MOSKË, 6 gusht /ATSH-DPA/- Vetëm pak ditë para afatit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për një armëpushim në Ukrainë, i dërguari i tij i posaçëm Steve Witkoff zhvilloi sot një raund tjetër bisedimesh në Moskë.
Presidenti rus Vladimir Putin u takua me Witkoff për rreth tre orë në Kremlin.
“Këshilltari i politikës së jashtme i Putinit, Yuri Ushakov, e përshkroi vizitën si të dobishme dhe konstruktive”, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.
Ushakov tha se Moska kishte marrë “sinjale” nga Witkoff në lidhje me qëndrimin e Uashingtonit ndaj Ukrainës dhe se i kishte dërguar mesazhe Trump nëpërmjet të dërguarit.
Asnjëra palë nuk zbuloi detaje të diskutimeve.
Pas disa vitesh kontakti të kufizuar midis Uashingtonit dhe Moskës për shkak të luftës së nisur nga Putini kundër Ukrainës, Witkoff e ka vizituar Rusinë pesë herë këtë vit.
Në korrik, Trump i dha Moskës një afat 50-ditor për t’i dhënë fund luftës. I zemëruar nga sulmet e vazhdueshme ndaj civilëve ukrainas, Trump më vonë e shkurtoi afatin në 12 ditë – që përfundon këtë të premte.
Trump ka kërcënuar me një valë të ashpër sanksionesh nëse Moska nuk i përmbush detyrimet, duke përfshirë “tarifa dytësore” kundër vendeve që blejnë energji ruse, për të penguar financimin e luftës së Kremlinit.
Pikërisht në këtë kontekst, Trump njoftoi sot se po i rriste tarifat ndaj Indisë në 50% për shkak të blerjes së naftës ruse. Norma do të hyjë në fuqi brenda 21 ditësh.
Por ende nuk dihet se sa i përgatitur është Trump – i cili shpesh është mburrur me raportin e tij personal me Putinin – për të përshkallëzuar sanksionet nëse ultimatumi i tij për të arritur një marrëveshje paqeje shpërfillet. //a.i/
The post RUSI – Kremlini: Bisedimet SHBA-Rusi ishin “konstruktive” ndërsa afrohet afati i fundit i armëpushimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.