TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Në Vorë prej orësh dhjetëra forca zjarrfikëse, punonjës të Emergjencave Civile vendore, Policisë së Shtetit dhe helikopterë të Forcave të Armatosura po përballen me flakët në një terren të thyer, duke mbrojtur banesat dhe pyjet.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ishte pranë forcave operacionale në zonë ku në koordim mes tyre trupat e policisë, ushtrisë dhe emergjencave po punojnë për fikjen e zjarrit.
Hoxha u shpreh se flakët janë zjarrvënie e qëllimshme. Ato kanë nisur në Shijak dhe kanë marrë kodrat mes Vorës dhe Shijakut.
Hoxha informoi se 2 helikopterë po punojnë shumë fort për të marrë masa për shuarjen e menjëhershme te zjarrit.
Sipas tij, flakët kanë 24 orë që vazhdojnë dhe janë evakuuar të gjithë banorët.
Ministri garantoi se janë marrë të gjitha masat që së bashku, policia, ushtria dhe forcat e mbrojtjes civile të 3 bashkive Kamzë, Vorë dhe Tiranë të vendosin nën kontroll vatrën.
TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Në fshatin Kalasë, Delvinë, situata paraqitet serioze për shkak të përhapjes së zjarrit nga era e fuqishme pranë zonës së banuar.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi pasditen e sotme se në aksion për izolimin dhe shuarjen e flakëve janë angazhuar zjarrfikësit e Delvinës dhe Sarandës, efektivët e Forcave të Armatosura, zjarrfikës nga Baza e Mbështetjes së Emergjencave Civile dhe një helikopter Black Hawk.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhe kryetari i Bashkisë Delvinë Besmir Veli ndodhen në terren, ku po ndjekin nga afër operacionin në mbështetje të banorëve dhe përpjekjet për minimizimin e rrezikut për jetën e qytetarëve.
TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Enkileda Carja ka arritur rezultate mbresëlënëse në Kampionatin Europian për 17-vjeçarët që po zhvillohet në Madrid, duke u shpallur kampione e trefishtë e Europës dhe duke thyer tre rekorde europiane gjatë garës.
Kryeministri Edi Rama përcolli pamje nga ceremonia e ndarjes së medaljeve në kampionat ku luhet himni shqiptar, ndërsa përcolli urimet për kampionen e re.
“Peshëngritësja e talentuar Enkileda Carja fiton medaljen e artë në Kampionatin Europian të Peshëngritjes për të Rinj, që po zhvillohet në Madrid, duke thyer 3 rekorde europiane për të rinj, në peshën 63 kg”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Me një kombinim prej 204 kilogramësh, Enkileda Carja fitoi 3 medalje ari dhe la pas të gjitha rivalet, duke e ngjitur flamurin kuqezi në majën e podiumit në Madrid.
Peshëngritja shqiptare ka nxjerrë ndër vite talente duke shënuar suksese në arenën ndërkombëtare.
TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Prishi qetësinë publike duke vënë muzikë mbi normat e lejuara, në një beach bar në Dhërmi, gjobitet me 200 000 lekë administratori i subjektit.
Në kuadër të masave të shtuara për ruajtjen e qetësisë publike dhe për mbrojtjen nga ndotja akustike në zonat turistike, strukturat e DVP Vlorë kanë intensifikuar në gjithë qarkun, monitorimet në subjektet që zhvillojnë veprimtari me muzikë të lartë.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi, gjatë kontrollit të ushtruar dje në një beach bar, në Dhërmi, konstatuan se niveli i muzikës i tejkalonte kufijtë e lejuar me ligj. Në përfundim, ndaj administratorit të këtij subjekti, shtetasit E. P., u vendos masë administrative me vlerë 200 000 lekë.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë i bën thirrje të gjithë personave fizikë dhe juridikë që të respektojnë nivelin dhe orarin e lejuar për muzikën që gjenerojnë nga aktivitetet në subjektet e tyre.
TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Situata me zjarret në vend ka angazhuar edhe punonjësit e mbështetjes të cilët po iu gjenden pranë qytetarëve që kanë nevojë.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se për shkak të zjarrit të rënë në zonën e Markatës, Konispol, ditën e djeshme, përveç ndërhyrjes për fikjen e flakëve, mjekët dhe infermierët ushtarakë të Batalionit të Mbështetjes ishin në terren për t’u gjendur pranë qytetarëve që kishin nevojë për ndihmë mjekësore.
“Përkushtimi i tyre është një shembull i mbështetjes gjithëpërfshirëse që Forcat e Armatosura ofrojnë në situata emergjente”, thuhet në njoftimin e MM që përcolli edhe momente nga puna e këtyre punonjësve në ndihmë të banorëve.
Një vatër e madhe zjarri u aktivizua gjatë ditës së djeshme në fshatin Markat, në Bashkinë Konispol, duke shkaktuar djegien e një banese dhe duke rrezikuar seriozisht të tjera objekte të banuara në zonë.
PRISHTINË, 27 korrik/ATSH/ Dy përpjekjet e fundit të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës gjatë ditës së shtunë, 26.07, dështuan, duke shënuar kështu plot 54 tentime pa rezultat. Shkaku: mungesa e konsensusit politik. Tani është mbyllur afati 30-ditor që Gjykata Kushtetuese u kishte dhënëafat deputetëve për ta përmbyllur çështjen e konstituimit të Kuvendit. Deputetët nuk do të mund të mblidhen më dhe as të marrin ndonjë vendim deri më datën 08 gusht 2025, kur Gjykata Kushtetuese caktoi masën e përkohshme deri në një vendim përfundimtar të saj.
Gjykata Kushtetuese pritet të sqarojë se cilat do të jenë pasojat juridike për deputetët e zgjedhur në zgjedhjet parlamentare të nëntë shkurtit të këtij viti.
Fati i themelimit të institucioneve të reja i paqartë
Lëvizja Vetëvendosje, që doli partia e parë në zgjedhje me 48 mandate, këmbëngulte me kandidaten e saj për kryetare Kuvendi, Albulena Haxhiu, emër ky i papranueshëm për partitë tjera politike opozitare të deritashme, PDK, LDK, AAK dhe një pjesë e pakicave, përfshirë edhe listën Srpska.
“Atë që nuk ua dhanë qytetarët përmes votës, po tentojnë ta grabisin përmes këtyre manovrave”, tha Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje, duke akuzuar partitë e deritashme opozitare si bllokuese të konstituimit të Kuvendit.
”Me keqardhje, deri në orët e fundit, pavarësisht përpjekjeve, shtysës tonë të krijohen institucionet, s’patëm sukses. E pamë që deputetët e opozitës sërish refuzuan të kryejnë obligimin e tyre kushtetues, që të votojnë. Nuk u është dhënë shansi deputetëve përmes votimit të fshehtë të krijoheshin institucionet e vendit”, u shpreh Murati.
Akuza për Vetëvendosjen
Kryetari i partisë së dytë, Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, Memli Krasniqi, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje si bllokuese të procesit, tha se “Kosova tani nuk ka më një shtet funksional.
“Asnjë tentim për zgjidhje, asnjë reflektim për pasojat, asnjë empati për qytetarët. Përkundër këshillës së qartë të Kushtetueses për kompromis dhe mirëbesim, kryeneçësia e Albin Kurtit dhe e partisë së tij ka qenë më e madhe sesa përgjegjësia e kërkuar. Më e madhe edhe se shteti e demokracia dhe për fat të keq Kosova sot po ecën në një tokë të panjohur, në një terren të rrezikshëm kushtetues, institucional dhe shoqëror. Në një zonë gri, ku shteti s’ka më busull e qytetarët s’kanë adresë të qartë”, tha Krasniqi.
Edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, Lumir Abdixhiku, akuzoi kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, duke e cilësuar atë si njeri që nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Unë dhe LDK-ja e kemi shumë të qartë. Albin Kurtit duhet t’i thuhet: respekto vendimin e Gjykatës Kushtetuese që të garanton qartë jo vetëm të drejtën, por edhe përgjegjësinë për të krijuar shumicë. Albin Kurtit duhet t’i thuhet: respekto vendimin e prerë të Gjykatës Supreme që të ndalon ty, ministrat e tu dhe të gjithë kabinetin të jeni në të njëjtën kohë deputetë dhe anëtarë të qeverisë. Je uzurpator i institucioneve të shtetit tash me vendim të Gjykatës Supreme dhe po qëndron aty vetëm e vetëm sepse ky vend ende nuk është i pjekur që të ketë një prokurori dhe një polici që ia ndalon të bëjë një gjë të tillë”, tha Abdixhiku.
Ambasadori gjerman: Klasa politike po dështon përballë qytetarëve
Që nga 15 prilli, kur nisën tentimet e deputetëve për konstituim të Kuvendit dhe dështonin radhazi, organizatat joqeveritare dhe ato të shoqërisë civile u kanë bërë thirrje vazhdimisht deputetëve që t’i formojnë institucionet e reja. Këtyre thirrjeve iu bashkuan edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe diplomat të BE-së. Madje në seancën e së premtes ata ishin brenda sallës së Kuvendit, duke shpresuar që deputetët ta vënë përpara interesin për shtetin, e jo për partitë politike.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha se “Kosovës i duhet një Kuvend menjëherë”, duke theksuar nevojën pastaj “për një qeveri të re që do t’i forconte marrëdhëniet me Brukselin. Një qeveri e re që do ta ndërtojë një urë të re dhe të fortë mes Kosovës dhe BE-së”, deklaroi Orav. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, i cili vlerësoi se “klasa politike po dështon përballë qytetarëve”.
“Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurtdhe tani janë bërë gati gjashtë muaj. Është fatkeqësi që Kuvendi nuk po konstituohet”, tha Rohde.
“Ky është një karton i kuq për klasën politike”, vuri në dukje ambasadori gjerman. Edhe ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, u bëri thirrje politikanëve të Kosovës “që të bashkohen dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokadës”.
“Kosova po hyn në territor të panjohur dhe shtetasit e saj vazhdojnë të humbin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, tha Hargreaves.
Dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës
Gjykata Kushtetuese, pasi vendosi masën e përkohshme, tha se “nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”.
Presidentja Vjosa Osmani, nga ana e saj më 22 korrik, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me dy kërkesa: që të sqaronte se cilat janë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik dhe që Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme ndaj afatit 30-ditor, deri në nxjerrjen e një aktvendimi sa i përket kërkesës për pasojat juridike. Paqartësia për pasojat juridike vazhdon, ndërsa, deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, Kosova nuk do të ketë institucione të reja. /DW/
TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare vijojnë monitorimin intensiv me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë detare.
Gjatë kësaj jave janë intensifikuar monitorimet dhe kontrollet dhe si rezultat nga Ksamili në Koman.
Policia Kufitare në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, në kuadër të operacionit “Siguria Detare”, po kryen monitorime dhe kontrolle intensive në hapësirën detare nga Ksamili në Velipojë, si dhe në hapësirat liqenore dhe lumore, me qëllim evidentimin e shkelësve të rregullave të lundrimit, të perimetrit të sigurisë, apo të përdorimit të mjeteve lundruese pa dokumentacion përkatës.
Gjatë monitorimeve janë kontrolluar 452 mjete lundruese, nga të cilat 33 janë bllokuar për shkelje të perimetrit të sigurisë detare, ushtrim aktivitetesh jashtë zonave të miratuara dhe pa dokumentacion përkatës.
Mjetet e bllokuara janë 19 jet ski, 8 skafe, 3 gomone dhe 3 varka metalike me motor uji të instaluar.
8 mjete lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative 100,000 lekë secili.
Ndërkohë, nga Ksamili në Velipojë, Policia Kufitare ka ndërhyrë në 4 raste për t’u ardhur në ndihmë 9 shtetasve, të cilët ndodheshin në rrezik për shkak të dallgëve të forta apo defekteve në mjetet e tyre lundruese.
Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave për përdorimin e mjeteve lundruese, që të mos shkelin perimetrin e sigurisë, të lundrojnë vetëm në zonat e lejuara dhe të jenë të pajisur me mjetet e shpëtimit.
Policia e Shtetit fton qytetarët dhe pushuesit të denoncojnë çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë detare apo të masave të sigurisë, në numrin pa pagesë 112, duke u garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete ndaj çdo shkelësi.
TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj pezullimit nga detyra të efektivit të Policisë së Shtetit Dibër, që jashtë shërbimit ka marrë pjesë në një konflikt të shëmtuar fizik në Vlorë.
Rama e cilësoi pezullimin vetëm si masën e parë që duhet të pasohet nga përjashtimi i këtij individi pa kthim në radhët e policisë, si edhe nga dorëzimi i tij në duart e drejtësisë sapo të dalë nga spitali.
“Ndërkohë në pakon e masave të reja të reformës së kontrollit të territorit, janë përshirë edhe rritje të peshës së përgjegjësisë para ligjit të të gjithë punonjësve të shtetit që operojnë në kontakt më komunitetet e me qytetarët, të cilëve nuk do t’u tolerohen shkeljet e asnjë natyre që cenojnë komunitetin apo qytetarin, qoftë gjatë orëve të shërbimit qoftë jashtë orëve të shërbimit”, theksoi Rama.
Kryeministri dha si shembull faktin që çdo punonjës i shtetit që zotëron një ngrehinë pa leje për qëllim fitimi apo që shfrytëzon një hapësirë publike për të nxjerrë fitim (përveç ndëshkimeve të njëjta për të gjithë) do të ndiqet penalisht dhe do të përjashtohet nga detyra pa të drejtë kthimi në një punë në sektorin shtetëror për një numër të konsiderueshëm vitesh.
TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Në të gjithë vendin po vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike nga tavolinat dhe karriget që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në qytetin e Tiranës. “Këto janë pamje nga çdo lagje të Tiranës, vazhdojmë”, shkroi Rama krahas fotove.
Lirimi i hapësirave publike shihet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.
Gjatë gjithë muajit korrik por edhe më tej, lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të komuniteteve.
TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Situata e zjarreve në vend po stabilizohet dhe po vijojnë përpjekjet për shuarjen e plotë të flakëve, falë angazhimit maksimal të koordinuar të mbi 2000 forcave operacionale, përfshirë FA, MZSH, Strukturat e Emergjencave Civile Lokale, Policinë e Shtetit, bashkitë dhe vullnetarët.
Mbi 20 vatra zjarri janë shuar plotësisht ose izoluar me sukses, ndërkohë që operacionet ajrore kanë qenë vendimtare në zona të paarritshme, nga veriu në jug, që nga Lura deri në Konispol, ku dje u izolua me sukses një vatër zjarri, falë ndërhyrjes ajrore.
Gjithashtu në Himarë angazhimi ka qenë maksimal me forca nga terreni dhe helikopter.
Ndërsa në Tiranë është izoluar vatra e Ibës dhe po punohet në Bërzhitë dhe në Mullet, ku situata është nën kontroll.
Falë bashkëpunimit efektiv ndërinstitucional, situata paraqitet e tillë për secilin qark:
Qarku Fier – Fratar, Mallakastër: Izolim dhe shuarje e plotë e zjarrit. Forca të angazhuara: 9 zjarrfikës, 1 mjet zjarrfikëse + 1 fuoristradë, 7 forca të policisë bashkiake.
Qarku Vlorë – Selenicë: Zjarri mbi fshatin Ploç u shua pas ndërhyrjes tokësore dhe ajrore (2 avionë Canadair).
Qarku Berat – Konisbaltë, Dimal: Vatra nën kontroll me mbështetje nga FA dhe një helikopter hungarez.
Qarku Berat – Galinë dhe Vërzhezhë: Situata e stabilizuar dhe në monitorim pas ndërhyrjes së MZSH dhe vullnetarëve.
Qarku Tiranë – Ibë, Kakunj, Baldushk dhe Sharrë, Vaqarr: Të gjitha vatrat e shuara dhe nën kontroll.
Qarku Gjirokastër – Levan, Krahës (Memaliaj): Zjarr i fikur, nën monitorim.
Qarku Korçë – Strelcë (Maliq) dhe Grace (Devoll): Vatrat e fikura dhe në mbikëqyrje.
Qarku Kukës – Dragobi (Gryka e Motinës): Vatra e mbajtur në monitorim nga AdZM.
afë Buall – Bulqizë: Evakuim i suksesshëm i 6 banesave, ndërhyrje ajrore dhe tokësore që shmangu rrezikun e zonës urbane.
Maja e Paliskës – Vlorë: Zjarri i rënë në fillim të korrikut është reduktuar në nivel minimal (tymi nga trungjet), në monitorim.
Devoll – Qeramica & Strelcë: Vatra u neutralizuan në kohë dhe u shmang përhapja.
Korçë – Dishnicë: Përkundër intensitetit të zjarrit u neutralizua pjesërisht me një forcë të kombinuar prej 435 efektivësh.
Selenicë – Ulëz, Mat dhe Zall Gjoçaj: Vatra të stabilizuara dhe në proces izolimi.
Dropull – Goranzi: Zjarr i lokalizuar në varrezat e fshatit, i fikur brenda orës.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan:.65 automjete zjarrfikëse, 1350 forca operacionale.
Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë 5 automjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë nga Forcat e Armatosura, 2 helikopterë hungarezë, si dhe 2 helikopter Canadair të ofruar nga Mekanizimi i Mbrojtjes Civile Evropiane kroat dhe italian, që operuan në zonën e Vlorës.
TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, një avion zjarrfikës Canadair është nisur nga Italia dhe do të angazhohet në operacionet ajrore për shuarjen e flakëve në jug të vendit, në zonat Borsh, Piqeras dhe Lukovë.
Ky mjet ajror do të forcojë ndërhyrjet në terrene të vështira dhe të paarritshme nga toka, duke dhënë ndihmë në përballimin e situatës së zjarreve që kanë përfshirë këto zona.
Ndërkohë, helikopterët e Forcës Ajrore do të angazhohen pranë fshatit Zhulat, në rajonin e Gjirokastrës, si dhe në zonën e Qafëbuallit, pranë Bulqizës.
Në Borsh, Piqeras dhe Sasaj rinisi mëngjesin e sotëm aksioni nga ajri me dy helikopterë të Forcës Ajror për të neutralizuar zjarret që kanë kërcënuar banesat dhe bizneset e zonës për shkak të erës së fortë që favorizoi përhapjen e shpejtë të flakëve gjatë orëve të para të mëngjesit.
Pak orë më vonë, MM njoftoi se vatrat në këtë zonë u stabilizuan ndërsa vijon monitorimi në terren për të shmangur situatat e mundshme.
TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Rreth 75 forca të ndara në tre grupe, nga shërbimi zjarrfikës i bashkisë Pustec, punonjës të shërbimeve publike, stafi i agjencisë rajonale të zonave të mbrojtura, ushtrise dhe policisë, kanë filluar që në orën 5:00 ndërhyrjen e organizuar nga drejtuesi i operacionit për izolimin dhe neutralizimin e sipërfaqes së prekur nga zjarri në Parkun Kombëtar të Prespës.
Në një pasqyrim të situatës së zjarreve në qarkun e Korçës, prefekti Nertil Jole bëri të ditur se vijon puna për vënien në kontroll të flakëve.
“Terreni i sipërfaqes ku ka prezencë të vatrave të zjarrit është shumë i thepisur dhe krijon vështirësi, por forcat janë të angazhuara në më të mirën e mundësive të tyre për të evituar rrezikun e shtrirjes së zjarrit në pjesë të paprekura të kurorës së gjelbër”, u shpreh Jole.
TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama shprehu mëngjesin e sotëm falënderimin me respekt për çdo efektiv të Forcave të Armatosura e të Policisë së Shtetit si edhe zjarrfikës, forca të Urgjencës Kombëtare e të Emergjencave Civile, të cilën janë në gatishmëri në këtë kohë të vështirë zjarresh në gjithë Europën Mesdhetare
Trupat e policisë, ushtrisë e emergjencave po përballen me flakët në një betejë të përditshme për vendosjen nën kontroll të vatrave të zjarrit, nxitur nga temperaturat e larta të javëve të fundit.
Rama falënderoi po ashtu, me një veçim plot admirim për shefin e policisë së Delvinës, Agim Troci që shpëtoi jetë duke rrezikuar të tijën.
Dita e djeshme ishte me situatë të vështirë ndërsa u raportuan 36 vatra zjarri vetëm gjatë 24 orëve, ku janë shuar 12 dhe 24 mbeten aktive. Tre qarqe janë problematike: Vlorë, Berat dhe Dibër. Aktive në misione edhe baza e helikopterëve të Farkës.
Sot kanë rinisur që në mëngjes herët përpjekjen për neutralizimin e flakëve.
TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Dita e parë e Porto Palermo Festival nisi përtej skenës, me një akt simbolik por shumë domethënës: pastrimin e zonës përreth kalasë dhe detit nga mbi 150 vullnetarë e zhytës të përkushtuar.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja solli në rrjetet sociale momente nga ky aksion pastrimi, duke u shprehur se shembujt që zgjojnë ndërgjegjen kolektive dhe kujdesin për natyrën meritojnë vëmendje të veçantë.
“Pastrimi i detit dhe i zonës përreth nuk është vetëm një punë fizike, por një akt ndërgjegjësimi, një mesazh dashurie për natyrën dhe një premtim për të ardhmen”, u shpreh Gonxhja.
Edicioni i 5-të i Porto Palermo Festival sapo ka nisur dhe premton emocione dhe atmosferë për pjesëmarrësit dhe vizitorët.
Ky festival synon, jo vetëm të sjellë artistët më të mirë për të performuar në skenën e vet autentike, por edhe të promovojë turizmin e qëndrueshëm kulturor në Shqipëri.
TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Në Borsh, Piqeras dhe Sasaj ka rinisur aksioni nga ajri me dy helikopterë të Forcës Ajrore për të neutralizuar zjarret që kanë kërcënuar banesat dhe bizneset e zonës për shkak të erës së fortë që favorizoi përhapjen e shpejtë të flakëve gjatë orëve të para të mëngjesit.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi seeksa zjarrëfikësit dhe Forcat e Armatosura të stacionuara në Borsh gjatë natës siguruan perimetra sigurie përreth banesave, Policia e shtetit dhe punonjësit e emergjencave civile ndihmuan banorë dhe pushues të evakuohen nga zonat më të rrezikuara, duke shoqëruar drejt sigurisë 40 prej tyre.
Zjarrfikësit e Himarës dhe Forcat e Armatosura vijojnë operacionin në terren duke bashkërenduar me ekuipazhet e helikopterëve për të eliminuar çdo rrezik.
PRISHTINË, 27 korrik/ATSH/ Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë të ditur se, gjatë 12 orëve të fundit, numri i zjarreve ka rënë ndjeshëm pas pasdites së djeshme, kur tha se “situata me zjarret ishte e rënduar”.
Sipas Agjencisë, tani aktiv është vetëm një zjarr në fshatin Trudë në Komunën e Prishtinës.
Kjo agjenci kishte bërë të ditur dje se, shkaku i temperaturave të larta dhe erërave të forta, në shumë zona të Kosovës ishin përhapur zjarre.
Një zjarrfikës ishte lënduar në Ferizaj gjatë intervenimit për shuarjen e zjarreve.
“Raporti i Qendrës Operative të Agjencisë tregon një rritje në numrin e vatrave të zjarrit, me gjithsej 101 raste të raportuara vetëm në gjashtë orët e fundit. Prej tyre, 48 janë ende aktive, ndërsa 53 janë lokalizuar”, thuhej në njoftimin e djeshëm të Agjencisë.Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjendja është e vështirë dhe kërkon veprim të shpejtë e të bashkërenduar nga të gjitha institucionet.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të mobilizuara për të ofruar ndihmën e nevojshme. FSK-ja është në gjendje gatishmërie të plotë dhe e gatshme të ofrojë mbështetje të menjëhershme në rast se kërkohet nga autoritetet komunale apo ato qendrore për emergjencat civile”, tha Osmani.
Në fshatin Zasellë të Komunës së Mitrovicës, ka pasur edhe intervenim me helikopter nga KFOR-i.
Agjencia u bëri thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre në ambiente të jashtme dhe të lajmërojnë zjarrvëniet në numrat emergjent 112, 193 dhe 192.
Më herët, kjo agjenci kishte thënë se shumica e zjarreve masive në Kosovë shkaktohen nga dora e njeriut.
Ende nuk dihet se sa dëme janë shkaktuar, por më parë gjatë këtij muaji janë publikuar shumë video në rrjete sociale që tregonin se si arat e mbjella me drithëra si grurë kapeshin nga zjarret.
Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), gjatë vitit 2024 në Kosovë ishin regjistruar 94 zjarre, të cilat kishin djegur gjithsej 12.079 hektarë pyje dhe shkurre. /rel/
PRISHTINË, 27 korrik/ATSH/ Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë të ditur se nga shkaku i temperaturave të larta dhe erërave të forta, në disa zona të Kosovës janë përhapur zjarre.
Agjencia njoftoi se një zjarrfikës është lënduar në Ferizaj gjatë intervenimit për shuarjen e zjarreve.
Raportimi i djeshëm i Qendrës Operative të Agjencisë tregon një rritje në numrin e vatrave të zjarrit, me gjithsej 101 raste të raportuara vetëm në gjashtë orët e fundit. Prej tyre, 48 janë ende aktive, ndërsa 53 janë lokalizuar.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjendja është e vështirë dhe kërkon veprim të shpejtë e të bashkërenduar nga të gjitha institucionet.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të mobilizuara për të ofruar ndihmën e nevojshme. FSK-ja është në gjendje gatishmërie të plotë dhe e gatshme të ofrojë mbështetje të menjëhershme në rast se kërkohet nga autoritetet komunale apo ato qendrore për emergjencat civile”, tha Osmani.
Në fshatin Zasellë të Komunës së Mitrovicës, ka pasur edhe intervenim me helikopter nga KFOR-i.
Agjencia u bëri thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre në ambiente të jashtme dhe të lajmërojnë zjarrvëniet në numrat emergjent 112, 193 dhe 192.
Më herët, kjo agjenci kishte thënë se shumica e zjarreve masive në Kosovë shkaktohen nga dora e njeriut.
Edhe pse Agjencia e Menaxhimit Emergjent nuk ka treguar se në cilat zona janë përhapur zjarre, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur për zjarre në disa fshatëra të kësaj komune.
“Kushdo që ka mundësi e që ka pajisje per shuarje të zjarrit, le të ndihmoj në hapësirën Dubravë – Sallagrazhdë – Mushtisht”, shkroi në Facebook, ku publikoi një video.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent raportoi edhe dje për gjithsej 23 zjarre, prej të cilat shtatë kishin qenë aktive deri në orën 15:00.
Ende nuk dihet se sa dëme janë shkaktuar, por më parë gjatë këtij muaji janë publikuar shumë video në rrjete sociale që tregonin se si arat e mbjella me drithëra si grurë kapeshin nga zjarret.
Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), gjatë vitit 2024 në Kosovë ishin regjistruar 94 zjarre, të cilat kishin djegur gjithsej 12.079 hektarë pyje dhe shkurre. /rel/
PRISHTINË, 25 korrik/ATSH/ Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, u ka bërë thirrje politikanëve të Kosovës që të bashkohen dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokadës, para se të nisë zbatimi i masës së përkohshme të Gjykatës Kushteutese.
“Përndryshe, Kosova po hyn në territor të panjohur dhe shtetasit e saj vazhdojnë të humbin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, ka thënë ambasadori përmes një postimi në Facebook, pas pjesëmarrjes në përpjekjen e 52-të të deputetëve për konstituim të Kuvendit. /rel/
TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 29 vatra zjarri, 10 prej të cilave janë ende aktive dhe 4 nën monitorim.
Vatrat aktive më problematike janë regjistruar në këto zona, ku forcat në terren vijojnë të punojnë për izolimin dhe kontrollin e flakëve:
Në vendin e quajtur Liqeni i Luleve, Parku, Kombëtar Lurë, ku zjarri po zhvillohet në tre vatra, janë angazhuar rreth 100 forca nga të gjitha strukturat operacionale, ku sot i janë shtuar edhe 25 forca zjarrfikëse dhe bashkiake.
Në fshatin Zall-Gjoçaj, bashkia Mat vijon puna për shuarjen e zjarrit me rreth 60 forca vendore dhe nga Forcat e Armatosura, si dhe janë kryer 9 misione nga avioni Canadair kroat.
Në vendin e quajtur “Maja e Paliskës”, mbi fshatin Dukat, ndërhyrja edhe e dy helikopterëve të Forcës Ajrore solli përmirësim të situatës. Por sot po punohet për shuarjen përfundimtare të zjarrit.
Po vijon puna në vatrën e zjarrit të rënë në lartësitë e malit mbi fshatin Kalasë, bashkia Delvinë, ku në terren janë dislokuar katër automjete zjarrfikës dhe rreth 70 forca nga strukturat operacionale dhe kanë operuar 2 helikopterë Cougar të Forcës Ajrore.
Puna vijon edhe në fshatin Ploç të Novoselës, ku janë dy vatra të tjera aktive.
Pas ndërhyrjes së forcave operacionale, vatra e zjarrit në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, në Gjirokastër po zhvillohet me intensitet të ulët.
Forcat e emergjencave, ndihmuar edhe nga mjete e 3 avionë dhe 1 helikopter nga shteti grek u angazhuan për shuarjen e zjarrit në fshatin Kakavijë, bashkia Dropull.
Në zonën e Shmilit, Elbasan vijon puna për shuarjen e zjarrit me angazhimin e rreth 90 forcave nga strukturat operacionale.
Në zonën e Shkopetit, në bashkinë Kurbin vijon aktiv zjarri, i cili është përhapur edhe në territorin e bashkisë Mirditë. Ka pasur një angazhim të lartë të forcave, gjithashtu edhe të 2 helikopterëve hungarezë, të ndarë në 3 misione, duke ulur ndjeshëm intensitetin e zjarrit. Aktualisht, banesat janë jashtë rrezikut. Sot do të vazhdojë puna për shuarjen e zjarrit, sërish edhe me ndërhyrjen e dy helikopterëve hungarezë.
Në fshatin Dishnicë, Korçë, vazhdon zjarri ku po punojnë rreth 70 forca të strukturave operacionale.
Në fshatin Muzhak, qarku Berat, zjarri i rënë në një terren malor e bën të vështirë ndërhyrjen, por puna vijon me dy mjete zjarrfikëse.
Forcat e angazhuara në operacionet për shuarjen e zjarreve:
• 52 automjete zjarrfikëse
• 680 forca operacionale
• 215 efektivë nga Forcat e Armatosura dhe 2 helikopterë nga Forca Ajrore si dhe 1 avion Canadair nga shteti kroat
• 2 helikopterë hungarezë, të angazhuar përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile
Gjatë ditës së sotme janë të angazhuar:
• 140 efektivë të Forcave të Armatosura
• 2 helikopterë nga Forca Ajrore
• 2 helikopterë hungarezë, në bashkëpunim me BE-në
Sipas IGJEO-s, sot nuk priten reshje në të gjithë territorin. Ndërsa sa i përket zjarreve, sot pritet nivel rreziku “i lartë” në të gjitha qarqet dhe “shumë i lartë” në qarkun e Korçës.
Temperaturat pritet të arrijnë deri në 42 gradë Celsius në zonat e ulëta.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë pranë strukturave përkatëse çdo vatër të dyshimtë. Bashkëpunimi i qytetarëve mbetet jetik në këtë situatë.
PRISHTINË, 25 korrik/ATSH/ Sot mbushen katërmbëdhjetë vjet kur Njësia Speciale e Policisë së Kosovës (ROSU) kishte ndërmarrë aksionin për t’i futur nën kontroll pikat kufitare në veri Jarinjë dhe Bërnjak.
Në mëngjesin e 25 korrikut 2011, ROSU, ishte nisur drejt pikave kufitare në veri të Kosovës në përpjekje për t’i marrë nën kontroll ato.
Por ROSU hasi në pengesat e serbëve në veri, ku gjatë këtij aksioni nga strukturat ilegale serbe ishte vrarë polici Enver Zymberi.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka dhënë titullin “Hero i Kosovës”, Enver Zymberit, me motivacionin “për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”. /KosovaPress/