detyrë trupë shërbimi, oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë dhe shtetasit E. D., banues në Tiranë.

Në vijimësi të hetimeve të thelluara në kuadër të operacionit “Last rent”, ka dyshime se punonjësi i policisë në bashkëpunim me shtetasin e sipërpërmendur, kanë tentuar të fshehin prova materiale lidhur me ndalimin më datë 5 korrik 2025 të punonjësit të policisë E. P., (vëllai i punonjësit E. P.) i dyshuar për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

AMP shprehet se mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave.

/m.m//a.f/

The post AMP ndalon punonjësin e policisë, pengoi zbardhjen e së vërtetës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Proda i akordon “Certifikatë Karriere” Janaq Zarkës, me 41 vite karrierë në Polici

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë u zhvillua sot ceremonia e daljes në pension të kryekomisar Janaq Zarkës, një prej figurave më të respektuara dhe me kontribute të çmuara në strukturat e Policisë së Shtetit.

Pas 41 viteve shërbim, me një karrierë që ka përfshirë sektorë të rëndësishëm si Policia Shkencore, Hetimi i Krimit dhe për shumë vite në Sektorin e Qarkullimit Rrugor, kryekomisar Zarka përmbylli me dinjitet një rrugëtim të gjatë, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar profesionalizmi, ndershmërie dhe përkushtimi.

Për këtë kontribut, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda i dorëzoi Certifikatën e Karrierës, si vlerësim simbolik për dekada shërbimi shembullor.

Në fjalën e tij, Proda vlerësoi 41 vitet e shërbimit me ndershmëri, përgjegjshmëri dhe profesionalizëm.

“Prania e kaq shumë kolegëve, familjarëve dhe miqve sot në këtë sallë është dëshmi se Kryekomisar Janaqi nuk ka ndërtuar vetëm një karrierë, por një trashëgimi vlerash që do të kujtohet. Jam i sigurt se ai do të ishte gati të shërbente edhe 41 vite të tjera, por ky është cikli i jetës. Rëndësi ka që ta përmbyllësh me nder, ashtu siç po bën ti sot. Si Drejtor i Përgjithshëm, e konsideroj një nder të veçantë t’i dorëzoj këtë certifikatë, e cila është vetëm një pikë uji në detin e kontributeve që ke dhënë për Policinë e Shtetit”, u shpreh Proda.

Ndërsa drejtori i DVP Vlorë, Elidon Çela vlerësoi se kryekomisar Janaq Zarka është një nga figurat që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në Policinë e Vlorës.

“I qetë, profesionist dhe i përkushtuar, ai ka qenë për shumë prej nesh një shembull në çdo aspekt, në sjellje, në mënyrën si e ka trajtuar detyrën, por mbi të gjitha në dinjitetin me të cilin e ka përfaqësuar uniformën blu”, shtoi ai.

Në përshëndetjen e tij, kryekomisar Zarka falënderoi drejtuesit dhe kolegët për vlerësimin.

“Policia ka qenë jo vetëm vendi im i punës, por edhe familja ime e dytë. Jam krenar për gjithçka kam dhënë, dhe më shumë për atë që kam mësuar gjatë këtij rrugëtimi”, u shpreh ai.

1 nga 5

/m.m/r.e/

The post Proda i akordon “Certifikatë Karriere” Janaq Zarkës, me 41 vite karrierë në Polici appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kryente manovra të rrezikshme në liqenin e Pogradecit, gjobë dhe sekuestrim i mjetit lundrues

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Shërbimet e Policisë Kufitare të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, bllokuan një mjet lundrues “Jet ski” i cili po kryente manovra të rrezikshme në liqenin e Pogradecit dhe po rrezikonte pushuesit.
Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndëshkuar pronarin e mjetit lundrues, shtetasin A. B. (babai i dy të miturve që drejtonin “Jet ski”-në), me masën administrative 100 000 lekë, për shkelje të ligjit “Për mjetet lundruese”, dhe 10 000 lekë, për shkelje të ligjit “Për aktivitetin e turizmit detar”.
Policia Kufitare u bën thirrje të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për pushuesit, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete.
Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm.
1 nga 2

/m.m/r.e/

The post Kryente manovra të rrezikshme në liqenin e Pogradecit, gjobë dhe sekuestrim i mjetit lundrues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Siguria rrugore, vendosen rreth 4300 masa administrative në qarkun e Vlorës

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Në kuadër të sezonit veror dhe rritjes së ndjeshme të fluksit të automjeteve dhe turistëve vendas e të huaj, strukturat e Policisë Rrugore në të gjithë qarkun e Vlorës janë angazhuar maksimalisht për garantimin e rendit, sigurisë dhe lëvizjes së lirë në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rrugët që të çojnë drejt zonave turistike.

Gjatë 10 ditëve të para të muajit gusht, janë hequr me mjet karroatrec dhjetëra automjete të parkuara gabim, të cilat pengonin qarkullimin dhe rëndonin trafikun, kryesisht në zonat bregdetare dhe në qytetin e Vlorës.

Me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore, Policia Rrugore ka intensifikuar monitorimin e pandërprerë të rrugëve hyrëse dhe dalëse të qyteteve dhe zonave bregdetare.

Po ashtu janë intensifikuar kontrollet ndaj shpejtësisë, parakalimeve të gabuara, drejtimit nën efektin e alkoolit dhe mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugor.

Në këtë kuadër janë vendosur gjithsej 4297 masa administrative, ndër to 1374 masa për shpejtësi tej normave të lejuara; 83 masa për parakalime të gabuara; 39 masa për mosvendosje të rripit të sigurimit; 361 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse gjatë drejtimit të motomjeteve; 13 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 2510 masa për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore e Vlorës dhe Sarandës do të vijojë kontrollet intensive në të gjitha segmentet rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e sigurisë për qytetarët dhe pushuesit.

Policia u bën thirrje drejtuesve të automjeteve të mos parkojnë në vende ku parkimi është i ndaluar, pasi përveç masës administrative, parkimi i gabuar që pengon qarkullimin e mjeteve përbën vepër penale, sipas legjislacionit në fuqi.

/m.m/r.e/

The post Siguria rrugore, vendosen rreth 4300 masa administrative në qarkun e Vlorës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌