Një sërë bisedash të përgjuara mes zyrtarëve të larta të Bankers Petroleum, hedhin dritë mbi mënyrën se si janë menaxhuar fondet dhe si vendoseshin përparësitë në pagesat mujore të kompanisë para se të ndërhynte prokuroria, duke vënë përballë akuzës personat përgjegjës.
Në qendër të diskutimeve janë shuma të konsiderueshme që lëvizin përmes një llogarie bankare në Vjenë, ndërsa ndërmarrja shtetërore Albpetrol, një prej partnerëve strategjikë në sektorin e naftës, shtyhet në mënyrë sistematike për t’u paguar “më vonë”.
Në audiopërgjigjimet që disponon prokuroria, newsbomb.al ka zbardhur bisedën e datës 9 prill 2025, midis Majlinda Thanës, drejtoreshë e Thesarit pranë Bankers dhe një zyrtareje të huaj të financave, Sheri.
Ato diskutojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë për planin e pagesave dhe prioritetet që do të ndiqen.
Disa nga kompanitë që përfitojnë janë Antea, PetroSolution, Sherwood dhe SIA Kalandra, ndërsa Albpetrol vendoset në fund të listës.
“Pse ke përfshirë Albetrol? Është në fund të muajit, presim të ardhurat e ardhshme. Mund të presë me 1.5 milionë”, thotë Majlinda Thana.
Në një situatë tjetër, e njëjta zyrtare i sugjeron koleges që të mos dërgohet dokumentacioni për aprovim, duke pranuar se lista e pagesave nuk pasqyron realisht detyrimet emergjente të kompanisë.
Në të njëjtën bisedë diskutohet për përdorimin e një karte krediti që rezulton të jetë në emër të një ish-punonjësi të kompanisë, një person i identifikuar si “Sugar”, i cili, sipas zyrtares, është larguar nga Bankers që prej janarit, por karta vazhdon të përdoret në mënyrë të paqartë.
“Nuk ka arsye që kompania të mbulojë shpenzimet e kartës së tij të kreditit. Ai nuk është më punonjës”, thuhet në përgjimet e siguruara.
Të nesërmen, më 10 prill 2025, në dy biseda të tjera të regjistruara, zbulohet ekzistenca e një llogarie bankare në Vjenë, përmes së cilës janë transferuar 2 milionë euro drejt Shqipërisë, pjesë e të cilave janë përdorur për pagesa të dyshimta dhe jo të dokumentuara qartë.
“Shko te Vienna, është një transfer prej 2 milionësh… edhe një tjetër prej 60 mijë. Këto janë nga Viena”, thotë Thana.
“PetroSolution do paguhet vetëm një faturë, pjesa tjetër më vonë”, vijon ajo.
Nga përmbajtja e përgjimeve del qartë se pagesat ndaj institucioneve shtetërore si Albetrol nuk shihen si përparësi, ndryshe nga furnitorët privatë që, në disa raste, paguhen edhe me fatura të vjetra, pa dokumentacion të plotë.
Skema e menaxhimit të këtyre pagesave ka bërë që Shqipërisë t’i shkaktohet një dëm financiar prej 240 milionë eurosh.
Tashmë drejtuesit e kësaj kompanie janë vënë para përgjegjësisë penale, ndërsa gjykata ka caktuar masën “arrest me burg” për ish-administratorin e “Bankers Petroleum”, Leonidha Çobo dhe drejtorin aktual Hongping Xiao. Ndërkaq, për Majlinda Thanën është vendosur një masë sigurie “Detyrim Paraqitje”.
Bisedat e regjistruara në 9 prill 2025, mes Majlinda Thana drejtoreshë e Thesarit pranë Bankers Petrolium me një shtetase të huaj të quajtur Sheri (punonjëse e lartë brenda Bankers në fushën e Financave)
Personi – A – Është shtetasja Majlinda Thana me numër telefoni 06970…
Personi – B – Është shtetasja Sheri me numër telefoni 06940…
Personi B: Përshëndetje Majlinda
Personi A: Përshëndetje Sheri, si je?
Personi A: Pra, fillimisht dua të të informoj që jam me pushime deri më 28 Prill. Pushimet nga viti 2024.
Personi A: Viti i kaluar, viti i kaluar.
Personi A: Kjo do të thotë që nuk do të kontrolloj email-in shumë shpesh, por nëse ka ndonjë urgjencë, mund të më ndihmoj, sigurisht. Së dyti, pashë planin tënd të pagesave (cash plan), ku më ke kërkuar të jap mendimin tim, etj.
Personi A: E pashë që nuk ka shumë hapësirë për pagesa të tjera, ndërkohë që ka shumë pagesa urgjente. Për shembull, së pari është Antea. Me Antea kemi garanci bankare, siç e di, dhe duhet të paguajmë, sepse kanë kaluar disa muaj pa bërë pagesë ndaj tyre, dhe borxhi i grumbulluar është rreth 500,000 USD, dhe kjo duhet patjetër të paguhet…Së dyti, kemi qiratë e tokës. Vlera e tyre është më pak se 1 milionë USD, por u kam kërkuar të dërgojnë kërkesat më urgjente sdhe vlera e tyre shkon deri në 400,000 USD. Gjithsesi, unë do të përgatis pagesat urgjente sipas atyre që shoh si më të rëndësishmet që nuk mund të shtyhen z.Xiao dhe të tjerët mund të japin sugjerime apo të konfirmojnë.
Personi B: Po, po…(flet dhe nuk kuptohet)
Personi A: Por kam parë që ke përfshirë këtu edhe Albetrol. Pse? Eshtë në fund të muajit, atëherë të presim të ardhurat e ardhshme për ta paguar Albetrol.
Personi B: Po mund të diskutojmë për këtë. Ndoshta duhet ta shtyjmë. Duhet të diskutojmë cilat.
Personi A: Po, sipas meje, albpetrol mund të presë me 1.5 milionë. Duhet të presë padiskutim. Përndryshe na mbeten shumë pak para në dispozicion dhe ka shumë furnitorë të rinj që nuk janë përfshirë si psh Seriani, SIA Kalandra etj…kështu që…
Personi B: Duhet të përditësosh…(flet por nuk kuptohet)
Personi A: Nuk e di nëse ke përfshirë këtu…lërme të kontrolloj…Petro Solution 800 mijë duket paksa shumë. Mund ta shtyjmë një pjesë të shumës për në fund të muajit. Këshilla ime është që të shtyjmë një pjesë të shumës për Petro Solution dhe Albetrol deri në të ardhurat e ardhshme.
Personi B: Flet po nuk kuptohet
Personi A: Por sidoqoftë duhet të përgatitemi edhe për përballjen tjetër financiare – të përcaktojmë pagesat urgjente që të dimë sa para kemi, sa mund të shpenzojmë. Sigurisht, edhe një lojale tjetër doganore për tu hequr, dhe pastaj mund të shohësh se cfarë mbetet për tu shpërndarë te furnitorët e tjerë. Sepse në këtë formë nuk është shumë e saktë për tu derguar për aprovim te menaxhmenti – ata duhet të jenë të informuar për të gjitha shpenzimet e detyrueshme të muajit. Ok? Ndoshta do ta përditësoj më vonë. Nuk e di nëse do ta dërgoj gjatë orarit të punës apo pasdite, por më mirë të mos aprovohet ky version. Më mirë të mos aprovohet. Sepse…
Personi B: (flet por nuk kuptohet)
Personi A: Po, sepse ka disa furnitorë të vegjël që po kërkojnë pagesë çdo ditë. Më mirë të bëjmë pagesat. Po. Po, e di.
Personi A: Më fal, një shqetësim nga departamenti financiar është në lidhje me kartën e kreditit të Sugar-it. E dimë që ai është larguar nga kompania dhe nuk është më pjesë e pagave tona që prej janarit, por karta e tij e kreditit vazhdon të përdoret. Kjo i takon menaxhmentit të vendosë çfarë të bëhet me atë kartë. Nëse duan ta mbajnë apo jo – ata duhet t’i japin një udhëzim, sepse ai nuk është më punonjës. Por shpenzimet që janë bërë që kur është larguar, nuk e dimë për sa kohë – kompania duhet të vendosë nëse do t’i mbulojë apo do t’i paguajë vetë. Nëse ai nuk është më punonjës, nuk ka arsye që kompania të mbulojë shpenzimet e kartës së tij të kreditit.
Por është prioritet që dikush të flasë me z. Wang ose z. Xiao. Nuk e di. ndoshta z. Xiao ka qenë shefi i tij. Por edhe z. Wang. Sepse, nga ana financiare, karta e kreditit është në departamentin e financës dhe duhet ta zgjidhim këtë sa më shpejt. Besoj se ti i ke dërguar shpenzimet e tij edhe te qendra, sepse merr deklaratat e kartës së kreditit.
Personi B: (flet por nuk kuptohet)
Personi A: Okej, pra karta e tij e kreditit është pjesë e kontrollit të auditimit. Sipas politikave të brendshme, nëse dikush nuk është punonjës, dhe ka kartë krediti, atëherë duhet të justifikohen shpenzimet – ose të paguhet nga z. Xiao, ose të vendosë kompania çfarë do bëjë… Pra, është një vendim që duhet ta marrin. Okej? Por të lutem, vendose si prioritet për diskutim me Z. Xiao.
Z. Wang apo qendra. sepse duhet ta zgjidhim këtë çështje.
Personi A: Faleminderit. Mirupafshim./NEWSBOMB.al
The post Skandali i “Bankers”/ Zbardhen përgjimet mes drejtuesve: Mbarojmë punë me kompanitë e tjera, Albpetroli do paguhet më vonë… appeared first on Albeu.com.