Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Rriten helmimet nga alkooli/ Mjekët: Kryesisht të rinjtë, e përziejnë me drogën

Vera shton festat e bashkë me to dhe konsumin e alkoolit.  Abuzimi me sasinë dhe përziera me substanca narkotike ka shtuar  dhe helmimet.

Mjekët në shërbimin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë thonë se janë në fluksin e punës.

“Me rritjen e temperaturave kanë filluar të rriten dhe rastet toksikologjike. Më shumë intoksikacione nga alkooli, së bashku dhe substancat e tjera. Rritet sasia e konsumimit të alkoolit gjithashtu dhe kombinimi me substanca të tjera, lëndë narkotike. Alkooli varjon nga birra, vera dhe kokteilet e ndryshme, të gjitha llojet”, tha mjekja Matilda Kambo.

Pacientët më të shpeshtë që kërkojnë ndihmën e mjekëve toksikologë  janë djem dhe vajza, kryesisht të rinj. Më shumë gjatë fundjavës. Disa prej tyre paraqiten dhe në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Në përgjithësi gjatë fundjavës rastet dhe rriten për shkak dhe të festave që ndodhin dhe në sezonin veror. Raste që vijnë në urgjencë, por duke përmendur këtu dhe rastet që hospitalizohen për shkak të varësive të ndryshme”, shtoi Matilda Kambo.

Mund të vijnë dhe në koma alkoolike. Pra niveli i alkoolit është aq i lartë sa pacienti fillon dhe humbet koshiencën. Duhet të marrë terapi  dhe të dalë nga gjendja. Kryesisht janë të rinj, variojnë moshat 20, 25,  30, 35 vjeç.

Ndërkohë  që  këto kohë temperaturash të larta alkooli  mund të bëhet shkak për  helmime të rënda  mjekët rendisin dhe të tjera  dëmesh që vijnë prej tij.

“Alkooli është drogë si të gjithë drogërat e tjera dhe alkooli dëmton.  Dëmton organizmin, dëmton zemrën, dëmton trurin, na plak, demenca e alkoolit, alkooli nuk ka freskon,  alkooli na dehidron dhe na sëmur”, përfundoi mjekja.

Të shumtë kanë qenë dhe turistët të cilët për shkak të teprimit me alkoolin  kanë kërkuar ndihmë pranë urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë./abcnews.al

Stuhitë e fuqishme dhe përmbytjet përfshijnë Spanjën

Disa zona në Spanjë, përfshirë bregdetin e Katalonjës, Aragonin dhe Castellonin, janë përfshirë nga alarme për stuhi dhe reshje të forta, njofton Associated Press.

Një mesazh paralajmërues u dërgua në telefonat celularë të popullsisë për të paralajmëruar reshjet e rrëmbyeshme.

“Reshjet do të shoqërohen me stuhi, erëra të forta dhe vetëtima. Shmangni udhëtimet këtë pasdite të së shtunës dhe ndiqni të gjitha këshillat”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga agjencia meteorologjike e Katalonjës

Pamjet nga zjarrfikësit e Katalonjës dhe Qeveria e Castellonit në Valencia kanë treguar për rrugë të përmbytura dhe zona të tjera që janë goditur nga shirat e dendur.

Agjencia kombëtare e motit AEMET ka bërë të ditur se ekzistojnë gjasa të larta për përmbytje të menjëhershme në tetë provinca, përfshirë në Huesca, Teruel dhe Zaragoza, si dhe Barcelonë, Girona, Lleida, Tarragona e Castellón.

Alarmi është luhatur mes nivelit të kuq dhe atij portokalli, dhe pritej të çaktivizohej në mbrëmjen e së shtunës, teksa të gjitha shërbimet lokale dhe rajonale të trenave në Katalonjë u pezulluan për disa orë

Ndër të tjera, një njësi e emergjencave në kuadër të Ushtrisë spanjolle u dislokua në qytetin verilindor të Zaragozës, pas stuhive të forta që shkaktuan përmbytje në gjithë provincën.

Pamjet e publikuara nga Njësia e Emergjencave Ushtarake (UME) kanë shfaqur ekipet e ndërhyrjes duke larguar ujin e tepërt dhe duke vendosur barriera rrugore për të parandaluar përmbytje të mëtejshme.

Ekipet lokale të shpëtimit në Zaragoza nuk kanë raportuar për viktima.

Aksidenti i rëndë në autostradën Tiranë–Durrës ku humbi jetën 18-vjeçari, arrestohet i riu në Tiranë

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 19-vjeçar, përgjegjës për aksidentin tragjik që ndodhi ditën e djeshmë në autostradën Tiranë–Durrës, ku për pasojë humbi jetën një 18-vjeçar dhe mbeti i dëmtuar pasagjeri tjetër.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor Tiranë arrestuan shtetasin D. D., 19 vjeç, pasi ditën e djeshme, në autostradën “Tiranë–Durrës”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti  ka humbur jetën pasagjeri, shtetasi E. B., 18 vjeç, banues në Durrës, si dhe janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri tjetër, shtetasi E. Sh., 19 vjeç, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia e Tiranës./abcnews.al

I shpallur në kërkim për kultivim të lëndëve narkotike/ Arrestohet 25-vjeçari në Lezhë

Policia e Lezhës ka arrestuar një 25-vjeçar të shpallur më parë në kërkim për kultivim të lëndënve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.

“Në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, të zhvilluar më datë 25.05.2025, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim:M. B., 25 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, të kryera në bashkëpunim”, njofton policia./abcnews.al

Policia e Shtetit vlerësohet sërish për masat e marra në Giro d’Italia dhe në edicionin e 82-të, të Turit Çiklistik të Shqipërisë

Pas vlerësimit të parë nga RCS Sport & Events, organizatorja ndërkombëtare e Giro d’Italia, Policia e Shtetit ka marrë një tjetër vlerësim të rëndësishëm për angazhimin e saj maksimal dhe profesionalizmin në garantimin e sigurisë gjatë dy eventeve të mëdha sportive: Giro d’Italia dhe Turi i 82-të Çiklistik i Shqipërisë.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, me porosi të Presidentit të Unionit Europian të Çiklizmit (UEC), Enrico Della Casa, dhe Presidentit të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI), David Lappartient, i dhuroi Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, kaskën e një prej çiklistëve të ekipit Movistar që mori pjesë në Giro d’Italia, si shenjë simbolike mirënjohjeje për punën dhe kontributin e Policisë Shqiptare.

Takimi u zhvillua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku u theksua roli i jashtëzakonshëm i strukturave policore në mbarëvajtjen e të dy garave.

“Është kënaqësi që ndodhem në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe pranë zotit Proda. Ndihem mirë për vlerësimet që janë bërë nga Federata Botërore, si për Giro d’Italia, ashtu edhe për xhiron e Shqipërisë. Një nga komisarët më të rëndësishëm të gjithë gjykimeve që ka bërë në Evropë dhe në Ballkan, më ka thënë dy fjalë në Vlorë që më janë ngulitur në kokë. Kur erdha, tha, për në Shqipëri, më kishin folur jashtëzakonisht, në kuptimin që ky shtet ka probleme, por në organizimin e Policisë së Shtetit është një nga policitë që mund të merren shembull në Ballkan dhe në Evropë. Më e rëndësishmja ishte që nuk pati asnjë rrëzim. Ky është një lloj sporti që ka shumë probleme, me rrezik, dhe u mbyll Giro d’Italia në mënyrë të shkëlqyer. Dhe erdhi qershia mbi tortë: xhiroja e Shqipërisë. Ndaj jemi këtu për të falënderuar Policinë, nga punonjësi më i thjeshtë deri te Drejtori i Përgjithshëm, zoti Proda. Kemi sjellë një kaskë të Giro d’Italia, të një prej çiklistëve të ekipit Movistar, në emër të Presidentit të UCI-së, si një dhuratë për Policinë Shqiptare”, tha Presidenti i Federatës së Çiklizmit, Skënder Anxhaku.

“Faleminderit, vlerësim i madh për Policinë e Shtetit. Jam i nderuar të kem sot në Drejtorinë e Policisë Presidentin e Federatës së Çiklizmit, zotin Anxhaku. E kam thënë edhe më parë: ta shikoje garën, ishte spektakolare, por të shërbeje për të marrë masat e sigurisë që gara të zhvillohej, ishte akoma edhe më spektakolare. Falënderoj për vlerësimin Federatën e Çiklizmit. Është një nder i veçantë dhe siguroj që Policia e Shtetit është e gatshme të ofrojë shërbime sigurie për çdo lloj aktiviteti sportiv në vend, jo vetëm për çiklizmin”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Në përfundim të takimit, Anxhaku i ka dorëzuar zyrtarisht Drejtorit të Përgjithshëm kaskën e çiklistit të ekipit Movistar që mori pjesë në Giro d’Italia, si shenjë vlerësimi në emër të drejtuesve të UEC dhe UCI.

I zhdukur prej gati një muaji/ Familja kërkon ndihmë për gjetjen e 23-vjeçarit: Së fundi ka qenë në Francë

Një 23-vjeçar rezulton i zhdukur prej më shumë se një muaji, ndërsa familjarët kanë bërë kallëzim në Policinë e Memaliajt për ndihmë në gjetjen e tij.

Një grua ka bërë kallëzim në Policinë e Memaliajt, pasi kërkon ndohmë për gjetjen e djalit të saj 23-vjeç. Ajo ka deklaruar se që prej 10 qershorit ka humbur kontaktet me djalin e saj, sipas saj i riu ka qenë së fundmi në Francë, por prej atëherë nuk ka pasur asnjë komunikim me ta.

Policia ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave dhe për gjetjen e të riut./abcnews.al

Korça preferohet edhe për arkeologjinë/ Mijëra turistë vizitojnë Tumën e Kamenicës

Në Korçë sitet arkeologjike po tërheqin gjithnjë e më tepër turistë. Një prej tyre ëshë Tuma e Kamenicës e cila daton prej shekullit të  XII para Krishtit.

Një grup historianësh të antikitetit, mjekësh dhe mësues nga Universiteti i Vjenës dhe Salsburgut kishin planifikur që një vit më parë për ta vizituar. Vizitorët mbetën të befasuar nga jao që panë.

“Punoj në departamentin e antikitetit në universitetin e Salsburgut dhe fokusi im janë arkeologjia nënujore dhe historia e mjekësisë.  Shumë mbresëlënëse, më pëlqeu shumë. Një zonë shumë e rëndësishme këtu dhe nga sa dëgjova ka një lidhje mes vendndodhjes dhe Tumës këtu gjë që është shumë e rrallë.  Është shumë e rëndësishme puna që është bërë këtu jo vetëm në anën e mjekësisë pra është shumë impresionuese. Shqipëria është një vend shumë interesant, jam i lumtur që jam këtu.   Kam qenë vite më parë dhe kam vizituar Butrintin dhe këtë herë kam parë shumë vende historike dhe arkeologjike”, tha një turist.

“Vij nga Vjena dhe jam mësuese e latinishtes ndaj jam shumë e interesuar për arkeologjinë e Ballkanit.  Ne kemi shumë studentë me origjinë nga vendet e Ballkanit si Maqedonia e Veriut, Bosnja si edhe Shqipëria ndaj më shërben të kuptoj më shumë për vendet nga ata vijnë. Mendoj që është shumë interesante dhe keni bërë një punë shumë të mirë në mënyrën sesi e prezantoni historinë tuaj. Mendoj që është ende duke u zhvilluar dhe ajo që i shkrova bashkëshortit tim dje është që jam shumë kurioze sesi do të duket pas 10 vitesh ndaj shpresoj të vijmë pas 10 vitesh për ta pare”, u shpreh një turiste.

“Kemi 2-3 ditë që kemi ndërmarrë këtë tur dhe kemi parë Tiranën dhe Shkodrën. Jemi duke vizituar sitet antike dhe prehistorike dhe ky vend është shumë i pasur. Jam mësuese e latinishtes dhe anglishtes në Vjenë, Austri. Kemi një program shumë të ngjeshur, kemi parë gërmimet e Linit ishte një pamje shumë e bukur në liqen.  Është mahnitëse, kemi qenë më herët në një tur në Bullgari dhe aty kemi parë tuma të ngjashme, çka më kujton disi atë kulturë.   Interesi im kryesor është kultura romake dhe më pëlqeu shumë rruga Egnatia në Elbasan, por mendoj që ky muze këtu është shumë informues, dhe i mbajtur shumë mire”, shtoi një tjetër.

Në Tumën e Kamenicës  ndërtuar në shekullin e 12 para erës së re deri  tani janë zbuluar 400 skelete njerëzore të asaj periudhe dhe rreth 3500 objekte arkeologjike. Ajo përfaqëson monumentin më të madh mortor të zbuluar në Shqipëri./abcnews.al

Aksident në aksin Qafë Mali- Fierz/ Turisti kroat rrëzohet nga motomjeti dhe përfundon në spital

Një aksident ka ndodhur mesditën e kësaj të diele, rreth orës 12:25, në aksin rrugor ” Qafë Mali- Fierz “, ku turisti kroat  D. J., dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit dhe si pasojë motomjeti është rrëzuar. Turisti është dërguar për mjekim në Spitalin e Pukës, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit./abcnews.al

Qytetet marrin “frymë”/ Një javë nga porosia e Ramës, vijon lirimi i hapësirave publike

Nga plazhet tek pallatet. Një javë nga porosia e kryeministrit, hapësirat publike po lirohen nga ndërtimet pa leje. Në Golem të Kavajës, Policia ka ndërhyrë në një hapësirë e përshtatur si biznes nga dy qytetarët, të cilët tashmë akuzohen për Pushtim të Tokës.

Kurse në Tiranë, Policia ka liruar një hapësirë pallatesh e cila prej kohësh ishte kthyer vendparkim automjetesh. Nën hetim është vendosur autori 39-vjeçar në rrugën Medar Shtylla, kurse automjetet e parkuara u hoqën me karrotrec.

Nga ana tjetër, edhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka filluar menjëherë zbatimin e porosisë së kryeministrit Rama për ndërtimet pa leje.

Në një deklaratë zyrtare, institucioni përgjegjës për energjinë paralajmëron se nuk do të pranohet asnjë kërkesë e re për lidhje të energjisë me çdo ndërtesë pa leje apo dhe ato me probleme.

“OSHEE është angazhuar për të forcuar kontrollin dhe për të mos lejuar asnjë lidhje të re me rrjetin elektrik për ndërtimet që nuk përmbushin kriteret ligjore. Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet kërkesave për lidhje të reja, me qëllim që të shmangen çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin. OSHEE nuk do të pranojë kërkesat për lidhje me energji elektrike të ndërtesave pa leje ndërtimi ose që nuk kanë zbatuar kushtet e lejes ndertimit.”

Në kuadër të këtij aksioni, OSHEE ka filluar kontrollet në territor në bashkëpunim me IMT dhe Policinë e strukturat përgjegjëse, pas porosive të kryeministrit kundër ndërtimeve pa leje.

Dy ditë më parë, në një mbledhje me ministra e kryebashkiakë në Durrës, kryeministri Rama si një nga masat për parandalimin e ndërtimeve pa leje, kërkoi ndalimin e furnizimit me energji elektrike dhe ujë për çdo ndërtim pa leje./abcnews.al

 

FIFA “mbulon” Botërorin/ Temperaturat e larta në SHBA ndikuan lojtarët dhe tifozët

Për ndeshjet në fushë dhe tribuna, golat dhe spektaklin nuk mund të thuhet asgjë. Botërori për Klube i kishte të gjitha këto komponentë që e bëjnë futbollin sportin më të dashur në botë.

Por disa zgjedhje të FIFA lenë vend për diskutime. Mbi të gjitha stadiumet e zgjedhur për ndeshjet, shumë prej tyre të krijuar për futbollin amerikan, pra të pambuluar dhe në dorë të kushteve atmosferike. Temperaturat e larta e bënë të skajshme lodhjen e lojtarëve dhe qëndrimin e tifozëve në tribuna, ndërsa disa ndeshje u ndërprenë për shkak të alarmit për stuhi.

Një mësim për FIFA në prag të finaleve të Kupës së Botës 2026 që do të zhvillohet sërish në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

“Çdo kritikë është një burim për ne, për të studiuar dhe analizuar se çfarë mund të bëjmë më mirë. Sigurisht, temperaturat e larta ishin një sfidë. Ndalesat e lojës për freskimin e lojtarëve janë të rëndësishme. Do të shohim se çfarë mund të bëjmë tjetër, por kemi stadiume të mbuluar dhe do t’i përdorim për ndeshjet e vitit të ardhshëm”, tha Xhani Infantino.

Pavarësisht këtyre kritikave, Xhani Infantino e cilësoi Botërorin për Kluve si turneun me më shumë sukses në botë.

“Kemi dëgjuar se ky turne nuk do të funksiononte financiarisht. Që askush nuk do të ishte i interesuar, por deri tani kemi gjeneruar 2.1 miliard dollarë fitime. Kjo do të thotë, një mesatare prej 33 milion dollarë për ndeshje. Asnjë tjetër turne për klube nuk i afrohet kësaj shifre”,  shoi Xhani Infantino.

Presidenti i FIFA hodhi poshtë zërat për ndryshimin e formatit të Botërorit të Klubeve për edicionin e tij të dytë në vitin 2029./abcnews.al

“Shkolla Verore 2025”, kryeministri Rama: Mbi 1000 fëmijë përfshihen në një eksperiencë edukative dhe argëtuese

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale detaje mbi programin “Shkolla Verore 2025”, një iniciativë që ka përfshirë mbi 1000 fëmijë nga klasa e parë deri në të pestën në një eksperiencë edukative dhe argëtuese.

Në aktivitet janë përfshirë 10 shkolla në Tiranë, Kamëz dhe Durrës, ndërsa në zbatimin e programit janë angazhuar 150 profesionistë, mësues, psikologë, oficerë sigurie dhe punonjës socialë si dhe 100 të rinj vullnetarë nga gjimnazet.

Sipas Kryeministrit, programi ka sjellë një gamë të gjerë aktivitetesh si art, zeje, kodim, gjuhë të huaj, sport dhe projekte krijuese, me fokus të veçantë tek pasioni për librin dhe leximi.

“Një eksperiencë edukative dhe argëtuese për më shumë se 1000 fëmijë nga klasa I-V. 10 shkolla pjesëmarrëse në Tiranë, Kamëz dhe Durrës, 150 profesionistë, mësues, psikologë, oficerë sigurie dhe punonjës socialë dhe 100 të rinj vullnetarë nga gjimnazet të angazhuar në këtë projekt. Programi solli art, zeje, kodim, gjuhë të huaj, sport, projekte dhe mbi të gjitha pasion për librin”, ka shkruar kryeministri.

/abcnews.al

 

Pushimet verore të shqiptarëve/ Preferojnë t’i kalojnë në Greqi dhe Turqi, emigrantët zgjedhin jugun

Turqia dhe Greqia qëndrojnë në krye të listës së shqiptarëve që duan të kalojnë pushimet e verës jashtë vendit. Një gjë të tillë e konfirmojnë operatorët turistikë, pasi kërkesat për këto dy vende kanë qenë të larta.

“Greqia për shkak se është afër ofron plazhe shumë të bukura dhe ke mundësi të zgjedhësh nga apartamentet deri tek vilat luksoze. Gjithashtu Turqia të ofron se i ke të gjitha të përfshira dhe nuk e ke mendjen më se çfarë do shpenzosh më pak”, tha operatorja turistike Fjorida Zani.

Për një përvojë ndryshe jashtë vendit të kërkuara janë gjithashtu edhe destinacione të tjera evropiane deri tek vendet më të largëta.

“Dhe pastaj është edhe Spanja shumë e kërkuar. Edhe Italia ka pasur goxha kërkesa sidomos Sicilia sepse ka fluturime direkt dhe çmimet janë të lira. Vendet e largëta, Zanzibari, Maldivet që më shumë i kërkojnë çiftet. Minimalisht shkojnë 1500 dhe 2 mijë euro personi. Dubai ka dy linja direkte dhe shqiptarët po e zgjedhin. Kemi shqiptarë që shkojnë me grupe pothuajse çdo javë”, shtoi operatorja turistike.

Dy muajt më të nxehtë të verës janë më të preferuarit nga shqiptarët për të pushuar.

“Piku është korriku dhe gushti, por edhe shtatori nuk mbetet pas sepse ka goxha, klima është e mirë. Çmimet janë më të lira në disa destinacione dhe ka shumë kërkesa sidomos nga mosha e tretë”, tha Fjorida Zani.

Sa i përket rezervimeve brenda vendit, emigrantët shqiptarë që kthehen në atdhe preferojnë bregdetin e Jonit.

“Fillojnë nga Vlora në Sarandë që janë kërkesat e emigrantëve shqiptarë për të vizituar Shqipërinë, kryesisht për plazh. Por ka edhe nga ata që zgjedhin malin, Thethin apo Luginën e Valbonës për një fundjavë”, përfundoi Fjorida Zani.

Numri i shqiptarëve që udhëtojnë ka ardhur duke u rritur vitet e fundit, ndërsa rekordi u thye vitin e kaluar mbi 4.4 milion udhëtime brenda dhe jashtë vendit, pjesa më e madhe e tyre me qëllim për të pushuar.

/abcnews.al

Botërori i jep trofeun, Chelsea-Paris PS është finalja e madhe e klubeve në SHBA

Ja mbërritëm edhe këtij fundi.

Kupa e Botës për Klubet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të luajë sot aktin e saj të mbramë, pikërisht finalen e madhe mes Çelsit e Paris SG.

Këto dolën skuadrat më të denja për trofeun, ndonëse Blutë e Londrës patën një rrugë më të thjeshtë përballë Benfikës, Fluminenses e Palmeirasit, ndërsa parizienët u desh të përplaseshin që në grup me Atletikon e Madridit, pastaj me Bajernin e Realin në fazën më eliminim direkt.

Kush do t’ia dalë sot në orën 21:00 stadiumin “Metlajf” në Nju Xhersi?

Parashikimet thonë PSG, ndonëse historia e futbollit bën thirrje për kujdes, dhe se asnjëherë nuk i dihet.

Një lajm shumë i mirë për londinezët ishte që Moises Kaisedo u kthye në stërvitje 72 orë përpara finales.

Po flasim për mesfushorin më të mirë të ekipit, që u dëmtua ndaj Fluminenses.

Pritet që edhe mesfushori tjetër, Romeo Lavia, të ketë shanse për të luajtur, ndonëse kjo ende nuk është 100 për qind e sigurt, ndërsa Badiashile nuk besohet se përgjigjet në apel.

Trajneri Enzo Mareska duhet të vendosë nëse do ta ketë sërish në formacion brazilianin e ri, Zhoao Pedro, që shënoi ndaj Fluminenses, apo do ta ulë në stol për Liam Delapin, që ishte i pezulluar në gjysmëfinale kundër Palmeirasit.

Bashkë me të kthehet nga pezullimi edhe Koluill. Mungesa ka dhe këto janë tre: Madueke, Gitens dhe Estevao.

Edhe kampionët e Europës kanë minuse. Mbrojtësit Uilliam Paço dhe Lykas Ernandez janë të pezulluar për të dytën ndeshje pasi morën të kuq ndaj Bajernit.

Usman Dembele të paktën është në gjendje për lojë, pasi ishte në fushë 60 minuta kundër Realit, edhe pse mori goditje kundër bavarezëve.

Trajneri Luis Enrike tregon se me çfarë filozofie do të luhet finalja.

“Bravo, bravo. Ne e përfunduam sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne kemi një ekip me 11 yje. Ky është futbolli. Pra 11 yje. Ne nuk duam vetëm një yll, ne duam 11. Kaq kemi në këtë moment. Madje, unë do të thoja 13, 14 apo 15. Ky është grupi që kemi. Ky ishte premtimi që I bëmë klubit, që ne do të kishim 11 apo 15 yje. Pra ylli kryesor është skuadra, dhe tifozët tanë e kuptojnë këtë. Edhe tek tifozët nuk ka një yll të vetëm, që të gjithë ata janë yje. Ata na mbështesin së bashku. Këtë gjë e kemi kërkuar dhe e kemi realizuar që nga dita e parë që kam ardhur në Paris, dhe kjo përfaqëson klubin tonë”, tha Luis Enrike.

Dy ekipet kanë luajtur 8 ndeshje gjithsej, me 3 fitore të PSG-së, tre barazime dhe dy fitore të anglezëve.

Në katër sfidat e fundit, Çelsi nuk ka mundur të arrijë asnjë sukses./abcnews.al

 

Presidenti Begaj takohet në Ohër me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti: Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, faktor shtetformues

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shpërndarë një mesazh në platformën “X”, ku shpreh kënaqësinë për takimin në Ohër me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Në deklaratën e tij, kreu i shtetit thekson rolin vendimtar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si faktor shtetformues dhe kontribuues të rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të vendit.

“Me Ali Ahmetin është gjithmonë kënaqësi të takohesh e të ndash mendime. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor vendimtar shtetformues dhe mbështetës të palëkundur të rrugës Euroatlantike të vendit, duke dëshmuar ngahera përkushtim ndaj paqes, stabilitetit, bashkëjetesës dhe vlerave demokratike”, ka shkruar Presidenti Begaj.

Me Ali Ahmetin është gjithmonë kënaqësi të takohesh e të ndash mendime.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor vendimtar shtetformues dhe mbështetës të palëkundur të rrugës Euroatlantike të vendit, duke dëshmuar ngahera përkushtim ndaj paqes, stabilitetit, bashkëjetesës… pic.twitter.com/zxUJEDpdCX

— Bajram Begaj (@BajramBegajAL) July 13, 2025

24 të vrarë pranë një pike ndihmash në Gaza

Spitali Nasser në jug të Gazës ka raportuar se 24 persona janë vrarë pranë një pike shpërndarjeje ndihmash humanitare. Sipas dëshmitarëve palestinezë që ndodheshin në vendngjarje, forcat izraelite hapën zjarr ndaj civilëve që po përpiqeshin të siguronin ushqim të shtunën.

Nga ana tjetër, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë deklaruar se nuk ka të dhëna për persona të plagosur nga ana e tyre në atë zonë. Një zyrtar ushtarak izraelit tha se ka pasur të shtëna paralajmëruese për të shpërndarë turmën, e cila sipas IDF-së, përbënte një kërcënim.

As pretendimet e dëshmitarëve palestinezë dhe as deklaratat e ushtrisë izraelite nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. Izraeli nuk lejon hyrjen e mediave ndërkombëtare, përfshirë BBC-në, në Rripin e Gazës.

Pamjet që BBC ka parë më vonë gjatë së shtunës tregojnë disa trupa të mbuluar me çanta plastike në oborrin e spitalit Nasser, të rrethuar nga infermierë dhe njerëz me rroba të përgjakura. Në një tjetër video, një burrë tregon se njerëzit po prisnin për ndihma kur u qëlluan për rreth pesë minuta. Një punonjës i emergjencës akuzoi forcat izraelite për “vrasje me gjakftohtësi”.

Agjencia e lajmeve Reuters tha se ka folur me dëshmitarë që përshkruan njerëz të qëlluar në kokë dhe në pjesën e sipërme të trupit.

Një plumb që e ndryshoi përgjithmonë! Donald Trump, një vit pas atentatit: Më forcoi! Ishte dora e Zotit!

Një vit pas atentatit të 13 korrikut 2024 në Butler, Pennsylvania, që i mori jetën një mbështetësi dhe e la të plagosur vetë Donald Trump, Presidentin e SHBA-ve vazhdon ta përshkruajë atë ngjarje si një moment që ndryshoi jo vetëm fushatën, por edhe vetë atë si lider politik dhe si njeri.

Në momentin kur plumbi i atentatorit kaloi centimetra pranë kokës së tij, Trump ishte duke parë një grafik mbi emigracionin, i vendosur në anën tjetër të skenës. Ky kthim koke i shpëtoi jetën, dhe shumë nga ndjekësit e tij e konsideruan këtë “dorë të Zotit”.

“Ndodhi një bashkësi rrethanash që shmangu tragjedinë. Ai flet gjithmonë për ndërhyrje hyjnore,” deklaroi drejtori i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Steven Cheung.

Atentatori 20-vjeçar, Thomas Matthew Crooks, u qëllua për vdekje nga shërbimi sekret në vendngjarje. Përveç Trumpit, nga të shtënat humbi jetën edhe një qytetar, Corey Comperatore, dhe u plagosën dy persona të tjerë. Ngjarja tronditi skenën politike amerikane dhe u pa si një pikë kthese në fushatën zgjedhore presidenciale të vitit 2024.

Vetëm dy ditë pas atentatit, Trump u rikthye në skenën politike, duke u shfaqur në Konventën Republikane në Milëaukee, në një hyrje spektakolare që simbolizonte rikthimin e tij si një “kampion” i papërkulur. Që nga ajo ditë, retorika e tij ka përfshirë gjithnjë e më shumë referenca fetare dhe misionare. Ai ka përshkruar shpëtimin nga vdekja si një thirrje hyjnore për të “shpëtuar Amerikën”.

“Nuk dua të them se ishte vetëm rastësi. Më pëlqen të besoj se ishte Zoti. Ai po na shikon,” deklaroi Trump në një intervistë, duke shtuar se përvoja e ka forcuar shpirtërisht dhe politikisht: “Ndryshoi diçka brenda meje. E ndjej veten më të fortë.”

Pas atentatit, siguria në tubimet e tij u përforcua ndjeshëm, ndërsa për disa javë ato u mbajtën në ambiente të mbyllura. Më vonë, me vendosjen e barrierave të blinduara, Trump rifilloi mitingjet karakteristike, edhe pse u duk herë pas here i ndjeshëm ndaj lëvizjeve të papritura nga audienca.

Ngjarja në Butler u përdor nga përkrahësit për të theksuar një dimension “mistik” të lidershipit të tij. Ndër ta, edhe Elon Musk, i cili e mbështeti hapur vetëm një ditë pas atentatit dhe u shfaq krah tij në një tubim tre muaj më vonë.

Pavarësisht momenteve ku u përpoq të promovonte unitetin kombëtar, Trump shpejt iu rikthye sulmeve të ashpra ndaj kundërshtarëve, sidomos Joe Biden dhe Kamala Harris. Megjithatë, bashkëpunëtorët e afërt thonë se ajo që mbeti nga 13 korriku ishte një ndjenjë më e thellë misioni.

“Pas atij momenti, ai e ndjeu edhe më fort përgjegjësinë për të punuar në emër të popullit,” u shpreh Steven Cheung. “Misioni i tij mori një rëndësi edhe më të madhe.”/abcnews.al

EMRI/ Mashtroi babain duke inskenuar rrëmbimin e vet për të përfituar para, arrestohet 28-vjeçari në Kavajë

Lubjan Camema, 28 vjeç, është vënë në prangat e policisë së Kavajës, pasi mashtroi babain e tij duke inskenuar rrëmbimin e vet për të përfituar para. Në pranga u vu edhe bashkëpunëtori i tij, 45-vjeçarin Bernard Kiptiu, i cili do të merrte shumën e kërkuar.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasit L. C., 28 vjeç, banues në Kavajë, dhe B. K., 45 vjeç, banues në Durrës. Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi L. C. kishte mashtruar babain e tij, shtetasin B. C., duke i thënë se ishte rrëmbyer dhe se për lirimin e tij kërkohej një shumë eurosh. Rreth 100 metra larg vendit të ngjarjes, shërbimet e Policisë gjetën edhe 28-vjeçarin, i cili u arrestua në flagrancë, pasi rezultoi se kishte inskenuar ngjarjen dhe dy ditë më parë i kishte marrë automjetin babait të tij, dhe dyshohet se e ka shitur”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kavajë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim./abcnews.al

❌