Konsultim publik për projektligjin, rregulla të reja për kontrollet për sigurinë ushqimore
TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për kontrollet zyrtare”.
MBZHR fton qytetarë, ekspertë të fushës, shoqata dhe përfaqësues të tjerë të publikut të interesuar për të kontribuar përgjatë procesit të konsultimit publik.
Në këtë drejtim, MBZHR siguron se qëllimi i këtij ligji është të garantojë një nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe bimëve në Republikën e Shqipërisë, përmes përcaktimit të rregullave të përgjithshme dhe të veçanta.
Po ashtu synohet vendosja e parimeve dhe kërkesave për kontrollet dhe aktivitetet zyrtare, si dhe rregullimi i përgjegjësive, financimit dhe procedurave për kryerjen e kontrolleve zyrtare.
Projektligji përcakton në mënyrë të detajuar mënyrën e re të kontrollit të sigurisë ushqimore, nga produktet bimore e deri te nënproduktet shtazore, me qëllim “ushqime më të sigurta” për konsumatorët por edhe për kafshët.
“Institucioni i Kontrollit Zyrtar” do të mbikëqyrë subjektet që operojnë në vend, me një shtrirje të gjerë, nga bujqësia në blegtori. “Institucioni i Kontrollit Kufitar” do të funksionojë vetëm në pikat kufitare. Ndërsa institucioni i “Aktiviteteve të tjera” do të mbulojë aspektet e mbetura, në fushën e sigurisë ushqimore.
Projektligji i ri parashikon që kontrollet të kryhen vetëm me bazë risku. “IPKZ kryen rregullisht kontrolle zyrtare në të gjithë operatorët, mbi bazë të riskut dhe me frekuencën të përshtatshme, duke marrë parasysh risqet e identifikuara që lidhen me kafshët dhe mallrat; aktivitetet nën kontrollin e operatorëve; vendndodhjen e aktiviteteve ose veprimtarisë të operatorëve; përdorimin e produkteve, proceseve, materialeve ose substancave që mund të ndikojnë në sigurinë e ushqimit, integritetin dhe cilësinë e ushqimit, ose sigurinë e ushqimit për kafshë, shëndetin ose mirëqenien e kafshëve, shëndetin e bimëve ose, në rastin e OMGJ-ve dhe produkteve për mbrojtjen e bimëve, që mund të kenë gjithashtu një ndikim negativ në mjedis”, thuhet në projektligj.
Për të bërë kontrolle në subjekte, projektligji parashikon se duhet të ketë rreziqe të identifikuara më parë sa i takon cenimit të sigurisë ushqimore, të ketë informacione për mundësinë e mashtrimit të konsumatorëve, si dhe duke u bazuar në historikun e të dhënave të operatorëve në lidhje me rezultatet e kontrolleve zyrtare të kryera ndaj tyre.
“Kontrollet zyrtare kryhen pa njoftim paraprak, përveç rasteve kur njoftimi paraprak është i nevojshëm dhe i justifikuar. Në kontrollet zyrtare me kërkesë të operatorit, autoriteti kompetent mund të vendosë nëse kontrolli zyrtar kryhet me ose pa njoftim paraprak”, thuhet në projektligj.
Kontrollet duhet të bëhen para se produktet të hidhen në treg, apo në rastin e bagëtive parashikohen analiza përpara se të shkojë në thertore. Po kështu saktësohet se pjesë e kontrolleve do të jenë edhe produktet që vijnë nga importi apo ato që eksportohen në pikat e kontrollit kufitar, këto të fundit do të miratohen me urdhër nga ministri i Bujqësisë.
Por, kontrollet për sigurinë ushqimore nuk do të jenë vetëm në dorë të shtetit. Projektligji i ri ka krijuar hapësirë për të kontraktuar edhe operatorë privatë, në mbikëqyrjen e sigurisë së ushqimeve, nga bimët deri tek kafshët.
“Trupë e deleguar” nënkupton një person juridik të veçantë të cilit autoritetet kompetente i kanë caktuar detyra të caktuara të kontrollit zyrtar ose detyra të caktuara që lidhen me aktivitete të tjera zyrtare”, thuhet më tej në projektligj.
Këto subjekte private, që do të jenë të ngarkuara me kontrollin e bizneseve bujqësore apo blegtorale duhet që të raportojnë sa herë t’u kërkohet tek autoritetet kompetente për rezultatet e kontrolleve zyrtare.
Projektligji parashikon gjoba për bizneset që abuzojnë me sigurinë ushqimore të bimëve dhe kafshëve, që shkojnë nga 100 mijë lekë deri në 2 milionë lekë (ose rreth 20 mijë euro), në rastin kur subjekti operon i paregjistruar.
Në përfundim të procesit të konsultimit publik, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të përmbledhë të gjitha sugjerimet dhe komentet dhe do të japë arsyet për mënyrën se si ato janë reflektuar ose jo në projekt-akt.
Konsultimi publik ka nisur në datën 19 gusht dhe do të zgjasë deri më 16 shtator 2025.
/m.m/j.p/
The post Konsultim publik për projektligjin, rregulla të reja për kontrollet për sigurinë ushqimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.