TIRANË, 21 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot te problematikat e evidentuara në raportin e Bordit Ndërkombëtar të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, ndërsa kërkoi adresimin e tyre.
“Unë besoj se nuk është faji i pasqyrës kur pasqyra na thotë ca të vërteta. Rekomandimet janë të gjitha të vërteta dhe mbeten piketa për mënyrën se si ne duhet ta shikojmë të nesërmen dhe ku duhet të ecim”, tha Rama pas prezantimit të raportit.
Duke folur për numrin e pedagogëve part time në sistem, Rama tha se “të pasurit 50% e stafit akademik part time është problem”.
Po ashtu ai theksoi se duhet të shtohen kapacitetet e diasporës në botën tonë akademike.
“Shtimi i universiteteve tona me ta në radhët e akademikëve tanë është domosdoshmëri. Nuk është e paarsyeshme të vendoset target edhe në këtë pikë dhe të vendosim dhe kushte që t’i vëmë universitetet në pozitën që ta kërkojnë këtë gjë për të përmbushur kushtin. Kjo duhet kthyer në një gjë uniforme”, shtoi Rama.
Një tjetër problem, sipas kryeministrit mbetet edhe numri i madh i universiteteve.
“Ne kemi një numër universitetesh për metër katror më të madh se sa Sllovenia, Anglia dhe plot vende të tjera. Kemi pasur edhe më shumë, kemi shkurtuar por kemi shumë. Ky është fakti. Është kaq e vërtetë kjo sa në mendësinë e shumëkujt është bërë e udhës që sa herë ka fushatë zgjedhjesh të thonë ‘premtoji një universitet se e duan afër te shtëpia’. Ndërkohë që Shqipëria është krejt e vogël, distancat janë krejt të shkurtra dhe burimet njerëzore të Shqipërisë nuk janë sa të Kinës”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se Shqipëria ka 41 universitete që në një masë të madhe kanë programe gjeneraliste, ndërkohë që Sllovenia ka 17 universitete.
Kryeministri theksoi se është folur edhe më parë për racionalizimin e universiteteve por nuk është bërë asnjëherë.
“Këtu nuk bëhet fjalë për të mbyllur, por për të ndryshuar strukturë dhe qasje. Jo për të mbyllur vatra që i shërbejnë dijes, por për të ndryshuar. Pastaj kemi programet që bëhen për të pasur studentë dhe jo për të prodhuar ekonomi dhe dije dhe ky është fakt”, tha Rama.
Nga ana tjetër, Rama tha se është folur për ndërkombëtarizimin e universiteteve por jemi ende larg.
“Nuk do ecim dot më shpejt përpara nëse nuk pranohet problemin. Që ky është atdheu u plagjiaturës këtë e dimë shumë mirë. U bë gjithë ajo lëvizje e madhe ‘Pakti për universitetin’ dhe i vetmi element që mbeti i paadresuar fare është plagjiatura”, tha Rama, ndërsa shtoi se “problematika e plagjiaturës nuk është e adresuar si duhet”.
Rama kërkoi që puna të fokusohet për të bërë një transformim të mëtejshëm dhe shumë domethënës në këtë periudhë që përkon me periudhën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“Ne duhet të vendosim stekën shumë më lartë. Progresi i deritanishëm na jep të gjitha arsyet që të besojmë se është e mundur të shkojmë shumë më larg”, shtoi Rama. /j.p/
The post Rama: Problematika e plagjiaturës nuk është e adresuar si duhet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.